Morali në traditën e Ehl-i Bejtit
© dielli.net
08.02.2011

SHËNIM


Hadithet në vijim janë përzgjedhur nga vepra “Morali i Ehl-i Bejtit” e autorit Sejjid Mehdi Sadr, botuar në gjuhën turke me titullin “Ehl-i Beyt Ahlak?” në Stamboll. Për përkthimin e haditheve është marrë për bazë botimi i vitit 2009, që është botimi i pestë i veprës. Përveç haditheve, herë pas here do të përcillen edhe shpjegime të shkurta të autorit në lidhje me terme të caktuara të lëmisë së moralit. Pranë secilës thënie është dhënë edhe vepra nga e cila buron thënia në fjalë.


Përkthyesi


Pjesa e parë


pjesa e dytë
pjesa e tretë
(kliko për të hapur)


 


PËRMBAJTJA:
1. Morali i bukur
2. Morali i ligë
3. Thënia e të vërtetës
4. Gënjeshtra
5. Qetësia dhe përmbajtja gjatë zemërimit
6. Zemërimi
7. Modestia
8. Krenaria
9. Të qenit i kënaqur
10. Lakmia
11. Bujaria
12. Të dhënit përparësi të tjerëve para vetes
13. Koprracia 



1. Morali i bukur


1. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Më të mirët nga ju, janë ata me moral të bukur.” (El-Kafi)


2. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Besimin më të përsosur në mesin e besimtarëve, e ka ai që ka moral të bukur.” (El-Kafi)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Pas adhurimeve të detyrueshme, gjëja të cilën besimtari do ta paraqesë para Zotit dhe me të cilën do ta kënaqë Atë, është që të njihet në mesin e njerëzve me moralin e tij të bukur.” (El-Kafi)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Zoti e shpërblen njeriun me moral të bukur, njësoj siç e shpërblen atë që përpiqet ditë e natë në rrugë të Zotit.” (El-Kafi)


5. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë: “Njeriun me moral të bukur e pret ajo që e pret atë që e kalon ditën duke bërë adhurim e duke agjëruar.” (El-Kafi)


6. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Morali i bukur i shkatërron gabimet, njësoj siç e shkrin dielli brymën.” (El-Kafi)


2. Morali i ligë


1. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kini moral të bukur sepse morali i bukur është në Parajsë. Dhe ruajuni nga morali i lig sepse në mënyrë të pashmangshme, morali i lig është në zjarr.” (Ujun-i Ekber-i Riza)


2. Një ditë i Dërguari i Zotit (pqmtmft) tha: “Zoti nuk dëshiron që njeriu me moral të lig të pendohet.” Të pranishmit e pyetën me habi: “Si është e mundur një gjë e tillë o i Dërguar?” Ai u përgjigj: “Kjo ngase po të pendohet për një mëkat, një njeri i tillë kryen një mëkat tjetër ende më të madh.” (El-Kafi)


3. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Morali i lig i prish veprat e njeriut, njësoj siç e prish uthulli mjaltën.” (El-Kafi)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Të trazuar e ka shpirtin njeriu me moral të lig.”


3. Thënia e të vërtetës


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e shihni namazin që falin njerëzit dhe as agjërimin e tyre! Mund të ngjajë që një njeri t’i ketë kthyer në shprehi adhurimet e shumta dhe të ndihet i zbrazur pa i kryer ato. Më mirë shiheni se sa të vërteta janë fjalët e tyre dhe sa e mbajnë besën!” (El-Kafi)


2. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë: “Stolia e fjalës është e vërteta.” (El-Emame ve’t-tebsira)


3. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Kapuni pas të vërtetës sepse ajo ka për t’ju shpëtuar.” (Es-Sadik Kemalud’din)


4. Imam Sadiku (pqmt) ka thënë: “Të pastra i ka veprat njeriu, gjuha e të cilit e thotë të vërtetën.” (El-Kafi)


4. Gënjeshtra


1. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Zoti i Madhëruar ka krijuar një dry për çdo të ligë dhe e ka bërë verën (alkoolin) një çelës për këta dryrë. Por gënjeshtra është më e keqe edhe se vera.” (El-Kafi)


2. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) përcjell se Ali ibn Husejni (pqmt) u thoshte përherë fëmijëve të tij: “Qëndroni larg gënjeshtrës, qoftë ajo e madhe ose e vogël dhe qoftë madje edhe me shaka. Kur një njeri thotë një gënjeshtër të vogël, ai gjen guxim për të thënë edhe një gënjeshtër më të madhe. A nuk e dini se i Dërguari i Zotit ka thënë: Kur robi vazhdon të flasë me sinqeritet, Zoti e shënon atë si një njeri të sinqertë dhe kur ai vazhdon të thotë gënjeshtra, shënohet pranë Zotit si gënjeshtar?” (El-Kafi)


3. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Gënjeshtra është rrënimi i besimit.” (El-Kafi)


4. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Kur njeriu e kthen të gënjyerit në shprehi, kjo gjë i sjell vetëm mjerim.” (El-Khisal)


5. Gjatë haxhxhit të lamtumirës, i Dërguari i Zotit (pqmtmft) tha: “Gjërat që s’i kam thënë unë, shumë shpesh u përhapën si gënjeshtra dhe do të përhapen përherë. Ai që qëllimisht e shpik një fjalë sikur ta kem thënë unë, le ta përgatisë menjëherë vendin e tij në zjarr! Nëse dëgjoni ndonjë fjalë prej meje, krahasojeni atë me Librin e Zotit dhe me Traditën time (Sunnetin). Pranojeni atë që i përshtatet Librit të Zotit dhe hidheni mënjanë atë që bie ndesh me Librin dhe me Traditën time! (El-Kafi)


6. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë: “Mos bëni betime të rreme sepse betimet e rreme i shkretojnë shtëpitë.” (El-Kafi)


7. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Betimi i rremë çon drejt një fundi të mjerë.” (El-Kafi)


8. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë: “Akoma pa e mbaruar para gjykatësit dëshminë e tij një dëshmitar i rremë, vendi i tij në zjarr përgatitet. E njejta vlen edhe për atë që e fsheh dëshminë.” (El-Kafi)


5. Qetësia dhe përmbajtja gjatë zemërimit


1. Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Zoti e do njeriun që është i ndershëm dhe i përmbajtur.” (El-Kafi)


2. Një ditë Imam Aliu (pqmt) pa se një njeri e shau Kanberin (shërbetorin e tij) dhe se Kanberi dëshironte t’i përgjigjej me të njejtat fjalë. Imam Aliu (pqmt) i tha: “Ngadalë o Kanber! Lëre atë që të shan dhe mos ia merr për të madhe! Po ta bësh këtë, do ta kesh kënaqur Zotin Mëshirues dhe do ta kesh zemëruar djallin. Kthehu prapa! Betohem në Atë që e çan farën dhe që i ka krijuar gjallesat, se një rob kurrë s’e gëzon më shumë Zotin sesa kur tregohet i përmbajtur. Dhe kurrë nuk e zemëron më shumë djallin sesa kur s’u përgjigjet ofendimeve. Përgjigja më e mirë që mund t’i jepet një mendjelehti është që të mos i përgjigjesh fare.” (Mexhalisu’s-Shejh el Mufid)


3. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Përfitimi i parë i një njeriu të përmbajtur nga kjo sjellje e tija, është fakti se njerëzit do ta ndihmojnë përballë injorantëve. (Nehxhul Belaga)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Kur dy njerëz zihen, dy ëngjëj zbresin nga qiejt dhe i thonë atij që është injorant: “ti e the filan fjalë dhe i meriton për vete ato të shara që ia the tjetrit”. Pastaj ëngjëjt i drejtohen atij që është i përmbajtur dhe i thonë: “Ti durove dhe nuk u tregove grindavec. Po të vazhdosh kështu, Zoti ka për të të falur.” Nëse njeriu i përmbajtur i përgjigjet injorantit, atëherë ëngjëjt largohen sërish drejt qiejve. (El-Kafi)


5. Imam Musa ibn Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Duro përballë armiqve të të mirës sepse ti nuk mjafton për t’u kundërvënë atyre që i ankohen Zotit për shkakun tënd. Andaj është më mirë që t’i bindesh Zotit tënd. (El-Kafi)


6. Zemërimi


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Zemërimi është çelësi i të gjitha të ligave. (El-Kafi)


2. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Njeriu përherë zemërohet dhe nuk kënaqet kurrë. Kjo vazhdon kështu derisa të hyjë në zjarr.” (El-Kafi)


3. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Ruajuni nga zemërimi sepse zemërimi është një ushtri madhështore në mesin e ushtrive të djallit” (Nehxhul Belaga)


4. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Zemërimi është një lloj çmendurie sepse njeriu gjithnjë pendohet pas tij. Dhe nëse njeriu nuk pendohet pas zemërimit, atëherë e ka të përhershme çmendurinë.” (Nehxhul Belaga)


5. Imam Sadiku (pqmt) përcjell nga babai i tij se një ditë, një beduin erdhi tek i Dërguari i Zotit (pqmtmft) dhe i tha: “Unë jetoj në shkretëtirë. Më thuaj mua ndonjë fjalë të shkurtër e të bukur!” Me ta dëgjuar këtë, i Dërguari i tha: “Mos u zemëro!” Njeriu e përsëriti tri herë kërkesën e tij dhe tri herë e mori përgjigjen e njejtë. Më në fund tha me vete: “S’kam për të kërkuar gjë tjetër. S’ka dyshim se i Dërguari s’më urdhëroi tjetër veçse të mirën.” (El-Kafi)


6. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Zoti i shpalli njërit nga profetët e Tij dhe i tha: O bir i Ademit! Kur të zemërohesh, më kujto Mua që edhe unë të të kujtoj ty kur të zemërohem e mos të të shkatërroj bashkë me ata që kam për t’i shkatërruar. Ji i kënaqur me Mua si ndihmës. Është më mirë të të ndihmoj Unë sesa ti vetë t’i ndihmosh vetes.” (El-Kafi)


7. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Nëse nuk je i përmbajtur, së paku përpiqu të dukesh i tillë! Një njeri që përpiqet t’i ngjajë një populli, më në fund bëhet si ata.” (Nehxhul Belaga)


7. Modestia


1. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Në qiej ka dy ëngëj që merren me punët e njerëzve. Ata e lartësojnë atë që tregohet modest për hir të Zotit dhe e ulin pozitën e atij që krenohet.” (El-Kafi)


2. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “ Më i dashuri për mua në mesin tuaj dhe më i afërti është ai që ka moral të bukur dhe që thellohet në modesti. Dhe ata që janë më larg meje në mesin tuaj, janë ata që mbahen krenarë dhe që e pëlqejnë veten e tyre.” (Kurbu’l-Esnad)


3. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Sa bukur është kur një i pasur tregohet modest përballë të varfërve, duke i patur parasysh bekimet që janë pranë Zotit. Por ende më bukur është kur të varfërit i mbështeten Zotit, nuk ndikohen nga pronat e shumta të pasanikëve dhe nuk ia varin veshin pasurisë. (Nehxhul Belaga)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Modesti është kur je i kënaqur me pozitën që ke kundrejt dikujt, kur e përshëndet personin që e takon, kur largohesh nga diskutimet edhe sikur të kesh të drejtë dhe kur për shkak të drojes nga Zoti, s’të pëlqen kur dikush të lëvdon.” (El-Kafi)


5. Në lidhje me të Dërguarin e Zotit (pqmtmft) përcillet se ishte një njeri tejet modest. Kur hynte në ndonjë një shtëpi, ai menjëherë ulej në cilindo vend të lirë që e kishte më pranë. Në shtëpi, e ndihmonte familjen e tij me punët. Vetë i qepte rrobat e tija dhe vetë i rregullonte këpucët. Vetë i kryente punët që kishte. Gjithnjë rrinte me të varfërit dhe ishte i afërt me ta.
Kur fliste me dikë, kurrë nuk e kthente kokën në ndonjë anë, derisa tjetri të mos e bënte këtë gjë. Kur dikush ia shtrëngonte dorën, ai nuk e hiqte pa e hequr tjetri dorën e tij. Ai nuk ngrihej në këmbë, pa u ngritur njeriu që kishte pranë. Kur takohej me dikë, ai gjithmonë e përshëndeste i pari. Kur takohej me shokët e tij, ua shtrëngonte duart. Kurrë nuk është parë që përpara miqve të tij të rrinte ulur me këmbët e zgjatura. Ai ishte bujar ndaj mysafirëve dhe kurrë s’ia ndërpriste fjalën bashkëbiseduesit. Ai ndante kohë për të gjithë miqtë e tij dhe gjithnjë ishte i buzëqeshur. Nuk kishte një njeri më të buzëqeshur se ai... (Sefinet’ul-Bihar)


6. Ebu Zerr Giffariu përcjell: “I Dërguari i Zotit ulej në mesin e ndjekësve të tij si të ishte një njeri dosido. Kur vinte ndonjë i huaj, nuk e gjente dot atë pa pyetur se cili ishte i Dërguari i Zotit. Për këtë arsye, ne deshëm të ndërtonim një vend ku të ulej ai dhe ku do të mund ta njihnin njerëzit që do të vinin. Prandaj e bëmë për të një ulëse pak më të lartë. Ai ulej aty dhe ne uleshim pranë tij.


8. Krenaria


1. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Një ditë i Dërguari i Zotit (pqmtmft) kaloi pranë një turme njerëzish dhe i pyeti përse ishin mbledhur. Ata i thanë se ishin duke e vështruar një të çmendur. I Dërguari u tha: “Ky s’është i çmendur. Vetëm i sëmurë mund të jetë. A doni t’ju tregoj kush është i çmenduri i vërtetë?” Po, i thanë njerëzit. Ai tha: “Është ai që ec duke u mburrur, që i vështron njerëzit me bisht të syrit dhe që e dëshiron parajsën ndonse rebelohet kundër Zotit. I çmendur është njeriu prej të cilit s’pritet gjë e mirë dhe nga e liga e të cilit nuk janë të mbrojtur të tjerët. Ky, pra, është i çmenduri i vërtetë...” (El-Vafi)


2. Në një fjalim të tij, Imam Aliu thotë: “Merrni mësim nga ajo që Zoti ia bëri Iblisit dhe si i bëri të kota të gjitha veprat e tija dhe përpjekjet e mëdha! Iblisi e kishte adhuruar Zotin për gjashtë mijë vite me rradhë. Kushedi a ishin këto vite të tokës a të amshimit! Por nga krenaria e një çasti i shkuan dëm të gjithë adhurimet. Atëherë kush mund të veprojë si ai dhe pastaj të jetë i mbrojtur nga dënimi i Zotit? Askush! Zoti nuk e fut në parajsë një njeri që e kryen veprimin për shkak të të cilit një ëngjëll është përjashtuar nga parajsa. Njësoj siç strehoheni tek Zoti nga të ligat e kohës, strehohuni tek Ai edhe nga veprimet që çojnë drejt krenarisë. Po t’i lejonte Zoti dikujt të ishte krenar, pa dyshim do t’ua lejonte këtë gjë profetëve të tij. Por Zoti nuk e ka parë të denjë krenarinë për ta dhe është kënaqur kur kanë qenë modestë.” (Nehxhul Belaga)


3. Imam Xhaferi (pqmt) përcjell nga babai i tij dhe ai vetë nga babai i tij se një ditë, Selman Farisiu pati një zënkë me një njeri. Gjatë zënkës, njeriu i tha Selmanit: “Dhe kush je ti pra?” Selmani iu përgjigj: “E kaluara ime dhe e jotja është një lëng i ndotur. Fundi im dhe fundi yt është një gropë. Kur të ngritet peshorja në ditën e gjykimit, i lartësuar është ai veprat e të cilit peshojnë më shumë dhe i ulët ai veprat e të cilit të lehta do të jenë.” (Bihar’ul-Enver)


9. Të qenit i kënaqur


1. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Kushdo që është i kënaqur me begatinë që ia ka dhënë Zoti, është më i pasuri i njerëzve.” (Bihar’ul-Enver)


2. Një njeri erdhi tek Imam Xhaferi (pqmt) dhe i tha: “Kur dëshiroj diçka, menjëherë e siguroj atë. Por kurrë nuk jam i kënaqur. Sa më tepër që kam, aq më tepër kërkon shpirti im.” Imam Xhaferi iu përgjigj: “Nëse gjëja që të mjafton, e përmbush nevojën tënde, atëherë edhe një sasi e paktë e saj do të mjaftonte për këtë. Dhe nëse kjo gjë nuk të shpëton nga nevoja, atëherë as shumëfishi i saj s’ka për të të shpëtuar.” (El-Vafi)


3. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Mos lejo që sytë e tu ta vështrojnë me lakmi dikë që është sipër teje. Në lidhje me këtë, të mjaftojnë urdhrat që Zoti ia drejtoi të Dërguarit të tij: Mos iu lakmo pasurive dhe fëmijëve të tyre! (Kur’an 9:55) Mos i lakmo gjërat që ua kemi falur disave prej tyre! (Kur’an 15:88) Nëse ndonjëherë të ngjallet një lakmi e tillë përbrenda, kujtoje jetën e të Dërguarit të Zotit. Ushqimi i tij ishte elbi, ëmbëlsira e tij ishin hurmat kurse për të djegur zjarr, përdorte gjethe hurmash, po t’i gjente.” (El-Vafi)


10. Lakmia


1. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ai që me lakmi ngjitet pas kësaj bote, është si një krimb mëndafshi. Sa më tepër që e thurr pupën rreth vetes, aq më ngushtë zihet krimbi brenda saj, derisa më në fund vdes.”(El-Vafi)


2. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Në qiell, atje ku ka zbritur Shpallja, është shkruar: Po të kishte biri i Ademit dy lugina ku rrjedh ar e argjend, ai do të kërkonte një luginë të tretë. O bir i Ademit! Vërtet barku yt është një det prej detërave e një luginë prej luginash. Asgjë tjetër s’e mbush barkun tënd përveç dheut.” (El-Vafi)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “As ujqërit që e sulmojnë nga të dyja anët një kope pa bari, nuk janë më të dëmshëm se dashuria për pasurinë. Nderi i muslimanit është besimi i tij.” (Mirat’ul-Ukul)


4. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Dije se nuk mund t’i plotësosh dëshirat e tua dhe nuk mund ta tejkalosh jetëgjatësinë që të është caktuar. Ti je në rrugën e atyre që erdhën para teje. Andaj bëhu modest në kërkesa dhe mesatar në shpenzime sepse shumë shpesh kërkesa e tepërt çon në mohim. Çdo kërkues nuk e merr atë që kërkon dhe çdo njeriu modest s’i mohohet begatia.” (Nehxhul Belaga)


5. Imam Hasani (pqmt) ka thënë: “Tri gjëra e shkatërrojnë njeriun: krenaria, lakmia dhe xhelozia.
Krenaria është shkatërrim edhe për besimin. Pikërisht për shkak të krenarisë është mallkuar Iblisi.
Lakmia është armiku i shpirtit. Ademi u hodh nga Parajsa për shkak të lakmisë së tij.
Kurse xhelozia çon drejt të ligave. Xhelozia ishte shkaku që Kabili e vrau Habilin. (Keshf’ul-Gumme)


11. Bujaria


1. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: “Një i ri mëkatar por bujar është më i mirë se një plak që bën adhurim por që është koprrac.” (El-Vafi)


2. Imam Xhaferi (pqmt) përcjell se një njeri e pyeti të Dërguarin e Zotit (pqmtmft) se cili njeri e kishte më të përsosur besimin. I Dërguari (pqmtmft) iu përgjigj: “Ai që është më bujar.” (El-Vafi)


3. Imam Xhaferi (pqmt) e përcjell nga i Dërguari thënien në vijim: “Njeriu bujar është afër Zotit, afër njerëzve dhe afër parajsës. Kurse koprraci është larg Zoti, larg nga njerëzit dhe afër zjarrit.” (Bihar’ul-Enver)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Shpenzo për të mirë në rrugën e Zotit dhe ji i bindur se Zoti ka për të të dhënë diçka në vend të asaj që ke dhënë. Nga robërit e Zotit që nuk shpenzojnë në rrugë të Tij, nuk ka asnjë që më pas nuk shpenzon shumë më tepër në gjëra që do ta zemëronin Zotin. (El-Vafi)


5. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “S’më ka besuar mua ai që fle i ngopur teksa fqiun e ka të uritur. Nëse banorët e një vendi flenë të qetë teksa ka të uritur në mesin e tyre, Zoti nuk ka për t’i parë me sy në Ditën e Gjykimit.”(El-Vafi)


6. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë: “Një njeri që i kryen detyrimet e caktuara nga Zoti, është më bujari i njerëzve.” (El-Vafi)


7. Imam Musa (pqmt) ka thënë: “Familjarët e një njeriu janë robërit e tij. Kujtdo që Zoti i ka falur ndonjë begati, le t’u falë robërve të tij prej saj. Po s’e bëri këtë, shumë shpejt ka për ta humbur begatinë. (El-Vafi)


12. Të dhënit përparësi të tjerëve para vetes


1. I pyetur se cila lëmoshë është më e mira, Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) u përgjigj: “Është lëmosha e një njeriu që ka pak por që prapëseprapë jep lëmoshë. A s’e dini fjalën e Zotit që thotë: Ata u japin përparësi atyre, ndonse edhe vetë janë nevojtarë (59:9)?”


2. Imam Bakiri (pqmt) ka thënë: “Që nga dita kur u zgjodh si profet i Zotit dhe deri në ditën kur vdiq, i Dërguar kurrë nuk hëngri bukë gruri tri ditë rradhazi.” (Sefinet’ul-Bihar)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: “Në mesin e njerëzve, askush nuk i ngjante të Dërguarit aq sa Aliu. Vetë hante bukë e gjalpë ndërkohë që të tjerët i ushqente me bukë e me mish.” (Bihar’ul-Enver)


13. Koprracia


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Një ditë, Prijësi i Besimtarëve (Aliu) e dëgjoi një njeri të thoshte se mizoria është më e keqe se koprracia. Me ta dëgjuar këtë, Prijësi i Besimtarëve tha: Po gënjen! Njeriu mizor mund të pendohet e të kërkojë falje nga Zoti, duke e larguar kështu nga vetja e nga familja e tij errësirën e mizorisë. Por kur një njeri bëhet koprrac, ai s’e paguan zeqatin dhe nuk jep lëmoshë. Ai i ndërpret marrëdhëniet me farefisin dhe nuk i gostis mysafirët. Një njeri i tillë nuk shpenzon në rrugë të Zotit dhe kështu i mbyll dyert e të mirës. Është e ndaluar që një koprrac të hyjë në parajsë.” (El-Vafi)


2. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Njeriu bujar është afër Zotit, afër njerëzve dhe afër parajsës. Kurse koprraci është larg Zotit, larg nga njerëzit dhe afër zjarrit.” (Bihar’ul-Enver)


3. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Habitem me njeriun koprrac. Ai bën ç’mos për ta arritur varfërinë, prej të cilës dëshiron të shpëtojë. Me këtë, ai e humb pasurinë që e dëshiron dhe më në fund, jeton si mjeran në këtë botë por jep llogari si pasanik në botën tjetër.” (Nehxhul-Belaga)


4. Në një letër të tij, Imam Aliu (pqmt) shkruan): “Pasuritë e kësaj bote që i ke në duar, i takonin dikujt tjetër më parë dhe pas teje, kanë për t’i takuar një tjetër njeriu. E gjithë ajo pasuri që ti fiton e mbledh, në të vërtetë është për dy vetë: fillimisht për njeriun, i cili me pasurinë tënde do t’i bindet Zotit dhe do të gjej lumturi nëpërmjet asaj që ty të çon drejt dëshpërimit dhe së dyti, për njeriun që me pasurinë tënde do të rebelohet kundër Zotit dhe do të përfundojë në dëshpërim falë pasurisë që ti i fal. Asnjëri nga këta s’meriton që t’i japësh përparësi para shpirtit tënd dhe ta bësh ngarkesë për veten...(Nehxhul-Belaga)


5. Kur e pyetën në lidhje me kuptimin e vargut “Dhe kështu Zoti ka për t’ua shfaqur veprat e tyre si një dëshpërim...(Kur’an 2:167)”, Imam Xhaferi (pqmt) tha: “Këtu flitet për një njeri që mbledh pasuri dhe që për shkak të koprracisë, nuk e shpenzon atë në rrugë të Zotit. Ai më në fund vdes dhe pasuria e tij ose i mbetet një njeriu që do t’i bindet Zotit ose një tjetri që do të rebelohet kundër tij. Nëse trashëguesi i tij i bindet Zotit, njeriu ka për ta parë pasurinë e vete në peshoren e tjetërkujt në Ditën e Gjykimit dhe ka për t’u pikëlluar për këtë gjë. Dhe nëse trashëguesi i tij rebelohet kundër Zotit, njeriu, nëpërmjet pasurisë që ia lë trashëgim, edhe vetë do të jetë një përkrahës e bashkëpunëtor i tij në këtë rebelim.” (El-Vafi)


6. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: “Bota është mjerim, është lodhje, është ndryshim dhe është mësim.
Bota është mjerim... Njeriu sheh se koha e ka tendosur litarin e harkut dhe i ka kthyer drejt cakut shigjetat e saja. Dhe shigjetat e kohës kurrë nuk shkojnë huq e plagët që lënë, kurrë nuk shërohen. Ato e lëndojnë të shëndetshmin e të gjallit i sjellin vdekje.
Bota është lodhje...Njeriu e mbledh pasurinë që s’e harxhon dot në këtë botë dhe ngre shtëpi ku s’ka për të banuar. Dhe më në fund, del në prani të Zotit pa pasuri të ngarkuar mbi shpinë dhe pa shtëpi ku të banojë.
Bota është ndryshim... Do të shohësh se ndonjëherë mëshirohet ai që lakmohet nga të tjerët dhe ndonjëherë lakmohet nga të tjerët i mëshiruari. Por në të vërtetë, dallimi ndërmjet tyre s’është veçse një begati që shkon e vjen dhe një mjerim kalimtar.
Bota është një mësim... Shi në çastin kur do ta arrijë dëshirën e tij njeriu, vdekja vjen dhe e merr atë. Dhe në fund s’mbetet ndonjë dëshirë që arrihet dhe as ndonjë që mbetet pas...” (Sefinet’ul-Bihar)




SHËNIM


Hadithet në vijim janë përzgjedhur nga vepra “Morali i Ehl-i Bejtit” e autorit Sejjid Mehdi Sadr, botuar në gjuhën turke me titullin “Ehl-i Beyt Ahlaki” në Stamboll. Për përkthimin e haditheve është marrë për bazë botimi i vitit 2009, që është botimi i pestë i veprës. Përveç haditheve, herë pas here do të përcillen edhe shpjegime të shkurta të autorit në lidhje me terme të caktuara të lëmisë së moralit. Pranë secilës thënie është dhënë edhe vepra nga e cila buron thënia në fjalë.


Përkthyesi 


pjesa e parë
pjesa e tretë
(kliko për të hapur)


Pjesa e dytë


 


PËRMBAJTJA:
14. Amaneti dhe tradhëtia
15. Vëllazëria
16. Krenaria racore dhe fisnore (asabija)
17. Drejtësia
18. Padrejtësia (zullumi) dhe tirania
19. Sinqeriteti dhe pastërtia e qëllimit (ikhlas)
20. Kryerja e një veprimi për të rënë në sy (rijà)
21. Vetëpëlqimi  


 


14. Amaneti dhe tradhëtia


Zoti ju urdhëron t’ua dorëzoni amanetet atyre që u takojnë e të gjykoni me drejtësi mes njerëzve. Sa bukur që ju këshillon Ai! (Kur’an 4:58)


O ju që besuat! Mos e tradhëtoni Zotin dhe të Dërguarin e tij, sepse nuk do ta keni çuar në vend amanetin që keni marrë përsipër...(Kur’an 8:27)


  1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Mos u mashtroni nga namazi e nga agjërimi i njerëzve sepse ata mund ta kenë kthyer namazin e agjërimin në një shprehi. Nëse e lënë atë, fillojnë të ndjejnë një zbrazëtirë në jetët e tyre. Andaj, sprovojini ata duke parë sa të vërteta janë fjalët e tyre dhe sa e çojnë në vend amanetin që marrin përsipër! (El-Vafi, vëll.3, fq.82)


2. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Nuk është nga ne ai që nuk e çon në vend amanetin. Dhe gjithashtu ka thënë: Çuarja në vend e amanetit tërheq begati, ndërsa tradhëtia sjell vetëm mjerim. (El-Vafi, vëll.10, fq.112)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Kinie frikë Zotin dhe dorëzojuani amanetin atyre, tek të cilët keni besim! Edhe sikur t’i besoja vrasësit të Ali ibn Ebu Talibit në lidhje me ndonjë amanet, do t’ia dorëzojë atë atij. (El-Vafi, vëll.10, fq.112)


4. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Derisa ndjekësit e mi nuk e tradhëtojnë njëri-tjetrin, derisa e çojnë në vend amanetin dhe e japin zeqatin, ky ummet do të vazhdojë në mirëqenie. Por kur të mos respektohen këto gjëra, do të sprovohet me thatësirë e mjerim.


 


15. Vëllazëria


O njerëz! Ne ju krijuam nga një burrë e një grua dhe ju ndamë në popuj e fise që të njiheshit mes veti. Më i lartësuari në sytë e Zotit nga ju, është ai që ruhet më shumë...(Kur’an 49:13)


Dhe vërtet besimtarët janë vëllezër të njëri-tjetrit. Bëni paqe në mesin e vëllezërve tuaj dhe kinie droje Zotin që të mëshiroheni! (Kur’an 49:10)


Dhe lidhuni gjithë së bashku për litarin e Zotin e mos u ndani! Kujtojeni mirësinë e Zotit ndaj juve, kur ju ishit armiq të njëri-tjetrit e ai i bashkoi zemrat tuaja. Dhe me bekimin e Tij u bëtë vëllezër...(Kur’an 4:103)


  1. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Dashuria e një besimtari për një besimtar tjetër është nga pjesët më të mëdha të besimit. Dijeni se është nga miqtë e zgjedhur të Zotit ai që do për hir të Zotit, që zemërohet për hir të Zotit, që jep për hir të Zotit e që, kur nuk jep, nuk jep ngase kështu do Zoti. (El-Vafi, vëll.3, fq.89)


2. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ata që e duan njëri tjetrin për hir të Zotit, në Ditën e Gjykimit rrijnë ulur mbi minberë prej drite. Një dritë në fytyrë, një dritë në trup e një dritë në minberin e tyre ndriçon gjithçka e ata njihen me këtë dritë. Dhe thuhet: "Këta janë ata që e deshën njëri-tjetrin për hir të Zotit.” (El-Vafi, po aty)


3. Imam Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur Zoti t′i mbledhë të gjithë njerëzit, një thirrës do të ngrihet e do të thërrasë: "Ku janë ata që e deshën njëri-tjetrin për hir të Zotit?" Pas kësaj, një grup njerëzish do të ngrihen në këmbë dhe atyre do t′u thuhet: "Hyni menjëherë në parajsë, pa u pyetur e pa dhënë llogari!”


Duke shkuar, ata do të takohen me ëngjëjt, të cilët do të pyesin: “Ku jeni duke shkuar?”


“Shkojmë në parajsë, pa u pyetur e pa dhënë llogari.”, do të përgjigjen ata.


“Kush jeni ju?”, do të pyesin ëngjëjt. “Çfarë njerëzish jeni?”


“Ne  jemi ata që e deshën njëri-tjetrin për hir të Zotit”, do të përgjigjen ata, ndërsa ëngjëjt do të pyesin sërish: “Çfarë vepra keni kryer?”


Ata do të thonë: “Ne deshëm për hir të Zotit dhe urryem për hir të Zotit.”


Atëherë ëngjëjt do të thonë: “Sa shpërblim i bukur që është ky, për ata që kanë vepruar mirë!” (El-Vafi, vëll.3, fq.90)


 4. Xhabir el-Xhufiu përcjell se Imam Xhaferi ka thënë: Nëse do të shohësh në ka ndonjë të mirë në ty, atëherë vështro brenda zemrës tënde! Nëse zemra jote i do ata që i binden Zotit dhe zemërohet me ata që rebelohen kundër Tij, atëherë ka ndonjë të mirë në ty dhe Zoti të do. Por nëse zemra jote zemërohet me ata që i binden Zotit, ndërkohë që ushqen dashuri për ata që rebelohen kundër Tij, nuk ka asgjë të mirë tek ti dhe as Zoti nuk të do. Dije se njeriu është bashkë me atë që do. (El-Vafi, vëll.3, fq.90)


5. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Ai që nuk shfaq interes për problemet e muslimanëve, nuk është prej tyre.  (El-Vafi, vëll.3, fq.99)


6. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë sërish: Besimtar është ai, prej të cilit janë të sigurt pronat dhe gjaku i popullit. Musliman është ai, prej dorës e prej gjuhës së të cilit janë në paqe muslimanët e tjerë. Ndërsa muhaxhir është ai që shpërngulet për t’u larguar nga të ligat. (El-Vafi, vëll.14, fq.48)


 16. Krenaria racore dhe fisnore (arab. asabije)


 1. Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kushdo që në zemër ruan krenari fisnore sa një grimcë, në ditën e gjykimit do të ringjallet nga Zoti bashkë me arabët e kohës së Injorancës. (El-Vafi, vëll.3, fq.149)


2. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kushdo që bën ndarje (në bazë race e fisi), do të mbështillet nga Zoti me një mbulesë prej zjarri. (El-Vafi, po aty)


3. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Nëpërmjet Islamit, Zoti i Madhëruar e ka shkatërruar krenarinë e kohës së Injorancës dhe mburrjen me paraardhësit. Dijeni se të gjithë njerëzit janë bij të Ademit, ndërsa vetë Ademi ishte nga dheu. Më të lartësuarit në sytë e Zotit janë ata që druhen më së shumti. (El-Vafi, vëll.14, fq.48)


4. Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) përcjell si vijon:


Një ditë, disa nga shokët e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ishin ulur në një vend dhe rrëfenin për paraardhësit e tyre e mburreshin me stërgjyshërit para njëri-tjetrit. Edhe Selman Farisiu (Persiani) ishte me ta. Umari e pyeti: Prej cilit soji vjen ti o Selman? Nga e ke trungun? Selmani u përgjigj: Unë jam Selmani dhe jam djali i një robi të Zotit. Më parë isha i humbur e Zoti më udhëzoi në rrugë të drejtë nëpërmjet Muhammedit. Më parë isha i varfër e Zoti më pasuroi nëpërmjet Muhammedit. Më parë isha rob e Zoti më çliroi nëpërmjet Muhammedit. Ky është soji e trungu im o Umar!


Pas kësaj, i Dërguari i Zotit erdhi pranë tyre. Selmani ia  përcolli atij fjalët e Umarit dhe përgjigjen e vetë atij. I Dërguari tha: O Kurejsh! Dijeni se soji i njeriut është feja e tij, personaliteti i tij është morali dhe thelbi i tij është mendja. Zoti i Madhëruar ka thënë: “O njerëz! Ne ju krijuam nga një burrë e një grua dhe ju ndamë në popuj e fise që të njiheshit mes veti. Më i lartësuari në sytë e Zotit nga ju, është ai që ruhet më shumë...”


Më pas, iu kthye Selmanit dhe i tha: Asnjëri prej këtyre s’mund të jetë më i lartësuar se ti, përveç në drojen para Zotit. Nëse ti ke më shumë droje para Zotit se dikush, atëherë ti je më i lartësuar se ai. (Bihar’ul-Enver, vëll.2, fq.95)


 5. Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) përcjell nga paraardhësit e tij se një ditë ndodhi një mosmarrëveshje mes Selman Farisiut dhe një burri tjetër. Njeriu i tha Selmanit: E kush je ti o Selman? Ai iu përgjigj: E kaluara e ime dhe e jotja është një pikë uji i ndotur. Fundi im e i yti s’është tjetër veçse një varr, ku do të lihemi për t’u kalbur. Kur të vijë dita e ringjalljes e të vendoset peshorja, kushdo që e ka të lehtë barrën, i lartësuar do të jetë. Dhe kushdo që ta ketë të rëndë, i poshtërsuar do të jetë. (Sefinetu’l-Bihar, vëll.2, fq.348)


6. Imam Zejn’ul-Abidini (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Krenaria fisnore që e çon njeriun në mëkat është kur ai i vlerëson të ligët e fisit të tij më shumë se të mirët e një fisi tjetër. Dashuria e njeriut ndaj fisit nuk është krenari fisnore (arab. asabije). Krenari fisnore është kur ai e përkrah fisin e tij në padrejtësi. (El-Vafi, vëll.3, fq.149)


  


17. Drejtësia


Zoti urdhëron drejtësinë dhe mirësinë. (Kur’an 16:90)


Zoti ju urdhëron t’ua dorëzoni amanetet atyre që ju takojë e të gjykoni me drejtësi mes njerëzve. Sa bukur që ju këshillon Ai! (Kur’an 4:58)


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Drejtësia është më e ëmbël se mjalta, më e butë se kajmaku e më erëmirë se parfumi. (El-Vafi, vëll.3, fq.89)


2. Një njeri shkoi tek Imam Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi të) dhe i tha: Më thuaj një fjali që i përfshin të gjithë ligjet e fesë! Imami iu përgjigj: Fjala pa gënjeshtra, gjykimi i drejtë dhe mbajtja e fjalës. (Bihar’ul-Enver, vëll.16, fq.125)


3. Në lidhje me sistemin dhe metodën e drejtësisë, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ia shkruan këto fjalë djalit të tij: Biri im! Bëje veten një peshore ndërmjet teje dhe të tjerëve! Atë që e dëshiron për vete, dëshiroje edhe për tjetrin. Atë që s’e do për vete, mos e dëshiro as për tjetrin! Njësoj si s’ke dëshirë të të bëjnë padrejtësi, edhe ti mos u bëj padrejtësi njerëzve! Siç dëshiron të të bëjnë mirë, bëj mirë edhe ti! Fjalët e sjelljet e pahijshme të tjetrit konsideroi të pahijshme edhe për veten tënde dhe qëndro larg tyre! Nëse gjen guxim t’u bësh atyre ndonjë gjë, atëherë do të duhet të pranosh kur ata të ta bëjnë të njejtën. Edhe nëse janë të pakta gjërat që di, mos fol për atë për të cilën s’ke dituri! Mos ia thuaj tjetrit atë që s’dëshiron të ta thonë të tjerët! (Nehxhu’l-Belaga)


4. Në ditët kur i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ishte i sëmurë, Suvade ibn Kajsi i tha: O i Dërguar! Unë të prita kur u ktheve nga Taifi dhe ti ishe mbi devenë veshprerë. Duke dashur ta ngisje devenë, dega e hollë në dorën tënde e goditi barkun tim. Me ta dëgjuar këtë, i Dërguari i kërkoi që ta kryente shpagimin e nevojshëm dhe e hapi barkun e vet (që edhe Suvade ta godiste atë në bark). Suvade e pyeti: A mund t’i vendos buzët mbi barkun tënd? I Dërguari i lejoi. Pas kësaj, Suvadeja tha: Kërkoj strehë nga zjarri i ferrit me këtë vend shpagimi të trupit të të Dërguarit! Por i Dërguari e pyeti prapë: O Suvade! A më fal a dëshiron shpagim? Suvade i tha: Të fal o i Dërguar i Zotit. Pas kësaj, i Dërguari tha: Zoti im! Njësoj siç e ke falur të Dërguarin Tënd Muhammedin, fale edhe Suvade bin Kajsin. (Sefinetu’l-Bihar, vëll.1, fq.671)


5. Ebu Said el-Khudri përcjell se një ditë, një beduin erdhi pranë të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe ia kërkoi borxhin që ia kishte dhënë. Aq shumë i bëri shtypje të Dërguarit, sa i tha: Derisa të ma paguash borxhin, s’të lë të qetë. Pas këtyre fjalëve, disa e qortuan beduinin, duke i përkujtuar se me kë ishte duke folur. Por njeriu tha: Unë e kërkoj të drejtën time. Pas kësaj, i Dërguari u tha shokëve të vet: A nuk jeni ju në anën e atij që e kërkon të drejtën e tij? Më pas, dërgoi lajmëtar tek Havle bint Kajsi, duke i thënë: Nëse ke hurma pranë vetes, paguaje borxhin tonë. Ne do ta kthejmë të njejtën, sapo të vijnë hurmat tona. Havleja e bëri këtë menjëherë dhe i Dërguari i mori prej tij hurmat dhe ia dha beduinit. Mbasi hëngri nga hurmat, beduini i tha: Ti e mbajte fjalën e dhënë. Ta dhashtë Zoti pozitën që ta ka premtuar! I Dërguari pastaj tha: Këta janë më të mirët e njerëzve. S’ka dyshim se një popull nuk pastrohet e nuk lartësohet derisa të dobëtit në mesin e tyre nuk e marrin të drejtën që kanë, pa u dridhur (nga droja) e pa u trembur.


6. Në veprën “Es-Savaik el-muhrika”, Ibn Haxher Hejthemiu përcjell nga Ibn Asakiri se Akili (vëllai i madh i Aliu) kërkoi pasuri nga Aliu (në kohën kur Aliu ishte Kalif), duke i thënë se ishte i varfër dhe nevojtar. Aliu iu përgjigj: Bëj durim! Nëse vjen diçka nga prona e muslimanëve, që të takon ty, unë kam për të ta dhënë. Por Akili këmbëngulte dhe kërkonte pa ndalur. Pas kësaj, Aliu i urdhëroi një njeriu që ta merrte për dore Akilin (i cili ishte i verbër), ta çonte në treg dhe t’i kërkonte që t’i hapte dryrët e dyqaneve e të merrte prej aty gjithë ç’të dëshironte. Akili u revoltua dhe e pyeti: Mos dëshiron vallë të më bësh vjedhës? Aliu iu përgjigj: Por ti dëshiron të më bësh vjedhës mua. Më thua që të të jap nga pasuria e muslimanëve, fshehurazi dhe pa kuptuar ata. Pas këtyre fjalëve, Akili i tha se do të shkonte pranë Muavijes. “Si të duash”, ia ktheu Aliu.


Akili shkoi pranë Muavijes dhe kërkoi pasuri prej tij. Ai i dha njëqind mijë dirhemë dhe i tha: Ngjitu në foltore dhe trego si u soll me ty Aliu e si u solla unë!” Akili pranoi dhe u ngjit në foltore. Fillimisht e lëvdoi Zotin dhe i numëroi begatitë e Tija e më pas tha: O njerëz! Ja ku ju lajmëroj: unë i kërkova Aliut të më jepte pasuri e ta shiste fenë e tij. Por ai e zgjodhi fenë. Pastaj erdha dhe të njejtën ia kërkova Muavijes dhe ky më preferoi mua më shumë se fenë e tij. (Fedailu’l-Hamse ani’s Sihahi’s-Sitte, vëll.3, fq.15)


7. Një grup nga shokët e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), në një kohë kur shumë njerëz largoheshin prej tij dhe kalonin në anën e Muavijes, iu qasën dhe i thanë: O Prijës i Besimtarëve! Shpërndaji këto pasuri dhe favorizoji prijësit e arabëve e të Kurejshit mbi robërit e liruar dhe mbi axhemët (jo-arabët). Kur të kesh frikë se ndokush mund të kalojë në anën e Muavijes, mbaje atë pranë teje nëpërmjet pasurisë! Prijës i Besimtarëve u përgjigj: A më kërkoni të korr fitore nëpërmjet dhuratave? Jo! Për Zotin s’kam për ta bërë këtë! Për sa kohë që të lindë dielli e të shkëlqejnë yjet, nuk kthehem nga vendimi im. Për Zotin, sikur kjo pasuri e muslimanëve të kishte qenë pasuria ime, unë sërish do ta shpërndaja në mesin e tyre. Si mund ta bëj të kundërtën, kur kjo pasuri u takon vetë muslimanëve? (Bihar’ul-Enver, vëll.9, fq.533)


  


18. Padrejtësia (zullumi) dhe tirania


 1.Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: Edhe sikur të më jepej e gjithë toka dhe qielli, që të rebelohesha kundër Zotit sa një milingonë, nuk do ta bëja këtë. Në sytë e mi, bota juaj ka më pak vlerë se gjethi në gojën e një karkaleci. Aliu nuk mund të ketë një begati që harxhohet ose një shijim që s’është i përjetshëm. (Nehxh’ul-Belaga)


2. Ebu Busajri përcjell se dy burra erdhën pranë Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të) pas një zënkë në mesin e tyre dhe ia treguan ndodhinë Imamit. Pasi i dëgjoi, Imami u tha: Ai që është i suksesshëm në të mira, është më i mirë se ai që ka sukses në padrejtësi. Ajo që viktima merr nga feja e zullumqarit, është shumë më tepër nga ç’mund të marrë zullumqari nga pasuria e viktimës. Ai që u bën të liga njerëzve, kurrë s’e mohon të ligën e njejtë, kur t’i bëhet vetë atij. Dhe s’ka dyshim se bijtë e Ademit e korrin atë që mbjellin. Kurrë s’ka ndodhur që të korrë ëmbël ai që mbjell të hidhurën ose të korrë hidhur ai që mbjell të ëmblën. Pasi i dëgjuan këto fjalë, të dy burrat u pajtuan me njëri-tjetrin dhe pastaj u larguan. (El-Vafi, vëll.3, fq.162)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë gjithashtu: Ai që e merr padrejtësisht mallin e të vëllait dhe nuk ia kthen atë, do të hajë një kupë zjarr në Ditën e Gjykimit. (po aty)


4. Sërish nga Imam Xhaferi përcillet thënia në vijim: Kur dikush bën zullum, Zoti i Madhëruar i dërgon një zullumqar akoma më të madh atij, fëmijëve të tij ose nipërve të tij. (po aty)


5. Imam Xhaferi përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Zoti i fal mëkatet e personit që nuk ua var veshin padrejtësive që i bëhen atij vetë. (po aty)


6. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) thotë: Para se të vdiste, (babai im) Ali ibn Husejni më shtrëngoi për gjoksi dhe më tha: “Biri im! Edhe unë po të porosis për atë që më ka porositur babai im. Edhe atë e ka porositur babai i tij...Biri im! Kurrë mos i bëj padrejtësi atij, që përballë teje s’ka ndihmues tjetër veç Zotit!” (po aty)


7. Imam Xhaferi thotë: Një profeti që e kishte dërguar në shtetin e një sunduesi tiran, Zoti i frymëzoi kështu: “Shko tek tirani dhe përcillja prej Meje këto fjalë: Unë s’ta kam dhënë detyrën që ta derdhësh gjakun e t’i plaçkisësh pronat e popullit. Unë s’ta kam dhënë pushtetin që të mos lejosh që zëri i të shkelurve të arrijë tek Unë. Edhe sikur qofshin mohues e jobesimtarë, Unë nuk do t’i lë njerëzit në një gjendje të tillë. (po aty)


8. Imam Xhaferi përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Në ditën e gjykimit, zjarri do të flasë me tre persona: me sunduesin, me asketin (zahid) dhe me pasanikun.


Sunduesit do t’i thotë: “O njeri, të cilit Zoti i dha pushtet e ai s’u soll me drejtësi!” Pastaj do ta gëlltisë atë si një kokër susami.


Pastaj do t’i thotë asketit (zahidit): “O ti që dukeshe i mirë para njerëzve por e kundërshtoje Zotin duke mëkatuar!” Pastaj do ta gëlltisë edhe atë.


Në fund do t’i flasë pasanikut: “O njeri, të cilit Zoti i dhuroi pasuri e të bollshme në botë dhe i cili, vetëm nga koprracia, e dëboi të varfërin që i kërkonte borxh!” Pas këtyre fjalëve, zjarri e gëlltit edhe atë. (Biharu’l-Enver, vëll.16, fq.209)


9. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë:  Ai që sundon me padrejtësi, ai që e ndihmon të parin dhe ai që pajtohet me këtë janë bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit.


  


19. Sinqeriteti dhe pastërtia e qëllimit (Ikhlas)


 1. Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Sinqeriteti (ikhlas) është më i miri i adhurimeve. (Biharu’l-Enver, vëll.15, fq.87)


2. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të), nëpërmjet paraardhësve të vet, përcjell se Prijësi i Besimtarëve Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: E gjithë bota është padituri, përveç vendeve ku fshihet dija. E gjithë dituria është injorancë, përveç asaj me të cilën veprohet. Çdo vepër është mburrje, përveç asaj që bëhet me sinqeritet (ikhlas). Por edhe për sinqeritetin ka një rrezik. Andaj është mirë që njeriu të shohë se me çfarë përfundimi mbetet ballë për ballë. (po aty)


3. Përcillet se i Dërguari i Zotit ka thënë: O Ebu Dherr! Njeriu nuk mund të arrijë njohuri të thellë fetare, derisa nuk i sheh njerëzit si të rëndomtë e të parëndësishëm sa devetë e derisa nuk e sheh vetveten si më i mjeruari i të mjeruarve. (El-Vafi, vëll.14, fq.54)


  


20. Kryerja e një veprimi për të rënë në sy (Rijà)


 Shpjegim: Rija quhet kryerja e veprave të mira për të rënë në sy para njerëzve, për të fituar një pozitë më të lartë në mesin e tyre e për t’u njohur si një njeri i mirë. 


1.Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi ty) thotë: Çdo lloj i rijàsë është idhujtari (shirk). Kur një njeri bën vepra të mira për hir të njerëzve, shpërblimi i tij u takon njerëzve. Por ai që vepron për hir të Zotit, prej Zotit e ka shpërblimin. (El-Vafi, vëll.3, fq.137)


2. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: Do të vijë një kohë kur njerëzit do ta kenë të shëmtuar brendinë, por të bukur pamjen e jashtme. Ata do të përpiqen të duken të mirë, vetëm për t’i arritur të mirat e kësaj bote. Ata s’do t’i kërkojnë të mirat që janë pranë Zotit. Feja e tyre s’do të jetë tjetër veçse për t’u dukur para njerëzve. Në zemrat e të tillëve nuk zë vend droja nga Zoti dhe Ai ka për t’i dënuar të gjithë. Edhe kur të luten gjithë së bashku dhe me sinqeritet, lutja e tyre nuk pranohet. (El-Vafi, vëll.3, fq.147)


3. Imam Musa ibn Xhaferi (paqja qoftë mbi të) përcjell nëpërmjet paraardhësve të vet se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Në ditën e gjykimit, do të jepet urdhër që disa njerëz të hidhen në zjarr. Por Zoti, një ëngjëlli të quajtur Malik do t’i urdhërojë: “Thuaji zjarrit që të mos i djegë këmbët e tyre, sepse me ato këmbë shkuan në xhami! Thuaji të mos ua djegë fytyrat, sepse me ato fytyra merrnin abdest. Thuaji zjarrit le të mos ua djegë duart, sepse ato i ngrinin për t’u lutur. Dhe thuaji le të mos i djegë gjuhët e tyre, sepse me ato gjuhë e lexonin Kur’anin shumë.” Pas këtyre fjalëve, ëngjëlli që është roje e ferrit, do t’u thotë: “O të mjerë! Ç’është kjo gjendja juaj kështu?” Ata do të përgjigjen: “Ne bënim vepra të mira për t’u dukur para njerëzve dhe jo për hir të Zotit. Andaj më në fund na u tha: kërkojeni shpërblimin tuaj prej atyre, për hir të të cilëve i kryet këto veprime!” (Biharu’l-Enver, vëll.15, fq.53)


4. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) përcjell nga babai i tij se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Derisa ndonjëri nga ju është në namaz dhe i afrohet djalli, duke i thënë “ti e bënë këtë për të rënë në sy”, ai le ta zgjasë namazin e tij aq sa mundet, me kusht që të mos kalojë koha e namazit. Kur bën një veprim për hir të botës tjetër dhe përballët me të tilla gjëra, ai le të sillet rëndë e rëndë. Por nëse veprimi është për hir të kësaj bote, le ta ndërpresë atë sakaq! (Biharu’l-Enver, vëll.15, fq.53)


5. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Kur njeriu e ruan një të fshehtë, Zoti e bën të fshehtën pjesë të karakterit të tij. Në është diçka e mirë, edhe morali i njeriut bëhet i mirë. Në është diçka e keqe, ajo pasqyrohet së jashtmi si moral i ligë. (El-Vafi, vëll.3, fq.147)


 


21. Vetëpëlqimi


 1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: Kujtdo që i hyn vetëpëlqimi në shpirt, i shkatërruar do të jetë. (El-Vafi, vëll.3, fq.151)


2. Sërish nga Imam Xhaferi (pqmt) përcillet thënia në vijim: Iblisi (mallkimi i Zotit qoftë mbi të) thotë: “Kur arrij që në karakterin e njeriut të mbjell tre cilësi, më nuk ua var veshin veprimeve që bën ai, sepse çfarëdo që të bëjë, nuk do të pranohet nga Zoti. Kjo ndodh kur ia fillon t’i shohë si të shumtë veprimet e tija të mira, kur i harron mëkatet e veta dhe kur fillon ta pëlqejë veten. (Biharu’l-Enver, vëll.15, fq.3)


3. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) thotë: Tri gjëra e shkatërrojnë njeriun: kur i konsideron të shumta veprimet e mira që bën, kur i harron mëkatet e veta dhe kur e pëlqen mendimin e vet. (po aty)


4. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: Një dijetar shkoi pranë një njeriu që bënte shumë adhurime (abid) dhe e pyeti: “Si e ke namazin?” Njeriu iu përgjigj: “A pyetet për namazin e një njeriu si unë? Prej filan kohe e kam adhuruar pa ndalur Zotin.” Dijetari e pyeti sërish: “Si e ke vajtimin (në namaze)?” Njeriu u përgjigj: “Qaj pa ndalur deri kur lotët më rrjedhin përposh fytyrës” Pas kësaj, dijetari i tha: “Të qeshësh si një njeri që i druhet Zotit, është më mirë se të qash si një njeri i pakujdesshëm (gafil). Asnjë vepër e një njeriu të pakujdesshëm nuk ngrihet (drejt Zotit). (El-Vafi, vëll.3, fq.151)


5. Sërish përcillet se njëri nga dy Imamët (Imam Xhaferi ose Imam Muhammed Bakiri) ka thënë: Në xhaminë tonë vijnë dy njerëz: njëri që bën shumë adhurime (abid) e tjetri një mëkatar (fasik). Pastaj mëkatari del nga xhamia si një njeri i pastër, ndërsa ai që bën shumë adhurime del si mëkatar. Kjo është kështu, ngase ai që bën shumë adhurime hyn në xhami duke u mburrur e llastuar për adhurimin e tij. Gjithë mendimet e tija janë të përqëndruara mbi këtë pikë. Ndërkohë, mendimi i mëkatarit ka të bëjë me pendimin që ndjen nga mëkatet e tija. Ai gjithë kohës i mendon mëkatet e veta dhe kërkon falje prej Zotit. (po aty)




SHËNIM


Hadithet në vijim janë përzgjedhur nga vepra “Morali i Ehl-i Bejtit” e autorit Sejjid Mehdi Sadr, botuar në gjuhën turke me titullin “Ehl-i Beyt Ahlaki” në Stamboll. Për përkthimin e haditheve është marrë për bazë botimi i vitit 2009, që është botimi i pestë i veprës. Përveç haditheve, herë pas here do të përcillen edhe shpjegime të shkurta të autorit në lidhje me terme të caktuara të lëmisë së moralit. Pranë secilës thënie është dhënë edhe vepra nga e cila buron thënia në fjalë.


Përkthyesi


pjesa e parë
pjesa e dytë
(kliko për të hapur) 


Pjesa e tretë 


PËRMBAJTJA:
22. Bindja (Jakin)
23. Durimi (Sabr)
24. Mirënjohja/Falënderimi (Shukr)
25. Mbështetja në Zotin (Tevekkul)
26. Droja nga Zoti
27. Të shpresuarit nga Zoti  


 


22. Bindja (Jakin) 


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: S’ka dyshim se besimi (imani) është më i lartë se Islami, ndërsa bindja është më e lartë se besimi. Dhe s’ka ndonjë gjë që është më e lartë se bindja. (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.57)


2. Imam Xhaferi (pqmt) thotë: Pranë Zotit, veprimet e pakta që mbështeten në besim të bindur e që kryhen vazhdimisht, vlejnë më shumë se veprimet e shumta, që nuk mbështeten në një besim të bindur. (po aty)


3. Imam Xhaferi (pqmt) thotë: Një shenjë e besimit të bindur të një muslimani është kur ai nuk përpiqet t’i kënaqë njerëzit me gjëra që e zemërojnë Zotin dhe nuk zemërohet me njerëzit për atë që Zoti nuk ia ka falur. Ambiciet e një njeriu të pangopur nuk mund t’ia përshpejtojnë ardhjen e begatisë (rëzkut), ndërsa ai që nuk e do begatinë, nuk mund ta pengojë ardhjen e saj. Edhe sikur t’i ikni begatisë së Zotit siç i ik njeriu vdekjes, ajo ka për t’ju gjetur, njësoj siç ju gjen edhe vdekja. (El-Vafi, vëll.3, fq.54) 


4. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Një rob i Zotit s’ka për ta shijuar besimin derisa nuk bindet se ajo që është caktuar për të nuk mund të shkojë diku tjetër, se ajo që është caktuar për diku tjetër, nuk mund të vijë tek ai dhe se aftësia për të sjellë dëm ose dobi i takon vetëm Zotit. (po aty)


5. Një ditë e pyetën Imam Rizain (paqja qoftë mbi të): Janë dy njerëz. Njëri prej tyre e thotë të vërtetën, por i bënë padrejtësi vetes së tij, pi alkool dhe kryen mëkate të mëdha. Ndërsa njeriu tjetër është një njeri me bindje më të paktë se ky i pari, por nuk i kryen mëkatet e tija.


Imami u  përgjigj: Në mesin e të dyve, ai që e ka të fortë bindjen, është si një njeri që e ka zënë gjumi teksa është në rrugë të drejtë. Kur të zgjohet, ai vazhdon me rrugën e tij. Por ai që ka bindje të dobët dhe që ka dyshime përbrenda, është si një njeri që fle në një vend ku nuk ka rrugë. Kur zgjohet, ai nuk di në ç’drejtim të vazhdojë. (Sefinetu’l-Bihar, vëll.2, fq.734)


6. Imam Xhaferi (pqmt) përcjell se një mëngjes, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) erdhi në xhami pranë njerëze. Atje pa një të ri që po dridhej dhe e lëkundte kokën me frikë. Fytyra e tij ishte zverdhur, trupin e kishte të sfilitur e sytë si dy gropa. I Dërguari e pyeti: Si u gdhive? Ai u përgjigj: O i Dërguar! U gdhiva si një njeri me besim të bindur. Të Dërguarit ia tërhoqi vëmendjen përgjigja e të riut dhe e pyeti sërish: Çdo bindje ka një realitet. Cili është realiteti i bindjes tënde?  I riu i tha: Bindja ime, o i Dërguar i Zotit, është ajo që më mban zgjuar netëve e që më lë të etur ditën. Unë u shkëputa nga bota dhe nga gjërat që janë në të, aq sa më duket se e sodis Arshin (Fronin) e Zotit tim. Shoh se para meje e kanë vendosur peshoren e llogarisë dhe i shoh të gjitha krijesat të mbledhura në një vend, bashkë me mua në mesin e tyre. Më vjen sikur i shoh njerëzit e parajsës teksa njihen nga bekimet e tyre. I shoh të mbështetur mbi kolltukë, njësoj siç i shoh njerëzit e ferrit teksa vuajnë. Më vjen sikur i dëgjoj flakët e ferrit me veshët e mi.


Pas kësaj, i Dërguari i Zotit u kthye drejt shokëve të tij dhe tha: Ky i ri është një rob i Zotit, të cilit Ai ia ka ndriçuar zemrën me besim. Pastaj u kthye drejt të riut dhe i tha: Vazhdo në këtë gjendje. I riu i tha: O i Dërguar! Lutju Zotit për mua, që të bie dëshmor në një luftë ku do të marr pjesë bashkë me ty. Pas kësaj, i Dërguari u lut për të dhe pas pak kohës u nis në një ekspeditë. Pas nëntë vetëve që ranë dëshmorë, i dhjeti ishte ky djalë i ri. (El-Vafi, vëll.3, fq.33) 


 Mbi shkallët e besimit


7. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Vërtet besimi, njësoj si shkallët, përbëhet nga dhjetë nivele dhe njeriu ngjitet shkallë-shkallë së larti. Ai që është në shkallë të dytë, nuk duhet t’i thotë atij që është në të parën se nuk ka fituar asgjë. Dhe kështu arrihet në shkallën e fundit. Mos e rrëzo atë që është më poshtë se ti, sepse edhe ata që janë sipër teje mund të të rrëzojnë. Kur sheh dikë që është më poshtë se ti, lartësoje atë drejt vetes me butësi, por mos e ngarko me gjëra që nuk mund t’i durojë, sepse ke për ta thyer. Kur dikush e thyen një besimtar, duhet ta riparojë dëmin që ka shkaktuar. (El-Vafi, vëll.3, fq.50)  


 


23. Durimi (sabr) 


Zoti i do ata që bëjnë durim...(Kur’an 3:146)


Duro! Sepse, vërtet, Zoti është me ata që durojnë. (Kur’an 8:46) 


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Për besimin, durimi është njësoj si koka për trupin. Kur humbet koka, humbet edhe trupi. Po kështu, kur humbet durimi, humbet edhe besimi. (El-Vafi, vëll.3, fq.65)


2. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Parajsa është e rrethuar nga vështirësitë dhe nga durimi. Kushdo që duron përballë vështirësive në botë, ka për të hyrë në parajsë. Ndërkaq, ferri është i rrethuar me kënaqësi dhe epshe. Kushdo që përpiqet për t’i arritur kënaqësitë dhe epshet, në zjarr do të hyjë. (po aty)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Nëse një besimtar sprovohet me ndonjë fatkeqësi dhe bën durim përballë saj, atij i falet shpërblimi i njëmijë dëshmorëve. (El-Vafi, vëll.3, fq.66)


4. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Nëse një njeri nuk e shpëton dot durimi, nervozizmi dhe humbja e shpresës kanë për ta shkatërruar. (Nehxhu’l-Belaga)


5. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: Nëse duron, urdhri i caktimit (kaderit) tënd do të realizohet për ty, ndërsa ti ke për t’u shpërblyer. Por nëse shqetësohesh e humb shpresë, urdhri i caktimit tënd do të realizohet prapëseprapë, ndërkohë që ti do të fitosh një mëkat. (Nehxhu’l-Belaga)


6. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Ji i durueshëm në bindjen ndaj Zotit! Ruaju rebelimit kundër Tij dhe ji i vendosur në këtë rrugë! Dije se bota është si një orë. Nuk mund as të gëzohesh e as të pikëllosh për atë që ka kaluar, ndërsa atë që do të vijë nuk e di akoma. Atëherë bëj durim në çastin ku gjendesh dhe do të shohësh se do të jesh në gjendjen më të mirë. (El-Vafi, vëll.3, fq.63)


7. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Në ditën e gjykimit, një grup njerëzish do të vijnë deri tek dera e parajsës e do të trokasin. Do t’u thuhet: “Kush jeni?” Ata do të thonë: “Ne jemi njerëzit e durimit.” Pastaj u thuhet: “Përballë ç’gjëje keni bërë durim?” Ata do të thonë: “Ne duruam në bindjen ndaj Zotit dhe nuk u rebeluam kundër Tij. Kurrë nuk bëmë kompromis në këto dy gjëra.” Pas kësaj, Zoti thotë: “E thanë të vërtetën. Merrini në parajsë!” Për këtë është shpallur vargu vijues në Kur’an:


...ndërsa të durueshmit do të shpërblehen pa kufi...(Kur’an 39:10) 


 


24. Mirënjohja/Falënderimi (shukr) 


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Njeriut që ha ushqim dhe i falënderohet Zotit, do t’i jepet shpërblimi i atij që agjëron duke e patur parasysh kënaqësinë e Zoti dhe që shpreson për shpërblim prej Tij. Atij që është mirënjohës pasi të shpëtojë nga një sëmundje, i jepet shpërblim si shpërblimi i atij që duron përballë mynxyrave. Ndërsa atij që dhuron nga pasuria e tij dhe është mirënjohës, i jepet shpërblimi i atij që është i kënaqur ndonëse jeton në varfëri. (El-Vafi, vëll.3, fq.67)  


2. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Kujtdo që i është falur ndjenja e mirënjohjes, do t’i falet edhe shtimi i begatisë. Dhe Zoti thotë: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat.” (Kur’an 14:7) (po aty)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Falënderimi për çdo bekim është të lëvduarit e Zotit. (po aty)


4. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur të përballesh me një njeri që e ka goditur fatkeqësia, duke patur kujdes që ai mos të të dëgjojë, thuaj tri herë: “Lëvduar qoftë Zoti që më mbrojti nga fatkeqësia që të ka goditur ty! Po të donte, edhe mua do të më godiste me këtë fatkeqësi.” Kushdo që e bën këtë, nuk do të goditet kurrë nga ajo fatkeqësi. (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.135)


5. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Kur ndonjëri nga ju pi ujë, Zoti e bën parajsën të detyrueshme për të. Njeriu merr një enë, e mbush me ujë dhe pastaj pi duke e përmendur emrin e Zotit. Kur të vijë deri në gjysëm dhe teksa akoma ka etje, ai e lëvdon Zotin dhe pastaj prapë pi. Pastaj prapë e lëvdon Zotin. Pastaj prapë pi dhe sërish e lëvdon Zotin. Për këtë sjellje të tij, Zoti e bën parajsën një detyrim për të. (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.131)


6. Imam Xhaferi (pqmt) përcjell: Zoti i shpalli Profetit Musa (paqja qoftë mbi të): “O Musa! Më falëndero ashtu si meritoj!” Musa (pqmt) u përgjigj: “Si mund vallë të të falënderoj ashtu si meriton, ndërsa je Ti që ma fal edhe falënderimin që ta shpreh Ty?” Pas kësaj, Zoti tha: “O Musa! Tani më falënderove si duhet, ngase e di se prej meje e ke falënderimin që ma shpreh”. (El-Vafi, vëll.3, fq.68)


7. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Mëkati që Zoti e dënon më shpejtë, është mosmirënjohja. (Bihar el-Enver)


8. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Vështroji shpesh njerëzit, pasuria e të cilëve është më pak se e jotja! Edhe kjo është një derë drejt mirënjohjes. (Nehxh’ul-Belaga) 


 


25. Mbështetja në Zotin (tevekkul) 


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Zoti i shpalli Davudit (paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “Kur nga qëllimi i robit tim të kuptoj se ai i ka lënë mënjanë krijesat e Mia dhe është lidhur pas Meje, edhe sikur qiejt toka dhe gjithë ç’gjendet brenda tyre të bashkohen për t’i thurur dredhi, Unë kam për t’i treguar një rrugëdalje.


Dhe nëse një rob i Imi mbështetet në krijesat e Mia, Unë e kuptoj këtë nga qëllimi i tij. Atëherë ia ndërpres çdo lidhje me forcat qiellore dhe e tërheq nga poshtë këmbëve të tija. Pastaj as që shoh se në ç’luginë shkatërrohet. (El-Vafi, vëll.3, fq.56)


2. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë sërish: Atij, që jep tri gjëra, nuk i refuzohen tri gjëra të tjera. Ai që jep lutje, merr pranim të lutjes. Ai që shpreh mirënjohje, merr shtim të begatisë dhe ai që shfaq mbështetje në Zotin, merr shpëtim nga të qenit nevojtar. A nuk e keni lexuar librin e Zotit:


Kujtdo që mbështetet në Zotin, Ai do t’i mjaftojë. (Kur’an 65:2)


Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat.” (Kur’an 14:7)


Lutmuni që t’jua pranoj lutjen! (Kur’an 40:60) 


3. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të), në testamentin për të birin Hasanin, thotë: Në çdo punë strehohu tek Zoti yt! Po ta bësh këtë, do të jesh strehuar në një shpellë mbrojtëse dhe mbështetur në një mur të fuqishëm. (Nehxh’ul-Belaga)


4. Imam Aliu (pqmt) ka thënë: Në amanetin e Llokmanit për të birin, ishin edhe këto fjalë: “Biri im! Njeriu që në kërkimin e begatisë e ka të dobët bindjen dhe qëllimin, duhet të marrë mësim nga fakti se Zoti e ka krijuar atë në tri gjendje dhe ia ka garantuar sigurinë në të tri këto shkallë, ndërsa njeriu, në asnjërën prej tyre, nuk është në gjendje të kujdeset për veten e tij dhe të fitojë begati. Kur e shohim këtë, s’ka dyshim se Zoti do t’i falë begati edhe në shkallën e katërt.


Shkalla e parë është shkalla kur gjendet në mitrën e nënës. Zoti i Madhëruar i ka falur njeriut begati në këtë vend, aq sa ai nuk ndikohet as nga të ftohtit dhe as nga nxehtësia.


Pastaj e nxjerr që aty dhe i lëshon begati nëpërmjet qumështit të nënës së tij, i cili është i mjaftueshëm për të, e zhvillon dhe e ushqen, ndërsa vetë njeriu s’ka fuqi për ta bërë këtë gjë.


Pastaj ndahet nga gjiri e atij i rrjedh një begati nga pasuria e prindërve të tij, të cilët e ushqejnë me butësi dhe mëshirë. Kjo është e gjitha që mund të bëjnë. Ata e vendosin mirëqenien e tij para mirëqenies së vetvetes, derisa ai rritet e  bëhet i mençur dhe fillon vetë ta fitojë begatinë. Atëherë nis të ngushtohet dhe ushqen në vete mendime të gabuara për Zotin. Ai i mohon të drejtat e Zotit mbi pasurinë e tij dhe bëhet koprrac karshi të afërmve. Arsyeja e kësaj është frika për humbjen e begatisë, mendimi i gabuar që ushqen për Zotin dhe mosmbështetja e plotë në Të për punët e kësaj bote e të botës tjetër. Këto gjëra e shkatërrojnë njeriun, biri im.”(Bihar el-Enver, vëll.2, fq.155)    


 


26. Droja nga Zoti 


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kije drojë Zotin sikur të jesh duke e parë. Ndonëse ti nuk e sheh, s’ka dyshim se Ai të sheh ty. Nëse mendon se s’të sheh, atëherë bëhesh mohues (kafir). Dhe nëse e kundërshton Atë duke  mëkatuar, ndonëse e di se Ai të sheh, s’ka dyshim se e ke zbritur Atë në pozitën e më të parëndësishmive që të shohin. (El-Kafi, vëll.3, fq.57)


2. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Besimtari jeton ndërmjet dy drojeve. Ai ka mëkate që i ka kryer në të kaluarën dhe nuk di se si do të veprojë Zoti në lidhje me këta mëkate. Në anën tjetër, ai e ka pjesën tjetër të jetës që duhet ta jetojë dhe nuk është i sigurt se ç’sjellje shkatërrimtare mund të shfaqë gjatë kësaj kohe. Kjo është arsyeja përse ai jeton gjithnjë në frikë dhe drojë. Një besimtari nuk i shkon tjetër gjë për shtati. (po aty)


3. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Një njeri s’mund të jetë besimtar derisa nuk ka drojë dhe shpresë. Dhe nëse nuk vepron duke i patur parasysh gjërat të cilave u druhet dhe gjërat për të cilat shpreson, ai nuk do të jetë një njeri që e ka frikë dënimin dhe që ka shpresë për parajsën. (po aty)


4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Nëse një njeri ftohet drejt diçkaje të turpshme ose që i kënaq epshin dhe ai e mohon këtë ftesë prej drojës nga Zoti, Zoti ka për t’ia bërë atij të ndaluar zjarrin, ka për ta mbrojtur nga frika e madhe dhe ka për t’ia falur shpërblimin që ka premtuar në librin e Tij: “Dy parajsa ka për atë që i druhet pozitës së Zotit të tij...” (Kur’an 55:46)


5. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Drejtoju Zotit me shpresë për t’u falur, por jo aq sa të të japë guxim për të mëkatuar! Dhe kije drojë Atë, por jo aq sa të të bëjë të pashpresë nga mëshira e Tij! (Bihar el-Enver, vëll.2, fq.113) 



26. Të shpresuarit nga Zoti 


1. Me t’u takuar me një njeri të pashpresë për shkak të frikës që ndjente si pasojë e mëkateve të veta, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) tha: O njeri! Humbja shpresë nga mëshira e Zotit është një gabim më i madh se mëkatet që ke kryer.(Xhemiu’s-Saade, vëll.1, fq.246)


2. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Njerëzit që kanë humbur shpresë nga mëshira e Zotit, Zoti ka për t’i ringjallur me fytyra të errëta në ditën e gjykimit. E zeza mbi fytyrat e tyre do ta ketë nënshtruar bardhësinë. Dhe do të thuhet: “Këta janë ata që humbën shpresë nga mëshira e Zotit.”(Sefinetu’l-Bihar, vëll.2, fq.451)


3. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Sikur ju të mos ishit njerëz që mëkatojnë e që pastaj kërkojnë falje nga Zoti, pa dyshim Ai do të krijonte njerëz të tjerë që do të mëkatonin e që do të kërkonin falje, dhe pastaj do t’i falte ata. Vërtet besimtarët janë njerëz që mëkatojnë e që pendohen më pas. A nuk e keni dëgjuar fjalën e Zotit: Zoti i do ata që pendohen (Kur’an 2:222) (El-Vafi, vëll.3, fq.51)


4. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Në ditën e gjykimit, Zoti ka për ta përhapur mëshirën e Tij, aq sa edhe vetë djalli do të ketë shpresë që të mëshirohet. (Bihar el-Enver, vëll.3, fq.274)


5. Përcillet se Imam Xhaferi (pqmt) e recitoi vargun “...përveç atyre që besojnë e që veprojnë mirë. Zoti ka për t’i zëvendësuar të ligat e tyre me të mira. (Kur’an 25:70)” dhe tha: Ky varg është shpallur për ju. Në ditën e gjykimit, besimtari që ka mëkatuar do të sillet dhe do të qëndrojë në prani të Zotit. Zoti e bën llogarinë e veprimeve të tija dhe pastaj e merr në pyetje. Duke ia derdhur para syve të gjitha të ligat që ka kryer, thotë: “Filan të ligë ke kryer në filan orë.” Besimtari përgjigjet: “E pranoj Zoti im!” Pastaj ia tregon atij të gjitha të ligat që ka kryer dhe ai përgjigjet njësoj për të gjitha. Pas kësaj, Zoti i Madhëruar thotë: “Në botë t’i mbulova këta mëkate, dhe sot po t’i fal. Në vend të tyre, po i fal të mira robit Tim.” Pastaj, faqja e bëmave të tija u tregohet njerëzve dhe ata thonë të habitur: “Subhanallah! A nuk ka kryer asnjë të ligë ky njeri?” Ky është kuptimi i shprehjes “ka për t’i zëvendësuar të ligat e tyre me të mira”. (po aty)


6. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ushqe një mendim të mirë për Zotin, sepse Ai ka thënë: “Unë jam ashtu si më pandeh robi Im. Nëse pandeh gjëra të mira, Unë të mira i fal. Nëse pandeh gjëra të liga, të liga i fal. (El-Vafi, vëll.3, fq.59)


 


Ndërmjetësimi i të Dërguarit dhe i Imamëve të Ehl-i Bejtit për ndjekësit dhe për dashamirët e tyre


7. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Kur të vijë dita e gjykimit, ne do të ngarkohemi për llogarinë e veprave të ndjekësve tanë. Kur mëkatet e një personi të jenë ndërmjet tij dhe Zotit, ne do të kërkojmë falje nga Zoti dhe Ai do ta pranojë lutjen tonë. Kur mëkatet e një njeriu të jenë ndërmjet tij dhe  njerëzve të tjerë, ne do të kërkojmë falje dhe ata do të falin për hatrin tonë. Dhe kur mëkatet e një njeriu të jenë ndërmjet tij dhe neve, s’ka dyshim se ne jemi më të denjë se gjithkush për të falur e për të shfaqur mirëkuptim. (Bihar el-Enver, vëll.3, fq.301)


8. Në veprën Tefsiru’l-Kebir, Thalebiu përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, është dëshmor! Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, është i falur! Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, ka vdekur si një i penduar për të gjithë mëkatet! Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, ka vdekur si një njeri me besim të përsosur! Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, merr sihariqe për parajsën, fillimisht nga ëngjëlli i vdekjes e pastaj edhe nga Nekiri e Munkeri. Dijeni se për atë që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, parajsa stoliset si një nuse që hyn në gjerdek! Dijeni se atij që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, nga varri i hapen dy dyer drejt parajsës! Dijeni se varri i atij që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, është një vend që vizitojnë ëngjëjt e mëshirës! Dijeni se kushdo që vdes me dashurinë për Muhammedin e për Ehl-i Bejtin e tij, vdes si një njeri i lidhur me traditën (sunnetin) e me xhemaatin musliman!


Dijeni se kushdo që vdes me urrejtje ndaj Muhammedit e ndaj Ehl-i Bejtit të tij, në ditën e gjykimit do të sillet, në ballë me mbishkrimin “s’ka shpresë nga mëshira e Zotit”.


Zemahsheriu, në veprën El-Keshshaf e ka përcjellur këtë hadith si “mursel”, në komentimin e vargut që ka të bëjë me dashurinë ndaj Ehl-i Bejtit. (Fusulu’l-Muhimme, fq.44)


9. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Dhimbjet dhe vuajtjet do të jenë përherë bashkë me besimtarin, derisa të mos i mbesë asnjë mëkat. (El-Vafi, vëll.3, fq.172)


10. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Edhe sikur të trembet në gjumë një besimtar, Zoti ia fal mëkatet për shkak të kësaj. Dhe sikur të ndjejë dhimbje në trupin e tij, edhe për këtë Zoti ia fal mëkatet. (El-Vafi, vëll.3, fq.172)


11. Disa njerëz erdhën tek Imam Xhaferi (pqmt) dhe i thanë: Është një grup njerëzish që thonë se janë dashamirët tuaj, por që nuk reshtin së kryeri mëkate dhe thonë: “Ne shpresojmë se Zoti ka për të na falur.” Çfarë thonë ju për këta?


Imami u përgjigj: Po gënjejnë. Ata nuk janë dashamirët tanë por veç ca njerëz që kanë rënë viktimë e pandehmave të tyre. Ai që shpreson një gjë, vepron sipas kësaj shprese, ndërsa ai që i druhet një gjëje, largohet prej saj. (El-Vafi, vëll.3, fq.58) 


VAZHDON