Mbi fuqinë e Zotit dhe pranimin e lutjes
Ajetollah Xhevadi Amuli
18.07.2014

Vlera e netëve të Kadrit është e vlefshme edhe për ditët e kësaj nate. Ka shumë gjasa që nata e nëntëmbëdhjetë e Ramazanit të jetë nata e Kadrit. Kjo është njëherit edhe nata në të cilën i ngjau Imam Aliut (paqja qoftë mbi të) ajo ndodhi tmerruese. Mbi të qofshin salavatet e më të mirëve që dërgojnë salavate! 


Kur u pyet “Sa është largësia ndërmjet tokës dhe qiellit?”, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) u përgjigj: Aq sa mund të marrë syri dhe aq sa të mund të arrijë lutja e të shtypurit.1 Largësia ndërmjet tokës dhe qiellit mund të jetë në dy kuptime. E para është sipas vështrimit dhe në këtë kuptim, largësia është aq sa mat syri i vështruesit. Fundi i qiellit për një vështrues është vija e fundit që ai është i aftë ta shohë me syrin e tij. Ky është këndvështrimi  i jashtëm (dhahir). Kuptimi i dytë i kësaj largësie, sipas shpjegimit të Imamit, është “sa lutja e një të shtypuri”. Kjo është njësia e largësisë ndërmjet qiellit e tokës dhe ajo që nënkuptohet këtu është një kuptim krejt i brendshëm (batin).


Kemi thënë tashmë se çdo gjë ka një dimension të brendshëm (batin) dhe një të jashtëm (dhahir). Po kështu, edhe qielli ka një aspekt të brendshëm dhe një të jashtëm. Distanca fizike ndërmjet tokës e qiellit është një gjë që matet me vështrimin tonë, sepse nëpërmjet syrit, ne mund të arrijmë të vëzhgojmë deri në pikat më të largëta të horizontit. Por qielli ka edhe një kuptim të brendshëm (batin), në të cilën tejkalimi i kësaj largësie nuk është një punë e syrit, por një veprim i zemrës. Ajo që e kalon me të shpejtë këtë largësi është lutja e një të shtypuri (mazllum), që arrin në aspektin e brendshëm të qiellit dhe në fshehtësitë e tija.


Ajo që duhet të përmendet në lidhje me këtë pikë, është se ekziston një qiell i jashtëm, ku i shohim yjet, diellin e hënën, por edhe një qiell i brendshëm (batini), që është vendi i ëngjëjve të dritës shpirtërore. Kur’ani thotë se dyert e qiejve janë të hapura për gjithkënd, përveç për mohuesit dhe për hipokritët:


Vërtet nuk hapen dyert e qiejve për ata që i quajnë gënjeshtra shenjat Tona e për ata që janë mendjemëdhenj. (Kur’an 7:40) 


Ëngjëjt janë përgjegjësit e qiejve. Zoti i Madhëruar thotë:


Dhe i krijoi shtatë qiejt në dy ditë e secilit ia shpalli detyrën e tij...(Kur’an 41:12) 


Çdo qiell e ka një detyrë të veçantë për të dhe u ka dhënë ëngjëjve detyra të caktuara. Aspekti i jashtëm i  qiellit shkëlqen me dritën e jashtme, ndërsa aspekti ku është drita shpirtërore, ka një të fshehtë dhe një dimension të brendshëm. Në përgjigjen e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), që e përcollëm më sipër, ai flet për këto dy aspekte. Ai thotë: Aq sa mund të marrë syri dhe aq sa të mund të arrijë lutja e të shtypurit. 


Nëse dikush dëshiron ta arrijë dimensionin e brendshëm të qiellit dhe të bëjë një lutje që do t’i pranohet, ai duhet të heqë dorë nga të gjitha punët e tjera dhe nga të gjitha lidhjet që ka, përveç lidhjes me Zotin. Një njeri që e kupton njëshmërinë e Zotit mund ta bëjë cilëndo lutje të dëshirojë dhe Zoti ka për t’ia pranuar. Ai nuk e kthen prapa lutjen e robit të tij që e beson njëshmërinë, pra që është muvahhid. Përkundrazi, ai i përgjigjet lutjes së tij, aq sa është niveli i njohjes së këtij njeriu.  Dijeni se lutja e atij që nuk mbështeten në tjetër gjë veç Zotit, pranohet domosdo.


Kur një njeri i shtypur, pa patur shpresë ndihme nga dikush tjetër, i drejtohet Zotit në lutje, lutja e tij do të pranohet pa dyshim. Por të shtypurit janë dy llojesh. Njëri është i shtypuri që pret ndihmë nga farefisi ose nga miqtë e tij. Ky është një njeri që pret ndihmë nga njerëz të tjerë që mund ta shpëtojnë nga zullumi që i bëhet. Por lutja e të tillëve nuk është lutja e një muvahhidi.


Lloji i dytë i të shtypurit është i shtypuri që nuk ka kurrfarë rrugëdaljeje dhe që nuk ka fuqi për t’i shpëtuar shtypjes që i bëhet. Ky njeri nuk ka mbështetje tjetër veç  Zotit të Madhëruar. Ai i drejtohet Zotit të Madhëruar me gjithë fuqinë e tij  dhe vetëm prej Tij kërkon ndihmë. Në këtë lutje të tij, ai është një muvahhid i vërtetë dhe lutja e tij pranohet. Prandaj Prijësi i Besimtarëve thotë se largësia ndërmjet tokës e qiellit është sa të arrijë lutja e të shtypurit. Në një hadith që Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të)  e përcjell nga babai i tij, thuhet: Ki kujdes të mos i bësh zullum një njeriu që s’ka ndihmës tjetër veç Zotit!2 E njejta gjë përmendet edhe në testamentin që vetë Imam Sexh’xhadi ia bën të birit Imam Muhammed Bakirit (paqja qoftë mbi të). Imam Bakiri (pqmt) përcjell: Kur ishte në shtrat të vdekjes, babai im më thirri dhe më tha: “Po ta lë për amanet, amanetin që ma la mua babai im, Prijësi i Dëshmorëve. Dijeni se ndonëse çdo zullum është i shëmtuar, më i shëmtuari është zullumi që i bëhet atij që s’ka mbështetje tjetër veç Zotit. Vërtet lutja e një njeriu të tillë pranohet dhe zërin ia dëgjon Ai, pranë të cilit është strehuar.” 


Kur me lutjen e një muvahhidi të vërtetë të lutemi që Zoti t’u ndihmojë luftëtarëve të Islamit, lutja jonë do të pranohet. Për të qenë një muvahhid, njeriu nuk duhet të ketë humbur gjithçka. Në çastin që të kuptojë se, në të vërtetë, ai nuk ka kurrfarë mundësie të realtë, ai konsiderohet një muvahhid.  Ai nuk ka nevojë që në praktikë të mbetet pa ndonjë mundësi e pa ndonjë rrugëdalje. Njeriu duhet ta drejtojë lutjen drejt Arsh-it të Zotit, nga edhe ka ardhur urdhri për t’iu lutur Atij. Arshi (Froni) i Zotit është burimi i urdhrave dhe është pozita e Sunduesit të "ditës së fesë" (jeum’id-din), të Zotit të kësaj bote dhe të amshimit. E gjithë bota e qenies i bindet kësaj pozite të lartësuar, që është emërtuar si Arsh (Froni). Në lidhje me këtë pozitë të lartë, është thënë: Vajtimi i një jetimi e dridh Arshin. Ndërsa në një thënie tjetër është përcjellur se disa zemra janë Arshi i Zotit. 


Një njeri erdhi një ditë pranë Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të) dhe pyeti përse Qabeja ishte quajtur Qabe, me çfarë Imami u përgjigj:  Sepse Qabeja ka katër mure. Kur njeriu pyeti përse kishte katër mure, Imami tha: Sepse Shtëpia e Mbushur Plot (Bejt’ul-Mamur, që gjendet në qiej, mbi Qaben) i ka katër mure. Kur pyeti përse Bejt’ul-Mamuri kishte katër mure, Imami tha: Sepse Arshi i Zotit të Madhëruar ka katër cepa. Pastaj njeriu pyeti  përse Arshi kishte katër cepa, me çfarë Imami u përgjigj: Sepse katër janë pohimet e tevhidit (njëshmërisë së Zotit): Subhanallah, Elhamdulillah, La ilahe il’lallah dhe Allahu Ekber. Burimi i emrave të bukur të Zotit është të konsideruarit e Tij pa të meta (tesbih), lëvdimi i Tij (tahmid), besimi se s’ka zot tjetër veç Tij (tehlil) dhe madhërimi i Tij (tekbir). Ndërsa të gjitha këto kthehen prapa tek njëshmëria e Zotit, tek madhështia e Tij, tek shenjtëria, tek lartësia dhe tek fakti se Ai është i pastër nga mangësitë. Njeriu e lëvdon Zotin me këto fjalë.


Disa njerëz shkojnë në Qabe për t’i vizituar këta katër mure. Të tillët e kanë kryer haxh’xhin vetëm së jashtmi. Disa të tjerë shkojnë për njohuritë që kanë të bëjnë me Bejtu’l-Mahmurin, ndërsa të tjerë akoma shkojnë për njohuritë që kanë të bëjnë me Arshin e Zotit. Por ka edhe të tjerë, që shkojnë për njohuritë që kanë të bëjnë me fjalët që përmenda. Vetëm këta të fundit e njohin fshehtësinë e haxh’xhit. Nuk i ka arritur këta kuptime gjithkush që i shkon Qabes rreth e rrotull.3 


Kjo ishte përgjigja e Imamit. Qabeja është Arshi i Zotit, i ndërtuar mbi themelin e Bejt’ul-Mahmurit (në qiej) dhe është e mbështetur mbi principin e tevhidit (njëshmërisë), lëvdimit të Zotit, të madhërimit të Tij dhe të të konsideruarit e Tij larg çdo të mete.


Në ditën e gjykimit nuk ka ndonjë gjë më të keqe se politeizmi (shirk). Vetëm kur të shpëtojmë prej shirk-ut, mund të themi se kemi shpresë shpëtimi atë ditë. Por shumë nga ne, në botët e tyre të brendshme, janë duke e jetuar shirk-un dhe jetojnë kështu, jo vetëm duke mos e ditur mënyrën se si të shpëtojnë, por madje as duke mos e vërejtur se vuajnë nga kjo sëmundje. Ne gjithnjë mbështetemi në gjërat e tjera veç Zotit dhe i kryejmë adhurimet tona vetëm si një shprehi. A thua në veprimet tona kemi arritur ta ndërpresim atë shpresë që kemi nga gjërat e tjera veç Zotit? A kemi arritur të mos mbështetemi në bëmat tona e në unin tonë? Përse vallë, në fund të kapitullit Jusuf, thuhet se Shumica nuk besojnë, veçse duke i gjetur Atij të barabartë...(Kur’an 12:106)?


Kur u pyet Imami në lidhje me komentimin e këtij vargu, ai tha: Ky varg nënkupton rastet kur njerëzit thonë se një punë u bë falë një njeriu të caktuar ose kur fillimisht i drejtohen Zotit e pastaj dikujt tjetër. Kjo nuk është fjala e atij që beson në njëshmërinë e Zotit, sepse Zoti vjen para gjithçkaje. Ai është i Pari dhe i Mbrami, është i Dukshmi dhe i Fshehuri. Dhe Ai di çdo gjë. (Kur’an 57:3)


Pas kësaj, personat pyetën: ”Atëherë çfarë duhet të themi?”


Imami tha: Thoni: “Zoti na lejoi”. 


Në të gjitha punët duhet të shihet vepruesi i vërtetë. Zoti i Madhëruar është i dukshëm në të gjithë veprimet e Tija, sepse ai është i Dukshmi (Dhahir). Ai nuk i ka lënë hapësirë dikujt tjetër veç Vetes. Ajo që na takon neve është që të kthehemi drejt Zotit me një zemër të pastër e të sinqertë, dhe të lutemi.


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur dëshironi që t’ju pranohen lutjet, ndërprisnie shpresën tuaj nga dikush tjetër veç Zotit! Ndërprisnie shpresën prej të tjerëve, që zemrat tuaja të mos mbështeten në një fuqi tjetër veç Zotit. Në këtë gjendje lutjuni Zotit tuaj dhe lutja juaj do të pranohet. 


VAZHDON 


1: Mexhlisi, Bihar el-envar, v.10, f.88
2: Muhaddis el-Kummi, Sefinetu′l-Bihar, pjesa mbi testamentin; El-Kulejni, Usul el-Kafi, pjesa mbi zullumin
3: Shejh Saduk, Ilelu′l-sheria, kap.138, hadithi nr.2, f.398