Lumturia më e madhe: një shpjegim gnostik mbi vlerën e veprave të detyrueshme dhe të pëlqyeshme
Allame Hasanzade Amuli
23.06.2012

Përmbajtja:
 Hyrje
 Lumturia më e madhe
 Hadithi i kërkimit të afërsisë me Zotin nëpërmjet veprave të pëlqyeshme (mustehap)
 Hadithi i arritjes së afërsisë hyjnore nëpërmjet veprave të detyrueshme (vaxhib)


Hyrje


  Teksti i mëposhtëm është fragment nga vepra “Sirat es-Suluk” e gnostikut të famshëm Allame Hasanzade Amuli, ku përfshihen mësime në lidhje me etikën dhe përsosjen shpirtërore, si dhe kujtime të ndryshme të autorit. Allame Hasan Hasanzade Amuli u lind në vitin 1929, në qytetin Amul të Iranit. Pas arsimimit themelor në qytetin e lindjes, ai shkoi në vitin 1950 në Teheran, për të vazhduar me studimet, dhe më pas, prej aty kaloi në Kum, ku studioi pranë dijetarëve më të mëdhenj të kohës, ndër të cilët edhe pranë Allame Muhammed Husejn Tabatabaiut, autorit të tefsirit të famshëm “El-Mizan”. Allame Hasanzade Amuli është njëri nga gnostikët më të shquar të Iranit dhe, krahas aktivitetit të tij akademik si ligjërues, është autor i shumë veprave nga lëmia e gnosës dhe e etikës.  


Përkthyesi 


"Lumturia më e madhe”


 Në fund të veprës “Irshad el-Kulub”, përcillet se në natën e Miraxhit, Zoti e pyeti të Dërguarin: “O Ahmed! A e di se cila lumturi është më e mira? Dhe a e di se cila jetë është më afatgjatë?“ I Dërguari u përgjigj: “Nuk e di, o Zoti im.”


Zoti tha: “Lumturia më e mirë është kur njeriu të jetë gjithnjë në gjendje dhikri e kur të mos lodhet prej tij. Është gjendja kur ai nuk i harron bekimet e Mia, kur më njeh Mua dhe kur gjatë gjithë natës e gjithë ditës përpiqet për ta arritur kënaqësinë Time. Ndërsa jeta më afatgjate është kur njeriu është syhapur ndaj vetes së tij, derisa bota të bëhet krejt e pavlerë për të, ndërsa amshimi i madh dhe i vlefshëm. Atëherë, ai e mban dëshirën Time mbi dëshirat e veta dhe përpiqet për të më kënaqur Mua. Ai më pandeh Madhështor, siç jam vërtet. Ai e njeh diturë Time dhe vetëdijen Time për të.


 Në çdo çast të natës e të ditës, ai është i vetëdijshëm për praninë Time, pavarësisht në përballet me të mira ose me të liga. Ai e largon nga zemra atë që Unë s’e dua, e kundërshton Djallin e provokimet e tija dhe nuk i lë vend në zemrën e tij. Kur i bën të gjitha këto, unë e shuaj etjen e zemrës së tij me një kupë të dashurisë Sime, në mënyrë që të mos lër vend në zemrën e tij për dikë tjetër dhe që përmendja, përsiatja, qëllimi dhe fjalët e tija të mos jenë për diç tjetër, përveç për bekimet që ua kam falur robërve të Mi të dashur.


Unë e hap veshin dhe syrin e zemrës së tij, që të mund të dëgjojë nëpërmjet zemrës dhe ta sodisë i mrekulluar Madhështinë Time. Unë e bëj botën të ngushtë e të vogël për të, dhe bukuritë e saja, krejt të parëndësishme e të ulta në sytë e tij, në mënyrë që të mos i dëshirojë. Dhe unë e paralajmëroj për botën e për gjërat (e liga) që fshihen në të, njësoj siç e ruan bariu kopenë e tij nga lëndinat e rrezikshme. Ky është çasti kur ai arratiset nga njerëzit dhe rrugëton drejt botës së përjetshme, duke lëvizur me ngut nga shtëpia e Djallit drejt vendbanimit të të Gjithëmëshirshmit. Dhe Unë kam për ta stolisur me shkëlqim e madhështi.


Kjo është lumturia më e mirë dhe jeta e përjetshme. Kjo është pozita e atyre që janë të kënaqur me dëshirën e Zotit.


 Dhe Zoti tha:


Andaj, kujtdo që bën një hap drejt kënaqësisë Sime, Unë i fal tri cilësi:


-          e udhëzoj të shprehë një mirënjohje, që nuk përzihet me asnjë lloj paditurie


-          e stolis me një dhikër, që nuk ka gjurmë të harresës


-          e bëj të shijojë një dashuri të tillë, pas të cilës nuk do ta donte dashurinë e asnjërit nga robërit e Mi më shumë se dashurinë Time. Dhe kur ai më do Mua, edhe Unë e dua atë dhe ia hap syrin e zemrën ndaj Madhështisë Sime. Pas kësaj, ai arrin t’i njohë robërit e Mi të zgjedhur dhe që nga ai çast, Unë i përshpëris atij në ërresirën e natës e në ditë, derisa bisedat dhe qëndrimet e tija me të tjerët të ndërpriten krejt.


 Unë e bëj atë ta dëgjojë fjalën Time dhe fjalën e ëngjëjve të Mi. Unë kam për t’ia zbuluar atij të fshehtën që e kam mbuluar nga krijesat. Pastaj unë e mbath atë me rrobat e bukura të turpit e të nderit, aq sa të gjithë robërit e Mi të turpërohen nga vetja e tyre dhe ai të hapërojë mbi tokë në një gjendje të pastër nga mëkatet.


Unë do ta mbush zemrën e tij me dituri, me njohje dhe me një të kuptuar të fuqishme, aq sa asgjë nga parajsa e nga zjarri i ferrit të mos mbetet e fshehur prej tij. Unë do t’ia tregoj atij gjendjet dhe çastet e frikshme të njerëzve në Ditën e Gjykimit. Do t’i tregoj si sillen për të dhënë llogari të pasurit e të varfërit, të diturit e të paditurit. Dhe Unë do ta ndriçoj varrin e tij. Nekiri dhe Munkeri do ta pyesin me aq butësi dhe kujdes, sa nuk do të dëshmojnë tek ai kurrfarë pikëllimi vdekjeje, kurrfarë errësire të varrit dhe kurrfarë vështirësie në rrugën drejt amshimit. Atëherë do ta vendos peshoren për t’ia peshuar bëmat dhe do t’i hap shënimet e veprave të tija. Unë do t’ia jap librin e bëmave të tija në dorën e djathtë, që të mund t’i lexojë ato. Unë s’do të vendos kurrfarë ndërmjetësi mes Meje dhe atij. Kjo është cilësia e atyre që e duan Zotin.


 Dhe ti, o rrugëtues në rrugën e Mikut, përsiatu me kujdes në lidhje me këto fjalë të të Gjithëfuqishmit për të dashurin e tij, të Dërguarin e Zotin (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij). Mendohu në lidhje me dhuntitë e paçmueshme që ruhen për njerëzit kujdesshëm dhe mendo në lidhje me kënaqësinë dhe dashurinë hyjnore, më e mira e të cilave është hapja e syrit të zemrës. Mbase kjo është arsyeja përse është përmendur dy herë.


 


Hadithi i kërkimit të afërsisë me Zotin nëpërmjet veprave të pëlqyeshme (mustehap)


Të ngjashme me këto dhunti të veçanta, janë edhe gjërat e premtuara në lidhje me veprimet e pëlqyeshme (mustehap) dhe ato të detyrueshme (vaxhib). Në një hadith el-kudsi, i Gjithëfuqishmi thotë:


Asgjë nuk e afron robin Tim më shumë se kryerja e veprimeve të detyrueshme (vaxhib). Dhe pas kësaj, asgjë nuk është në shkallën e veprave të pëlqyeshme (mustehap). Duke kryer vepra të pëlqyeshme, robi Im më afrohet Mua aq shumë, sa Unë e dua atë dhe pas kësaj, bëhem dëgjimi, me të cilin dëgjon, bëhem vështrimi, me të cilin sheh, bëhem gjuha, me të cilën flet dhe bëhem dora, me të cilën vepron. Në këtë gjendje, nëse më thërret Mua, unë i përgjigjem, nëse më kërkon ndonjë gjë, ia jap sakaq.


Dijetari i madh, Allame Shejh Bahai, e ka përcjellur këtë hadith në veprën e tij “Erba’in”. Ai shkruan se Aban bin Taghlib-i përcjell nga Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të), i cili thotë:


Kur i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) shkoi në Mi’raxh, ai e pyeti Zotin: “Zoti im! Si e sheh një besimtar të sinqertë?” Zoti i tha: “O Muhammed! Nuk ka asgjë që e afron me Mua një robër timin, më shumë se kryerja e veprave të detyrueshme (vaxhib). Dhe pastaj, kur ai kryen vepra të pëlqyeshme (mustehap), bëhet aq i afërt me Mua, sa.... (dhe e përcjell pjesën e mbetur, si më sipër).


Pasi e përcjell këtë hadith, Shejh Bahaiu thotë:


Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i saktë. Vetë hadithi është ndër hadithet e mirënjohura, si në Shiizëm, ashtu edhe në Sunnizëm, dhe është përmendura në libra të pranuar nga të dy grupet. I ndjeri Shejh Kulejni e ka përcjellur këtë hadith me dy zinxhire transmetimi, një nga Imam Bakiri dhe një nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi ta). Më pas, ai e ka përmendur një hadith tjetër me përmbajtje të njejtë. Kjo afërsi (kurb) është e mirënjohur për elitën e gnostikëve si “kurb-i navaafil” (afërsia nëpërmjet veprave të pëlqyeshme).


 


Hadithi i arritjes së afërsisë hyjnore nëpërmjet veprave të detyrueshme (vaxhib)


Zoti i Gjithëfuqishëm thotë:


Nuk ka gjë që e afron robin Tim me Mua, më shumë se ajo që Unë ia kam bërë detyrim. Duke i kryer ato, ai bëhet aq i afërt me Mua, sa unë e dua atë. Dhe kur e dua, ai bëhet dëgjimi, me të cilin dëgjoj, bëhet vështrimi, me të cilin shoh dhe bëhet dora Ime, me të cilën veproj.


Pra, ti rrugëtues në shtigjet e Mikut, përsiatu thellësisht në lidhje me këto dy lloje të afërsisë. Në të parën, Zoti bëhet dëgjimi, vështrimi, gjuha dhe dora e njeriut, ndërkohë që në llojin e dytë, njeriu bëhet dëgjimi, vështrimi dhe dora e Zotit.


Shpërblimi i veprave të detyrueshme (vaxhib), pra, është më i madh se shpërblimi i veprave të pëlqyeshem (mustehap) dhe krijon një afërsi më të madhe. Haxhe Nasiruddin Tusiu, në lidhje me këtë temë, thotë: “Kur gnostiku shkëputet nga vetja e tij dhe bashkohet me Zotin, çdo fuqi e sheh të tretur brenda fuqisë së Zotit, e cila e kontrollon çdo fuqi tjetër. Çdo dituri, ai e konsideron të asgjësuar brenda diturisë së Zotit, prej diturisë të të cilit nuk mund të fshihet as edhe një grimcë e vetme. Po kështu, çdo vullnet e sheh të fundosur në vullnetin e Zotit, nga vullneti i të cilit nuk mund të shpëtojë asnjë send. Si pasojë, ai pranon se për çdo qenie dhe çdo përsosmëri të qenies, Zoti është zanafilla. Në këtë nivel, Zoti i Gjithëfuqishëm bëhet vështrimi, me të cilin sheh; dëgjimi, me të cilin dëgjon; dora, me të cilën vepron; intelekti, me të cilin kupton dhe qenia, nëpërmjet të cilës ai fiton qenie (ekzistencë). Kjo është shkalla, ku gnostiku cilësohet me cilësitë hyjnore.”


Një gnostik ka thënë: “Kur Zoti i Gjithëfuqishëm ia manifeston Veten dikujt, personi i sheh esencën, cilësitë dhe veprimet e gjithkaje që ekziston, të tretura në Esencën, Cilësitë dhe në Veprimet e Zotit. Ai e sheh veten bashkë me çdo gjë ekzistuese, aq sa i duket se ai vetë është kontrolluesi i tyre. Ai e ka përshtypjen se e vështron gjithë universin si pjesë të qenies së tij dhe esencën e vete, cilësitë dhe veprat e veta, i sheh si të tretura në realitetin e Njëshmërisë. Dhe kur njohja e shpirtit të tij të tërhiqet drejt bukurisë së Esencës Hyjnore, drita e intelektit (të pjesshëm) zbehet, ndërsa shfaqet me plot shkëlqim Esenca e përjetshme e Zotit. Kjo është pika, ku ai nuk bën dot dallim ndërmjet përjetësisë (kadim) dhe kohësisë së kufizuar (hudut), sepse e Vërteta ka ardhur dhe gënjeshtra është zhdukur. Kjo njihet si shkalla e njësimit (xhem) dhe ai që e arrin këtë shkallë, lidhet me çdo gjë që ekziston në botën e qenies, sepse çdo cilësi, çdo emër dhe çdo veprim e sheh në një Esencë të vetme. Andaj, herë flet për shumësinë, herë për njëshmërinë. Dhe kur themi se dikush e ka arritur shkallën e njësimit, nënkuptojmë pikërisht këtë.”  


Fejzi, pasi e përcjell këtë fjalim të këtij gnostiku shumë të njohur, thotë: “Mbase pikërisht ky manifestim i Esencës së Zotit është e fshehta pas disa fjalëve të çuditshme të Prijësit të Besimtarëve, Aliut (paqja qoftë mbi të), i cili në Hutbet’ul-bejan (Fjalimi i hapur) thotë:


“Unë jam Ademi i parë, unë jam Nuhu i parë. Unë jam shenja e të Gjithëpushtetshmit, unë jam e vërteta e të fshehtave, unë i bëj gjethet të bien, unë i bëj frutat të piqen, unë i bëj lumejtë të rrjedhin... Unë jam drita që udhëzoi Musën (paqja qoftë mbi të), unë jam shoqëruesi i Sur-it të fryrë, unë jam ai që do t’i nxjerrë ata që janë në varre, unë jam shoqëruesi në Ditën e Gjykimit, unë jam shoqëruesi i Nuhut dhe shpëtimtari i tij, unë jam miku i Ejjubit të sëmurë dhe shëruesi i tij, unë jam ai që i bën qiejt e tokën të rrinë drejt me urdhrin e Zotit tim...”  


FUND