Ateizmi i ri dhe Islami
Muhammed Legenhausen
18.07.2012

Ajo që është quajtur “Ateizmi i Ri’, erdhi në qendër të vëmendjes kulturore në vitin 2006. Atë vit u mbajt një konferencë në Institutin Salk për Studime Biologjike në Kaliforni (Salk Institute for Biological Studies), i quajtur "Përtej Besimit: Shkenca, feja, arsyeja dhe mbijetesa.” Kjo konferencë, e cila tërhoqi një vëmendje të konsiderueshme mediatike, i theksoi mendimet e ateistëve, të cilët pretendonin se feja nuk është në përputhje me një pikëpamje shkencore mbi botën, duke perfshirë edhe Richard Dawkins, Sam Harris, dhe filozofin Daniel Dennet. Po të njëjtin vit, u publikuan shumë libra, të cilët e sulmuan fenë, si: ”Bestytnia mbi Zotin” (The God Delusion) nga Dawkins, “Letër Kombit të Krishterë” nga Harris dhe “Prishja e Magjisë” nga Dennet. Pas një viti, këto u ndoqën edhe nga libri i  Christopher Hitchens, i titulluar: “Zoti nuk është i mirë: si feja helmon gjithcka”. Publikimi i librave nga ateistët kundër fesë nuk është dicka e re. Risi janë shifrat e shitjes së librave të tillë. Ata po shesin miliona kopje. Dawkins është akoma i renditur i 24- ti në listën e gazetës New York Times, si autori më i shitur i një libri që nuk është prozë letrare. Asnjë ateist nuk e ka patur mundësinë të fitojë aq shumë vëmendje. Së bashku me librat e shitur, janë transmetuar programe të ndryshme televizive, e janë përpiluar artikuj revistash dhe shkrime gazetash. Duhet të theksohet, megjithatë, se në listën  e librave më të shitur, rradhiten edhe kundërshtimet ndaj ateistëve, sikurse “ Arsyeja për Zotin” e Timothy Keller-it. Ka pasur gjithashtu edhe  konferenca të shumta dhe diskutime akademike për fenomenin e Ateizmit të Ri.



 Risia në Ateizmin e Ri, megjithatë, nuk është vetëm suksesi i shitjes së librave, duke fituar mbulim mediatik dhe duke ia tërhequr vëmendje akademisë. Fillimisht, Ateizmi i Ri, në kundërshtim me pjesën më të madhe të ateizmit modern, është militant, që do të thotë se ai bazohet në faktin se besimi në Zot nuk është vetëm një botëkuptim i gabuar, por është shtypës dhe duhet të çrrënjoset nga kultura njerëzore. Ateizmi modern është kryesisht një fenomen evropian. Ndjenja anti-fetare, që e arriti kulmin gjatë Revolucionit Francez, erdhi në shprehje si ateizëm filozofik me Auguste Komte (v. 1857) dhe Ludwig Feuerbach (v. 1872), dhe u bë militant në Lëvizjen Komuniste. Levizja drejt militantizmit mund të shihet qartë tek lëvizja nga komenti i Voltaire (v. 1778) (i cili ishte një deist më tepër se një ateist) se "Në qoftë se Perëndia nuk do të ekzistonte, do të kishte qenë e nevojshme qe Ai të krijohej”, drejt fjalëve revolucionare anarkiste të Mikhail Bakunin-it (v. 1876), i cili thekson: "Nëse Zoti do të ekzistonte vërtet, do të kishte qënë e nevojshme t’a shkatërrojmë Atë!" Termi "ateizmi militant" u prezantua nga Lenini, në një fjalim të vitit 1922. Ateizmi i Ri nuk është politikisht i majtë, por ai e ka adoptuar urgjencën e thirrjes së Leninit për të dalë kundër fesë.


Kjo na e sjell risinë e dytë të madhe të Ateizmit të Ri: kundërshtimin e tij ndaj Islamit. Ateizmi është një refuzim i të gjitha feve, ose të paktën, i të gjitha feve teiste, dhe pasi që Islami konsiderohet një fe teiste, ateizmi është në kundërshtim me të. Megjithatë, si një fenomen me rrënjët e veta në Evropë, ateizmi (tradicional) e ka përqëndruar kundërshtimin e tij ndaj Krishterimit. Ateizmi i Ri, nga ana tjetër, e thekson Islamin si një formë vrasëse të fesë, që duhet të kundërshtohet. Shpesh, ateistët e rinj pohojnë se për shkak të ngjarjeve të 11 Shtatorit, ata ndihen të detyruar të marrin një qëndrim të forte kundër fesë në përgjithësi dhe Islamit në veçanti. Për shkak të kësaj, ateistët që përqëndrohen kryesisht tek Islami, sikurse Ajaan Hirsi Ali, gjithashtu mund të konsiderohen pjesë, ose të paktën aleatë, të Ateizmit të Ri.


Shumica e përgjigjeve dhe kundërshtimeve ndaj Ateizmit të Ri janë bërë nga të krishterët, të cilët nuk janë aq shumë të shqetësuar për të mbrojtur çdo fe, përveç që e mbrojnë Krishterimin. Disa e marrin qëndrimin se ateistët e rinj janë gabim në sulmin kunder fesë së tyre, por fetë e tjera zakonisht përjashtohen nga kjo mbrotje.


Filozofikisht, ateistët e rinj nuk kane asgjë të re për të ofruar. Ateistët e rinj e kanë tendencën të mos shfaqin kurrfarë interesi për filozofinë profesionale, fenë ose teologjinë, duke e patur synim kryesor "tregun e gjerë". Argumentet kundër ekzistencës së Zotit janë, në përgjithësi, verzione të shkencëtarizmit (origj. scientism), gjegjësisht të mendimi se të gjitha problemet e jetes mund të zgjidhen duke u bazuar në shkencat natyrore. Argumenti moral kundër fesë, në anën tjetër, është se feja e nxjerr në pah më të keqen tek njerëzit. Një pjesë e diskutimeve të Ateizmit të Ri buron nga debatet ndërmjet përkrahësve të idesë së krijmit (origj. creationists) dhe evolucionistëve, dhe shpesh duket sikur qëndron në nivelin e dy fundamentalizmave konkurruese: atë të besimit në të vërtetën tekstuale të shkrimeve të shenjta, në njërën anë, dhe të besimit në ruajtjen e fuqisë shkencore, në anën tjetër. Shkencëtarizmi i ateistëve të rinj është shoqëruar me zemërimin e tyre moral ndaj fanatizmit fetar, të cilin e konsiderojnë si pjesë standarde të fesë, e cila buron nga mosmbështetja e bindjeve personale në argumente.


Rryma pozitiviste e mendimit te ri ateist u hodh poshtë tërësisht në qarqet filozofike, pasi u konstatua se edhe shkencat natyrore mbështeten në supozime, të cilat nuk pëkrahen domosdo nga dëshmi shkencore. Shpesh, parimi i pozitivizmit u kthye kundër vetvetes: nuk ka asnjë provë shkencore që e mbështet parimin se njeriu duhet t′i pranojë vetëm ato besime, për të cilat ka prova shkencore. Sa për zemërim moral, duhet thënë se shumë prej tmerreve të ashtuquajtura "konflikte fetare", kanë shkaqe më shumë sociale dhe politike, sesa fetare. Disa nga krimet më të rënda të shekullit të njëzetë, të stilit të Stalinit e të Pol Potit, u kryen nga ateistë të deklaruar.


Si muslimanë, ne duhet të përpiqemi  ta mbrojmë besimin tonë me sinqeritet, paanësi dhe arsyeshmëri. Ateistët e rinj kërkojnë të provokojnë zemerim tek ata, të cilët i sulmojnë, në mënyrë që të mbështesin pretendimet e tyre se njerëzit fetarë janë fanatikë. Allahu na dhëntë urtësinë dhe fuqinë e karakterit, për ta prezantuar më së miri, fenë, që Ai na e ka dhuruar si udhëzim.


FUND