Të fshehtat e namazit
Ajetollah Xhevadi Amuli
16.07.2014

 Më e mira në mesin e të fshehtave të namazit është dëlirja e shpirtit dhe e zemrës, sepse në zemrën e njeriut që e fal namazin (mirëfilli) nuk ka asgjë tjetër veç Zotit. Ndërsa flet për vendet e adhurimit dhe për fshehtësitë e tyre, Kur’ani Fisnik thotë:


E ti mos qëndro në atë xhami. S’ka dyshim se xhamia e ndërtuar mbi themelet e takvasë është më e denjë për t’u bërë adhurim brenda saj. Aty ka njerëz që dëshirojnë së brendshmi të dëliren. Vërtet Zoti i do ata që dëliren. (Kur’an, 9:108) 


Zoti e ka përmendur xhaminë si një vend pastrues e dëlirës. Ndërsa njeriu i pastruar është i dashuri i Zotit (habibullah), tek i cili manifestohen bëmat e Tija. Zoti kurrë nuk e lë vetëm të dashurin e vet.


Kur i përmend adhurimet e jashtme (dhahir), Zoti i përmend edhe të fshehtat e brendshme. Në këtë pikë, Zoti i Madhëruar i ka përmendur të dashurit e tij dhe i ka konsideruar mutahhir (pra dëlirës dhe jo vetëm mutahhar, i dëlirë). Ndaj Zoti e ka bërë xhaminë një vend ku bëhen adhurime dhe ku dëliren zemrat e shpirtrat. Kur njeriu të jetë i dashur për Zotin, veprat e dashurisë së Zotit manifestohen tek ai. Zoti ka për ta mbrojtur atë nga të gjitha të ligat dhe fatkeqësitë. Ai thotë:


Është Zoti që u fal zemrave të besimtarëve siguri e paqe që t’u rritet besimi edhe më. Të Zotit janë ushtritë e qiejve e të tokës. Vërtet Zoti është i Ditur dhe i Urtë. (Kur’an, 48:4)


Të Zotit janë ushtritë e qiejve e të tokës. Vërtet Ai është i Madhëruar dhe i Urtë. (Kur’an, 48:7) 


Sipas kësaj, e gjithë bota e krijuar është nën mbrojtjen dhe vëzhgimin e Tij.


Kur’ani e përmend namazin si një realizim të urdhrit të Zotit, i cili thotë:


Vërtet vetëm Unë jam Zoti. Nuk ka zot tjetër veç Meje. Mua më adhuro dhe fale namazin për t’më përkujtuar! (Kur’an, 20:14) 


S’ka dyshim se namazi është përkujtim i urdhrit të Zotit. Zemrat gjejnë prehje vetëm me namazin e falur për Zotin.


Këta janë ata që besuan dhe zemrat e të cilëve gjetën prehje në përkujtimin e Zotit. Dijeni se vetëm në përkujtimin e Zotit zemrat gjejnë prehje. (Kur’an, 13:28) 


Zemra e njeriut që fal namaz e ka arritur prehjen dhe nuk ka frikë. Ai nuk ka drojë para askujt tjetër përveç Zotit. Armiqtë e jashtëm dhe armiqtë e brendshëm nuk janë të aftë për ta trembur, sepse falësi i namazit është njeri i përkujtimit të Zotit, ndërsa përkujtimi i Zotit është mjeti drejt prehjes dhe paqes së brendshme. Dhe kur njëherë zemra ta arrijë prehjen, nuk ka asgjë që mund ta trondisë e ta trembë.


Bashkë me çdo verdikt ligjor të Zotit, qoftë i ndërlidhur me aktet e adhurimit ose me sendet materiale, janë shprehur përherë edhe të fshehtat dhe kuptimet e tij. Një nga të fshehtat e adhurimeve është dëlirësia e zemrës.


Një mesxhid që mbështetet në një themel të sigurt si takva-ja, është më i denjë për adhurim e për namaz. Vetëm në vendet e tilla, siç thotë vargu kur’anor, ka njerëz që përpiqen për t’u dëlirur. Dëlirja që përmendet në këtë varg nuk është një lloj detyrimi që u vjen vështirë njerëzve. Përkundrazi, është një dëlirje e ëmbël për ta, sepse ata janë njerëz që duan ta dëlirin zemrën e tyre.


E ti mos qëndro në atë xhami. S’ka dyshim se xhamia e ndërtuar mbi themelet e takvasë është më e denjë për t’u bërë adhurim brenda saj. Aty ka njerëz që dëshirojnë së brendshmi të dëliren. Vërtet Zoti i do ata që dëliren. (Kur’an, 9:108) 


Kur ata e falin namazin duke u përpjekur ta kënaqin Zotin e tyre, bëhen njerëz të dashur për Të. Zoti e vendos çdo gjë nën urdhrin e tyre. Është e pamundur që një njeri të arrijë të bëhet i dashur për Zotin dhe të mos i jepet atij fuqi mbi rendin e krijimit. Kjo është sepse i dashuri i Zotit (habibullah) e sheh vullnetin e Zotit mbi çdo vullnet tjetër dhe sillet sipas këtij vullneti. Ai e di se e gjithë bota e krijimit, në mënyrën më absolute, është nën urdhrat e Zotit. I gjithë krijimi i bindet Zotit ndërsa ndihma hyjnore është për miqtë e Zotit (evlijullah).


Në kapitullin Me’arixh (nr.70) të Kur’anit, Zoti e trajton natyrën njerëzore.


Vërtet njeriu është krijuar lakmitar. Ai qahet kur e prek një fatkeqësi, ndërsa koprrac bëhet kur ta gjejë e mira. (Kjo është kështu) përveç për ata që e falin namazin. (Kur’an, 70:19-22) 


Kur njeriun e godet një fatkeqësi, natyra e tij e padurueshme shfaqet në çast. Ndërsa kur bekohet me të mira, është sërish kjo natyrë e tij që e pengon nga të bërit mirë të tjerëve. Ky kapitull i bekuar i Kur’anit i shpreh disa nga të fshehtat e namazit. Por kush janë ata që e falin namazin? Janë ata “që janë të vazhdueshëm në namaze.” (70:23), pra që janë të kujdesshëm për namazet e tyre e që nuk i lënë pas dore. “Dhe në pasurinë e tyre ka një hise, për lypsarët e për të mjeruarit.”(70:24-25). Pra ai që e fal namazin nuk e parapëlqen pasurinë karshi shpirtit të vet.  Ai dhuron shumë nga pasuria e lejuar (hallall) që Zoti ia ka falur, sepse në këtë pasuri kanë hise edhe dy grupe njerëzish të tjerë: lypsarët dhe ata të mjeruar që nuk lypin.


Dhe ata e besojnë ditën e gjykimit.(70:25) Besimtarët që e falin namazin besojnë edhe në ditën e gjykimit. Njeriu që e fal namazin gjithnjë e përkujton ditën e gjykimit, që është një dëlirës për njeriun. Të harruarit e kësaj dite është shkaku i të gjitha të ligave dhe fatkeqësive të njerëzimit. Gjatë përshkrimit të mëkatarëve që i tejkalojnë kufijtë e ligjit hyjnor, Zoti e përmend të harruarit e ditës së gjykimit dhe thotë:


O Davud! Ne të kemi bërë mëkëmbës në tokë. Andaj gjyko me drejtësi mes njerëzve! Mos iu bind lakmisë e dëshirave, sepse kjo ka për të të nxjerrë nga rruga e Zotit. Për ata që devijojnë nga rruga e Zotit ka një dënim të ashpër ngase e harruan ditën e gjykimit. (Kur’an, 38:26) 


Këta devijues mëkatojnë sepse e kanë harruar ditën e gjykimit. Por tek njerëzit që e kalojnë jetën duke e përkujtuar ditën e gjykimit e duke falur namaz, gjendja është krejt ndryshe.


Dhe ata e kanë drojë dënimin e Zotit të tyre. (Kur’an, 70:27) 


Besimtarët që e falin namazin i druhen dënimit të Zotit, sepse namazi i tyre ua përkujton pa ndalur ditën e gjykimit.


Askush nuk mund të jetë i sigurt kundër dënimit të Zotit. (Kur’an, 70:28) 


Kush vallë mund të jetë i sigurt karshi dënimit të Zotit?


Teksa vazhdon duke i përmendur cilësitë e atyre që e falin namazin, Kur’ani thotë:


Ata që e ruajnë amanetin dhe e mbajnë zotimin. (Kur’an, 70:32)


Besimtarët që e falin namazin, pra, e ruajnë amanetin dhe e mbajnë fjalën e dhënë, qoftë për gjëra materiale ose shpirtërore. Pikërisht për këtë, Zoti i Madhëruar ia fal njeriut afërsinë e Tij. Ai thotë: Kurdo që të bëni një marrëveshje, më konsideroni Mua një palë të saj!”


Disa dijetarë kanë shkruar trajtesa dhe i kanë titulluar “Risaletu’l-ahd” (Trajtesa mbi zotimin). Një prej tyre është trajtesa e Ibn Sinasë, në të cilën ai i shpreh edhe zotimet e veta. Për shembull, ai është zotuar se nuk ka për të thënë fjalë tjetër përveç të vërtetës dhe se kurrë nuk ka për të marrë pjesë në mbledhjet e të ligave dhe mëkateve. Vërtet Zoti është pranë besimtarëve.


Më tej thuhet:


Ata janë të sinqertë në dëshmitë e tyre. (Kur’an, 70:34) 


Ata që e përkrahin të vërtetën, janë të vendosur në të dëshmuarit e hyjnores dhe të profetësisë. Ndërsa në çështjet ligjore, përherë janë dëshmitarë të të vërtetës.


Ata i ruajnë namazet e tyre. (Kur’an, 70:34) 


Pra ata e falin namazin, duke qenë të kujdesshëm për veprimet e tyre dhe për kohën e duhur të namazit.


Këta do të bekohen nëpër parajsa. (Kur’an, 70:35) 


Këta njerëz do të bekohen me mirësitë e parajsës. Fjala keramet (përkthyer këtu si “bekim”) është një fjalë me nuanca shumë të holla kuptimore. Për shembull, kjo fjalë është përdorur në cilësimin e ëngjëjve, për të cilët thuhet kiramun katibin (shkrues të çmuar) ose melaiketun mukerremun (ëngjëj të lartësuar).


Abdullah ibn Xhaferi[1], në njërin nga udhëtimet e tija, u takua me një lypsar që nuk e njihte dhe i dhuroi atij një shumë të majme. Shoqëruesit e tij, që e panë këtë veprim, i thanë: “O Abdullah! Ti nuk je një njeri që njihesh në këtë vend. Përveç kësaj, lypsari do të ishte mjaftuar edhe me shumë më pak nga ajo që i dhe ti. Përse i fale aq shumë pasuri?” Abdullahu u përgjigj: “Ndonëse njerëzit e këtushëm nuk më njohin, unë e njoh veten time. Ndonëse lypsari do të kënaqej edhe me shumë më pak nga ajo që i dhashë, natyra ime nuk më lejon që t’i jap më pak. Unë nuk jam i kënaqur që të jap pak lëmoshë ndërkohë që e kam të shumtë pasurinë.


Ky është shpirti bujar, pra shpirti  bekimeve.


Kur dëshiron t’i lëvdojë ëngjëjt, Zoti thotë:


Ata thonë “Zoti i ka fëmijë (ëngjëjt)” Kurrsesi! I pastër nga të metat është Ai! Përkundrazi, janë robër të bekuar. (Kur’an, 21:26) 


Zoti që i cilëson ëngjëjt si robër të bekuar, e bën cilësimin e njejtë edhe për besimtarët, për të cilët thotë:


Këta do të bekohen në parajsa. (Kur’an, 70:35) 


Bekimi që përmendet në këtë pjesë të vargut nuk është një lloj bekimi si ushqimet, pijet ose veshmbathjet. Përkundrazi, bekimet e këtushme janë bekime që vijnë nga Zoti. Pra, teksa e përshkruan besimtarin, Zoti thotë se ai është i bekuar me parajsën. Kënaqja shqisore ose materiale është ajo që realizohet në parajsë. Por kënaqja e ndier nga ëngjëjt falë afërsisë me Zotin është një pasojë e bekimit hyjnor (keramet). Besimtarët që e falin namazin janë bashkë me ëngjëjt në këtë botë dhe në botën tjetër.


Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë:


Besimtari që fal namaz ka tre virtyte. Kur ngrihet për namaz, ëngjëjt e rrethojnë nga gishtat e këmbëve deri në qiej. Për të shpërndahen mirësi nga vija e qiejve deri në kokën e tij dhe atij i caktohet një ëngjëll që thërret: “Sikur falësi i namazit të dinte se ç’fiton, nuk do ta linte asnjë namaz”.[2]


Ç’namaz është ky, ku ëngjëjt presin rradhë për ta mbrojtur personin? Prej ç’gjëje e mbrojnë ëngjëjt njeriun që fal namaz? S’ka dyshim se e mbrojnë nga cytjet dhe mashtrimet e djallit. Sepse djalli gjithnjë e pret një çast të dobët të besimtarit.


Ne themi se ky namaz (ku janë të pranishëm cytjet e djallit) është i pranueshëm (në aspektin ligjor). Por kur ky namaz, të cilin ne e cilësojmë si të pranueshëm, të lartësohet në një trajtë krejt të nxirë drejt qiejve, ai ka për t’i thënë personit: “Zoti ta nxiftë fytyrën! Ti më çove dëm mua.” Por kur namazi të falet si duhet dhe të lartësohet drejt Zotit krejt i dëlirë dhe i bardhë,  ka për t’i thënë personit që e fal namazin: “Siç më mbrojte mua, edhe ty të mbroftë Zoti!”


Kur njeriu që fal namaz t’i drejtohet Krijuesit të vet, ëngjëjt e mbrojnë atë, që djalli të mos ketë kurrfarë ndikimi e të mos e dëmtojë namazin e tij, sepse djalli gjithnjë pret një çast të volitshëm. Çështja e habitshme në këtë pikë është se çdo veprim i mirë është një shenjë e sigurt se njeriu vëzhgohet me kujdes nga djalli. Gjatë namazit të tij, njeriu është i përqëndruar tek Zoti i tij. Dhe kur e sheh këtë, djalli thotë:


Dhe ai tha: “Ngase më bëre të devijoj, unë do t’i pengoj nga rruga Jote e drejtë.” (Kur’an, 7:16) 


Djalli i përhap rrjetet e tija të të ligës në çdo anë. Ai përpiqet të ketë ndikim edhe mbi personin që e fal namazin dhe kur të ketë ndikim, njeriu e fal namazin pa qenë e pranishme zemra e tij.


Njëri nga gnostikët e shpreh këtë të vërtetë në librin e tij të quajtur Esraru’s-salat. I ndjeri Imam Khomeini (k.s.) thotë: “Ndërsa falësi i namazit jep selam në fund të namazit të tij, si mund ai të jetë i zënë me diçka tjetër përpos Zotit?”


Kjo thënie ka të bëjë me gjendjen e personit, i cili gjatë namazit, është duke u marrë me lutje dhe përkujtim të Zotit. Njeriu që fal namaz nuk është bashkë me njerëzit e tjerë përreth tij dhe as ata nuk janë bashkë me të. Vetëm pasi ta ketë mbaruar namazin, ai kthehet drejt njerëzve dhe i përshëndet ata (me selam). Normalisht, dy njerëz që rrinë ulur bashkë, nuk kanë nevojë ta përshëndesin njëri-tjetrin, sepse të dy janë në vend të njejtë. Vetëm personi që hyn në një mbledhje më pas i përshëndet të tjerët. Sipas kësaj, selami është fundi i namazit dhe jo dhikër e dua. Selami nuk është tjetër veçse një përshëndetje.


Andaj kur njeriu qëllimisht jep selam gjatë namazit, atij i zhvleftësohet namazi. Por nëse selamin e jep gabimisht ose në harresë, duhet ta kompensojë këtë gabim me një sexhde sehv. Ngase është fundit i namazit, selami nuk është tjetër veçse një përshëndetje. Kjo është kështu sepse njeriu, i cili gjatë namazit është i zënë me lutje dhe dhikre, kur e mbaron namazin, duke u larguar nga prania hyjnore e duke u kthyer mes njerëzve, e ndien nevojën për t’i përshëndetur ata. Gnostiku i madh që përmendëm më lartë, thotë: “Habitem me njeriun që gjatë namazit, në vend që të jetë me Zotin merret me punët e kësaj bote dhe pastaj e gjen tek vetja të drejtën për të thënë “es-selamu alejkum”. 


Prijësi i Besimtarëve Aliu (paqja qoftë mbi të) tha: “O njerëz! Më pyesni para se të më humbni, sepse unë i njoh rrugët e qiejve më mirë se rrugët e tokës.” Pra të fshehtat e botës së padukshme i njoh më mirë se të fshehtat e kësaj bote. Me ta dëgjuar këtë, një njeri u ngrit dhe e pyeti: “Sa është largësia ndërmjet pozitës sate dhe Arshit (fronit) të Zotit?”


Imami iu përgjigj: Ki kujdes të mos jetë pyetja jote një pyetje e parashtruar prej inatit e mërisë. Le të jetë një pyetje që kërkon shpjegim dhe që kërkon ta ndriçojë një gjë të panjohur! Sa për përgjigjen, dije se largësia ndërmjet këmbës sime dhe Arshit të Zotit është sa largësia e njeriut që me sinqeritet thotë “la ilahe ilallah” (s’ka zot tjetër veç Zotit). Zemrat e gjalla e të dëlira besimtare i heqin largësitë, sepse zemra e besimtarit është Arshi i Zotit.


Ndërsa Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: Njeriu që thotë “la ilahe ilallah” me sinqeritetit, ka për të qenë në parajsë. Sinqeriteti i tij, gjegjësisht la ilahae ilallah-u i tij, ka për ta mbrojtur nga gjërat që i ka ndaluar Zoti.[3]


Sinqeriteti i përmendur në këto thënie është i atij lloji që e pengon njeriun nga mëkatet dhe nga të ligat. Ky sinqeritet është një lloj mekanizmi që krijon një perde ndërmjet njeriut dhe mëkateve. Sipas gjërave që u thanë më sipër, të gjithë ëngjëjt janë bashkë me njeriun, deri kur ai të mbarojë me namazin e tij.


Një cilësi tjetër që përmendëm lidhur me namazin është fakti se mirësitë rrjedhin mbi kokën e njeriut nga qiejt. Por çfarë janë këto mirësi? Gjërat që ne i konsiderojmë mirësi janë gjërat që janë të dobishme në jetë: një qëllim i mirë, miqësi me njerëz të sinqertë, një mësues i mirë, një nxënës i mirë, një fëmijë i mirë. Këto janë mirësitë, të cilat i arrijnë njerëzit.


Ndërsa gjëja e tretë që e dallon namazin, është ëngjëlli thirrës, i cili thotë: “Sikur falësi i namazit të dinte se ç’fiton, nuk do ta linte asnjë namaz.” Andaj, në njërën nga lutjet e të Dëlirëve (arab. Ma’sumin, nënkuptohen pjesëtarët e Ehl-i Bejtit), thuhet: “Zoti im! Më bëj ta ndiej shijen e përkujtimit Tënd.”


Për shumicën prej nesh, namazi është kthyer në një shprehi, ndaj edhe nuk arrijmë të marrim asnjë shije prej tij. Në Kur’an, Zoti i prezanton ëngjëjt si “robër të bekuar” (shih Kur’an 21:26), ndërsa sipas haditheve, edhe njeriu besimtar që e fal namazin është një rob i Zotit që do të bekohet në parajsë. Ja përse thuhet se njeriu që fal namaz mbathet me cilësi ëngjëllore. Gjithçka që kanë ëngjëjt, ka edhe njeriu që e fal namazin. Zoti i Madhëruar i ka pajisur ëngjëjt me shumë cilësi të bukura e të lartësuara dhe na ka ftuar edhe neve të bëhemi të tillë, duke thënë:


Ata nuk flasin para Tij dhe veprojnë veç kur Ai të urdhërojë. (Kur’an, 21:27) 


Ëngjëjt janë qenie që i binden Zotit. Ata nuk flasin pa qenë urdhri i Zotit dhe veprojnë veç sipas këtyre urdhrave. Ja përse, në kapitullin Huxhurat, Zoti thotë:


O ju që besuat! Mos nxitoni para Zotit e të Dërguarit të Tij dhe druajuni Zotit! Vërtet Ai është që dëgjon e di. (Kur’an, 49:1) 


Pra,  o besimtarë! Mos e tejkaloni urdhrin e Zotit por bindjuni atij, që të bëheni si ëngjëjt e që të bëheni ëngjëj edhe vetë.


Përcillet në hadithe se kur Xhafer ibn Ebu Talibi i humbi të dy krahët duke luftuar në rrugë të Zotit (në betejën Mut’a), Zoti i fali atij dy krahë për të flutuar me ëngjëjt. Në ditën e gjykimit, ai ka për t’u ringjallur me ëngëjt. A ka ndonjë kënaqësi më të madhe se kjo? Ç’bekim i madh hyjnor që është!  Pikërisht kjo është e fshehta e adhurimit dhe e bindjes, gjegjësisht ringjallja bashkë me ëngjëjt.


 


Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) thotë: Nuk ka asnjeri në mesin e ndjekësve tanë, që të ngrihet për namaz e pas tij të mos qëndrojë një grup nga ëngjëjt, që do të lutet për të derisa ta mbarojë namazin.[4]


Kush janë këta njerëz, pas të cilëve edhe ëngjëjt e falin namazin? Zoti ka folur për njerëzit e tillë në Kur’an, teksa thotë:


(Dhe ata robër thonë:) Zoti ynë! Na fal bashkëshorte e fëmijë që do të na e ndrisin syrin dhe na bëj prijës të atyre që kanë drojë para Teje (muttekin). (Kur’an, 25:74) 


Zoti im! Na bëj  nga njerëzit që e kanë arritur pozitën për të qenë të denjë të bëhen prijës e imamë të robërve të druajtur.


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: A nuk i keni dëgjuar fjalët e profetëve në Kur’an? A nuk keni dëgjuar se Isa thotë “Mua Zoti ma ka urdhëruar namazin”? Muavije ibn Vehbi e pyeti Eba Abdullahun (Imam Husejnin a.s) lidhur me veprimin që është më i dashur e më i vlefshëm pranë Zotit. Në përgjigjen e tij, Imami i tha: “Pas njohjes (ma’rife), nuk di ndonjë veprim më të mirë se ky namaz. A nuk sheh se Isa, ky rob i sinqertë i Zotit, thotë: Zoti ma ka urdhëruar namazin?”[5]


Në një hadith tjetër përcillet se një njeri erdhi pranë të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe i tha: “Lutu për mua, që të hyj në parajsë!” I Dërguari ia ktheu: “Atëherë bëj shumë sexhde e më ndihmo në këtë gjë!”[6]


Pra ai thotë: unë do të lutem për ty por edhe ti më ndihmo duke bërë sa më shumë sexhde, në mënyrë që të pranohet kjo lutje. Sexhdet dhe në veçanti sexhdet e gjata e bëjnë njeriun më modest dhe e heqin prej tij egon.


Nëse ne gëzohemi për një veprim të caktuar të një njeriu, edhe sikur të mos sillemi si ai, do të kemi një hise në të. Ndërsa ajo që shohim tek shumica e njerëzve, kur dëshmojnë një veprim të tillë, është dëshpërimi për mospjesëmarrje në të. Ata pyeten përse nuk kanë një hise në këtë veprim. Në të vërtetë, ata nuk e kanë dashur këtë veprim dhe e kanë dashur veç unin e vet. Një njeri që e do veprimin e një grupi, ka hise në atë veprim të tyre. Prijësi i Besimtarëve Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Njerëz bashkohen vetëm në të qenit të kënaqur ose në zemërim.”[7]


Pra, kur të arrijmë ta kontrollojmë unin (nefsin) tonë e ta bëjmë t’i bindet vullnetit, do të mund të jetojmë në paqe e në qetësi. Kjo mund të arrihet vetëm duke bërë adhurime, duke e hequr urrejtjen nga zemra, duke hequr dorë nga zënkat e diskutimet e nga grupimet e ndryshme, që nuk janë tjetër veçse dashuri për unin (nefsin). Në njërën prej këshillave të tija, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: Mos e urreni njëri-tjetrin sepse urrejtja e shkatërron besimin.[8]


Njësoj siç e pret brisku një qime floku, edhe urrejtja dhe armiqësia e shkatërrojnë begatinë e besimit. Kundërshtimet, grupimet dhe urrejtja ndaj njëri-tjetrit e shkatërrojnë besimin. Andaj shohim se shumë njerëz pastaj strehohen tek jobesimtarët dhe bien në rrjetin e njerëzve më të ligë edhe se Shimr bin Dhulxhehsheni (vrasësi i Imam Husejnit a.s).


Hadithet na mësojnë që në lutjet tona, t’i kërkojmë Zotit të mos na lërë vetëm me unin (nefsi) tonë as edhe për një çast sa hap e mbyll sytë. Kjo është kështu sepse xhelozia, urrejtja dhe armiqësia veprojnë në çast për ta shkatërruar begatinë e fesë. E gjithë kjo ka të bëjë me vetëpëlqimin, të cilin namazi e shkatërron në çast. Ndaj zgjasni sexhdet dhe, në namazet tuaja ditore, mos e ngritni kokën nga sexhdeja aq shpejt! Kjo vlen veçanërisht në namazet e ditëve ose kohëve të veçanta.


Armiku i brendshëm i njeriut nuk ka për ta lënë të qetë njeriun që gjen prehje në namaz dhe do të përpiqet për ta ndarë nga rruga e drejtë. 


Në një rast, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Namazi është kurbani i çdo besimtari që ka drojë para Zotit (takva).”[9]


Për një njeri që fal namaz, kurbani i tij është namazi. Madje çdo veprim i kryer për hir të Zotit, është një kurban. Kurbani nuk është diçka që mund të ofrohet vetëm në muajin Dhulhixh’xhe në Mina. Çdo veprim i bërë për hir të Zotit të Madhëruar është një kurban. Kur ky veprim të pranohet nga Zoti e kur Zoti ta lartësojë atë drejt Vetes, edhe vepruesi ka për t’u lartësuar. Nuk është e mundur që të lartësohet vepra e të mos lartësohet vepruesi. A është e mundur që veprat tona të pranohen e të lartësohen drejt Zotit, ndërkohë që vetë ne të mbetemi në pozitën ku kemi qenë? Njeriu, të cilit i pranohet namazi, është më se i denjë për ta arritur afërsinë dhe bashkimin me Zotin. Prijësi i Besimtarëve (paqja qoftë mbi të) thotë:


Shembulli i namazit është si shembulli i një lumi që rrjedh para derës suaj. Njeriu ngrihet çdo ditë, mëngjes e mbrëmje, për t’u larë në të pesë herë në ditë. Njësoj siç do të pastrohej trupi po të laheshit në këtë lumë pesë herë në ditë, edhe namazi, kur të falet pesë herë në ditë, do ta pastrojë njeriun nga mëkatet.[10] 


Pra, kur të vërejmë se gjurmët e mëkatit mbeten përjetësisht tek ne, të kujtojmë pak se namazet kanë edhe një dimension shpirtëror. Ky dimension shpirtëror është urdhri i Zotit, i përmendur në vargun vijues kur’anor:


Vërtet vetëm Unë jam Zoti. Nuk ka zot tjetër veç Meje. Mua më adhuro dhe fale namazin për t’më përkujtuar! (Kur’an, 20:14) 


Kur nuk arrijmë t’i pastrojmë nga vetja gjurmët e mëkatit, kjo do të thotë se nuk kemi arritur ta ngjallim brenda vetes përkujtimin e Zotit (dhikrullah). Mbetja e gjurmëve të mëkatit nënkupton se nuk jemi sjellur denjësisht me namazin tonë.


Përcillet se në kohët e vdekjes, Azraili përherë i vështron njerëzit për të parë se me ç’punë merren. Namazi, qoftë ky edhe një namaz i shenjës së Zotit (namaz i ajetit), është i detyrueshëm, madje edhe në luftë. Këtë e urdhërojnë Imamët e Dëlirë. Udhëtari e fal namazin të shkurtuar dhe kjo është shprehur në Kur’an, në pjesën ku bëhet fjalë për kohët e luftës me armiqtë, ndërsa hadithet kanë shprehur se kjo vlen edhe për udhëtarin. Në këta vargje, Zoti thotë:


Kur të jeni në rrugë e të keni drojë se jobesimtarët mund t’ju bëjnë dëm, nuk ka të keqe për ju nëse e shkurtoni namazin tuaj. Vërtet jobesimtarët janë armiq të hapur për ju. Edhe ti, kur të jesh mes tyre, një grup prej tyre le ta falë namazin me ty e le t’i marrin edhe armët e tyre. Kur bëjnë sexhde, të tjerët le të qëndrojnë pas juve. Pastaj le të vijë grupi që s’e ka falur namazin e le të falë namaz me ty. Edhe ata le të jenë të gatshëm e le t’i marrin edhe armët e veta. Nëse ju ka kapur shiu ose nëse jeni të lodhur, nuk ka të keqe po t’i lini armët tuaja. Por gjithnjë jini në gatishmëri! Vërtet Zoti ka përgatitur një dënim poshtërsues për jobesimtarët.


Dhe kur ta mbaroni namazin, përkujtojeni Zotin në këmbë, ulur a shtrirë mbi një anë. Dhe kur të jeni në siguri, atëherë faleni të plotë atë! Vërtet namazi u është urdhëruar besimtarëve në kohë të caktuara. (Kur’an 4:101-103) 


Dhuntitë e falura nga Zoti janë realitete të sigurta, të ndërlidhura me dimensionin shpirtëror të namazit. 






[1] Djali i Xhafer ibn Ebu Talibit, vëllait të Imam Aliut. Abdullahu ishte njëri nga përkrahësit më të rëndësishëm të Imam Aliut dhe njëkohësisht dhëndrri I tij, I martuar me Zejneben. Ishte i njohur për bujarinë e tij ndaj nevojtarëve.
[2] Men la jahduruhu’l-fakih, vëll.1, kap.30, hadithi nr.15
[3] Shejh Saduk, et-Tevhid, hadithi nr.26
[4] Shejh Saduk, Men le jedhuruhu’l-fakih, vëll.1, kap.30, hadithi nr.8
[5] Po aty, hadithi nr.13
[6] Po aty, hadithi nr.14
[7] Nehxhu’l-Belaga, fjalimi 86
[8] Po aty
[9] Po aty
[10] Shejh Saduk, Men le jedhuruhu’l-fakih, vëll.1, kap.30, hadithi nr.3