A mund Zoti të krijojë një qenie si vetja e Tij?
Nasir Makarem Shirazi
10.04.2012

PËRMBAJTJA:
Paradoksi i gjithëfuqishmërisë

Përgjigja e pyetjes së parë
Përgjigja e pyetjes së dytë
Përgjigja e pyetjes së tretë 


Paradoksi i gjithëfuqishmërisë


Nuk ka dyshim se Zoti është i gjithëfuqishëm. Fjalia “Vërtet Zoti është i fuqishëm për gjithçka” është e gdhendur në mendjen e çdo besimtari në Zotin. Megjithatë, mund të na vijnë në mendje gjëra të cilat Zoti nuk mund t’i krijojë. Në këtë rast, si mund të pranojmë se Ai ka një fuqi të pafundme dhe se është i gjithëfuqishëm?


Ja disa shembuj të tillë:


A mund Zoti të krijojë një qenie si vetja e Tij? Nëse pranojmë se mundet, atëherë duhet të pranojmë me automatizëm se nuk është e pamundur që Zoti të ketë të barabartë. Dhe nëse pranojnë se Ai nuk mund të krijojë një qenie të tillë, atëherë duhet të pranojmë si Ai nuk është i gjithëfuqishëm.


A mund Zoti ta vendosë të gjithë universin brenda një veze, pa e e zvogëluar universin dhe pa e rritur vezën?


A mund Zoti të krijojë një qenie që Ai nuk mund ta shkatërrojë ose që nuk mund ta lëvizë nga vendi? Njësoj si në dy rastet paraprake, edhe këtu përballemi me një paradoks. Nëse themi se nuk mundet, e mohojmë gjithëfuqishmërinë e Zotit. Por edhe nëse themi se mundet, me automatizëm e mohojmë gjithëfuqishmërinë e Tij. Nëse Zoti mund të krijojë një qenie që Ai vetë nuk mund ta shkatërrojë ose ta lëvizë nga vendi, atëherë si mund të themi se Ai është i gjithëfuqishëm?


Këto pyetje nuk janë të reja dhe janë parashtruar në mesin e njerëzve që nga kohët më të lashta. Imamët tanë (paqja qoftë mbi ta) janë pyetur në mënyra të ngjashme dhe kanë dhënë përgjigje për këto pyetje. Përgjigjet e tyre mund të përmblidhen të gjitha në një pohim të vetëm, gjegjësisht në pohimin se fuqia për të kryer një gjë, qoftë ajo edhe një gjë e pakufizuar dhe e pafundme, është e kushtëzuar me premisën që ekzistenca e kësaj gjëje të konfirmohet nga intelekti dhe arsyeja, pra të konsiderohet si diçka e mundur. Fuqia nuk është relevante për gjërat që nuk janë esencialisht të mundura dhe që konsiderohen të pamundura nga intelekti.


Kur i masim së jashtmi mendimet tona, do të shohim se kemi dy lloje mendimesh:


Lloji i parë janë mendimet, për ekzistencën e jashtme të të cilave intelekti nuk sheh ndonjë pengesë. Që të vijnë në ekzistencë, këto mendime kanë nevojë vetëm për fuqi. Këtu përfshihet universi me madhështinë e tij, me hapësirën, yjet, me nebulat, me galaksitë e me gjërat e tjera, të cilat ishin gjëra të mundshme dhe u sollën në ekzistencë nëpërmjet fuqisë së pafundme të Zotit.


Lloji i dytë janë gjërat, krijimi i të cilave konsiderohet i pamundur nga intelekti dhe nga arsyeja dhe që si pasojë, e kanë të pamundur të ekzistojnë. Kjo nuk është ngase fuqia krijuese është e pamjaftueshme ose e mangët, por ngase këto gjëra janë esencialisht të paafta për ta pranuar ekzistencën.


Për të qenë më të qartë, kur intelekti i vendos këto gjëra në peshoren e gjykimit dhe i mat, sheh se për këto çështje nuk ka një mundësi ekzistence, pavarësisht sa e pafundme të jetë fuqia e Krijuesit. Me fjalë të tjera, mangësia buron nga vetë gjëja e imagjinuar dhe jo nga krijuesi.


Për shembull, nëse i kërkohet një rrobaqepësi të qepë një fustan nusërie duke përdorur drurë dhe tulla ndërtimi ose nëse i kërkohet një piktori të bëjë një pikturë të bukur të një fazani mbi erën e mëngjesit ose mbi valët e detit, s’ka dyshim se që të dy do të thonë se mjetet e përmendura nuk janë të përshtatshme për qëllimet që kërkohen. Një fustan nusërie nuk mund të qepet nga tullat e nga druri dhe një pikturë nuk mund të bëhet mbi erën ose mbi valët e detit.


Kur themi se nuk mund të pikturohet ose nuk mund të qepet, e dimë se kjo nuk është për shkak të paaftësisë së piktorit ose të rrobaqepësit por për shkakun se gjërat e kërkuara nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Me instinktin e tij, njerëzimi ka arritur të kuptojë se tullat dhe druri nuk janë mjete për të qepur një fustan nusërie dhe se është e pamundur të pikturohet mbi erën ose mbi valët e detit. Shembuj të tillë janë të shumtë.


Intelekti i secilit mund të kuptojë se është e pamundur që një gjë të ekzistojë dhe të mos ekzistojë njëkohësisht, që një llambë të jetë e ndezur dhe e fikur njëkohësisht ose që një gotë të jetë krejt e mbushur dhe krejt e zbrazur njëkohësisht. Pamundësia e këtyre gjërave është e vetëkuptueshme për arsyen dhe intelektin. Askush, sado të fortë ta ketë imagjinatën, nuk mund ta paramendojë ekzistencën e këtyre gjërave kundërthënëse me njëra-tjetrën. Çdo person, pavarësisht sa e paktë të jetë dituria e tij, e di se dy herë dy bëjnë katër dhe se është e pamundur që ky kombinim të jetë i barabartë një ditë me tre dhe një ditë tjetër me pesë.


Nga këta shembuj mund të kuptojmë se çështjet që janë natyrisht të pamundura, janë jashtë sferës së fuqisë dhe se në këto raste, përdorimi i fjalës “fuqi” (ose aftësi) është i gabuar dhe i pavend. Fuqia është përherë e ndërlidhur me gjërat që janë të mundshme dhe me gjëra që mund të fitojnë ekzistencë.


Pas këtij shpjegimi, të kthehemi sërish tek shembujt e përmendur fillimisht dhe të shohim përse janë të pamundur!


Përgjigja e pyetjes së parë


Një përsiatje e shpejtë mjafton për të kuptuar se arsyeja përse fuqia është e ndarë prej këtyre gjërave janë pamundësitë, të cilat nuk mund të përfshihen në sferën ku vepron fuqia. Për shembull, ekzistenca e një qenieje të ngjashme me Zotin është e pamundur. Dijetarët e kanë vërtetuar me dëshmi të qarta njëshmërinë e Zotit në çdo diskutim që ka të bëjë me cilësitë e Tija. E dimë se është e pamundur që të ekzistojë një qenie e barabartë me Të. Në këtë rast, të supozosh se Zoti mund të ketë të ngjashëm, është një supozim i pamundur. T’i kërkosh Zotit të krijojë një qenie si vetja e Tij është njësoj si të pyesësh a mund të krijojë Zoti një gjë të pamundur.


Me fjalë të tjera, përfundimi në të cilin na sjell pohimi se Zoti krijon një qenie si vetja e Tij, është se kjo qenie, duke qenë një qenie relative, duhet të jetë njëkohësisht edhe e kundërta, gjegjësisht të jetë një qenie absolute dhe vetëekzistuese. Ajo duhet të jetë njëkohësisht edhe e kufizuar edhe e pakufizuar. Ajo duhet të mos ketë ekzistencë të pavarur (si pasojë e faktit se është e krijuar nga Zoti) por njëkohësisht edhe të ketë ekzistencë të pavarur (për faktin se është si Zoti).


Kjo do të thotë të bashkosh dy pohime kundërthënëse dhe sipas arsyes dhe intelektit njerëzor, është një gjë e pamundur. Nëse Zoti krijon një qenie si vetja e Tij, kjo do thotë fillimisht se ajo është një gjë e krijuar nga Zoti dhe si pasojë, duhet të jetë e kufizuar dhe pa një ekzistencë të pavarur. Por në anën tjetër, ngase është “si Zoti”, kjo qenie duhet të jetë vetë-ekzistuese dhe e pafundme. Të bashkohen këto dy pohime nuk është tjetër veçse të bashkosh dy gjëra të kundërta dhe kundërthënëse me njëra-tjetrën.


Përgjigja e pyetjes së dytë


Edhe pyetja e dytë, e cila pyet në mund të vendoset i gjithë universi brenda një veze, është në lidhje me një gjë të pamundur, sepse intelekti, duke u mbështetur në llogaritje dhe vëzhgime të qarta, kupton se një enë duhet të jetë më e madhe se gjëja që vendoset brenda saj. Është e pamundur që një gjë e madhe të vendoset brenda një ene më të vogël se vetja.


Andaj, të kërkosh që universi të vendoset brenda një veze është të kërkosh një gjë të pamundur nga Zoti. Nga shpjegimet që i dhamë më sipër mund të kuptohet se gjërat e pamundura janë përtej sferës së fuqisë sepse për fuqi mund të flitet vetëm në rastin e gjërave të mundshme.


Me fjalë të tjera, të kërkosh që universi të vendoset brenda një veze është njësoj si ta kërkosh bashkimin e dy gjërave kundërthënëse, sepse ena (në këtë rast veza) duhet të jetë domosdo më e madhe se gjëja që duhet të vendoset brenda saj (në këtë rast universi). Në shembullin e përmendur, gjëja që duhet të vendoset brenda enës është më e madhe se vetë ena dhe supozimi se një gjë mund të jetë njëkohësisht edhe e vogël edhe e madhe, është një kundërthënie në vete.


Përgjigja e pyetjes së tretë


E njejta gjë vlen edhe për pyetjen e tretë, gjegjësisht në mund Zoti të krijojë një qenie që Ai vetë nuk mund ta shkatërrojë. Të kërkosh një gjë të tillë nga Zoti është e barabartë me të kërkuarit e diçkaje të pamundur, sepse kjo qenie do të jetë domosdo një krijesë e Zotit. Si pasojë, ajo është një qenie relative dhe si çdo qenie relative, është esencialisht e shkatërrueshme dhe e vdekshme.


Në çastin që supozojmë se kjo qenie është e pavdekshme, duhet domosdo të pranojmë se ajo është vetë-ekzistuese. Kur t’i përmbledhim këto dy pohime, arrijmë në përfundimin se qenia për të cilën bëhet fjalë, është njëkohësisht edhe e mundshme ose relative (mumkin) edhe absolute dhe e domosdoshme (vaxhib). Parë nga aspekti se është një krijesë e Zotit, kjo qenie duhet të jetë relative dhe vetëm një qenie e mundshme, por parë nga supozimi se është e pavdekshme, ajo duhet domosdo të jetë absolute dhe një qenie e domosdoshme (vaxhib el-vuxhud). Kjo s’është tjetër veçse të bashkosh dy gjëra të kundërta dhe është një kundërthënie në vete.


E njejta vlen edhe për pyetjen a mund të krijojë Zoti një qenie që nuk mund ta lëvizë nga vendi. Edhe kjo është një përpjekje për t’i bashkuar dy gjëra kundërthënëse. Për faktin se kjo qenie është një krijesë e Zotit, ajo është domosdoshmërisht e kufizuar. Si pasojë, ajo mund të lëvizet. Por nëse supozojmë se është një qenie që Zoti s’mund ta lëvizë, atëherë pranojmë me automatizëm se ajo është e pafundme dhe e pakufizuar. Një kërkesë e tillë është njësoj si të kërkosh diçka kundërthënëse, e cila është e pakuptimtë dhe e paimagjinueshme.


Për të përmbledhur, pra, përgjigjet për këto pyetje thonë se këto supozime janë të pamundura dhe s’janë tjetër veçse të kërkohet ekzistenca e një gjëje që është esencialisht e pamundur të ekzistojë. Gjërat e pamundura janë jashtë sferës së fuqisë dhe sipas llogaritjeve të intelektit njerëzor, nuk janë të përshtatshme ose të afta për të ekzistuar. Pra mangësia nuk është në fuqinë e Zotit.