Rënia dëshmor e Imam Aliut (a.s): me rrëfim audio
Sejjid Ali Asgher Razvi
29.07.2013


Që nga gjysma e dytë e vitit 658, guvernatori i Sirisë Muavije ibn Ebu Sufjani, kishte filluar gjithë më tepër ta rriste dhunën kundër sundimit të Aliut. Disa nga sulmet e ushtrisë së tij kishin arritur deri në Ein et-Tamar dhe Anbar, vetëm 170 milja (rreth 275 km) në veri të Kufes. Populli i Kufes ishte aq i pavullnetshëm për të luftuar kundër sirianëve, sa Aliu e kishte të pamundur t’u kundërpërgjigjej sulmeve të tyre në mënyrë efektive. Vetë Muavije e udhëhoqi një ekspeditë plaçkitjeje nëpër Xhezire, duke filluar nga Rakka-ja dhe duke arritur deri në Mosul, pa u përballur me kurrfarë rezistence. Më në fund, Aliu shpalli në xhaminë e Kufes se do të largohej nga qyteti bashkë me disa nga ndjekësit e tij besnikë, për të luftuar kundër sirianëve, pavarësisht se kjo gjë do ta çonte drejt një vdekjeje të sigurt. Ky kërcënim i zgjoi banorët e Kufes sepse vdekja e Aliut do të thoshte se Kufeja do të mbetej pa një prijës. Pas këtyre fjalëve, populli i Kufes u zgjua dhe filloi të mobilizohej për të organizuar një mbrojtje.


Beteja e Siffinit kishte qenë testi i parë i fuqisë së Aliut kundër Muavijes. Në aspektin ushtarak, beteja kishte qenë thuajse një fitore e plotë e Aliut por politikisht, ajo kishte mbaruar me barazim. Tani, pasi kishte kaluar pak kohë, dukej se Aliu do t’i përgjigjej sërish sfidës së Muavijes. Por pikërisht në atë kohë, Aliu u vra në xhaminë e Kufes dhe përballja e dytë mes tyre kurrë nuk ndodhi.


Sipas burimeve të besueshme historike, tre khavarixhë u takuan në Kufe (ose në Mekke, sipas disa burimeve) dhe përpiluan një komplot. Secili u bë vullnetar për ta vrarë njërin nga tre figurat më të rëndësishme politike në tokën e Islamit: Aliun, Muavijen dhe Amr bin Asin. Me vrasjen e tyre, këta tre vetë besonin se lufta civile mes myslimanëve do të mbaronte dhe paqja do të rikthehej. Plani i personave që do ta vrisnin Muavijen dhe Amrin shkoi huq dhe ata u arrestuan, për t’u ekzekutuar më pas.


Khavarixhët ishin mundur në Nehrevan dhe shumë prej tyre kishin vdekur në betejë. Vetëm disa kishin mbijetuar dhe ishin arratisur. Njëri prej tyre ishte edhe Abdurrahman ibn Mulxhemi. Ai jetonte me dëshirën për ta vrarë Aliun dhe ishte në pritje të një mundësie të tillë. Krejt rastësisht, ai u takua me një grua të quajtur Kutam, babai dhe vëllezërit e të cilës ishin vrarë në Nehrevan. Edhe ajo ushqente përbrenda një urrejtje të madhe për Aliun.


Abdurrahmani ishte dashuruar tek Kutami dhe i propozoi martesë. Ajo i tha se çmimi i dorës së saj ishte koka e Ali ibn Ebu Talibit. Kjo vetëm sa e përforcoi vendosmërinë e Abdurrahmanit për ta vrarë Aliun. Me shumë kujdes, ai përpiloi një plan për këtë vrasje. Edhe disa khavarixhë të tjerë e ndihmuan në këtë drejtim. Për të qenë i sigurt, Abdurrahmani mori edhe një masë të fundit: shpatën e lyejti me helm.


Në agimin e ditës së nëntëmbëdhjetë të Ramazanit të vitit 40 pas Hixhrit, Aliu erdhi në Xhaminë e Madhe të Kufes dhe e thirri ezanin. Më pas e mori vendin e tij në mihrab dhe pas disa çastesh, besimtarët filluan të mblidheshin. Ata u radhitën pas tij dhe lutja filloi. Në radhën e parë, bashkë me besimtarët e tjerë, ishin edhe Abdurrahmani dhe miqtë e tij, të cilët i ndiqnin lëvizjet e Aliut. Në rrobat e tyre, ata kishin fshehur shpata të mprehura mirë dhe të lyera me helm.


Pikërisht kur Aliu e preku tokën me ballin e tij për të bërë sexhde, Abdurrahmani eci drejt mihrabit. Kur Aliu e ngriti kokën nga sexhdeja, ai e goditi atë në ballë me aq fuqi sa balli i Aliut u ça.


Nga plaga e krijuar shpërtheu gjaku i Aliut dhe ai thirri: “Betohem në Zotin e Qabes! Unë ngadhnjeva..”.


Njerëzit kuptuan ç’kishte ndodhur dhe sapo mbaroi namazi, u mblodhën rreth tij. Djemtë e tij Hasani dhe Husejni e bartën drejt shtëpisë. Një mjek erdhi, u përpoq ta mbyllte plagën por nuk arriti ta ndalte gjakderdhjen. Goditja e shpatës kishte qenë vdekjeprurëse edhe ashtu. Por në të njëjtën kohë, edhe helmi po përhapej në trupin e tij. Historianët arabë thonë se kjo ishte hera e dytë që Aliu ishte plagosur në ballë. Hera e parë kishte qenë në betejën e Hendekut në vitin 627, kur shpata e Amr ibn Abd Vudit e kishte çarë mburojën dhe helmetën e tij, për t’i krijuar një plagë në ballë. Balli i tij akoma e kishte gjurmën e kësaj plage.


Ky ishte përshkrimi i historianëve arabë në lidhje me vrasjen e Aliut. Ky përshkrim është pranuar si i besueshëm nga shumica e myslimanëve.


Ndonëse ky përshkrim është pranuar me “konsensusin” e historianëve, autenticiteti i tij është i dyshimtë, kur të shihen “dëshmitë”. Në gjithë këtë përshkrim, ka pak tepër “rastësi”.


Askush nuk dyshon në lidhje me faktin se Aliun e vrau Abdurrahman ibn Mulxhemi. Por a thua vrasja e Aliut ishte një ide e tija? Ka më shumë mundësi që kjo ide të jetë mbjellë në kokën e tij nga dikush tjetër, me teknika shumë të sofistikuara. Ibn Mulxhemi nuk e dinte se ai s’ishte tjetër veçse një instrument i dikujt tjetër.


Në këtë kohë, askush në tokën e Islamit nuk e dëshironte të vdekur Aliun më shumë se Muavije ibn Ebu Sufjani. Komploti për ta vrarë Aliun, shkathtësia në ekzekutimin e këtij plani dhe suksesi i tij tregojnë se ky plan ka një dozë të theksuar profesionalizmi dhe fshehtësie, aq karakteristike për Muavijen. Ibn Mulxhemi s’ishte veçse një njeri i rëndomtë. Me të njëjtën “shkathtësi”, edhe në vitet e ardhshme të sundimit të tij, Muavije do të eliminonte shumë kërcënime për pushtetin e vet, qofshin të vërteta ose të imagjinuara.


Spiunët e Muavijes e kishin informuar atë se Aliu po bënte përgatitje për ta pushtuar Sirinë. Në betejën e Siffinit, Muavije nuk i ishte përgjigjur sjelljes bujare dhe trimërore të Aliut. Kësaj radhe, Aliu nuk kishte ndërmend të bënte një betejë të ngadaltë por një sulm të beftë dhe të ashpër, i cili do ta shuante rebelimin e Muavijes dhe do ta rikthente paqen në perandorinë e myslimanëve. Edhe Muavije e dinte se kësaj radhe, Aliu e kishte edhe aftësinë edhe vendosmërinë për t’i dhënë një fund të shpejtë konfliktit. Shpresa e fundit e tij ishte se “aleatët” e tij të vjetër, intriga dhe mashtrimet, do të mund t’i ndihmonin përballë Aliut. Andaj, ai i mobilizoi ato dhe siç do të shihej, mbështetja e tij në këto metoda nuk do të dilte e kotë.


Muavije bëri që vrasja e Aliut të dukej spontane dhe e besueshme, duke e treguar veten dhe Amr bin Asin si viktima “potenciale” të këtij komploti dhe fanatizmi të khavarixhëve. Por që të dy i “shpëtuan” vdekjes, falë “fatit” të tyre. Njëri prej tyre u “sëmur” pikërisht në ditën që duhej të vritej, kurse tjetri shkoi në xhami me një parzmore të veshur nën rrobat e tija. Ai u sulmua por shpëtoi falë parzmores. Po të ishte “sëmurë” edhe i dyti, do të ishte tepër e qartë loja e tyre. Në këtë mënyrë, “sëmundja” dhe parzmorja e shpëtuan edhe Muavijen edhe Amr bin Asin nga vrasësit e tyre khavarixhë.


Por Aliu nuk kishte kaq shumë “fat”. Ai nuk ishte i sëmurë atë ditë dhe nuk e kishte veshur parzmoren e tij në xhami. Brenda xhamisë, Ibn Mulxhemi e priste atë me një shpatë të lyer me helm. Kur Aliu e ngriti kokën nga sexhdeja, ai e goditi në ballë dhe ia çau ballin. Kjo goditje do të ishte vdekjeprurëse për të.


Të gjithë historianët arabë kanë shkruar histori “të frymëzuara” nga Muavije ibn Ebu Sufjani dhe nga pasardhësit e tij. Dhe gjithsesi, Muavije ishte i lirë për të injektuar përshkrime të shumëllojshme në librat e historisë. Andaj, ai dhe Amr bin Asi arritën t’i shpëtonin gjykimit të historisë, e cila do ta dënonte vetëm Abdurrahman ibn Mulxhemin si autorin e vërtetë dhe të vetëm të këtij krimi.


Është një rastësi tjetër interesante se vrasja e Aliut ndodhi pikërisht në vigjilje të pushtimit të tij të planifikuar të Sirisë. Ndonëse anarkistët khvarixhë i kishin drejtuar shpatat e tyre tek të tri figurat kryesore të botës myslimane si Aliu, Muavijeja dhe Amr bin Asi, këta dy të fundit shpëtuan dhe vetëm Aliu u vra.


Në një “rastësi” tjetër shumë interesante, pikërisht këta dy të mbijetuarit ishin miq të afërt të njëri-tjetrit dhe që të dy, sërish “rastësisht”, ishin armiqtë më të zjarrtë të Aliut, i cili ishte viktima e vetme në këtë lojë.


Ka shumë rastësi misterioze, të cilat ua shpëtuan jetën Muavijes dhe Amr bin Asit por që ia morën jetën Aliut.


 


Periudhën e mbetur të jetës së tij, Aliu e kaloi në lutje dhe në adhurime, e diktoi testamentin e tij, u dha disa udhëzime bijve të vet dhe gjeneralëve në lidhje me qeverisjen, duke u kërkuar me ngulm që të mos i harronin pleqtë, të sëmurit,të varfërit dhe jetimët.


Aliu shpalli se djali i tij më i madh Hasani, do t’ia zinte vendin si prijës i Mbretërisë së Qiejve mbi tokë dhe si sovran i gjithë myslimanëve.


Ndonëse Aliu po dobësohej gjithë kohës nga gjakderdhja dhe nga efekti i helmit, ai mbeti i vetëdijshëm deri në çastet e fundit të jetës së tij. Të gjithë atyre që erdhën për ta parë, ai u tha me ngulm që të ishin gjithnjë të vetëdijshëm për praninë e Krijuesit në jetët e tyre, ta donin Atë, t’i shërbenin Atij dhe t’u shërbenin krijesave të Tija.


Helmi e pati ndikimin e vet dhe në mëngjesin e 21 Ramazanit të vitit 40 pas Hixhrit, Ali ibn Ebu Talibi u nda nga kjo botë për të shkuar në prani të Krijuesit të tij, të cilit i kishte shërbyer gjatë gjithë jetës. Qëllimi më i madh i jetës së tij kishte qenë kthimi tek Krijuesi dhe pikërisht kjo ishte arsyeja përse kur shpata e goditi ballin e tij, ai thirri: “Betohem në Zotin e Qabes! Unë ngadhënjeva!”


Hasani dhe Husejni e lanë trupin e babait të tyre, e mbështollën me një qefin, e falën namazin e të vdekurit dhe më pas e varrosën fshehurazi natën në Nexhef, një vend në pak distancë nga Kufeja. Mbi varr nuk u vendos kurrfarë shenje dhe varri u mbajt i fshehur, në përshtatshmëri me dëshirën e vetë Aliut. Kështu, heroi, shenjtori, politikani, filozofi dhe dëshmori më i madh i Islamit u nda kjo botë, e cila kurrë më s’do të dëshmonte një personalitet më sublim se ai.


Shumë myslimanë vajtuan për Aliun por askush nuk e vajtoi më shumë sesa dhimmitë (hebrenjtë, të krishterët dhe zoroastrianët), të cilët u fundosën në dëshpërim. Dhe kur të sëmurit, të dobëtit, jetimët dhe vejushat kuptuan se kishte vdekur Aliu, bota e tyre u kthye përmbys. Ai kishte qenë një baba për të gjithë ata dhe i kishte ndihmuar. Të gjithëve u kishte ndarë një vend në lutjet e tija dhe deri në vdekjen e tij, shumë prej tyre nuk e kishin ditur se kishte qenë Aliu ai që i kishte ndihmuar gjithë kohës.


Aliu ishte gjithnjë i qasshëm për të dobëtit e për të mjerët dhe frika e tij më e madhe ishte që të mos ngjante që një nevojtar të mos mund të arrinte t’ia shprehte nevojën. Vetëm nën sundimin e tij, jomyslimanët, të dobëtit dhe të pambrojturit ishin të sigurt. Askush nuk guxonte t’i shtypte dhe t’i shfrytëzonte. Me vdekjen e tij, siguria e tyre do të humbej përgjithmonë.


Është më se e qartë se pushteti dhe pastërtia shenjtërore nuk kombinohen dot. Kur njeriu i merr përsipër punët e shoqërisë, thjeshtësitë morale me të cilat është e mundur të çohet një jetë private, komplikohen aq shumë sa njeriu shpesh e humb ndjesinë e asaj që është e drejtë dhe e gabuar. Megjithatë, kjo “teori” e ka një përjashtim tek Ali ibn Ebu Talibi. Ai gjithnjë i ndoqi principet e tija, qoftë në jetën publike ose private, pavarësisht se ç’pasoja do t’i sillte kjo gjë. Ai gjithnjë e vendoste atë që është e drejtë para asaj që është më e mençur dhe praktike. Burimi i principeve që e udhëzonin në jetën publike dhe private ishte Kur’ani i Shenjtë, njësoj siç kishte qenë edhe burimi i filozofisë së tij politike.


Aliu ka shumë kritikë dhe shumë armiq. Por asnjëri nuk ka mundur të tregojë një rast të vetëm kur Aliu ka devijuar nga ndonjë princip i tij. Askush nuk mund të gjejë një rast të vetëm, në të cilin ka kundërthënie ndërmjet mendimeve dhe fjalëve të tija ose ndërmjet fjalëve dhe veprave. Mendimet, fjalët dhe veprimet e tija ishin gjithnjë në një vijë të njëjtë dhe pa kontradikta.


Aliu e përfaqëson triumfin më sipëror të karakterit dhe të ideologjisë. Ai ishte një kombinim i rrallë i dashurisë ndaj Zotit, i devotshmërisë ndaj detyrës, i një force të stolisur me butësi, i baraspeshës në sjellje dhe i një integriteti pa kompromis. Trashëgimia më e madhe e Aliut për botën islame ka qenë dhe do të jetë pikërisht karakteri i tij sublim.