Martiri i Qerbelasë
Dr. Mahmoud Ejub
22.11.2012

PËRMBAJTJA:
Hyrje
Husejni si Imam: lindja dhe vitet e hershme
Nga revolta në martirizim
  -  Nga Medineja në Mekke: prelud
  -  Nga Mekkeja në Qerbela: finalja
Përfundimi: Husejni në Histori 




Hyrje


           Historia njerëzore mund të shihet si një varg krizash dhe revulucionesh, pjesa më e rëndësishme e të cilëve është shkruar me gjakun e martirëve. Husejn ibn Aliu, martiri i Qerbelasë, e shkroi njërin nga kapitujt më të mrekullueshëm të historisë islame, një kapitull i cili jehon ende në mendjet dhe në zemrat e muslimanëve kudo, edhe pas më shumë se trembëdhjetë shekujsh. Siç shprehej një shkrimtar bashkëkohor musliman, “Islami forcohet me çdo Qerbela.”


          Martirizimi i Husejnit ka një rëndësi të madhe në historinë islame. Kjo është për shkak të Husejnit si njeri, për shkak të karakterit të tij, virtyteve, trimërisë, shpirtmadhësisë, durimit dhe ndoshta para se të gjithash (të paktën në Shiizëm), për shkak të lidhjes së tij me profetin Muhammed e për shkak të dashurisë së ndjerë për të. Kjo është e një rëndësie të madhe për shkak të vetë asaj që nënkupton ky martirizim për fenë islame, duke nxjerrë në pah të gabuarën dhe duke e përkrahur të drejtën përmes kontrastit të thellë që ekzistonte ndërmjet tij e pasuesve të tij, në njërën anë, dhe rivalëve të tij në anën tjetër. Ai e kundërshtoi udhëheqjen nga një njeri i papërshtatshëm për të udhëhequr. Nga kjo pikëpamje, ai ishte një revolucionar, siç edhe shihet nga shkrimtarët bashkëkohorë.1


          Mënyra e vdekjes së tij, mizoria e masakrimit të djemve të tij, të fisit të tij dhe të një grupi të vogël pasuesish, ia japin atij vendin më të lartë mes martirëve. Së fundmi, akti i sakrificës, i vuajtjes dhe i vdekjes së dhimbshme mund të shihet ashtu siç është parë për shekuj nga muslimanët shiitë, gjegjësisht si një akt ripërtëritjeje shpirtërore. Shembulli më i mirë për këtë jepet qartë në elegjitë dhe në shumë motive prekëse, mite dhe legjenda të përsëritura vazhdimisht në tregimet mbi martirizimin e Husejnit (arab. makatil). Këta janë tre elementet e tragjedisë së Qerbelasë: revolucioni, martirizimi dhe ripërtëritja shpirtërore. Ky shkrim do të përqëndrohet kryesisht në dy elementet e para.


 


          1: shih Muhammad Mahdi Shams el?Din,Thaurat’al?Husejn dhe Abbas Mahmud al?Aqqad Ebu‘l?shoheda el?Husejn”. Këto dy vepra janë vepra analitike, andaj duhet të lexohen të plota për të kuptuar qartë pikëpamjet e tyre.


 


 1. Husejni si Imam: lindja dhe vitet e hershme


           Husejni, djali i Aliut dhe Fatimesë, vajzës së Profetit, lindi në fillim te muajit Sha’ban, ndoshta më tre Sha’ban të vitit të katërt të Hixhrit. Thuhet se vetëm ai dhe Isa, djali i Merjemes, kanë qëndruar vetëm gjashtë muaj në barkun e nënës. Nga kjo kuptojmë se lindja e tij nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Nga besimtarët shiitë, ai konsiderohet Imam i tretë pas babait të tij Aliut dhe pas të vëllait Hasanit. Lindja dhe madje tërë jeta e tij nuk mund të thuhet se i takon një rrjedhe normale të historisë njerëzore. Këtë fakt duhet patur parasysh, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me historinë, por me një njeri të veçantë, i cili, në të vërtetë, është jashtë historisë së natyrshme njerëzore. Ai vetë e përbën njërën nga pikat kthyese që e krijojnë historinë njerëzore.


          Të gjithë profetëve, duke filluar nga Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Ismaili, Jakubi, Musa, Jahjai, Selmani dhe Isa, u është treguar për lindjen dhe për martirizimin e tij në Qerbela, dhe secili prej tyre ka ndjerë keqardhje e ka vajtuar për vdekjen e tij. Gjithashtu edhe Zekeriait i ishte treguar për “të pestët e mbuluar nën xhybe” (ehl el-kisa; nënkuptohen Profeti, Fatimeja, Aliu, Hasani dhe Husejni)  dhe për vdekjen e Husejnit. Kjo iu shpall atij në formë të pesë shkronjave në fillim të kapitullit 19 në Kur’an, të cilat janë: Kaf, që do të thotë Qerbela (Karbala), Ha, që do të thotë gjysmëhëna e gjelbërt (Hilal); Ja, që do të thotë Jezid, ‘Ajn, që do të thotë etja e tij (‘Ateshuhu); dhe Sad që do të thotë durimi i tij (Sabruhu). 2


          Prandaj Zekiriau iu lut Zotit që t’i jepte një djalë, në moshë të vjetër, që do të martirizohej padrejtësisht, e që kështu do t’i mundësonte ta ndjente plotësisht tragjedinë e Qerbelasë dhe pikëllimin e Profetit dhe të familjes së tij për vdekjen e këtij miku të Zotit. Kështu, martirizimi i Husejnit shpesh krahasohet me atë të Gjon Pagëzorit (Jahja në Kur’an). “Ashtu siç vrau Zoti shtatëdhjetë mijë burra për kokën e Jahjasë, po aq do të vrasë edhe për kokën e Husejnit, dhe shtatëdhjetë mijë burra do të vijnë me Mehdiun.3 Thuhet se qiejt qanë vetëm për vdekjen e këtyre dy burrave.


 


          Në rrëfimet e tilla e shohim përpjekjen për integrimin e Husejnit në historinë njerëzore, duke e lidhur vdekjen e tij me fillimin si dhe me të gjithë etapat e rëndësishme të historisë. Sipas burimeve, Zoti e hapi historinë e martirizimit me Abilin dhe e përmbylli me Husejnin.4


          Dhimbja e familjes së shenjtë të Husejnit krahasohet në shumë hadithe me dhimbjen e Jakubit për djalin e tij Jusufin. Ajo është edhe më e madhe, sepse Jakubi ishte profet i cili e dinte se djali i tij ishte gjallë. Prapësepraë, ai e humbi shikimin nga të vajtuarit për të. Atëherë parashtrohet pyetja, si të mos vajtonte djali i vetëm i shpëtuar i Husejnit, kur ai vetë e pa masakrimin mizor të babait dhe të shokëve e të familjes së tij. Si të mos qante ai që e pa masakrimin e babait të tij, që ishte Imam dhe “prijës i të rinjve të Parajsës”?5


          Para se të lindte Husejni, Xhibrili erdhi tek Profeti për t’i kumtuar lajmin e mirë dhe për t’i shprehur ngushëllimet e tija për martirizimin e ardhshëm të fëmijës. Zoti, përmes engjëjve u dha dy Imamëve emra të ngjashëm me emrat e fëmijëve të Harunit. Ashtu siç ishte Haruni trashëgimtar i Musës dhe Aliu trashëgimtar i Muhammedit, ashtu edhe emrat e fëmijëve të tyre duhej të trashëgoheshin. Në bazë të kësaj lidhjeje ndërmjet një profeti dhe trashëgimtarit të tij (vasi), Ibn Shehrashubi, në librin El-Menakib, e vërteton Imamatin e djemve të Aliut pas tij dhe të Husejnit e pasardhësve të tij në veçanti. Edhe pse Musa ishte më i madh se Haruni, Zoti dëshironte që profetësia të vazhdonte me pasardhësit e këtij të fundit. Po kështu, ai dëshiroi që Imamati të trashëgohej nga pasardhësit e Husejnit dhe jo nga ata të Hasanit.


          Nuk është e mundur dhe as e nevojshme që të numërohen këtu të gjitha mrekullitë dhe bekimet e veçanta që e ndoqën lindjen e Hysejnit. Thuhet se një huri erdhi nga parajsa duke u shtirur si mami’ dhe një ëngjëll, duke u ngushtuar, i tha Muhammedit se ky djalë i tij, pra i biri i vajzës së tij, e cila ishte si Merjemjae virgjër për nga pastërtia (betul) dhe për nga mbështetja e Zotit, do të martirizohej. Këtë lajm Profeti ia tregoi vajzës së tij që vajtoi me hidhërim dhe dëshiroi të mos e lindte të birin. Në vargun kur’anor, kjo shprehet kështu:


...me mundime e barti nëna e tij, dhe me mundime e lindi...(Kur’an 46:15)


          Ëngjëj të tjerë erdhën për të kërkuar nga Profeti ndërmjetësim (shefa’at) për hatër të posalindur,  për një gabim që kishin kryer në qiej. Prej atëherë e tutje, njëri prej tyre njihet në Parajsë si “i mbrojturi (mevel’li) i Husejnit”. Edhe emrat e këtyre dy ëngjëjve, edhe shpjegimet kundërthënëse mbi ta, na bëjnë të kuptojmë sa artificialë janë këta tregime. Megjithatë, tregime të këtilla janë shumë të zakonshme për jetën e të shenjtëve dhe profetëve kudo. Xhibrili ia tregoi Muhammedit vendin ku do të martirizohej Husejni dhe i dha një grusht nga dheu i tij, duke ia treguar hollësitë e tragjedisë. Dheu u ruajt në një enë nga Ummu Seleme (një nga gratë e Profetit, e cila zë një vend të ngjashëm në Shiizëm si gruaja më e dashur e tij pas Hatixhes, njësoj si Aisheja në Sunnizëm) deri në vdekjen e Husejnit, kur dheu u kthye në gjak. Në këtë diskutim do t’i kthehemi shpesh motivit interesant dhe shumë të rëndësishëm të gjakut.


          Historia e njerëzimt, sipas pikëpamjes islame, është në esencë historia e Shpalljes Hyjnore. Ajo fillon me profetin Adem, babain e njerëzimit, kurse kulmin e arrin me profetin e fundit, Muhammedin, i cili është “Vula e të Dërguarve të Zotit”. Pas tij, drejtimi i historisë, si të thuash, definohet nga Kurani, Fjala e përjetshme e Zotit. Por bota nuk mund të mbetet pa një Imam që është interpretuesi i drejtë i fjalës së shpallur, ligjvënësi dhe dëshmia e Zotit mes krijesave të Tija. Kështu, pas lindjes së Hasanit, Profeti e udhëzoi vajzën e tij Fatimenë që të mos e ushqente deri sa ai të kthehej nga udhëtimi. Por derisa po vonohej kthimi i Profetit, nëna në ankth e ushqeu fëmijën, i cili nga ky veprim e humbi trashëgiminë e Imamatit.


          Kur lindi Husejni, Profeti erdhi tek ai pas një mungese të gjatë, gjatë të cilës fëmija nuk u ushqye, e ushqeu vetë dhe i pëshpëriti fjalë sekrete në vesh të cilat askush nuk mundi t’i kuptonte. Kështu, fëmija filloi të rritej në rolin e Imamit. Profeti e ushqeu atë dyzet ditë duke ia vënë gjuhën në gojën e tij, kështu që mishi i tij u rrit nga mishi i Profetit pasi ai nuk u ushqye nga qumështi i nënës, por nga gjaku profetik. Nga kjo e shohim lidhjen, ose më mirë vazhdimësinë, mes gjakut profetik dhe gjakut imamik në formën e tij fizike dhe konkrete. Thuhet se njëherë Profeti ia puthi gojën Husejnit duke i thënë: Ti je Zotëri (Sejjid), je djalë Zotëriu dhe baba i Zotërinjëve. Ti je djalë Imami dhe baba i Imamëve. Ti je një dëshmi e Zotit (huxh’xhe), je bir i një dëshmie të Zotit dhe je babai i dëshmive të Zotit.6


           Sipas doktrinës të Shiizmit Dymbëdhjetës, Imami nuk caktohet nëpërmjet zgjedhjes njerëzore, por nëpërmjet një urdhri të shpallur (nass). Prandaj, në vërtetim të Imamatit të Aliut e të fëmijëve të tij, besohet se janë shpallur dhe realizuar shumë vargje kur’anore. Mes shumë vargjeve të cituara nga burimet tona, ndoshta më i famshmi është ai i sures 76 të Kur’anit:


E ata, ndonëse kanë vetë nevojë, ua japin ushqimin e vet të varfërve, jetimëve dhe robërve, (e thonë): veç për hir të Zotit ju ushqejmë dhe s’duam nga ju as shpagim e as falënderim...(Kur’an 76:8-9)


         Ky varg u realizua tre ditë rresht nga një i varfër, një jetim dhe një rob, të cilët erdhën dhe i lutën për lëmoshë. Secilën herë, mysafirët e hëngrën bukën që u kishte mbetur, ndërkohë që ata vetë (familja e Profetit) mbetën të uritur. Thuhet se ata ishin ëngjëj që e sprovuan dhe e argumentuan Imamatin e tyre. Atëherë Zoti u dërgoi atyre ushqim hyjnor, të cilin e hëngrën për shumë ditë pa u shterur.


          Por veçanërisht për Imamatin e Husejnit dhe të pasardhësve të tij, shohim se Profeti, pasi e ushqeu fëmijën së pari, tha: Zoti ka dëshiruar (ky është Imamati) që Imamati të jetë nga pasardhësit tuaj deri në ditën e fundit. 7


           Në një kohë skamjeje, gjatë Bajramit, kur familja e shenjtë nuk pati asgjë për dy djemtë e vegjël, Ridvani, roja e portave të Parajsës u solli veshje nga Parajsa. Për Husejnin  përcillen shumë mrekulli, mes të cilave është shërimi i një të sëmuri nga ethet vdekjeprurëse, parashikimi i të ardhmes dhe rasti kur një foshnje nga një marrëdhënie e paligjshme filloi të fliste për të dëshmuar për marrëdhënien e të ëmës. Një grup burrash erdhën tek ai për t’i dëgjuar fshehtësitë e familjes së shenjtë (Ehl-i Bejtit) dhe dituritë e fshehta të Imamëve. Ai kërkoi të fliste me secilin prej tyre ndarazi, e të shihte në mund të bartnin njohuri të tilla të fshehta. Burri i parë, me të cilin foli për një kohë të shkurtër, u çmend dhe filloi të sillej anembanë si i çmendur, sepse dituritë e fshehta  nuk mund të durohen nga njerëz që nuk janë të edukuar për to. Në të vërtetë, Imamët kanë njohuri për çdo gjë dhe me ta është njohuria e Librit (Ilm el-Kitab).  


          Husejni ishte një model i guximit, diturisë dhe shpirtmadhësisë. Shpesh, ai u jepte të varfërve gjithë ç’kishte, duke konsideruar se të varfërit meritonin më shumë nga pasuria e tij sesa ai vetë. Por atyre që e meritonin, ai gjithnjë u jepte edhe ndihmë edhe dituri. Kjo ilustrohet nga shumë tregime ku ai dhe një nevojtar hyjnë në biseda, ku Husejni e sprovon diturinë dhe virtytshmërinë e nevojtarit, duke e përcjellur thënien e Profetiti se një akt bamirësië (Maruf) duhet të ndërlidhet gjithnjë me diturinë.8


          Thuhet se ai ka bërë njëzet e pesë pelegrinazhe në këmbë dhe ka bërë vazhdimisht adhurime, ditën dhe natën. Jeta e tij asketike, durimi dhe zemërgjerësia, bujaria dhe butësia e zemrës së tij ishin të mirënjohura. Për nga dituria, karakteri dhe paraqitja fizike, ai ishte shumë i ngjashëm me të Dërguarin e Zotit.


Një hadith tjetër që merret si dëshmi e Imamatit të tij, i cili i bart tiparet e zhvillimeve të mëvonshme doktrinore të Shiizmit, është hadithi relativisht i gjatë që do ta japim më poshtë. Gjatë ngritjes së tij në qiej, Profetit iu tha se njerëzit e familjes së tij (Ehl-i Bejtit) janë më të mirët në mesin e krijesave. Pastaj Zoti vazhdoi: O Muhammed, hodha shikimin drejt tokës dhe prej aty nxora një nga emrat e Mi për ty; Unë nuk do të përmendem në asnjë vend përveç se kur ti të përmendesh me Mua. Unë jam Mahmudi kurse ti Muhammedi. Edhe një herë ngulita shikimin drejt tokës dhe nxora një tjetër emër nga emrat e mi për Aliun. Unë jam më i lartësuari (Ala), kurse ai është Aliu (i lartësuari).9


          Pastaj Zoti i tha Muhammedit se Ai e krijoi atë, të tjerët e “pesë të mbuluarve” (ehl el-kisa; nënkuptohet Ehl-i Bejti) dhe pasardhësit e tyre nga një rreze prej dritës së Tij. Zoti pastaj e pyeti Muhammedin nëse donte t’i shihte ata dhe i tha të shikonte në të djathtë të Fronit, ku Ai i pa shëmbëlltyrat e dymbëdhjetë Imamëve që rrinin në pozitë lutjeje. Mes të dymbëdhjetëve, Mehdiu shkëlqente si një yll i madh. Zoti foli përsëri dhe tha:


          O Muhammed këto janë dëshmitë e mia (arab. huxh’xhaxh) në këtë botë, kurse Mehdiu është dëshmi e domosdoshme (vaxhib). Ai është dëshmia për shokët (evlijatë) e tyre (pra Imamëve të tjerë) dhe hakmarrësi kundër armiqve të tyre.10


 


 2: Ibn Shehrashub, Menakib Ali ibn Ebi Talib, fq.224
3: Ibn Shehrashub, Menakib Ali ibn Ebi Talib, fq.224
4: Turajht, El-Muntakhab, fq.32
5: El-Kharezmi, Maktel el-Husejn, vëll.1, fq.165-167 dhe Ibn Shehrashub, vëll.3, fq.43
6: El-Kharezmi, fq.145 nga pjesa e cituar më sipër
7: Ibn Shehrashub, nga vepra e cituar më sipër, fq.151; për diskutimin në lidhje me vargun e përmendur kur’anor, shih fq.215.
8: El-Kharezmi, pjesa e cituar më sipër, fq.146
9: Turajht, El-Muntakhab, fq.106
10: Turajht, El-Muntakhab, fq.106


  


2. Nga revolta në martirizim


           Jemi përpjekur deri tani ta vendosim martirin e Qerbelasë në kontekstin e tij fetar. Shpresojmë se nga ajo që është thënë më sipër, është e qartë se Husejni, para se të martirizohej, ishte një njeri me status të veçantë në historinë shoqërore dhe fetare të Islamit. Për më tepër, vdekja e tij nuk ishte vdekja e vetëm një martiri apo heroi, por e një njeriu me një mision të veçantë hyjnor në jetën dinamike të Islamit dhe e një Imami, roli primar i të cilit nuk është vetëm ai i një udhëheqësi, por gjithashtu edhe i një mësuesi. Para se t’u kthehemi të gjitha këtyre çështjeve, është e nevojshme t’i rrëfejmë ngjarjet historike të tragjedisë së Qerbelasë, të cilës po i kthehemi tani.


 


Nga Medineja në Mekke: prelud


           Gjatë përshkrimit të ngjarjeve historike të revolucionit të Husejnit, duhet t’i referohemi historisë më të hershme. Kjo, për shumë arsye të qarta, nuk mund të bëhet në këtë vepër. Fillimi i vërtetë i ngjarjeve që sollën deri në ndodhinë e Qerbelasë, na kthen prapa deri tek Kalifët e parë, veçanërisht tek periudha e Kalifatit të Osmanit dhe të Aliut. Hasani dhe Muavijeja kishin rënë dakord se pas vdekjes së këtij të fundit (pra Muavijesë), Kalifati duhet t’i rikthehej Hasanit ose vëllait të tij Husejnit. Kështu, gjatë Kalifatit të Muavijesë, Husejni e respektoi këtë marrëveshje dhe nuk e nxiti popullin për revoltë, ndonëse edhe këtë mund ta bënte.


         Muavijeja vdiq nga mesi i muajit Rexheb të vitit 60 pas Hixhrit. Ai, para se të vdiste, kishte filluar ta siguronte postin e Kalifit për djalin e tij Jezidin. Në shumë anë, kjo krijoi kënaqësi dhe filloi të ishte një shkak për shumë plane të fshehta. Vetë Husejni pranoi një numër të madh letrash dhe emisarësh nga populli i Kufes, të cilët e lusnin atë që të shkonte tek ata dhe ta udhëhiqte revoltën e tyre kundër sundimit të Jezidit. Ai e mori seriozisht këtë propozim, prandaj që nga fillimi refuzoi t’i jepten betim besnikërie (baj’a) Jezidit përkundër të gjitha shtypjeve dhe kërcënimeve nga vetë Jezidi, nga guvernatori i Medines, Velid bin Utbe dhe nga Mervan bin Hakemi, i cili e këshilloi guvernatorin ta burgoste Husejnin deri sa të pranonte, ose ta vriste në të kundërt.


           Kur ngjarjet morën një kthesë të tillë, Husejni e pa të arsyeshme të ngrihej kundër këtij sundimi të ri e të padrejtë. Kështu, ai u largua nga Medineja natën dhe u nis rrugës kryesore për në Mekke. Këtu, drama tragjike fillon të shpaloset me të gjitha fuqitë e saja. Këtu fillojnë të shfaqen pikat e mprehta dalluese ndërmjet Husejnit dhe çdo karakteri tjetër në këtë dramë. Për shembull, Ibn Zubejri, një tjetër mëtues për postin e Kalifit, pasi ishte shtirur si i sëmurë dhe pasi kishte shfrytëzuar çdo mundësi për ta vonuar shfaqjen e tij para autoriteteve e për të shprehur besnikëri, iku gjatë natës duke udhëtuar nga një rrugë dytësore.


          Para se të nisej, Husejni shkoi te varri i gjyshit të tij, të Dërguarit të Zotit dhe te varri i nënës dhe i vëllait të tij për t’u dhënë lamtumirën. Si çdo dramë e mirë, revolucioni i Husejnit e kishte dilemën e vete morale. Problemi moral këtu ishte zgjedhja ndërmjet miratimit të një udhëheqjeje të padrejtë, gjegjësisht të pranuarit të diçkaje që do t’i dhunonte drejtpërdrejt parimet e tija themelore, dhe të kundërshtuarit e përpjekje për ta shkatërruar atë, edhe sikur ta dinte se do të dështonte në këtë gjë. Ai, kuptoi, zgjodhi drejtimin e dytë dhe më heroik, duke paguar më në fund me jetën e tij për ta mbajtur gjallë shpirtin e revolucionit dhe të ndryshimit në Islam.


          Martiri shpesh bindet për vendosmërinë e tij në mënyra, të cilat historiani preferon t’i mohojë ose së paku, t’i pranojë si dëshmi joshkencore. Por për ata, për të cilët vdekja e martirit është më e rëndësishme se jeta e tij, është pikërisht ky aspekti mbinatyror i vdekjes së tij që ia siguron forcën për t’u përballur me jetën, kuptimi i të cilës, përndryshe s’do të ishte veçse një ideologji intelektuale fetare. Kështu, Husejni, martiri i Qerbelasë, deri sa po rrinte pranë varrit të gjyshit të tij, në ëndërr u sigurua nga i Dërguari i Zotit, i cili i foli me fjalë dhembshurie dhe brenge të madhe:


          Husejni im i dashur! Së shpejti do të të shoh të mbytur në gjakun tënd, në Kerbela, në vendin e pikëllimit (kerb) dhe gjëmës (bela), të vrarë nga një grup i ligë në mesin e ummetit tim, teksa je i etur e nuk gjen kënd për të të dhënë ujë. E ata prapë do ta kërkojnë ndërmjetësimin tim. Por jo! Mos ua faltë Zoti ndërmjetësimin tim në ditën e gjykimit! 11


          Duke vajtuar me pikëllim, ende në ëndërr, Husejni bërtiti: O gjyshi im! Nuk kam nevojë për këtë botë. Më merr tani me vete në varrin tënd!


          Profeti iu përgjigj:


          Jo, biri im! Për ty ka një pozitë të lartësuar në parajsë, të cilin nuk mund ta arrish pa u martirizuar. 12


          Kështu Husejni u largua nga qyteti i Profetit me gratë, fëmijët dhe të afërmit e tij e u nis për në Mekke, duke e përsëritur këtë varg të Kur’anit teksa largohej:


...u largua që atje me frikë e duke vështruar me kujdes përreth. “Zoti im!”, tha, “më shpëto nga populli mizor!” (Kur’an 28:21)


           Në amanetin e tij të fundit, që ia shkroi të vëllait, Muhammed ibn Hanefijje, ai dëshmon se nuk ka zot tjetër veç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij. Pas kësaj, ai e shpjegon shkurt qëndrimin e tij, që ishte ndjekja e urdhrave të Islamit dhe jo një mëtim për pushtet ose pasuri ose dëshirë për ta përçarë ummetin e gjyshit të tij. Përkundrazi, ishte një përpjekje për të shpalosur të vërtetën dhe për ta kundërshtuar të gabuarën.


          Që nga ajo kohë, përgjigja e tij ndaj atyre që e këshillonin të mos e niste kryengritjen e tij, ishte si vijon: E pashë në ëndërr të Dërguarin e Zotit dhe ai më ngarkoi me një detyrë. Unë do ta kryej atë, qoftë kjo në dobinë time ose e dëmshme për mua.


          Taberiu e përcjell këtë shpallje të Husejnit në Mekke, kur Ibn Xhaferi, kushëriri i tij, siguroi një garanci të shkruar për të nga guvernatori i Qytetit të Shenjtë. Husejni e lexoi atë dhe iu përgjigj me fjalët e cituara më lartë. Pyetjes së Ibn Xhaferit se çfarë ishte detyra e tij, ai iu përgjigj: Unë nuk do t’i flas askujt për këtë, derisa ta takoj Zotin tim.13


          Taberiu përcjell sërish se kur Husejni shkoi tek varri i Profetit për t’u lutur dhe kur e pa ëndrrën që e përmendëm më lartë, ai erdhi i mbështetur tek dy burra të tjerë. Kjo mund të nënkuptojë se ai mund të ketë qenë i sëmurë. Kjo gjë duhet të kihet parasysh, veçanërisht kur të lexohen rrëfimet e shumicës së autorëve të lashtë ose modernë, në lidhje me luftimin heroik të Husejnit në Qerbela.


          Husejni arrriti ne Mekke në muajin Ramazan të vitit 60 pas Hixhrit dhe qëndroi atje deri në stinën e haxh’xhit në muajin Dhulhixh’xhe të të njëjtit vit. Ai e shkurtoi pelegrinazhin e tij duke e zëvendësuar me një umre dhe u nis për në Irak. Më herët, ai e pati dërguar kushëririn e tij Muslim ibn Akilin për në Kufe, që ai të merrte betim besnikërie nga populli në emër të Husejnit, dhe ta përgatiste mjedisin për ardhjen e tij. Në fillim, Muslimi u pranua me entuziazëm nga njerëzit që erdhën tek ai në numër të madh duke i premtuar përkrahje të plotë për Husejnin, qoftë edhe duke i rrezikuar jetët e tyre.


          Numan Ibn Bashiri, guvernatori i qytetit, nuk bëri ndonjë gjë për ta kundërshtuar Muslimin, përveç që e kërcënoi me një dënim të rëndë, në rast se vinte në konfrontim të drejtpërdrejtë. Megjithatë, shumë shpejt, suksesi i Muslimit iu raportua Jezidit, i cili e shkarkoi Numanin dhe e caktoi Ubejdullah ibn Zijadin në vendin e tij. Ky i fundit e arrestoi Muslimin pas një kundërshtimi burrëror nga ky i fundit, dhe pastaj urdhëroi vrasjen e Muslimit, bashkë me nikoqirin e tij Hani bin Urva el-Muradi. Heroizmi dhe integriteti i Muslimit janë portretizuar dramatikisht nga shumë shkrimtarë. Burimet e mëvonshme e hedhin poshtë çdo mundësi për hezitim të mikut të tij Haniut.14 Nisja e shpejtuar e Husejnit nga Mekkeja, para përfundimit të sezonit të pelegrinazhit, mund të shihet nga historianët si një akt i zgjuar politik. Dikush mund të thotë se ai u largua pikërisht atëherë, që të mos tërhiqte vëmendje, teksa njerëzit ishin të zënë me pelegrinazhin. Megjithatë. ka edhe argumente të tjera për këtë veprim, që janë ndoshta  më të përshtatshme me karakterin e Husejnit dhe me situatën. Ai vetë e jep arsyetimin vijues për nisjen e tij: Për Zotin, të vritem jashtë Qabes, qoftë edhe në largësi sa një pëllëmbë, do të ishte më mirë për mua sesa të vritem brenda saj, qoftë edhe brenda sa një pëllëmbë. Për Zotin, edhe sikur të fshihem në vrimën e gjarprit, do të më gjenin dhe do ta kryenin dëshirën e tyre...15


Një variant i këtyre fjalëve përcillet në shumicën e burimeve, sipas të cilave Imam Husejni u largua që të mos dhunohej shenjtëria e Shtëpisë së Zotit, duke derdhur gjak brenda saj. Rrugës për në Irak, ai e takoi një njeri, i cili e pyeti përse ishte larguar nga afërsia dhe mbrojtja e Shtëpisë së Shenjtë. Ai u përgjigj: Umajjadët e uzurpuan trashëgiminë time, kurse unë durova. Ata më ofenduan mua dhe familjen time e unë nuk thashë gjë. Dhe tani ata duan të ma marrin jetën, prandaj po largohem.


         E gjithë kjo nënkupton edhe aspekte të tjera të konfliktit të Husejnit me umajjadët dhe të martirizimit të tij, të cilat nuk i dimë. Nga të gjitha burimet që kemi, mund të arrihet në përfundimin se ai kishte një ankth dhe vendosmëri të madhe, e cila nuk mund të arsyetohet me dëshirën për pushtet, veçanërisht kur shohim vendimin e tij për të vazhduar drejt vdekjes, ndonëse ajo po bëhej gjithë më e sigurt me çdo hap që hidhte. Nga të gjithë burimet nënkuptohet se Husejni e mori lajmin e vdekjes së Muslim ibn Akilit qysh para se të largohej nga Mekkeja.16


           Poeti i madh El-Ferezdak, e takoi Husejnin kur ky po largohej nga Qabeja, duke e këshilluar të mos shkojnte në Irak e duke i thënë: njerëzit e Kufes e kanë zemrën me ty, por shpatat me umajjadët... Husejni iu përgjigj se gjërat ndodhin sipas urdhrit hyjnor dhe se dëshira e Zotit nuk dihet nga njeriu. Pastaj vazhdoi me këto vargje:


Në është e çmuar bota në sy të disave
Dije se Shtëpi’ e Zotit është më e çmuar ende
E pasuria në mblidhet për ta lënë njëherë e mirë
S’ka koprrac pse të jetë njeriu i lirë
E në janë bërë trupat për të vdekur një ditë
S’ka gjë më të bukur se t’vdesësh n’rrugë të Zotit...


           Është e pamundur që në këtë shkrim të shkurtër të përcillen emocionet e thella që krijohen nga rrëfyesit e tragjedisë së Qerbelasë tek dëgjuesit e tyre, në lidhje me orët e gjata të Husejnit, të kaluara në vetmi e duke u lutur pranë varrit të Profetit, hidhërimin, pikëllimin dhe nënshtrimin e tij. Profeti dhe e gjithë familja e Husejnit përshkruhet se i ndanin të njëjtat ndjenja me të. Në burime shohim se në kohën e tragjedisë, u bë një vajtim i përgjithshëm në Parajsë nga të gjithë profetët, nga babai, nëna dhe vëllai i Husejnit, për vuajtjen e madhe të tij, për etjen e tij, për braktisjen e plotë, përveç një grupi të vogël shokësh dhe farefisi. Udhëtimi të cilin e bëri nga Mekkeja, në të vërtetë ishte një Via Dolorosa (nga latinishtja: rruga e vuajtjes) me maskën e Profetit si mbrojtës i pikëllimit, vuajtjes së madhe dhe heroizmit.


          Për ndjekësit e përkushtuar të Husejnit, vuajtja dhe agonia në pritjes të vdekjes nuk janë ndjenja frike dhe paburrërie. Përkundrazi, ato janë ndjenjat e guximit absolut dhe e përpjekjes fitimtare kundër fuqive të të ligës dhe errësirës. Husejni u shkroi një letër kushërinjve të tij të fisit Hashimitë, duke i ftuar ata të bëheshin pjesë e kësaj fitoreje të madhe të tij. Ai thoshte: Ai që do të na bashkohet nga rradhët tuaja do të bëhet dëshmor, e ai që do të mbetet mbas nuk do të shoh fitore. Këtij motivi do t’i rikthehemi përsëri më poshtë. Por tani ndjekim martirin tonë në aktin final të dramës së madhe tragjike.


 


Nga Mekkeja në Qerbela: Finalja


          Derisa Husejni dhe grupi i tij po përparonin drejt Kufes në Irak, siguria se çdo diskutimi ishte i kotë u bë shumë e qartë për të gjithë. Ai u dërgoi një lajmëtar tjetër njerëzve që e ftuan atë të vinte, ta merrte përsipër udhëheqësinë dhe bashkë me ta të luftonte kundër sundimit të Jezidit, i cili ende nuk ishte njohur nga shumica e muslimanëve. Lajmëtari u zbulua gjatë rrugës dhe u dërgua tek Ibn Zijadi, i cili i ofroi dy mundësi: ose do ta mallkonte Aliun dhe familjen e tij ose do të vritej.


          Lajmëtari u ngjit në çatinë e një pallati dhe përkundër asaj që priste Ibn Zijadi, e bekoi Aliun dhe familjen e tij, kurse e mallkoi Jezidin dhe Ibn Zijadin e i thirri njerëzit ta përkrahnin Husejnin. Ai u hodh nga çatia dhe vdiq.


Edhe Muslim ibn Akili bëri një luftë trimërore kundër ushtarëve të Ibn Zijadit në Kufe dhe iu afrua mjaft fitores, derisa disa fisnikë të qytetit, nga ballkonet e pallateve, i kërcënuan njerëzit me ardhjen e ushtrisë siriane. Atëherë, pikërisht në çastin e fundit, të gjithë e lanë Muslimin. Ai u end rrugëve pa ditur ku të shkonte dhe në fund u tradhëtua nga djali i një gruaje që e kishte strehuar atë. Më pas, Muslimi u vra pabesisht. Përmes kërcënimit dhe ryshfeteve, Ibn Zijadi vendosi kontroll të plotë mbi situatën, pak para se Husejni të mbërrinte në Qerbela. Kështu, në fillim Ibn Zijadi dërgoi një ushtri të udhëhequr nga Hurr ibn Zijad Rijahi, i cili ishte urdhëruar ta detyronte Husejnin për t’i dhënë betim besnikërie Jezidit dhe ta sillte të gjallë tek Ibn Zijadi.


          Husejni e kishte të qartë se çfarë e priste. Prandaj i mblodhi shokët dhe të afërmit e tij dhe u kërkoi të largoheshin, të shpëtonin jetët e tyre dhe ta linin atë vetëm, sepse ishte ai që ata kërkonin: Prisni derisa të vijë nata dhe me një deve merrni secili nga ju nga një pjesëtar të familjes sime dhe shpërndahuni nëpër tokë. Ata më kërkojnë vetëm mua dhe nëse më kapin nuk do t’ju bëjnë gjë juve.. Por para se të hezitonte dhe të mendonte për t’u kthyer pas, djemtë e Muslimit i thanë: Jo për Zotin, nuk do të kthehemi pas derisa të mos ia marrim hakun babait tonë ose ta pësojmë fatin e tij. Husejni u përgjigj: Nuk ka të mirë tjetër në jetë pas jush.18


          Kjo ishte mundësia e fundit e vërtetë për të shpëtuar nga vdekja, por ai e refuzoi. Edhe shokët dhe të afërmit e tij, të gjithë njëzëri bërtitën se nuk do ta braktisnin. Ose do të jetonin me të ose bashkë me të do të vdisnin.


          Tendenca e shkrimtarëve të mëvonshëm ka qenë që ta mohojnë çdo lloj hezitim të këtillë nga ana e Husejnit dhe e shokëve të tij. Megjithatë kjo është e panevojshme, sepse çfarëdo që të themi për Husejnin, edhe ai ishte një  njeri që si gjithkush, e çmonte jetën dhe dëshironte t’i shmangej vuajtjes dhe vdekjes. Sprova e vërtetë ishte në do të hiqte dorë Husejni, kur më vonë, Umar ibn Sadi dhe gjeneralët e tij do t’i kërkonin atij ta pranonte kalifatin e Jezidit dhe t’i nënshtrohej Ibn Zijadit. Ai nuk e bëri këtë, dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij kurse dhe pikërisht për këtë arsye, kundërshtimi i tij mund të quhte revolucion. Gjatë ditëve të fundit të jetës së tij dhe madje deri në çastet e fundit, teksa po i afrohej vdekja gjithë më tepër, ai përpiqej t’i ruante kundërshtarët e tij nga kryerja e një mëkati kaq të madh ndaj vetë nipit të Profetit dhe ndjekësve të tij të devotshëm.


          Husejni mbërriti në Qerbela më 2 Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit. Transmetimet e mëvonshme e kanë shënuar tregimin se kur kali i tij mbërriti në atë vend, refuzoi të lëvizte më tutje. Husejni pyeti se si quhej vendi dhe njerëzit u përgjigjën se quhej Nejneve. Ai pyeti sërish në njihej me ndonjë emër tjetër. I thanë se njihej gjithashtu me emrin El-Ghadirijje. A ka ndonjë emër tjetër? –pyeti ai. Këtë herë iu përgjigjën: “Qerbela”. Atëherë ai tha: Ne jemi të Zotit dhe Atij i kthehemi. Ky është vendi i pikëllimit (kerb) dhe gjëmës (bela). Kjo është ndalesa e fundit e udhëtimit tonë, ky është vendi ku do të derdhet gjaku ynë. Pastaj u foli shokëve të tij: Le të jetë ky vendqëndrimi ynë!19


          Qerbelaja ndodhet në brigjet e Eufratit dhe të dyja ushtritë ngritën kampe ballë për ballë njëra-tjetrës.


          Hurrit dhe më vonë edhe Ibn Sadit u erdhën urdhra që të mos i lejonin Husejnit t’u afrohej ujrave të Eufratit, në mënyrë që etja ta detyronte të dorëzohej. Për disa ditë, ky urdhër nuk u praktikua dhe ndodhën vetëm përleshje të vogla mes njerëzve të Husejnit dhe atyre të Ibn Sadit, teksa ushtarët e Husejnit përpiqeshin të arrijnë tek lumi. Megjithatë, qëllimi kryesor i Husejnit nuk ishte lufta, por të këshilluarit e njerëzve. Andaj, ai nuk deshi të ishte i pari që do të sulmonte. Një ditë, pasi e fali namazin, i hipi kalit tij dhe në një fjalim të shkurtër e të rëndësishëm e pëmblodhi qëllimin e ardhjes së tij dhe gjithë filozofinë e kësaj lëvizjeje: O njerëz! I Dërguari i Zotit, të cilin Zoti e bekoi, ka thënë: “Do ta marrë nga Zoti dënimin e merituar gjithkush që sheh e nuk e kundërshton me fjalë e me vepra një Imam në detyrë, që është tiran dhe gabimtar (xhairan), që e lejon atë që Zoti e ka ndaluar e që ndalon atë që Zoti ka lejuar, që e kundërshton Traditën e Zotit e të Profetit të tij dhe që kryen mëkate ndaj shërbëtorëve të Zotit” 20


          Ai pastaj e krahasoi veten, pra djalin e vajzës së Profetit, me njerëzit, të cilëve u kishin dhënë betim besnikërie e të cilët jetojnë në bindje ndaj Djallit dhe e braktisin  me të cilët dhanë besën, të cilët iu bindën Shejtanit dhe braktisën bindjen ndaj Mëshirëplotit, të cilët i kapërcyen kufijtë e urdhrit Hyjnor dhe e dhunuan ligjin e Zotit. Pastaj i pyeti kush ishte më i vlefshëm për Kalifatin, Jezidi apo ai vetë, duke ua përkujtuar edhe letrat dhe dërguesit e tyre, të cilët e ftuan të vinte. Kur ata mohuan se kishin shkruar letra, ai i thirri dhe para tyre solli dy thasë me letra.


          Kjo dëshmi i hutoi ata dhe një heshtje turpi dhe keqardhjeje ra mbi njerëzit. Megjithatë, ata nuk e patën kurajon për të ndjekur zërin e arsyes dhe fjalët e paralajmërimit e kërcënimit për dënimi nga Zoti. Atë çast, Husejni me dëshpërim të thellë foli përsëri dhe tha: E shihni çfarë na ka ndodhur. A e shihni si ka ndryshuar bota dhe ka marrë trajtë të gabuar, a shihni si është zhdukur e mira dhe s’ka mbetur asgjë prej saj, si bari i një livadhi të shkretuar. A nuk shihni se njeriu s’i bindet të vërtetës dhe si s’e braktis të gabuarën? Atëherë le ta kërkojë besimtari afërsinë e Krijuesit të tij të vërtetë! Po, unë e konsideroj jetën me të ligët një barrë (berman) dhe vdekjen një bekim, një martirizim që e dua më shumë.21


           Ibn Sadi nuk kishte shumë vullnet për të luftuar kundër Husejnit. Por si të tjerët, edhe ia shiti arsyen frikës dhe të mirave të kësaj bote. Ai duhej të zgjidhte ndërmjet udhëheqjes së provincës së pasur të Rej-it, duke e vrarë Husejnin, dhe humbjes së këtij prestigji dhe ndjekjes së dëshirës së Zotit, duke u vendosur në histori përkrah Husejnit dhe shokëve të tij martirë.


           Ibn Sadi u takua me Husejnin në shumë raste, natën, në territorin mes dy kampeve. Në një nga bisedat, Husejni u përpoq ta largonte Ibn Sadin nga vepra e keqe për të cilën ishte dërguar kundër tij. Ky i fundit pranoi se nuk dëshironte të luftonte kundër tij por kishte frikë se Ibn Zijadi do t’ia merrte pozitën e lartë, do t’ia shkatërronte shtëpinë dhe do t’ia lëndonte familjen. Në një bisedë tjetër kontradiktore (për të cilët historianët nuk pajtohen në ishte publike ose private), Husejni i ofroi të kthehej nga kishte ardhur, të shkonte tek Jezidi dhe ta zgjidhte problemin me të, ose të shkonte dhe të jetonte në ndonjë vend të largët dosido, që ata do t’ia zgjidhnin. Deklaratën “ta vë dorën mbi dorën e Jezidit” disa e kanë interpretuar si miratim për t’i shprehur besnikër. Por robi i tij,  Ukbe b.Saman, ai kërkoi vetëm ti lejohej të “...endej përqark tokës së Zotit derisa të vendosej mes njerëzve për këtë çështje”. 22  


        Ibn Sadi, duke u përpjekur t’i shmangej konfrontimit të drejtpërdrejtë  me Husejnin, i shkroi Ibn Zijadit për dëshirën e Husejnit për të hequr dorë nga lufta. Përsëri, ajo që shkroi  këtu dhe përgjigjia që mori janë çështje të diskutueshme. Sido që të jetë, Ibn Zijadi kishte vendosur të shënonte një fitore të madhe ndaj Husejnit dhe nuk pranonte tjetër veçse ta shihte atë të robëruar para vetes, që të mund pastaj vetë të vendoste se ç’duhej bërë me të.


       Prandaj ai dërgoi një njeri tjetër, Shimr b. Dhilxhehshen, që mund të thuhet se është Juda i martirizimit të Husejnit, i cili do të këmbëngulte që të realizoheshin urdhrat e Ibn Zijadit. Ai ishte urdhëruar ta vriste Ibn Sadin dhe t’ia zinte vendin si komandant i ushtrisë, nëse ky i fundit nuk do t’u bindej urdhrave të guvernatorit (Ibn Zijadit). Kështu, në vigjilje të ditës së dhjetë të Muharremit, kalorësit e Ibn Sadit u nisën drejt kampit të Husejnit që ti binin punët në vijë.


        Ai po dremiste jashtë çadrës së tij dhe përsëri e pa në ëndërr Profetin Muhammed, i cili e lajmëroi se të nësërmen do ta hante iftarin bashkë me të dhe me pjesën tjetër të familjes në Parajsë. Husejni u zgjua nga motra e tij Zejnebja dhe e dërgoi vëllain e tij Abbasin që t’i kërkonte Ibn Sadit t’i linin të qetë deri të nesërmen në mëngjes, që të mund ta adhuronin Zotin atë natë dhe të mendoheshin. Thuhet se atë natë, nga kampi i tyre dëgjoheshin zërat e njerëzve si gumëzhinë bletësh gjatë faljes së namazit, leximit të Kuranit dhe të qarave të lamtumirës. Edhe njëherë Husejni u kërkoi shokëve të largoheshin dhe ta linin vetëm me fatin e tij. Por përsëri të gjithë e thirrën njëzëri besnikërinë e tyre dhe vendimin për të luftuar me të deri në vdekje. Disa prej tyre thanë, duke e shprehur me shumë pak dallime mendimin e shumicës, se më mirë do të vriteshin njëmijë herë se sa ta braktisnin atë. Ai atëherë e pranoi sinqeritetin dhe devotshmërinë e tyre për kauzën e tij dhe iu lut Zotit për mëshirën për shpirtrat e tyre.


          Ishte e premte ose e shtunë, 10 Muharrem i vitit 61 pas Hixhrit, kur ndodhi tragjedia më e madhe në Islam. Ibn Sadi, pasi u urdhëroi njerëzve të tij të përgatiteshin për luftë, hodhi një shigjetë në drejtim të kampit të Husejnit duke thënë: Dëshmoni tek emiri (Ibn Zijadi) se unë isha i pari hodha shigjetë.23


          Lufta filloi dhe shokët e Husejnit ranë njëri pas tjetrit, kryesisht në dyluftim. Shpirtmadhësia, devotshmëria dhe vetë sakrifica e tyre u bënë motivi i shumë tregimeve në imagjinatën e shkrimtarëve të mëvonshëm dhe në folklorin fetar. I pari që vdiq nga familja e Husejnit ishte djali i madh i tij, Ali El-Ekber. Pastaj Abbasi, duke e parë vuajtjen e grave dhe fëmijëve nga etja, shkoi për të marrë ujë, mes shpatash, shtizash e shigjetash nga çdo anë. Ai mori ujë për të eturit por gjatë rrugës së kthimit, u sulmua dhe u vra pas një luftimi të guximshëm por pa shumë shpresë për fitore. Thuhet se në fillim ia prenë duart njëra pas tjetrës, me çfarë ai e mbërtheu shpatën me dhëmbë dhe luftoi duke vrarë burrat para se të goditej me një shufër hekuri në kokë. Pastaj, trupi i tij u copëtua nga turma e mllefosur e ushtarëve armiq.


          Husejni e kërkoi djalin e tij Abdullahun, që ishte ende foshnje e që ndoshta kishte lindur gjatë ditëve të para të muajit Muharrem në kamp. Ai e përqafoi fëmijën dhe u lut për një pikë ujë për këtë foshnje të pafajshme. Por një njeri nga ushtria armike gjuajti me një shigjetë në qafën e fëmijës, dhe e vrau atë në prehërin e të atit. Duart e Husejnit u mbushën me gjak dhe ai e hodhi gjakun e fëmijës drejt qiejve. Sipas rrëfimeve, asnjë pikë e gjakut nuk ra në tokë.


          Husejni vazhdoi deri në momentin e fundit duke u përpjekur t’ua ndërronte zemrat  armiqve të tij nëpërmjet lutjeve të njëpasnjëshme drejtuar Zotit për ndihmë atij vetë dhe për dënim për armiqtë e tij. Këto thirrje dhe fjalime e përshkruajnë përsosurisht veten e tyre dhe nuk lënë vend për komente. Prandaj do të japim në vijim dy shembuj.


           Pak para betejës, ai u foli njerëzve të Kufes, duke e lavdëruar Zotin, duke u lutur për të Dërguarin e tij e duke u thënë se ishte gati të kthehej, nëse ata do ta linin vetëm. Ai tha:


O njerëz! A t’ju flas për prejardhjen time? A t’ju them se kush jam? Atëherë mbase do të vini në vete dhe do ta dënoni shpirtin tuaj! Shihni pastaj se a meriton pozita ime që të më vrisni? A nuk jam unë djali i vajzës së Profetit? A nuk jam unë trashëgimtari i Profetit dhe djali i kushëririt të tij? A nuk jam unë djali i atij që e besoi Profetin para të gjithëve dhe që e dëshmoi Profetësinë e tij? A nuk është xhaxhai im Hamza Prijësi i Dëshmorëve? A nuk është Xhafer el-Tajjari xhaxhai im? A nuk keni dëgjuar se për mua e tim vëlla, Profeti ka thënë: “Këta të dy janë zotërinjtë e të rinjve të parajsës.”


Nëse i miratoni fjalët e mia, dijeni se këto fjalë janë të vërteta. Betohem në Zotin se nuk kam gënjyer që nga dita kur kam kuptuar se Zoti e dënon gënjeshtarin dhe se e kthen prapa gënjeshtrën e tij. Nëse nuk i besoni fjalët e mia, e dini se janë gjallë sahabet e Profetit, pyetini ata! Pyeteni Xhabir ibn Abdullah Ensariun, Eba Said el-Khudriun, Zejd bin Erkamin dhe Enes bin Malikun. S’ka dyshim se të gjithë ata e kanë dëgjuar fjalën e të Dërguarit në lidhje me mua dhe vëllain tim. A nuk ju pengojnë të gjitha këto gjëra nga derdhja e gjakut tim? 24


           Shimri, arkitekti kryesor i kësaj masakre të dhunshme, u përgjigj se nuk e kuptonte se çfarë donte të thoshte Husejni. Një shok i Husejnit, i quajtur Habib ibn Mezahir, tha se Shimri e thoshte të vërtetën, sepse Zoti vërtet i kishte vulosur zemrat e këtyre njerëzve, duke i bërë të paaftë për të kuptuar e duke bërë që të rriten gjithë kohës mëkatet e tyre kundër robërve të Zotit.


          Mes njerëzve, zemrat e të cilëve u prekën, ishte edhe zemra e Hurrit, komandantit të parë që Ibn Zijadi e kishte dërguar në fushëbetejë për ta detyruar Husejnin të dorëzohej. Vdekja e tij ishte vërtet një akt guximi i skajshëm, njësoj siç ishin vdekjet e të gjithë të tjerëve që treguan trimëri të madhe, përkundër paburrërisë së kufasve, të cilët erdhën me mijëra, vetëm për ta blerë me gjakun e pafajshëm të këtyre njerëzve kënaqësinë e Ibn Zijadit dhe dhuratat e tija materiale. Përgjithësisht pranohet se katër mijë ushtarë u dërguan për të luftuar kundër Husejnit, përkrahësit e të cilit nuk ishin më shumë se shtatëdhjetë e pesë vetë.


          Ata u vranë shpejt, ndërsa Husejn mbeti vetëm në fushëbetejë, në dëshpërim dhe konfuzion. Ai i ngriti duart drejt qiellit, me Librin e Zotit para tij, dhe u lut duke thënë:


          O Zot! Ti je ndihma ime në fatkeqësi dhe shpresa ime në çdo vështirësi. Ti je për mua një mbështetje në çdo problem me të cilin përballem, në çdo pikëllim që më dobëson zemrën dhe që bën shoku-shokun ta braktisë e armikun të gëzohet. Të gjitha këto po i sjell para Teje tok me ankesat e mija, dhe vij tek Ti, vetëm tek Ti. Ti gjithnjë ma ke larguar brengën dhe vështirësitë, sepse Ti je burimi i çdo mëshire e madhështie dhe Ti je fundi i çdo dëshire.25


          Nga fundi i ditës, Shimri u urdhëroi njerëzve të vrisnin Husejnin, i cili kishte pësuar tashmë shumë goditje nga shigjetat, shpatat dhe shtizat. Disa rrëfime thonë se Husejni u shtri në tokë me fuqitë e fundit, i mbuluar me gjak e duke e lëvizur kokën poshtë e lartë sikur dremiste nga dobësia. Askush nuk dëshironte ta vriste atë dhe të dilte para Zotit me gjakune  tij mbi dua.


          Ishte Shimri që i shkeli në gjoks dhe e goditi shumë herë me shpatën e tij, derisa Husejni buzëqeshte duke thënë: “I lëvduar qoftë Zoti, që e dërgoi krijesën e tij më të ligë për ta vrarë atë...” Pastaj, Shimri ia preu kokën Husejnit. Në rrëfime të tjera, prerja e kokës së Husejnit u veshet njerëzve të tjerë, por edhe në këtë rast, të gjithë pajtohen se kjo u bë me urdhër të Shimrit. Koka e Husejnit, bashkë me kokat e ndjekësve të tij, u dërguan së pari tek Ibn Zijadi, i cili më pas i dërgoi ato drejt Damaskut, bashkë me gratë dhe fëmijët, që ishin zënë robër. Vetëm Ali ibn Husejn Zejn el-Abidini, djali i Husejnit, që ishte i sëmurë atë ditë, i shpëtoi kësaj tragjedie.


          Shumica e rrëfimeve pajtohen se Jezidi vajtoi për vdekjen e Husejnit, se e mallkoi Ibn Zijadin dhe i dërgoi fëmijët dhe gratë e Husejnit në Medinë, duke i furnizuar mirë dhe duke u rikthyer çdo gjë që u ishte marrë nga ushtarët kufas. Megjithatë, fakti se ai as nuk e dënoi Ibn Zijadin për veprën e bërë e as nuk u përpoq ta ndalte atë, bëri që pikëllimi i tij të interpretohej si një shtirje ose si një veprim diplomacie, për t’i kënaqur njerëzit.          


Sido që të ketë qenë, vdekja e Husejnit ka qenë frymëzim për përsiatje e për devotshmëri për gjeneratat në vijim. Vdekjes së tij i janë bërë interpretime të panumërta dhe çdo gjeneratë e ka parë përpjekjen e saj në dritë të përpjekjes së Husejnit. Në këtë kuptim, Husejni ngadhnjeu, ndërsa Jezidi humbi.


 


11: El-Kharezmi, vëll.1, fq.187
12: El-Kharezmi, vëll.1, fq.187
13: El-Kharezmi, vëll.1, fq.192
14: Taberi, Tarih, vëll.6, fq.219
15: Taberi, Tarih, vëll.6, fq.219
16: El-Kharezmi, vëll.1, fq.213
17: El-Kharezmi, vëll.1, fq.223
18: Taberi, vëll.1, fq.217
19: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.229
20: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.229
21: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.229
22: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.235
23: El-Kharezmi, vëll.2, fq.25
24: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.242-243
25: Taberi, Tarih, vëll.1, fq.241-242


 


 


3. Përfundimi: Husejni në histori


          Husejni ka zënë vend në histori në dy mënyra. Së pari, për njeriun modern sekular, pra për atë që revolucionet fetare i kundron nga aspekti shoqëror, kryengritja e Husejnit është një akt fisnik. Për njeriun e tillë, kontrasti ndërmjet Husejnit me pasuesit e tij dhe Jezidit e Ibn Zijadit me ushtritë e tyre është një fakt i rëndësishëm në dallimin mes të drejtës dhe të gabuarës. Pas rënies së Husejnit dhe ekzekutimit të tij, ata ia shtypën trupin me patkonjtë e kuajve. Por ky nuk do të ishte akti i fundit i mizorisë kundrejt robërve të Zotit


          Ishte pikërisht në kohën e Jezidit që “qyteti rrezatues” i Profetit u pushtua dhe u plaçkit dhe ensarët e muhaxhirët e shoqërisë medinase u vranë me shpatë. Për njerëzit si Akkadi, Shems el-Dini dhe të tjerë, revolucioni i Husejnit është revolucioni i parë dhe më i madh në mesin e të gjithë revolucioneve islame, që s’janë tjetër veçse vazhdimësi e Qerbelasë. Akkadi shkruan për këtë rrjedhë të gjakut të shejntë të martirëve përgjatë historisë dhe flet kështu për martirin e Qerbelasë: Këtyre u takon edhe martiri i Qerbelasë, Husejn ibn Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të! Në të vërtetë, ai është prijësi i martirëve dhe është burim i vazhdueshëm martirizimi, i pakrahasueshëm me asnjë burim tjetër në historinë njerëzore.26


           Mënyra tjetër, në të cilën Husejni ka zënë vend në histori, mund të dëshmohet me gjithë intensitetin e saj, në zinë e dhjetë ditëve të para të muajit Muharrem. Në këto rituale, Husejni sikur është plotësisht dhe fizikisht i pranishëm pranë pelegrinëve në varrin e tij të shenjtë në Qerbela ose kudo qoftë e varrosur koka e tij. Vetë koka e ka pasur historinë e saj të veçantë. Megjithëse nuk dihet vendi i saktë i varrosjes së saj, për këtë kanë ekzistuar pretendime të ndryshme. Kalifi i virtytshëm umajjad, Umar Ibn Abdulaziz supozohet se ka falur namaz para kokës së Husejnit dhe e ka varrosur atë, duke i falur kështu një rreze të shkëlqyeshme drite një periudhe që ishte krejtësisht e errët (redaktori: aludohet në sundimin e dinastisë umajjade). Fatimidët, në kulmin e lavdisë së tyre, kërkuan të kurorëzonin perandorinë e tyre me kokën e shenjtë, që thuhet se u gjet dhe u soll nga ata në Kajro, ku ende ekziston xhamia e Husejnit.


           Në këtë dramë kemi personazhe të mirë dhe të ligë. Martirizimi i heroit të kësaj drame ka qenë një burim kontradiktash dhe frymëzimesh gjatë shekujve. Ai vetë kaloi në përjetësi, nën shoqërinë e martirëve të tjerë të mëdhenj, jetët e të cilëve vazhdojnë të shkëlqejnë si yj udhëzues në historinë e njerëzimit.


 


FUND