Dua Kumejl (lutja e Kumejlit)
Imam Ali (a.s)
10.07.2013

Dua Kumejl (lutja e Kumejlit) është lutja më e famshme e Imam Aliut (a.s), e cila është përcjellur nga Kumejl ibn Zijadi, njëri nga ndjekësit e tij më në zë. Kjo lutje zë një vend shumë të rëndësishëm në traditën e Ehl-i Bejtit dhe është e pëlqyeshme të recitohet çdo javë, në natën para ditës së premte. Në vijim, mund ta lexoni përkthimin në shqip të kësaj lutjeje madhështore, të cilën e kemi përkthyer duke u përpjekur, aq sa është e mundur, ta pasqyrojmë në shqip cilësinë e lartë stilistike të saj, pa bërë një kompromis me kuptimin. Si çdo sipërmarrje tjetër, edhe ky përkthim mund të përmbajë në vete gabime dhe mangësi, të cilat shpresojmë se do të korigjohen dhe përmirësohen nga përkthyes të tjerë, për të fituar një version sa më të përsosur të kësaj lutjeje të çmueshme.


Përkthyesi  


 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!


O Allah! Ty të lutem për hir të mëshirës Sate që kaplon gjithçka, për hir të fuqisë Tënde, përballë të cilës të gjitha përulen, për hir të madhështisë Tënde që nënshtron çdo gjë e të cilës asgjë s’i bën dot ballë, për hir të madhërisë Tënde që mbush gjithçka, për hir të pushtetit Tënd që të gjithë i nënshtron, për hir të fytyrës Sate që e përjetshme mbetet kur çdo gjë të jetë shkatërruar, për hir të emrave të Tu që i mbushin thelbin çdo gjëje, për hir të diturisë Sate që kaplon gjithçka e për hir të dritës së bukurisë Sate që çdo send ndriçon.


O Dritë! O i Shenjtë! O i Pari i të parëve dhe i Mbrami i të mbramëve! Zoti im! M’i fal ata mëkate që ma grisin perden e dëlirësisë! M’i fal mëkatet që më çojnë drejt mjerimit! Zoti im! M’i fal mëkatet që m’i largojnë bekimet e që e pengojnë pranimin e lutjes sime!


O Allah! M’i fal mëkatet që bëjnë fatkeqësi të zbresin mbi mua!


O Allah! M’i fal të gjithë mëkatet dhe gabimet që kam bërë! 


O Allah! Unë dua të të afrohem me përkujtimin Tënd dhe Ty të bëj ndërmjetës pranë Teje. Të përgjërohem për hir të bujarisë Sate që të më afrosh me Veten, të më mundësosh të të falënderohem dhe të më frymëzosh me të përkujtuarit Tënd.


O Allah! Me droje, me përulësi e me një gjuhë të turpëruar të përgjërohem të mbyllësh sy para gabimeve të mia, të jesh i mëshirshëm ndaj meje, të më bësh të kënaqur ndaj asaj që më ke falur dhe përherë të përulur.


O Allah! Po të lutem si një njeri që e ka të madh mjerimin, si një njeri që ka ardhur në derën tënde me nevojën e tij dhe të cilit ia kanë lartësuar shpresat gjërat që pranë Teje janë.


O Allah! I madh është sundimi Yt dhe e lartësuar madhështia Jote. I fshehur është qëllimi Yt dhe i hapur urdhri. Nënshtrimi Yt është gjithë ngadhënjyes e fuqia Jote e vlefshme gjithkah. S’ka shpëtim nga sundimi Yt!


O Allah! Nuk gjej dot kënd veç Teje që të m’i falë mëkatet, të m’i mbulojë fajet e t’i kthejë në mirësi bëmat e liga të miat.


S’ka të adhuruar tjetër veç Teje! Ti i pastër je nga të metat dhe të gjitha lëvdatat për Ty janë! 


Unë i bëra padrejtësi vetes sime dhe mosbindje shfaqa nga padituria. U ndjeva i sigurt për shkak të mirësive e bekimeve që m’i ke faluar gjithnjë. 


O Allah! Imzot! Sa shumë të liga që m’i mbulove, sa fatkeqësi largove prej meje e prej sa gabimeve më ke ruajtur! Ti i largove prej meje të papëlqyeshmet dhe për mua përhape aq shumë lëvdata që s’i meritoj!


O Allah! Më janë rritur mynxyrat, ligësia e gjendjes sime ka kaluar çdo kufi, bëmat e mia më kanë lënë të pashpresë, zinxhirët e mi më kanë nënshtruar, dëshirat aq afatgjata më kanë lidhur e burgosur ku jam, bota më ka mashtruar me kotësitë e saja dhe shpirti im më ka lënë në baltë me tradhëti e mospërfillje.


O Zotëriu im! Të përgjërohem për hir të madhështisë Sate e të kërkoj: mos lejo që ligësia e bëmave të mia të jetë një pengesë për pranimin e lutjes sime! Mos m’i zbulo të fshehtat e mia që vetëm Ti i di e mos më turpëro! Zoti im! Mos u ngut për t’më dënuar për shkak të veprave të liga që kam kryer fshehur e për shkak të sjelljes sime! Mos u ngut për t’më dënuar për shkak të mospërfilljes e paditurisë sime, për shkak të dëshirave e për shkak të pakujdesisë sime të shumtë!


O Allah! Për hir të madhështisë Sate, ji i mëshirshëm ndaj meje në çdo gjendje dhe falës!


I Adhuruari im! O Zoti im! Kë kam tjetër veç Teje, që t’i kërkoj t’më përmirësojë e ta shohë këtë gjendje timen?


I Adhuruar im, o Imzot! Ti më urdhërove e unë i ndoqa dëshirat e mia. Nuk iu tremba armikut tim, që i zbukuron mëkatet, e kështu më mashtroi ashtu si deshi dhe caktimi im e ndihmoi në gjithë këtë. Andaj i tejkalova kufijtë që vendose dhe i kundërshtova disa nga urdhrat e Tu. Edhe në gjithë këtë, është detyrë e imja Ty të të lëvdoj. 


S’kam kurrfarë arsyetimi përballë caktimit tim e përballë gjykimit e sprovës që më gjeti. 


O Zot i imi! Pas gabimeve ku shpërfilla veten time, prapë drejt Teje u ktheva falje duke kërkuar, përplot keqardhje e krejt në dëshpërim, duke shpresuar në faljen Tënde e duke shprehur pendimin. Duke pranuar mëkatet e fajësinë time, në praninë Tënde erdha o Zot.


S’gjej dot hapësirë për të ikur nga mëkatet e mia e as ndonjë vend ku të gjej strehim. Nuk kam shpresë tjetër veçse t’më falësh duke ma pranuar shfajësimin e të më kaplosh me mëshirën Tënde të pafundme. Atëherë pranoje shfajësimin tim, o Allah, ji i dhembshur ndaj dëshpërimit tim e më shpëto nga zinxhirët!


Imzot! Ji i dhembshur që e kam të dobët trupin, të hollë lëkurën e të brishta kockat! 


O Ti që më krijove e më përmende, Ti që më edukove e më fale të mira! Më fal për hir të fillimit të mirësisë Sate e për hir të mirësive të kaluara që m’i ke dhënë!


O i Adhuruar! O Zotëriu im dhe Imzot! Si të besoj se mund të më hedhësh në zjarr të ferrit, kur e kam besuar njëshmërinë Tënde, kur ma ka mbushur zemrën njohja Jote, kur gjuha është marrë me përkujtimin Tënd, kur dashuria më është ngulitur zemrës, kur jam përkulur para hyjësisë Sate duke i pranuar mëkatet me sinqeritet e të jam lutur me drejtësi?


Larg je Ti gjërave të tilla! Ti s’e shkatërron atë që ke rritur Vetë, s’e largon nga Vetja atë që ke afruar, s’e përzë atë që pranë Teje ke strehuar dhe nuk e lë në dorë të fatkeqësive atë që ke mëshiruar. Ti shumë përtej je gjërave të tilla! 


Ah sikur ta dija, Zotëriu im,o Zot! Sikur ta dija Imzot! A thua do t’i kaploje me zjarrin e ferrit ato fytyra që bëjnë sexhde para madhështisë Sate, ato gjuhë që ta dëshmojnë njëshmërinë e që me lëvdata të falënderohen, ato zemra që vërtet e pranojnë hyjësinë Tënde e ata shpirtra që gufojnë me njohjen Tënde e që përulen me thjeshtësi? A thua me zjarr do t’i kaploje ata trupa që vrapojnë drejt faltoreve e që mëshirë të kërkojnë duke i  pranuar mëkatet e tyre? 


Kjo s’mund të mendohet për Ty, jo! Kështu s’na e kanë mësuar bekimin Tënd, o Zot i Begative, Imzot! 


Ti e di sa i padurueshëm jam përballë mynxyrave të pakta e vështirësive të kësaj bote, ndonëse të shkurtër ka fatkeqësinë dhe të paktë afatin e vuajtjes kjo botë. Atëherë si ta duroj gjëmën e amshimit e si t’i përballoj vështirësitë e mëdha e dhimbjet që janë atje, kur e di sa të gjata janë dhe di se s’i bëhen lëshime të përvuajturit atë ditë? Ky dënim nga zemërimi e nga hakmarrja Jote buron dhe s’e durojnë atë as qiejt e as toka. 


O Zotëriu im! Si të duroj unë atëherë, ky rob i pafuqishëm i Yti, i ulët e i pavlerë, nevojtar e krejt i pashpresë?


I Adhuruari dhe Zoti im! O Imzot! Për ç’gjë të të ankohem tani e për cilat sende të qaj e të vajtoj? Për fuqinë e për dhimbjen e dënimit vallë? A për vazhdimësinë e kohën e gjatë të saj?


Nëse më vendos në mesin e armiqve të Tu për t’më dënuar, dhe nëse më lë bashkë, atë ditë, me njerëzit e mynxyrave...Dhe nëse më ndan nga miqtë e nga të afërmit e Tu, Imzot, o i Adhuruari, Zoti e Zotëriu im, edhe sikur të bëj durim përballë dënimit Tënd, si ta duroj ndarjen prej Teje?


Të themi se e durova afshin e zjarrit Tënd. Si të duroj të më mohohet bujaria Jote? E si të hyj në zjarr kur për faljen Tënde shpresoj? 


Për madhështinë Tënde o Zotëriu im, o Imzot! Me zemër të betohem:


Po të më lësh të flas, mes njerëzve të ferrit kam për t’iu drejtuar portës Tënde e kam për të dënesur si njeri shpresëplot. Si një që kërkon ndihmë do të klith e prej Teje ndihmë do të kërkoj. Si të kem humbur diçka do të vajtoj para Teje e do të thërras: “Ku je o Mbrojtësi i besimtarëve? O dëshira më e lartë e njohësve dhe ndihmues i atij që ndihmë kërkon! O mik i zemrave të sinqerta, o Zot i botëve!”   


Zoti im! Ti i pastër je nga të metat dhe Ty të lëvdoj! 


A është e mundur të mos jesh Falës, kur ta dëgjosh zërin e një robit tënd musliman, që mbahet në zjarr për shkak të mosbindjes ndaj Teje e që për shkak të mëkatit të vet e shijon dënimin e ferrit dhe atje i burgosur rri? A është e mundur kjo, ndonëse ky rob dënes me sytë e shpresës ngjitur pas mëshirës Sate, duke të thirrur me gjuhën e atyre që një Zot besojnë e duke bërë ndërmjetës hyjësinë Tënde pranë Teje?


Imzot! Si mund të mbetet në dënim, ndërsa ka shpresë për mëshirën që ia ke falur më parë? Dhe si mund ta djegë zjarri ndërsa shpresëplot është për bekimin e për faljen Tënde? E si ta djegë ai zjarr, kur Ti ia dëgjon zërin dhe gjendjen ia sheh? Si ta kaplojnë flakët e ferrit, kur Ti e di brishtësinë e tij? Dhe kur Ti ia di sinqeritetin e drejtësinë, si mund të mbetet mes shtresave të ferrit, duke u përpëlitur? E ndërsa thërret e thotë “Imzot!”, si ta dënojnë vallë ëngjëjt e ferrit? Si mund ta lësh atë në zjarr, kur e djeg dëshira për bekimin e për mirësinë Tënde?


Ti i pastër je nga të metat e për Ty s’mund të mendohet kjo. Këto s’janë gjërat që janë përjcellur për bujarinë Tënde dhe nuk janë gjërat që ngjajnë me të mirat që u fal atyre që një Zot besojnë. 


Unë di, pa pikë dyshimi, se po të mos vendosje që të dënohen mohuesit e të vuajnë përjetë armiqtë e Tu, edhe zjarrin krejt të ftohtë e paqe do ta bëje e askush në të s’kish për të hyrë.


Por Ti që të shenjtë i ke Emrat të tërë! Ti ke premtuar për ta mbushur ferrin me mohuesit nga njerëz e xhinë e për t’i lënë aty përjetë armiqtë.


Dhe Ti, që të lartësuar e ke lavdërimin! Ti ke falur të mira e ke dhënë begati dhe Ti ke thënë se besimtari e zullumqari një nuk janë. 


I Adhuruari dhe Zotëriu Im! Për hir të fuqisë që ke caktuar dhe për hir të përcaktimit që ke vendosur e urdhëruar (e që gjithkënd nënshtron), m’i fal në këtë orë e në këtë natë të gjithë gabimet dhe mëkatet që kam kryer e të gjitha të ligat që mbaj fshehur! M’i fal padituritë që i kam mbuluar pas veprimit ose hapur i kam bërë! M’i fal të gjitha të ligat që ke urdhëruar të shënohen nga ëngjëjt shkrues, ata që i bëre vëzhgues mbi mua, bashkë me ato pjesë të trupit që m’i fale për të m’i ruajtur veprimet. Dhe Ti Vetë u bëre vëzhguesi im e i dëshmove edhe gjërat që për ta fshehur mbetën. Me mëshirën Tënde i mbajte fshehur e me dhuntinë Tënde i mbulove. Tani të kërkoj të ma shtosh hisen nga çdo e mirë që ke zbritur, nga çdo bekim që ke dërguar, nga çdo mirësi që ke përhapur, nga çdo begati që ke shpërndarë, nga mëkatet që ke falur e nga ato gabime që ke mbuluar!     


Imzot, Imzot, Imzot!


I Adhuruari, Zotëriu e i Zoti im! Imzot!


O Ti që mban në dorë qenien time!


O Ti që e di vështirësinë e dëshpërimin tim!


O Ti që ma njeh mjerimin e varfërinë!


Imzot, Imzot, Imzot! 


Për hir të të vërtetës Sate, për hir të cilësisë Tënde më të lartësuar e për hatër të emrave të Tu, Ty po ta shpreh dëshirën:


Ngjalli me përkujtimin (dhikrin) Tënd kohët e mia të ndara në net e në ditë  e më mbaj në shërbimin Tënd!


Pranoji bëmat e mia pranë Teje, aq sa çdo vepër e çdo përkujtim i imi të kthehet në një përkujtim të vetëm, dhe çdo gjendje në shërbimin Tënd të më kalojë! 


Zotëriu im! O Zot ku mbështetem e të cilit hallet ia qaj. Imzot, Imzot, Imzot! 


Ma forco trupin për të të shërbyer, jepi forcë dhe vendosmëri zemrës sime që drejt Teje të kthehem dhe më fal seriozitetit në shërbimin Tënd, që të vrapoj drejt Teje në mejdanet ku garohet për të qenë robi Yt, të gjej vend mes atyre që përpiqen në këtë rrugë e drejt Teje të vij me të shpejtë, që ta kërkoj afërsinë Tënde mes atyre që Ty ta kanë falur zemrën, të të avitem si aviten të sinqertit, të të kem droje si të kanë droje ata që arritën bindjen dhe të bashkohem pranë Teje me besimtarët!


O Allah! Dënoje atë që dëshiron të më bëjë të liga dhe thurri dredhi atij që dredhira më thurr! Më bëj nga ata që kanë një hise pranë Teje, nga ata që pozitën më të afërt e kanë me Ty dhe të madhe afërsinë! Vërtet këto s’arrihen veçse me bekimin e me dhuntitë e Tua.


Për hir të bujarisë Sate ji bujar ndaj meje dhe për hir të madhështisë Sate drejt meje kthehu! Më mbro për hir të mëshirës Tënde dhe mësoma gjuhën të të përmendë! Ma lidh zemrën me dashurinë Tënde dhe më bëj mirënjohës duke i pranuar lutjet e mia! Shpërfilli pakujdesitë e mia, o Zot, dhe m’i fal gabimet! Vërtet Ti ke urdhëruar që robërit të të adhurojnë, Ti urdhërove të të luten dhe e more përsipër pranimin e lutjes. Atëherë Imzot, drejt Teje ktheva fytyrën dhe duart i hapa. Pranoje lutjen time për hir të madhështisë Sate dhe m’i përmbush dëshirat! Mos ma ndërprit shpresën nga bekimet dhe nga mirësitë e Tua e më ruaj nga armiqtë e tu, njerëz a xhinë qofshin! O Ti që shpejt kënaqesh! Asgjë tjetër s’kam veç lutjes, andaj më fal! Vërtet Ti i fuqishëm je për çdo gjë! 


O Ti që derman ke emrin! Shërim është përmendja Jote dhe bindja ndaj Teje begati! Ki mëshirë ndaj meje, që s’kam pasuri veç shpresës e asnjë armë tjetër veç të vajtuarit! 


O Ti që përhap bekimet dhe që vështirësitë dëbon! O Dritë e atyre që janë tmerruar në errësirë! O Ti që di pa mësuar! Mëshiroje Muhammedin dhe Ehl-i Bejtin e tij dhe sillu ndaj meje ashtu si të shkon Ty për shtati! 


Mëshira e Zotit qoftë mbi të Dërguarin e mbi Imamët e shenjtë që vijnë nga soji i tij! Mbi ta qofshin selamet e pafundme të Zotit!


FUND