Zijaret Al-i Jasin (Zijareti i Imam Mehdiut a.s)
dielli.net
23.06.2013

PËRMBAJTJA:
Zijaret Al-i Jasin
Lutja që recitohet pas këtij zijareti 


                               


Fjala “zijarat”, që do të thotë “vizitë”, përdoret në terminologjinë islame dhe në veçanti në terminologjinë shiite, në kontekstin e vizitës së varreve të njerëzve të Zotit, si profetët, Imamët e dëlirë ose evlijatë. E njejta fjalë përdoret edhe për tekstin e recituar në këtë kontekst, ku vizitori i dërgon selame  dhe lutet për personin që gjendet në varr ose i lutet Zotit për hir të pozitës së lartësuar të këtij personi. Në mesin e teksteve të tilla, mbase më i famshmi është zijareti i Ashures, ku i dërgohen selame Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe dëshmorëve të tjerë të Qerbelasë.


Në mesin e zijareteve të shumta që gjenden në traditën shiite, një vend të rëndësishëm zë edhe zijareti i Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të), i njohur edhe si Zijaret Al-i Jasin, me ç’rast fjala Jasin është sinonim i fjalës Muhammed (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe shprehja Al-i Jasin (familja e Jasinit) është e barazvlefshme me Al-i Muhammed (familja e Muhammedit).


Ky zijaret është theksuar nga dijetarët dhe gnostikët e rrugës së Ehl-i Bejtit, të cilët i japin një rëndësi të madhe marrëdhënies së besimtarit me Imamin e kohës, që është dëshmia e Zotit (huxh’xhe) dhe mëkëmbës i Zotit mbi tokë (halifetullah). Siç theksohet edhe në një hadith shumë të famshëm, të përcjellur edhe në burimet sunnite, Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: Ai që vdes pa e njohur Imamin e kohës së tij, vdes si në kohën e Injorancës (xhahilijetit). Ajo që theksohet në hadithet e tilla, është pikërisht njohja dhe afërsia shpirtërore me Imamin.


Zijareti “Al-i Jasin”, përveç që është një shprehje e dashurisë dhe e bindjes ndaj Imamit të kohës, përmban në vete edhe një përsëritje të principeve kryesore të besimit islam. Ndonëse mund të recitohet në çdo vend e në çdo kohë, është e pëlqyeshme që ky zijaret të recitohet çdo javë, në natën para ditës së premte dhe më 15 Sha′ban, kur është ditëlindja e Imam Mehdiut (a.s).  


 Teksti në vijim është përkthimi në shqip i këtij zijareti. Duam të theksojmë se fjala arabe “Meula”, e cila në disa tekste përkthehet si “zotëri”, këtu është përkthyer me fjalën shqipe imzot, duke e patur parasysh kuptimin e vjetëruar të kësaj fjale, të cilin Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (botim i vitit 2006, fq.404) e përcjell si vijon: emër me të cilin shërbyesi e thërriste të zotin. Në këtë kuptim është përdorur kjo fjala edhe në tekstin në vijim. 


Libraria Dielli
www.dielli.net


 


 


Zijaret Al-i Jasin
(Zijareti i Imam Mehdiut a.s)
 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! 


Paqja qoftë mbi familjen e Jasinit (Al-i Jasin)!
Paqja qoftë mbi ty o thirrës në rrugë të Zotit dhe pasqyrë e shenjave të Tija!
Paqja qoftë mbi ty o derë e mëshirës dhe mbrojtës i fesë së Tij!
Paqja qoftë mbi ty o mëkëmbës i Zotit dhe ndihmues i të Vërtetës!
Paqja qoftë mbi ty o dëshmi e Zotit dhe shenjë e vullnetit të Tij!
Paqja qoftë mbi ty, që lexon Librin e Zotit dhe e shkoqit!
Paqja qoftë mbi ty në orët e natës e në ditë!
Paqja qoftë mbi ty o dëshmi e mbrame e Zotit mbi tokë!
Paqja qoftë mbi ty o zotim që Ai mori dhe forcoi!
Paqja qoftë mbi ty o besë që Zoti dha!
Paqja qoftë mbi ty o flamur i ngritur,
o dije e falur,
o strehë e njerëzisë
ti që je mëshirë e gjerë
dhe premtim i sigurt i Perëndisë! 


Paqja qoftë mbi ty kur ngrihesh e kur rri ulur!
Paqja qoftë mbi ty kur lexon Kur’an e shkoqit!
Paqja qoftë mbi ty kur fal namazin e mban kunute!
Paqja qoftë mbi ty kur bën ruku e në sexhde kur je!
Paqja qoftë mbi ty kur thua “s’ka zot tjetër veç Zotit” e kur tekbirin shqipton!
Paqja qoftë mbi ty kur lëvdon Zotin e mëshirë kërkon!
Paqja qoftë mbi ty kur gdhihesh e kur mbrëmja të gjen!
Paqja qoftë mbi ty në terr të natës e kur dita shkëlqen!
Paqja qoftë mbi ty o Imam, që ngjall besim tek ne!
Mbi ty qoftë paqja përherë, o Prijës e burim shprese!
Paqja qoftë mbi ty në çdo kuptim!  


Imzot! Ti bëhu dëshmitari im!
Unë dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Zotit, Ai është Një e s’ka të ngjashëm!
Dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij!
Veç Muhammedit e Ehl-i Bejtit të tij, të dashur tjetër s’kam... 


Ji dëshmitar Imzot!
Unë dëshmoj se Prijësi i besimtarëve Aliu është dëshmi e Zotit
Dëshmoj se Hasani e Husejni dëshmi të Zotit janë
Dhe Ali ibn Husejni është dëshmi e Zotit
Dhe Muhammed ibn Aliu
Dhe Xhafer ibn Muhammedi
Dhe Musa ibn Xhaferi
Dhe Ali ibn Musa
Dhe Muhammed ibn Aliu
Dhe Ali ibn Muhammedi
Dhe Hasan ibn Aliu!
Dhe dëshmoj se ti dëshmi e Zotit je!
Ju jeni të parët e të mbramit!
Dhe s’ka dyshim se i vërtetë është kthimi
në atë ditë ku mbaron sprova, e ku besimi s’ka dobi
në s’ke besuar më parë... 


Dhe dëshmoj se vdekja është e vërtetë
Të vërtetë janë nekiri dhe munkeri
E vërtetë është ngritja nga varri
ringjallja e vërtetë.
I vërtetë sirati
vendvëzhgimi i vërtetë
e vërtetë edhe peshorja!


Dëshmoj se e vërtetë është dita e mbledhjes
E vërteta dhënia e llogarisë
Dhe parajsa e ferri të vërteta janë
I vërtetë është sihariqi i parajsës
Dhe kërcënimi me zjarrin, i vërtetë! 


Imzot!
I shkatërruar është kush ju kundërvihet
I lumtur ai që juve ju bindet
Atëherë ji dëshmitar i asaj, për të cilën dëshminë ta kërkova!
Unë jam miku yt dhe nga armiqtë e tu jam larg.
E drejtë është ajo, me të cilin ju të kënaqur jeni
Vepër e mirë është ajo që urdhëroni
E ligë ajo që ju ndaloni.


Imzot!
Unë e kam besuar Zotin që është një e s’ka të ngjashëm
E kam besuar të Dërguarin e Tij,
Prijësin e Besimtarëve
dhe ju kam besuar juve të gjithë
që nga i pari tek i mbrami.
Për ju të gatshme e kam ndihmën,
e të pastër dashurinë.


Pranoje o Zot i botëve!


  

Lutja që recitohet pas këtij zijareti 


Zoti im! Mëshirojë Muhammedin që është lajmëtar i mëshirës e fjalë e dritës Sate! Ma mbush zemrën me bindje, ma bëj mendjen të palëkundur, fali dituri vullnetit tim, mbushe fuqinë time me vepra, gjuhën me drejtësi, fenë time me zgjuarësi nga ana Jote, syrin tim me dritë, veshin me urtësi dhe shpirtin tim me dashuri për Muhammedin e për familjen e tij dhe me dritën e Velajetit, që kur të kthehem tek Ti, ta kem mbajtur premtimin e zotimin që kam bërë e të më kaplojë mëshira Jote!


Zoti im! Mëshirojë me mëshirën tënde të veçantë Muhammedin, djalin e Hasanit, atë që është dëshmi në tokën Tënde, mëkëmbësi Yt në vendbanime, që është thirrës në rrugën Tënde e ftues i popullit nën urdhrin Tënd! Mëshiroje atë që është prijës i besimtarëve e shkatërrues i mohuesve! Mëshiroje atë që e ndrit errësirën e që të vërtetën shpall, atë që flet me urtësi e me fjalë të drejta dhe që është fjala Jote mbi tokë! Mëshiroje atë që me droje pret urdhrin Tënd, atë prijës zemërbutë, atë anije të shpëtimit e shenjë të udhëzimit! Mëshiroje atë që është dritë e syve të njerëzisë e bartës i këmishës së Imamatit! Atë që u jep fund pikëllimeve e që do ta mbushë botën me drejtësi, pasi të jetë mbushur me mizori më parë! Vërtet Ti je i fuqishëm për çdo gjë. 


Zoti im! Paqja jote qoftë mbi atë Mik tëndin, që vjen nga soji i Miqve të Tu, bindjen ndaj të cilëve Ti ke bërë detyrim. Dhe Ti ke bërë detyrim nderimin e të drejtës së tyre, Ti ke larguar prej tyre çdo njollë e të dëlirë i ke bërë. Zoti im! Ndihmoje atë, ndihmoje fenë tënde nëpërmjet atij dhe prapë nëpërmjet atij ndihmoji miqtë, ndjekësit e ndihmësit e tij! Edhe neve nga ndihmësit e tij na bëj! 


Zoti im! Mbroje atë nga e liga e çdo mizori dhe e çdo krijese tëndes! Mbroje atë nga para e nga pas, nga e majtë e nga e djathtë! Ruaje atë e mos lejo të ligat ta arrijnë! Zoti im! Nëpërmjet tij ruaje të Dërguarin tënd e familjen e tij! Nëpërmjet tij shfaqe drejtësinë Tënde dhe me ndihmën Tënde ndihmoje! Ndihmoje atë që e ndihmon e lëri të pandihmë ata, që atij ndihmën ia mohojnë! Nëpërmjet tij shkatërroi krerët e mohimit dhe mohuesit e hipokritët në lindje e në perëndim, në tokë e nëpër dete! Nëpërmjet tij mbushe tokën me drejtësi dhe shfaqe të qartë fenë e të Dërguarit tënd! 


Zoti im! Më bëj nga ndihmësit, nga ndjekësit e nga përkrahësit e Tij! Më bëj ta shoh atë që pret Ehl-i Bejti i Muhammedit e të cilës armiqtë e tyre i druhen! O i Zoti i Madhështisë e Bujarisë dhe më i Mëshirshmi i mëshiruesve! Pranoje lutjen time!



 FUND