Rënia dëshmor e Imam Husejnit (a.s)
Ebu Mikhnaf
06.12.2011

Rënia dëshmor e Imam Husejnit (a.s) by librariadielli


(fragment nga vepra “Maktel el-Husejn”)


Në lidhje me autorin


Historiani i parë, i cili sistematikisht i përmblodhi rrëfimet e përcjellura në lidhje me ngjarjen e Qerbelasë ishte Ebu Mikhnafi (emri i plotë: Lut bin Jahja bin Said bin Mikhnaf bin Salim el Azdi el-Ghamidi el-Kufi) në veprën e tij të titulluar “Maktel el-Husejn”. Babai i Ebu Mikhnafit kishte qenë një ndjekës i Aliut. Ai vetë ishte një historian i besueshëm, në shkrimet e të cilit janë mbështetur shumë historianë të mëvonshëm, qofshin sunnitë ose shiitë, si Muhammed bin Amr Vakidi (vdekur 207 pas Hixhrit), Taberi (vdekur 310), Ibn Kutejbe (vdekur 322), Mesudi (vdekur 345), Mufid (vdekuri 413), Shehristani (vdekur 548), Khatib Kharezmi (vdekur 568), Ibn Ethir (vdekur 630), Sibt bin Xhevzi (vdekur 654) dhe shumë të tjerë.


Me sa duket, vepra origjinale e Ebu Mikhnafit në lidhje me Imam Husejnin është humbur. Ajo që ka arritur deri në ditët tona është përcjellur nëpërmjet nxënësit të tij, Hisham bin el-Kalbi (vdekur 204 pas Hixhrit), i cili e ruajti pjesën më të madhe të veprës së mësuesit të tij dhe ka dhënë një përshkrim të hollësishëm të tekstit të Ebu Mikhnafit. Përkthimi që keni në dorë mbështetet në përshkrimet e përcjellura prej tij.


Në veprën “El-Fihrist”, Ibn Nedimi numëron 22 monografi të përpiluara nga Ebu Miknhafi, ndërkohë që Nexhashiu përcjell 28 tituj. Shumica e veprave të tija kanë të bëjnë me shiitët dhe me ngjarjet që kanë patur për kryeqendër qytetin e Kufes. Si rezultat, nuk ka asnjë vepër në lidhje me umajjadët, mervanidët, në lidhje me kryengritjen e Muslim Khurasaniut ose në lidhje me abbasidët.


Disa nga titujt e librave të tij janë: “Kitab el-Sakifa”, “Kitab el-Ridda”, “Kitab el-Shura”, “Kitab el-Xhemel”, “Kitab el-Siffin”, “Kitab Maktel el-Hasan”, “Kitab Maktel el-Husejn”, “Sirat el-Husejn”, “Kitab Khutbah el-Zehra”, “Kitab Akhbar el-Mukhtar”


Rënia e Husejn ibn Aliut


Kur vetëm tre ose katër ushtarë të tij ishin akoma gjallë, Husejni kërkoi t’i silleshin pantallonat e tija jemenase, të cilat ishin qepur me shumë kujdes dhe shkëlqenin. Ai i grisi ato që askush të mos dëshironte t’i hiqte nga trupi i tij për t’i marrë si plaçka lufte.


Husejni mbeti në një vend të njejtë për një kohë të gjatë. Çdo armik që i afrohej, kthehej prapa duke patur frikë ta merrte përsipër ngarkesën e derdhjes së gjakut të Husejnit. Më në fund, Malik bin Nusajri, një njeri nga fisi Badda, erdhi dhe e goditi Husejnin në kokë me shpatën e tij. Kjo goditje e preu kapelën e pelerinës dhe arriti deri në kokën e Husejnit. Pelerina e Husejnit u la në gjak. Husejni tha: “Qofsh i paaftë për të ngrënë e për të pirë me duart e tua! U ngritsh në Ditën e Gjykimit bashkë me mizorët!” Pastaj e hoqi pelerinën e përgjakur dhe mori një kapelë, të cilën e mbështolli me turban mbi kokë.


Shimr ibn Dhulxhehsheni, bashkë me dhjetë këmbësorë nga Kufeja, iu afrua vendit ku Imam Husejni i kishte vendosur familjarët e tij dhe pronat që kishte. Husejni u përpoq të shkonte andej por ushtarët ia prenë rrugën. Ai u tha: “Të mallkuar qofshi! E di se nuk jeni besnikë ndaj fesë. Por së paku jini të drejtë në punët e kësaj bote! Mos u lejoni këtyre njerëzve të arrijnë tek familja dhe tek pronat e mia!” Shimri u përgjigj: “Kjo është detyra jote o djali i Fatimesë!” Atëherë Husejni i sulmoi dhe i detyroi të largoheshin.


Abdullah bin Ammari përcjell:
“Këmbësorët e sulmuan me shumë ashpërsi Husejnin nga të dyja anët. Ai u kthye drejt atyre që i kishte në të djathtë dhe i bëri të tërhiqeshin. Pastaj të njejtën e bëri edhe me ushtarët në të majtë të tij. Për Zotin, kurrë s’kam parë një vendosmëri të tillë tek një njeri, i cili para pak çastesh i kishte humbur bijtë e tij, familjen dhe ndjekësit. Askush nuk kishte një shpirt më të fortë e më shumë guxim se ai. Për Zotin, kurrë s’kam parë dikë si Husejni. Ai dëboi çdo sulm nga e djathta e nga e majta, siç i dëbon ujku qengjit e kopesë.”


Umar bin Sa’di po i afrohej Husejnit kur Zejnebja, e bija e Fatimesë, doli përpara dhe thirri: “O Umar ibn Sa’d! A do të vështrosh prej anash teksa Ebu Abdullahu po vritet? Husejni po e sulmonte me ashpërsi kalorësinë dhe thoshte: “A po i jepni njëri-tjetrit guxim për të më vrarë? Për Zotin, vrasja ime është një veprim që e zemëron Zotin. Shpresoj se Zoti ka për t’më nderuar duke ju turpëruar juve dhe ka për t’më dhënë mundësi t’ju hakmerrem pa dijeninë tuaj. Për Zotin, nëse arrini të më vrisni, Zoti ka për t’ju mbuluar me vështirësi dhe ka për ta derdhur gjakun tuaj. I ashpër do të jetë dënimi juaj.”


Shimri lëvizi drejt Husejnit me këmbësorët e tij të përbërë nga Sinan ibn Enesi, Khavali bin Jezidi, Salih ibn Vahbi, Kash’am ibn Amri dhe Abdurrahman bin Xhufi. Ata e rrethuan Husejnin nga çdo anë. Atë çast, një djalosh shumë i ri nga familja e Husejnit, deshi të vinte drejt tij. Me ta parë atë, Husejni i kërkoi të motrës Zejnebes që ta mbante djaloshin, por ai nuk pranoi dhe vrapoi drejt Husejnit.


Bahr bin Ka’bi nga ushtria armike kalëroi drejt Husejnit me shpatën e tij. Djaloshi tha: “O biri i një nëne të pandershme! A dëshiron ta vrasësh xhaxhain tim?” Atë çast, Bahri e goditi me shpatën e tij dhe teksa djaloshi u përpoq të mbrohej, shpata ia preu krahun dhe e la atë të varur për një copë lëkurë. “Nënë!”, thirri djaloshi dhe Husejni e ngriti, e përqafoi dhe i tha: “O nipi im! Përballoje me durim këtë gjëmë. Zoti ka për të të bashkuar me paraardhësit e tu, me të Dërguarin e Zotit, me Ali ibn Ebu Talibin, me Hamzën e me Hasan ibn Aliun.”


Pastaj Husejni tha: “O Zot! Mos u fal atyre pika shiu nga qielli dhe mos u fal bekime nga toka! O Zot! Ti u ke dhënë bashkim deri tani, por ndaji ata në grupe dhe copëtoji! Bëj që sunduesit e tyre të mos jenë kurrë të kënaqur me ta! Ata na ftuan me premtimin se do të na ndihmonin dhe në vend të kësaj, u kthyen kundër neve e na vranë.”


Kaloi një kohë e gjatë, në të cilën gjithkush që dëshironte mund ta kishte vrarë Husejnin. Por gjithsecili kishte droje nga kryerja e këtij veprimi të poshtër dhe ia linte atë dikujt tjetër. Atëherë, Shimri u thirri njerëzve: “Të mallkuar qofshi, ç’po prisni? Mbetshin pa ju nënat tuaja!” Pas këtyre fjalëve, ushtarët sulmuan nga të gjitha anët.


Zurak bin Sharik Tamimi e goditi Husejnin në dorën dhe në shpatullën e tij të djathtë. Të gjithë qëndruan larg Husejnit derisa trupi i tij ra me fytyrën përtokë. Në këtë gjendje, Sinan bin Enesi e goditi me një shtizë dhe nuk lejoi që askush t’i afrohej trupit të Husejnit, duke patur frikë se dikush tjetër mund t’ia priste kokën. Më në fund, u ul mbi trupin e tij dhe ia preu kokën, të cilën ia zgjati Khavali bin Jezidit.1


Rrobat mbi trupin e Husejnit u plaçkitën të gjitha. Kajs bin Eshathi e mori pelerinën e tij dhe Is’hak bin Hajvahu ia mori këmishën. Një njeri nga fisi Nashal ia vodhi shpatën dhe një pjesëtar i fisit Esved ia mori sandalet nga këmbët. Më në fund, Bahr ibn Ka’bi ia mori pantallonat dhe trupi i Husejnit mbeti i zhveshur mbi rërën e Qerbelasë...


FUND



1: (shënim i përkthyesit) Duhet theksuar se përshkrimi i përcjellur nga Ebu Mikhnafi është paksa i ndryshëm nga përshkrimet e disa historianëve të tjerë. Në lidhje me çastet e fundit të Imam Husejnit, Kharezmiu, në veprën e tij të titulluar gjithashtu “Maktel el-Husejn”, shkruan se në çastet e fundit të Imam Husejnit, Shimr ibn Dhulxhehsheni erdhi pranë tij, e goditi disa herë me këmbë trupin e Husejnit dhe pastaj, pasi e goditi dymbëdhjetë herë me shpatë, ia preu kokën.