Përmbajtja
1. Zeqati i fitrit
2. Dhënia e zeqatit të fitrit
3. Çështje të ndryshme në lidhje me fitrin
1. Zeqati i fitrit
1999. Në kohën e perëndimit të diellit në natën e Fitër Bajramit (dmth. nata para ditës së Bajramit), gjithkush që është i rritur, me mendje të shëndoshë e me vetëdije të plotë, që nuk është i varfër dhe as skllav i dikujt, duhet të japë për veten dhe për të gjithë ata që janë (ekonomikisht) të varur prej tij, nga tre kilogramë gru ose elb ose hurma ose rrush të thatë ose mel etj.
Mjafton edhe sikur personi ta paguajë vlerën e këtyre gjërave me para. Si një masë e detyrueshme kujdesi, ai nuk duhet të japë nga ato ushqim që nuk përdoren si ushqime në vendin e tij, edhe sikur të jenë miell, elb, hurma ose rrush i thatë.
2000. Nëse një njeri nuk është në gjendje t’i përballojë shpenzimet e tija dhe ato të familjes së tij, për një periudhë prej një viti, dhe nëse nuk ka dikë tjetër që mund t’ia mbulojë këto shpenzime, ai konsiderohet i varfër dhe nuk e ka për detyrim ta paguajë zeqatin e fitrit.
2001. Personi duhet ta paguajë zeqatin e fitrit për të gjithë ata që trajtohen si të varur prej personit në shtëpinë e tij, në natën e Fitër Bajramit, qofshin të rinj ose pleq, muslimanë ose jomuslimanë, pavarësisht në është ose jo mirëqenia e tyre ekonomike një përgjegjësi për personin dhe pavarësisht në janë atë çast në qytetin e tij ose në ndonjë qytet tjetër.
2002. Nëse një person e emëron një njeri të varur prej tij, që është në një qytet tjetër, ta paguajë fitrin nga pasuria e tij, dhe nëse është i bindur se ai e ka paguar fitrin, personi nuk ka nevojë ta paguajë fitrin edhe për të.
2003. Është e detyrueshme të paguhet fitri për një mysafir që arrin në shtëpinë e personit, me dijen dhe miratimin e tij, para perëndimit të diellit, në natën e Fitër Bajramit dhe nëse ai bëhet, edhe përkohësisht, i varur nga i zoti i shtëpisë.
2004. Fitri për një mysafir që arrin në shtëpinë e personit, pa miratimin e tij paraprak dhe para perëndimit të diellit, në natën e Fitër Bajramit, duke qëndruar për një kohë të caktuar, si një masë e detyrueshme kujdesi (ihtijat vaxhib), është një detyrim për të zotin e shtëpisë. Po kështu, nëse ai detyrohet ta mirëmbajë një person, edhe fitri i tij do të jetë një detyrim për të.
2005. Nëse një mysafir arrin pas perëndimit të diellit, në natën e Fitër Bajramit, dhe konsiderohet i varur nga i zoti i shtëpisë, pagesa e fitrit për të është një detyrim për të zotin e shtëpisë, si një masë e detyrueshme kujdesi. Por nëse ai nuk konsiderohet i varur nga i zoti i shtëpisë, pagesa e fitrit për të nuk është detyrim, edhe sikur ta ketë ngrënë iftarin në shtëpinë e personit.
2006. Nëse një person është i çmendur në kohën e perëndimit të diellit, në natën e Fitër Bajramit, dhe çmenduria e tij vazhdon deri në kohën e drekës në ditën e Bajramit, për të nuk është një detyrim pagesa e fitrit. Në të kundërt, (pra nëse shërohet), si një masë e detyrueshme kujdesi, ai duhet ta paguajë fitrin.
2007. Gjatë perëndimit të diellit (në natën e Fitër Bajramit), nëse një fëmijë hyn në moshën e pjekurisë, nëse një i çmendur shërohet dhe nëse një i varfër bëhet i vetëmjaftueshëm ekonomikisht, duke i përmbushur parakushtet për të dhënë fitër, fitri bëhet i detyrueshëm për të.
2008. Nëse për personin, nuk është e detyrueshme të paguhet fitri në kohën e perëndimit të diellit në natën e Fitër Bajramit, dhe nëse, para kohës së drekës në ditën e Bajramit, piqen kushtet që ia bëjnë atij detyrim pagesën e fitrit, ai duhet ta paguajë fitrin, si një masë e detyrueshme kujdesi.
2009. Nëse një jomusliman bëhet musliman pas perëndimit të diellit në natën e Fitër Bajramit, ai nuk e ka për detyrim pagesën e fitrit. Por nëse një musliman, i cili nuk ka qenë shiit, bëhet shiit pas vëzhgimit të hënës së re, ai duhet ta paguajë fitrin.
2010. Është e pëlqyeshme (mustehap) që një njeri, i cili ka në pronësi së paku 1 sa’a (rreth 3 kg) gru, të paguajë fitër. Dhe nëse ka pjesëtarë të familjes dhe dëshiron të paguajë fitër edhe për ta, ai mund t’ia japë këtë sasi të grurit një pjesëtari të familjes së tij si fitër. Pastaj, ai pjesëtar ia jep një pjesëtari tjetër të familjes si fitër dhe kështu vazhdon deri tek pjesëtari i fundit. Është më mirë, nëse pjesëtari i fundit ia jep këtë sasi një personi që nuk është i familjes. Dhe nëse njëri prej tyre është fëmijë, prindi i tij mund ta marrë fitrin në emër të fëmijës. Si masë kujdesi, ajo që merret për fëmijën, nuk duhet t’i jepet dikujt tjetër.
2011. Nëse fëmija i një person lind pas perëndimit të diellit, në natën e Fitër Bajramit, nuk është një detyrim të jepet fitër për të. Megjithatë, është një masë e detyrueshme kujdesi, që personi të paguajë fitër për të gjithë ata që konsiderohen të varur prej tij pas perëndimit të diellit, deri para kohës së drekës në ditën e Fitër Bajramit.
2012. Nëse dikush është i varur nga një person por para perëndimit të diellit, bëhet i varur nga një person tjetër, fitri i tij është një detyrim për personin e dytë, i varur i të cilit bëhet njeriu. Për shembull, nëse vajza e një personi shkon para perëndimit të diellit në shtëpinë e të shoqit, i shoqi duhet të paguajë fitër për të.
2013. Nëse fitri i një personi është i detyrueshëm për një person tjetër (prej të cilit është i varur), ai vetë nuk e ka për detyrim të japë fitër.
2014. Nëse fitri i një personi është një detyrim mbi një person tjetër, i cili, megjithatë, nuk e paguan fitrin e të parit, si masë e detyrueshme kujdesi, personi duhet vetë ta paguajë fitrin e tij. Kështu, nëse të gjithë kushtet e përmendura në pikën 1999 janë plotësuar, ai vetë duhet ta paguajë fitrin e tij.
2015. Nëse fitri i një personi është detyrim i një personi tjetër, ky detyrim nuk mbaron thjesht ngase ai i pari e ka paguar vetë fitrin e tij.
2016. Në rastin e një gruaje që nuk mirëmbahet ekonomikisht nga i shoqi por nga një person tjetër, fitri i saj është një detyrim për këtë person të dytë. Por nëse ajo nuk është e varur as nga ndonjë person tjetër, ajo vetë duhet ta paguajë fitrin e saj, përderisa nuk është e varfër.
2017. Një person që nuk është Sejjid (pasardhës i Profetit), nuk mund t’ia japë fitrin një njeriu që është Sejjid. Dhe nëse një Sejjid është i varur prej tij, fitrin për të nuk mund t’ia japë një Sejjidi tjetër.
2018. Fitri për një fëmijë që merr gji nga nëna ose nga nëna e qumështit, duhet të paguhet nga personi që i përballon shpenzimet e nënës ose të nënës së qumështit. Por nëse nëna ose nëna e qumështit mirëmbahen ekonomikisht nga prona e vetë fëmijës, pagesa e fitrit për fëmijën nuk është një detyrim për askënd.
2019. Edhe sikur një njeri ta mirëmbajë familjen e tij në mënyra të palejuara (haram), fitrin e tyre duhet ta paguajë nga një pronë e lejuar (helal) që ka.
2020. Nëse dikush e punëson një zdrukthar ose një shërbetor, duke u pajtuar ta marrë përsipër mirëmbajtjen e tij ekonomike, është detyrim të paguajë fitër për të. Por nëse pajtohet se do t’i paguajë rrogë për punën e tij, nuk është një detyrim pagesa e fitrit për të.
2021. Nëse një person vdes para perëndimit të diellit në natën e Fitër Bajramit, nuk është e detyrueshme që fitri i tij dhe i familjes së tij, të paguhet nga pronat e tija. Por nëse vdes pas perëndimit të diellit, përgjithësisht pranohet se fitri është një detyrim që duhet paguar nga prona e tij. Megjithëse kjo çështje është vështirë të përcaktohet (arab. Ishkal), është më mirë të veprohet me kujdes (ihtijat) dhe të paguhet edhe fitri i tij edhe i familjes së tij.
2022. Si një masë e detyrueshme kujdesi (ihtijat vaxhib), fitri duhet t’u paguhet të varfërve në mesin e shiitëve, të cilët i përmbushin parakushtet për pranimin e zeqatit. Por nëse nuk ka shiitë që e meritojnë zeqatin në qytetin ku jeton personi, ai mund t’ua japë muslimanëve të tjerë, që e meritojnë zeqatin. Sidoqoftë, personi nuk guxon t’ia japë fitrin një njeriu që është Nasibi (armik i Ehl-i Bejtit).
2023. Nëse një fëmijë shiit është i varfër, njeriu mund t’ia falë fitrin atij ose t’ia dorëzojë kujdestarit të fëmijës, për t’u ruajtur si një pasuri e fëmijës.
2024. Nuk është e domosdoshme që i varfëri, të cilit i jepet fitri, të jetë një njeri i drejtë (adil). Por, si një masë e detyrueshme kujdesi, fitri nuk guxon t’i jepet një pijaneci ose një personi që nuk i fal namazet ose mëkaton hapur.
2025. Fitri nuk duhet t’i jepet një personi që shpenzon për vepra të ndaluara (harame)
2026. Si një masë e këshillueshme kujdesi, një të varfëri nuk duhet t’i jepet fitër që është më pak se një sa’a (3 kg.). Megjithatë, nuk ka të keqe nëse i jepet më shumë se kaq.
2027. Kur çmimi i një materiali ushqimor me cilësi të lartë, është sa dyfishi i çmimit të materialit me cilësi normale, për shembull nëse çmimi i një lloji të grurit është sa dyfishi i çmimi të grurit normal, nuk mjafton që vetëm gjysma e grurit të dhënë për fitre (gjysëm sa’a), të jetë nga gruri me cilësi të lartë. Nuk është e mjaftueshme edhe sikur vlera e gjysmës së sasisë të jepet me nijetin e fitrit.
2028. Personi nuk duhet të pagujë si fitër gjysëm sa’a (1,5 kg) nga një material ushqimor (p.sh. gru) dhe gjysmën tjetër nga një material tjetër ushqimor (p.sh. elb). Edhe sikur t’i japë këto me nijetin e të pagurit të çmimit të fitres, kjo nuk mjafton.
2029. Është e pëlqyeshme (mustahap) që, gjatë dhënies së fitrit, personi t’i japë përparësi farefisit të varfër, fqinjëve të varfër dhe pastaj të tjerëve. Po kështu, është e pëlqyeshme që t’u japë përparësi njerëzve të ditur dhe fetarë para të tjerëve.
2030. Nëse dikush i jep fitre një personi, duke menduar se është i varfër, por pastaj kupton se ai nuk është i varfër, ai duhet ta marrë prapa prej tij, nëse gjëja që e ka dhënë si fitre ekziston akoma. Pas kësaj, atë duhet t’ia japë një njeriu tjetër, i cili e meriton fitren. Nëse nuk mund ta marrë prapa atë që e ka falur si fitre, ai duhet të kompenzojë nga prona e tij dhe ta japë sërish fitren. Nëse gjëja e dhënë si fitre është përdorur nga personi që e ka pranuar, dhe nëse ai njeri e ka ditur se merr zeqat të fitrit, ai duhet ta kompenzojë këtë. Por nëse personi që e ka pranuar fitrin, nuk e ka ditur se merr fitër, nuk ka një detyrim për të dhe njeriu që e fal i pari fitrin, duhet ta paguajë sërish fitrin nga prona e tij.
2031. Nëse një njeri thotë se është i varfër, fitri nuk mund t’i jepet atij, derisa personi që jep, nuk është i bindur për këtë ose nëse nuk e ka ditur paraprakisht se ai është i varfër vërtet.
3. Çështje të ndryshme në lidhje me fitrin
2032. Personi duhet ta japë fitrin me Nijet Kurba, gjegjësisht për t’i përmbushur urdhrat e Zotit të Gjithëfuqishëm. Po kështu, njeriu duhet të ketë për qëllim ta japë fitrin në kohën kur duhet të jepet.
2033. Nuk është e saktë që fitri të jepet para muajit Ramazan dhe është më mirë sikur të mos jepet gjatë muajit Ramazan. Megjithatë, nëse një person i jep borxh një të varfëri para Ramazanit dhe pastaj, kur vjen koha e fitrit, e llogarit shumën si pjesë të fitrit, nuk ka asgjë të keqe.
2034. Është e nevojshme që gruri, ose çfarëdo tjetër që personi jep si fitër, të mos jetë i përzier me ndonjë material tjetër ushqimor ose me pluhur. Nëse është i përzier, nëse në gjendje të pastër, sasia është një sa’a (rreth 3 kg.) dhe nëse materiali i përzier është aq pak sa mund të shpërfillet ose është i përdorshëm, nuk ka të keqe në të.
2035. Nuk mjafton të jepet fitri nga një gjë që është e pavlerë ose e prishur.
2036. Nëse një njeri jep fitër për një numër njerëzish, nuk ka nevojë që ai të paguajë për secilin me një material të njejtë. Për shembull, nëse jep gru si fitre për disa prej tyre dhe nëse jep elb, si fitre për disa të tjerë, kjo është e mjaftueshme.
2037. Nëse personi e fal namazin e Bajramit, si një masë e detyrueshme kujdesi, ai duhet ta japë fitrin para namazit të Bajramit. Por nëse nuk e fal namazin, dhënien e fitrit mund të shtyejë deri në kohën e drekës.
2038. Nëse një person e ndan sasinë e fitrit nga prona e tij e përgjithshme, dhe nuk ia jep një personi që e meriton, deri në kohën e drekës së ditës së Bajramit, ai duhet sërish të bëjë nijet për të dhënë fitër kurdo që ta japë atë.
2039. Nëse një person nuk e jep fitrin në kohën kur dhënia e fitrit është një detyrim, dhe as nuk e ndan atë, duhet ta japë fitrin më pas, si një masë kujdesi, pa e shprehur në nijetin e tij, në e jep në kohë (eda) ose me vonesë (kaza).
2040. Nëse një person e ndan sasinë e fitrit, ai nuk mund ta përdorë atë për nevojat e tija ose ta zëvendësojë me një shumë ose me një sasi tjetër.
2041. Nëse personi ka një pronë, vlera e të cilës është më shumë se sasia e fitrit, dhe nuk jep fitër, duke bërë nijet se një pjesë e asaj prone është për fitër, kjo çështje është vështirë të përcaktohet (arab. Ishkal).
2042. Nëse humbet një gjë e ndarë për fitër, personi duhet ta zëvendësojë atë, nëse ekziston një i varfër, i cili e meriton fitrin dhe nuk e merr dot, për shkak të vonesës nga dhënësi ose për shkak të pakujdesisë së tij. Por nëse nuk ka patur një njeri të varfër dhe nëse personi është kujdesur për sasinë e fitrit, duke mos shfaqur papërgjegjësi, nuk ka nevojë ta zëvendësojë gjënë e humbur.
2043. Nëse një person që e meriton fitrin gjendet në vendbanimin e personit, është një masë e detyrueshme kujdesi, që fitri të mos transferohet në ndonjë vend tjetër. Por nëse kjo bëhet dhe sasia e fitrit humbet, ai duhet ta zëvendësojë atë.
FUND