Emrat e bukur të Zotit: një këndvështrim kuranor dhe gnostik (pjesa I)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani
25.04.2014

Përmbajtja:
Parathënie
Kapitulli I: Kuptimi i shprehjes Esma el-Husna
     Arsyeja përse emrat janë cilësuar si husna
     Emrat më të bukur (esma el-husna) nga këndvështirmi kur′anor
     Emrat më të bukur (esma el-husna) nga këndvështirmi gnostik
     Emrat më të bukur (esma el-husna) janë manifestime të Qenies 


 


Kapitulli II:
Teshbih-u dhe Tenzih-u në emrat e në cilësitë e Zotit 
(kliko për ta hapur) 


 


Parathënie 


Lëvdatat janë për Zotin, përveç të cilit s’ka zot tjetër dhe të cilit i takojnë emrat më të bukur! Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin (s.a.v) dhe mbi pasardhësit e tij të dëlirë!


Në mesin e cilësive të Kur’anit është edhe fakti se ai i përshkruan shkallët e ndryshme të botës së qenies aq qartë, sa njeriu mund ta arrijë nivelin e dëshmimit të tyre. Për të arritur një dituri dhe njohje të tillë e për të hapëruar në luginën e njohjes (marife) së mbështetur në dëshmim, njeriu duhet fillimisht të shpëtojë nga perdet dhe nga pengesat e ndryshme. S’ka dyshim se për t’i njohur pengesat në rrugën gnostike dhe për t’i luftuar të njejtat, njeriu ka nevojë për udhëzimin kur’anor. Përndritja gjithëpërfshirëse në këtë shkallë mund të arrihet vetëm nëpërmjet Kur’anit, i cili thotë:


Dhe ne ta shpallëm librin që shpjegon gjithçka e që është udhëzim, mëshirë e sihariq për muslimanët. (Kur’an 16:89) 


Ky është Kur’ani që hedh dritë mbi realitetin e çdo gjëje, që e ndan rrugën e të vërtetës nga e gabuara dhe që zbriti si mëshirë e sihariq për muslimanët.


Pasi i heq perdet mbi shpirtin e mbi zemrën e njeriut, Kur’ani e çon atë drejt një bote të mbrujtur me urti e të mbushur përplot me shenjat hyjnore. Ndaj është me rëndësi që të hiqen nga zemra e nga shpirti perdet e errësirës që e pengojnë njohjen e rendit të natyrës dhe perdet e dritës që e pengojnë njohjen e të mbinatyrshmes. Zoti i Madhëruar, nëpërmjet dobive që mund të përfitohen nga Kur’ani dhe nga udhëzimi i Ehl-i Bejtit, ua ka treguar të gjithë njerëzve rrugët e largimit të këtyre pengesave, të pastrimit të faqeve të zemrës dhe të të qenit një vendmanifestim (maz‘har) i bukurisë dhe madhështisë hyjnore.


Sipas Kur’anit, bota e qenies është manifestimi i Zotit të Madhëruar. Çdo manifestim, për nga lloji i tij, ka shkallë të caktuara dhe çdo shkallë e tregon njërën nga përsosuritë e Tija të pafundme. Edhe emrat Furkan, Kelamullah dhe Kitabullah, të përdorur për Kur’anin, janë një dëshmi për këtë.


Mulla Sadra (r.a), pasi i përmend disa emra dhe cilësi të Kur’anit, shkruan:


S’ka dyshim se numri i madh i emrave dhe i cilësive është një dëshmi për pozitën e lartë të të emëruarit, gjegjësisht të të cilësuarit. S’ka dyshim se vetë Zoti e di më mirë se sa e lartë është pozita e fjalës dhe e librit të Tij.1


Shkoqitjet (tefsir) e ndryshme të Kur’anit, të bëra nga aspektet e ndryshme si filozofia, gnosa, sociologjia, shkenca ose metafizika, e kanë zanafillën tek emrat dhe cilësitë e shumta të tij. Në të vërtetë, çdo shkoqitës (mufessir) i Kur’anit e ka shpjeguar atë duke u përqëndruar në njërin nga emrat e tij dhe në njërën nga cilësitë e tija të ndryshme. Ndaj mund të thuhet se asnjë shkoqitje e Kur’anit, përveç asaj të Njeriut të Përsosur, që është vetë Kur’ani i gjallë e folës, nuk mund të jetë në nivelin që do t’i përfshinte të gjitha përsosuritë e tija. Kur’ani thotë:


Dhe ty ta zbritëm Dhikrin (Kur’anin), që t’u shpjegosh hapur se çfarë u është zbritur e t’i bësh të mendojnë. (Kur’an 16:44)  


Njeriu i Përsosur (El-Insan el-Kamil) është njeriu që në vete i përfshin të gjithë manifestimet e bukurisë e madhështisë së Zotit dhe të gjithë emrat e cilësitë hyjnore. Ai është vendi ku manifestohet Emri më i Madh i Zotit. Marrëdhënia e Njeriut të Përsosur me botën fshihet në faktin se ai është qëllimi i krijimit të saj, ndërsa marrëdhënia e tij me njeriun është për shkakun se ai është në trajtë njeriu. Dhe së fundmi, marrëdhënia e tij me njohjen (marife) është aftësia e tij për t’i perceptuar kuptimet e pakufishme. Në këtë kontekst, i Dërguari i  Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Unë isha profet, ndërsa Ademi ishte ende ndërmjet ujit e baltës.  


S’ka dyshim se ai është bartësi i pozitës së velajetit absolut. Ai është manifestimi i Veliut Absolut  dhe ka pushtet mbi universin. Njeriu i Përsosur është manifestim i veprimeve të Zotit, aq sa edhe i emrave dhe i cilësive të Tija. 


Çdo përsosuri që duket në botën e qenies buron nga Përsosuria Absolute dhe, në të vërtetë, çdo qenie, në varësi nga përsosuria e saj, e manifeston këtë Realitet Absolut. Çdo qenie është një manifestim i Tij dhe çdo manifestim e pasqyron Atë në një mënyrë ose një tjetër. Me fjalë të tjera, mund të themi edhe kështu: në të vërtetë, të gjitha qeniet mund të kundrohen si emra të Zotit, sepse të gjitha bartin në vete një përsosuri nga përsosuria e Qenies së shenjtë të Zotit. Por njëkohësisht, ngase janë qenie të mundshme (mumkin el-vuxhud), posedojnë disa mangësi të pashmangshme në vete. Në anën tjetër, emrat e Zotit, për faktin se i posedojnë të gjitha përsosuritë dhe për faktin se janë të pastra nga çdo mangësi, janë quajtur esma el-husna (emrat më të bukur). Madje mund të thuhet se, në kuptimin e shprehur më sipër, emrat e bukur i takojnë vetëm qenies së Zotit.


   Në shkallën e esencës, Qenia e fshehur e Zotit është pa emër e pa shenjë. Në këtë shkallë, Qenia është e pastër nga çdo lloj kufizimi dhe madje edhe nga kushti i të qenit absolut. Ndaj themi se emrat e bukur të Zotit, që përbëjnë manifestime të kësaj Qenieje të pakufizuar e të pafundme, vijnë pas pozitës së Qenies ose Esencës. Siç thonë gnostikët (ehl-i irfan), kjo është një pozitë që qëndron përtej vetëm ngjasimit (teshbih) ose vetëm mohimit të ngjashmërisë (tenzih). Sipas gnostikëve, të bërit teshbih ose tenzih në shkallën e Qenies së Zotit konsiderohet kufizim dhe kushtëzim. Ai që bën tenzih në këtë pozitë, e kufizon Zotin e Madhëruar, ndërsa ai që bën teshbih e kushtëzon Atë.


Lidhur me këtë Ibn Arabiu thotë:


Tenzih-u i bërë nga personi që bënë tenzih, është një lloj kufizimi për Qenien, të cilës i bëhet tenzih, sepse personi përpiqet ta mohojë çdo ngjashmëri për një Qenie, që në të vërtetë është edhe përtej çdo mohimi të ngjashmërisë (tenzih). Në këtë rast, edhe absolutizmi është një kushtëzim për një Qenie të tillë. Këtu flasim për një cilësim të Zotit me cilësinë e absolutizmit, me qëllim që ta madhërojmë Atë.2 


Ndërsa në një vend tjetër, Ibn Arabiu, sërish duke i kritikuar ata që merren me tenzih, thotë: Dije se njerëzit e të Vërtetës e konsiderojnë tenzih-un si esencën e kufizimit e të kushtëzimit. Andaj, ai që bën tenzih, ose është i paditur ose me moral të ligë.3


Sipas kësaj, në shkallën e njëshmërisë (ehadijjet) nuk ka vend për mohim të ngjashmërisë (tenzih) dhe as mundësi për ngjasim (teshbih), sepse në këtë shkallë nuk ekziston shumësia dhe pluraliteti. Lidhur me këtë, e vërteta është ajo që ka thënë Ibn Arabiu- gjithnjë duke e pasur parasysh terminologjinë specifike që ka përdorur tek kapitulli mbi teshbihun dhe tenzihun- gjegjësisht gjetja e një mesi ndërmjet këtyre dy veprimeve. Ai vetë thotë:


Ai që në njohjen e tij, e gjen një mes ndërmjet ngjasimit (teshbih) dhe mohimit të ngjashmërisë (tenzih) dhe që e njeh Zotin në formë të përgjithshme nëpërmjet këtyre të dyjave, ka një njohuri të përmbledhur mbi Zotin por jo një njohuri të thelluar e të hollësishme.4  


Kjo është arsyeja përse Ibn Arabiu e ka pranuar vargun “Ai s’ka të ngjashëm dhe është Ai që dëgjon e sheh.”(Kur’an 42:11) si një pikë bashkimi ndërmjet ngjasimit (teshbih) dhe mohimit të ngjashmërisë (tenzih), sipas definicionit të vet të këtyre termave. Këtë do ta shpjegojmë edhe në vijim të veprës. 


Si pasojë e asaj që u përmend më sipër, mund të themi se në shkallën e emrave hyjnorë, që vjen pas shkallës së Qenies hyjnore, kemi të bëjmë me ngjasim (teshbih). Kjo sepse pozita e njëshmërisë (Ehadijjet), e përmendur në rastin e Qenies së fshehtë të Zotit, është përtej çdo kufizimi dhe kushtëzimi.


Nga vargjet e Kur’anit të shenjtë mund të kuptohet se secili nga emrat e Zotit e ka manifestimin dhe efektin e vet specifik. Këto efekte nuk kanë të bëjnë me morfologjinë gjuhësore të emrave, me kuptimet e tyre ose me vetë nocionet. Përkundrazi, emrat e lartësuar të Zotit janë realitete që i shkaktojnë këto efekte. Fjalët (në kuptimin gjuhësor) që i përfaqësojnë emrat e Zotit janë, në të vërtetë, emra të emrave të Zotit dhe madje emra të emrave të emrave të Zotit. Kjo ngase trajtat dhe esencat e gjërave tek Zoti (a’jan-i sabite) nuk janë tjetër veçse emrat hyjnorë të Zotit, ndërsa gjërat e jashtme, me manifestimet e tyre të veçanta, bëhen emra të emrave. Sipas kësaj, fjalët që përdoren për t’i emërtuar këto gjëra të jashtme janë emra të emrave të emrave të Zotit.


Në njërën anë, ngase realitetet hyjnore janë absolutisht të pakufishme, nuk ka kurrfarë problemi nëse në rastin e përshkrimit të Zotit përdoren shprehjet si vaxhibu’l-vuxhud, sirfu’l-vuxhud ose besitu’l-vuxhud. Por në anën tjetër, kur flasim për emërtimin e Zotit, si një masë kujdesi (ihtijjat), duhet të mjaftohemi me emrat e përmendur në burimet fetare, sepse ekziston rreziku që personi të mos jetë plotësisht i vetëdijshëm për sferën e përdorimit të një emri të caktuar dhe, gjithashtu, ekziston rreziku që një emër i zgjedhur për ta emërtuar Zotin, që është përtej çdo të mete dhe mangësie, të përmbajë në vete mangësi. Sipas kësaj, si një masë kujdesi, për emërtimin e Zotit nuk duhet të përdoren emra të tjerë përveç atyre që janë përmendur në burimet fetare. Është me rëndësi të përmendim gjithashtu, se dëshmitë e juristëve dhe teozofëve muslimanë në lidhje me faktin se duhet të mjaftohemi me emrat që janë përcjellur në burimet fetare, nuk janë dëshmi logjike dhe as dëshmi nga burimet e fesë. Këto janë dëshmi që mbështeten në principin e preferencës (istihsan), me ç’rast shprehet preferencë për mundësinë që është më e mira. Por sidoqoftë, si masë kujdesi, është më mirë që gjatë emërtimit të Zotit, njeriu të kufizohet në emrat e përmendur nga burimet fetare.


Kjo masë kujdesi, veçanërisht tek gnostikët, buron nga logjika vijuese: çdo emër (ism) dhe çdo cilësi (sifat) e Zotit posedon një manifestim specifik që buron nga Qenia e Zotit. Si i tillë, çdo emër është një manifestim i Zotit. Në të vërtetë, emrat e bukur të Zotit janë manifestime dhe vendmanifestime (maz’har) të Qenies së Zotit. Çdo manifestim e pasqyron një përsosuri nga përsosuritë e Zotit dhe e nxjerr atë në pah. Secili nga emrat e Zotit ka një pozitë dhe shkallë të veçantë si dhe efekte krejt specifike. Kjo është arsyeja përse ndjekësit e rrugës shpirtërore (tarikat)  dhe njohësit e të Vërtetës shfrytëzojnë dhikre me efekte specifike për të tejkaluar probleme të caktuara shpirtërore në rrugëtimin e tyre dituror dhe praktik drejt Zotit. Një shembull i kësaj është përdorimi i dhikreve Shafi, Kafi dhe Tabib për shërimin e të sëmurit ose të emrave Kahhar, Xhebbar dhe Muntekim kundër armiqve të tyre. Edhe në zgjidhjen e vështirësive dhe problemeve të tjera, ata përdorin emra të caktuar të Zotit.


Ndaj themi se secili nga emrat e lartësuar të Zotit  ka një pozitë të veten dhe një efekt specifik. Ngase emrat e bukur të Zotit, që janë manifestime të Qenies së Shenjtë, janë të pakufishëm  në shprehjen e cilësive hyjnore, edhe hadithet në lidhje me numrin e emrave të Zotit janë të ndryshëm. Në disa hadithe përmenden 99 emra, në disa 360, në disa 1000 dhe në disa të tjera 4000. Ky dallim në mesin e haditheve të ndryshme tregon se emrat e Zotit nuk mund të kufizohen në një numër të caktuar. 


Për fund, shpresoj që kjo vepër të pranohet tek Zoti dhe të jetë një fitim për “atë ditë kur s’bëjnë dobi pasuria dhe as bijtë, veç për atë që vjen me zemër të pastër.” (Kur’an 26:88-89) Në të njejtën kohë, i lus njerëzit e diturisë e të njohjes shpirtërore (marife) të m’i përcjellin mendimet e tyre për këtë libër, që të mund të përfitoj prej tyre. 


Autori


Kapitulli i parë
Kuptimi i shprehjes Esma el-husna    


Fjala “ism” (emër) është përdorur në dy kuptime:


1. Emri është fjala që e shënon vetëm qenien ose që e shënon një qenie, e cila merret parasysh me një cilësi të caktuar. Emrat që jepen rastësisht, si Zejd ose Amr, nuk kanë lidhje me cilësitë dhe janë të ndërlidhura vetëm me qenien. Ndërsa emri Rahman është një emër që e përshkruan një qenie të cilësuar me cilësinë e mëshirës (rahme).


2. Emri është fjala që përdoret për ta shënuar esencën e një qenieje ose një gjëje. Në këtë rast, fjala që e përshkruan këtë të parën, konsiderohet “emër i emrit”.


Këtë mund ta shpjegojmë si vijon: ndonjëherë emri konsiderohet një ekzistencë gjuhësore dhe ndonjëherë si një ekzistencë substanciale. Në vijim do të përcjellim një hadith, në të cilin theksohet e para.


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të), duke ia shpjeguar nxënësit të tij të zgjedhur Hisham bin Hakemit pozitën e monoteistit të vërtetë, thotë: Emri është një gjë e ndarë nga i emëruari. Ai që e adhuron emrin “Hak”, pa e pasur për qëllim Qenien e emëruar me këtë emër, në të vërtetë është mohues (kafir) dhe nuk ka adhuruar asgjë. Edhe ai që e adhuron edhe emrin edhe të emëruarin është idhujtar dhe mohues. Njëshmëri do të thotë ta adhurosh veç kuptimin dhe të emëruarin.  


Kur Hishami i kërkoi shpjegim të mëtejmë, Imami tha: Zoti ka nëntëdhjetë e nëntë emra. Sikur secili nga këta emra të ishte esenca e qenies së emëruar, çdo emër do të ishte një hyjni e pavarur nga emrat e tjerë. Por në të vërtetë, Zoti i Madhëruar e Lavdiplot është kuptimin i shprehur nga të gjithë këta emra.5 


Kur të kihet parasysh teksti i këtij hadithi dhe dallimi ndërmjet emrit dhe të emëruarit, do të shohim se bëhet fjalë më shumë për kuptimin e parë të fjalës “ism”.


Por edhe kuptimi i dytë i fjalës “ism” është përdorur në hadithe dhe në lutje. Në këtë drejtim do të mjaftohem duke përmendur nga një shembull nga të dy rastet. Në veprën Bihar’ul-Envar, Allame Mexhlisiu përcjell një dua të Imamëve, ku thuhet: Allahu im! Për hir të emrit Tënd, me të cilin krijove Arshin, për hir të emrit Tënd, me të cilin krijove kursi-në, për hir të emrit Tënd, me të cilin i krijove shpirtrat...6


 Në një hadith përcillet se Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) u pyet në lidhje me emrat dhe tha: (Emri) është një cilësim për të cilësuarin. Kjo shprehje, ndonëse mund të ndërlidhet edhe me kuptimin e parë, mund të ndërlidhet lirisht edhe me kuptimin e dytë të fjalës “ism”.


Kur të kihen parasysh dy kuptimet e fjalës “ism”, do të vërejmë se dallimi ndërmjet tyre nuk është thelbësor. Ndërsa sipas njërit definicion emri (ism) është fjala që tregon qenien e kufizuar, sipas definicionet tjetër, emri është vetë qenia e emëruar, ndërsa fjala që nënkupton këtë qenie është emri i emrit. I ndjeri Allame Tabatabai (r.a), në lidhje me këta dy kuptime të emrit, thotë:


Në fjalorë, emri është fjala që përdoret për të shënuar një send. Kjo fjalë ose shpreh një kuptim të ndërlidhur me cilësinë, si fjala që përdoret për të shënuar një kuptim të caktuar brenda objektit të emëruar, ose nuk shpreh një kuptim të ndërlidhur me cilësinë dhe vetëm shënon një qenie të caktuar. Të tillë janë emrat Zejd, Amr dhe të gjithë emrat e vënë rastësisht.7


Në këtë pjesë, siç shohim, Allamet Tabatabai flet për kuptimin e parë të emrit. Por ky kuptim i parë herë shënon një vetëm qenien, herë qenien e cilësuar me një cilësi të caktuar. Në një vend tjetër, në lidhje me emrin që është sinonim i të emëruarit dhe që është një qenie e jashtme (substanciale), Allame thotë:


Dhe ia mësoi Ademit emrat, të tërë. Pastaj ua tregoi ato ëngjëjve...


Këtu mund të kuptojmë se këta emra ose qeniet e përmendura me këta emra ishin qenie të gjalla, të pajisura me intelekt. Këto qenie ekzistonin pas perdes së fshehtësisë dhe të diturit e emrave të tyre nuk ka kurrfarë ngjashmëri me njohjen e emrave të sendeve, ashtu si e kuptojmë ne sot. Po të ishte ashtu, në çastin që Ademi ua tha emrat ëngjëjve, edhe ata do t’i mësonin këta emra dhe do ta arrinin pozitën e njejtë që kishte edhe Ademi. Si pasojë, Ademi nuk do të kishte kurrfarë përparësie ndaj tyre.


Sikur Zoti t’ua kishte mësuar këta emra ëngjëjve, edhe ata do të arrinin në shkallën e Ademit dhe mbase do ta tejkalonin atë. Në këtë rast, nuk do të ekzistonte një gjendje që do t’i bindte ëngjëjt (për superioritetin e tij) dhe që do ta zhvleftësonte mendimin e tyre. Vetëm të njohurit e disa emrave të mësuar nga Zoti nuk  e bën njeriun sipëror karshi ëngjëjve që e kryejnë përsosurisht çdo urdhër të Tij...


Nga ajo që kemi thënë deri tani mund të kuptohet se të diturit e emrave të sendevedo të thotë që të dihet esenca dhe ekzistenca e tyre substanciale. Pra nuk mjafton që thjesht të njihet emërtimi ose fjala. Sipas kësaj, gjërat e përmendura në këtë varg janë disa fenomene të jashtme dhe konkrete, të fshehura pas perdes së fshehtësisë së tokës e të qiejve. Njohja e këtyre gjërave, bashkë me cilësitë e tyre, ishte e mundur vetëm për një qenie tokësore dhe jo për një qenie qiellore. Kjo dituri është një parakusht i mëkëmbësisë hyjnore.8 


Ndërsa në një pjesë tjetër, ai thotë:


Kur Zoti ia mëson një profeti të tij një emër të Vetin ose ndonjë pjesë të Emrit më të Madh (el-ism el-adham), kjo nënkupton se Ai ia hap robit të Vet rrugën që t’i lutet Atij duke u kapur pas këtij emri të caktuar. Kuptohet se ky emër ka një kallëp leksikor dhe një kuptim. Arsyeja e kësaj është se fjalët dhe kuptimet e tyre shërbejnë si mjete dhe shkaqe që i ruajnë të realitetet. Kjo e vërtetë duhet të kuptohet mirë.9


Në pjesën ku do të flasim mbi faktin se emrat e Zotit duhet të pranohen ashtu siç janë përcjellur në burimet fetare, do ta shpjegojmë edhe dallimin ndërmjet emrit, emrit të emrit dhe emrit të emrit të emrit. Këtu mund të themi shkurtimisht: emri është trajta ose esenca e gjërave, siç ekziston tek Zoti, emri i emrit është qenia e jashtme (si manifestim) ndërsa emri i emrit të emrit është fjala që shënon këtë qenie të jashtme. 


 


Arsyeja përse emrat janë cilësuar si husna (të bukur) 


Pasi shpjeguam se çfarë është emri dhe ç’kuptim ka, ekziston edhe një pikë tjetër që duhet të shpjegohet. Përse Kur’ani i Shenjtë i ka cilësuar këta emra si “emra të bukur”? Para se t’i gjejmë një përgjigje kësaj pyetjeje, do t’i përcjellim në vijim vargjet kur’anore ku emrat e Zotit cilësohen me këto fjalë. Dua të theksoj se të gjithë këto vargje do të shkoqiten hollësisht në kapitullin e tretë të veprës. Shprehja esma el-husna përmendet në katër vargje të Kur’anit, si vijon:


Zotit i takojnë emrat më të bukur. Ndaj thirreni Atë me këta emra dhe largohuni prej atyre që i shtrembërojnë emrat e Tij! Ata do të dënohen për atë që bëjnë. (Kur’an 7:180)


Thuaj: Qoftë Allah e qoftë Rahman, me cilin emër që ta thirrni, Atij i takojnë emrat më të bukur. Mos lexo me zë shumë të lartë në namazin tënd e as mos e shuaj krejt zërin, por mbaj një rrugë të mesit ndërmjet të dyjave. (Kur’an 17:110)


Ai është Zoti, përveç të cilit s’ka zot tjetër. Atij i takojnë emrat më të bukur. (Kur’an 20:8)


Ai është Zoti që krijon, që sjell në ekzistencë e që trajtëson. Atij i takojnë emrat më të bukur...(Kur’an 59:24)


Fakti se emrat e Zotit janë cilësuar si “të bukur”, tregon se ato shënojnë një kuptim të cilësisë. Këtu duhet të kihet kujdes se ajo që nënkuptohet nuk është çdo emër që shënon një kuptim që përmban cilësi. Përkundrazi, ajo që nënkuptohet është një emër, i cili në kuptimin e tij të cilësisë e ka për qëllim njërin nga përsosuritë e veta dhe nuk përmban kurrfarë mungese dhe mangësie. Sipas kësaj, emrat me kuptimet të cilësisë si “trim” ose “i pastër”, nuk mund të përdoren për Zotin sepse ngjallin në mendje një kuptim që ndërlidhet vetvetiu me materialen, prej të cilës nuk mund të shkëputen. Por nëse në rrafshin mendor, emrat e tillë mund të shkëputen nga ndërlidhja me materialen, atëherë nuk ka ndonjë problem për t’i përdorur si cilësime të qenies së Zotit. Shembuj të tillë janë emrat Xhevad (bujar), Adl (i drejtë), Rahim (mëshirues).10     


Pas asaj që u tha më sipër, mund të arrijmë në përfundimin vijues: emrat më të bukur janë ata emra, të cilët, përveç që shënojnë një lloj të përsosurisë, nuk përmbajnë në vete asnjë gjurmë të mangësisë dhe mosqenies ose që, në rast se përmbajnë një gjë të tillë, mund të shkëputen (në intelektin tonë) nga ky kuptim që përmban mangësi ose mosqenie. Si pasojë, emrat që u jepen objekteve, gjërave materiale dhe veprimeve të pahijshme, emrat që nënkuptojnë nevojën e përmbushur të një gjëje të mangët, si dhe emrat që kanë kuptime njerëzore, nuk mund të përdoren për Zotin. Të gjithë emrat hyjnorë janë cilësuar si “të bukur” sepse përmbajnë një përsosuri dhe janë të pastër nga çdo gjurmë e mangësisë.11 


 


Emrat më të bukur (esma el-husna) nga këndvështrimi kur’anor 


Sipas Kur’anit, shprehja “esma el-husna” përdoret për emrat që janë të denjë për Qenien e shenjtë të Zotit. Këta emra, pra, përveç që janë cilësime të përsosurisë e të dëlirësisë nga çdo mangësi, e cilësojnë Zotin me cilësi të madhështisë (xhelal) dhe të bukurisë (xhemal). Gjatë shkoqitjes (tefsir) të vargut Zotit i takojnë emrat më të bukur. Ndaj thirreni Atë me këta emra, Allame Tabatabai (r.a) ka bërë një shpjegim gjithëpërfshirës të kësaj teme. Për ta plotësuar shpjegimin tonë, në vijim do ta përcjellim këtë shpjegim në formë të shkurtuar. Ky mufessir (shkoqitësi) i madh i Kur’anit thotë: 


Njerëzit, ndonëse janë në pajtim lidhur me Qenien e Zotit, janë ndarë në tre grupe kur bëhet fjalë për emrat e Tij.


Grupi i parë i ka përdorur për Zotin vetëm emrat që janë të denjë për Të, që shprehin përsosurinë e Tij dhe që mohojnë çdo mangësi.


Në grupin e dytë janë njerëzit që kanë devijuar nga rruga e drejtë në lidhje me emrat e Zotit dhe ua kanë njohur këto emra edhe të tjerëve. Këta janë materialistët (maddijjun ose dehrijjun), të cilët veprimet si krijimi, dhënia jetë, furnizimi dhe të gjithë veprimet e tjera hyjnore ia kanë veshur materies dhe kohës. Në këtë grup rradhiten edhe idhujtarët që mirësinë dhe dobinë ua kanë njohur idhujve të tyre. Edhe një pjesë e njerëzve të librit (ehl el-kitab) janë të tillë. Disa prej tyre ua kanë veshur profetëve dhe prijësve fetarë cilësitë e Zotit. Në këtë grup mund t’i rradhisim edhe disa prej besimtarëve (muslimanëve), të cilët disa fenomene që burojnë vetëm nga Zoti i kanë pranuar si veprime të shkaqeve të ndryshme natyrore, që i konsiderojnë të pavarura. Të tillët kanë mendime që nuk përputhen me njëshmërinë (tevhid).


Në grupin e tretë janë njerëzit që, ndonëse besojnë në Zotin, kanë devijuar në çështjen e emrave të Zotit dhe përdorin për Të cilësime që përmbajnë mangësi dhe i veshin veprime që nuk i janë të denja. Ata besojnë se Ai ka trajtë, se është nevojtar dhe madje se mund të shihet me sy. Ata janë të mendimit se Ai posedon një dituri si dituria jonë, një vullnet të ngjashëm si i yni, një fuqi të ngjashme si e jona dhe një ekzistencë të ngjashme si ekzistenca jonë. E njejta vlen edhe për ata që veprimeve të Zotit u veshin padituri ose padrejtësi. Të gjitha këto burojnë nga devijimet në lidhje me emrat e Zotit.


Në të vërtetë, këta tre grupe mund të konsiderohen edhe si dy grupe. Njëri grup e thërret Zotin me emrat më të bukur dhe ia shpreh robërinë Zotit të Madhërishëm dhe Bujar. Këta janë personat që e kanë gjetur rrugën e vërtetë.


Përkundër kësaj, ekziston grupi tjetër që ka devijuar në lidhje me emrat e Zotit. Të tillët, ose e thërrasin Zotin me emrat e qenieve të tjera ose ua japin qenieve të tjera emrat e Zotit. Të tillët janë njerëz të devijuar, të cilët, varësisht nga niveli i devijimit të tyre, do të futen në ferr.


Zoti i Madhëruar thotë qartë se udhëzimi absolut vjen prej Tij. Kjo ngase udhëzimi është një cilësi e bukur dhe esenca e vërtetë e saj i takon vetëm Zotit. Por devijimi, për nga esenca e tij, nuk mund t’i vishet Zotit sepse, në thelb, devijimi nuk është tjetër veçse kur njeriu nuk orientohet sipas udhëzimit hyjnor. Ky nocion ngërthen në vete mosqenie dhe është një cilësi e mangësisë.


Por nëse kjo mungesë udhëzimi, pasi të shfaqet së pari, bëhet një shprehi e rrënjosur tek personi, ajo nënkupton ndërprerje të ndihmës dhe dhuntisë hyjnore si pasojë e zgjedhjes së devijimit karshi udhëzimit dhe si pasojë e mohimit të shenjave të Zotit nga individi. Në këtë shkallë, mungesa e udhëzimit tek personi vjen nga Zoti. Është Zoti që në Kur’an e ndërlidh këtë pasojë me Veten e Tij. Ky proces vazhdon më pas, me shkuarjen drejt një fati të ligë hap pas hapi dhe me dhënien afat nga Zoti.


Sipas asaj që u tha më sipër, vargu i përmendur na sjell në përfundimin vijues: vargjet e tjera të Kur’anit tregojnë se realiteti i udhëzimit ose i devijimit vjen nga Zoti. Kjo do të thotë se udhëzimi ose devijimi mbështeten në thirrjen e Zotit me emrat më të bukur ose në devijimin në lidhje me emrat e Tij. Në këtë çështje, të gjithë njerëzit mund të ndahen në dy grupe. Njërin grup e përbëjnë ata që, me udhëzimin e Zotit, janë në rrugën e drejtë e që nuk devijojnë prej saj. Ndërsa në grupin tjetër rradhiten të hutuarit që kanë devijuar në lidhje me emrat e Tij dhe që i kanë mohuar shenjat e Tija. Të tillët Zoti i hedh në zjarrin e ferrit, si një dënim për mohimin e këtyre shenjave, siç thuhet edhe në vargun “Vërtet ne i krijuam për ferrin shumicën e njerëzve dhe xhinnëve.” (Kur’an 7:179) Këtë proces, Zoti e zhvillon hap pas hapi dhe duke u dhënë afat robërve të Tij. (El-Mizan, vëll.8, fq.479-480)


Edhe në kapitujt e ardhshëm të këtij libri do të përfitojmë nga shpjegimet e çmueshme të Allame Tabatabaiut (r.a) në lidhje me temën në fjalë. 


 


Emrat më të bukur (esma el-husna) nga këndvështrimi gnostik 


Kur fjalët “emër” dhe “cilësi” të kihen parasysh thjesht nga pikëpamja e kuptimeve të tyre, do të shohim se, në të vërtetë, emri dhe cilësia nuk janë tjetër veçse vetë gjëja që shënojnë (pra emri nuk është tjetër veçse vetë gjëja që emëron).


Në anën tjetër, lidhur me Qenien e Zotit, që është ekzistenca esenciale dhe esenca e vetë ekzistencës e që paraqet tërësinë e mirësisë dhe të përsosurisë, krahas njëshmërisë (vahde) dhe të të qenit gjithëpërfshirës, assesi (qoftë së jashtmi ose në shkallën e intelektit) nuk mund të paramendohet shumësia (pluraliteti). Kjo është arsyeja përse Qenia e Shenjtë e Zotit, në shkallën e qenies dhe në shkallën e esencës së fshehur, është pa emër. Pozita e Qenies së Zotit është përtej çdo lloj manifestimi. Zotëriu i njohësve të Zotit, Imam Ali ibn Ebu Talibi (paqja qoftë mbi të), duke e shpjeguar këtë pikë, ka thënë:


Përsosuria e sinqeritetit (ikhlas) është që të mos i veshësh Atij cilësi. Sepse çdo cilësi është një dëshmi se është e ndarë nga gjëja e cilësuar dhe çdo gjë e cilësuar është një dëshmi se është e ndarë nga cilësia.12  


Qenia e Shenjtë e Zotit, në shkallën e qenies, është Një dhe Gjithëpërfshirëse. Ngase këtu nuk ekziston as emri dhe as definicioni, në shkallën e qenies nuk mund të flitet as për emra dhe as për cilësi. Por kjo nuk nënkupton se përsosuritë e shprehura nëpërmjet emrave dhe cilësive të Zotit nuk gjenden në Qenien e Tij. Po të ishte kështu, do të duhej të pranonim se Qenies së Zotit i mungojnë përsosuritë, gjë që nuk mund të paramendohet për Zotin. Ajo që duam të themi është si vijon: në shkallën e qenies, emrat dhe cilësitë e Zotit nuk manifestohen dhe nuk mund të bëhet fjalë për dallim të një emri nga një emër tjetër, të një cilësie nga një cilësi tjetër ose të një cilësie a emri nga Qenia. Me fjalë të tjera, mund të themi kështu: Në shkallën e qenies së fshehur ekziston vetëm Qenia dhe kjo Qenie, që është një dhe e vetme, i ngërthen në Vete të gjitha përsosuritë.


Për shembull, përsosuria e diturisë gjendet në nivel të pakufishëm tek Qenia, por kjo nuk manifestohet në një trajtë ku shfaqet dituria dhe mungon fuqia, për shembull. Dhe anasjelltas, edhe përsosuria e fuqisë është e pranishme tek Qenia në nivel absolut. Por kjo nuk manifestohet në një trajtë ku shfaqet fuqia dhe mungon dituria. Në shkallën e qenies, të gjitha përsosuritë dhe cilësitë e tjera janë vetë esenca e Qenies dhe nuk janë tjetër veçse vetë Qenia. Qenia, si një ekzistencë e vetme, është esenca e të gjitha përsosurive.  


 


Emrat më të bukur (esma el-husna) janë manifestime të Qenies 


Të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit janë manifestime dhe shfaqje të Zotit. Andaj themi se Qenia e Fshehur është e Ditur (Alim) nëpërmjet manifestimit të cilësisë së diturisë dhe e Fuqishme (Kadir) nëpërmjet manifestimit të cilësisë së fuqisë.


Me fjalë të tjera, mund të thuhet kështu: çdo emër është një manifestim i veçantë që buron nga Qenia e Shenjtë dhe një shfaqje e kësaj Qenieje. Emrat më të bukur janë pasqyrime të Qenies dhe çdo pasqyrim flet për një përsosuri, gjegjësisht e tregon njërën nga përsosuritë, të cilat, në rrafshin e qenies, ekzistojnë si të njësuara me Qenien. Çdo emër është një “lajm” nga shkalla e “të Fshehtës së të fshehtave” dhe nga Qenia e fshehur e Zotit. Çdo emër është një lajmëtar nga Qenia e Shenjtë.13


Thënë shkurt, emrat hyjnorë janë manifestime dhe shfaqje të Qenies së Zotit. Çdo manifestim ka një emër të veçantë, që flet për një aspekt të caktuar (të Qenies). Në kapitullin e dytë të veprës Sherh-i Mukkadime-i Kajseri, të shkruar si komentim për veprën Fusus el-Hikem, janë bërë shpjegime të mjaftueshme në lidhje me emrat dhe cilësitë e Zotit. Në fillim të këtij kapitulli, autori thotë:


Dije se Zoti, që është i pastër nga të metat, ashtu siç është shprehur në vargun “Në çdo kohë, Ai merret me gjëra të reja.”(Kur’an 55:29), ka veprime dhe manifestime të ndryshme në shkallët e ndryshme të hyjnisë. Si pasojë e manifestimeve të ndryshme dhe e shkallëve të ndryshme, Zoti i Madhëruar ka emra dhe cilësi të ndryshme.14   


Mendoj se këtë temë mund ta përmbledhim si vijon:


Nga këndvështrimi i gnostikëve (urafa), emrat dhe cilësitë e Zotit janë manifestime dhe shfaqje të Qenies së Zotit. Në të vërtetë, ato janë shkaku ndërmjetës dhe ura lidhëse ndërmjet botës së krijuar, me gjithë cilësitë e pranishme në të, dhe Qenies së Zotit.  Sipas kësaj, emrat dhe cilësitë e Zotit janë shkaku ndërmjetës ndërmjet Tij dhe krijesave. Zoti i Madhëruar na merr nën kontroll nëpërmjet fuqisë së Tij, na kufizon nëpërmje pakufizueshmërisë së Tij, na cakton fund nëpërmjet pafundësisë së Tij, na bën të ulët nëpërmjet lartësisë së Tij, na bën të përulur nëpërmjet lavdisë së Tij, sundon mbi ne nëpërmjet sundimit të Tij dhe vepron ashtu si ka dëshirë. Ndërsa ne njerëzit, nëpërmjet emrave e cilësive të Tija dhe nëpërmjet efekteve të këtyre emrave, të përhapura gjithandej në botën e ekzistencës, jemi të lidhur me ta. Për shembull, efektet e emrave Xhemal dhe Xhelal në botën e krijesave, janë shkaku ndërmjetës që krijon një lidhje ndërmjet ne njerëzve dhe cilësive të jetës, diturisë, fuqisë, lavdisë, lartësisë dhe madhërisë së Zotit. Janë këta emra që na çojnë drejt Qenies së Tij.15


  Emrat e Zotit të Madhëruar janë shkaqe ndërmjetëse në shfaqjen e esencës së qenieve dhe në shfaqjen e fenomeneve të panumërta në këto qenie. S’ka dyshim se Zoti i ka krijuar krijesat që të dhurojë nga qenia, bujaria dhe mëshira e Tij dhe jo që të hakmerret ndaj tyre. Zoti i Madhëruar ka falur begati sepse është Falës i begatisë dhe nuk është ngushtues.


Për fund vlen të theksojmë se shfaqjet dhe manifestimet e Qenies së Shenjtë të Zotit kanë shkallë dhe pjesë të ndryshme, të cilat do të shpjegohen në kapitullin e katërt të këtij libri. 


VAZHDON 





[1] Esfar, vëll.7, f.54


[2] Resail, vëll.2


[3] Sherh‘ul Fususu’l-Hikem, Taxhuddin Husejn bin Hasan Harezmi, fq.163


[4] Fususu’l-Hikem, f.69


[5] Tevhid-i Saduk, kapitulli mbi emrat e Zotit të madhëruar, hadithi 12, f.220


[6] Bihar’ul-Envar, vëll.58, f.36


[7] Tefsir El-Mizan, vëll.8, f.481


[8] Tefsir el-Mizan, vëll.1, f.166-167


[9] Tefisir el-Mizan, vëll.8, f.499


[10] Në parathënien e veprës kemi shprehur se në çështjen e emrave të Zotit duhet të kufizohemi në atë që është përcjellur në burimet fetare. Në atë pjesë i shprehëm gjithashtu edhe verdiktet e juristëve muslimanë, të mbështetur në ihtijjat (masë kujdesi)


[11] El-Mizan, vëll.8, f.359; një përmbledhje e shkurtër e shpjegimit të Allame Tabatabaiut (Zoti e mëshiroftë)


[12] Nehxhu’l-Belaga, fjalimi 1


[13] Muhammed Suxhai, Mead, vëll.1, f.102



[14] Sherh-i Mukaddime-i Kajseri, përkthimi në persisht i Ashtijaniut, fq.238




[15] El-Mizan, vëll.8, f.495