Fragment i shkëputur nga punimi "Ungjilli i shiitëve të Aliut (a.s)" i autorit Muhammed Legenhausen
Ekziston një marrëdhënie tejet karakteristike ndërmjet profetit Isa (paqja qoftë mbi të) dhe Imam Aliut (paqja qoftë mbi të). Vetë profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) e ka shpjeguar këtë.
Përcillet se Imam Aliu ka thënë:
I Dërguari i Zotit më thirri e më tha: “O Ali!Vërtet ka një ngjashmëri ndërmjet teje dhe Isës, djalit të Merjemes. Të krishterët e deshën atë aq shumë sa e vendosën në një pozitë që nuk i takonte atij, ndërsa çifutët e urryen aq shumë sa shpifën për nënën e tij.” Vetë Aliu ka thënë: “Dy grupe njerëzish do të shkatërrohen për shkakun tim: ata që tepërojnë në dashurinë ndaj meje për atë që nuk më takon dhe ata që më urrejnë aq shumë sa të shpifin kundër meje.” 1
Krahas kësaj, Imam Aliu, njësoj si i Dërguari i Zotit (pqmtmft), përcillet se e ka përmendur Isën me fjalët “Vëllai im Isa.”2 Edhe Isa edhe Imam Aliu ishin bartës shumë tërheqës të dimensionit ezoterik të fesë. Që të dy u mohuan nga ata që fenë e interpretonin në mënyrë të ngushtë legaliste dhe që të dy u hyjnizuan nga tepëruesit në mesin e përkrahësve të tyre të ardhshëm.
Edhe Isa edhe Imam Aliu urdhëruan që të ndiqej ligji fetar, ndërsa e mohuan formalizmin e zbrazur dhe imoralitetin që vjen si pasojë e tij. Qortimi për keqpërdorimin e mësimit fetar për përfitime të kësaj bote është shprehur nga Imam Aliu, duke i përcjellur fjalët e Isës (paqja qoftë mbi të). Ai thotë: Isa, djali i Merjemes, thoshte: “Dinari (paraja) është sëmundja e fesë, ndërsa dijetari është mjeku i saj. Andaj, kur të shihni se mjeku e ka sëmurë vetveten, mos i besoni atij dhe dijeni se nuk mund t’i këshillojë të tjerët.”3
Një tipar tjetër i dimensionit ezoterik të fesë është theksi që u bëhet adhurimeve vullnetare. Rëndësia e disiplinës shpirtërore është theksuar nga Imam Aliu, kur ai e përshkruan asketizmin e Isës. Në njërin nga fjalimet e tija, përcillet se ai ka thënë:
“Nëse doni, mund t’ju flas për Isën, djalin e Merjemes. Ai përdorte një gur si jastëk, vishte rroba të thjeshta dhe hante ushqim të ashpër. Ushqimi i tij ishte uria ndërsa llamba e tij natën ishte hëna. Hija e tij dimrit ishin lindja dhe perëndimi i tokës. Frutet e erëzat e tija ishin ato që rriteshin nga toka për bagëtitë. Ai nuk kishte një grua që do ta sprovonte dhe as ndonjë djalë që do ta pikëllonte. Ai nuk kishte pasuri që do ta shpërqëndronte dhe as lakmi që do ta poshtërsonte. Ai nuk kishte kafshë për të ngarë veç këmbëve të tija dhe nuk pati shërbetor tjetër veç dy duarve të veta.” 4
Përkundër kësaj, as Isa dhe as Imam Aliu nuk ishin përkrahës të asketizmit të ashpër e të tepëruar, siç përcillet në thënien në vijim të Imam Aliut: “Jahjai, djali i Zekerijasë, qante dhe nuk qeshte, ndërsa Isa, djali i Merjemes, edhe qeshte edhe qante. Dhe ajo që bënte Isa është më e mirë se ajo bënte Jahjai.5
Të gjitha këto lënë të kuptojmë se hadithet e përcjellura në përmbledhjet shiite lidhur me porosinë hyjnore të Isës (paqja qoftë mbi të), pra Inxhilin (Ungjillin), mund të na ndihmojnë ta kuptojmë Imam Aliun (paqja qoftë mbi të) dhe miqësinë e veçantë hyjnore, pra velajetin, që iu fal atij dhe Isës.
1: Bihar el-Enver, vëll.35, fq.318-319, hadithi nr.14
2: Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) e quan Isën “vëllai im” në hadithin nr.26 të përcjellur në Bihar el-Enver, vëll.14, fq.320, ndërsa i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) e përdor këtë emërtim tek hadithi 27 i përcjellur Bihar el-Enver, vëll.14, fq.321 dhe tek Mustedrek el-Vesail, vëll.12, fq.39
3: Bihar el-Enver, vëll.14, fq.319, hadithi nr.14
4: Nehxh’ul-Belaga, fjalimi nr.158
5: El-Kafi, vëll.2, fq.665, hadithi nr.20