Krijimi dhe realiteti i Muhammedit (s.a.v): hadithe të zgjedhura
© dielli.net
24.01.2013

PËRMBAJTJA:
Hadithi i parë
Hadithi i dytë
Hadithi i tretë
Hadithi i katërt
Hadithi i pestë 


Hadithi i parë


 Përcillet se Husejn ibn Abdullahu e pyeti Imam Xhaferin (paqja qoftë mbi të): A ishte i Dërguari i Zotit, zotëri i gjithë bijve të Ademit? Imami u përgjigj: Për Zotin, ai ishte zotëriu i  gjithçkaje që ka krijuar Zoti. Zoti nuk ka krijuar ndonjë qenie më të mirë se Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).


 (nga Usul el-Kafi, Libri mbi dëshmitë e Zotit, kapitulli 111, hadithi nr.1) 


  Hadithi i dytë


 Përcillet se një ditë Xhabir ibn Abdullahu e pyeti të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) se ç’ishte gjëja e parë që Zoti kishte krijuar. Ai ia ktheu:


Është drita e Profetit tënd o Xhabir! Zoti e krijoi atë, pastaj krijoi prej saj çdo të mirë dhe e bëri të qëndrojë në Afërsi të Zotit, aq pranë sa donte Ai. Pastaj e ndau atë në pjesë e nga një pjesë e bëri Arshin, nga një tjetër Kursinë e nga një pjesë tjetër i bëri mbajtësit e të dyjave. Pastaj pjesën e katërt e vendosi në pozitën e Dashurisë, po aq sa deshi Ai. Pastaj edhe këtë e ndau në pjesë. Prej njërës e bëri Pendën (kalem), prej njërës Tabelën (Levh) dhe prej njërës Parajsën.


Ndërsa pjesën e katërt e vendosi, ashtu si deshi, në pozitën e Frikës, dhe pastaj e ndau në pjesë. Nga një pjesë i bëri ëngjëjt, nga një pjesë diellin e nga një pjesë hënën, ndërsa pjesën e katërt e vendosi në pozitën e Shpresës, ashtu si deshi. Pastaj edhe atë e ndau në pjesë. Prej njërës krijoi mendjen, prej të dytës diturinë e butësinë dhe prej të tretës mbrojtjen hyjnore. Pastaj pjesën e katërt e vendosi në pozitën e modestisë, ashtu si deshi Ai. Pastaj e vështroi atë me syrin e Madhështisë dhe drita filloi të derdhej, derisa ranë njëqind e njëzet e katër mijë pika prej saj. Prej secilës prej tyre, Zoti e krijoi shpirtin e një profeti a një të dërguari. Pastaj shpirtrat e tyre nisën të merrnin frymë. Zoti i Madhëruar, nga fryma e tyre i krijoi shpirtrat e eviljave, dëshmorëve dhe të të virtytshmive. 


(nga përmbledhja Bihar’ul-Enver, siç përcillet në tefsirin El-Mizan, komentimi i vargjeve 30-33; hadithe me përmbajtje të ngjashme përcillen tek Musnedi i Ibn Hanbelit; vëll.4, fq.127; Mustedreku i Hakim el-Nishapuriut, vëll.2, fq.600 dhe Mevahibu’l Ledunijje e Kastelaniut, vëll.1, fq.6)


  


Hadithi i tretë


 Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) përcjell nëpërmjet paraardhësve të tij prej Imam Aliut:


I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) tha:


Zoti nuk ka krijuar një njeri më të lartësuar se unë dhe as nuk i ka falur ndonjë krijese të Tij më shumë bekime se mua. 


Unë e pyeta të Dërguarin: A është Xhebraili më i lartësuar se ti?


Ai u përgjigj: O Ali! Zoti i ka vendosur profetët e Tij në një pozitë mbi ëngjëjt e afruar, ndërsa mua më ka ngritur mbi të gjithë profetët. O Ali! Pas meje, kjo pozitë e lartësuar të takon ty dhe Imamëve që do të vijnë nga gjaku yt. O Ali! Ëngjëjt janë shërbetorët tanë e të atyre që na duan neve. O Ali! Të gjithë ëngjëjt, që e bartin Arshin e që rreth tij e madhërojnë Zotin e tyre, luten për faljen e atyre që e kanë pranuar Velajetin tonë.


O Ali! Po të mos ishim ne, Zoti s’do ta krijonte as Ademin, as Havvanë, as parajsën, as ferrin, as qiejt dhe as tokën. Si është e mundur që ne të mos jemi sipër ëngjëjve? Ne u kemi paraprirë atyre në virtytin e njohjes së Zotit, të madhërimit e Tij dhe të të dëshmuarit të njëshmërisë së Tij. Kjo ngase gjëja e parë që ka krijuar Zoti janë shpirtrat tanë. Pasi i krijoi shpirtrat tanë, Ai i bëri ta dëshmonin  njëshmërinë e Tij e ta lëvdonin Atë. Veç pas kësaj i krijoi ëngjëjt. Kur ëngjëjt i panë dritat tona si një dritë të vetme, na nderuan neve.


Pas kësaj, ne e madhëruam Zotin, që ëngjëjt të kuptonin se ne ishim krijesa dhe se Zoti është përtej cilësive tona. Kështu, edhe ëngjëjt filluan ta madhëronin Zotin dhe ta konsideronin atë përtej cilësive tona.


Kur ëngëjt e panë madhështinë tonë, ne dëshmuam se nuk ka zot tjetër veç Zotit, që edhe ëngjëjt ta kuptonin këtë, të kuptonin se ne ishim vetëm robër të Tij dhe se nuk ishim ndonjë krijesë që duhet adhuruar, qoftë bashkë me Zotin ose pa Të. Pas kësaj, ëngjëjt thanë “la ilahe il’lallah” (s’ka zot tjetër veç Zotit).


Kur ëngjëjt e panë pozitën tonë të lartësuar, ne dëshmuam për madhështinë e Zotit, që ëngjëjt të kuptonin se madhështia u falej krijesave të tjera vetëm nëpërmjet Zotit.


Kur ëngjëjt panë vlerën dhe fuqinë që na e fali Zoti, ne thamë “la havle ve la kuvvete il’la bil’lah”(s’ka fuqi e forcë veçse prej Zotit), që ëngjëjt të kuptonin se ne nuk kishim kurrfarë fuqie tjetër, përveç asaj që na kishte falur Zoti.


Kur ëngjëjt i panë bekimet që na i fali Zoti dhe faktin se bindjen ndaj neve e bëri të detyrueshme, ne thamë “elhamdulil’lah” (lëvdatat janë për Zotin), që ëngjëjt të kuptonin se detyrimi ynë përballë bekimeve të Zotit është që ta lëvdojmë Atë. Pas kësaj, edhe ëngjëjt thanë “elhamdulil’lah”.


 Dije se nëpërmjet neve, ëngjëjt e mësuan njëshmërinë e Zotit e madhërimin e Tij, mësuan se nuk ka zot tjetër veç Tij, dhe mësuan se Ai i meriton të gjitha lëvdatat. Më pas, Zoti i Madhëruar e krijoi Ademin, neve na vendosi në gjakun e tij dhe u urdhëroi ëngjëjve t’i bënin sexhde Ademit, vetëm për të na nderuar neve. Sexhdeja e ëngjëjve para Zotit është ngase janë robër të Zotit, por sexhdeja e tyre para Ademit  është për ta nderuar madhështinë tonë e për të na shprehur bindje neve, që ishim vendosur në gjakun e Ademit. Atëherë si mund të mos jemi më të lartësuar se ëngjëjt? Ata të gjithë ranë në sexhde para Ademit.


Kur u ngrita në Miraxh, Xhebraili e thirri ezanin dhe ikametin, duke e përsëritur çdo varg nga dy herë, e pastaj më tha: “Dil përpara o Muhammed!” Unë i thashë: “A të dal para teje o Xhebrail?” Ai u përgjigj: “Po, sepse Zoti i ka bërë të gjithë profetët më të lartësuar se ëngjëjt. Por ty në veçanti.”Unë dola para tyre dhe i udhëhoqa në namaz. Por nuk mburrem me këtë gjë.


 Pastaj vazhduam të ngjitemi edhe më lartë dhe arritëm tek perdet e dritës. Kur erdhëm aty, Xhebraili më tha: “O Muhammed! Vazhdo përpara dhe largohu prej meje!” Unë i thashë: “O Xhebrail! A ndahesh prej Meje në një vend të tillë?” Ai u përgjigj: “O Muhammed! Ky është kufiri i fundit që Zoti i Madhëruar ka caktuar për mua. Po ta tejkaloj atë, krahët e mi do të digjen, ngase e kam tejkaluar kufirin që ka vendosur Zoti im.”


Atë çast, unë u ngrita drejt atji vendi plot dritë dhe u lartësova aq sa lejoi Zoti. Atje më thirri mua dhe unë thashë: “Urdhëro Zoti im! Ti je i Gjithëmëshirshëm dhe i Madhërishëm!” Pastaj m’u tha: “O Muhammed! Ti je robi Im dhe Unë jam Zoti yt. Atëherë më adhuro Mua dhe mbështetu në Mua! Vërtet ti je drita Ime në mesin e robërve, je i Dërguari Im për krijesat dhe dëshmia Ime për njerëzit. Për ty e për ndjekësit e tu e kam krijuar parajsën, ndërsa ferrin e krijova për ata që të kundërshtojnë. Dhuntitë e Mia ua fala trashëgimtarëve të tu, ndërsa sevapet ndjekësve të tyre.


Unë pyeta: “O Zot! Kush janë trashëgimtarët e mi?”


M’u tha: “O Muhammed! Emrat e trashëgimtarëve të tu janë të shkruar poshtë Arshit tim.”


Teksa isha në praninë e Zotit tim, vështrova pjesën e poshtme të Arshit dhe pashë dymbëdhjetë drita. Mbi çdo dritë ishte i shkruar emri i trashëgimtarëve të mi, me një shkrim të gjelbërt. I pari prej tyre ishte Ali ibn Ebu Talibi ndërsa i fundmi ishte Mehdiu i ummetit tim.


Unë thashë: “Zoti im! A janë këta trashëgimtarët e mi, ata që do të vijnë pas meje?”


M’u tha: “O Muhammed! Këta janë udhëheqësit e robërve të Mi pas teje, janë robërit e Mi të dashur, të zgjedhurit e Mi dhe dëshmitë e Mia. Këta janë trashëgimtarët e tu, mëkëmbësit e tu dhe më të mirët e krijesave pas teje. Betohem në lavdinë e në madhështinë Time se nëpërmjet tyre do ta qartësoj fenë time dhe nëpërmjet tyre do ta lartësojë fjalën e të Vërtetës. Me të mbramin prej tyre do ta pastroj tokën nga armiqtë e Mi dhe do t’ia fal atij pushtetin mbi lindjen e mbi perëndimin. Nën urdhrin e tij do t’i vendos erërat dhe retë e rënda e do ta lartësoj në qiej. Atë do ta ndihmoj me ushtritë e Mia dhe ëngjëjt do t’i bëj ndihmës të tij, që ai ta lartësojë thirrjen Time dhe t’i mbledhë njerëzit përreth besimit në njëshmërinë. Pastaj do ta vazhdoj sundimin e tij deri në Ditën e Gjykimit dhe sundimin do t’ua jap miqve të Mi. 


(nga “Ujun’u-Ahbar’ir-Riza” e Shejh Sadukut, vëll.1, fq.204;  siç përcillet tek vepra “Mizbah’ul-Hidaje” e Ajetollah Khomeinit, botimi turqisht, fq.265-268)


  


Hadithi i katërt


 Ibn Babavejh el-Kummi, nëpërmjet isnad-it të vet, përcjell se Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë:


Prijësi i besimtarëve (paqja qoftë mbi të) ka thënë se Zoti i Madhëruar e krijoi dritën e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) 424,000 vjet para se ta krijonte qiellin e tokën, Arshin dhe Kursinë, tabelën (levh) e pendën (kalem), parajsën e ferrin. Pastaj, nga kjo dritë krijoi dymbëdhjetë perde: perden e Fuqisë, perden e Madhështisë, perden e Bekimit, perden e Mëshirës, perden e Lumturisë, perden e Dhuntisë, perden e Pozitës, perden e Udhëzimit, perden e Profetësisë, perden e Lartësisë, perden e Madhështisë dhe perden e Ndërmjetësimit. Këtë dritë të shenjtë e mbajti brenda perdes së pushtetit të Tij për dymbëdhjetë mijë vjet dhe drita thoshte: “Lavdi i qoftë Zotit, Allahut të Gjithëfuqishëm!”  


Pastaj e mbajti në perden e Fuqisë për njëmbëdhjetë mijë vjet, në të cilat drita këndoi: “Lavdi i qoftë Atij që i di të fshehtat!” Pastaj e mbajti në perden e bekimit për dhjetë mijë vjet me rradhë, në të cilat drita thoshte: “Lavdi i qoftë Atij që është i përhershëm e jo i kalueshëm.”


Pastaj e mbajti atë në perden e Mëshirës për nëntë mijë vjet, ndërsa drita vazhdoi duke thënë: “Lavdi i qoftë Atij, që është i Lartë e i Madhëruar”. Pastaj u vendos në perden e Lumturisë për tetë mijë vjet, teksa drita recitonte: “Lavdi i qoftë Atij, që është i përjetshëm dhe jo i përkohshëm.” Pastaj e vendosi dritën në perden e Dhuntisë për shtatë mijë vjet, ndërsa drita recitonte: “Lavdi i qoftë Atij që është i vetëmjaftueshëm dhe s’është nevojtar!”


Pastaj e mbajti në perden e Pozitës për gjashtë mijë vjet, në të cilat drita recitonte: “Lavdi i qoftë Atij, që është i Ditur dhe i Madh!” Pastaj e mbajti në perden e Udhëzimit për pesë mijë vjet, gjatë të cilave drita recitoi: “Lavdi i qoftë të Zotit të Arshit të Madh!” Pastaj u mbajt në perden e Profetësisë për katër mijë vjet, në të cilat drita e shpalli lavdinë e Zotit me fjalët: “Lavdi i qoftë Zotit të Fuqisë, përtej asaj që ata i mveshin!” Më pas, drita u mbajt në perden e Lartësisë për tre mijë vjet, në të cilat drita e lëvdoi Zotin duke thënë: “Lavdi i qoftë të Zotit të Mbretërisë e të Qiejve!”


Pas kësaj, ai e mbajti dritën për dy mijë vjet në perden e Madhështisë, ndërsa drita thoshte: “Lavdi i qoftë Allahut dhe për Të qofshin të gjitha lëvdatat!” Më pas, Zoti e mbajti dritën në perden e Ndërmjetësimit për njëmijë vjet, ndërsa drita thoshte: Lavdi i qoftë të madhit Zot dhe për Të qofshin të gjitha lëvdatat!”


Paskëtaj, Zoti e gdhendi emrin e Profetit në Tabelën e Ruajtur (Levh-i Mahfudh), ku emri i tij shkëlqeu katër mijë vjet me rradhë. Pastaj emri i tij u shfaq mbi Arsh dhe u shkrua mbi këmbët e Arshit, ku qëndroi shtatë mijë vjet.


 


Në këtë mënyrë, drita vazhdoi të rrotullohej me fuqi, lartësi dhe madhështi, derisa Zoti e vendosi atë në gjakun e Ademit. Pastaj kjo dritë vazhdoi të bartej, derisa arriti në gjakun e Nuhut e pastaj në atë të Abdullah ibn Abdul Muttalibit, duke e zbukuruar me pesë mrekulli:


Zoti ia dha atij këmishën e kënaqësisë së Tij, e zbukuroi me pelerinën e madhështisë, e kurorëzoi mbi kokë me kurorën e udhëzimit, e mbathi me rrobat e dinjitetit, e lidhi me rripin e dashurisë, i dha këpucë të frikës e të shpresës dhe ia fali shkopin e pozitës.


 Pastaj i shpalli: “O Muhammed! Shko tek njerëzit dhe shpall se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij! Kërkoju ta besojnë këtë shpallje!”


Kjo këmishë kishte gjashtë lloje zbukurimesh: së gjati ishte nga rubini, mëngët i kishte prej margaritari, fundin e kishte prej qelqi të bukur, qafën nga merxhani i kuq, ndërsa prerjet e qafës nga drita e Zotit.


Zoti e pranoi pendimin e Jakubit për hir të kësaj këmishe, dhe për hir të saj e bëri ta takojë Jusufin. Me mrekullinë e kësaj këmishe, Junusi shpëtoi nga barku i peshkut e u lirua nga vështirësitë e nga belaja. Në të gjitha këto, nuk ishte tjetër veçse kjo këmishë e Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). 


(“Hajat el-Kulub”, vëll.2, nga Allama Muhammed Bakir el-Mexhlisi)


  


 Hadithi i pestë


 Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Kur nuk kishte asgjë tjetër, ishte Zoti. Pastaj Ai e krijoi dritën e dritave, prej të cilës çdo dritë e fiton dritën e saj. Pastaj, Zoti i krijoi Muhammedin dhe Aliun nga kjo dritë. Ata ishin dy dritat e para, sepse para tyre asgjë nuk ishte krijuar. Ata u bartën nëpërmjet një trungu të pastër e më në fund u ndanë nga njëri-tjetri në sojin e Abdullahut e të Ebu Talibit, që ishin më të pastrit e sojeve.    


(nga Usul el-Kafi, Libri mbi dëshmitë e Zotit, kapitulli 111, hadithi nr.7)


  FUND