Elegjitë mbi Husejnin (a.s) në gjuhën arabe dhe perse
Dr. Lynda Clarke
04.11.2013

Teksti i mëposhtëm u botua në revistën “El-Serat” (nr.12, viti 1986). Për shkaqe estetike, disa prej vargjeve janë përcjellur në formë të shkurtuar dhe me disa përshtatje të vogla në përkthim, duke e ruajtur, megjithatë, kuptimin origjinal.     


Nuk sugjeroj që të merremi këtu as me zhvillimin dhe as me motivet e elegjive për Husejnin, në arabisht ose në persisht qoftë. Po kështu, nuk kemi për qëllim të bëjmë një përshkrim të poetëve të famshëm të elegjive të tilla, sepse kjo letërsi është aq e pasur dhe zgjatet në një periudhë aq të gjatë kohore, sa është vështirë të bëhet një gjë e tillë. Në vend të kësaj, do të doja të jepja një mendim të përgjithshëm për vendin e këtyre elegjive (arab. marathi) në traditën letrare e fetare, duke i përkthyer disa shembuj, të cilët duhet t’i japin lexuesit një ide mbi bukurinë dhe efektivitetin e këtij lloji të poezisë.


Megjithatë, duhet ta paralajmëroj lexuesin se përkthimet e mia, në një aspekt thelbësor, nuk u ngjajnë dhe aq shumë origjinaleve. Tradita poetike arabe dhe perse, së paku deri vonë (para disa dekadash), kërkonte një ndjekje të rreptë të kallëpeve të rimës, shpesh, të rimës së puthur, dhe të metrikës së rreptë kuantitative. Ndonëse lavdet janë ndonjëherë të vështirë për t’u kuptuar në çast, e kam përshtypjen se idetë e shprehura dhe efektet janë universale. 


Tradita e poezive elegjike, e njohur në arabisht me emrin merthije, i ka rrënjët në kohët paraislame, kur të kihen parasysh motivet dhe forma e saj.


Elegjia arabe, në formën e kasides së gjatë me rrimë të puthur, njësoj si e gjithë poezia paraislamike, ishte mjaft e standardizuar. Virtytet e të vdekurit dhe humbja e dhimbshme e vajtuesit përshkruhen fillimisht, duke krijuar një bazë për t’u ndalur mbi kalueshmërinë e jetës përballë caktimit hyjnor, që është përherë i pashmangshëm. Shumë shpesh, vajtuesi e mallkon armikun dhe kërkon hakmarrje. Megjithatë, ndonëse elegjia paraislamike ishte e standardizuar në masë të madhe, ajo ishte edhe specifike ose e veçantë për raste të veçanta. Përsiatjet mbi vdekjen shërbejnë vetëm për të ravijëzuar një përkushtim elegjik për një person specifik.


Ndërsa emrin merthije e përkthejmë si “elegji”, duhet të kemi parasysh se nuk nënkuptohet një elegji e traditës perëndimore, e cila mund të definohet si një poezi e llojit subjektiv, që mund të jetë shumë përgjithësisht e ndërlidhur me çështjen e vdekjes. Madje edhe shumica e formave më të hershme të vargjeve elegjike greke (prej të cilave gjuhët latine dhe perëndimore e kanë marrë emërtimin dhe kategorinë), nuk shprehin domosdoshmërisht vetëm motive të vdekjes e të humbjes.


Shpjegimin e kësaj pike, që mund të duket krejt e pandërlidhur me temën e elegjive për Husejnin në arabisht e në persisht, e bëra për të theksuar se letërsia e merthije-ve nuk ka një paralele të barazvlefshme në traditën perëndimore. Edhe përkundër një martirologjie të pasur, ajo nuk ka një paralele as në traditën e Krishterimit perëndimor. Disa nga faktorët shoqërorë dhe historikë që kanë ndikuar në këtë fenomen, mund të merren me mend: ndikimi i traditës poetike në mesin e popujve arabishtfolës dhe në mesin e rrethit dikur shumë më të gjerë persishtfolës, ka qenë shumë më i madh se në Perëndim. Ajo që ka rëndësi në këtë pikë është se ka qenë pikërisht ndodhia e Qerbelasë, e cila ka mundësuar që kjo traditë paraislame arabe të vazhdojë edhe në kohët islame dhe të zërë një pozitë qendrore në gjuhët e traditës islamike.


Çdo elegji (në kuptimin e kufizuar, për të cilin flasim këtu) mund të përcjellë një kuptim universal. Në fakt, kjo është ndër parakushtet kryesore të një elegjie, ndonëse ka shumë pak shembuj që mbijetojnë si poezi ose si diçka që vazhdon të këndellë emocion të thellë tek njeriu. Praktikisht, e gjithë tradita jonë (perëndimore) e elegjive mortore, për shembull, duket se është e vdekur në kuptimin poetik.


Përkundër kësaj, e kemi traditën e Husejnit dhe të atyre që u flijuan bashkë me të. Flijimi i Husejnit ka përbërë një temë jetike dhe kuptimplote për autorët (edhe shiitë edhe sunnitë) në të katërmbëdhjetë shekujt e Islamit (dhe në dashtë Zoti, edhe në të ardhmen). Andaj shohim se edhe në arabisht, ndonëse tradita e fortë e elegjisë sekulare vazhdon, edhe ajo ka pësuar rënie bashkë me format dhe motivet e tjera që konsiderohen “artificiale” nga rrymat bashkëkohore. Ndërkohë, tradita e merthije-ve për Husejnin dhe për dëshmorët e tjerë të Qerbelasë vazhdon edhe në gjuhën letrare edhe në atë popullore. 


Krahas kësaj, ndodhia e Qerbelasë ka siguruar edhe një kontekst të vazhdueshëm ritual për poezinë elegjike. Merthije-t e kohëve paraislame e kishin funksionin e vajtimit (arab. nehv), që recitohej nga gratë (të cilat edhe ishin ushtrueset më të mira të kësaj zejeje). Në këto vajtime, përveç që dëgjuesit i përkujtoheshin virtytet e të vdekurit, edhe ngarkesa emocionale e situatës zbulohej, dhe mund të merret me mend se të pranishmit pastaj derdhnin lot nga emocioni. Edhe disa nga shembujt më të hershëm të merthije-ve mbi Husejnin janë poezi të thjeshta të këtij lloji, gjegjësisht vajtime nga gratë dhe nga bijat e tija. Vargjet e mëposhtme, të cilat i veshen Rubab-it, gruas së dashur të Husejnit, janë veçanërisht prekëse. Ajo thotë:      


U vra ai, që ish’ dritë e shkëlqimtar
Në Qerbela e vranë dhe mbeti pa varr.
O pasardhës i Profetit, Zoti të shpërbleftë!
I falur qofsh n’amshim, kur vepra të të peshohet.
Ti ishe për mua si mal i fortë, si strehë
E me butësi1 u solle, si kërkonte kjo fe. 


E kush të flasë tani për jetimë e nevojtarë?
Te kush të strehohen, e kush do t’i mbrojë vallë?
Për Zotin, me askënd s’e ndërroj këtë martesë
Jo! Gjer kur dheu t’më mbulojë e të vdes...


 


Në një rast tjetër, ajo thotë:


Husejnin jo, s’kam për t‘harruar!
Husejnin, nga shtiza armiqsh copëtuar...
Atë që në tokë të shkretë vetmuar e lanë
Ah, mos e freskoftë Zoti kurrë Qerbelanë! 2 


Dhe pavarësisht sa të pranuara janë këto vargje elegjike si trashëgimi letrare, duhet të pranojmë se bukuria dhe ndjenja e thellë në to ka diçka nga forca e kujtesës, e cila dëshmon për autenticitetin e tyre. Në shumë elegji të mëvonshme për Husejnin, vajtimi vendoset në fjalët e ndonjë femre nga familja e tij, për shembull në fjalët e Fatimesë ose Zejnebes. Edhe ky tipar është i ngjashëm me elegjinë paraislamike.


Në periudhën umajjade, poetët ftoheshin për të thurrur vargje lëvduese (med’h) dhe merathi (shumësi i fjalës merthije) për pjesëtarët fisnikë të familjes së Profetit. Një rrëfim në lidhje me Imamin e gjashtë e tregon qartë vendin e merthije-ve në mbledhjet e tilla.


Rrëfehet se Xhafer bin Affani erdhi në shtëpinë e Imam Sadikut dhe u ul pranë tij. Atëherë, Imami i tha: “Xhafer, kam dëgjuar se ti reciton poezi për Husejnin (paqja qoftë mbi të) dhe se e bënë bukur këtë gjë.“ Poeti u përgjigj: “Po, t’u bëfsha kurban, ashtu është.” Atëherë Imami i kërkoi të recitonte dhe Xhaferi i recitoi vargjet në vijim:


Ai që qan për Husejnin, për vetë Islamin qan
Të shenjtat Islamit ia dogjën, të shenjtat u shkatërruan.
Atë ditë kur shtizat goditën Husejnin
atë ditë kur shpatat gjakun ia pinë,
trupat në shkretëtirë mbetën të shpërndarë
e zogj të mëdhenj endeshin qiejve pa ndalë... 


Imam Sadiku qau bashkë me njerëzit përreth, derisa fytyra dhe mjekrra iu lagën krejt nga lotët. Pastaj tha: O Xhafer! Ëngjëjt më të afërt të Zotit janë dëshmitarë tani, edhe ata i dëgjuan fjalët e tua dhe qanë si qamë ne, edhe më shumë madje...3


Nga fundi i epokës abbaside, recituesit në mbledhjet e tilla përkujtimore njiheshin akoma si na’ih ose vajtues.4 


Pikërisht këto merathi e përbëjnë thelbin e mbledhjeve të mëvonshme të ndjekësve të familjes së Profetit. Ato mund të konsiderohen edhe zanafilla dhe forma më e hershme e ta’zije-s, siç njihet sot në mesin e shiitëve. Format letrare, të njohura si ta’zije dhe merthije në arabisht, janë të ndërlidhura. Ta’zije është një lloj vajtimi i zgjatur, i cili ka për qëllim edhe ta ngushëllojë dëgjuesin përballë fatkeqësisë, siç mund të kuptohet edhe nga kuptimi i vetë fjalës ta’zije, që në arabisht do të thotë “ngushëllim”.5 Konteksti ritual  për elegjitë e Husejnit vazhdon të sigurohet edhe sot jo vetëm nga format e zhvilluara të ta’zije-s, por edhe nga mbledhje të tjera të organizuara brenda dhjetë ditëve të muajit Muharrem, në të cilat recitohen merathi. Në zonat shiite të Libanit, për shembull, organizohen shumë mbledhje të tilla. Përveç kësaj, edhe në botën arabe, edhe në atë perse, organizohen edhe mbledhje të veçanta për gratë.6 


Ishte e pashmangshme që, sapo të zhdukej dalngadalë fuqia e kujtesës, në elegjitë për Husejnin të integroheshin motive të reja që do ta kishin efektin e dëshiruar te dëgjuesi, duke e tërhequr vëmendjen drejt flijimit të tij. Kështu, elegjia dalngadalë ndërlidhet me rrethanat e rënies dëshmor të Husejnit. Në shembullin e dhënë më sipër nga poeti Xhafer ibn Affan el-Tai (vdekur 150 pas Hixhrit), vetë Islami vendoset në pozitën e dëshmorit. Ndërsa merthije-ja e mëposhtme nga Imam Shafi’iu, pas shfaqjes së dhimbjes personale dhe pas prezantimit të imazhit të dëshmorit, e shpreh dashurinë sipërore për familjen e Profetit. Imam Shafi’iu thotë:


Zemra psherëtiu, brendinë plot pikëllim kisha
Gjumi nuk erdhi e desh më hutoi pagjumësia.
Kush do t’i çojë fjalë Husejnit prej meje?
Atij që vranë, e pa mëkat që qe...
 


Me këmishën të lyer në të kuqtë e gjakut
Tash qan vetë shpata, e mbi shtizë veç klithma ka
Po vajton sot kali që hingëllinte dikur
Për bijtë e Muhammedit po tronditet toka...
E malet ishin shkrirë për hatër të tyre 


U fundosën planetet  e yjtë drithëruan
Perdet u grisën sot dhe gjoksat u çanë... 


Sa çudi të Dërguarit bekim t’i kërkosh
Pastaj bijtë t’ia vrasësh pa mëshirë, sa çudi...
Në është mëkat dashuria për bijtë e Muhammedit
Ky qoftë mëkati im, s’pendohem kurrsesi...7 


Kaside-ja e Imam Shafi’iut meriton vëmendje të veçantë, për vetë faktin se është një prodhim sunnit. Fakti se ai ka përpiluar elegji të tilla është i mirënjohur. Me shumë gjasa, edhe shumë shafi’itë (dhe madje hanefitë) të tjerë të kësaj epoke të hershme e kanë bërë të njejtën.8 Megjithatë, edhe një personalitet i madh si Imam Shafi’iu, kur kaq hapur e shpallte dashurinë e tij për familjen e Profetit, rrezikonte të akuzohej për “devijim”, siç nënkuptohet nga vargjet e mëposhtme të tij:


Më thanë “je rafidi”, “jo” u thashë
s’e kam të tillë fenë as besimin të atij soji.
Por dashuri për Kalifin e Zotit në të bën rafidi
Unë jam më rafidiu nga robërit e Tij...9 


Duke vazhduar me temën e elegjive sunnite ose më saktë “jo-shiite” mbi Husejnin, këtu do të përcjellim një fragment nga vepra Hadikat el-Hakika (Kopshti i të vërtetës) nga Sana’iu, si një shembull nga vitet e hershme të shekullit të dymbëdhjetë. Në përkthimin vijues e kemi dhënë të shkurtuar përgjysëm. Titulli i poezisë është “Për Qerbelanë e për ajrin erëmirë të atij vendi të lavdishëm të flijimit”. Sana’iu thotë:


Sa e bukur Qerbelaja, e ç’nder në sy t’njerëzisë
Ç’nder, o Zot, si erë parajse në puhizë...
Ai trup i pakokë, shtrirë mbi pluhur e baltë
ata të çmueshmit, zemra të prera me shpatë
e ai i zgjedhur i botëve, tek mbeti ashtu i vrarë
me tokë e me gjak gjithë trupin të mbuluar...
Dhe ata mizorë, të ligë që keq vepruan
E nga e liga s’hoqën dorë, veç vazhduan... 


Shenjtërinë e fesë, edhe të bijve t’Muhammedit
 Padija  e kotësia i hodhën mënjanë
Shpatat kuq mbetën, si rubin me gjak Husejni
Çfarë çnderimi, ah, botët të ngjashme s’panë...10 


Në poezitë arabe mbi Husejnin, elegjia, pra merthije-ja e mirëfilltë, shumë shpejt bëhet vetëm një pjesë e vogël e një rrëfimi më të gjatë, në të cilin përshkruhen veprat dhe fisnikëria e dëshmorëve të Qerbelasë. Ky zhvillim i rrëfimit mund të haset që tek poezitë e Di’bil bin Ali el-Khuzaiut (vdekur 246) dhe në përmbledhjet e mëdha të Ibn Hammad el-Abdiut (rreth fundit të shekullit të katërt pas Hixhrit). Megjithatë, merthije-ja dallohet sërish brenda këtyre kaside-ve më të gjata dhe është sërish vajtimi për Husejnin që e përbën pikën kulmore emocionale. Ky vajtim zakonisht vendoset në fillim.


Si një shembull tjetër të kësaj periudhe po e japim një pjesë nga elegjia e mirënjohur e Sherif el-Murtedasë (vdekur 406 pas Hixhri), të cilën thuhet se e thurri në çast teksa ishte në Qerbela. Në këtë kaside, Sherif el-Murteda e portretizon Husejnin duke i thirrrur për ndihmë paraardhësit e tij, të cilët nuk përgjigjen. Në disa pika madje, poeti duket sikur revoltohet shpirtërisht edhe ndaj vetë Zotit për vdekjen e këtyre martirëve. Në të vërtetë, revoltimi është një motiv i shpeshtë në elegjitë e Husejnit, qoftë kjo një revoltim ndaj dëgjuesit, ndaj të afërmve të martirëve e madje, në dukje, edhe ndaj Zotit. Pas kësaj, elegjia për Husejnin kthehet në një vajtim për të gjithë Imamët, që zakonisht pranohet se kanë rënë dëshmorë, dhe mbaron me një thirrje për hakmarrje nga goja e vetë Profetit.


Moj Qerbela! Përjetë pikëllim emri yt e përjetë emër i belasë
Moj Qerbela! Se ç’nuk u solle bijve të Mustafasë!
Sa gjak pikoi mbi tokën tënde kur ata ranë
E atje në Qerbela sa lot fytyrave pikuan...
Me lot nëmën e qanë sa kuaj fisnikë që qenë
Me faqet pranë atij që vdiq buzëve me etjen.
Erdhën pluhurin duke shkundur nga thundrat
Mbi gjurmët e një qafe të mbuluar me gjak... 


Në fushë të thatë erdhën atë ditë mysafirë
As bukë u shtrua sofrës as ujë për të pirë
Mbi teh të shpatës gjersa u mblodhën më në fund
Tek kroi i vdekjes gjersa u mblodhën në fund... 


O ti që u vrare e me vdekjen luftove
Pa lënduar kënd, e askënd pa patur vrarë!
Në gjak të tij e lanë, shpuar nga shtizat
Me qefin pluhuri trupin mbuluar... 


Sfilitur thirri pa gjetur ndihmues,
Me emrin e të atit e të gjyshit Mustafasë
e të nënës, për të cilën flamur ngriti Zoti
të tillë që s’gjen për asnjë grua të dynjasë...
Dhe ç’babai e ç’gjyshi që i thirri atë çast!
Më ndihmo, o gyjsh, o baba më ndihmo!
O i Dërguar i Zotit dhe ti oj Fatima!
O Prijës i Besimtarëve, o Ali Murteza!11 


Ndikimi i madh i letërsisë së elegjive për Husejnin në gjuhën perse, e cila tashmë është shumë më e gjerë se ajo në arabisht dhe që përfshin shumë më tepër elemente elegjike për dëshmorët e tjerë të Qerbelasë, si dhe shumë më tepër forma dhe përdorime rituale se ajo në arabisht, u zhvillua me ardhjen e dinastisë safavide dhe me rrënjosjen e mëpasme të Shiizmit në pjesën më të madhe të botës persishtfolëse. Si një shembull nga epoka e hershme safavide, këtu do ta përcjellim një kaside elegjike (me përkthim të shkurtuar) nga Muhteshem-i Kashani, një poet i rëndësishëm oborrtar. Në të mund të hasen disa nga motivet dhe përshkrimet tipike të zhanrit pers, si the shprehje imagjinare të motivit të parapëlqyer të elegjive, gjegjësisht të asaj që në Evropën e mëvonshme u bë e njohur si pathetic fallacy (stili, në të cilin autori u mvesh ndjenjave dhe sjellje njerëzore objekteve të vdekura; përkth.) Kashaniu thotë:


Qerbela është emri i kësaj toke të belasë
O zemër e pamëshirë! Ku është psherëtima jote e dhimbshme që qiej të djegë?
Kjo shkretëtirë është vendi ku u vra zotëriu që në etje vdiq.
Moj gjuhë, është kohë vajtimi. Është kohë për t’lotuar o sytë e mi!
Ky vend ende mban gjurmë nga ahet e të shkelurve
E qielli në është nxirë nga tymi i vështrimeve tona, me vend e ka
Ky vend i mbuluar me mbulojën e lotëve tanë
Është vendi ku çadrat e Ehl-i Bejtit dikur ngritur qenë
Këtu u fundos dhimbshëm anija e jetës së Husejnit
Atëherë përse vallë, përse pa stuhi është oqeani i lotëve tanë në këtë vorbull?
Shiheni kupollën e mbushur dritë nga larg e nga pranë
Që rrugë i tregojnë atij që rrugën humb
Shiheni këtë varr të përndritur, se para tij
Thesari i horizonteve me mijë petale e xhevahirë krejt pa vlerë rri.
Shihni nën tokë, atje, selvinë e kopshtit të Mustafasë!12 


... 


Ai ish’ hareja e gjoksit të Zehrasë, e tash
Gjoksi i tij plot urti nën thundra kuajsh po shkelet
Ky është Hysejni i Aliut, i dashuri i Mustafasë
Tani të shpuar trupin nga thikë e shtypjes në dorë të Sinanit vrastar.13 


Terkib-bend i Muhteshemit, një poemë e gjatë me dymbëdhjetë pjesë, është shumë më e njohur se elegjitë e tija të shumta mbi Husejnin dhe është imituar për shekuj me rradhë pas tij. Çdo strofë e kësaj poeme mbaron me një refren, gjë që është shumë efektive në elegji. Si një shembull të një terkib bend-i modern, në vijim do të përcjellim një fragment nga një poet bashkëkohor, Ensariu “poeti i Ehl-i Bejtit”. Me sa duket, poeti është frymëzuar jo vetëm nga rrethanat e ndryshme të rënies dëshmor të Aliut dhe të Husejnit por edhe nga dallimi ndërmjet Nexhefit, që ka më shumë ujë, dhe Qerbelasë krejt të shkretë.


O fllad mëngjesi! Çoja Aliut fjalët e këtij poeti!
“Ra Husejni”, thuaj, “ngrihu vetë, shko e shih!”
Vete në Qerbela nga Nexhefi ku je
Shihja trupin në qind copë këputur nga shpata e shtiza atje! 


O Ali! Shihe atë, dritë e syrit tënd që ish
Shihe, si sy mes qerpikësh tek lufton mes armiqsh!
Ti këtu, në vend të këndshëm ku pushon Nuhu e Ademi
E në rërën e zjarrtë të Qerbelasë të rri shtrirë Husejni! 


...


Ngado ktheve ti syrin, kishe një mik për të parë
E syri i Husejnit veç armiq që shkonin vërdallë.
Për ty Xhibrili i besueshëm nga qiejt qefin pat sjellë
E Husejni ra në tokë, pa iu larë trupi, pa u mbështjellë.14 


Si një shembull të elegjisë moderne arabe në stilin tradicional, në vijim do të përcjellim një fragment nga dijetari i madh shiit i Libanit, Muhsin el-Emin el-Amili, të shkëputur nga përmbledhja e përbërë nga elegjitë e tija dhe të autorëve të tjerë. Sejjid Muhsin el-Amili  vdiq para pak kohësh. Këtu duhet të theksohet se ai ishte aktiv jo vetëm në studimet e Shiizmit dhe të biografive, por edhe në afrimin e shkollave sunnite dhe shiite. Kjo kaside, me një metrikë të butë dhe në një stil të thjeshtë, u shkrua në vitin 1352/1934-5, ndërsa autori ishte duke udhëtuar nëpër Irak dhe Iran. Mbase nuk do të ishte aspak e tepëruar nëse lexuesi gjen mes vargjeve edhe aludime ndaj situatës politike të këtyre zonave. Sejjid El-Emini thotë:


Moj Qerbela! Dhimbje të madhe na ke sjellë.
Pikëllim e vuajtje në zemrat tona ti mbjell.
Tani lotët le të rrjedhin prej syrit radhë
Varrin le t’ua lagin atyre që etur vdiqën në Taff.
Lavdi o Ebu’l-Fazl, o vëlla i Husejnit, lavdi
Mësim u bëre ti për trima, mësim për burrëri
Si bëri ti, veç ashtu bëhet në vëllazëri!15 


Elegjia për Husejnin vazhdon në arabishten letrare dhe në dialekte, duke u bërë një dëshmi e fuqisë që ka martirizimi për të hyrë në jetët e njerëzve të rëndomtë e për të ndikuar mbi to.


FUND


 


1:  bi’l-rahm, pra “si një i afërt”
2:  Muhammed Xhevad Mughnijje, Adab el-Taff ev-shuara el-Husejn (Beirut, 1388/1969), vëll.1, fq.61
3: Hibat el-Din el-Husejni el-Shehristani, Nahdat el-Husejn (Qerbela, 1388/1969), fq.154
4: po aty
5: Kitab el-Ta’azi ve’l-Marathi nga Muhammed bin Jezid el-Muberrad (vdekur 282) e shpjegon kuptimin e fjalës ta’zije dhe jep shembuj (redaktuar nga Muhammed el-Dibaxhi [Damask, 1396/1976], fq.444)
6:  Transformations d′une manifestation religieuse dans un village du Liban-Sud (Beirut, 1968), fq. 43ff
7: Adab el-Taff, vëll1., fq.214
8: Dhabih Allah Safa, Tarikh-i Edebijjet der Iran (Teheran, 2356), vëll.2, fq.195
9: Adab el-Taff, vëll1., fq.217
10: Hadikat el-Hakika, redaktuar nga Muderrisi Razavi (Teheran, 1950), fq.270, 271
11: Adab el-Taff, vëll1., fq.206-208
12: Në poezinë perse, selvia është simboli metaforik i qëndrimit drejt dhe në formë të palëkundur. Në këtë rast, selvia madhështore dhe e drejtë rrëzohet poshtë dhe paraqitet në kontrastat me qiellin.
13: Divan-i Muhteshem, redaktuar nga M. Gurgani (Teheran, 1344/1965), fq.299-300; sipas disa burimeve, Sinan bin Enes el-Nakhi ishte vrasësi i Husejnit
14: Divan-i Ensari, redaktuar nga A. Usuli (Kom, 1342/1963), fq.343-344