Përmbajtja:
- Hyrje
1. Mekkeja në shekullin e gjashtë
2. Jeta e hershme e Hatixhes
3. Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij)
Hyrje
Hatixheja, gruaja e parë e të Dërguarit të Zotit Muhamed Mustafasë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe besimtarja e parë e Islamit, evokon një personalitet nga më të jashtëzakonshmit. Ajo luajti një rol qendror në historinë e lindjes së Islamit. Ajo ishte, së bashku me Ebu Talibin, një nga dy bamirësit më të mëdhenj të Islamit dhe të muslimanëve. Në një kohë kur Islami ishte nën shtypje të vazhdueshme dhe ndodhej për tre vite me rradhë në gjendje rrethimi të paepur, ajo e nxorri atë nga balta me sakrificat e saja të jashtëzakonshme. Qëndrueshmëria e saj, këmbëngulja e saj, vizioni i saj dhe besimi i saj i pathyeshëm në Allahun dhe në misionin e Muhammed Mustafasë, të Dërguarit të Tij të fundit dhe më të madh, ishin mbështetja e pazëvendësueshme e Islamit gjatë dhjetë viteve të para të ekzistencës së tij.
Për disa arsye të mistershme, roli i Hatixhes, kaq jetik në trajtësimin e fatit të Islamit, nuk e ka marrë vlerësimin e merituar nga shumë historianë dhe biografë muslimanë. Vlerësimi që është dhënë, në rastin më të mirë, është i përciptë dhe i ndrojtur. Me aq sa di unë, akoma nuk është botuar një biografi standarde e Hatixhes. Kjo është mungesa më e dhimbshme e literaturës frymëzuese islame, veçanërisht në një kohë kur në Perëndim ka një rritje të interesit për Islamin si besim, si dhe për historinë e roleve përkatëse të protagonistëve të tij të shumtë në fillimet e tij. Informacioni që është ruajtur mbi jetën e Hatixhes nga burime të ndryshme është i paktë dhe i copëzuar. Biles edhe ky informacion i paktë dhe i copëzuar nuk është krejt pa interpretime stereotipike dhe pa keqinterpretime historike.
Biografi apo historiani duhet të krijojë një klimë sensibilizuese për të kuptuarit e mirëfilltë të Islamit dhe duhet të bëjë një vlerësim rigoroz të roleve të personazheve që formësuan historinë e tij. Hatixheja është një nga personazhet më dinamike dhe më të gjalla në tërë historinë e Islamit. Eshtë e pamundur të tregohet historia e Islamit pa treguar historinë e kontributit që dha ajo për mbijetesën, konsolidimin, si dhe për triumfin e tij përfundimtar. Islami i detyrohet Hatixhes një borxh të papagueshëm!
Prandaj besoj se publikimi i një biografie të Hatixhes duke u mbështetur në parimet shkencore është vendosur para historianëve dhe biografëve muslimanë si një domosdoshmëri e madhe. Një tjetër arsye për të cilën të gjithë muslimanët duhet të kenë qasje në historinë e jetës së Hatixhes është se, njësoj sikurse burri i saj Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), edhe ajo është një simbol i unitetit të ndjekësve të tij. Ajo është një simbol që e përforcon unitetin e ummetit musliman.
Në këtë libër jemi përpjekur që t’i përmbledhim të gjithë materialet e disponueshme në lidhje me Hatixhen, të shpërndarë në burime të ndryshme. Por edhe përkundër kësaj, duhet të pranojmë se kjo përpjekje është e pamjaftueshme. Kjo vepër është vetëm një kornizë e përgjithshme, të cilës mund t’i referohen njerëzit derisa të ketë vepra më autoritative mbi temën në fjalë.
Edhe përkundër kësaj, është thelbësore për të gjithë muslimanët, por veçanërisht për femrat muslimane, që të njihen me historinë e jetës së Hatixhes dhe veprimtarinë e saj në shërbim të Islamit. Ajo e ndërthuri tërësisht personalitetin e saj me personalitetin e Islamit, aq sa u bë thelbi dhe zemra e tij. Hatixheja, në kuptimin e plotë të fjalës, jetoi dhe vdiq për Islamin.
Në qoftë se femrat muslimane janë në kërkim të lumturisë së kësaj bote, si dhe të shpëtimit në amshim, ato duhet të jetojnë sipas shembullit të jetës së shenjtë të Hatixhes. Ajo është “roja” e të fshehtës që mundëson fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe ajo është “kujdestarja” e çelësit që do t’i hapë për femrat muslimane portat e suksesit në të dy botët. Ajo do të ishte e kënaqur ta ndante me to këtë “të fshehtë”, sikur ato të donin ta dinin. Dhe, pa dyshim, ajo do të ishte më se e kënaqur t’ua jepte atyre këtë çelës, sikur ta kërkonin prej saj.
Allahu e bekoftë Hatixhen dhe familjen e saj!
1. Mekkeja në shekullin e gjashtë
Mekkeja, në shekullin e gjashtë të erës së re, ishte një qendër e madhe dhe e rëndësishme tregtare në Arabi. Ajo ndodhej në një udhëkryq të tregtisë vendase dhe ndërkombëtare. Ngarkesat që vinin nga India, si: erëzat, frutat, gruri, qeramika dhe prodhimet e tekstilit shkarkoheshin në portet e Jemenit dhe niseshin drejt Mekkes, të ngarkuara bashkë me prodhimet e Arabisë jugore, si kafeja, bimët mjekësore dhe perfumet, për të vazhduar më pas drejt Sirisë dhe Mesdheut.
Vetë Mekkeja ishte destinacioni i shumë karvanëve nga “rruga e erëzave” e Arabisë dhe “rruga e parfumeve” e Indisë. Karvanë të tjerë kalonin përmes Mekkes dhe Jethribit për në destinacione të ndryshme në veri, ku ndërlidheshin me karvanët e Rrugës së Mëndafshit.
Edhe karvanët që vinin nga veriu ndalonin në Mekke. Ata i ndërronin devetë dhe kuajt e tyre, i plotësonin furnizimet dhe më pas vazhdonin të ecnin drejt porteve të Detit Arab në jug të gadishullit.
Mekkeja ishte gjithashtu një qendër për shkëmbimin e mallrave dhe artikujve, si për fiset nomade arabe ashtu edhe për fiset e vendosura në vendbanime. Ajo ishte edhe pika ku bëhej shpërndarja e produkteve bujqësore dhe e artikujve të prodhuar në zonat e thella të Hixhazit. Fise të ndryshme vinin nga vende të largëta si Arabia qendrore e madje edhe nga Arabia lindore për të blerë mallra që nuk gjendeshin në vendet e tyre. Pjesa më e madhe e kësaj tregtie ndërfisnore në Mekke zhvillohej sipas sistemit të shkëmbimit.
Kurejshët e Mekës ishin fisi më i rëndësishëm i Arabisë perëndimore. Të gjithë pjesëtarët e tij ishin tregtarë. Duke siguruar transportin e mëndafshit nga Kina, prodhimet nga Afrika lindore dhe xhevahirët nga India, fisi Kurejsh dominonte në tregtinë ndërmjet qytetërimeve të Lindjes dhe atyre të Mesdheut. Mallrat luksoze ishin pjesa më e dallueshme e kësaj tregtie, por tregtoheshin gjithashtu edhe mallrat e përditshme, si: copa të purpurta, veshje të thurrura, të qëndisura thjesht ose të qëndisura me ar, safran, muslinë, pelerina, batanije, breza, pomada aromatike, verë dhe grurë.
Kështu, prodhimi, shitja, shkëmbimi dhe shpërndarja e mallrave e kishte bërë fisin Kurejsh mjaft të pasur. Por kishte edhe një gjë tjetër që i bënte ata kaq pasanikë. Në Mekke gjendej Qabeja, me të famshmin Gur të Zit. Arabët vinin në Mekke për ta kryer pelegrinazhin pranë Qabes. Për ta, Mekkeja kishte të njëjtën shenjtëri si Jerusalemi për çifutët dhe për të krishterët.
Qabeja ishte një panteon idhujsh për disa klane dhe fise arabe. Pelegrinët sillnin me vete dhurata të çmueshme dhe ekzotike për idhujt që i adhuronin. Kur largoheshin nga Mekkeja për t‘u kthyer në shtëpi, klerikët e panteonit i përvetësonin të gjitha dhuratat e tyre. Qarkullimi i pelegrinëve ishte një burim fitimprurës i të ardhurave vjetore të qytetarëve të Mekës.
Edhe sikur kurejshitët e Mekkes të mos merreshin me tregti, ata do të pasuroheshin thjesht duke siguruar një gamë të gjerë shërbimesh, të cilat ua ofronin rreth njëherë në vit pelegrinëve dhe karvanëve, si atyre që shkonin drejt veriut ashtu edhe atyre që shkonin drejt jugut. Por shumë prej tyre, siç përmendëm tashmë, ishin edhe tregtarë të pavarur dhe i sillnin shumë pasuri Mekkes nga vendet fqinje.
Megjithëse tregtarët e Mekkes dërgonin vetëm një karvan në Siri dhe një në Jemen për gjithë vitin, kishte plot karvanë të tjera të vegjël, të cilët qarkullonin ndërmjet pikave të ndryshme brenda Gadishullit Arabik gjatë gjithë vitit. Si pasojë, qarkullimi i karvanëve në Mekke ishte mjaft i gjallë. Karvanët ishin të ndryshëm për nga madhësia. Ata ndryshonin nga karvanët “lokalë”, me jo më shumë se dhjetë deve, deri tek karvanët “ndërkombëtare” me mijëra deve brenda tyre. Organizimi i karvanëve ishte industria më e madhe në Arabi.
2. Jeta e hershme e Hatixhes (Zoti qoftë i kënaqur me të)
Hatixheja lindi në Mekke. Ajo ishte bija e Huvejlid bin Esad bin Abdu’l-Uzza bin Kusajit. Kusaji ishte paraardhësi i përbashkët i trungut të saj dhe i trungut të Muhamed Mustafasë nga fisi Hashim, pra i Profetit të ardhshëm të Islamit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Ajo, pra, i përkiste një dege anësorë të fisit Hashim. Pas hashimitëve, familja e saj ishte më fisnikja dhe më e nderuara në tërë Arabinë. Kjo familje jo vetëm që u shqua për pasurinë e saj, por edhe për karakterin.
Edhe Huvejlidi, babai i Hatixhes, ishte tregtar si shumica e pjesëtarëve të tjerë të fisit Kurejsh të Mekkes. Ashtu si shumica prej tyre, edhe ai ishte pasuruar nga tregtia e jashtme. Tregtarët e Mekkes mblidhnin dy karvanë çdo vit një në verë dhe një në dimër. Ata e dërgonin "karvanin veror" në Siri dhe "karvanin dimëror” në Jemen.
Këta karvanë i transportonin prodhimet e shkretëtirës dhe mallrat e prodhuar në Mekke e në zonat përreth, dhe i shisnin në tregjet e Sirisë e të Jemenit. Ata gjithashtu shisnin edhe kuaj race në Siri. Këta kuaj vlerësoheshin mjaft, si në vetë Sirinë, ashtu dhe në vendet fqinje. Pasi i shisnin mallrat dhe kuajt e tyre, tregtarët blinin grurë, vaj ulliri, fruta, kafe, prodhime tekstili, mallra luksoze dhe sende të tjera të prodhuara, për t’i shitur më pas në Mekke. Kështu, ata nxirrnin përfitime në të dy anët e rrugëtimit. (Kjo tregti e Mekkes është përmendur në Kur′anin Fisnik, në kapitullin 106, të quajtur Kurejsh).
Tregtia e jashtme ishte i gjithë themeli i jetës ekonomike të Mekkes. Mekkeja nuk kishte as toka të punueshme dhe as ujë për ujitjen e saj. Prandaj mekkasit nuk mund ta kultivonin ushqimin e tyre. Për t’u ushqyer, ata vareshin nga tregtia që bënin me Sirinë dhe me Jemenin. Me fitimet që kishin nga tregtia, ata blinin grurë dhe gjëra te tjera të nevojshme për jetesë.
Çdo karvan kishte një prijës. Ky prijës duhej të ishte një njeri me cilësi të shquara. Nga gjykimi dhe nga vendimet e tij varej siguria fizike dhe suksesi i karvanit në biznesin e shitblerjes. Ai ishte përgjegjës për mbrojtjen e karvanit nga banditët dhe nga plaçkitësit e shkretëtirës. Ai e bënte këte me luftëtarë të rekrutuar nga fise të ndryshme dhe formonte me ta një skuadër apo disa skuadra të ndara, në varësi prej madhësisë së karvanit. Kjo skuadër e shoqëronte karvanin për në destinacionin e vet. Të gjithë karvanët që shkonin për në destinacione të largëta udhëtonin me përcjellje ushtarake.
Prijësi i karvanit duhet të ishte i pajisur edhe me "shqisën e gjashtë”, që do ta drejtonte në shkretëtirën e pagjurmë gjatë ditës dhe që do t’i mundësonte të orientohej netëve. Prandaj, ai duhej të kishte njohuri per pozicionet relative të yjeve. Ai duhej edhe të sigurohej paraprakisht për disponueshmërinë e ujit gjatë udhëtimit të gjatë në veri drejt Sirisë ose në jug drejt Jemenit. Atij i duhej gjithashtu të merrte masa paraprake kundër rreziqeve të paparashikuara si stuhitë e rërës dhe përmbytjet e befta. Ai gjithashtu duhej ta kishte aftësinë t’ia jepte “ndihmën e parë" një udhëtari që sëmurej apo plagosej. Me fjalë të tjera, ai duhej të ishte një njeri i aftë për të manovruar në çdo rast të mundshëm. Prandaj tregtarët e Mekkes e zgjidhnin prijësin për karvanët e tyre vetëm pas një hetimi të tërësishëm të paraardhësve të tij. Një juri shqyrtuese nga udhëtarë me përvojë i vlerësonte të gjithë kandidatët për postin.
Juria nuk kënaqej pa e sprovuar aftësinë e kandidatit për të "lundruar" me shkathtësi në "detin" e paeksploruar të rërës, si dhe suksesin e tij në dërgimin dhe rikthimin e sigurt të vargut të "anijeve të shkretëtirës," tok me ngarkesat e tyre. Për të qenë i pranueshëm për jurinë, një kandidat duhej të tregonte se kishte kontroll të plotë mbi logjistikën e karvanëve dhe të kishte "kredenciale" pa të meta.
Nëna e Hatixhes kishte vdekur gjatë ose rreth vitit 575 të erës së re, ndërsa Huvejlidi, babai i saj, vdiq gjatë ose rreth vitit 585. Pas vdekjes së tij, fëmijët e trashëguan pasurinë e tij dhe e ndanë atë mes tyre. Edhe pasuria i kishte rreziqet e veta. Ajo mund ta tundonte njeriun për të jetuar një jetë luksoze dhe ta shtynte drejt dembelizmit. Hatixheja e kuptoi vetvetiu karakterin luhatës të pasurisë dhe e ndau mendjen që të mos i lejonte ta kthente në një njeri përtac. Ajo ishte e pajisur me inteligjencë dhe me forcë aq të jashtëzakonshme karakteri, sa e tejkaloi sfidën e mirëqenies dhe vendosi të ndërtonte një perandori mbi pasurinë e saj. Ajo kishte shumë vëllezër dhe motra, por ndër ta, vetëm ajo e kishte trashëguar aftësinë e të atit për t’u pasuruar.
Shumë shpejt, ajo demonstroi se edhe sikur të mos kishte trashëguar një pasuri nga i ati, ajo do ta krijonte vetë një të tillë. Pas vdekjes së Huvejlidit, Hatixheja e mori përsipër biznesin e familjes dhe e zgjeroi atë me shpejtësi. Me fitimet që bënte, ajo i ndihmonte të varfërit, vejushat, jetimët, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara. Nëse kishte ndonjë vajzë të varfër, Hatixheja e martonte atë dhe ia jepte asaj pajën. Dihet se njëri nga xhaxhallarët e saj ka vepruar si këshilltar në çështjet e biznesit dhe se anëtarë të tjerë të familjes e ndihmonin në menazhimin e biznesit, nëse ajo e kërkonte ndihmën e tyre. Por ajo nuk varej nga dikush tjetër për t’i marrë vendimet e saja. Ajo i besonte gjykimit të vet, megjithëse i mirëpriste këshillat dhe i vlerësonte ato. Më të moshuarit e familjes së saj e dinin se një nga gjërat që nuk pëlqente ishte paternalizmi.
Shumica e tregtarëve që kishin ngarkesa për të shitur në Siri apo Jemen, udhëtonin me karvanët për t’i mbikëqyrur personalisht të gjitha shitblerjet. Por kishte raste kur një tregtar nuk mund të largohej nga Mekkeja. Në një rast të tillë, ai angazhonte një njeri për të shkuar me karvanin në vend të tij. Njeriu i zgjedhur për këtë qëllim duhej të kishte një nam të mirë për ndershmërinë e tij dhe ndjesi të fortë për tregti..
Vetë Hatixheja ishte e lidhur për shtëpinë, ndërsa vëllezërit dhe kushërinjtë e saj nuk tregonin ndonjë interes për të udhëtuar me karvanët. Prandaj ajo rekrutonte një udhëheqës karvanësh sa herë që një karvan pajisej për të shkuar jashtë vendit, dhe e caktonte atë përgjegjës për transportin e mallrave të saj në tregjet e huaja dhe për shitjen e tyre në këto tregje. Nga zgjedhja e mençur e këtyre personave, si dhe nga shitja apo blerja në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ajo ishte në gjendje të nxirrte fitime marramendëse, dhe në një kohë të shkurtër u bë tregtarja më e pasur në Mekke. Ibn Sadi thotë në Tabakatin e tij se sa herë që karvanët e tregtarëve mekkas renditeshin për udhëtim, ngarkesa e Hatixhes ishte e barabartë me ngarkesat e gjithë tregtarëve të tjerë kurejshë, të marra së bashku. Ishte e qartë për të gjithë se ajo e kishte atë “dorë të artë” për këtë punë. Kur prekte pluhurin, ai shndërrohej në ar. Prandaj qytetarët e Mekkes i falën asaj titullin e Princeshës së Kurejshëve. Ata e quajtën edhe Princesha e Mekkes.
Arabia në atë kohë ishte një shoqëri pagane dhe arabët adhuronin një mori idhujsh dhe objekte adhurimi për të cilët besonin se kishin fuqinë t’u sjellin fat atyre. Por idhujtaria e tyre ishte e ashpër dhe primitive, ndërsa zakonet e tyre, traditat dhe karakteristikat ishin të neveritshme. Dehja ishte një nga veset e tyre të shumta dhe ata ishin kumarxhi të pandreqshëm. Ata e kalonin kohën në një vorbull gabimesh dhe paditurish.
Në lidhje me këtë gjendje të tyre dëshmon Kur’ani i Lartësuar në vargun vijues:
Është Ai që u dërgoi të pashkolluarve një të dërguar nga mesi i tyre, për t’u lexuar shenjat e Tija, për t’i pastruar dhe për t’ua mësuar ligjin e urtësinë, ndonëse më parë, në një humbje të sigurt ishin...(Kur’an 62:2)
Por vendit nuk i mungonin krejtësisht njerëz që e konsideronin idhujtarinë të gabuar. Këta individë, të cilët ishin shumë të paktë në numër, ishin quajtur hanif, dmth burra dhe gra "që ishin larguar nga adhurimi i idhujve." Edhe Mekkeja kishte një numër të vogël nga këta hanifë dhe disa prej tyre ishin nga fisi i vetë Hatixhes. Njëri prej tyre ishte kushëriri i saj i parë, Varaka ibn Neufel.
Varaka ishte më i madhi nga vëllezërit dhe nga motrat e tija dhe flokët i ishin zbardhur krejt. Ai i kritikonte ashpër arabët për adhurimin e idhujve dhe për devijimin nga besimi i vërtetë i paraardhësve të tyre profetit Ibrahim dhe Ismailit. Ibrahimi dhe Ismaili ua kishin mësuar njerëzve mësimin e Teuhidit pra të njëshmërisë së Krijuesit. Por arabët e kishin harruar këtë mësim dhe ishin bërë politeistë. Varaka i përbuzte ata për politeizmin e tyre dhe për poshtërsinë e tyre morale. Ai vetë e ndiqte fenë e Profetit Ibrahim, që kishte qenë një rob besnik dhe i vërtetë i Allahut. Ai kurrë nuk i gjeti të barabartë Zotit. Ai nuk pinte alkool dhe nuk luante kumar. Përveç kësaj, Varaka ishte zemërgjerë me të varfërit dhe nevojtarët.
Një nga zakonet më të shëmtuara të arabëve të kohës ishte se ata i varrosnin së gjalli foshnjat e tyre femra. Sa herë Varaka dëgjonte se dikush kishte për qëllim të varroste së gjalli të bijën, ai shkonte për ta parë atë, e bindte njeriun të mos e vriste vajzën e tij, dhe në qoftë se arsyeja për vrasjen e paramenduar ishte varfëria, ai i paguante per ta çliruar atë dhe e rriste vajzën si fëmijën e tij. Në shumicën e rasteve, babai më pas pendohej për gabimin e vet dhe kthehej për ta kërkuar vajzën. Varaka kërkonte prej tij një premtim për ta dashur vajzën e tij e për ta trajtuar më së miri, dhe vetëm atëherë e linte ta merrte sërish me vete.
Varaka jetonte në muzgun e botës pagane. Kjo botë do të përmbytej shumë shpejt nga Drita e Islamit, që është feja e përsosur e Zotit dhe besimi burimor, i shpallur së pari, shumë shekuj më herët, nga Ibrahimi, miku i zgjedhur dhe i dërguar i Allahut. Allahu e kishte zgjedhur tashmë robin e Vet Muhammed ibn Abdullahun nga fisi Hashim, që të ishte i Dërguari i Tij i ri dhe i fundit për botën. Ai jetonte në Mekke në të njëjtën kohë si Varaka por ende nuk e kishte shpallur misionin e tij.
Varaka ishte njëri nga të paktët njerëz të arsimuar në Mekke. Ai thuhet se e kishte përkthyer Biblën nga hebraishtja në arabisht. Ai kishte lexuar edhe libra të tjerë të shkruar nga teologët çifutë dhe të krishterë. Ai ishte një kërkues i përhershëm i të vërtetës në errësirën e një bote që bëhej përherë e më e errët, dhe orvatej ta gjente atë para vdekjes së tij.
Hatixheja u ndikua fort nga idetë e Varakës dhe e ndante me të përbuzjen për idhujt dhe idhujtarët. Ajo nuk i gjente të barabartë Krijuesit. Ashtu si Varaka dhe disa anëtarë të tjerë të familjes, edhe ajo ishte një ndjekëse e profetëve Ibrahim dhe Ismail. Hatixheja, pra, ishte një muvahhide (monoteiste).
Ajo që Hatixheja nuk e dinte në atë kohë ishte se brenda pak vitesh, fati i saj do të ndërthurej me fatin e Muhamed Mustafasë, profetit të monoteizmit (Teuhidit), dhe me fatin e Islamit, besimit në monoteizëm.
Arabia para Islamit nuk kishte asnjë formë organizimi politik dhe kurrfarë strukture themelore. Nuk kishte as gjykata, as polici dhe as ndonjë sistem drejtësie. Prandaj nuk kishte asnjë aparat për kontrollimin e krimit ose për t’i penguar kriminelët. Nëse një arab kryente një krim, ai nuk ndjente ndonjë keqardhje. Përkundrazi, ai mburrej me të qenit krejtësisht i pacipë, brutal dhe i pamëshirshëm.
I tërë gadishulli dominohej nga një shoqëri mashkullore. Një grua nuk kishte kurrfarë statusi. Shumë arabë besonin se gratë sillnin fat të keq. Në përgjithësi, ata i trajtonin gratë më shumë si plaçka sesa si individë. Një burrë mund të martohej me aq gra sa të kishte dëshirë. Dhe kur ai vdiste, djali i tij i madh i "trashëgonte" të gjitha, përveç nënës së tij. Me fjalë të tjera, ai martohej me të gjitha njerkat e tija. Nuk ekzistonte kurrfarë kodi etik, që do të mund të pengonte një gjë të tillë. Ishte Islami që e shpalli të jashtëligjshme këtë praktikë.
Arabët e paraIslamit ishin gjysëmegërsira. Një arab e kalonte jetën e tij në luftëra të paligjshme, ndërsa vrasja dhe plaçkitja ishin profesionet e preferuara. Një arab kishte të drejtë t’i torturonte deri në vdekje të burgosurit e tij të luftës, ndërsa torturimi i kafshëve ishte një nga argëtimet më të preferuara. Ai kishte një kuptim krejtësisht pervers të nderit, që e çonte atë t’i vriste bijat e tija të mitura. Nëse gruaja e tij lindte vajzë, ai ishte i paaftë për ta fshehur ankthin dhe pakënaqësinë e tij.
Por kur ndonjërit prej tyre i sillet lajmi i lindjes së një vajze, fytyra i nxihet e mbushet me mllef. Për shkak të këtij lajmi fshihet me turp nga njerëzit. A thua do ta ruajë atë me turpërim ose ta varrosë nën dhe? Sa keq që gjykojnë! (Kur’an 16:58-59)
Në shumicën e rasteve, një arab e vriste vajzën e tij nga frika se ajo mund të bëhej një e burgosur në luftërat ndërfisnore dhe kështu, një robëreshë e armikut, duke bërë që statusi i saj si skllave t’i sillt turp familjes dhe fisit. Ai mund ta vriste atë edhe nga frika e varfërisë, sepse besonte se vajza do t’i kthehej në një barrë ekonomike. Islami e shpalli një vepër kriminale vrasjen e fëmijëve.
Mos i mbysni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, sepse Ne i furnizojmë edhe ata edhe juve. Vërtet mbytja e tyre është një mëkat i madh. (Kur’an 17:31)
Kishte edhe nga ata që nuk i vrisnin vajzat e tyre por ua mohonin atyre të gjitha të drejtat. Ata llogarisnin se kur bijat e tyre të martoheshin, do të shkonin në shtëpitë e burrave të tjerë. Andaj edhe nuk ia vlente të shpenzonin asgjë për to. Hatixheja u lind, u rrit dhe jetoi në një mjedis të tillë krejtësisht anti-femëror.
Hatixheja e kontrollonte nga shtëpia e saj në Mekke një biznes gjithnjë në rritje që po përhapej në vendet fqinje. Ajo që kishte arritur Hatixheja do të ishte e mrekullueshme për çdo vend, për çdo kohë e për çdo njeri, qoftë burrë ose grua. Por arritja e saj bëhet dyfish e rëndësishme po të merret parasysh orientimi antifemër i shoqërisë arabe. Kjo është një dëshmi e aftësisë së saj për t’u bërë zonjë e fatit të vet me inteligjencë, vullnet të fortë dhe forcë karakteri. Bashkëkombasit e saj i pranonin arritjet e saja duke e quajtur “princeshë e kurejshëve” dhe “princesha e Mekkes”, siç kemi përmendur tashmë.
Edhe më me rëndësi se këta dy tituj, ishte titulli i tretë që fitoi Hatixheja. Ajo u quajt "tahira", që do të thotë "e pastër". Kush ia dhuroi titullin tahira asaj? Çuditërisht, ky titull iu dhura nga arabët e njejtë, të cilët ishin famëkëqinj për arrogancën e tyre, mendjemadhësinë, kotësitë dhe shovinizmin mashkullor. Por sjellja e Hatixhes ishte vazhdimisht aq shembullore, sa ajo fitoi njohje edhe prej të tillëve, të cilët vendosën ta quanin "të pastër."
Kjo ishte hera e parë në historinë e Arabisë që një grua quhej “princesha e Mekkes” dhe tahira. Arabët e quajtën Hatixhen princeshë të Mekkes për shkak të pasurisë së saj, ndërsa e quajtën tahira për shkak të pastërtisë së reputacionit të saj. Ata e dinin mirë se ajo ishte një zonjë mjaft e kulturuar. Hatixheja ishte një personazh mjaft i dalluar, edhe në kohët para Islamit.
Ishte e pashmangshme që Hatixheja ta tërhiqte vëmendjen e princërve dhe fisnikëve arabë. Shumë prej tyre i dërguan asaj propozime për martesë. Por ajo nuk e mori parasysh asnjërin prej tyre. Shumë nga këta fisnikë dhe princër ishin këmbëngulës kur e kërkonin dorën e saj për martesë. Pa humbur guxim nga refuzimi i saj, ata u kërkonin burrave dhe grave me ndikim e prestigj që të ndërmjetësonin. Por ajo vazhdoi t’i refuzonte të gjithë. Mbase ajo nuk u jepte shumë rëndësi mbrojtësve të asaj shoqërie anti-femërore të dominuar nga meshkujt. Refuzimi i propozimeve për martesë, të dërguara nga të ngriturit dhe të fuqishmit e Arabisë, i shtoi më shumë spekulimet për llojin e njeriut që ajo do ta pranonte një ditë. Kjo ishte një pyetje, të cilës as vetë Hatixheja nuk mund t’i përgjigjej në atë kohë. Por fati i saj e dinte përgjigjen: ajo do të martohej me një njeri që ishte jo vetëm më i miri në të gjithë Arabinë, por edhe më i miri në mesin e të gjitha krijesave. Ishte caktimi i saj që e bëri atë t’i hidhte poshtë ofertat për martesë të dërguara nga “të vdekshmit e rëndomtë”.
3. Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij)
Megjithëse Arabia nuk kishte asnjë qeverisje, qoftë kombëtare, rajonale ose lokale, qyteti i Mekkes dominohej nga fisi Kurejsh, siç përmendëm edhe më herët. Kurejshët përbëheshin prej dymbëdhjetë degëve, të cilat e ndanin përgjegjësinë për ruajtjen e një minimumi të ligjit dhe të rendit në qytet.
Një prej fiseve të Kurejshit ishte edhe fisi Hashim. Çdo fis kishte prijësin e vet dhe prijësi i hashimitëve ishte Ebu Talib ibn Abd’ul-Muttalib ibn Hashim ibn Abd Menaf ibn Kusajji. Ashtu sikurse të parët e tij, edhe Ebu Talibi ishte tregtar. Përveçse ishte kryetar i fisit, ai ishte edhe rojtar i Qabes Shtëpisë së Zotit ndërtuar në Mekke shumë shekuj më herët nga profetët Ibrahim dhe Ismail, që t’i përkushtohej adhurimit të Zotit. Ebu Talibi kishte një vëlla më të vogël që quhej Abdullah. Në vitin 570 të erës së re, Abdullahu shkoi në Siri me një karvan. Disa muaj përpara nisjes për në Siri, ai ishte martuar me Amine bint Vehabin, një zonjë nga Jethribi (më pas i quajtur Medine).
Gjatë rrugës së kthimit nga Siria, Abdullahu u sëmur dhe vdiq. Ai ishte vetëm 17 vjeç. Kur u largua nga Mekkeja, gruaja e tij ishte shtatzënë dhe jetonte në shtëpinë e kunatit të saj Ebu Talibit. Dy muaj pas vdekjes së Abdullahut lindi fëmija i saj, që ishte një djalë. Gjyshi i tij Abdu’l Muttalibi ia dha atij emrin Muhammed. Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) u lind më 8 qershor të vitit 570 në shtëpinë e xhaxhait të tij Ebu Talibit në Mekke.
Muhammedi i vogël do të zgjidhej me kujdes nga Allahu që të bëhej i Dërguari i Tij për të gjithë botën. Ai do ta ndryshonte fatin dhe historinë e njerëzimit përgjithmonë.
Muhammedi ishte gjashtë vjeç kur nëna e tij, Amineja, bija e Vehabit, vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër. Pas vdekjes së saj, gjyshi i tij Abd’ul-Mutalibi e mori atë në shtëpinë e tij. Por s’kishin kaluar veçse dy vjet kur edhe Abd’ul-Muttalibi vdiq.
Abd’ul-Muttalibi kishte dhjetë djem. Kur ishte në shtratin e vdekjes, ai i thirri ata të gjithë dhe e caktoi djalin e tij Ebu Talibin si prijës të ri të fisit Hashim. Ai e bëri Ebu Talibin edhe kujdestar të Muhammedit. Ebu Talibi dhe Abdullahu, babai i Muhammedit, ishin të dy nga e njejta nënë, ndërsa bijtë e tjerë të Abd’ul-Mutalibit ishin lindur nga gratë e tjera të tij.
Ebu Talibi e solli Muhammedin në shtëpinë e tij. Muhammedi “erdhi, i pa dhe i pushtoi” të gjithë. Ebu Talibi dhe gruaja e tij e derdhën gjithë dashurinë e tyre mbi të. Ata e donin atë më shumë se fëmijët e tyre. Muhammedi kishte lindur në shtëpinë e tyre. Lindja e tij në shtëpinë e tyre e kishte mbushur atë shtëpi me shumë bekime, dhe tani, pas vdekjes së Abd’ul-Muttalibit, ai ishte rikthyer aty.
Kur Muhammedi ishte fëmijë, ai nuk shfaqte ndonjë interes për lodra dhe zbavitje fëmijësh. Në djalëri të tij, ai nuk tregonte ndonjë interes për lojëra dhe sport, ose për shoqëri me djemtë e tjerë të moshës së tij. Ndonëse i ri, ai preferonte vetminë në vend të shoqërisë.
Ashtu sikurse anëtarët e tjerë të fisit të kurejshëve, edhe Ebu Talibi i dërgonte mallrat e tija në Siri dhe në Jemen çdo vit. Ndonjëherë ai shkonte vetë me karvanët, e herë të tjera angazhonte një ndërmjetësues, i cili i shiste mallrat e tij në tregjet e këtyre vendeve.
Në vitin 582 të erës së re, Ebu Talibi vendosi të vizitonte Sirinë me një karvan. Nipi i tij Muhammedi ishte 12 vjeç në atë kohë. Ebu Talibi e donte aq shumë sa nuk mund të rrinte pa të, qoftë edhe për disa muaj. Prandaj edhe e mori me vete për në Siri. Muhammedi ishte një djalë me zhvillim të hershëm dhe pavarësisht moshës së tij tepër të re, ishte një vëzhgues shumë i talentuar. Gjatë udhëtimit dhe gjatë qëndrimit të tij në Siri, ai i vëzhgoi me kujdes njerëzit dhe zakonet e tyre, traditat, mënyrat e adhurimit, veshjet e tyre tradicionale, mënyrat e tyre të të folurit dhe dialektet e tyre. Dhe çdo gjë shihte e mbante mend. Pas kthimit të tij në Mekke, ai mund ta rikrijonte të gjithë përvojën e tij nga fillimi deri në fund, si dhe mund t’i sillte në mend të gjitha vëzhgimet e tija me detaje të gjalla dhe grafike. Ai nuk harronte asgjë dhe kishte një kujtesë të përsosur. Ndonëse i ri në moshë, ai ishte i pjekur sa i përket urtësisë dhe mendjes së tij krejtësisht unike. Ebu Talibi ishte i vetëdijshëm se Muhammedi ishte i mençur dhe inteligjent shumë përtej moshës dhe përvojës së tij. Prandaj nuk e trajtonte atë si një fëmijë, por gjithnjë me respektin e duhur, sikur të ishte një i rritur.
Shpejt, Muhammedi i ri hyri në adoleshencë. Edhepse në prag të burrërisë, ai nuk shfaqte kurrfarë interesi për kënaqësitë që kërkonin të rinjtë e tjerë. Ai vazhdimisht u shmangej aktiviteteve të ulta dhe joserioze të moshatarëve të tij dhe preferonte të mbetej i vetëm me mendimet e veta. Ai e kishte mundësinë ta shijonte këtë gjë kur i kulloste delet e xhaxhait të tij dhe gjendej krejt vetëm nën kupën e madhe të qiellit. Shkretëtira e heshtur dhe e dallgëzuar i shfaqej në horizont dhe dukej se e inkurajonte dhe e ftonte atë për t’u përsiatur për mrekullitë e krijimit, për misteret e qiellit e të tokës, dhe për kuptimin e për qëllimin e jetës. Ai e vëzhgonte peisazhin nga njëra pikë e horizontit tek tjetra, dhe i dukej se një vetmi e pafundme kozmike ishte "prania" e vetme që mund t’i bënte shoqëri. Vetmia i dukej tashmë si një “dimension” i ri i botës së tij.
Gjatë kohës kur ishte adoleshent, Muhammedi kishte arritur ta tërhiqte vëmendjen e popullit të Mekkes. Ata e dinin se ai kurrë nuk kishte devijuar nga morali i tij i lartë dhe se kurrë nuk kishte gabuar. Ata gjithashtu kishin vënë re se ai nuk fliste shumë, por se kur fliste, e thoshte vetëm të vërtetën dhe gjithnjë me fjalë të mençura. Dhe ngase kurrë s’e kishin dëgjuar të thoshte ndonjë gënjeshtër, e quajtën Sadik (i sinqerti).
Mbas jo më shumë se disa viteve, qytetarët e Mekkes do t’i dhuronin një titull tjetër Muhammedit. Duke ditur se ai ishte shumë i ndërgjegjshëm, shumë prej tyre filluan t’ia dorëzonin atij paratë, xhevahirët dhe stolitë e tyre, si dhe sendet e tjera me vlerë. Kurdo që dikush donte t’i rimerrte gjërat e dorëzuara, Muhammedi ia kthente ato. Nuk pati kurrë ndonjë rast që rikthimi të mos bëhej në kohën e duhur. Pas një përvoje të tillë me të për vite me rradhë, ata filluan ta quanin Emin (i besueshmi). Ai ishte njeriu i vetëm që u quajt Sadik dhe Emin nga mekkasit. Abdullah Jusuf Ali, përkthyesi dhe komentuesi i Kur’anit Fisnik, fjalën Emin e ka shpjeguar si vijon:
Emin = ai të cilit i është besuar. Kjo fjalë përfshin disa nuanca kuptimore, si p.sh:
(1) i denjë për t’u besuar,
(2) i zotuar për të përcjellë besimin e tij, siç është një profet është i zotuar të përcjellë mesazhin e tij,
(3) i gatshëm për të vepruar tërësisht i prirë nga besimi, siç është një profet është i gatshëm ta përcjellë vetëm porosinë e Allllahut, pa shtuar asgjë nga vetja e tij, dhe
(4) pa kërkuar asgjë për interesin e vet.
Arabët e paraIslamit mbanin çdo vit një "stinë panairesh" në pjesë të ndryshme të vendit. Disa nga këto panaire mbaheshin në Mekke ose në rrethinat e Mekkes. Ndër më të mirënjohurit ishin panairet e Ukazit, Maxhanës dhe Dhu’l-Maxhazit. Muhammedi i vizitonte këta panaire sa herë që mundej.
Të gjithë këta panaire, sipas traditës arabe, mbaheshin në katër muajt e shenjtë Rexheb, Dhul’kade, Dhu’lhixh’xhe dhe Muharrem. Gjatë këtyre katër muajve kishte një ndalesë totale ndaj të gjithë llojeve të dhunës, luftës dhe plaçkitjes. Në fillim të sezonit "të paqes", hynte në fuqi një armëpushim i përgjithshëm. Ky armëpushimi njihej dhe respektohej nga të gjithë fiset arabe.
Bujqit, tregtarët dhe zejtarët mblidheshin nga larg e nga afër për të shitur, për të blerë dhe për të shkëmbyer në këta panaire. Ata i sillnin me vete produktet më të mira dhe i ekspozonin ata me krenari. Gjatë pezullimit të armiqësive, mes arabëve kultivoheshin edhe artet e tjera të kohës së paqes, veçanërisht poezia. Poezia ishte dashuria e parë e arabëve. Nëse zbulohej ndonjë talent poetik në ndonjë fis, ky ishte një rast për të gjithë për të festuar. Fiset e tjera mike i shprehnin përgëzimet e tyre për fisin që kishte prodhuar një talent të tillë. Arabët ishin shumë të përkushtuar pas fjalëve të gjuhës arabe dhe pas nuancave të tyre të shumta kuptimore. Ata e quanin veten "bijtë e arabishtes". Në këta panaire, poetët i lexonin veprat e tyre të fundit, duke e magjepsur publikun me “fishekzjarret” e gojëtarisë së tyre. Gojëtaria ishte një cilësi që arabët e çmonin jashtë mase. Një nga parimet e tyre ishte se bukuria e një gruaje ishte në fytyrën e saj, ndërsa bukuria e një burri në gojëtarinë e tij. Ata, po aq sa aftësinë recituese të poetit, e admironin edhe strukturimin e brendshëm të një ode poetike.
Përveç tyre, edhe mistikët e çuditshëm të shkretëtirës dhe orakujt e falltarët e egër të fiseve e argëtonin audiencën e tyre me fjalimet e tyre të mistershme, tregimet dhe parashikimet e tyre të fshehta, edhepse pak njerëz arrinin ta kuptonin gjuhën e tyre përplot simbole. Shumica e arabëve besonin se ndikimi i yjeve e përcaktonte fatin e njeriut. Falltarët trajtoheshin me respekt të madh në gjithë vendin, pikërisht sepse besohej se ata kishin fuqi të komunikonin me yjet. Këngëtarë, valltarë, artistë, akrobatë dhe magjistarë, të gjithë ishin në garë me njëritjetrin në këta panaire, për ta tërhequr vëmendjen e publikut.
Këta panaire frekuentoheshin edhe nga shenjtorët, priftërinjtë dhe njerëzit e fesë, të cilët i predikonin doktrinat e tyre. Ata ishin të gjithë të lirë për t’i përhapur besimet idetë e tyre gjatë këtyre muajve, pa frikën e keqtrajtimit. Paqja dhe artet e paqes lulëzonin karshi panoramës së kësaj gjallërie të pakultivuar njerëzore.
Në këta panaire, Muhammedi gjente mundësi për ta vëzhguar një zonë ku kryqëzoheshin banorët e Gadishullit Arabik. Ai gjithashtu pati rastin që së afërmi t’i studionte zakonet dhe besimet e njerëzve nga mjedise të ndryshme shoqërore, kulturore dhe gjeografike.
Në pranverën e vitit 595 të erës së re, tregtarët e Mekkes e "mblodhën" karvanin veror për t’i dërguar mallrat e tyre në Siri. Edhe Hatixheja e kishte gati mallin e saj por ende nuk kishte gjetur një njeri që do ta merrte përsipër udhëheqjen e karvanit. Asaj iu sugjeruan disa emra por ata nuk iu dukën të kënaqshëm.
Nëpërmjet disa kolegëve të tij në "shoqërinë" e tregtarëve të Mekkes, Ebu Talibi mësoi se Hatixheja kishte nevojë për një njeri që do ta udhëhiqte karvanin e saj për në Siri dhe që do t’i shiste atje mallrat e saja.
Ebu Talibit i shkoi ndërmend se nipi i tij Muhamedi, i cili tashmë ishte 25 vjeç, do të mund të pranohej për këtë punë. Ai kishte kohë që përpiqej t’i gjente nipit të vet një punë të mirë. Ebu Talibi e dinte se Muhammedi nuk kishte përvojë si udhëheqës karvani, por e dinte njëkohësisht se do ta kompensonte më së miri një mungesë të tillë me talentet e tija të jashtëzakonshme. Ai kishte besim në aftësitë dhe zotësitë e të nipit dhe ishte i bindur se ai kishte mjaft urtësi për t’i marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrat e një udhëheqësi karvanësh, në një mënyrë që do ta linte të kënaqur punëdhënësin. Prandaj, me miratimin e heshtur të Muhammedit, ai iu drejtua Hatixhes dhe e shtroi para saj këtë çështje.
Ashtu si shumica e qytetarëve të tjerë të Mekkes, edhe Hatixheja kishte dëgjuar për Muhammedin. Ajo që edhe Hatixheja e dinte se ishte përtej çdo dyshimi, ishte ndershmëria e tij. Ajo ndjente se mund t’i besonte Muhamedit. Kështu, ajo pranoi lehtësisht që ta emëronte si udhëheqës të karvanëve të saj. Ajo nuk e vlerësoi mungesën e përvojës së tij si një paaftësi, por tha se, për çdo rast, do ta dërgonte edhe skllavin e saj Mejseren, një udhëtar i përvojës, bashkë me të, që t’i ndihmonte në detyrat e tij.
Hatixheja ishte një administratore e shkëlqyer dhe një organizatore e përkryer e punëve. Por ajo ishte edhe me fat. Ajo kishte patur gjithnjë fat në gjetjen e njerëzve të mirë për biznesin e saj. Ndonëse në përzgjedhjen e tyre e kishte patur kriter suksesin e kaluar, ajo do të befasohej kur të zbulonte se me Muhammedin, fati i saj do të rritej siç nuk ishte rritur kurrë më parë. Hatixheja s’kishte pasur kurrë më parë një udhëheqës më të mirë se Muhammedi për karvanët e saj. Nëse Hatixheja kishte një “dorë të artë” për këtë biznes, edhe Muhammedi kishte një “dorë të bekuar”.
Hatixheja dhe Ebu Talibi i përpunuan hollësitë e marrëveshjes së re. Dhe kur Muhammedi iu drejtua punëdhënëses të tij të re për ta nënshkruar kontratën, ajo ia shpjegoi atij specifikat e tregtisë. Ai i kuptoi menjëherë gjërat që i tha dhe nuk bëri ndonjë pyetje për të kërkuar sqarime të mëtejme. Hatixheja i tha Ebu Talibit se shpërblimi që ajo do t’i paguante Muhammedit për shërbimet e tija do të ishte sa dyfishi i asaj që kishte paguar për udhëheqësit e karvanëve të saj në të kaluarën.
Ajo që Hatixheja nuk dinte në atë kohë ishte se dora e fatit po vepronte pas kësaj marrëveshjeje. Fati kishte plane të tjera për të dhe për Muhammedin. Këta plane i tejkalonin çështjet e kësaj bote të rëndomtë e të ulët tregtish e biznesesh, siç do të tregonin ngjarjet në vijim.
Ndërkohë, "karvani veror" i tregtarëve mekkas ishite furnizuar dhe ishte i gatshëm për t’u nisur në udhëtimin e tij të gjatë. Tregtarët i sollën ngarkesat e tyre nga depotë për t’i ngarkuar mbi deve. Dokumentet u përgatitën dhe u nënshkruan. U morën furnizimet dhe u angazhuan shoqëruesit dhe udherrëfyesit. Muhammedi arriti në kohën e caktuar, bashkë me Ebu Talibin dhe me xhaxhallarët e tjerë të tij. Ata i përshëndeti një xhaxha i Hatixhes, që i priste me “dokumentin e dorëzimit” të mallrave dhe me disa dokumente të tjera.
Muhammedi duhej ta kontrollonte mallin që do ta shiste në Siri. Së bashku me Mejseren, ai i kontrolloi të gjitha gjërat sipas listës së mallrave dhe pa se çdo gjë ishte në rregull. Mejsere duhej t’i përgatiste dokumentet që lidheshin me shitblerjet. Ai do t’i mbante shënimet.
Ebu Talibi i dha udhëzime të veçanta Mejseres dhe prijësve të karvanit në lidhje me rehatinë dhe sigurinë e Muhammedit. Ata premtuan se do të bënin gjithçka për ta bërë udhëtimin të këndshëm dhe të sigurt për të. Ebu Talibi dhe vëllezërit e tij i falënderuan ata për përkujdesjen që kishin treguar dhe u lutën që të kishte sukses në këtë sipërmarrje të re, si dhe për kthimin e sigurt të Muhammedit. Më pas, ia besuan atë mbrojtjes së Zotit dhe i thanë lamtumirë.
Gjatë verës, shumica e karvanëve udhëtonin natën për t’iu shmangur vapës vrasëse të ditës, ndërsa gjatë ditës pushonin. Udhëtimi gjatë ditës dinte të ishte jashtëzakonisht rraskapitës, si për kalorësit ashtu edhe për devetë dhe kuajt e tyre. Kështu, shumica e karvanëve largoheshin nga Mekkeja “me rënien e ditës", siç thonin arabët, ose kur dielli e kishte kaluar zenitin dhe nxehtësia ishte më e durueshme.
Kur vinte ajo kohë, njëri prej udhërrëfyesve të karvanit i binte nje zileje, e cila i lajmëronte të gjithë udhëtarët se karvani ishte gati për t’u nisur. Devetë e mbledhura kruspull ngriheshin, thuajse pa dëshirë, dhe, pasi shfaqnin pakënaqësinë e tyre, i merrnin pozitën e veta në vargun e gjatë. Rreth tri orë para perëndimit të diellit, prijësi i karvanit jepte një sinjal dhe karvani vihej në lëvizje.
Karvani nisej drejt veriut. Të afërmit dhe miqtë e udhëtarëve sorollateshin edhe për ca kohë dhe i shihnin ata duke i përshëndetur me dorë, ndërsa karvani humbej në largësi. Kur deveja e fundit zhdukej matanë kodrave, edhe ata shpërndaheshin dhe shkonin nëpër shtëpitë e tyre. Udhëtarët e rinj udhëtonin në ndenjëset e pasme të udhëtarëve me përvojë, të cilët ua tregonin atyre pamjet tashmë të njohura për ata vetë, dhe ua shpjegonin karakteristikat e tyre. Mejsereja i tregoi shumë pamje interesante Muhammedit. Ky i fundit i njohu të gjithë vendet që i kishte parë në rrugën që kishte përshkuar 13 vjet më parë me xhaxhain e tij. Asgjë nuk kishte ndryshuar në këtë kohë. Mejsereja u tregua një shoqërues energjik, që dinte të tregonte shumë histori në lidhje me gjërat që i shihnin si dhe shumë rrëfime nga udhëtimet e tija të mëparshme. Muhammedi zbuloi se edhe udhëtarët e tjerë ishin të përzemërt dhe miqësorë.
Pas gati një muaji, karvani arriti në destinacionin e tij në Siri. Marrëveshjet për strehimin në një han të udhëtarëve të lodhur ishin bërë, dhe të gjithë donin të pushonin pasi u kishin bërë ballë kushteve të rrepta të një udhëtimi të gjatë njëmujor në një terren të vështirë dhe me nxehtësi përvëluese. Atyre do t’u duhej më shumë se një javë që t’u rikthehej fuqia.
Mbasi tregtarëve u kishin kaluar dhimbjet e gjymtyrëve dhe pasi ishin rifreskuar, ata shkonin nëpër tregje që t’i vendosnin mallrat që i kishin sjellë nga Mekkeja. Disa prej tyre i shisnin për para, ndërsa disa i shkëmbenin me mallrat siriane. Ata duhej të blinin edhe mallra për tregun vendas, ndaj dhe kërkonin e gjenin ujdi shumë fitimprurëse. Këto shitblerje mund të zgjasnin nga dy deri në katër muaj.
Edhe Muhammedi e shiti ngarkesën e tij dhe bleu një ngarkesë të re. Ndonëse ishte sipërmarrja e tij e parë tregtare, ai nuk u lëkund nga mungesa e përvojës në kryerjen e shitblerjeve. Në të vërtetë, ai e habiti Mejseren me "profesionalizmin" e tij në tregti. Mejsereja e vërejti edhe mendjehollësinë e tij si negociator, por dhe mendjemprehtësinë dhe ndershmërinë e tij si shitës. Muhammedi i mbronte interesat e të dy palëve, si të punëdhënëses së tij ashtu edhe të klientëve që blenin. Edhe përkundër kësaj, ai kishte arritur ta bënte përfitimin më të madh që Hatixheja kishte bërë qëkur e kishte trashëguar nga i ati këtë tregti. Në anën tjetër, ngarkesa që bleu në Siri për Hatixhen ishte e përkryer në cilësi dhe ishte e sigurt se do të shitej në Mekke me çmime të larta, siç edhe ndodhi vërtet.
Kushdo që e takonte Muhammedin në Siri, impresionohej prej tij. Ai kishte një pamje mbresëlënëse, që e bënte të paharrueshëm për të gjithkë që e shihte. Dhe ndonëse ishte i zënë me shitjen, negocimin, hetimin e tregut, dhe me blerjen, Mejsere vërejti se ai prapëseprapë gjente kohë për të qenë vetëm. Për Mejseren, këto seanca të heshtura të Muhamedit ishin mjaft misterioze, por nuk i ndërpriste. Ai nuk e dinte se zotëriu i tij i ri e kishte zakon të përsiatej mbi gjendjen dhe fatin e njeriut. Në Siri, Muhammedi takoi shumë të krishterë dhe hebrenj. Ai kishte menduar se secili prej këtyre dy grupeve ishte i bashkuar. Por për habinë e tij, ata nuk ishin të tillë. Që të dy grupet ishin të përçarë në shumë nëngrupe dhe mënyra e adhurimit të secilit prej tyre ishte e ndryshme nga mënyra e të tjerëve.
Cili grup ishte në rrugë të drejtë dhe cili në rrugë të gabuar? Kjo ishte një pyetje që e mundonte Muhammedin. Të kërkuarit e një përgjigjeje për të dhe për pyetje të tjera të ngjashme e mbanin atë zgjuar netëve kur të gjithë të tjerët shkonin për të fjetur. Më në fund, kur të gjitha marrëveshjet e shitblerjes kishin përfunduar dhe dhuratat për familjet e për miqtë ishin siguruar, karvani kthehej në Mekke. Për udhëtarët e përmalluar për shtëpinë, kthimi ishte gjithmonë një rast gëzimi. Ishte një pritje e padurueshme kur njeriu priste për t’i takuar të dashurit e tij pas një mungese prej disa muajsh. Udhëtarët e lodhur prisnin me padurim t’i dëgjonin të qeshurat e gëzuara të fëmijëve të tyre dhe e dinin se kur të vinte ai çast i mrekullueshëm, edhe ata nuk do të ishin në gjendje t’i mbanin lotët, e akoma më pak ti fshihnin ato. Ata e dinin nga përvoja e gjatë se do të kishte shumë të qeshura, por edhe shumë lot gëzimi. Të qeshurat dhe lotët përziheshin lirshëm në raste të tilla të bekuara dhe të hareshme.
Ardhja e një karvani gjithnjë krijonte shumë emocione në qytet. Ishte, në të vërtetë, një rast festiv për të gjithë ata që jetonin në Mekke dhe në zonat përreth. “Limanet”, ku “flotat e anijeve të shkretëtirës" i shkarkonin pasagjerët dhe ngarkesat e tyre, ishin skena përplot gjallëri. Shumica e qytetarëve, madje edhe fiset nomade, e konsideronin një ndryshim të mirëpritur në ritmin e jetës së tyre këtë rikthim përplot tollovi të karvanëve.
R.V.C. Bodley
Ardhjet dhe nisjet e karvaneve ishin ngjarje të rëndësishme në jetën e mekkasve. Pothuajse të gjithë në Mekke kishin njëfarë investimi në pasuritë e mijëra e deveve ose tek qindra burrat, kuajt dhe gomerët që dilnin me lëkura, rrush, dhe shufra argjendi, e ktheheshin me vaj, parfume, dhe mallra të prodhuara në Siri, Egjipt dhe Persi, si edhe me erëza dhe ar nga jugu. (I Dërguari: Jeta e Muhamedit, 1946)
Njerëzit vinin për t’i përshëndetur të dashurit e tyre që ishin kthyer në shtëpi pas një mungese prej gjashtë muajsh. Shumë prej tyre vinin me ndjenja të përziera ndjenja shprese të përziera me ndjenjën e frikës. Kur dikush largohej nga qyteti me një karvan, për të afërmit e tij nuk kishte asnjë mënyrë për të ditur në do ta shihnin atë sërish gjallë. Disa udhëtarë vdisnin në udhëtimin e gjatë dhe varroseshin në vende që ishin të largëta dhe të paarritshme. Miqtë dhe të afërmit nuk mundeshin t’i vizitonin varret e tyre.
Dhe vetëm kur arrinte një karvan, mekkasit arrinin t’i dëgjonin lajmet për botën jashtë gadishullit. Arabët e asaj kohe jetonin në izolim të plotë nga pjesa tjetër e botës. Ata kishin vetëm një lidhje të prekshme me atë botë dhe ky ishte karvani.
Pothuajse çdo mekkas investonte para në tregtinë e karvanëve. Mes tyre, të pasurit mund të vizitonin vende të huaja për periudha që zgjasnin shumë muaj. Ndërsa njerëzve me mjete të kufizuara u duhej të qëndronin në shtëpi. Kështu, ata ua jepnin mallrat e tyre një njeriu të besueshëm për t’i shitur, ndërsa njëkohësisht i jepnin para për të blerë edhe mallra që shiteshin në tregun mekkas por që prodhoheshin në Siri, Jemen, Abisini dhe Egjipt. Kur u vinin mallrat e kërkuara, ata i shisnin të njejtat në tregun mekkas dhe përfitonin prej tyre. Ishte ky një sistem që, pas viteve të gjata të përvojës, ishte treguar mjaft i arsyeshëm.
Tregtarët dhe udhëheqësit e karvanëve sillnin me vete dhurata ekzotike për te afërmit dhe miqtë e tyre, siç kishte qenë zakon. Secili ishte i etur për t’i parë këto dhurata, që para syve të arabëve i sillnin përfytyrimet e pasurive të Sirisë dhe luksin e perandorisë persiane dhe asaj romake.
Sapo hyri në Mekke, Muhammedi shkoi fillimisht në rrethinat e Qabes, ku i bëri shtatë rrotullimet (tavafet) e zakonshme dhe pastaj shkoi tek punëdhënësja e tij. Ai i dha asaj një llogari të hollësishme të udhëtimit dhe të shitblerjeve që i kishte kryer në emër të saj. Më vonë, ai e informoi xhaxhain e tij Ebu Talibin në lidhje me pikat kryesore të përvojës së tij si tregtar.
Mejsereja, skllavi i Hatixhes, kishte një histori të tijën për të treguar. Ai ia tregoi asaj historinë e shkuarjes dhe të kthimit nga Siria, si dhe fitimet që i kishte bërë Muhammedi për të. Por për të, shumë më interesante se historia e një misioni të suksesshëm tregtar, ishte karakteri dhe personaliteti i vetë Muhammedit. Ai kishte shumë admirim për talentet e Muhammedit si tregtar. Ai i tha Hatixhes se largpamësia e Muhamedit nuk kishte dështim dhe se gjykimi dhe perceptimi i tij ishin të pagabueshëm. Ai ia përmendi asaj edhe dashamirësinë, mirësjelljen dhe përkujdesjen e Muhammedit ndaj të tjerëve.
Hatixheja u impresionua nga fjalët e Mejseres dhe i parashtroi atij shumë pyetje në lidhje me punonjësin e saj të ri. Me sa duket, ajo nuk do të habitej fare sikur Mejsereja t’i thoshte se Muhammedi ishte individi më i jashtëzakonshëm që kishte njohur në jetën e tij, i aftë për t’i kryer punë më të jashtëzakonshme.
Ditën e nesërme, Varaka bin Neufel erdhi për ta parë Hatixhen. Edhe ai dëshironte t’i dëgjonte lajmet që kishin sjellë udhëtarët prej jashtë vendit. Lajmi që i interesonte më së shumti ishte ai i konfliktit të vjetër midis perandorive persiane dhe romake. Secila prej këtyre perandorive dëshironte të krijonte hegjemoninë e saj mbi këtë rajon që njihej si “gjysmëhëna pjellore”. Është gjithashtu e mundshme që edhe ai të ketë investuar në këtë tregti dhe të ketë dashur të marrë informata rreth fitimeve të karvanit.
Hatixheja ia tregoi kushëririt të saj të tërë historinë, ashtu siç e kishte dëgjuar nga vetë Muhammedi dhe nga Mejsereja. Ajo gjithashtu përmendi se punonjësi i saj i ri kishte bërë fitime të papara deri tani. Varaka bisedoi edhe me Mejseren rreth udhëtimit dhe rreth Muhammedit. Megjithatë, më shumë se gjithçka tjetër, ai dëshironte të fliste për Muhammedin, aq sa dukej se nuk i interesonte asgjë tjetër, aq më pak ujditë tregtare.
Mbasi e dëgjoi historinë e gjatë, thuhet se Varaka u zhyt në mendime të thella. Pas një pushimi të gjatë, ai i tha Hatixhes: "Duke gjykuar nga ajo që ti dhe Mejsere më treguat në lidhje me Muhammedin, dhe duke gjykuar edhe nga ajo që unë di rreth tij, mua më duket se ai i ka të gjitha cilësitë dhe potencialet e një të dërguari të Zotit. Në të vërtetë, ai mund të jetë i caktuar për të qenë një i dërguar i Zotit në të ardhmen.”
Duke i hedhur sytë në errësirën e Arabisë pagane, mbase nëpërmjet intuitës së tij, Varaka arriti t’i dallonte shkëlqimet e para të Dritës së Islamit, e cila së shpejti do të shfaqej në horizont. Mbase që atëherë, ai e njohur tek Muhammedi bartësin e kësaj Drite.
Shumë libra mbi jetën e Muhammed Mustafasë, profetit të Islamit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), kanë shënuar një sërë mrekullish që supozohet të kenë ndodhur gjatë udhëtimit dhe qëndrimit të tij në Siri. Abdullah Jusuf Ali, përkthyesi dhe komentuesi i Kur′anit Fisnik, në lidhje me këtë temë, shkruan:
Asnjë i dërguar i Zotit nuk kryen një mrekulli e nuk shfaq ndonjë “shenjë”, veçse sipas dëshirës së Zotit. Vullneti i Zotit (arab. meshijje) është një plan i urtë dhe universal, i cili nuk ekziston për dobinë e një fisi ose një populli të një epoke të caktuar. Mrekullia më e madhe në histori ka qenë dhe vazhdon të jetë Kur’ani. Ne jemi në gjendje ta kuptojmë bukurinë dhe madhështinë e tij sot, njësoj siç mundën njerëzit e kohës së Mustafasë, e mbase më shumë, duke parë se njohuria jonë mbi natyrën dhe mbi krijimin e Zotit po rritet edhe më.
Në një pjesë tjetër, ai thotë:
Shenjat që iu dërguan profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ishin vargjet e Kur’anit dhe jeta e veprat e tija, në të cilat u zbulua plani dhe vullneti hyjnor.
Me sa duket, hijeshia dhe karakteri karizmatik i Muhammedit kishte patur ndikim edhe mbi Hatixhen. Njësoj si Mejsereja, edhe ajo u bë një admiruese e tij. Dhe si mund të ndodhte e kundërta vallë! Hatixheja kishte ditur se Muhammedi ishte një i ri i butë, modest dhe i qetë. Ajo e dinte gjithashtu se mekkasit e kishin cilësuar atë si Sadik (i sinqertë) dhe Emin (i besueshëm). Tani asaj iu zbulua edhe aftësia e tij si tregtar. Aftësia dhe urtësia e tij ishin pjesë e karakterit të tij tërheqës. Vlerësimi i tanishëm i saj ishte se Muhammedi nuk ishte thjesht një ëndërrimtar utopist, por edhe një njeri tejet praktik. Ishte ky vlerësim që e bëri Hatixhen ta punësonte Muhammedin si menazhues të të gjitha tregtive të saja në të ardhmen.
VAZHDON