Në prag të betejës: fjalimet e Imam Husejnit (a.s) përballë ushtrisë armike
© dielli.net
03.12.2011

Fjalimi i parë




Pasi i kontrolloi rradhët e ushtrisë së tij, Imam Husejni i hipi kalit, u largua pakëz nga çadrat dhe u foli personave në ushtrinë e Umar ibn Sa’dit:


O njerëz! Më dëgjoni dhe mos u ngutni për të luftuar kundër meje pa i dëgjuar fjalët e këshillat e mia dhe pa e kuptuar arsyen e ardhjes sime! Nëse e pranoni dëshminë time, nëse i miratoni fjalët e mia e nëse silleni me butësi, do ta gjeni rrugën e lumturisë dhe nuk do të keni nevojë të luftoni kundër meje. E nëse s’e pranoni dëshminë time, që të mos pendoheni më pas, mblidhuni bashkë me bashkëpunëtorët tuaj dhe mendohuni mirë, pastaj bëjeni atë që keni vendosur ta bëni kundër meje! Atëherë, po vendosët, mos më lejoni fare hapësirë! S’ka dyshim se ndihmësi im është Zoti që e zbriti Kur’anin. Ai është ndihmësi i robërve të sinqertë.1


Sibt ibn Xhevziu, në veprën Tezkiret’ul-Havvas thotë:

Husejn ibn Aliu, me të parë se populli i Kufes ishte i vendosur për ta vrarë, e vuri një Kur’an mbi kokë, doli para ushtrisë armike dhe tha:

O njerëz! Ndërmjet meje dhe juve le të gjykojë Libri i Zotit dhe gjyshi im i Dërguari i Zotit! Për ç’krim e konsideroni të lejuar derdhjen e gjakut tim? A nuk jam unë djali i vajzës së Profetit tuaj? A nuk keni dëgjuar se gjyshi im, i Dërguari i Zotit, për mua e për tim vëlla ka thënë: “Këta janë zotërinjtë e të rinjve të parajsës”? Nëse nuk i besoni fjalët e mia, pyeteni Zejd bin Erkamin dhe Ebu Said el-Khudriun. A nuk është Xhafer el-Tajjari xhaxhai im?

Nga populli i Kufes, askush tjetër përveç Shimr ibn Dhulxhehshenit nuk guxoi të përgjigjej. Ai tha: “Tani ke për të shkuar në ferr.” Imami iu përgjigj:

Allahu Ekber! Gjyshi im (i Dërguari) ka thënë: “Unë pashë në ëndër se një qen e lëpin gjakun e Ehl-i Bejtit tim” Më duket se ai qen je ti.2


Sipas librave të historisë, kur Imam Husejni arriti në këtë pikë të fjalimit të tij, disa nga gratë që e dëgjonin Imamin filluan të qanin. Atë çast, Imami e ndërpreu fjalimin dhe e dërgoi vëllain e tij Abbasin dhe të birin Ali Ekberin për t’i heshtur gratë, duke thënë: “Ato kanë për të qarë edhe më shumë në të ardhmen.

Pasi gratë heshtën, Imami vazhdoi me fjalët e tija dhe mbasi e lëvdoi Zotin, e mbajti fjalimin në vijim:


O njerëz! Kinie droje Zotin dhe jini të kujdesshëm kundër kësaj bote! Sikur e gjithë bota t’i mbetej një njeriu ose sikur të mbetej përjetësisht në botë ndonjë njeri, s’ka dyshim se profetët do të ishin më të denjë për të qenë të përjetshëm në të, më të mirë për t’u përmendur e më të përshtatshëm për një sundim të tillë. Por Zoti e krijoi botën që të jetë e kalueshme, të rejat e saja vjetërohen, bekimet e saja shkatërrohen dhe lumturia e saj zbehet. Bota është një vend përplot pengesa dhe një shtëpi e kalueshme. Andaj mblidhni pasuri për amshimin tuaj dhe dijeni se pasuria më e mirë për amshimin është droja. Kinie droje Zoti që të shpëtoni!

O njerëz! Zoti e bëri botën një tokë shkatërrimi e asgjësimi, që njerëzit e vet i hedh nga një gjendje në tjetër. Njeri i mashtruar është ai që mashtrohet nga bota dhe i mjeruar është ai që lidhet pas saj. Andaj mos lejoni t’ju mashtrojë kjo botë! Bota e çon dëm shpresën e atij që mbështetet në të dhe e nxjerr të kotë dëshirën e atij që e sheh me dëshirë e shpresë. E shoh se po mblidheni për të bërë një punë. Me këtë veprim tuajin e zemëruat Zotin, Ai e hoqi prej juve mëshirën e Tij dhe e bëri për ju dënimin një detyrim. Sa i bukur është Zoti juaj dhe sa robër të ligë që jeni ju!

Ju premtuat t’u bindeni urdhrave të Zotit dhe e besuat Muhammedin (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) që ishte i Dërguari i Zotit. Pastaj u mblodhët dhe sulmuat për ta vrarë nipin dhe familjen e tij. Djalli ju ka kapluar anembanë dhe ju ka bërë ta harroni përmendjen e Zotit. Zoti ju shkatërroftë juve e i shkatërroftë dëshirat tuaja! Ne të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë.

Pas kësaj, Imami shtoi:

Këta janë njerëz që janë bërë mohues pasi kanë besuar. Qoftë larg mëshirës së Zotit ky popull mizor! 3


Në vazhdim të fjalimit të tij, Imami tha:

O njerëz! A t’ju flas për prejardhjen time? A t’ju them se kush jam? Atëherë mbase do të vini në vete dhe do ta dënoni shpirtin tuaj! Shihni pastaj se a meriton pozita ime që të më vrisni? A nuk jam unë djali i vajzës së Profetit? A nuk jam unë trashëgimtari i Profetit dhe djali i kushëririt të tij? A nuk jam unë djali i atij që e besoi Profetin para të gjithëve dhe që e dëshmoi Profetësinë e tij? A nuk është xhaxhai im Hamza Prijësi i Dëshmorëve? A nuk është Xhafer el-Tajjari xhaxhai im? A nuk keni dëgjuar se për mua e tim vëlla, Profeti ka thënë: “Këta të dy janë zotërinjtë e të rinjve të parajsës.”

Nëse i miratoni fjalët e mia, dijeni se këto fjalë janë të vërteta. Betohem në Zotin se nuk kam gënjyer që nga dita kur kam kuptuar se Zoti e dënon gënjeshtarin dhe se e kthen prapa gënjeshtrën e tij. Nëse nuk i besoni fjalët e mia, e dini se janë gjallë sahabet e Profetit, pyesni ata! Pyeteni Xhabir ibn Abdullah Ensariun, Eba Said el-Khudriun, Zejd bin Erkamin dhe Enes bin Malikun. S’ka dyshim se të gjithë ata e kanë dëgjuar fjalën e të Dërguarit në lidhje me mua dhe vëllain tim. A nuk ju pengojnë të gjitha këto gjëra nga derdhja e gjakut tim?


Nëse keni dyshim për fjalën e Profetit në lidhje me mua dhe me vëllain tim, a keni dyshim edhe për faktin se unë jam djali i vajzës së të Dërguarit? Dijeni se në lindje e në perëndim të botës, as në mesin tuaj e as diku tjetër, nuk ka ndonjë nip tjetër të të Dërguarit. Le t’ju vijë turp! Mos doni vallë të më dënoni për dikë që kam vrarë, për ndonjë pronë që kam vjedhur a mos vallë për ndonjë plagë që ia kam shkaktuar dikujt?


Kur arriti në këtë pikë të fjalimit të tij, ushtria e Kufes ishte në një heshtje të plotë dhe asnjëri prej tyre nuk gjente dot ndonjë përgjigje për fjalët e Imamit. Atë çast, Imami i thirri disa qytetarë të famshëm të Kufes që ishin në ushtrinë e Umar ibn Sadit:

O Shabath bin Rabie! O Haxhar bin Abxhar! O Kajs bin Eshath! O Jezid bin Harith! A nuk më shkruat ju në letrat tuaja dhe a nuk më thatë se frytet ishin pjekur, se tokat ishin gjelbëruar dhe se ushtarët e mi prej Iraku ishin të gatshëm për ta sakrifikuar jetën për mua?4

Kuptohet se këta persona nuk kishin ç’të thonin përballë Imamit përveç të mohonin se kishin shkruar një letër të tillë. Atë çast, Kajs ibn Eshathi tha me zë të lartë: “O Husejn! Përse nuk i bindesh kushëririt tënd Jezidit? Nëse i bindesh atij, me ty do të sillemi ashtu si ke dëshirë dhe nuk kemi për të të dëmtuar aspak.

Imam Husejni u përgjigj:

Jo! Betohem në Zotin se unë s’kam për t’ua zgjatur atyre dorën e turpit dhe s’kam për të ikur prej tyre si skllav.

Më pas, Imam Husejni e recitoi vargun që i përcjell fjalët e Profetit Musa përballë kokëfortësisë së Faraonit:

S’ka dyshim se unë strehohem tek Zoti im dhe Zoti juaj nga kërcënimi për t’më gurëzuar. (Kur’an 44:20) Vërtet edhe unë strehohem tek Allahu që është Zoti im dhe Zoti juaj nga njerëzit e vetëpëlqyer që s’e besojnë Ditën e Gjykimit.

Nëse do t’i mbyllni sytë para meritave të mia dhe përballë fjalëve të Profetit në lidhje me ne, a dyshoni edhe se jam nipi i Profetit?



Pas këtyre fjalëve, Imami tha sërish:

Jo! Betohem në Zotin se nuk kam për t’ua zgjatur dorën e turpit dhe s’kam për të ikur prej tyre si një skllav...


1: Ky fjalim është përcjellur me shumë pak ndryshime në veprat vijuese: “Historia” e Taberiut, vëll.7, fq.328-329; vepra “Kamil” nga Ibn Esiri, vëll.3, fq.287; “Irshad” nga Mufidi, fq.234; Maktel-i Harezmi, vëll.1, fq.253 dhe vepra “Tabakat” nga Ibn Sa’di.

2: Tezkiretu’l-Havas, fq.262

3: Maktel-i Harezmi, vëll.1, fq.253

4: Ensabu’l-Eshref, vëll.3, fq.188


 


Fjalimi i dytë


Harezmiu përcjell si vijon:

Kur në ditën e dhjetë të Muharremit, të dyja ushtritë ishin përgatitur, flamujt e ushtrisë së Umar ibn Sadit ishin ngritur, daullet e luftës filluan të binin dhe çadrat e Husejn ibn Aliut ishin rrethuar tashmë si një unazë nga ushtria e armikut, Imam Husejni hapëroi para ushtrisë dhe i kërkoi armikut ta dëgjonte fjalën e tij. Por ushtria armike vazhdoi të bënte zhurmë gjithë kohës, derisa Imam Husejni me këto fjalë të tijat u kërkoi ta dëgjonin:

Mallkuar qofshi! Përse nuk heshtni për t’më dëgjuar ndonse ju thërras për në rrugën e drejtë? Kushdo që më bindet mua, e gjen rrugën e drejtë dhe kushdo që rebelohet kundër meje, i shkatërruar do të jetë. Ju të gjithë e kundërshtoni urdhrin tim dhe nuk e dëgjoni fjalën time. Zoti jua ka vulosur zemrat për shkak të dhuratave të ndaluara që i keni marrë e për shkak të ushqimeve të palejuara q’i keni ngrënë. Mallkuar qofshi! A nuk dini të heshtni e të dëgjoni?

Kur erdhi në këtë pikë fjalimi i Imam Husejnit, ushtarët e Umar ibn Sadit filluan ta qortonin njëri-tjetrin përse nuk e dëgjonin fjalën e Imamit dhe dalngadalë ushtrinë e kaploi heshtja. Imami vazhdoi me fjalën e tij:

O njerëz! Zoti ju shkatërroftë e jua mbushtë zemrat me trishtim! Na ftuat neve me shumë dëshirë në një kohë kur ishit krejt të hutuar dhe ne e pranuam ftesën tuaj. E tani i nxirrni shpatat kundër nesh dhe ndaj neve e ktheni zjarrin e ndarjes që e ndezi armiku ynë i përbashkët.

Ju u mblodhët kundër miqve, duke i përkrahur armiqtë tuaj, të cilët nuk kanë për të sjellur drejtësi dhe prej të cilëve nuk shpresoni asgjë tjetër përveç një copë buke të ndaluar nga pasuria e kësaj bote dhe një jetesë të pavlerë. Pa ndaluni njëherë! Mallkuar qofshi! Ju u ndatë prej neve, ndonse nuk ndodhi ndonjë gjë dhe ndonse s’patë tek ne ndonjë gjë të gabuar. Kur shpatat ishin në mill, kur zemrat ishin në paqe e kur begatia ishte në vend, ju erdhët drejt neve me vrap si karkalecë dhe na hipët mbi kokë si miza. Ju nxiftë fytyra! S’ka dyshim se ju jeni të ligët e kësaj shoqërie, ju jeni fëlliqësirat e fundit të një grupi të devijuar që është larguar nga Kur’ani dhe ju jeni pështyma e djallit. Ju e keni dëmtuar Kur’anin, ju e keni shuar Sunnetin, ju i vrisni nipërit e Profetit, ju e ndërprisni vazhdimin e gjakut të tij, ju i lëndoni besimtarët dhe vraponi për t’i ndihmuar prijësit tallës që e grisin Kur’anin.


Në vijim të fjalës së tij, Imami tha:

Ju tani i bindeni djalit të Harbit (Jezidit) dhe atyre që e ndjekin atë, duke na lënë neve krejt të pandihmë. Betohem në Zotin se mohimi i ndihmës dhe mashtrimi janë tiparet më të famshme tuajat, gjaku e rrënja juaj është rritur me to, trupi e dega juaj me to është ushqyer dhe me to janë mbushur zemrat tuaja. Ju jeni si një rrush që ose i mbetet në fyt rojes së vreshtës ose bëhet një copë e shijshme në gojën e një vjedhësi. Mallkimi i Zotit qoftë mbi ata që e prishin marrëveshjen pasi të jetë vendosur ajo, ndonse Zotin e ka vendosur dëshmitar. Për Zotin ju jeni njerëz të tillë!

Dijeni se ky fëmijë i lindur prej kurvërie, djalë i një babai të lindur prej kurvërie (në origjinalin turqisht:” zinazade oğlu zinazade”; nënkupton Ubejdullah ibn Zijadin) na ka lënë të zgjedhim ndërmjet shpatës dhe turpërimit. Por turpërimi është larg neve. Zoti, i Dërguari dhe besimtarët nuk pranojnë një gjë të tillë. Të rinjtë që kanë nder dhe burrat trima kurrë s’do të ecin rrugës së njerzëve të dobët e të pamoralshëm, derisa e kanë hapur para vetes rrugën e të rënit dëshmor. Dijeni se unë u plotësova detyrimin tim kundrejt juve. Ndonse familja ime do të pakësohet dhe ndonse ndihmësit e mi s’do t’më ndihmojnë, unë do të vazhdoj të ec drejt qëllimit tim.


Pas këtyre fjalëve, Imami i recitoi vargjet në vijim:

S’është gjë e re po t’kem’ fituar sot

Gjithnjë ne fituam mot për mot...

Se përherë ngadhnjen e Vërteta

humbur betejën a fituar ka...


Dhe tash me guxim po hedhim çapin

S’njohim ne frikën, paburrërinë

Por ç’të bësh kur ashtu do fati

Neve vdekjen hise, të tjerëve mbretërinë...


Por mbi një fis mort kur bie e copëton

Hiqet prapa pastaj dhe një tjetër shkatërron.

Prapë vdekja sot i thirr burrat e Hashimëve

Njësoj si dikur, në një ditë prej ditëve.


E po të rrinin mbretërit përjetësisht mbi botë

Ne mbretër t’qiejve s’do të vdisnim dot...

Dhe të mirët po të mbeteshin prore gjallë

A thua ne do të vdisnim vallë?


Thuaju atyre që sot me dhimbjen tonë kënaqen:

“Edhe koh’ e fundit tuaj pranë po vjen...”




Për Zotin, pas kësaj lufte ju s’keni për t’u gëzuar më gjatë se sa e ngjitura e një kalorësi mbi kalin e tij. Dhe pastaj, ngjarjet do të kthehen drejt juve si kthimi i një mulliri dhe si tronditja e boshtit kanë për t’ju tronditur e shkatërruar. Këto janë fjalët e tim eti Aliut e të gjyshit tim të Dërguarit të Zotit...


Më pas, Imami i ngriti duart drejt qiellit dhe e mallkoi ushtrinë e Umar ibn Sadit:

Zoti im! Mos u zbrit shi atyre dhe jepu vite (plotë thatësirë) si vitet e Jusufit! Goditi ata me dorën e të riut të Sakifëve, që ai t’i ngopë me enën e dhimbjes e të mos e lërë pa dënuar asnjërin prej tyre! Ai le t’i vrasë ata që vrasin, le t’i godasë ata që godasin dhe kështu le të hakmerret për Ehl-i Bejtin tim e për ndjekësit e mi. Ata deshën të na përgënjeshtronin dhe nuk na ndihmuan përballë armikut. Zoti im! Ti je i Zoti ynë dhe tek Ti mbështetemi. S’ka dyshim se drejt Teje është kthimi ynë.




FUND