Dyzet thënie nga Imam Muhammed Bakiri (a.s)
dielli.net
24.04.2013

1.Kushdo që shkon pranë një sundimtari, i urdhëron ta ketë droje Zotin dhe e këshillon atë, do ta fitojë shpërblimin e të gjithë njerëzve dhe xhinnëve.


2. Islami mbështetet në pesë themele: namazin, zeqatin, haxhin, agjërimin e Ramazanit dhe velajetin (prijësinë) e Ehl-i Bejtit. Për heqjen dorë (në raste të caktuara) nga katër të parat është treguar mirëkuptim, por jo edhe për velajetin tonë. Kush nuk ka pasuri, nuk është i detyruar të paguajë zeqat ose të shkojë në haxh, ndërsa ai që është i sëmurë mund ta falë namazin ulur dhe mund të mos agjërojë. Por velajeti ynë është një detyrim për të gjithë, qofshin të shëndetshëm a të sëmurë, të varfër ose të pasur.


3. Profetit Shuajb (paqja qoftë mbi të) Zoti i shpalli: Unë do të dënoj njëqind mijë vetë nga fisi yt. Dyzet mijë prej tyre janë të ligë, ndërsa gjashtëdhjetë mijë janë të mirë. Shuajbi tha: Zoti im! Këta dyzet mijë janë të ligë. Por ç’faj kanë të mirët? Zoti u përgjigj: Ata u bënin dallkaukllëk të ligëve dhe nuk zemëroheshin me ta për shkak të zemërimit Tim.     


4. Maja e të gjitha punëve, pika e tyre kulmore, çelësi i tyre, dera e tyre dhe gjëja që shkakton kënaqësinë e Zotit është bindja ndaj Imamit pasi ta kesh njohur atë. Një njeri që bën adhurim natën, që agjëron ditën, që e harxhon gjithë pasurinë në rrugë të Zotit dhe që çdo vit të jetës së tij shkon në haxh, nuk ka për të fituar kurrfarë shpërblimi e madje nuk ka për t’u quajtur nga besimtarët pranë Zotit, nëse nuk beson në velajetin e një të zgjedhuri të Zotit, të cilin e ndjek dhe sipas udhëzimeve të të cilit vepron.


5. Dije se nuk duhet të mërzitesh vetëm ngase populli i vendit tënd të thotë se je një njeri i ligë. Por edhe mos u gëzo nëse të thonë se je i mirë. Nuk mund të jesh një mik i yni pa i arritur këto dy gjëra. Ti duhet ta vlerësosh veten sipas Librit të Zotit. Nëse shkon rrugës së tij, nëse e nënçmon atë që nënçmon ai, nëse e do atë që Libri të thotë ta duash dhe nëse e ke droje atë, të cilin ai të thotë ta kesh droje, atëherë duro dhe jepi sihariqe vetes se fjalët (e liga) që thuhen për ty s’kanë për të të sjellë kurrfarë dëmi.


6. Sulejman bin Halidi përcjell:


 Një ditë Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) më tha: A do të të tregoj ç’është rrënja, ç’është dega e ç’është maja e Islamit? Pas pak, vijoi: Rrënja e Islamit është namazi, dega e tij është zeqati dhe kulmi i tij është xhihadi. Më pas tha sërish: Nëse do, t’i them edhe dyert e të mirës. “T’u bëfsha kurban”,  iu përgjigja unë, “m’i thuaj!” Ai vazhdoi: Agjërimi, që është një mburojë kundër zjarrit;  sadakaja, që i shkatërron gabimet (mëkatet); dhe të ngriturit në mesnatë për ta përkujtuar Zotin.  


7. Kushdo që e lodh veten duke bërë adhurim pa patur një Imam e një prijës nga Zoti, e ka të kotë përpjekjen. Ai është i devijuar dhe i humbur. Zoti nuk i pëlqen veprimet e tija dhe ai endet si një dele që e ka humbur bariun dhe tufën e tij. Shëtit gjithë ditën si i humbur dhe pastaj në mbrëmje gjen një kope të huaj, me të cilën e kalon natën. Kur bëhet mëngjes, bariu i kopesë e përzë duke i thënë: Shko te bariu e te kopeja jote, ti paske humbur edhe bariun edhe kopenë. Pastaj ky përsëri fillon të endet andej e këtej, në huti e në frikë. Dhe ngase s’ka njeri për ta udhëzuar drejt bariut të tij, ai bëhet një dhuratë për ujkun që e ha më në fund. Dije se kushdo që gdhihet pa patur një Imam të drejtë të caktuar nga Zoti, është gdhirë në devijim e në huti. Nëse vdes në këtë gjendje, vdes si një mohues e jobesimtar.


8. Kushdo që do për hir të Zotit, armiqësohet për hir të Zotit dhe jep për hir të Zotit, bëhet nga njerëzit me besim të përsosur.


9. O Xhabir! A thua mjafton për një ndjekës tonin që thjesht të thotë se ka dashuri ndaj neve? Për Zotin, ndjekësit tanë janë të druajtur para Zotit dhe i binden Atij e askujt tjetër. Ndjekësit tanë njihen për thjeshtësinë e tyre, ata i druhen Zotit, e ruajnë amanetin, e përmendin Zotin shumë, agjërojnë, falin namazin, i bëjnë mirë nënës e babait, ndjehen përgjegjës për fqinjët e varfër, për njerëzit e fundosur në borxhe e për jetimët, flasin drejt, e lexojnë Kur’anin dhe nuk thonë për të tjerët veçse fjalë të mira. Në mesin e popujve të tyre, ata janë njerëz që njihen si të besueshëm.


10. Kur një besimtar është i lumtur, lumturia e tij nuk e çon drejt mëkatit dhe gjërave të ndaluara. Kur është i zemëruar, zemërimi nuk e pengon nga të thënit e të vërtetës. Dhe kur është i fuqishëm, fuqia e tij nuk e çon ta marrë atë që nuk është e drejtë e tija.


11. Çdo rob i Zotit ka një pikë të bardhë në zemër. Kur kryen një mëkat,  një pikë e zezë shfaqet brenda kësaj pike. Nëse vazhdon me mëkatet, e zeza rritet gjithë kohës dhe e mbulon të bardhën. Kur e bardha të jetë mbuluar krejtësisht, i zoti i kësaj zemre kurrë më nuk kthehet drejt të mirës. Këtë e thotë Zoti edhe në Kur’an: Por jo, bëmat e tyre u janë bërë ndryshk mbi zemra...(Kur’an 83:14)


12. Nëse një njeri fiton pasuri në mënyrë të ndaluar, atij s’i pranohet haxhi, umreja e as mirësia ndaj të afërmve.


13. Përsosmëria s’është tjetër veçse të fitosh njohuri të thella mbi fenë, të durosh përballë vështirësive dhe të shpenzosh me maturi.


14. Tri gjëra janë nga bukuritë e kësaj bote dhe të botës tjetër: falja e atij që të bën padrejtësi, afrimi me atë që i ka ndërprerë marrëdhëniet me ty dhe të qenit i butë e i matur me atë që vepron me padituri.


15. Përcillet se Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) tha: Ai që rebelohet kundër Zotit, nuk e ka njohur Atë. Pastaj i recitoi vargjet në vijim:


Thua e do Zotin, e ngrihesh kundër Tij


Për shpirtin tënd betohem, kjo punë është çudi


I bindur do të ishe po ta doje vërtet


Se nga fjalë e t’Dashurit s’luan i dashuruari.


 


16. Një dijetar, prej diturisë të të cilit përfitojnë njerëzit, është më i lartësuar se shtatëdhjetë mijë adhurues.


17. Të këshilloj për pesë gjëra: mos bëj zullum kur të tjerët të të bëjnë, mos tradhëto kur të të tradhëtojnë, mos u zemëro nëse të quajnë gënjeshtar, mos u gëzo kur të të lëvdojnë dhe mos e humb durimin kur të të qortojnë! Mendo mirë për gjërat (e liga) që të tjerët i thonë për ty! Nëse i gjen tek vetja ato që thuhen, dije se humbja e kënaqësisë së Zotit kur të zemërohesh me një fjalë të vërtetë, është më keq se humbja e namit të mirë që ke mes njerëzve. Dhe nëse kanë thënë për ty një të ligë që nuk gjendet tek ti, dije se ke fituar shpërblim pranë Zoti fare pa mundim.


18. Zoti ua jep këtë botë atyre që i do, por edhe atyre që nuk i do. Por fenë ua jep vetëm robërve të dashur të Tij.


19. Rri larg armiqësive, sepse armiqësia e prish zemrën dhe shkakton përçarje.


20. Turp të kesh o njeri! Ti vjedhës je, edhe atë vjedhës mëkatesh. Kur sheh një gjë që ta zgjon epshin e kur gjen një mjedis të përshtatshëm për mëkate, menjëherë vrapon drejt tij krejt i paditur. Thua se Zoti nuk të sheh fare! O kërkues i parajsës! Zoti të dhëntë të mira në këtë gjendje ku je! O ti që do t’i ikësh ferrit! Përse e nget kafshën tënde drejt tij? Sa shumë që përpiqesh për gjërat që kanë për të të çuar në zjarr! Pa shihi njëherë këta varre të rradhitur para shtëpive! Sa afër janë rradhët e varret me njëri-tjetrin, e sa larg vendet ku kanë arritur (ferri dhe parajsa). Ata ndërtuan e shkatërruan, ata u ngrohën e u frikësuan, ata u vendosën e u përzunë, ata jetuan e pastaj ikën...


21. Ruaju nga shtyerja e punëve (duke thënë se ke për t’i kryer më vonë), sepse ata që u shkatërruan, mu në këtë det ishin të fundosur. Rri larg pakujdesisë sepse kjo e ngurtëson zemrën. Mos u bëj përtac në veprimet, për moskryerjen e të cilave s’ke arsyetim. Ky është veprimi i atyre që pendohen më pas. Kthehu nga mëkatet e të kaluarës me shumë keqardhje dhe me pendim të plotë! Pastaj, me një kthim të bukur drejtohu kah mëshira dhe falja e Zotit! Dhe për një kthim të bukur, kërko ndihmë nga Zoti me lutje e me përgjërime në errësirën e natës! Arrije pozitën e falënderimit të madh, duke e quajtur të shumtë begatinë e paktë që ke dhe duke e quajtur të paktë bindjen tënde të shumtë! Rrite begatinë tënde duke qenë mirënjohës dhe kapu fort për falënderimin e mirënjohjen, me frikën se mund ta humbësh begatinë tënde! Kërkoje nderin e përjetshëm, duke e mbytur lakminë brenda teje dhe largoje nga vetja turpin e lakmisë, me nderin që ta fal mospasja shpresë e kërkesë nga njerëzit. Duke e pakësuar dëshirën, mblidh nga kjo botë begati për botën e përtejme! Teksa ke ende mundësi, ngutu për ta arritur qëllimin! Dije se s’ka mundësi më të mirë se shëndeti i trupit dhe koha e lirë! Ki kujdes të mos mbështetesh në njerëzit e pabesueshëm, sepse njësoj siç është buka shprehi, edhe të ligat shprehi mund të bëhen.


22. Nuk do të vdesë pa u dënuar për to, ai që kryen padrejtësi, ai që e ndërpret të mirën ndaj të afërmve dhe ai që bën betim të gënjeshtërt. Bindja, shpërblimi i të cilës vjen më shpejt, është mirësia ndaj të afërmve. Ka njerëz që janë të devijuar e mëkatarë, por pasuria dhe mirësia u shtohet ngase e duan njëri-tjetrin dhe njëri-tjetrit i bëjnë mirësi. Betimet e rreme dhe ndërprerja e mirësisë ndaj të afërmve i kthejnë vendbanimet në rrënoja.


23. Kushdo që flet të vërtetën, të pastër e ka veprimin...Kujtdo që e ka të pastër qëllimin, do t’i shtohet begatia... Atij që sillet mirë me familjen, do t’i shtohet jeta.


24. Kurrë mos ji përtac dhe i padurueshëm, sepse këta janë çelësat e çdo të lige. Ai që është përtac, s’mund ta sjellë në vend asnjë punë dhe ai që është i padurueshëm, nuk shfaq dot durim kur përballet me gjërat.


25. Thjeshtësi (modesti) do të thotë të pranosh të ulesh në një pozitë që është më poshtë se ajo që meriton, ta përshëndesësh gjithkënd dhe të tërhiqesh nga zënkat edhe sikur të kesh të drejtë.


26. Besimtari është vëlla i besimtarit. Besimtari nuk e shan të vëllain, nuk e largon atë nga mirësitë dhe nuk mendon të liga për të.


27. Mirësia ndaj të afërmve i pastron veprimet, e shton pasurinë, e largon fatkeqësinë, e lehtëson llogarinë dhe e shton jetën.


28. Thuajani popullit fjalën që më së shumti do të kishit dëshirë ta dëgjoni prej tyre! Zoti nuk i do ata që mallkojnë, shajnë, thonë fjalë fyese e të liga dhe që me ngulm kërkojnë diçka prej të tjerëve. Ai i do njerëzit e ndershëm, që janë të turpshëm, të pjekur dhe që ruhen nga gjërat e liga.


29. Sjellja e bukur dhe fytyra e buzëqeshur, përveç që krijojnë dashuri tek njerëzit, janë një mjet për ta afruar njeriun me Zotin. Ndërsa ai që është i ngrysur e i vrenjtur, përveç që krijon urrejtje te njerëzit, edhe nga Zoti i larguar do të jetë.


30. Zoti i Madhëruar i ka fshehur tri gjëra brenda tri të tjerave:


- kënaqësinë e Tij e ka fshehur tek bindja. Andaj mos e nënçmoni asnjë urdhër të Tij, sepse kënaqësia e Tij mund të jetë e fshehur në të.


- zemërimin e Tij e ka fshehur tek mëkatet. Andaj mos e quani të vogël asnjë mëkat, sepse zemërimi i Zotit mund të jetë fshehur në të.


- miqtë e Tij i ka fshehur në mesin e njerëzve. Andaj mos e poshtëroni askënd, sepse ai mund të jetë një mik i Zotit (velijullah).


31. Konsideroje këtë botë si një vend ku do të qëndrosh një orë e do të largohesh më pas, ose si një pasuri që e sheh në ëndërr dhe që e humb kur zgjohesh. Ta them këtë shembull që të mendosh me udhëzimin e Zotit e të veprosh sipas tij.


32. Tri gjëra janë shkatërrimtare për njeriun: kur i sheh si të mëdha bëmat e tija, kur i harron mëkatet dhe kur e pëlqen së tepërmi mendimin e vet.


33. Të jesh nevojtar nga një njeri që është pasuruar para pak kohësh, është si ta kërkosh floririn në gojën e gjarpërit. Edhe nevojtar je por edhe në rrezik.


34. Zoti e ka bërë të rëndë kryerjen e një vepre të mirë. Por edhe në ditën e gjykimit, vepra e mirë do të rëndojë në peshoren e bëmave. Përkundër kësaj, veprën e ligë e ka bërë të lehtë, sepse edhe në ditën e gjykimit, e lehtë do të jetë në peshoren e bëmave.


35. O Xhabir! Që ta shprehësh mirënjohjen për begatinë që Zoti ta ka falur, konsiderojë të shumtë edhe begatinë e paktë. Që të mund t’i shohësh turpet e unit tënd dhe të mund ta fitosh faljen e Zotit, shihe të paktë bindjen dhe adhurimin tënd! Nëpërmjet diturisë tënde, largoje të ligën, kur të përballesh me të! Dhe përdore diturinë për vepra të mira, ndërsa veprat e mira fitoji nëpërmjet drojes së vërtetë (nga Zoti). Kënaqu me pasurinë tënde dhe rri larg mburrjes. Ndiqe mendjen dhe ruaje kështu veten nga rreziqet e dëshirave! Kur t’i mundësh dëshirat e unit tënd, kontrolloje veten me udhëzimin e diturisë. Veprat e mira lëri të mbeten për ditën e shpërblimit. Përpiqu të jesh i kënaqur, duke qëndruar larg epsheve! Duke zgjedhur gjendjen e njeriut të kënaqur, largoje nga vetja epshin e tepërt! Shijoje jetën e asketit, duke i pakësuar dëshirat dhe thaje rrënjën e lakmisë duke i prerë shpresat që ke nga njerëzit. Njihe unin (nefsin) tënd, që ta ndërpresësh rrugën e egoizmit! Duke ia dorëzuar Zotit punët tuaja, arrije paqen shpirtërore! Qetësinë trupore kërkoje në paqen e shpirtit dhe duke bërë sa më pak gabime, arrije qetësinë e zemrës! Bëhu zemërbutë dhe përkujtoje Zotin sa më shumë!


36. Parajsa është e rrethuar nga vështirësitë dhe nga durimi. Andaj, kushdo që duron përballë vështirësive në këtë botë, do të hyjë në parajsë. Ferri është i rrethuar nga kënaqësitë dhe epshet. Kushdo që ia fal vetes çdo kënaqësi e çdo epsh që dëshiron, në zjarr të ferrit do të hyjë.


37. Vërtet gjuha është çelësi i çdo të mirë dhe i çdo të lige. Njësoj siç e vë nën dry arin dhe argjendin e tij, besimtari duhet ta vendosë nën dry edhe gjuhën. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Zoti e mëshiroftë besimtarin që e ruan gjuhën e tij nga gjithçka! Vërtet ky veprim është një sadaka që ai ka dhënë për veten e tij. Askush nuk mund të shpëtojë nga mëkatet pa e ruajtur gjuhën e tij.


38. Kushdo që u mëson njerëzve një rrugë udhëzimi, ka për të fituar aq shpërblim sa ata që veprojnë në këtë rrugë, pa u pakësuar shpërblimi i këtyre të fundit. Dhe kushdo që u mëson njerëzve një rrugë devijimi, ka për të fituar aq mëkate sa ata që veprojnë në këtë rrugë, pa u pakësuar mëkati i këtyre të fundit.


39. Zoti i Madhëruar ka krijuar dryrë për të mirat e për të ligat, ndërsa verën (alkoolin) e ka bërë një çelës të tyre. Por gënjeshtra është edhe më e keqe se vera.


40. Sikur ai që kërkon një gjë nga tjetri, të dinte se sa gjë e keqe është të kërkosh, askush s’do t’i kërkonte një gjë tjetrit. Dhe sikur ai, prej të cilit kërkohet një gjë, të dinte sa keq është të mos japësh, askush nuk do ta refuzonte kërkesën e tjetrit.


  


1: Bihar’ul-Enver, vëll.75, fq.375
2: Vesail’ush-Shia, vëll.1, fq.14
3: Mishkat’ul-Enver, fq.51
4: Vesail’ush-Shia, vëll.1, fq.91
5: Tuhef’ul-Ukul, fq.577
6: Usul el-Kafi, vëll.2, fq. 23
7: Usul el-Kafi, vëll.1, fq.375
8: Usul el-Kafi, vëll.2, fq.124
9: Usul el-Kafi, vëll.2, fq.74
10: Usul el-Kafi, vëll.2, fq.234
11: Bihar’ul-Enver, vëll.73, fq.332
12: Bihar’ul-Enver, vëll.99, fq.125
13: Tuhef’ul-Ukul, fq.597
14: Tuhef’ul-Ukul fq.599
15: Tuhef’ul-Ukul fq.601
16: Tuhef’ul-Ukul fq.601
17: Tuhef’ul-Ukul fq.577
18: Tuhef’ul-Ukul fq.611
19: Eimmetuna, vëll.1, fq.365; përcjellur nga Hiljet’ul-Evlija
20: Tuhef’ul-Ukul fq. 595
21: Tuhef’ul-Ukul fq.581
22: Tuhef’ul-Ukul fq.601
23: Tuhef’ul-Ukul fq.603
24: Tuhef’ul-Ukul fq.603
25: Tuhef’ul-Ukul fq.605
26: Tuhef’ul-Ukul fq.605
27: Tuhef’ul-Ukul fq.611, hadithi nr.43
28: Tuhef’ul-Ukul fq.613
29: Tuhef’ul-Ukul fq.607, hadithi nr.43
30: Bihar’ul-Enver, vël..78, fq.188
31: Tuhef’ul-Ukul fq.583
32: El-Hisal, vëll.1, fq.112
33: Tuhef’ul-Ukul fq.601
35: Tuhef’ul-Ukul fq.579
36: Usul el-Kafi, vëll.2, fq.89
37: Tuhef’ul-Ukul fq.609
38: Tuhef’ul-Ukul fq.607
39: Bihar’ul-Enver, vëll.72, fq.237
40: Tuhef’ul-Ukul fq.513