Namazet e bajrameve sipas mësimeve të Ehl-i Bejtit
Abdullah Turan
28.07.2014

Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Namazet e Fitër dhe Kurban Bajramit bëhen të detyrueshme vetëm nëse është i pranishëm Imami i drejtë.” (El-Vesail, vëll.5, fq.96)


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Personi që nuk arrin ta falë me xhemaat namazin e Fitër ose Kurban Bajramit, le të bëjë gusl, le të lyhet me një parfum dhe le ta falë në shtëpi, njësoj siç do ta falte me xhemaat.” (El-Vesail, vëll.5, fq.98)


Duke u mbështetur në thëniet e tilla, në jurispudencën shiite, namazet e bajrameve janë të detyrueshme (vaxhib) vetëm në prani të Imami të dëlirë nga Ehl-i Bejti dhe falen me xhemaat. Megjithatë, personi i cili nuk arrin dot ta falë me xhemaat, është e pëlqyeshme (mustehap) ta falë vetëm këtë namaz.


Në kohën tonë, që është periudha e “fshehtësisë” së Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të), që të dyja format e namazit të bajramit (me xhemaat ose individualisht) konsiderohen veprime të pëlqyeshme (mustehap) dhe jo të detyrueshme (vaxhib).


Koha e këtyre namazeve është në ditën e parë të bajramit në fjalë, fillon me lindjen e diellit dhe zgjat deri në fillimin e kohës së drekës. Është e pëlqyeshme që të falet pasi të ketë kaluar një kohë e caktuar pas lindjes së diellit.


Në rastin e namazit të Fitër Bajramit, si një masë kujdesi, duhet që para namazit, të jetë dhënë zeqati i fitrit ose së paku të jetë ndarë shuma e caktuar, për t’u dhënë më pas. 


 


Mënyra e faljes së namazeve të Fitër dhe Kurban Bajramit 


Sipas mësimeve të Ehl-i Bejtit, në namazin e bajramit nuk recitohet ezani dhe ikameti. Në vend të tyre, thuhet tri herë “Es-salat


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ezani dhe ikameti nuk recitohen në namazet e Fitër dhe Kurban Bajramit. Në vend të tyre, thuhet tri herë Es-salat” (El-Vesail, vëll.5, fq.101)


Njësoj si në namazin e Xhumasë, gjatë namazeve të bajramit, është e detyrueshme që të mbahen dy ligjërata. Ligjëratat në namazet e bajramit, për dallim nga ato të namazit të Xhumasë, duhet të mbahen pasi të jetë falur namazi. Mbajtja e ligjëratave para namazit konsiderohet një risi në fe (bidat).


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Namazet e bajramit janë nga dy reqate dhe ligjëratat e tyre mbahen pas namazit. Osmani (Kalifi i tretë) është i pari që këto ligjërata i ka mbajtur para namazit. Ndërmjet dy ligjëratave, imami duhet të ulet për një kohë të shkurtër.” (El-Vesail, vëll.5, fq.110) 


Namazet e Fitër dhe Kurban Bajramit janë nga dy reqate dhe falen si vijon:


Me qëllim (nijet) të faljes së namazit të (fitër ose kurban) bajramit, shqiptohet tekbiri fillestar. Pastaj, pas recitimit të kapitullit “Fatiha” dhe të një kapitulli të dytë, shqiptohen pesë tekbire dhe pas secilit tekbir, bëhet një kunut. Pas kunutit të pestë, shqiptohet edhe një tekbir tjetër, shkohet në ruku e në sexhde dhe pastaj xhemaati (ose personi, në rast se e fal vetëm namazin) ngrihet në këmbë.


Në reqatin e dytë, pas recitimit të kapitullit “Fatiha” dhe të një kapitulli të dytë, shqiptohen katër tekbire dhe pas çdo tekbiri bëhet kunut. Pas kunutit të katërt, sërish shqiptohet tekbiri, shkohet në ruku dhe pas dy sexhdeve, recitohet teshhehudi. Më pas, duke e recituar edhe selamin, namazi përfundon.


Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) duke e përshkruar faljen e namazit të bajramit, ka thënë: Namazi fillon me tekbirin fillestar. Pasi të jetë recituar Fatiha-ja dhe një kapitull i dytë, shqiptohen pesë tekbire, ndërmjet të cilëve bëhet kunut. Më pas, pasi të shqiptohet edhe një tekbir i gjashtë, shkohet në ruku. Pastaj, pasi të jenë bërë sexhdet, njerëzit ngrihen në këmbë. Kësaj rradhe, pasi të recitohet Fatiha-ja dhe një kapitull i dytë, shqiptohen katër tekbire, ndërmjet të cilëve bëhet kunut. Më pas shqiptohet edhe një tekbir i pestë, shkohet në ruku dhe namazi përfundon në mënyrë normale. Pas Fatiha-së së reqatit të parë, recitohet kapitulli A’la (nr.87) kurse pas Fatiha-së së reqatit të dytë, kapitulli Shems(nr.91) (Furu el-Kafi, vëll.3, fq.460; El-Vesail, vëll.5, fq.107) 


Gjatë namazit të bajramit, mund të recitohet cilido kapitull i Kur’anit, përveç kapitujve ku është e detyrueshme të bëhet sexhde. Por është e pëlqyeshme që kombinimi të bëhet në atë mënyrë që në reqatin parë të recitohet kapitulli Shems (nr.91) dhe në reqatin e dytë, kapitulli Gashije (nr.88) ose në reqatin e parë kapitulli A’la (nr.87) dhe në reqatin e dytë kapitulli Shems (nr.91).


Është gjithashtu e pëlqyeshme që kapitujt e Kur’anit të recitohen me zë dhe gjatë tekbirit, duart të ngrihen deri tek veshët.


Nëse gjatë namazit të bajramit, personi është në dyshim ndërmjet dy numrave në lidhje me tekbiret dhe kunutet e bëra, ai duhet të veprojë duke supozuar se e ka kryer numrin më të vogël të tyre. Nuk është problematike nëse më pas kuptohet se ai në të vërtetë ka kryer më shumë.


Gjatë kunuteve në namazet e bajramit, mund të recitohet cilado lutje ose cilido dhikër. Megjithatë, lutja në vijim është e pëlqyeshme:


Allahumme Ehli’l Kibrijai ve’l Adheme ve Ehli’l Xhudi ve’l-Xheberut ve Ehli’l-Afvi ver-Rahme ve Ehlit Takva ve’l-Magfire. Es’eluke bihakki hadhe’l-jevm elledhi xhealtehu li’l-muslimine ijden. Ve li Muhammedin (Sal’lallahu alejhi ve alihi) zuhren ve sherefen ve kerameten ve meziden. En tusel’lije ala Muhammedin ve Al’i Muhammed. Ve en tud’hilen fi kul’li hajrin ed’halte fihi Muhammeden ve Al’i Muhammed. Ve en tuhrixheni min kul’li suin ehrexhte minhu Muhammedin ve Al’i Muhammed (Salavatuke alejhi ve elejhim). Allahume inni eseluke hajre ma sealeke bihi ibaduke’s-salihun. Ve eudhu bike mimma isteadhe minhu ibaduke’l-muhlesun.”


Kuptimi:


Zoti im! O i Madh dhe i Lartësuar! O Dhënës i begative dhe Nënshtrues! O Falës dhe Mëshirues! Të kërkoj për hir të kësaj dite që e ke bërë një festë për muslimanët dhe një begati e nder për Muhammedin (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij)... Bekoje Muhammedin dhe familjen e tij dhe më përfshi në begatitët që ia ke falur Muhammedit dhe familjes së tij. Zoti im! Më mbro nga të ligat, prej të cilave e ke mbrojtur Muhammedin dhe familjen e tij! Zoti im! Prej Teje i kërkoj ato të mira që i kërkojnë robërit e Tu të virtytshëm dhe strehohem tek Ti nga ato të liga, nga të cilat robërit e Tu të sinqertë pranë Teje strehohen.” 


Përveç kësaj, në natën para Fitër Bajramit, gjatë namazit të akshamit dhe të jacisë, është e pëlqyeshme që të recitohet tekbiri në vijim: “Allahu Ekber, Allahu Ekber! La ilahe il’lallahu vallahu Ekber! Allahu Ekber ve lil’lahil hamd. Allahu Ekberu ala me hedana”


Kurse në Kurban Bajram, duke filluar nga dita e parë e bajramit (1.Dhulhixhxhe) dhe deri në ditën e dymbëdhjetë të muajit, është e pëlqyeshme që dhjetë herë, pas namazeve të sabahut, të recitohen tekbiret në vijim:


Allahu Ekber, Allahu Ekber. La ilahe il’lallahu vallahu ekber. Allahu Ekber ve lil’lahil hamd. Allahu Ekberu ela ma hedana. Allahu Ekber ala ma razekena min behimet’il-en’am. Velhamdulil’lahi ela ma ebana!”


Ata që gjatë Kurban Bajramit ndodhen në Mina, këto tekbire është e pëlqyeshme t’i recitojnë në të njejtën mënyrë por deri në ditën e trembëdhjetë të muajit.