Lutja e Ebu Hamza Thumaliut
Imam Zejn’ul-Abidini (a.s)
09.08.2011

Hyrje


Ebu Hamza Thumaliu, njëri nga ndjekësit e Imam Zejn’ul-Abidinit, përcjell se gjatë muajit të Ramazanit, Imami e kalonte gjithë natën duke bërë adhurim dhe kur fillonte koha e agjërimit, e recitonte këtë lutje. Kjo lutje, e cila është shënuar në histori me emrin e përcjellësit të saj, është ndër lutjet më të famshme të traditës së Ehl-i Bejtit dhe përmban vlera të larta mistike. Edhe përkundër gjatësisë së saj, ajo ka një rrjedhshmëri të jashtëzakonshme që e magjeps lexuesin dhe e fut atë në thellësitë e oqeanit shpirtëror të Islamit.


Pavarësisht përpjekjeve të mundimshme, përkthimi i lutjeve të tilla kurrë nuk mund ta arrijë cilësinë letrare dhe ndikimin e origjinalit të tyre në arabisht. Qëllimi i këtij përkthimi është që lexuesi shqipfolës të mund të afrohet me këtë pasuri të paçmueshme dhe ta ndjejë sado pak thellësinë e përshpirtshmërisë së traditës islame.


Me këtë vetëdije dhe me shpresën që të japë një kontribut të vogël në rrugëtimin shpirtëror të tyre, ia dorëzojmë këtë përkthim gjykimit të lexuesve tanë.


I gjithë suksesi vjen nga Zoti!

dielli.net


 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!



Zoti im! Mos më eduko nëpërmjet dënimit dhe mos më hidh në kurthin tënd, vetëm duke më lënë!

Imzot! Nga të shpresoj ndonjë të mirë kur nuk vjen e mira veçse prej Teje? Si ta arrij shpëtimin, kur nuk ka shpëtim veçse me bekimin Tënd? Ai që vepron mirë s’jeton dot pa ndihmën e pa mëshirën Tënde. Ai që bën të liga e rebelohet kundër Teje, nga fuqia Jote s’gjen shpëtim.

Imzot, Imzot, Imzot (Imami e përsëriste këtë fjalë derisa fillonte t’i merrej fryma)! Nëpërmjet Teje të njoha Ty. Ti më ktheve drejt Vetes tënde dhe më ftove në pragun Tënd. Pa ndihmën Tënde s’të njihja dot...



Lëvdatat i takojnë Zotit! Atij që më përgjigjet kur e thërras, ndonse unë shpërfillës bëhem kur Ai më thërret.

Lëvdatat i takojnë Zotit! Atij që ma jep atë që dua, ndonse unë koprrac bëhem kur Ai më kërkon një gjë.

Lëvdatat i takojnë Zotit që kur të dua e thërras për nevojat e mia dhe që ia zbuloj të fshehtat pa ndërmjetës e nevojat më përmbushen sakaq!

Lëvdatat i takojnë Zotit, përveç të cilit s’i drejtohem kujt! Edhe po ta thirrja një tjetër, s’merrja dot përgjigje.

Lëvdatat i takojnë Zotit, përveç të cilit s’kam prej kujt të shpresoj. Edhe po të lidh shpresë tek dikush tjetër, e kotë do të jetë shpresa.

Lëvdatat i takojnë Zotit që i mori përsipër punët e mia dhe më nderoi. Është Ai që s’më la vetëm përballë njerëzve dhe s’lejoi të poshtërsohem.

Lëvdatat i takojnë Zotit që ndonse i mjafton Vetvetes, më miqësoi me veten e Tij.

Lëvdatat i takojnë Zotit që sillet me mua si të mos kem asnjë mëkat. Zoti im është Ai q’i meriton lëvdatat. Andaj Atë e lëvdoj!



Zoti im! Unë i lirë ndjehem për të t’i thënë dëshirat. Të mbushura i shoh burimet e shpresës që drejt Teje kthehet. Me bekimin tënd, është gati ndihma Jote për ata që pas Teje lidhin shpresë. Të hapura janë dyert e lutjes për ata që drejt Teje kthejnë fytyrën. E di se je Ti që i përmbush nevojat e nevojtarëve, Ti je që e di gjendjen e të mjeruarve. Dhe e di: lutja për të mirat e Tua dhe durimi përballë përcaktimit Tënd është një shpërblim për mua kundër koprracëve dhe një liri nga pasuria e atyre që e duan këtë botë.



Zoti im! Të shkurtër e ka rrugën ai që ec drejt Teje. Vërtet Ti s’ke vënë pengesë ndërmjet vetes dhe robërve të Tu. Bëmat e njerëzve janë pengesa e tyre.

Unë e solla dëshirën time në dyert e Tua. Ty po ta shpreh nevojën time, tek Ti strehohem dhe përgjërimin tim pranë Teje e bëj ndërmjetës, ndonse e di se nuk e meritoj pranimin e lutjes, as faljen Tënde. Por në bujarinë Tënde mbështetem dhe gjej paqe në vërtetësinë e premtimit Tënd. Ty të drejtohem me besimin se je Një e i Vetëm dhe me bindjen se s’ka zot tjetër veç Teje. S’ka perëndi tjetër që të adhurohet veç Teje. Ti je Një e s’ke të barabartë.



Zoti im! Ti ke urdhëruar t’i kërkojmë të mirat e Tua. Ti ke thënë se Zoti është i mëshirshëm ndaj robërve të Tij. E saktë është fjala jote dhe i vërtetë premtimi. Imzot, s’të shkon Ty për shtati t’u urdhërosh robërve të të kërkojnë dhe pastaj t’ua mohosh të kërkuarën. Ti je që i bekon pafundësisht robërit e Tij. Ti je i butë e i dhembshur. Zoti im! Ti je Ai që më edukoi me të mira në fëmijëri dhe Ti je Ai që ma madhëroi emrin kur u rrita. O Ti që më edukove në këtë botë me të mirat e me bekimin Tënd dhe Ti që më dhe shpresë për faljen e për mëshirën Tënde në amshim! Imzot! Njohja jote më ktheu drejt Teje dhe s’kam ndërmjetës tjetër veç dashurisë sime për Ty. Dhe unë s’dyshoj në drejtësinë e ndërmjetësit tim.



Imzot! Të thërras me një gjuhë që s’flet dot nga mëkatet.

Imzot! Të kërkoj me një zemër që shkatërrimit i avitet.

Imzot! Ty të thërras me frikë e me shpresë.

Imzot! Tmerrohem kur i shoh mëkatet e mia por me shpresë mbushem mirësinë tënd kur sodis.

Po të më falësh, është pse je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

E po më dënove, s’thotë dot kush se i padrejtë je.



Zoti im! Ndonse i bëj gjërat që Ti s’i do, është bujaria dhe mirësia Jote që më jep guxim prapë Ty të t’i shpreh nevojat e mia. Ndonse s’më dridhet syri kur mëkatoj, mëshira Jote është streha ime në vështirësi. Ndonse jam mëkatar, prapë shpresoj se s’shkon dëm shpresa ime dhe se dëshirën do ma përmbushësh domosdo. Përmbushe dëshirën time dhe pranoma lutjen! O më i Miri i atyre që u drejtohen lutjet! O më i Miri i atyre, prej të cilëve shpresohet!


Imzot! Të shumta i kam dëshirat dhe të liga veprimet. Më beko nga falja Jote me aq sa është dëshira ime dhe mos më kërko llogari për veprimet e liga! Bekimi Yt është përtej dënimit të mëkatarëve. Durimi Yt është më i madh se dënimi i atyre që gabojnë. Imzot! Në madhështinë Tënde strehohem. Nga dënimi Yt largohem drejt mirësisë Sate. S’ka dyshim se Ti e fal atë që shpreson për faljen Tënde. Imzot! Kush jam unë që të hakmerresh? Ç’është vlera ime? Falma mëkatin me madhështinë Tënde dhe me faljen Tënde më beko! Imzot! Mbuloji veprat e mia të liga! Për hir të madhështisë Sate hiq dorë nga qortimi im!



Vërtet, po ta dinte dikush tjetër mëkatin tim, s’do ta kryeja atë. Po të druhesha se do të dënohem sakaq, mëkatit do t’i ikja. Por kjo s’do të thotë se Ti i pavlerë je. Këtë e bëj ngase e di se Ti je më i miri i atyre që i mbulojnë mëkatet, Ti je Gjykuesi më i mirë dhe më i Lartësuari nga bekuesit. Ti i mbulon mangësitë e njerëzve, Ti i fal mëkatet dhe Ti e njeh të fshehtën. Me bujarinë Tënde i mbulon mëkatet dhe me durimin Tënd e vonon dënimin. Ty të takojnë lëvdatat, që je Durimplot ndonse di gjithçka dhe që fal ndonse për gjithçka të mjafton fuqia. Durimi yt më jep guxim të rebelohem kundër Teje. Ngase m’i mbulon mëkatet, unë lejoj të më pakësohet turpi. Ngase e di madhështinë e faljes e të mëshirës Sate, gjej guxim të mëkatoj.


O i Dhembshur! O Bujar! O Ti që je gjallë! O Ti q’u jep jetë krijesave e q’i mbron! O Ti q’i fal mëkatet e pendimet pranon! O Ti që të madh e ke bekimin dhe mirësitë të përhershme!

Ku është mbulesa e mëkateve të mia? Ku është falja Jote? Ku është shpëtimi që fitohet lehtë? Ku është ndihma Jote dhe mëshira e pafund? Ku janë bekimet e Tua, ku janë dhuratat e bukura, ku është mirësia e pafundme? Ku janë bujaria dhe të mirat, ku është dhuntia Jote e përjetshme? O Bujar, ku është bujaria jote?


Për hir të bujarisë Sate, për hir të Muhammedit dhe të familjes së tij, më fal shpëtim! Më shpëto për hir të mëshirës Sate! O Zot që të bukur e ke çdo gjë e çdo punë! O falës i të mirave dhe dhuntive! Unë s’mbështetem në veprimet e mia për t’i shpëtuar dënimit por në mirësinë e në bujarinë Tënde. Ti e meriton drojen tonë dhe Ti je i denjë për të falur. Ti je që njëherë u bën mirë robërve të Tu me dhunti dhe që pastaj me bujari ua fal mëkatet. S’di për ç’gjë të të falënderoj më parë. A për dhuntitë e bukura që m’i fale? A për mangësitë që m’i mbulove? A për lehtësimin që ma fale në sprovat e vështira, ku më shpëtove pa pësuar?


O mik i atyre që të duan! O dritë e syve të atyre që strehohen tek Ti dhe që prej gjithçkaje shkëputen, me Ty për t’u lidhur! Ti e ke të bukur çdo vepër dhe ne jemi që bëjmë të liga. Imzot! Na i fal të ligat me bukurinë Tënde!


Imzot! A ka një padije që s’e tejkalon bekimi dhe mirësia Jote? A ka ndonjë kohë që e shpenzon durimin Tënd dhe butësinë? S’kanë vlerë veprimet tona para mirësive të Tua. Atëherë si t’i quajmë të mëdha të ligat tona përballë bujarisë Sate? Imzot! Si të mos i mbulojë mëkatarët mëshira jote e pafundme? O Mëshirues i pakufishëm, Ti që gjithë hapur e ke dorën e mëshirës!

Imzot! Po t’më largosh nga dera e mëshirës Sate, në madhështinë Tënde betohem se s’kthehem prapa dhe s’heq dorë nga përgjërimet. E di se Ti je bujar dhe i dhembshur. Ti e bën atë që do, Ti dënon ashtu si do dhe atë që do e mëshiron. Askush s’guxon të të kërkojë llogari, askush s’ka fuqi të të kundërvihet. S’ke të barabartë në sundim, s’ke kundërshtarë në gjykim dhe s’të pengon kush në veprime. Vetëm Ti je Krijues dhe Gjykues. I lëvduar është Allahu, Zoti i botëve!


Zoti im! Kam ardhur në pragun Tënd si një që të drejtohet Ty, një që strehohet në bujarinë Tënde dhe që të mirat e Tua i njeh. Bekimet e Tua nuk bëhen të mangëta dhe mëshira Jote nuk pakësohet. Ne mbështetemi në faljen Tënde të përjetshme dhe në mëshirën Tënde të pafund. Imzot! A thua do të sillesh ndaj neve ndryshe nga ç’presim? A thua shpresat do na çosh dëm? Jo Imzot! S’është ky mendimi ynë për Ty dhe nuk është kjo shpresa që kemi prej Teje.


Të shumta i kemi dëshirat. Mëkatuam por dëshira jonë është që t’i mbulosh mëkatet tona. Të thirrëm dhe shpresa jonë është që të përgjigjesh. Përmbushi dëshirat tona Zoti ynë! E dimë ç’meritojmë pas asaj që kemi bërë. Por Ti e di gjendjen tonë. Dhe ne e dimë se Ti s’ke për të na kthyer duarbosh nga dera jote. Ndonse nuk e meritojmë mëshirën Tënde, Ti me mirësinë Tënde të pafundme je i denjë për ta na bërë mirë. Na fal të mira për hir të asaj për të cilën je i denjë. Na fal të mira e dhunti, o Zot, se nevojtarë jemi për dhuntitë e Tua.


O Falës! Me dritën Tënde gjetëm udhëzim, me të mirat e Tua u bëmë të vetëmjaftueshëm, me bekimin Tënd u gdhimë dhe mbrëmjen e arritëm. Ti i sheh qartë mëkatet tona. Zoti im! Prej Teje kërkojmë falje dhe tek Ti kthehemi sërish. Të mirat e Tua zbresin gjithnjë drejt neve, ndonse prej nesh vetëm të liga vijnë tek Ti. Gjithnjë ka ëngjëj që t’i sjellin të ligat tona, por kjo s’të pengon që të na falësh të mira. Ti i pastër je nga çdo e metë. S’ka fund durimi, bujaria dhe mirësia Jote kur krijon e kur ringjall.Të shenjtë janë emrat e Tu, e madhe lavdia Jote. Të bukura janë të gjitha shenjat e Tua. Zoti im! Aq i madh është durimi dhe aq e pafund mirësia Jote, sa kurrë s’ke për t’më vlerësuar vetëm me veprimet e mia. Imzot! Imzot! Imzot! Na fal!


Zoti im! Na ndihmo të të përmendim! Na streho nga zemërimi e na largo nga dënimi Yt! Na fal dhuntitë e Tua! Na mundëso ta vizitojmë shtëpinë Tënde dhe varrin e Profetit tënd, paqja, mëshira dhe begatia Jote qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij. S’ka dyshim se Ti je pranë robërve të Tu dhe u përgjigjesh lutjeve. Bëje çdo veprim tonin një bindje ndaj Teje e na bëj të vdesim në fenë Tënde dhe me traditën (sunnetin) e Profetit tënd!


Më fal mua dhe prindërit e mi! Ki mëshirë për ta! Ata më rritën. Jepu atyre të mira për të gjitha të mirat që m’i dhanë dhe fali mëkatet e tyre!

Zoti im! Fali besimtarët e besimtaret, të gjallë a të vdekur qofshin! Na bëj neve ndjekës të tyre në punë të mira!


Zoti im! Fali të gjallët tanë, të vdekurit tanë, të pranishmit e ata që na mungojnë, meshkujt tanë, gratë tona, të vegjëlit tanë, të rriturit, të zotët tanë dhe robërit! Ata që u larguan nga Zoti thanë se është gënjeshtër. Ata devijuan keq dhe humbës u bënë.

Zoti im! Bekoje Muhammedin dhe familjen (Ehl-i Bejtin) e Muhammedit! Përfundoje me sukses punën time dhe më ndihmo në punët e rëndësishme të kësaj bote e të amshimit! Mos më sprovo me njerëz që s’kanë mëshirë ndaj meje dhe më mbro gjithnjë me një mbrojtës prej Teje! Mos i merr dhuntitë e bukura që m’i fale! Më fal një mbijetesë të lejuar e të pastër nga mirësia dhe nga begatia Jote!


Zoti im! Më merr nën mbrojtjen Tënde, më mbro nga çdo e ligë dhe më streho pranë Vetes! Më mundëso që këtë vit dhe çdo vit tjetër ta vizitoj shtëpinë Tënde! Më mundëso ta vizitoj varrin e Profetit tënd dhe të Imamëve (paqja qoftë mbi ta). Imzot! Mos bëj të mbetem larg nga ato vende të shenjta!


Zoti im! Më mundëso një pendim, pas të cilit s’vjen më mëkati! Më frymëzo vepra të mira në zemër! Më mundëso të veproj mirë, e të të druhem ditë e natë për sa kohë të jem gjallë! O Zot i botëve!

Zoti im! Sa herë që u ktheva drejt Teje për adhurim, Ti më dhé gjumë e plogështi e ma more prej vetes shpirtin e përgjërimit e të lutjes. Përse ndodh kjo o Zoti im? Kurdoherë që u bëra i mirë dhe u nisa për të shkuar në mbledhjet e të penduarve, u ndesha me ndonjë gjë që ma theu vullnetin e më pengoi nga adhurimi Yt. Imzot, a thua më ke përzënë nga dera Jote dhe më ke përjashtuar nga shërbimi Yt?


Mbase më largove nga Vetja ngase e shpërfillja të drejtën Tënde mbi mua. Dhe mbase më ke parë se të kam kthyer shpinë e më dënon tani, mbase më quan nga gënjeshtarët e më ke larguar nga dashamirësia Jote. Mbase ke parë se jam një mosmirënjohës dhe ke filluar të m’i mohosh të mirat, ose ke vërejtur se qëndroj larg mbledhjeve të dijetarëve dhe më ke poshtërsuar. Dhe mbase më ke vendosur në mesin e të pakujdesshmive dhe e ke prerë shpresën time nga mëshira Jote. Mbase më ke parë tek shkoj në mbledhjet e njerëzve të kotë dhe më ke miqësuar me ta. Mbase më ke larguar nga dera Jota ngase s’dëshiron të ma dëgjosh lutjen e mbase më ke dënuar për shkak të fajeve, mëkateve dhe paturpësisë sime.


Imzot! Nëse më fal, kjo është ajo që të shkon Ty për shtati. Në fund të fundit, Ti je Ai që m’i fali shumë mëkate më parë. Bekimi dhe mirësia Jote janë shumë përtej dënimit të robërve të Tu. Unë strehohem në mirësinë Tënde. Në mëshirën Tënde strehohem nga dënimi Yt. S’ka dyshim se Ti je falës ndaj atij që shpreson të falet prej Teje.



Zoti im! Aq e madhe është mirësia Jote dhe aq i madh durimi, sa nuk më poshtërson kurrë për shkak të mëkateve të mia. Imzot! Ç’jam unë dhe ç’është vlera ime? Imzot! Më fal për hir të mirësisë dhe bujarisë Sate! Mbuloji gabimet e mia! Shpërfilli mëkatet e mia për hir të madhështisë Sate!


Imzot! Unë jam i vogli që Ti rrite, unë jam i padituri, të cilit dije i fale, unë jam i humburi që udhëzove, unë jam i mjeruari që lartësove, jam i frikësuari që ngushëllove, jam i urituri që ushqeve dhe i eturi që ujë i dhé. Unë jam i zhveshuri që t’i veshe, i varfëri që pasurove, i dobëti që forcove, i poshtërsuari që nderove, i sëmuri që shërove, lypësi q’i fale dhunti, mëkatari që ia mbulove mëkatin, gabuesi që gabimin ia fale, i pakti që e bëre shumë, i dëshpëruari që ndihmove dhe i dëbuari që e pranove pranë Teje.


Imzot! Unë jam ai i mjerë që në të hapur nuk turpërohem prej teje dhe në fshehtësi nuk kujdesem për praninë Tënde. Unë jam njeriu i fatkeqësive të mëdha. Unë jam guximtari që e kundërshtoi Zotin e tij. Unë jam njeriu që u rebelua kundër Perëndisë së qiejve. Unë jam ai që në rrugë të mëkatit e shpenzoi pasurinë. Ti më dhé kohë e unë nuk erdha në vete. M’i mbulove mëkatet, unë s’u bëra i turpshëm. I kalova kufijtë në të mëkatuar. Më ra vlera në syrin Tënd e prapë nuk u përmenda. Por Ti vazhdove të më japësh kohë me durimin Tënd, m’i mbulove mëkatet me mirësi dhe u solle me mua si të mos kisha asnjë mëkat. Ti i largove prej meje dënimet e mëkateve të mia.


Zoti im! Kur mëkatoj, nuk mëkatoj pse e mohoj zotësinë Tënde, as urdhrin Tënd pse e shpërfill. Nuk mëkatoj nga mendjemadhësia përballë dënimit që vjen prej Teje dhe as nga shpërfillja e kërcënimit Tënd. Ky ishte një gabim i imi që u bë e kaloi. Dëshirat e mia ma shfaqën të bukur gabimin, epshet më nënshtruan dhe fatkeqësia ime vetëm sa i ndihmoi më shumë. Ti përherë m’i ke mbuluar mëkatet, andaj u mashtrova. Kështu u rebelova kundër Teje dhe fillova t’i kundërvihem urdhrit Tënd. Por tani, kush mund të më shpëtojë nga dënimi Yt? Kush do t’më mbrojë kundër atyre që ankohen prej meje? Po ta këpusësh litarin ku kapem, për ç’litar do të lidhem? Mjerë unë në ditën kur të hapet libri i bëmave të mia! Po të mos kisha shpresë nga mirësia dhe bujaria Jote e pafundme dhe po të mos e ndaloje Ti të humb shpresë nga mëshira Jote, do të humbja shpresë kur t’i shihja bëmat e mia. Ti je më i Miri i atyre që thirren dhe më i Lartësuari i atyre, prej të cilëve shpresohet.

Zoti im! Të drejtohem me lidhjen që kam me Islamin. Tek ti mbështetem për hir të Kur’anit. Shpresoj të të afrohem për hir të Profetit tënd që s’dinte shkrim-lexim, për hir të atij Profeti që ishte kurejshit e hashimit, arab, tihamas1, mekkas e medinas. Atëherë mos ma kthe në huajësi afërsinë time me besimin! Mos ma jep shpërblimin e atij që adhuron dikë tjetër veç Teje! Ka njerëz që nga frika për jetët e tyre, besuan vetëm me fjalë dhe e arritën atë që donin. Por ne, të besuam me gjuhë e me zemër që të na falësh mëkatet. Atëherë, na fal atë që dëshiruam, forcoje në zemrat tona shpresën prej Teje, mos lër të na humben zemrat pas udhëzimit dhe na fal mëshirë nga vetja Jote. Vërtet ti je Bamirës.


Betohem në madhështinë Tënde! Edhe sikur të më dëbosh nga dera Jote, nuk largohem dhe nuk resht së përgjëruari. E njoh në zemrën time mirësinë dhe mëshirën Tënde të pafundme. Dhe ku mund të shkojë një rob përveç tek i Zoti? Ku mund të strehohet krijesa në jo tek Krijuesi i saj? Zoti im! S’do të humb shpresë prej Teje, edhe sikur të më lidhësh me zinxhirë e ta ndërpresësh mirësinë e njerëzve ndaj meje, edhe sikur t’i hapësh sytë e njerëzve për t’i parë mangësitë e mia, edhe sikur të urdhërosh të hiqem zvarrë drejt zjarrit e të më ndash nga robërit e Tu të mirë. S’do të heq dorë nga shpresa e faljes Tënde dhe s’do ta humb në zemër dashurinë ndaj Teje. Unë kurrë s’mund t’i harroj të mirat që m’i fale dhe mënyrën si m’i mbulove gabimet në këtë botë.


Imzot! Nxirre nga zemra ime dashurinë për këtë botë! Më bashko me të mbramin e profetëve Muhammed Mustafa-në (paqja qoftë mbi të dhe mbi famljen e tij) dhe me Ehl-i bejtin e tij që zgjodhe në mesin e krijesave! Më bëj nga të penduarit dhe më ndihmo ta arrij pozitën e atyre që të drejtohen Ty! Më jep fuqi të qaj për gjendjen time! Vërtet e kalova jetën me punë të kota e me dëshira boshe dhe hyra në gjendjen e atyre që humbin shpresë nga mirësia e vetvetes. Po të hyj kështu në varr, kush vallë do të ishte më keq se unë? S’e kam përgatitur varrin si një vend për qetësim dhe s’kam shtruar me vepra të mira një shtroje në të. Si të mos qaj atëherë, kur s’e di ku më çon rruga ime dhe shoh se dëshirat më mashtrojnë, ditët më lënë të dëshpëruar dhe vdekja i hap krahët e saja sipër kokës sime? Si të mos qaj? Qaj për çastin kur të më ndahet shpirti prej trupit. Qaj për errësirën e varrit tim të ngushtë. Qaj për çastin kur Munkeri e Nekiri2 të më marrin në pyetje. Qaj për çastin kur të dal prej varri i zhveshur, i poshtërsuar dhe i ngarkuar me peshën time të madhe mbi shpinë. Do të dal e do ta hedh vështrimin herë në të djathtë e herë në të majtë dhe gjithkush me vetveten do të jetë i zënë. Gjithkush do të ketë ndonjë gjë për të bërë. Disa fytyra shkëlqejnë si drita atë ditë dhe stolisen me të qeshura. Dhe sa shumë fytyra mbulohen nga dheu e nga errësira, krejt të poshtërsuar.


Imzot! Ty të besoj, tek Ti mbështetem, prej Teje shpresoj dhe Ty të dorëzohem. Pas mëshirës Tënde qëndroj lidhur. Ti e mëshiron atë që dëshiron dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Ty të takojnë lëvdatat që ma pastrove zemrën nga idhujt! Ty të takojnë lëvdatat që ma hap gojën për të të lëvduar! Si mund të të lëvdoja me këtë gjuhë plot mangësi? Sado të bëj vepra të mira, si mund vallë ta meritoja kënaqësinë Tënde? Imzot! Ç’vlerë mund të ketë gjuha ime përballë falënderimit që ta bëj? Ç’vlerë mund të ketë vepra ime përballë mirësisë e bujarisë Sate?


Zoti im! Të mirat dhe dhuntitë e tua më kanë dhënë shpresë, mirësia dhe bujaria Jote ka mundësuar që të pranohen veprat e mia. Imzot! Drejt Teje kthehem, prej Teje kam droje dhe prej Teje shpresoj. Shpresa ime më sjell tek Ti! O Zoti im i Madh! Drejt teje e kam kthyer përpjekjen time, pas Teje e kam lidhur shpresën më të fortë, prej Teje e kam drojen më të madhe, për Ty e kam dashurinë, drejt Teje të zgjatur dorën dhe frikën të lidhur për litarin e bindjes.


Imzot! Me përmendjen Tënde më ngjallet zemra dhe Ty duke të thirrur e largoj nga vetja dhimbjen e frikës. O Zoti im, Shpresa ime dhe Dëshira ime e fundit! Më ndaj gjithnjë nga mëkatet që s’më lënë të të bindem! Prej Teje e kërkoj përmbushjen e nevojave të mia, për hir të shpresës që kam prej Teje dhe për hir të dëshirës për mëshirën dhe për mirësinë Tënde. Ty të takon gjykimi dhe Ti s’ke të barabartë. Të gjitha krijesat furnizohen me bekimin Tënd dhe nën fuqinë Tënde jetojnë. Gjithçka nënshtrohet para Teje. Ti je i madhërishëm o Zot i botëve!


Zoti im! Ji i dhembshur ndaj meje në ditën kur s’do të kem dëshmi për të sjellë, kur gjuhën ta kem të paaftë për t’u përgjigjur dhe kur mendja të më turbullohet nga pyetjet. O Shpresa ime e madhe! Mos ma moho mirësinë Tënde kur të kem më shumë nevojë për të! Mos më dëbo nga Vetja për shkak të padijes sime! Mos e ndërprit bekimin Tënd për shkak të padurimit tim! Më beko pse i mjeruar jam! Më mëshiro pse jam i pafuqishëm!


Imzot! Tek Ti mbështetem e kam besim, prej Teje shpresoj dhe Ty të dorëzohem. Me mëshirën Tënde jam i lidhur dhe para portës së mirësisë Sate e shkarkoj ngarkesën e nevojave të mia. Ngase e di mirësinë dhe bujarinë Tënde, Ty po ta shpreh nevojën. Imzot! Ty të përgjërohem duke shpresuar për mirësinë Tënde dhe prej Teje shpresoj të më përmbushen nevojat. Me pasurinë Tënde dua mjerimin tim ta mund dhe me faljen Tënde qëndroj në këmbë. I kam kthyer sytë drejt bujarisë dhe dhuntisë Sate dhe shpresoj të mira të më falësh. Mos më hidh në zjarr, sepse Ti je shpresa ime. Mos më vendos në ferr, sepse Ti je drita e syve të mi.


Imzot! Mos e nxirr të kotë shpresën që kam për mirësinë Tënde sepse Ti je streha e vetme ku mund të gjej strehim! Mos m’i moho të mirat kur e di se jam i mjeruar! Zoti im! Nëse s’jam afruar me Ty kur të më vijë vdekja, bëje pendimin tim një ndërmjetës. Zoti im! Po të më falësh, mos ka tjetër që është më i denjë për të më falur? Dhe po të më dënosh, kush është më i drejtë se Ti në gjykim? Ki mëshirë për mjerimin tim në këtë botë, për vuajtjen në çastin e vdekjes, për vetminë time dhe për ngushtësinë e varrit tim! Kur të vij pranë Teje për të dhënë llogari, ki mëshirë për poshtërsinë time! M’i fal mëkatet që njerëzit nuk i dinë dhe mbulomi gabimet! Kur të bje në shtrat të vdekjes e kur miqtë të më lëvizin nga njëra anë në tjetrën, ki mëshirë për mua! Kur të më shtrinë për të ma larë trupin, më beko me mirësitë e Tua! Ki mëshirë për mua kur të afërmit e mi të ma bartin trupin! Më beko me mirësinë Tënde kur të ndahem nga kjo botë e të vendosem në varr për të ardhur në praninë Tënde! Ki mëshirë për huajësinë time në atë shtëpi të re, që mos mësohem me askë tjetër veç Teje!


Imzot! Do të shkatërrohem po të më lësh vetëm. Imzot! Ku mund të strehohem po të mos m’i falësh mëkatet? Po s’e arrita kënaqësinë Tënde në shtrat të vdekjes, kujt t’i përgjërohem? Drejt kujt të arratisem nëse Ti s’ma shëron dhimbjen? Imzot! Unë s’kam askënd veç Teje. Nëse Ti s’më mëshiron, kush mund të më mëshirojë? Nëse s’më kaplon mirësia dhe bekimi Yt në kohë mjerimi, nga mirësia e kujt të shpresoj? Kur të më vijë vdekja, në ç’derë të trokas që të më falen mëkatet?

Imzot! Mos më dëno kur e di se prej Teje kam shpresë! Zoti im! Ma fal atë që shpresoj dhe ma kthe frikën në siguri! Të shumta i kam mëkatet. Andaj kam shpresë nga falja Jote. Imzot! Po e kërkoj prej Teje atë që s’e meritoj. Sepse prej Teje duhet të druhet njeriu dhe prej Teje pritet mëshira. Atëherë më fal! Më mbath nga mirësia jote me rroba qo do t’i mbulojnë mangësitë e mia! M’i fal gabimet dhe mos më kërko llogari për to! Vërtet e pafund është mirësia Jote dhe e madhe falja. Me madhështinë Tënde i fal gabimet e mëkatarëve. Zoti im! Ti je aq Bujar sa u fal të mira edhe atyre që nuk i duan këto të mira dhe madje atyre që zotësinë Tënde mohojnë. Atëherë o Zoti im, si do ta përzësh nga dera Jote atë që prej Teje kërkon përmbushjen e nevojave dhe beson se vetëm Ti je Ai që krijon dhe që i rregullon punët e njerëzve? Prej Teje vjen begatia dhe Ti je i madhërishëm o Zot i botëve!


Imzot! Robi yt i mjerë ka ardhur në pragun Tënd me nevojat e tija. Me lutjen time trokas në derën e mirësisë Sate. Për hir të mirësisë dhe bujarisë Sate, mos më kthe shpinë! Kur të thërras, shpresoj se s’ke për të më refuzuar. E di se Ti je i dhembshur dhe i mëshirshëm. Zoti im! Ti je Bujari që s’lodhet së faluri dhunti atij që kërkon të mira prej Teje. Asgjë s’pakësohet nga thesari Yt. Ti je i tillë siç e cilëson Veten. Ti je përtej cilësimeve tona.


Zoti im! Të kërkoj një durim të bukur, një shpëtim të shpejtë, një gjuhë që flet drejt dhe një shpërblim të madh. Imzot! Prej Teje e kërkoj çdo të mirë që e di e që nuk e di. Zoti im! Prej Teje i kërkoj më të mirat e gjërave që i kërkojnë robërit e tu të zgjedhur. O më i Miri i atyre, të cilëve u hapen duart në lutje dhe më Bujari i dhuruesve! Pranoji lutjet e mia për veten, për familjen time, për nënën e për babain tim, për fëmijët, për të afërmit e për vëllezërit e mi të një besimi! Bëje të bukur jetën time dhe më fal guxim! Ma rregullo çdo punë! Më bëj një njeri me jetë të gjatë, me vepra të mira e me dhunti që Ti i ke plotësuar! Më bëj nga ata, me të cilët i kënaqur je dhe më beko me një jetë plot lumturi, plot begati dhe rehati! S’ka dyshim se Ti e bën atë që ke dëshirë dhe askush tjetër s’mund të bëjë çdo gjë që dëshiron.


Zoti im! Më bëj një që meriton të përmendet nga ana Jote! Adhurimet e ditëve e të netëve të mia, mbaji larg nga mburrja, dukja dhe dëshira për t’u parë e dëgjuar nga të tjerët! Më bëj nga robërit që përkulen e janë të turpshëm para Teje! Zoti im! Më fal begati të bollshme dhe një vend të sigurt! Familjen time, fëmijët e mi dhe pasurinë time, bëji të gjitha mjete për lumturi dhe për paqe! Mos i merr prapa bekimet që m’i ke falur! M’i jep fuqi trupit dhe shëndet besimit tim! Derisa jam gjallë, më jep fuqi të të bindem Ty dhe të Dërguarit tënd Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij). Më bëj nga robërit e Tu që dhuntisen me çdo të mirë që vjen prej Teje! Më bëj nga robërit që më së shumti dhuntisen nga të mirat që vijnë prej Teje në natën e Kadrit! Më ndaj një hise çdo vit nga mëshira që u zbret robërve të Tu dhe nga rrobat e shëndetit që u fal atyre! Më bëj nga robërit e Tu, prej të cilëve i ke hequr fatkeqësitë, të cilëve ua ke pranuar veprimet e mira dhe para gabimeve të të cilëve ke mbyllur njërin sy. Më mundëso që sivjet dhe çdo vit ta vizitoj Shtëpinë e Shenjtë dhe më fal begati nga bujaria Jote e pafundme!


Imzot! Largoji prej meje të gjitha të ligat! Më mundëso t’i paguaj borxhet e mia dhe t’i përmbush të drejtat e të tjerëve, që të mos ndjehem i shtypur! Më bëj t’i tejkaloj ato, ma ndriço syrin e m’i fal zemrës lumturi! Ma kthe në rehati e në paqe pikëllimin dhe vuajtjen time! Nënshtroi ata robër të Tu që duan të më bëjnë keq!


Më mbro nga djalli dhe nga e liga e veseve të mia! Më pastro nga të gjithë mëkatet! Më shpëto me mirësinë Tënde nga zjarri i ferrit dhe me mëshirën Tënde ma fal parajsën! Me mirësinë Tënde m’i fal huritë e parajsës! Më ringjall me miqtë e Tu, me Muhammedin dhe me Ehl-i Bejtin e tij të pastër, të lartësuar e të zgjedhur! Mbi trupat e mbi shpirtrat e tyre qoftë paqja dhe mëshira! Zoti im! Betohem në madhështinë dhe në bukurinë Tënde se po të më kërkosh llogari për mëkatet e mia, faljen Tënde do ta përmend. Po të më kërkosh llogari për shkak të koprracisë sime, në bujarinë Tënde do të strehohem. Po të më hedhësh në zjarr, do t’u flas njerëzve të zjarrit se Ty të dua.

Zoti im! Sikur të ishte falja Jote vetëm për të bindurit dhe për evlijatë (miqtë e Zotit), kujt t’i përgjërohen mëkatarët? Nëse u fal të mira vetëm të sinqertëve, tek kush të strehohen njerëzit e ligë? Zoti im! Po të më hedhësh në zjarr, armiku yt (djalli) do të gëzohet. Dhe po të më çosh në parajsë, do të gëzohet Profeti yt. Betohem në Zotin, Ti më shumë e do lumturinë e Profetit tënd sesa lumturinë e armikut. Zoti im! Të kërkoj të ma mbushësh zemrën me dashuri, me frikë prej Teje, me dëshmi të librit Tënd, me besim në të dhe me lumturinë e takimit me Ty. O i Zoti i madhështisë dhe i dhuntive!


Bëje të bukur kthimin tim tek Ti dhe të bukur për Ty arritjen time. Kur të arrij, më fal shpëtim, qetësi e begati! Më bashko me të mirët e të kaluarës dhe më bëj nga të mirët e mbetur pas tyre. Më mundëso të hapëroj rrugës së të mirëve. Më mundëso t’i mund dëshirat e mia, njësoj si i mundën të virtytshmit dëshirat e tyre!


M’i përfundo më së miri punët! Me mëshirën Tënde bëje parajsën një shpërblim të veprave të mia! Më jep fuqi t’i shfrytëzoj gjërat që m’i ke falur ashtu si ke Ti dëshirë! Më fal vendosmëri në besim! Imzot! Mos më ritkhe në fatkeqësinë prej të cilës më shpëtove! O Zot i botëve! O Zoti im! Prej Teje kërkoj vetëm një besim që do të përfundojë me arritjen tek Ti. Më bëj të jetoj me një besim të tillë, ma merr shpirtin me një besim të tillë dhe me këtë bësim më ringjall! Që të jem i virtytshëm në veprime, ruaje zemrën time nga mburrja në fe, nga dyshimi dhe nga dëshira për t’u dukur e për t’u dëgjuar nga të tjerët! Më jep fuqi ta marr vesh fenë e t’i kuptoj urdhrat dhe dituritë e saja! Më jep dy krahë nga mëshira Jote dhe fuqi për të qëndruar larg mëkatit!


Ma ndrit fytyrën me dritën Tënde! Më bëj ta dua atë që e ke pranë vetes e ma merr shpirtin në rrugën Tënde dhe në fenë e Muhammedit! Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi Ehl-i Bejtin e tij! Zoti im! Tek ti strehohem nga përtacia, nga lodhja, nga pikëllimi, nga frika, nga koprracia, nga pakujdesia, nga ngurtësimi i zemrës sime, nga poshtërsimi, nga mjerimi, nga çdo fatkeqësi dhe nga çdo e ligë e hapur a e fshehtë. Tek ti strehohem nga dëshira që nuk kënaqet, nga barku që nuk ngopet, nga zemra që s’turpërohet, nga lutja që s’pranohet dhe nga veprimet që s’kanë dobi. Imzot! Tek ti strehohem nga të ligat e djallit në shpirtin tim, në fenë time, në botën time dhe në të gjitha të mirat që m’i ke falur! Vërtet Ti je dëgjues dhe Ti sheh. Zoti im! Askush s’më shpëton nga dënimi Yt dhe s’gjej dot strehim tjetër veç Teje. Mos më bëj të vuaj dënime! Mos më ço drejt shkatërrimit dhe dënimit Tënd! Zoti im! M’i prano veprat e mira e ma lartëso emrin! Derdhi mëkatet e mia dhe mos më përmend për gabimet që kam! Shpërbleje fjalën dhe lutjen time me kënaqësinë dhe me parajsën Tënde!


M’i fal të gjitha gjërat që t’i kërkova Imzot! Rrite bamirësinë Tënde ndaj meje! Drejt Teje i kthej dëshirat o Zot i botëve! Ti ke urdhëruar në librin Tënd që t’i falim ata që bëjnë padrejtësi. Vërtet ne i bëmë padrejtësi vetes sonë. Andaj na fal o Zot! S’ka dyshim se Ti je më i denjë për të falur se ne. Ti na ke urdhëruar të mos e kthejmë prapa lypësin. Ja ku jam në derën Tënde si lypës. Mos më dëbo! Ti na urdhërove t’u bëjmë mirë atyre që i kemi nën dorë (robërve). Dhe ne jemi robërit e Tu. Andaj na shpëto nga zjarri i ferrit!


O Streha ime në dhimbje! Ti që ma mban dorën në vështirësi! Pranë Teje u strehova dhe prej Teje kërkova ndihmë. Nuk strehohem veçse tek Ti dhe nuk shpresoj shpëtim prej dikujt tjetër. Atëherë më ndihmo dhe m’i largo dhimbjet nga zemra! O çlirues i skllevërve dhe falës i mëkateve! Pranoje bindjen time të paktë dhe m’i fal mëkatet! Ti je i mëshirshëm dhe falës. Zoti im! Me jep një besim të fortë e të përsosur, që kurrë s’do të dalë nga zemra ime. Më jep një bindje të përkryer që do t’më bëjë të kuptoj se asgjë s’ka për të ardhur tek unë përveç asaj që Ti ke dëshiruar. Më bëj të kënaqur me gjërat që m’i ke falur në jetë o më i Mëshirshmi i mëshiruesve!




1: (shënim i përkthyesit) Tihama është rripi bregdetar i Gadishullit Arabik në anën e Detit të Kuq. Ky rrip fillon nga Gjiri i Akabas në pikën më veriore të Detit të Kuq dhe zgjatet deri në ngushticën “Bab el-Mendeb” në pikën më jugore. Tradicionalisht, ky rrip është ndarë në tri regjione: Tihamat el-Hixhaz, Tihamat el-Asir, Tihamat el-Jemen. Ajo që nënkuptohet në këtë lutje është zona Tihamat el-Hixhaz, e cila konsiderohet bashkë me zonën e Hixhazit, ku ndodhen Mekkeja dhe Medineja, gjegjësisht vendlindja e Profetit dhe vendi ku ndodhet varri i tij.

2: (shënim i përkthyesit) Munker dhe Nekir, sipas traditës islame, janë dy ëngjëj që pas vdekjes e marrin në pyetje njeriun e varrosur.



FUND