Thënie të zgjedhura nga Isa Mesihu (a.s)
dielli.net
08.01.2014

1. Dinari është sëmundja e fesë, ndërsa dijetari mjeku i saj. Andaj, nëse shihni një dijetar që e sëmur vetveten, mos i besoni atij! (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.319)


2. Vërtet kjo botë është vetëm një urë. Andaj kaloni mbi të dhe mos u merrni me të aq shumë! (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.319)


3. Nuk më njeh mua ai që nuk e njeh shpirtin e vet. Ai që nuk e njeh shpirtin ndërmjet dy anëve të tija, nuk mund ta njohë shpirtin që unë kam ndërmjet dy anëve të mia. Por ai që e njeh shpirtin e vet, më njeh edhe mua, ndërsa ai që më njeh mua, e njeh Atë që më ka dërguar. (Edeb′ul-nefs, vëll.2, fq.213)


4. Ju punoni për këtë botë, ndonëse furnizimi juaj nuk varet prej kësaj. Ndërkohë, nuk punoni për botën tjetër, ndonëse furnizimi juaj atje varet krejtësisht nga veprat tuaja të tanishme.(El-Kafi, vëll.2, fq.319)


5. Si mund të dalë fitimtar një njeri që e shet veten për gjithçka që gjendet në botë, e pastaj ua lë të tjerëve trashëgiminë e fituar dhe e shkatërron veten? Lum për atë që e pastron vetveten dhe e parapëlqen shpirtin e vet karshi gjithçkaje tjetër në botë. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.329)


6. Kush do të ndërtonte shtëpi mbi valët e detit? Kjo botë është ajo shtëpi. Andaj mos e zgjidhni për vendbanim tuajin! (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.326)


7. O apostuj! Sa llamba ka fikur era e sa adhurues i ka shkatërruar krenaria! (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.329)


8. Nëse jeni dashamirët dhe vëllezërit e mi, atëherë duhet të mësoheni me armiqësinë dhe urrejtjen e njerëzve ndaj juve, sepse nuk mund të jenë vëllezërit e mi ndryshe. Këtë po jua them që ta mësoni e jo që të mbureni me të.


Nuk keni për ta arritur qëllimin tuaj derisa nuk hiqni dorë nga gjërat që i dëshironi, derisa nuk duroni përballë asaj që nuk ju pëlqen dhe derisa nuk e ruani vështrimin tuaj, sepse vështrimi mbjell epsh në zemër dhe mjafton për ta tunduar njeriun. Të lumtur janë ata që e shohin me sy atë që dëshirojnë por që nuk shfaqin mosbindje në zemrat e tyre. Sa larg është ajo që ka kaluar dhe sa pranë ajo që po vjen.


Mjerë ata që mashtrohen, ndërsa u afrohet ajo që urrejnë, largohet prej tyre gjëja që duan dhe arrijnë te gjëja që u është premtuar. Mjerë ata, veprat e të cilëve janë për këtë botë dhe veprat e të cilëve janë të gabuara! Sa do të turpërohen para Zotit! Mos folni shumë përveç përkujtimit të Zotit!


Ata që folin shumë për gjërat e tjera veç Zotit i ngurtësojnë zemrat e tyre pa ditur. Mos ua kërkoni gabimet njerëzve të tjerë, por kujdesuni për pastërtinë e shpirtrave tuaj, sepse ju jeni robër të robëruar. Sa ujë që rrjedh mbi malin pa e zbutur atë! Dhe sa shumë urtësi keni mësuar pa u zbutur zemrat tuaja! Ju jeni robër të ligë dhe jo të virtytshëm. Nuk jeni të lirë e fisnikë. Në të vërtetë, ju jeni si landër. Të gjithë që e shohin mahniten me lulet e saja, por kur prej saj hanë, helmohen. Paqja qoftë mbi ju! (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.37)


9. Lum për atë që heshtjen e ka përsiatje, që vështrimin e ka marrje mësim, që është i kënaqur me shtëpinë e tij, që qan për gabimet e veta dhe prej dorës e gjuhës së të cilit njerëzit janë të sigurt. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.319)


10. O bijtë e Izraelit! Mos i flisni të paditurit mbi urtësinë, sepse i bëni padrejtësi urtësisë. Por mos e fshehni atë nga njerëzit që e meritojnë, sepse u bëni padrejtësi atyre. Dhe mos e ndihmoni të padrejtin në padrejtësinë e tij sepse të gjithë virytet tuaja shkojnë huq.


Ka tre lloje veprash: të parat janë veprat, drejtësia e të cilave është e qartë për ju. Të tillat duhet t’i kryeni. Të dytat janë vepra, ligësia e të cilave është e qartë dhe të tillave duhet t’u shmangeni. Ndërsa lloji i tretë janë veprat, për të cilat ka dallime mendimi. Ato lërini në duart e Zotit!  (Men le jehdhuruhul fakih, vëll.4, fq.400)


11. Flas të vërtetën kur them se njësoj si i sëmuri që e sheh ushqimin dhe nuk merr kurrfarë shijeje prej tij për shkak të dhimbjes që ka, edhe të zotët e kësaj bote nuk kanë për të gjetur kënaqësi e shije në adhurime, sepse gjëja që gjejnë është ëmbëlsia e kësaj bote.


Flas të vërtetën kur ju them se njësoj si  një kafshë që bëhet e ashpër e me karakter të ndryshëm kur nuk është e robëruar dhe e zbutur, edhe zemrat bëhen të ngurta e të ashpra, kur nuk zbuten me përkujtimin e vdekjes dhe me përpjekjen në adhurime. Dhe të vërtetën flas kur ju them se njësoj si një copë lëkure, që mund të bëhet trastë uji derisa nuk është e shpuar, edhe zemrat, derisa nuk janë të grisura nga dëshirat, të prishura nga lakmia e të ngurtësuara nga bekimet e shumta, mund të bëhen enë ku bartet urtësia. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.325)


12. Më i mjeruari i njerëzve është ai që njihet mes tyre për diturinë e tij por që nuk njihet për vepra të mira. (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.52)


13. Merreni atë që është e vërtetë tek njerëzit e gënjeshtrës por mos e merrni atë që është e gënjeshtërt tek njerëzit e të vërtetës. Jini të kujdesshëm karshi fjalëve. Sa devijime janë stolisur me vargje nga Libri i Zotit, njësoj si stoliset dirhemi (monedha) prej bakri me një shtresë argjendi. Kur e vështron, të duket e njejtë, por ata që dinë të shohin e kuptojnë dallimin. (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.96)


14. Në ditët kur të agjërojë ndonjëri nga ju, le t’i lyejë me vaj flokët e mjekrrën dhe le t’i vajosë edhe buzët, që njerëzit të mos e dinë se është duke agjëruar. Kur të japë lëmoshë me dorën e djathtë, le ta fshehë atë nga dora e tij e majtë! Dhe kur të lutet,  le ta zbresë perden mbi derën e tij. Vërtet Zoti shpërndan edhe lëvdata për njeriun ashtu siç e shpërndan begatinë. (Sherh Nehxh el-Belaga, vëll.2, fq.181)


15. Adhurimi ka dhjetë pjesë. Nënte prej tyre fshihen tek heshtja dhe njëra tek largimi nga njerëzit. (Mexhmu’a Varram, vëll.2, fq.106)


16. Ngurtësimi i zemrës vjen nga tharja e syve (nga lotët), tharja e syve vjen nga grumbullimi i mëkateve, ndërsa grumbullimi i mëkateve vjen nga dashuria për këtë botë, e cila është koka e të gjitha të ligave. (Mustedrek el-Vesail, vëll.12, fq.39)


17. Mos u bëni merak për furnizimin tuaj të nesërm. Nëse e nesërmja është pjesë e jetës suaj, edhe furnizimi juaj do të vijë bashkë me jetën. Dhe nëse nuk është, atëherë s’keni pse të bëheni merak për furnizimin e të tjerëve. (Mexhmu’a Varram, vëll.1, fq.278)


18. Largësia juaj nga zemërimi i Zotit fshihet në të qëndruarit larg zemërimit. (Mexhmu’a Varram, vëll.2, fq.27)


19. Nëse një njeri ia mohon ndihmën një njeriu të shkelur, edhe ai ka hise në padrejtësinë që i bëhet atij. (El-Kafi, vëll.8, fq.345)


20. Jini të kënaqur me pak nga kjo botë, ndërkohë që besimi juaj është i sigurt, njësoj siç janë të kënaqur njerëzit e kësaj bote me shumë pak nga besimi, kur e dinë se e sigurt është kjo botë e tyre. Duajeni Zotin duke ndenjur larg tyre dhe bëjeni Atë të kënaqur duke qenë të zemëruar me ta!


Apostujt thanë: O Shpirt i Zotit (Ruhullah), me kënd të shoqërohemi? Isa (paqja qoftë mbi të) tha: Me atë që jua kujton Zotin kur e shihni, që jua shton diturinë me fjalët e tija dhe që ju bën ta dëshironi botën tjetër me veprat që kryen. (Uddat’ul-Dai, fq.121)


21. Përcillet se apostujt e ndiqnin Isën (paqja qoftë mbi të). Kurdo që i zinte uria, ata thonin: “O Shpirti i Zotit! Të uritur jemi.” Atëherë Isa e godiste tokën me dorë dhe pavarësisht në ishin në fushë a në tokë të pjerrët, nxirrte nga dy feta buke. Kurdoherë që kishin etje, thonin “O Shpirti i Zotit. Kemi etje.” dhe Isa e godiste tokën e nxirrte prej saj ujë që të pinë. Pastaj pyetën: “O Shpirt i Zotit! Kush është vallë më mirë se ne? Kur të duam bukë na jepet bukë dhe kur të duam ujë na jepet ujë. Kemi besim tek ti dhe të ndjekim”. Isa (paqja qoftë mbi të) tha: Më mirë se ju janë ata që punojnë me duart e tyre dhe që ushqehen me atë që fitojnë. Pas kësaj, apostujt nisën të lanin roba pranë lumit dhe hanin nga paga që e fitonin prej kësaj pune. (Bihar el-Enver, vëll.70, fq.11)


22. Kur u pyet se cilët ishin më të mirët e njerëzve, Isa (paqja qoftë mbi të) tha: Ai, fjala e të cilit është përmendje e Zotit, heshtja e të cilit është përsiatje dhe vështrimi i të cilit është marrje mësim. (Mexhmu’a Varram, vëll.1, fq.250)


23. Një njeri e pyeti Isën, djalin e Merjemes:”Cilët janë më të mirët e njerëzve?” Ai mori dy grushta dheu dhe tha: “Cili prej këtyre është më i mirë? Të gjithë njerëzit janë krijuar prej dheu dhe më i miri mes tyre është ai që është më i druajtur para Zotit.” (Mexhmu’a el-akhbar fi nefa’is el-ethar, fq.106)


24. U mora me të sëmurit dhe i shërova me lejen e Zotit. U mora me ata që kishin lindur të verbër e me leprozë dhe me lejen e Zotit i shërova. Pastaj u mora me të vdekurit dhe me lejen e Zotit i ringjalla. Pastaj u mora me mendjelehtët, por nuk arrita t’i ndryshoj.


E pyetën: “Kush është mendjelehtë?” Tha: Ai që e pëlqen vetveten, që çdo meritë ia vesh vetes së tij, që vetes ia jep çdo të drejtë dhe që kurrë s’i jep të drejtë asaj që është kundër tij. Ky është mendjelehti, për të cilin nuk ka shërim. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.323)


25. Isa (paqja qoftë mbi të) kaloi pranë tre vetëve. Trupat e tyre ishin dobësuar dhe ngjyra u kishte ndryshuar. Ai tha: “Ç’ju ka futur në këtë gjendje?” Ata u përgjigjën: “Frika nga zjarri.” Ai tha: “Është një detyrë e Zotit që t’u falë siguri atyre që e kanë droje.” Pastaj vazhdoi më pas dhe u takua me tre njerëz të tjerë, të cilët ishin ende më të dobët dhe më të zbehtë. I pyeti: “Ç’ju ka futur në këtë gjendje?” Ata thanë: “Dëshira që kemi për parajsën.” Ai tha: “Është e detyrë e Zotit që t’u japë atyre që shpresojnë prej Tij.” Pastaj kaloi pranë tre vetëve të tjerë, që ishin ende më të dobët se të parët dhe me lëkurë më të zbehur akoma. I pyeti edhe ata: “Ç’ju ka futur në këtë gjendje? Ata thanë: “Dashuria ndaj Zotit të Fuqishëm dhe Madhështor”. Ai tha tri herë: “Ju jeni nga ata që janë të afërt me Zotin.” (Sherh Nehxh’ul-Belaga)                 


26. Apostujt pyetën: “Na thuaj një veprim, me të cilin mund të hyjmë në parajsë.” Ai tha: “Mos flisni fare!” Ata ia kthyen: “Nuk mundemi ta bëjmë këtë.” Ai tha: “Atëherë mos thoni tjetër përveç asaj që është e mirë!” (Sherh Nehxh’ul-Belaga, vëll.10, fq.137)


27. Apostujt erdhën tek Isa (paqja qoftë mbi të) dhe e pyetën: “O mësues i të mirës! Na mëso çfarë është gjëja më e ashpër.” Ai u përgjigj: “Gjëja më e ashpër është dënimi i Zotit.” Ata thanë: “Çfarë mund të na shpëtojë nga dënimi i Zotit?” Ai u përgjigj: “Të mos qenit të zemëruar.” Ata pyetën sërish: “Çfarë është burimi i zemërimit?” Ai u përgjigj: “Krenaria, vetëpëlqimi dhe nënçmimi i njerëzve të tjerë”. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.287)


28. Jahjasë (Gjon Pagëzorit), djalit të Zekerijasë, Isa (paqja qoftë mbi të) i tha: Nëse është e saktë ajo që thuhet për ty, atëherë dije se është një mëkat që ke kryer. Andaj kërkoji falje Zotit për të. Por nëse nuk është e saktë ajo që thuhet, dije se për këtë do të shënohet një vepër e mirë për ty. Andaj nuk ia vlen të shqetësohesh për këto fjalë. (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.287)


29. Isa (paqja qoftë mbi të) e pa një njeri që bënte adhurim dhe e pyeti: Ç’punë bën ti? Ai u përgjigj: “E adhuroj Zotin.” Ai e pyeti sërish: “Kush të mban me bukë?” “Im vëlla”, iu përgjigj ai. Isa ia ktheu: Atëherë vëllai yt qenka një adhurues më i mirë se ti.” (Mexhmu’a Varram, vëll.1, fq.65)


30. E pyetën Isën (paqja qoftë mbi të): “Kush të edukoi ty?” Ai u përgjigj: “Askush nuk më edukoi. Vetëm sa e pashë shëmtinë e paditurisë dhe i ndenja larg asaj.” (Bihar El-Enver, vëll.14, fq.326)


31. Isa (paqja qoftë mbi të) kaloi pranë varrit të një njeriu që po dënohej. Pastaj kaloi pranë të njejtit varr vitin tjetër dhe vërejti se ai nuk po dënohej më. Tha: “O Zot! Kalova në këtë vendbanim vitin e kaluar dhe ky njeri po vuante. Tani kalova sërish dhe pashë se ai nuk vuante më.”


Zoti i shpalli: “O Shpirt i Zotit! Njëri nga bijtë e tij u rrit, hapi ca rrugë dhe strehoi një jetim. Pastaj unë e fala për bëmat e fëmijës së tij. (El-Kafi, vëll.6, fq.3)


32. Kjo botë u fut në trajtën e një gruaje me sy të kaltër dhe doli para Isës (paqja qoftë mbi të). Ai i tha: “Me sa burra je martuar?”


“Me shumë”, tha ajo.


“A të shkurorëzuan të gjithë?”, pyeti Isa.


“Jo!”, u përgjigj ajo. “Unë i vrava të gjithë.”


Ai ia ktheu: “Atëherë mjerë burrat e tjerë të tu! Si nuk marrin mësim prej të kaluarve!” (Bihar el-Enver, vëll.14, fq.330) 


33. I thanë Isës (paqja qoftë mbi të): “Na mëso një veprim, për të cilin Zoti ka për të na dashur.”  Ai tha: “Urrejeni këtë botë dhe Zoti do t’ju dojë.” (Mexhma’u Varram, vëll.1, fq.134)