Pas Qerbelasë (poezi dhe audio)
Naim Frashëri
25.11.2012


Vargjet e mëposhtme janë marrë nga poema "Qerbelaja" e Naim Frashërit, botuar së pari në vitin 1898 në Bukuresht, nga shoqëria "Dituria". Në këtë fragment, të shkëputur nga kreu i tetëmbëdhjetë i veprës, Naimi bën përshkrimin e skenës makabre që mbisundonte në rrafshinën e Qerbelasë fill pas betejës, ku në dukje, Imam Husejni dhe përkrahësit e tij ishin shkatërruar njëherë e përgjithmonë, ndërkohë që armiqtë e tyre kishin korrur sukses. Më pas, në një ndryshim të beftë toni, ai e përgënjeshtron këtë përshtypje të gabuar dhe shpall se ishte pikërisht ushtria e vrarë e Husejnit që kishte ngadhnjyer atë ditë e që me veprimin e saj, i kishte dhënë jetë Islamit dhe e kishte gdhendur emrin e vet në përjetësi.


 Për ta dëgjuar recitimin e poezisë, shtypeni butonin "Play" më sipër! Regjistrimi zanor është një prodhim i Librarisë Dielli, të cilës i takon e drejta ekskluzive e transmetimit të tij. Transmetimi dhe ritransmetimi i këtij regjistrimi zanor mund të bëhet vetëm me leje paraprake nga redaksia.


     


Diell’ ish’ duke përmbysur
dita ishte më të ngrysur
qiell i tër’ ishte nxirë
jeta ish’ bër’ errësirë
e vërteta ish’ drobitur
gënjeshtra ishte rritur.
Kështu dukej në të parë
dhe nga puna që kish’ ngjarë
mbretëronte Mavijeja
s’kish të bënte Fatimeja,
Imam Hysejni ish’ vrarë,
Jezitit i vinte mbarë,
kishte mundurë Syfjani
edhe Shimri e Mervani,
kishin mundur Perëndinë
edhe Muhamet Alinë.
Po kjo nuk ish’ e vërtetë
ishte nj’e rreme ndë jetë
Imam Hysejni fitonte
dh’e vërteta mbretëronte,
Imam Hysen’ ish’ nderuar,
Jeziti ishte shkretuar,
Hysejni mir nder për jetë,
Jeziti nëmën e shkretë,
Hysejni kish Perëndinë
e Jeziti djallëzinë.


 


Për Hysejnë përgjërohen
në dashuri afrohen
edhe sonte njerëzija
qajnë për ngjarjet e tija.
Jeziti me gjithë shokë
nëmënë kanë mbi kokë
dhe këtu dhe nd’atë jetë
dhe ndaj Zotit të Vërtetë.


 


Kush do Muhamet-Alinë
edhe beson Perëndinë
do Hasan e Fatimenë
dhe qan për Imam Hysenë
nuk bën jezitërinë
djallëzinë e ligësinë
se ata që janë vrarë
e ranë dëshmimëtarë
ranë për një të vërtetë
q’ajo na nderon në jetë.


 


Armikët e mallëkuar
s’e kishin kupëtuar
që ata zotërinjtë q’u vranë
e nderuan Qerbelanë.
Atje tek ra zoti ynë
edhe gjithë gjak e mbynë
vete edhe sot njerëzia
falet nër këmbët të tija.
O lule! Moj e vërtetë!
Të qofshim falë për jetë!
Zotërinj ju keni vuar
Neve na kini nderuar.


 


O vëllezrë shqipëtarë!
Pa qasuni duke qarë
dhe mbani zi këtë ditë
t’u xbresë nga Zoti dritë.
Pa kujtoni Qerbelanë
Gjithë zotërinjtë t’anë!


 


Me të lënë këtë jetë
Imami, zot i vërtetë
Shpirt i math vate te Zoti
Tek kish’ qenë edhe që moti...


 


 FUND