PËRMBAJTJA:
Imam Mehdiu nga këndvështrimi i Muhjiddin bin Arabiut
Shejh Mahmud Shebisteri dhe Shej Muhammed Lahixhi
Abdurrezak el- Kasani
Mevla Xhemi Nur el-Din Abdu′l-Rahman
Shejh Abd el- Rahman Çishti
Sa′ad el-Din Muhammed ibn el- Muajjad el- Hamavi
Shej Feriduddin Attar Nishapuri
Mevlana Xhelaleddin el- Balkhi
Ebu’l-Fadl Jahja ibn Haskafi Hanefi
Shems el- Din ibn Tulun
Shejh Ahmed Xhami
Fadl ibn Ruzbahan el-Shafi’i
Abdu’l-Mumin el-Shablanxhi el-Shafi’i
Ibn Hixhr el-Haithemi el-Mekki el-Shafi’i
Dr. Mustafa Rafi′i
Përfundim
Ky shkrim është një përmbledhje e shkurtuar e artikujve “Çështja e Mehdiut të Premtuar në diskutimet e sunnitëve” nga Xhafer Khoshnevi dhe “Mehdiu nga këndvështrimi i mistikëve sunnitë” nga Rahmetullah Ziai
Çështja e Mehdiut nuk është e kufizuar brenda shkollës së Ehl-i Bejtit, por përkundrazi, ka qenë një subjekt interesi i të gjitha shkollave të mendimit në Islam. Shumë dijetarë muslimanë, të stimuluar nga numri i madh i haditheve që përcillen nga Profeti i Islamit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), e kanë hulumtuar këtë temë dhe kanë shkruar shumë libra mbi të.
Mistikët muslimanë, duke u mbështetur në hadithet dhe në këndvështrimet e tyre të veçanta mbi ekzistencën dhe krijimin, e kanë trajtuar temën e Mehdiut nga perspektiva e tyre e veçantë. Monoteizmi dhe njohja e Njeriut të Përsosur (Insan el-Kamil), i cili është monoteisti i mirëfilltë, janë vetë themeli i pyetjeve dhe i diturisë së mistikëve. Nga këndvështrimi i mistikëve të mëdhenj, Njeriu i Përsosur ngjasohet shpesh me kornizën e metaltë, ku vendoset guri i çmuar në unazë. Njeriu i Përsosur është kjo “kornizë” e rendit ekzistencial dhe ruajtja e botës dhe e njeriut varet nga ekzistenca e tij.
Mistikët insistojnë se Njeriu i Përsosur duhet të ketë një ekzistencë elementare, e cila zgjatet nëpër epoka, në mënyrë që bota dhe njeriu të mbijetojnë me dritën e qenies së tij. Për këtë Njeri, ata kanë folur në raste të ndryshme dhe e kanë identifikuar me emra të ndryshëm.
Mistiku i madh, Aziz el-Din Nesefi, në veprën “Njeriu i Përsosur“ (Insan el-Kamil), shkruan:
Dije se ky njeri i përsosur (insan el-kamil) ka shumë emra, si Hadi (udhëzuesi), Mehdi (i udhëzuari), Imam, Kalif (mëkëmbës) dhe Sahib el-Zaman (i zoti i kohës).
Më tej, ai shton:
Ky njeri i përsosur ka ekzistuar gjithnjë në botë, dhe nuk ka qenë më tepër se një. Nëse të gjitha qeniet e botës i konsiderojnë një person të vetëm, Njeriu i Përsosur është zemra e këtij personi. Dhe siç e dimë, askush nuk mund të jetojë pa zemrën. Andaj, Njeriu i Përsosur gjjithnjë ka ekzistuar në botë dhe Ai nuk mund të jetë veçse një. 1
Muhjiddin ibn Arabi, në veprën Fusus el-Hikem, në pjesën ku flitet për Ademin, e mban qëndrimin se Kalifati (hyjnor) kufizohet tek njeriu i përsosur, dhe shkruan: Mëkëmbësia hyjnore (Kalifati) nuk vlen veçse për Njeriun e përsosur.2 Kuptohet, këtu duhet të shpjegojmë se nga këndvështrimi i mistikëve, Boshti (arab. kutb) është në botën e qenies, ashtu siç është shpirti për trupin. Për ta, emrat Hadi dhe Mehdi nuk janë tjetër veçse vetë Boshti (pra Njeriu i Përsosur).
Shejh Ali Ekber ibn Esadullah ibn Emrallah el-Maududi, një dijetar i njohur indian, në veprën “Jevakit”, në pyetjen e 45-të, përcjell se El-Sharaniu shkruan:
Shejh Ebu’l-Hasan el-Shadili, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë se ai që është Kutb (Boshti) dhe Njeri i Përsosur (Insan-i Kamil) mund të njihet nëpërmjet pesëmbëdhjetë shenjave. Ai është i pagabueshëm, është i mëshirshëm dhe është pasardhës i emëruar. Ai i fuqizon mbajtësit e Fronit hyjnor, dhe atij i shpallet e vërteta e modestisë. Ai është i njohur me të gjitha Cilësitë e Zotit. Pastaj, ai e shpjegon këtë sipas mendimit të atyre që thonë se edhe të tjerë përveç Profetit mund të jenë të pagabueshëm, duke shtuar edhe se ata që e besojnë të kundërtën, gjegjësisht që e kufizojnë pagabueshmërinë vetëm tek persona të caktuar, kanë devijuar nga rruga e drejtë.3
Imam Mehdiu nga këndvështrimi i Muhjiddin ibn Arabiut
Muhjiddin ibn Arabi el-Tai4 ishte mistik, filozof dhe teolog. Ai u lind në Murcia të Andaluzisë dhe vdiq në Damask, në vitin 638 pas Hixhrit. Ai ka shkruar shumë libra, disa prej të cilave janë Futuhat el-Mekkije, Muhadarat el-Ebrar, Fusus el-Hikem, El-Texhel’lijet el-Ilahijje dhe disa përmbledhje poetike.
Muhjiddini flet për Mehdiun në veprën “Futuhat el-Mekkije”, edhe atë në disa pjesë të ndryshme.5 Në kapitullin 366, për shembull, shkruan:
Dije se Mehdiu do të vijë, por ai nuk do të vijë deri kur toka të jetë mbushur me padrejtësi dhe shtypje. Ai do ta mbushë botën me drejtësi dhe barazi. Edhe sikur botës t’i mbetet një ditë e vetme, Zoti ka për ta zgjatur atë aq shumë, sa Kalifi (mëkëmbësi) ta marrë në dorë Kalifatin.
Dije se Mehdiu është nga gjaku i të Dërguarit të Zotit dhe nga pasardhësit e Fatimesë, paqja qoftë mbi të. Stërgjyshi i tij është Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi. Babai i tij është Hasan el-Askeriu, djali i Imam el-Nakiut, djali i Muhammed el-Takiut, djali i Imam Ali Rizasë, djali i Imam Musa Kazimit, djali i Xhafer el-Sadikut, djali i Imam Muhammed Bakirit, djalë i Ali Zejn’ul-Abidinit, djalë i Imam Husejnit, djalit të Ali ibn Ebu Talibit, paqja qoftë mbi të.
Emri i tij është i njejtë si emri i Profetit. Muslimanët do t’i shprehin atij besnikëri ndërmjet këndit të Qabes (arab. rukn) dhe pozitës së Ibrahimit (arab. mekam Ibrahim). Ai është si Profeti, i ngjashëm me të në sjellje, sepse askush nuk mund të jetë i barabartë me të përnga sjellja.6
Më tej, në veprën “El-Menakib”, Ibn Arabiu shkruan për cilësitë e lartësuara të Mehdiut:
Aliu është e fshehta e të fshehtave të ruajtura, shpirti i fshehur i shpirtrave të shenjtë, është shkalla e intelektit, është përmbushja e principeve, është boshti i qenies, është qendra e rrethit të shpalljes, është përsosuria e krijimit dhe zanafilla e përsosurisë. Ai është bukuria e gjithçkaje dhe vendi ku mblidhet e tërë qenia, ai është i dituri dhe dituria që ekziston...
Dhe pyetjet kthehen tek ai, lindja e të cilit diuhet mirë (Imam Mehdiu). Ai është pasqyra e profetësisë, ai është vërtetuesi i të fshehtës së heshtur, është ai që është stolisur me dritat hyjnore dhe që është furnizuar brenda mbulesave të hyjnores. Prej qenies së tij buron e vërteta... Ai është Emri më i Madh i Zotit, ku fshihen vlerat e format e pafundme të Krijimit. Ai është i përjetshmi, i zhyturi në Oqeanin e Mëshirës, Mbreti i mirësive plot dhembshuri, mali i manifestimeve të Zotit, zjarri i pemës, Ligji i Zotit të Madh, qëllimi përfundimtar i njerëzimit, Babai dhe i zoti i kohës. Ai është që strehohet tek e Vërteta, është Rendvënësi i fshehtë e i hapur, Ebu’l-Kasim Muhammed ibn el-Hasani, paqja qoftë mbi të.7
Gjërat që janë përmendur më sipër janë cilësitë, virtytet dhe trungu familjar i Imam Mehdiut, si dhe një përshkrim i shkurtër i sundimit të tij, pasi të jetë shfaqur. Këto janë marrë nga hadithe të përcjellura shpesh në burimet e shkollave të mendimit islam. Për më tepër, Ibn Arabi, në vëllimin e dytë të veprës “Futuhat el-mekkije”, e shpjegon temën e mësipërme, si përgjigje ndaj disa pyetjeve të parashtruara nga Hakim el-Tirmidhiu8. Në këtë pjesë, ai thotë se Vula e Velajetit (pra Imam Mehdiu) është gjallë dhe se ai vetë (dmth. Ibn Arabiu) e ka patur nderin të gjendet në prani të tij.
Kuptohet, Ibn Arabiu e ndan Vulën e Velajetit në vulën e Velajetit të përgjithshëm dhe në atë të Velajetit specifik. Qëndrimi i tij është se Isa (paqja qoftë mbi të) është Vula e Velajetit të përgjithshëm, ndërkohë që Mehdiu (paqja qoftë mbi të) është Vula e Velajetit të veçantë muhammedan. Në këtë artikull, nuk kemi për qëllim të merremi me kritikën e këtij qëndrimi të tij. Në lidhje me këtë, i sugjerojmë lexuesit që t’i drejtohet veprës “Xhemi’ul-Esrar” të Sejjid Hajdar Amuliut, i cili edhe përkundër respektit të madh që ka për Ibn Arabiun, e kritikon këtë qëndrim të tijin në lidhje me Velajetin.9 Për fund, duam të shtojmë se në veprën “Futuhat el-mekkije”, ekzistojnë edhe shumë poezi të bukura, që janë shenjë e devotshmërisë që autori (Ibn Arabiu) ndjente ndaj Mehdiut (paqja qoftë mbi të).10
Shejh Mahmud Shebisteri dhe Shejh Muhammed Lahixhi11
Shejh Mahmud Shebisteriu është autori i poemës Gulshen-i Raz (Kopshti i fshehtësive), e cila pranohet si njëra nga veprat më të shkëlqyeshme mistike, që i ka siguruar autorit të saj një famë të përjetshme. Shumë komentime të kësaj vepre janë bërë, në mesin e të cilave shquhet ajo e Shejh Muhammed Lahixhiut.
Ai thotë: Veliu e ndjek Profetin dhe i bindet atij, qoftë në lehtësi e qoftë në vështirësi, në ngushtim ose në çlirim, duke u përpjekur gjithë kohës ta shfaqë bindjen e tij. Për këtë arsye, ai është urdhëruar t’i respektojë të gjithë urdhrat fetarë dhe të qëndrojë larg gjërave të ndaluara. Kështu, në aspektin e ligjit hyjnor dhe të disiplinës shpirtërore, ai bëhet një person që i ndan me Profetin të fshehtat e këtij të fundit. Ngase Profeti e ka arritur shkallën e të Dashurit, edhe veliu do të lëvizë nga pozita e të dashuruarit drejt pozitës së të dashurit, duke e ndjekur me kujdes Profetin. Cilësia e të qenit i dashur do të rrjedhë nga Profeti drejt veliut, falë bindjes së këtij të fundit ndaj Profetit. Po kështu, ai arrin afërsi me Profetin dhe miqësi e afërsi edhe me Zotin. Kjo është siç ka thënë edhe vetë i Dërguari: “Aliu më takon mua dhe unë i takoj Aliut. Ne të dy jemi krijuar nga një dritë e vetme. (O Ali!) Ti je për mua si ishte Haruni për Musën, me dallimin e vetëm se nuk ka më profet pas meje.”12
Shejh Mahmud Shebisteriu shkruan:
Velajeti shfaq manifestime të ndryshme, në varësi prej aftësive dhe kapaciteteve, të cilat mund të jenë të panumërta...Por manifestimi më i lartë dhe më i përsosur i Velajetit shfaqet në qenien e përsosur të Vulës së Evlijave, sepse ai është manifestimi absolut i Velajetit, ndërkohë që gjithë veli-të e tjerë, me pozitat e tyre të ndryshme, vetëm sa e përfitojnë dritën e Velajetit nga drita e Vulës së Evlijave.
Në komentin që ia bën fjalimit të Shebisteriut, Shejh Muhammed Lahixhi shkruan:
Vula e Evlijave është manifestimi i tërë Velajetit. Ai është përsosuria e shoqërisë, sepse përsosuria e realitetit të rrethit manifestohet në pikën e fundit të tij. Vula e Evlijave është Imam Muhammed el-Mehdiu, që është premtuar nga Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), i cili ka thënë: “Edhe sikur t’i mbetet botës një ditë e vetme, Zoti ka për ta zgjatur atë, derisa të dërgojë një njeri nga familja ime. Ai do ta mbushë botën me drejtësi dhe barazi, siç ka qenë e mbushur më parë me mizori dhe padrejtësi.” Për më tepër, ai thotë: “Mehdiu është nga familja ime dhe nga pasardhësit e Fatimesë.”
Brenda qarkut të Velajetit absolut, i cili manifestohet tek Vula e Evlijave, evlijatë e tjerë janë si pikat ose pjesët e ndryshme të Vulës së Evlijave. Kjo është ngase realiteti i Velajetit realizohet nëpërmjet një cilësie të përsosurisë tek secili veli (= mik i Zotit; njejësi i fjalës evlija), ndërkohë që manifestohet nëpërmjet të gjithë cilësive të përsosurisë tek pika e fundit, që është Muhammed El-Mehdiu (paqja qoftë mbi të). Shi tek ai manifestohet dhe realizohet qarku i Velajetit. Njësoj siç e marrin të gjithë profetët (paqja qoftë mbi ta) dritën e profetësisë nga drita e profetësisë së Vulës së Profetëve, edhe të gjithë evlijatë e marrin dritën e Velajetit dhe përsosurinë nga dielli i Velajetit, që është i ndërlidhur me Vulën e Evlijave. Kjo është arsyeja përse Velajeti i Vulës së Evlijave është quajtur Velajeti diellor, ndërkohë që Velajeti i evlijave të tjerë është emërtuar Velajeti hënor. Të gjithë evlijatë e marrin dritën e Velajetit nga Velajeti absolut i Vulës së Evlijave, njësoj siç e merr hëna dritën e saj nga dielli.
Abdurrezzak el-Kasani13, në një komentim që i bën një fjalimi të Ibn Arabiut, shkruan:
Kjo flet për faktin se në çështjen e ligjit fetar, Vula e Evlijave duhet të jetë një ndjekës, siç është Mehdiu i fundit të kohëve, një ndjekës i Muhammedit (paqja qoftë mbi të) në çështjet e ligjit dhe në lëmitë e diturisë e të shkencave. Të gjithë profetët dhe evlijatë do ta ndjekin atë, dhe kjo nuk bie ndesh me atë që kemi thënë më parë, sepse qenia e brendshme e tij (Mehdiut) nuk është tjetër vese qenia e brendshme e Muhammedit (paqja qoftë mbi të). Andaj është thënë se ai është një bekim i Prijësit të Profetëve (paqja qoftë mbi të), i cili ka thënë: “Emri i tij është emri im dhe nofka e tij është nofka ime. Ai ka një pozitë të lartësuar.”14
Në veprën “Tuhfat el-Ikhvan fi Khasais el-Fitjan”, ai thotë: Njësoj siç është i zgjedhuri i Zotit, Ademi, fillim dhe manifestim i profetësisë, siç është Ibrahimi Khalilull’llahu bosht i profetësisë, dhe siç është i dashuri i Zotit, Muhammedi, Vulë e kësaj profetësie, Ibrahimi është fillimi i Bekimit, Prijësi i Besimtarëve Aliu është shtylla e tij dhe Muhammed el-Mehdiu (paqja qoftë mbi të) është Vula. Ai është Vula e Evlijave.15
Siç mund të shihet, në citatet e mësipërme janë theksuar dy pika me rëndësi në lidhje me Mehdiun. Si e para, është theksuar fakti se ai është Vula e Evlijave dhe, si e dyta, është theksuar marrëdhënie e tij me profetët e Zotit.
Khvaxha Muhammed Parsa16, në veprën Fasl el-Kitab shkruan:
Ebu Abdullah Xhafer ibn Ali el-Hadiu njihet si “gënjeshtari”, sepse mendonte se vëllai i tij, Ebu Muhammed Hasan el-Askeriu (Imami i njëmbëdhjetë) nuk pati djalë, dhe ngase pretendonte se vëllai i vet ia kishte lënë atij si trashëgim Imamatin e muslimanëve...Por vetë Hasan el-Askeriu ua kishte prezantuar djalin e tij Muhammedin të afërmve të vet të besueshëm.
Më pas, ai e përcjell hadithin e Hakimes, hallës së Imam Askeriut (paqja qoftë mbi të), në lidhje me lindjen e Mehdiut. Hakimeja përcjell:
Imami më tha: “Hallë! Çoje fëmijën tek e ëma!” Të nesërmen, kur erdha për ta parë Imamin, e pashë edhe fëmijën me të, e ai kishte një fytyrë aq të shëndritshme, sa ma kënaqi zemrën. Unë thashë: “Imzot, a e njeh këtë fëmijë?” Imami u përgjigj: “Hallë! Ky fëmijë është ai që duhet të pritet. Është ai, për ardhjen e të cilit janë dhënë sihariqe.”
Më pas, Hakimeja shton:
Unë rashë në sexhde dhe iu falënderova Zotit. Pastaj, për një kohë të caktuar shkova disa herë në shtëpinë e Imamit, por fëmijën nuk e pashë më. Një ditë i thashë Imamit: “Imzot, çfarë u bë me zotëriun tonë, të Priturin (Mehdiun)?” Ai u përgjigj: “Atë ia besuam Atij, të cilit nëna e Musës ia besoi të birin.”
Pasi e përcjell këtë, autori shkruan:
Hadithet që e përcjellin këtë ndodhi janë të panumërta. Virtytet e Mehdiut, të atij që është i fshehur nga sytë e që është i zoti i kohës (Sahib’uz-Zaman)...janë të shumtë. Ekzistojnë hadithe të shumta, të cilat thonë se ai do të shfaqet dhe se drita e qenies së tij do të shkëlqejë kudo. Ai do ta ringjallë fenë islame dhe do të luftojë në rrugë të Zotit...Ndjekësit e tij janë të pastër nga mangësitë dhe gabimet. Ata i kalojnë ditët ashtu siç i kalon ai dhe e arrijnë të vërtetën nëpërmjet udhëzimit të tij. Për më tepër, me të ka për të marrë fund Kalifati dhe Velajeti. Ai është Imami, nga vdekja e babait të tij deri në ditën e Ringjalljes. Profeti Isa do të qëndrojë pas tij në namaz dhe do ta vërtetojë fjalën e tij. Edhe ai do t’i thërrasë njerëzit drejt fesë së Mehdiut, që nuk është tjetër veçse Islami.17
Mevla Xhemi Nur el-Din Abdu’l-Rahman
Në veprën Shevahid el-Nubuvve (Dëshmitë e profetësisë), Xhemiu e prezanton djalin e Hasan Askeriut si Imamin e dymbëdhjetë, dhe pasi i përshkruan ngjarjet e mrekullueshme të lindjes së tij, si dhe disa nga mrekullitë e tija, thotë se ai është personi që do ta mbushë botën me drejtësi dhe barazi. Në këtë libër, në fund të përshkrimit të jetës së Imamëve, ai shkruan se Muhammed ibn Hasan ibn Ali ibn Muhammed ibn Ali er-Riza është Imami i dymbëdhjetë dhe se nofka e tij është Ebu’l-Kasim, ndërkohë që titujt e tij janë: Dëshmia (arab. huxh’xhe), Imami i Pritur (arab. Imam el-muntazar) dhe i Zoti i Kohës (arab. Sahib’uz-Zaman)
Shejh Abd el-Rahman Çishti është njëri nga mjeshtrit e Sufizmit dhe autor i veprës Miraat el-Esrar. Ai i shpreh mendimet e tija në lidhje me Imamin e dymbëdhjetë, Mehdiun e Pritur, duke përcjellur nga vepra Keshf el-Astar:
Këtu duam të shprehim se Dielli i fesë, Udhëzuesi i njerëzve e i sundimit, Pasardhësi i pastër i Ahmedit dhe Imami i vërtetë është Ebu’l-Kasim Muhammed ibn Hasan el-Mehdiu, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai është i dymbëdhjeti nga Imamët e familjes së Profetit. Nëna e tij njihet si Ummu Veled dhe emrin e ka Nerxhis (ose Nergis). Ai u lindën mbrëmjen e enjte, më pesëmbëdhjetë Ramazan18 të vitit 255 pas Hixhrit ose, sipas asaj që përcillet tek vepra “Shevahid el-Nubuvve”, më njëzet e tre Ramazan të vitit 258 pas Hixhrit, në Samarra. Emri dhe nofka e Imamit të dymbëdhjetë janë njësoj si emri dhe nofka e Profetit. Titujt e tij të shenjtë janë: Mehdi (i udhëzuari),El-huxh’xhe (Dëshmia), El-Kaim (ai që ngrihet), El-Muntazar (i prituri), Sahibu’z-Zaman (i zoti i kohës) dhe Kaimi i dymbëdhjetë. Në kohën e vdekjes së babait të tij, Imam Hasan el-Askeriut, ai ishte pesë vjeç dhe u bë Imam në atë moshë, njësoj siç i kishte dhënë Zoti nder e urtësi Jahjait, djalit të Zekerija-së, që në fëmijëri, dhe njësoj siç e kishte lartësuar Isën, djalin e Merjemes (paqja qoftë mbi të) që kur kishte qenë vetëm foshnje. 19
Ai shton: Mrekullitë e tija janë aq të shumta sa nuk mund të përmenden këtu. Pastaj, ai e përmend hadithin, të cilin Mulla Abdurrahman el-Xhamiu e përcjell tek vepra Shevahid el-Nubuvve nëpërmjet Hakimes, që ishte motra së Imam Ali el-Nakiut (Imamit të dhjetë) dhe halla e Imam el-Askeriut (Imamit të njëmbëdhjetë). Bëhet fjalë për hadithin në lidhje me lindjen e Mehdiut, të cilin e përmendëm tashmë.
Sa’ad el-Din Muhammed ibn el-Muajjad el-Hamavi u lind në vitin 587 dhe vdiq në vitin 650 pas Hixhrit. Ai është një gnostik iranian, i cili ishte mjaft i nderuar nga bashkëkohësit e tij. Duke i shpjeguar qëndrimet e tija mbi Velajetin, mbi evlijatë dhe mbi Imam Mehdiun (paqja qoftë mbi të), ai shkruan:
Dhe kur erdhi radha e fesë së Muhammedit, ai tha: “Pas meje nuk do të ketë më profetë që do të ftojnë drejt fesë sime! Pas meje do të vijnë ata që më ndjekin mua dhe që janë të afërt me Zotin. Ata janë evlijatë, të cilët do t’i ftojnë njerëzit drejt fesë sime.” Që nga ajo kohë, fjala “veli” (“evlija” në shumës) filloi të përdorej në fenë e Muhammedit. Zoti i Madhëruar ka zgjedhur dymbëdhjetë persona nga ummeti i Muhammedit, i ka afruar me veten e tij, ua ka falur atyre Velajetin e veçantë dhe i ka bërë pasardhës të Muhammedit. Hadithi “dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve” është i ndërlidhur pikërisht me këta dymbëdhjetë vetë, njësoj siç është edhe hadithi “Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e Israelitëve”. I fundmi prej tyre, i cili është Veliu i dymbëdhjetë, është Vula e Velajetit dhe quhet Mehdi ose “i Zoti i Kohës” 20
Shejh Feriduddin Attar Nishapuri
Attari është një mistik i famshëm hanefit*, i cili u mor edhe me prozë edhe me poezi. Vepra “Tedhkiretu’l-Evlija” e Attarit, e cila flet për jetëshkrimet e mistikëve, konsiderohet një burim autentik i kësaj lëmie, ndërkohë që poema Mantik el-Tajr është njëra nga veprat më të mrekullueshme mistike të Islamit. Në veprën Madh’har el-Sifat, ai e lëvdon Profetin e Islamit dhe Ehl-i Bejtin e tij, duke e lëvduar më në fund edhe të Zotin e Kohës (Mehdiun).
Është tejet interesante se ky njeri i madh i fjalës e i letrave kurrë nuk u thurri lavde mbretërve dhe princërve të kohës së tij. Megjithëkëtë, ai ka përpiluar disa lëvdata të mrekullueshme për Imamët e familjes së Profetit (paqja qoftë mbi ta). Mes tjerash, ai ke shkruar shumë ode mbi Imam Aliun, Prijësin e të Virtytshmive.
Xhelaleddin Muhammed el-Balkhi Rumi, i njohur edhe si Mevlana (ose Moulana), është një mistik dhe poet i shquar hanefit.* Ai është autor i Mesnevi-së dhe konsiderohet njëri nga mistikët dhe gjenitë më të mëdhenj të botës muslimane. Mesnevi-ja e tij është vërtet një burim urtësie dhe diturie. Vepra tjetër e tij, Divan-i Shems, është një përmbledhje me poezi lirike.
Tek vepra Divan-i Shems 21, Mevlana e zbulon besimin e tij në lidhje me pozitën e veçantë të Imamëve të dëlirë, dhe pasi e lëvdon Prijësin e Besimtarëve Aliun dhe djemtë e tij, shkruan disa vargje përplot emocion në lidhje me shfaqjen e Imamit të fshehur.
Në mesin e autorëve sunnitë, të cilët njihen më shumë si letrarë sesa si mistikë, dhe që e kanë përmendur Mehdiun në veprat e tyre, mund të numërohen autorët vijues:
Ebu’l-Fadl Jahja ibn Haskafi Hanefi: ishte një dijetar i shquar i shekullit të gjashtë pas Hixhrit, i cili vdiq në vitin 551. Jakut el-Hamavi ka folur për jetën e tij në veprën Mu’xhem el-Ubada. Haskafiu është, me shumë gjasa, njëri nga njerëzit e parë që në vargje poetike e ka prezantuar Mehdiun me fjalët “Imami i dymbëdhjetë” ose “Imami, të cilin e besojnë shiitët”. Në një ode të gjatë dhe tejet të bukur në arabisht, ai flet për Velajetin e Ehl-i Bejtit dhe për udhëheqësinë e Imamit të dymbëdhjetë, Mehdiut (paqja qoftë mbi të).
Kjo ode është cituar nga Ibn el-Xhevzi el-Hanefi në veprën e tij El-Muntazam, në vëllimin e tretë, tek faqja 183, poashtu edhe nga Imad el-Isfahani në veprën Kharidat el-Asr dhe nga Shems el-Din ibn Tulun, në veprën El-A’immah el-Ithna Asher.
Shems el-Din ibn Tulun (vdekur 955 pas Hixhrit) ishte një dijetar sunnit, i cili u përqëndrua në studimet letrare, por edhe në shkencat islame që ishin aktuale në epokën e tij. Ai kishte një pozitë të lartë në mesin e dijetarëve të Damaskut dhe ushqente një dashuri të thellë për pjesëtarët e dëlirë të Ehl-i Bejtit të Profetit. Ai shkroi një libër të titulluar El-A’immah el-Ithna Asher, me qëllim që ta prezantonte mënyrën e jetesës së familjes së Profetit, duke shtuar edhe shpjegime të shumta në lidhje me tema të ndryshme që ishin të ndërlidhura me dymbëdhjetë Imamët. Ky libër u redaktua nga dijetari i famshëm sunnit, Salah el-Din el-Munxhid (autor i veprës së shquar “Roli i Kishës në shtetet arabe”) dhe u botua nga Dar el-Sadir në Beirut, në vitin 1958. Pjesa interesante e këtij libri është se nën titullin “Numri 12”, ai përmend disa çështje nga librat sunnitë, në lidhje me Imam Mehdiun e Premtuar.
Në pjesën e fundit të këtij libri, ai shkruan edhe një poezi me gjashtë vargje, ku e shpreh dashurinë, besimin dhe sinqeritetin ndaj dymbëdhjetë Imamëve, duke i stimuluar njerëzit ta ndjekin familjen e Profetit.
Shejh Ahmed Xhami (vdekur 536 pas Hixhrit) i njohur si Shejh el-Islam dhe ndonjëherë si Xhendepil ose “Shejhu i Xham-it” ishte njëri nga sufinjtë e mëdhenj. Ai është një tjetër personalitet i shquar dhe autor i famshëm sunnit, i cili pranonte se Mehdiu i premtuar ka lindur tashmë dhe besonte se ai do të rishfaqet një ditë, për ta bërë botën një vend më të mirë. Për më tepër, Shejh Xhamiu e ka theksuar udhëheqësinë e dymbëdhjetë Imamëve në një ode shumë të bukur.
Fadl ibn Ruzbahan el-Shafi’i ishte një sufi nga Shirazi, i cili njihej edhe si Khaxha Mulla. Vdiq në vitin 927 pas Hixhrit. Ai shkroi një libër të hollësishëm, i cili e kritikonte veprën Minhaxh el-Karamah të Allame Hilli-ut dhe hidhte shumë dyshime mbi Imamatin. Por edhe përkundër ashpërsisë së tij, ai shkroi një poezi të mrekullueshme me pesëmbëdhjetë vargje, në të cilën i nderonte katërmbëdhjetë të dëlirët (Profetin, Fatimenë dhe dymbëdhjetë Imamët), duke u dërguar selame atyre në fillim të çdo strofe. Në fund, pasi i dërgon selame Imam Mehdiut, ai flet për lindjen e diellit shkëlqimtar të madhështisë së tij dhe për përhapjen e drejtësisë, që do të ndodhë kur ai të shfaqet.
Abdu’l-Mumin el-Shablanxhi el-Shafi’i ishte një dijetar i njohur egjiptian, që jetoi në pjesën e parë të shekullit të katërmbëdhjetë pas Hixhrit. Ai e ka shkruar librin e titulluar Nur el-ebser fi menakib el-Bejt el-Nebii el-Mukhtar. Ishte një dijetar sunnit, i cili i përmend dymbëdhjetë Imamët dhe në veçanti Imam Mehdiun.
Ibn Hixhr el-Haithemi el-Mekki el-Shafi’i është një dijetar i famshëm sunnit, i cili ishte tejet i zoti në lëminë i haditheve, dhe shkrimet e të cilit, siç është Mexhma’ el-Zevahid, e kanë zënë vendin e tyre në mesin e burimeve tradicionale të haditheve. Mes tjerash, ai shkroi edhe disa vepra të rëndësishme në lidhje me personalitetin dhe jetët e dymbëdhjetë Imamëve, duke e përmendur edhe Imam Mehdiun.
Dr. Mustafa Rafi’i është një dijetar bashkëkohor sunnit, autor i veprës Islamuna, ku shkruan mbi problemet aktuale të muslimanëve. Në këtë libër, ai e ka hulumtuar hollësisht çështjen e Imam Mehdiut, kohën e fshehjes së tij (arab. ghajbe) dhe qeverisjen e tij (pas rishfaqjes).
Dijetarët, mendimet e të cilëve janë diskutuar në rreshtat e mësipërm, janë të gjithë dijetarë dhe mistikë të shquar muslimanë, të cilët e kanë shprehur devotshmërinë, besnikërinë dhe dashurinë e tyre ndaj pozitës së lartësuar të Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të). Ata i kanë shprehur qëndrimet e tyre me fjalë shumë të bukura e të zgjedhura, siç pajtohet edhe Shejh Sa’ad el-Din Hamuje, i cili thotë: Mehdiu nuk do të shfaqet, derisa të mos dëgjohen të fshehtat e Njëshmërisë së Zotit edhe nga lidhësat e këpucëve të tija..
Siç u përmend më sipër, ata kanë përpiluar ode e poezi për nder të Imam Mehdiut dhe e kanë quajtur Bosht i kohës, Veli i kohës, Imam i kohës, Mehdi, Vula e evlijave, Fshehtësia e të fshehtave të shenjta, Emri më i madh i Zotit ose Ligji i fundit i Zotit, duke e dëshmuar ekzistencën e tij nëpërmjet zbulimit dhe dëshmimit shpirtëror. Disa madje, si Shejh Ibn Arabi ose Hasan el-Iraki, kanë thënë se e kanë patur nderin të takohen e të jenë në prani të Imam Mehdiut.
Ata e kanë përshkruar shumë qartazi gjenealogjinë e Mehdiut, dhe thuajse të gjithë pajtohen njëzëri se Mehdiu është i gjallë në kohën tonë e se është djali i Imam Hasan el-Askeriut dhe pasardhës i Imam Husejnit. Këta janë të njejtit principe, që pranohen edhe nga Shiitët Dymbëdhjetës. Edhe disa dijetarë të shquar sunnitë i kanë përmendur qëndrimet e mistikëve muslimanë në lidhje me Mehdiun (paqja qoftë mbi të). Ndër ta, Ibn Khalduni, sociologu dhe historiani i famshëm sunnit, shkruan:
Sufinjtë aktualë përdorin metoda të ndryshme për ta dëshmuar ekzistencën e këtij Veliu fatimid. Ata e vërtetojnë ekzistencën e tij nëpërmjet dëshmimit (arab. shuhud) dhe zbulimit shpirtëror (arab. keshf), që është nga themelet e rrugës së tyre. Nga ata që më së shumti kanë folur për këtë udhëheqës shpirtëror (Veli) nga pasardhësit e Fatimesë, është Muhjiddin el-Arabi tek veprat “Anka el-Maghrib” dhe Ibn Kissi te “Da’al-Na’lajn”.
Si përfundim, mund të themi se mendimet e gnostikëve të botës sunnite në lidhje me Imam Mehdiun nuk janë të ndryshme nga mendimet e shiitëve imamitë. Të gjithë besimet e ndjekësve të Ehl-i Bejtit, në lidhje me cilësitë, virtytet dhe fshehjen (arab. ghajbe) e Imam Mehdiut, janë pranuar edhe nga mistikët e shkollave të tjera islame.
FUND
1: Aziz el-Din Nesefi, El-insan el-Kamil, fq.21
2: Fusus el-Hikem, fq.74
3: Kashani, Istihalat, fq.167
4: Muhjiddin ibn Arabi është njëri nga gnostikët e shekullit të shtatë (vdekur 638 pas Hixhrit). Ai është nga pasardhësit e Hatim el-Ta’iut. U lind në Andaluzi, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Mekke dhe në Siri. Ishte nxënës i Shejh Medjan el-Andulusi-ut, një gnostik i shekullit të gjashtë. Nëpërmjet një ndërmjetësi, zinxhiri përcjellës (silsile) i mësimit të tij shpirtëror kthehet deri tek Abdulkadir Xhilaniu. S’ka dyshim se Ibn Arabiu është gnostiku më i madh i Islamit. Askush nuk e ka arritur pozitën e tij, as më parë dhe as më pas. Kjo është arsyeja përse është quajtur “Shejh el-Ekber” ose Mjeshtri i Madh. Ibn Arabi shkroi më se dyqind libra, në mesin e të cilëve, më i rëndësishëm është libri Futuhat el-Mekkijje, një enciklopedi e gnosticizmit. Një libër tjetër shumë i rëndësishëm i Ibn Arabiut është Fusus el-Hikem, një tekst i shkurtër, shumë i mprehtë dhe shumë i thellë mistik. (shih: Murteza Mutahhari, Hyrje në gnosë: http://dielli.net/lexo.php?id=59)
Sheraniu, në veprën e tij “El-Jevakit”, që është një komentim i disa aspekteve të vështira të veprës Futuhat el-Mekkijje, e ka lëvduar Ibn Arabiun me fjalët më të bukura.
5: Shih veprën Futuhat el-mekkijje
6: Futuhat, kapitulli 366, siç përcillet tek El-Jevakit ve’l-Xhevahir, pyetja 75
7: Ibn Arabi, Sherh Menakib Ehl el-Bejt, fq.133
8: Ka shumë hadithe në lidhje me Imam Mehdiun. Njëri nga autorët që i ka përmbledhur hadithet më të famshëm për Imam Mehdiun është Shevkaniu. (siç përcillet tek Nihajet el-Me’mul fi sherh taxh Xhemi’ el-Usul, nga Mansur Ali Nasf, vëll.5, fq.327)
9: Sejjid Hajdar Amuli, Xhemi el-Esrar, vëll.3, fq.395
10: Futuhat el-mekkijje, vëll.3, fq.327, 328
11: Shemseddin Laxhixhi Nurbakhsh, komentuesi i veprës Gulshen-i Raz, është një nxënës i Sejjid Muhammed Nurbakhsh-it. Në komentimin që i bën kësaj vepre, ai e përmend gjithë zinxhirin përcjellës të mësimit të tij shpirtëror, që nga Sejjid Nurbakhsh-it deri tek Ma’aruf Kerkhi dhe pastaj tek Imam Rizai dhe Imamët e tjerë para tij, për të arritur deri te Profeti. Këtë zinxhir përcjellës, ai e quan “zinxhiri i artë” (silsilet el-dheheb). Fama e Lahixhiut është kryesisht falë komentimit që i ka bërë veprës Gulshen-i Raz, që është në mesin e teksteve më të famshme mistike.
12: Muhammed Lahixhi, Mefatih el-I’xhaz fi Sherh Gulshen Raz, fq.335
13: Kassani është një qytet afër Semerkandit (Hyrja e veprës Menazil el-Sa’irin, fq.18). Kemal el-Din Abdurrezzak el-Kassani është nga gnostikët e pjesës së fundit të shekullit ku jetoi. Ai ka bërë një komentim të Fusus el-hikem-it të Ibn Arabiut dhe të veprës Menazil el-Sa’irin të Khvaxha Abdullahut. Ai ishte nxënës i Nur el-Din Abd el-Samed el-Natanziut dhe ishte i njohur mirë edhe me dijet ezoterike, edhe me ato ekzoterike (Nefahat el-Uns, nga Abdurrahman el-Xhami, fq.482)
14: Shih komentimin e Kashaniut tek kapitulli mbi Seth-in, fq.42 dhe 43
15: Sher çeshmah tasavvuf der Iran, nga Sa’id Nefisi, fq.216
16: Khvaxha Muhammed Parsa është ndër dijetarët më të shquar hanefitë dhe një gnostik i madh i tarikatit Nakshibendi. Ai ishte njëri nga pasardhësit më të rëndësishëm të Shejhut të madh Khvaxha Baha el-Din Nakshibend. Khvaxha Parsa i mësoi lëmitë islame të diturisë nga dijetarët e kohës së tij dhe i tejkaloi të gjithë bashkëkohësit e vet. Duke i përvetësuar principet e diturisë dhe aplikimet e saj, ai u bë një ekspert në të gjitha shkencat filozofike dhe tradicionale islame. Ai ishte akoma shumë i ri kur studioi ligjin dhe jurispudencën islame nga Shejh Ebu Tahir Muhammed ibn Hassan Tahiriu, njëri nga dijetarët dhe gnostikët e mëdhenj të kohës. Në veprën Nefahat el-Uns, Xhamiu, duke e dhënë jetëshkrimin e këtij dijetari, shkruan: Ai është njëri nga përkrahësit më të mëdhenj të unitetit. (Nefahat el-Uns, fq.392) Për më tepër, njëra nga veprat e Xhamiut është komentimi i fjalimeve të Khvaxha Parsa-së.
17: Është cituar në veprën Danishmendan amme ve Mehdi Mav’ud nga Ali Davani, fq.85 dhe 86
18: Dihet gjerësisht se ditëlindja e Imam Mehdiut është më 15 Sha’ban dhe jo në muajin Ramazan. Nuk është e qartë në buron ky gabim nga autori ose nga kopjuesit e shkrimit.
19: Keshf el-Sitar, nga Haxh Nouri, fq.81
20: El-Imam el-Thani’ Asher, fq.63, siç përcillet tek Jenakib el-Mevedde, fq.743
* (shënim i përkthyesit) Cilësimi “hanefit”, në rastin e Attar-it dhe Rumi-ut, të cilët, si shumë gnostikë të tjerë, janë distancuar nga polemikat juridike dhe politike ndërmjet sunnitëve dhe shiitëve, mund të duket i çuditshëm për lexuesin. Ky cilësim i përgjithësuar, i bërë nga autori i tekstit, me shumë gjasa mbështetet në mjedisin dhe traditën ku jetonin gnostikët në fjalë. Përndryshe, mësimet shpirtërore të gnostikëve si Rumiu, Attari ose Ibn Arabiu kanë të bëjnë fare pak me mësimin sunnit, ndërkohë që nuk mund të barazohen plotësisht as me mësimet dhe qëndrimet shiite Polemikat në lidhje me përkatësinë ideologjike të këtyre personaliteteve, veçanërisht të Rumiut dhe të Attar-it, kanë qenë gjithnjë të pranishme ndërmjet sunnitëve dhe shiitëve, ku secila palë është përpjekur t’i përvetësojë.
Qëndrimin e mesëm ndërmjet këtyre dy ekstremeve, e ka shprehur bukur Dr.Shahram Pazuki, në shkrimin “Velajeti shpirtëror”, siç përcillet në veprën “Prirjet doktrinore të Rumiut” (shqipëruar nga Prof. Dr. Sokrat Ahmataj; botuar 2011 nga Fondacioni Rumi, Tiranë). Ai thotë:
“Mevlana është një shi‘i, jo në kuptimin e tanishëm të juristëve apo teologëve dialektikë, por në kuptimin e tij të vërtetë, pra që vetëm Zoti e cakton valiun, besimin në spiritualitetin që vazhdon dhe velajetin e Profetit Muhammed te personi i Imam ‘Aliut dhe bijve të tij, që janë caktuar nga Zoti. Zoti e caktoi ‘Aliun që të ishte vazhdues spiritual e vali pas profetit Muhammed, duke i dhënë jetë kështu doktrinës që pas Profetit ka gjithmonë një drejtues të gjallë spiritual në rrugën e dashurisë, një vali nga familja e Imam ‘Aliut. Pra, ka një dallim midis shi‘izmit spiritual e shi‘izmit juridik. Sufitë besojnë se në çdo periudhë kohore ka një udhëheqës spiritual i caktuar hyjnërisht ose vali e që vetëm nëpërmjet tij mund të gjendet rruga për te Allahu. Velajeti është realiteti i sufizmit dhe aspekti i brendshëm i Islamit. Valiu është si hija e Zotit në Tokë. Valiu është njeriu i përsosur i kohës e ndërmjetësuesi i mirësive nga Zoti për te njeriu. Velajeti ndryshon nga kalifati. Njihet mundësia që të përfshihesh në zgjedhjen e kalifit, duke i dhënë atij votën, po valiun e cakton vetëm Zoti. Zoti caktoi ‘Aliun që të ishte vazhdues spiritual e vali pas Profetit Muhammed”
21: Divan-i Shems Tebrizi, poezia 3212, fq.1213