Drita e Muhammedit (s.a.v)
Sejjid Muhammed Baha Safavi
19.01.2014

Teksti në vijim është një fragment i shkëputur nga shkrimi "Realiteti i Muhammedit (Hakika Muhammedijje) dhe e fshehta e emrave hyjnorë".


Lëvdatat janë për Allahun, Zotin e Botëve! Paqja qoftë mbi zotëriun tonë Muhammedin, prijësin në të dy botët, më të madhin e profetëve, shpallësin e fesë së Zotit e ruajtësin e të fshehtave të Tija! Dhe paqja qoftë mbi Ehl-i Bejtin e tij të dëlirë e të pastër nga çdo mëkat e çdo gabim!


Kur nuk ekzistonte asgjë tjetër veç Zotit, Ai e krijoi së pari Realitetin e Muhammedit (Hakika Muhammedijje) si një dritë nga drita e Tij dhe pastaj i krijoi gjërat e tjera prej këtij Realiteti dhe për të. Ky realitet është arsyeja, materia dhe qëllimi i ekzistimit të botës. Kjo është ajo që njihet si Hakika Muhammedijje (Realiteti i Muhammedit).


Në hadithin e njohur, të përcjellur edhe në burimet sunnite si një hadith kudsi (“Po të mos ishe ti, nuk do ta krijoja botën”; përcjellur nga Axhluniu, vëll.2, fq.164; Mustedrek el-Hakim, vëll.2, fq.615 ) thuhet se bota e ekzistencës u krijua për hir të Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Megjithatë, disa “muslimanë”, jo vetëm që nuk e pranojnë si të besueshëm këtë hadith, por edhe e mohojnë tërësisht, ndërsa janë sërish ata vetë që pranojnë me shumë kënaqësi çdo hadith të shpikur për interesa materiale, që e lëvdon Muavijen ose Jezidin (mallkimi i Zotit qoftë mbi ta).


Sado që të përpiqen për të dëshmuar se ky hadith është i dobët, ne do të përpiqemi nëpërmjet vetë Kur’anit ta dëshmojmë vërtetësinë e tij dhe ta rifreskojmë besimin tonë në Realitetin e Muhammedit.


Në vargun 72 të kapitullit Hixhr të Kur’anit, Zoti thotë: “Betohem në jetën tënde! Ata vërtet ishin njerëz të humbur në dehjen e tyre.” Në këtë varg të çmuar, Zoti betohet hapur mbi jetën e dëlirë e të ndershme të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), duke e bërë të qartë devijimin e palës tjetër. Ky varg është një dëshmi e mjaftueshme për një popull që mendon. A nuk është vallë ky betim i Zotit, e fshehta e hadithit të mësipërm?


Dijetarët dhe gnostikët sunnitë kanë thënë se shprehjen Hakika Muhammedijje (Realiteti i Muhammedit) fillimisht e përdori Sehl bin Abdullah Tusteriu (vdekur 283 pas Hixhrit). Sipas tyre, ishte Sehl bin Abdullahu që tha se Zoti e krijoi nga drita e Tij Realitetin e Muhammedit, që është ekizstenca shpirtërore e të Dërguarit të Zotit. Në anën tjetër, siç kemi përmendur tashmë, disa të tjerë e kanë mohuar krejtësisht këtë mendim dhe madje e kanë konsideruar politeizëm.


Për mendimin tim, shprehja Hakika Muhammedijje, që përdoret për ta emërtuar personalitetin shpirtëror të Profetit, në të vërtetë mbështetet në thëniet e Imamëve të Ehl-i Bejtit. Në veprën Usul el-Kafi dhe në shumë vepra të tjera të çmueshme, janë përcjellur thënie të shumta në lidhje me krijimin e Muhammedit e të familjes së Muhammedit dhe në lidhje me Dritën e Zotit, që është thelbi i këtij krijimi.


Për shembull, Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) thotë: Zoti ishte i vetëm në Njëshmërinë e Tij. Pastaj tha një fjalë dhe u bë drita. Pastaj, prej kësaj drite, Ai e krijoi Muhammedin, Aliun dhe të gjithë Imamët (paqja qoftë mbi ta). Pastaj tha një fjalë dhe u bë shpirti. Këtë shpirt e vendosi brenda dritës, ndërsa dritën e vendosi në trupat tanë. Ne jemi shpirti dhe fjala e Zotit. Ai bëri që të jemi perdeja ndërmjet Tij dhe krijesave. Ne ishim ata që gjithnjë e madhëronim nën hijen e Arshit të gjelbërt. Kur s’kishte asnjë sy për të parë e kur nuk ishte as dielli e hëna, ne e madhëronim Atë. Pastaj ai i krijoi ndjekësit (shiat) tanë. Ata emërtohen ashtu sepse u krijuan nga shkëlqimi i dritës sonë. (Bihar’ul-Enver, vëll.23, fq.25)


 


Nocioni i Hakika Muhammedijje-s është shpjeguar dhe komentuar më së miri nga Muhjiddin ibn Arabiu dhe nga El-Xhiliu. Në veprën e tij Fusus el-hikem, Ibn Arabiu thotë: “Realiteti i Muhammedit është shpjeguar si shkalla e parë ku manifestohet Qenia Absolute...”


Në burimet sunnite janë përcjellur shumë hadithe në lidhje me këtë temë, qofshin në formë të thënieve të vetë Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjene  tij), qofshin si hadith kudsi. 


Siç përmendëm më sipër, ekziston hadithi i famshëm “Po të mos ishe ti (o Muhammed), s’do ta krijoja botën” (Axhluni, Keshf’ul-Hafa, vëll.2, fq.164; Hakim el-Nishapuri, Mustedrek, vëll.2, fq.615)


Vetë i Dërguari i Zotit ka thënë: “Në fillim, Zoti e krijoi dritën time. Unë isha profet ndërsa Ademi ishte ende ndërmjet ujit e baltës.” (Tirmidhi, El-Menakib, hadithi i parë; Ahmed bin Hanbel, Musned, vëll.4, fq.66, vëll.5, fq.379; Axhluni, Keshfu’l-Hafa, vëll.1, fq.265; Abdu’l-Kerim Xhili, Insan el-Kamil, vëll.2, fq.37)


Pasi flet për Realitetin e Muhammedit, Mevlana Xhelaleddin Rumiu, duke dashur ta tregojë madhështinë e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) karshi Xhibrilit, thotë: “Sikur Ahmedi t’i hapte krahët e tij të mëdhenj, Xhibrili do të mbetej i tmerruar deri në përjetësi.” (Mesnevi, vëll.4, fq.817).


 


Hakika Muhammedijje (pra shpirti dhe drita e Muhammedit dhe e Ehl-i Bejtit të tij) është pasqyra e vullnetit të Zotit. Ata janë bartësit e emrave Haj e Kajjum dhe ata janë pasqyra e qenies, e emrave dhe e cilësive të Zotit. Andaj mund të thuhet se vargu 43:84 i Kur’anit (Ai është Zot në qiell dhe Zot në tokë...) është e fshehta e Realitetit të Muhammedit. Drita e parë e krijuar, Ademi i vërtetë (adem hakiki) dhe Njeriu i vërtetë (insan hakiki) është ai. Për shkak të të qenit manifestimi i parë, ky realitet është quajtur edhe taajjun el-evvel, ndërsa për shkakun se manifestohet në trajtën e dashurisë, është quajtur taajjun el-hubbi.


 Është një fakt i pakundërshtueshëm dhe i dëshmuar nëpërmjet haditheve të besueshme (sahih) se shpirti dhe drita muhammedane kanë ekzistuar para të gjithë njerëzve, profetëve dhe ëngjëjve. Siç përcillet në burimet e besueshme të Ehl-i Sunnetit, Abdullah ibn Xhabiri e pyeti të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij): “Ç’është gjëja që Zoti krijoi para gjithkçaje tjetër?”  I Dërguari u përgjigj: “Para çdo gjëje tjetër, Zoti e krijoi dritën e profetit tënd nga drita e Tij. Me fuqinë e Zotit, kjo dritë lëvizte si të kishte dëshirë. Atëbotë nuk ekzistonte Pllaka e Ruajtur (Levh-i Mahfudh), as Penda, as parajsa, as ferri, as ëngjëjt, as qielli, as hëna, as dielli, as njeriu dhe as xhinnët.” (Kastalani, Mevabibu’l-ledunnije, vëll.1,fq.6)


Nocioni i Realitetit të Muhammedit ose Dritës Muhammedane do të thotë se Zoti e krijoi Muhammedin dhe Al-i Muhammedin (Ehl-i Bejtin) nga drita e Vete. Shkaku, materia dhe qëllimi i botës është ky realitet, që njihet si Hakika Muhammedijje.


Në pasqyrën e Njeriut të Përsosur (Insan el-Kamil, pra tek Realiteti i Muhammedit), Zoti e sodit fuqinë e Vete dhe cilësitë e bukurisë e të madhështisë së Tij absolute. Njeriu i Përsosur, në funksionin e pasqyrës, është vendi ku manifestohet e ku del në dukje Qenia më e Shenjtë. Në këtë pasqyrë qartësohet realiteti i njëshmërisë (ehadijjet) dhe njësisë (vahdanijjet) hyjnore. Ehadijjet (përkthyer këtu si “njëshmëria”) është njëshmëria e Qenies, ndërsa Vahidijjet (përkthyer këtu si “njësia”) është për ta mohuar ekzistencën e një të barabarti në cilësi. Atëherë të përpiqemi t’i shpjegojmë pakëz këta dy terme.


Zoti është Vahid, pra një. Manifestimet e cilësive të tija e kanë kapluar gjithë botën e krijimit. Fuqia e pafundme, dituria e pakufizuar dhe vullneti absolut i takojnë këtij Vahid-i. Por Zoti është edhe Ehad, është një. Ai nuk është një qenie e mundshme (por e domosdoshme), nuk është krijuar dhe nuk ka fillim ose fund. Ai është i pastër nga mangësitë në qenien e krijesave, nga të metat në cilësitë e tyre dhe nga dobësitë në veprat e tyre. Ai nuk i ngjan asnjërës nga krijesat dhe është një, i vetëm, pa të ngjashëm.


Çdo krijesë është e kufizuar nga mangësia dhe të gjitha krijesat janë të barabarta në faktin se kanë diçka para dhe pas tyre. Ato janë të kufizuara në hapësirë dhe të kufizuara nga materia. Të gjitha janë të paaftë për të parë e për të dëgjuar, ndërsa janë nevojtare për dhuntitë hyjnore. Pikërisht këtyre krijesave të mangëta e të dobëta, Zoti i Madhëruar u fal shërim nëpërmjet emrave të Tij.


I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Unë jam emri i Zotit dhe gjithçka është prej meje.” Ai thotë sërish: “Unë jam emri i madh. Unë jam emri i Zotit.”    


Në një vend tjetër, njëri nga Imamët thotë:  “Ne jemi emrat e bukur të Zotit (Esma’ul-Husna).”Usul el-Kafi dhe në burime të tjera ekzistojnë hadithe të besueshme që e dëshmojnë këtë. Andaj mund të themi se Realiteti i Muhammedit, që është arsyeja e ekzistencës së botës, materia e saj dhe qëllimi i saj, është e fshehta e vargut 43:84 të Kur’anit (Ai është Zot në qiell dhe Zot në tokë...) dhe njëherit realiteti dhe manifestimi i tij. Siç thotë edhe Imam Khomeini (k.s):


Duhet të dimë se të gjitha shkallët e qenies, nga majat e Madhërisë hyjnore dhe deri tek bota e errësirës dhe e imagjinatës, përbëhen nga manifestimet e bukurisë e madhështisë hyjnore dhe nga shkallët e manifestimit të Hyjit. Asnjë qenie nuk posedon një pavarësi të veten dhe të gjitha s’janë tjetër veçse vetë mjerimi dhe mangësia. Të gjitha qeniet i binden urdhrit të Zotit në nivel absolut. Ky kuptim mund të gjendet edhe në shumë vargje të Kur’anit. Për shembull, pohimi dhe mohimi i shprehur në vargun “kur ti hodhe, nuk hodhe ti por hodhi Zoti” (8:17), është një dëshmi për shkallën e “emrun bejn’el-emrejn” (as detyrim, as pavarësi por diçka ndërmjet të dyjave; përkth. shih thëniet e Imamëve të Ehl-i Bejtit në lidhje me caktimin hyjnor). Pra, ti hodhe por jo me unin dhe pavarësinë tënde. Ti mbase hodhe me manifestimin e fuqisë së Zotit në pasqyrën e qenies sate dhe me ndikimin e kësaj fuqie në ekzistencën dhe fuqinë tënde. Andaj thuhet se hodhe ti, por njëkohësisht hodhi edhe Zoti.


Një rrëfim i ngjashëm mund të haset edhe në kapitullin Kehf, në rrëfimin mbi Musën dhe Hizrin. Hizri, ndërsa i zbulon të fshehtat e veprimeve të tija, ia vesh vetes çdo mangësi dhe të metë, ndërkohë që të gjitha përsosuritë ia vesh Zotit. Dhe të dyja këto janë të sakta. Në një vend, ai thotë “eradtu”, në një vend tjetër “erade rabbuke” dhe në një vend tjetër “eredna”, dhe të gjitha janë të sakta.


Një shembull tjetër është vargu 39:42, i cili thotë: “Kur u vjen koha e vdekjes, Zoti i merr shpirtrat.”. Vargu thotë kështu, ndonëse e dimë se është ëngjëlli i vdekjes që i merr shpirtrat.


Po kështu, thuhet në Kur’an se është Zoti ai që udhëzon e që nxjerr nga rruga. “Zoti e nxjerr nga rruga atë që do dhe udhëzon atë që do.” Vargu thotë kështu, ndonëse Xhibrili dhe i Dërguari i Zotit janë ata që e udhëzojë njerëzimin. “Ti je vetëm një paralajmërues dhe çdo popull e ka udhëzuesin e vet.”Gjithashtu e dimë mirë se është djalli që i bën njerëzit të dalin nga rruga e drejtë, ndonëse vargu e përmend Zotin.    


Sipas një këndvështrimi, parashtrohet pyetja në vijim: A mund të kenë Azraili, Xhebraili, Israfili, Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), gjithë profetët e tjerë dhe e tërë bota e qenies ndonjë gjë që mund t’u veshet vetë atyre, përballë vullnetit të fuqishëm të Zotit? Të gjitha s’janë tjetër veçse manifestime të vullnetit dhe të fuqisë së Zotit. Ai është Zot në qiej dhe Zot në tokë... (Imam Khomeini k.s.) 


Ai i Vetëm, që është i pastër nga të gjitha cilësitë e mangëta, merret me punët e çdo qenieje veçmas. Ai gjendet pranë secilës prej qenieve me cilësitë e Tija dhe i përmbush nevojat e tyre me manifestimet e ndryshme të emrave të Tij. Është e vërtetë se si pasojë e të qenit Ehad, Zoti i Madhëruar ka një lidhje të veçantë me çdo krijesë. Çdo yll në qiell, çdo lule në tokë dhe çdo peshk në det përfiton nga kjo lidhje e merr një hise prej saj sipas aftësisë dhe kapacitetit të vet. “Ai më bën të shkëlqej”, thotë ylli, “Ai më bën të notoj”, thotë peshku “Ai më rrit e Ai më bën të lulëzoj” thotë lulja etj.


Edhe me njerëzit është e njejta. Zoti i Botëve ka një lidhje me çdo individ. Secilin prej njerëzve e sprovon me vështirësi ose me bekime të ndryshme. Njësoj siç e krijon çdo rob të vetin në trajtë të ndryshme, ai e sprovon secilin me ndodhi të ndryshme. Ai që është Një dhe i Vetëm, edhe në parajsë do të merret me çdo rob të vetin, secilin do ta shpërblejë ndarazi dhe secilit do t’i falë përjetime dhe shijime të shkallëve të ndryshme. Edhe emri Ehad i Zotit do të manifestohet përsosurisht në atë botë.


Në mënyrë që lexuesi ta kuptojë më mirë këtë temë, do të bëjmë tani një shpjegim të shkurtër të emrave Vahid dhe Ehad. Fillimisht duhet thënë se të dy këta emra e shprehin njëshmërinë e Zotit.


Dallimi i vetëm është se emri Vahid e shpreh manifestimin e njëshmërisë së Zotit në tërësinë e krijimit, ndërsa emri Ehad e shpreh manifestimin e njëshmërisë së Tij tek çdo qenie në botën e krijimit, ndarazi.


Imagjinojeni, për shembull, reflektimin e diellit në një pasqyrë të madhe që krijohet me bashkimin e njëmijë pasqyrave të vogla. Në këtë rast, dielli do të ketë dy pamje. Njëra nga pamjet është pamja e madhe që reflektohet në pasqyrën e madhe të përbërë nga njëmijë pasqyrat e vogla, ndërsa tjetra është pamja që reflektohet në secilën prej njëmijë pasqyrave të vogla, në të cilat manifestohet pamja e diellit ashtu si është. Nëse imagjinojmë një rast hipotetik, në të cilin pasqyra e madhe është aq e madhe sa të mos mund të perceptohet nga shqisat tona, duhet të pranojmë se është e pamundur të shihet pamja e plotë që reflektohet mbi të dhe se ne nuk mund të kemi një njohuri të plotë të kësaj pamjeje. Megjithatë, ne mund ta shohim lehtësisht pamjen në secilën prej pasqyrave të vogla dhe kështu të fitojmë njohuri mbi diellin.


Zoti, pra, ka dy lloje manifestimesh në botë. Njëri është manifestimi i Tij në tërësinë e botës së qenies, ndërsa tjetri është manifestimi i njëshmërisë së Tij tek çdo krijesë që e përbën botën. Në mënyrë që robërit e Tij, të cilët e kanë për detyrim ta njohin Atë, të mos kenë vështirësi në këtë gjë, bashkë me Vahidijjetin e vet, Zoti manifestohet edhe si Ehad.


Siç dëshmon bota për njëshmërinë e Zotit, edhe secila qenie ndarazi në botën e ekzistencës është një dëshmi e njëshmërisë së Tij, duke qenë një shembull i vogël i tërësisë së krijimit (botës). Vahidijjet do të thotë se e gjitha bota e krijimit i takon një Qenieje dhe se buron prej Saj. Manifestimi i Zotit nëpërmjet emrit Vahid është i përgjithshëm, ndërsa nëpërmjet emrit Ehad i përveçëm dhe i veçantë. Për shembull, Zoti i Madhëruar ia ka falur zjarrit aftësinë për të djegur dhe në kushte normale, zjarri djeg. Megjithatë, nëse dëshiron, Ai mund ta zhvleftësojë këtë ligj për ndonjërin nga robërit e tij. I tillë është rasti i Ibrahimit, i cili u hodh në zjarr dhe nuk u dogj.


Ehadijjet është manifestimi i njëshmërisë së Zotit në çdo gjë ndarazi. Çdo vepër e një artisti të shkathtë është një tregues i aftësisë së tij. Dhe nëse ky artist ka vendosur vula të paimitueshme dhe unike në çdo vepër të veten, mund të thuhet se veprat e tija shpallin hapur:  “neve nuk mund të na krijojë tjetër përveç filanit”. Vula e veçantë tek çdo vepër e krijuar flet për njëshmërinë e krijuesit të tyre.


Muhammedi dhe Ehl-i Bejti i tij (paqja qoftë mbi ta të tërë), që janë drita dhe shpirti i Realitetit Muhammedan, janë pasqyra absolute dhe e dëlirë e këtyre dy pozitave (Ehadijjet dhe Vahidijjet). Realiteti manifestohet prej tyre dhe pasqyrohet në botën e qenies. Ata janë manifestim i vullnetit hyjnor. Zoti është i kënaqur nëpërmjet tyre dhe nëpërmjet tyre dënon. Ata janë peshorja dhe dëshmia e të vërtetës. Kjo e vërtetë është e dukshme dhe e qartë edhe në thënien në vijim të Imam Rizasë (paqja qoftë mbi të), i cili përcjell se Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dëshmia e Zotit mbi robërit e tij realizohet vetëm me ekzistencën e Imamit dhe me njohjen e tij.” (Usul el-Kafi)


Tani të shohim se çfarë të fshehtash zbulon kjo thënie dhe çfarë të vërtetash shpreh. Le ta dëgjojmë njëherë realitetin e Hakika Muhammedijje-s nga fjalët e Imamëve tanë!


Ebu Halid el-Kabul përcjell se e pyeti Imam Muhammed Bakirin (paqja qoftë mbi të) në lidhje me kuptimin e vargut “Besojeni Zotin, të Dërguarin dhe dritën që kemi zbritur...” (Kur’an 64:8). Imami u përgjigj: O Ebu Halid! Deri në Ditën e Ringjalljes, drita e Zotit është Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe Imamët nga soji i tij. Betohem në Zotin, ata janë drita që ka zbritur Zoti. Për besë ata janë drita e Zotit në qiej e në tokë. Betohem në Zotin, o Ebu Halid! Drita e Imamit në zemrën e një besimtari është më shkëlqimtare se drita e diellit që ndrin çdo anë në mes të ditës. Betohem në Zotin, ata i ndriçojnë zemrat e besimtarëve.


Ndërsa ka njerëz, zemrat e të cilave Zoti i Madhëruar e Lavdiplot i lë pa dritën e tyre. Kështu, zemrat e tyre mbeten në errësirë. Betohem në Zotin, o Ebu Halid! Kur një rob na do neve dhe e pranon velajetin tonë, Zoti ka për t’ia ndritur zemrën. Për sa kohë që një rob nuk na do neve me plotë zemër e nuk është në pajtim me ne, Zoti nuk ka për t’ia pastruar zemrën. Kur të jetë i pajtuar me ne, Zoti ka për ta mbrojtur atë nga llogaria e vështirë e ka për ta bërë të mbrojtur nga frika më e madhe në ditën e llogarisë. (Usul el-Kafi) 


Atë që jemi përpjekur ta shpjegojmë këtu, Imamët tanë e kanë shprehur shkurt dhe qartë. Mjafton që njeriu që i lexon këto thënie, të jetë një njeri i arsyes.


Thamë se Zoti ka dy lloje të manifestimit të njëshmërisë së tij në botën e qenies. Njëri është në tërësinë e botë së krijuar, ndërsa manifestimi tjetër në secilën nga krijesat ndarazi. Shkaku dhe burimi i manifestimit të njeshmërisë, që shfaqet tek çdo krijesë që e përbën botën e qenies, është drita e velajetit të Muhammedit e të Ehl-i Bejtit të tij, që është pasqyra e qenies së Zotit. Realiteti i kësaj drite janë emrat Hajj dhe Kajjum  të Zotit.


Thamë se si pasojë e të qenit Ehad, Zoti i Madhëruar ka një lidhje të veçantë me çdo krijesë. Çdo yll në qiell, çdo lule në tokë dhe çdo peshk në det përfiton nga kjo lidhje e merr një hise prej saj sipas aftësisë dhe kapacitetit të vet. “Ai më bën të shkëlqej”, thotë ylli, “Ai më bën të notoj”, thotë peshku “Ai më rrit e Ai më bën të lulëzoj” thotë lulja etj. Këtë fuqi dhe këtë autoritet Zoti e ka vendosur tek Imami i Kohës (Mehdiu, paqja qoftë mbi të), që është dëshmia e fundit e Zotit dhe Vula e velajetit muhammedan. Ai është Qabeja e botës së qenies. E gjithë bota e qenies rrotullohet rreth tij, gjithçka gjen jetë me të dhe gjithçka me të frymon.


Thoni atëherë, sikur t’u hiqej uji, kush mund t’ju sjellë ujë? (Kur’an 67:30) 


Për Zotin, “uji” i përmendur në këtë varg është drita e velajetit të Muhammedit dhe të Ehl-i Bejtit të tij (paqja qoftë mbi ta). Ata janë vetë jeta, pa të cilën e gjithë bota e qenies do të shkatërrohej e do të fundosej në errësirë. Muhammedi dhe Al-i Muhammedi janë qabeja dhe kibleja e botës së qenies. Çdo krijesë, me ose pa dëshirë, bën tavaf rreth kësaj qabeje, që është vendi i manifestimit të vullnetit të Zotit. Ata janë zbërthyesit e vullnetit hyjnor dhe shkaqet e nevojshme të krijimit. Ata janë një dritë e një shpirt dhe ata janë Emri më i Madh i Zotit. 


FUND