SHËNIM
Teksti vijues është marrë nga vëllimi i dytë i veprës “Imam Husejni dhe Qerbelaja” (në turqisht “Imam Hüseyin ve Kerbela’’), në të cilën janë përmbledhur fjalimet që Ajetollah Murteza Mutahhariu i ka mbajtur në institutin “Husejnije Irshad” në Teheran, në lidhje me Imam Husejnin (pqmt) dhe rastin e Qerbelasë. Edhe përkundër përpjekjes për ta përshtatur sa më tepër me formën e një shkrimi të mirëfilltë, për hir të ruajtjes së origjinalitetit, në disa pjesë të tekstit jemi detyruar të lejojmë që të dominojë stili i të folurit, në të cilin fjalitë nuk janë gjithnjë të rradhitura dhe të ndërlidhura në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën. (Përkthyesi)
Njëra nga çështjet e rëndësishme në lidhje me kryengritjen e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) është edhe karakteri i saj. Njësoj si proceset natyrore, edhe revolucionet shoqërore mund të kenë karaktere të ndryshme. Proceset dhe sendet natyrore gjithnjë kanë një karakter të tyre natyror dhe tipare të caktuara. E njejta gjë vlen edhe për revolucionet dhe për lëvizjet shoqërore.
Për ta njohur një gjë, njeriu duhet të fillojë ose nga shkaqet e saj ose nga qëllimi fillestar (ndonse ai nuk konsiderohet dhe aq relevant në epokën moderne). Sipas kësaj, për ta njohur revolucionin e Imam Husejnit (pqmt) dhe për ta kuptuar karakterin e tij, duhet domosdo të fillojmë me hulumtimin e shkaqeve të cilat sollën deri në paraqitjen e kësaj lëvizjeje. Pa i njohur shkaqet e një fenomeni, kurrë s’kemi për ta kuptuar karakterin e vërtetë të tij.
Së dyti, siç thamë, duhet ta njohim qëllimin përfundimtar të kësaj kryengritjeje, duke hulumtuar fillimisht në ekziston fare një gjë e tillë. Nëse vërtet ka patur një qëllim, duhet hulumtuar për të gjetur se ç’ishte ai.
Hapi i tretë është që t’i analizojmë veprimet e kryera gjatë kësaj kryengritjeje dhe t’i zbulojmë kuptimet dhe dimensionet e tyre të ndryshme. Së fundmi, duhet të shohim se ç’trajtë përfundimtare morën këto veprime.
Nga pyetjet më të parashtruara në lidhje me kryengritjen e Imam Husejnit (pqmt) janë pa dyshim ato që kanë të bëjnë me karakterin e kësaj lëvizjeje. A ishte vallë ajo një lëvizje me karakter reaksionar dhe thjesht një shpërthim i çastit pas shtypjeve të jashtme?
Reagimet e tilla janë tejet të natyrshme për njerëzit. Ka shumë raste në të cilat një person, qoftë për shkak të rrethanave që mbretërojnë atë çast dhe qoftë për shkak të ndodhive të kaluara, ndjehet i shqetësuar e nervoz dhe thotë fjalë që nuk do t’i thoshte në rrethana normale. Kjo është ajo që nënkuptojmë me fjalën “shpërthim” dhe ky është karakteri i pjesës më të madhe të kryengritjeve në histori.
Njëra nga gjërat që e ndan shkollën islame nga ideologjitë e sotme është edhe pretendimi i ideologjive bashkëkohore, të cilat duke u mbështetur në themele dialektike, thonë se (për të patur një kryengritje të suksesshme) kontrastet duhet gjithnjë të fuqizohen dhe shtypjet gjithnjë të rriten mbi popullin. Sipas tyre, pëlcitjet brenda sistemit duhet të zmadhohen në çdo mënyrë dhe madje të kundërshtohen të gjitha lëvizjet e mundshme reformuese, që populli të mbetet nën shtypje dhe të bëjë një kryengritje me karakter reaksionar ose “eksploziv”. Përkundër kësaj, Islami nuk beson aspak në vlerën e një kryengritjeje reaksionare me natyrë “eksplozive”. Sipas Islamit, revolucioni duhet të bëhet tërësisht në mënyrë të vetëdijshme, me koncepte të qarta dhe në mënyrë të lirë.
A thua revolucioni i Imam Husejnit (pqmt) ishte thjesht një kryengritje pa qëllim, e cila lindi papritur dhe si reagim ndaj shtypjeve të jashtme? A ishte kjo një lëvizje pa vetëdije? A ishte vallë ajo një lëvizje e cila buronte që nga koha e Muavijes ose nga shtypja që i ishte ushtruar familjes së Husejnit (pqmt) deri atëherë? Ose mos vallë Imami e kishte humbur durimin e tij në kohën e Jezidit dhe kishte vendosur të kryengritej duke thënë “le të ndodhë çfarë të ndodhë”?
Strehohem tek Zoti nga një mendim i tillë!!! Fjalët e Imam Husejnit (pqmt), fjalimet e tija pas vdekjes së Muavijes, letërkëmbimi i tij i mëparshëm me Muavijen dhe fjalimet që i ka mbajtur në vende të ndryshme (si ai që ua mbajti shokëve të Profetit në Mina, i cili përcillet në veprën “Dhuratë mendjeve”/”Tuhef’ul-Ukul) të gjitha tregojnë se kryengritja e tij ishte krejtësisht e vetëdijshme. Kjo e vërteton pretendimin se ky ishte një revolucion islamik dhe jo një “shpërthim” i çastit.
Njëra nga gjërat më të dukshme tek Imam Husejni (pqmt) është edhe përpjekja e tij që nëpërmjet fjalimeve të shumta, të mos lejonte që kjo lëvizje të kthehej në një “shpërthim” euforik. Përse Imam Husejni (pqmt) përpiqej t’i largonte me çdo kusht ndjekësit e tij? Përse i paralajmëronte gjithmonë se gjendja ishte e rrezikshme? Madje në natën para Ashura-së, ai foli shumë qartë dhe hapur e tha:
S’kam parë ndjekës më besnikë e më të sinqertë se ndjekësit e mi dhe s’kam parë farefis më të sjellshëm e më të mirë se farefisi im. Zoti ju shpërbleftë të gjithëve! Ka ardhur dita e luftës sonë kundër kësaj ushtrie. Të githëve ju lejoj të largoheni. Të gjithë jeni të lirë për të shkuar dhe mund ta shfrytëzoni errësirën e natës për të ikur.
A thua vallë do të fliste kështu një udhëheqës i cili do të kishte dashur ta shfrytëzonte shqetësimin e popullit? Të gjitha fjalët dhe veprimet e Imam Husejnit (pqmt) buronin nga detyrimet e tija islame dhe për këtë s’ka dyshim. Por ai dëshironte që ky detyrim islam të kryhej në mënyrë të lirë dhe me vetëdijë të plotë. Ai thoshte:
“Armiku s’ju ka rrethuar juve dhe nuk kërkon asgjë nga ju. Po të doni ta shfrytëzoni errësirën e natës, mund të largoheni lehtësisht dhe askush s’ka për t’ju penguar. Edhe unë nuk ju detyroj të qëndroni. Unë e kam hequr nga ju çdo përgjegjësi që mund të keni ndaj meje. Pra nëse mendoni se besëlidhja që keni bërë me mua ju detyron të qëndroni, atëherë unë e shpall të pavlefshme atë besëlidhje. Tani jeni të lirë dhe mund të vendosni si të tillë. Në do vendosni të qëndroni në anën time, atëherë bëjeni atë në mënyrë të lirë dhe pa mbetur nën ndikim të miqve ose të armiqve.”
Pikërisht kjo është ajo që i bën të vlefshëm dëshmorët e Qerbelasë. Tarik ibn Zijadi, në betejën pas të cilës do ta pushtonte Spanjën (në vitin 711 të erës sonë), i zbarkoi ushtarët e tij në breg dhe urdhëroi që të shkarkohej ushqim i mjaftueshëm për një ditë dhe pjesa tjetër e ushqimit të digjej bashkë me anijet. Më pas, ai i mblodhi ushtarët e tij dhe u tha:
O njerëz! Para juve është armiku e pas shpine e keni detin. Po të përpiqeni për të ikur, s’keni rrugë tjetër veçse të mbyteni në det. Tashmë s’kemi asnjë anije. Po të bëheni përtacë, dijeni se s’ka ushqim për më tepër se një ditë, pas të cilës do të vdisni nga uria. Rruga juaj e vetme është që ta mundni armikun dhe ta shkatërroni atë.Ushqimi juaj fshihet në luftën me armikun dhe përveç kësaj, nuk keni rrugëdalje tjetër.
Në këtë mënyrë, Tarik bin Zijadi i detyroi ushtarët e tij të luftonin. Në fund të fundit, ç’mundësi tjetër i mbetej një ushtari të tillë veçse të luftonte deri në pikën e fundit të gjakut të tij?
Por Imam Husejni (pqmt) nuk do të vepronte në këtë mënyrë. Ai kurrë nuk tha për shembull: “armiku është në çdo anë. Ngado që të shkoni do të vriteni. S’keni mundësi për të shpëtuar pa luftuar e pa u vrarë. Andaj më mirë vdisni duke luftuar bashkë me mua.” Një vdekje e tillë s’ka kurrfarë vlere.
Duhet kuptuar, pra, se revolucioni i Imam Husejnit (pqmt) ishte një revolucion tërësisht i vetëdijshëm. Ai vetë, familja e tij dhe ndjekësit që i kishte pranë, që të gjithë ishin të vetëdijshëm për atë që bënin.
Një revolucion i vetëdijshëm mund të ketë disa karaktere përnjëherë dhe siç mund të shihet, edhe në lëvizjen e Imam Husejnit (pqmt) pati shumë faktorë të ndryshëm, të cilët do të ndikonin që kjo kryengritje të ishte shumëdimensionale. Njëri nga dallimet kryesore ndërmjet fenomeneve natyrore dhe atyre shoqërore fshihet në faktin se fenomenet ose objektet natyrore kanë një karakter të vetëm. Për shembull, një xehe s’mund të jetë njëkohësisht edhe ar edhe bakër. Por një fenomen shoqëror mund të ketë disa karaktere përnjëherë, njësoj si vetë njeriu që mund të jetë shumëdimensional.
Është i famshëm principi i ekzistencialistëve si Sartre, të cilët thonë se “ekzistenca i paraprin esencës”. Ndonse e saktë, kjo fjali nuk ka të bëjë me kuptimet e gabuara që ekzistencialistët bashkëkohorë ia kanë mveshur. Por sidoqoftë, ajo që duam të theksojmë duke u nisur nga kjo, është fakti se njeriu mund të ketë disa karaktere (esenca) të ndryshme. Njeriu mund të ketë karakter ëngjëllor por mund të ketë edhe karakter shtazarak. Kjo është një temë tejet e përpunuar në traditën islame.
Në mënyrë të ngjashme, edhe fenomenet shoqërore mund të kenë disa karaktere ose dimensione dhe në këtë rast nuk bën përjashtim as lëvizja e Imam Husejnit (pqmt). Siç theksuam, shumë faktorë kanë patur ndikim mbi të. Në një lëvizje me karakter reaksionar, reagimi ndaj një fenomeni të caktuar mund të jetë edhe pozitiv edhe negativ. Të gjitha këto tipare mund të shihen në lëvizjen e Imamit.
Kjo është arsyeja përse kjo kryengritje është shumëdimensionale. Në aspektin kohor, faktori i parë që ka ndikuar në këtë ndodhi është kërkesa për t’i shprehur besnikëri Jezidit. Derisa Imami ishte akoma në Medine, Muavije kishte shkuar atje dhe ishte përpjekur pa sukses që të siguronte një betim besnikërie për të birin Jezidin. Pas vdekjes së Muavijes, edhe djali i tij Jezidi kërkoi betim besnikërie nga Husejni (pqmt).
Në rrethanat e atëhershme, t’i shprehje besnikëri Jezidit s’ishte thjesht ta miratoje Kalifatin e një personi si ai por shumë më tepër. Një veprim i tillë ishte miratimi i sistemit të krijuar nga Muavije ibn Sufjani, sipas të cilit Kalifi kishte të drejtë ta emëronte pasardhësin e vet, me çfarë krejtësisht i hiqej shoqërisë muslimane e drejta për ta zgjedhur udhëheqësin e saj. Ky ishte qëllimi i Muavijes. Po të shihet nga pikëpamja shiite, Muavije duhet t’u bindej urdhrave të qartë të të Dërguarit të Zotit. Por ajo që kishte bërë Muavije ibn Ebu Sufjani ishte diçka që s’e pranonin as shiitët dhe as sunnitët. Si pasojë, shprehja e besnikërisë Jezidit nuk ishte vetëm një miratim i Kalifatit të tij por edhe një përkrahje e dhënë këtij sistemi që Muavije kishte krijuar.
Ata kërkonin betim për besnikëri nga Imam Husejni (pqmt) dhe ai reagonte në mënyrë negative përballë një kërkese të tillë. Lëvizja e Imam Husejnit (pqmt) në këtë rast është në lëvizje me karakter refuzues, që ka për bazë konceptin e takva-së (ose siç përkthehet shpesh, të ruajturit nga e liga). Çdo njeri përballet me lakminë, me frikën ose me një gjendje të pashpresë. Pikërisht qëndrimi refuzues, gjegjësisht përgjigja negative përballë këtyre gjërave, është ajo që e përbën esencën e takva-së.
Ata i kërkonin betim për besnikëri, por Imam Husejni (pqmt) nuk pranonte. Ata e kërcënonin dhe ai thoshte se ishte gati të vdiste por kurrë s’do ta bënte atë që ia kërkonin.
Deri këtu është e qartë se kjo lëvizje ishte një reagim dhe për më tepër, një reagim negativ përballë një kërkese të paligjshme. Me fjalë të tjera, mund të themi se në esencën e karakterit të kësaj lëvizjeje ishte faktori i takva-së. Karakteri mohues i kësaj lëvizjeje buron nga principi themelor “la ilahe il’lallah” (s’ka zot tjetër veç Zotit) i Islamit, i cili fillon pikërisht me një “jo” (“la” në arabisht), gjegjësisht nga mohimi dhe mospranimi i një pretendimi të paligjshëm dhe të gabuar.
Megjithatë, ky nuk është faktori i vetëm që ka patur ndikim në lëvizjen e Husejnit (pqmt). Një tjetër dimension i kësaj lëvizjeje është karakteri reaksionar i saj. Por në këtë kontekst, lëvizja e Imam Husejnit (pqmt) është një reagim pozitiv dhe jo negativ.
Muavije kishte vdekur. Mësimet e Aliut (pqmt), që kishte jetuar në Kufe njëzet vite më parë, nuk ishin zhdukur akoma. S’ka dyshim se personalitetet kyçe të qytetit të Kufes ishin eliminuar dhe vrarë. Për këtë flet edhe eliminimi i njerëzve si Huxhr bin Adij, Amr bin Hamik el-Huzai, Rushejd el-Haxheri ose Mejsem el-Temmari. Qëllimi i gjithë këtyre “spastrimeve” kishte qenë çrrënjosja e mësimeve të Aliut (pqmt) nga Kufeja dhe shlyerja e gjurmëve të tyre në mendjet e njerëzve. Por edhe përkundër kësaj, frytet e fjalëve të Aliut (pqmt) kishin arritur të mbijetonin tek njerëzit.
Pas vdekjes së Muavijes, populli i Kufes u zgjua dhe u mblodh për ta shfrytëzuar mundësinë. Ata ishin të bindur se nuk duhet t’i jepej hapësirë Jezidit dhe se duhet t’i drejtoheshin menjëherë Husejnit (pqmt). Ata u morën vesh që ta ftonin atë në Kufe dhe ta ndihmonin pasi të kishte ardhur. Deri në ardhjen e tij, ata mundeshin së paku të krijonin një bazë për të vepruar. Më pas, me ndihmën e tij, do t’ia rikthenin Kalifatit karakterin e tij islam.
Këtu shohim një popull i cili me shumë dëshirë e fton Imam Husejnin (pqmt) dhe tregohet i gatshëm për të sakrifikuar gjithçka. Në shumë letra të tyre është përdorur shprehja “Kopshtet dhe shkretëtirat janë gjelbëruar dhe frytet janë pjekur”. Ajo që nënkuptohet me këtë është fakti se kushtet janë pjekur për ardhjen e Imam Husejnit (pqmt) në Kufe.
Në të vërtetë, Kufeja ishte një bazë ushtarake dhe si e tillë ishte projektuar qëkur ishte themeluar si qytet në periudhën e sundimit të Kalifit të dytë, Umar ibn el-Hattabit. Emri i vjetër i këtij vendbanimi ishte “Hijre”. Ndërtimi i qytetit filloi me urdhër të Sad ibn Ebu Vakkasit. Ushtarët muslimanë dhe në të vërtetë, pjesa më e madhe e ushtrisë ishte e vendosur aty bashkë me familjet e tyre. Në këtë aspekt, Kufeja ishte nga qytetet më të fuqishme në botë.
Ishte pikërisht populli i një qyteti të tillë që po e ftonte Imam Husejnin (pqmt). Nuk ishte një, as dy, as njëmijë por ishin plot tetëmbëdhjetë mijë letra që erdhën tek Imam Husejni (pqmt). Madje përcillet se disa nga këto letra ishin nënshkruar nga njëqind persona përnjëherë. Në këtë mënyrë, mund të arrihet në përfundimin se kishte dhjetëra mijëra njerëz që ia kishin shprehur qartë përkrahjen Imam Husejnit (pqmt).
Ç’duhej të ishte reagimi i Husejnit (pqmt) në këtë rast? Ai tashmë s’kishte një arsyetim për të mos shkuar. Përgjigja e tij do të ishte domosdo pozitive dhe ai do t’i përgjigjej kësaj thirrjeje për ndihmë. Muslimanët ishin kryengritur. Në një gjendje të tillë, Imamit të tyre i takonte që t’u bashkangjitej në këtë sipërmarrje. Në rrethana të tilla, reagimi i Imamit nuk mund të jetë refuzues dhe me karakter mbrojtës. Puna ishte nisur nga të tjerë. Imam Husejni (pqmt) ishte i detyruar ta pranonte përgjigjen e tyre.
Ç’ishte detyra e tij përballë ftesave nga Kufeja? Në rastin e kërkesës për ta pranuar Jezidin si Kalif, detyra e qartë e Imamit ishte refuzimi. Në këtë rast, Imam Husejni (pqmt) s’kishte ç’të bënte tjetër veçse të refuzonte një gjë të tillë dhe të mbetej i pastër e i pamposhtur. Dhe në këtë kontekst (dmth të mosnënshtrimit para Jezidit), edhe sikur ta pranonte sugjerimin e Ibn Abbasit për t’u larguar e për t’u fshehur në malet e Jemenit, Imam Husejni (pqmt) do ta kishte kryer detyrën e tij në mënyrë të përsosur.
Mirëpo kjo ishte vetëm njëra anë e çështjes dhe vetëm njëri kontekst i saj. Në anën tjetër ishte ftesa e popullit të Kufes, përgjigja ndaj të cilës ishte sërish një detyrim për Imamin. Muslimanët kishin dërguar 18 mijë letra dhe me dhjetëra mijëra nënshkrime. Kjo është një arsye e mjaftueshme që Imami të reagojë.
Megjithatë, që nga dita e parë e nisjes së tij, duket se Imam Husejni (pqmt) e kishte të qartë faktin se populli i Kufes nuk ishte i përgatitur sa duhet. Ai e shihte se fjalët e tyre ishin euforike dhe jo shumë të vendosura. Por edhe përkundër kësaj, ç’duhej të ishte përgjigja historike e Imam Husejnit (pqmt)? Sikur Imami t’i shpërfillte këto ftesa, jam i sigurt se edhe ne që jemi mbledhur sonte këtu do të pyeteshim përse vallë ai nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese.
Në periudhën e sundimit abbasid, veziri i famshëm Ebu Seleme el-Hallali, me t’i prishur marrëdhëniet me Kalifin, shkroi dy letra, prej të cilave njërën ia dërgoi Imam Xhaferit (pqmt) dhe tjetrën Abdullah el-Mahzit (nip i Imam Hasanit nga djali i tij Hasan el-Muthanna). Në to, ai shkroi:
Deri tani, unë dhe Ebu Muslimi kemi punuar për ta (abbasidët). Por pas kësaj duam të bashkëpunojmë me ju. Bashkohuni me ne dhe atëherë do të mund t’i shkatërrojmë ata.
Fillimisht, nga fakti se u shkroi letra të dyve mund të kuptohet se qëllimi i tij nuk ishte i pastër dhe së dyti, këtë gjë e bëri vetëm kur iu prishën marrëdhëniet me Kalifin abbasid. Kur letra arriti tek Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të), ai e morri atë, e lexoi dhe më pas e hodhi në zjarr, në prani të lajmëtarit që e kishte sjellur. Kur lajmëtari pyeti se ç’përgjigje do t’i jepte, Imami, duke bërë shenjë, i tha: “Kjo është përgjigja.” Në ndërkohë, akoma pa u kthyer lajmëtari, Ebu Selemeja ishte vrarë.
Tani mund të ketë shumë njerëz që do të pyesnin përse Imam Xhaferi (pqmt) i dha një përgjigje negative Ebu Selemes. Në këtë rast, duhet patur parasysh para se të gjithash se Ebu Selemeja ishte një person i vetëm dhe nuk e kishte të pastër qëllimin. Përveç kësaj, letra e tij ishte krejtësisht e pakohë dhe ishte shkruar në një kohë kur edhe vetë Kalifi kishte kuptuar se ai s’ishte një njeri besnik. Kjo ishte edhe arsyeja përse edhe u vra pas disa ditësh.
Sikur Imam Husejni (pqmt) t’u përgjigjej negativisht të tetëmbëdhjetë mijë letrave që iu dërguan në Mekke dhe në Medine, historia do të thoshte se sikur Husejni të kishte reaguar dhe të kishte shkuar në Kufe, Jezidi dhe ndjekësit e tij do të shkatërroheshin. Në fund të fundit, Kufeja ishte baza ushtarake e muslimanëve dhe vendi ku Aliu (pqmt) kishte sunduar pesë vite si Kalif. Madje nxënësit që ai i kishte edukuar dhe varfanjakët që ai i kishte ushqyer ishin akoma gjallë. Zëri i Aliut (pqmt) jehonte ende në veshët e njerëzve. Këto rrethana e bënin të detyrueshme që Imam Husejni (pqmt) t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së popullit të Kufes.
Ç’mund të jetë në këtë rast detyra e Imam Husejnit (pqmt)? Populli i Kufes e kishte ftuar dhe ai do të shkonte në Kufe. Por në çastin kur ata e thyen besëlidhjen që e patën bërë me Muslim ibn Akilin (të dërguarin e Husejnit në Kufe), Husejni (pqmt) mund të largohej dhe të shkonte në një vend tjetër. Me fjalë të tjera, përgjigja pozitive që Imami do t’i jepte kësaj thirrjeje, do të ishte e vlefshme vetëm në rrethanat kur populli i Kufes do t’i mbetej besnik premtimit që ia kishte dhënë Muslim ibn Akilit. Kur ata e thyen besëlidhjen e bërë, Husejnit (pqmt) tashmë s’i mbetej kurrfarë përgjegjësie përballë tyre.
Por këtu shfaqet një pyetje tjetër. Cila nga këto dy gjëra (refuzimi për t’iu bindur Jezidit ose ardhja e letrave nga populli i Kufes) i parapriu tjetrës dhe ngjau më parë? A e refuzoi më parë Imami kërkesën për t’iu bindur Jezidit dhe vetëm pas kësaj i mori letrat nga populli i Kufes? Ose vallë ishin letrat që i erdhën Imamit një muaj para se të nisej nga Medineja dhe ai nuk pranoi t’i bindej Jezidit vetëm pasi mësoi se populli i Kufes do ta përkrahte? Pra përse nuk i shprehu besnikëri Jezidit? A e bëri këtë ngase tashmë ishte marrë vesh me popullin e Kufes ose vallë e kishte refuzuar tashmë kërkesën për t’iu bindur Jezidit, kur letrat nga Kufeja arritën? Cila nga këto dy ngjarje, pra, ndodhi më parë? Refuzimi i kërkesës për t’iu bindur Jezidit si Kalif ose ardhja e letrave nga Kufeja?
Parë nga këndvështrimi historik, refuzimi i kërkesës për ta njohur Jezidin si Kalif vjen në rradhë të parë. Përse? Sepse kërkesa për t’i shprehur besnikëri Jezidit erdhi fill pas vdekjes së Muavijes. Madje Muavije, që në të gjallë të tij, kishte ardhur në Medine dhe ishte përpjekur me çdo kusht të merrte nga Husejni (pqmt) dhe nga dy-tre vetë të tjerë betimin për besnikëri. Por kjo përpjekje e tija kishte dështuar.
Në rrafshin kohor, kërkesa për t’iu bindur Jezidit dhe refuzimi i kësaj kërkese rradhiten të parat. Me vdekjen e Muavijes, Jezidi, bashkë me letrën ku lajmëronte për vdekjen e të atit, dërgoi edhe një letër tjetër në të cilën kërkohej që guvernatori i Medines të siguronte një premtim për besnikëri nga Imam Husejni (pqmt) dhe nga dy-tre personat e tjerë që s’e kishin bërë këtë gjë deri atëherë. Në atë kohë, populli i Kufes as që e kishte marrë lajmin e vdekjes së Muavijes.
Përveç kësaj, historia shkruan qartë se kur Imam Husejnit (pqmt) iu kërkua premtim për besnikëri, ai nuk e pranoi këtë gjë dhe në këtë mënyrë kaluan dy ose tri ditë. Në këtë afat kohor, kërkesa e tyre u përsërit, herë me fjalë të buta e herë me kërcënime nga më të ashprat. Më në fund, Imam Husejni (pqmt) u largua nga Medineja në ditën e 27-të të muajit Rexheb, për të arritur në Mekke në ditën e tretë të muajit Sha’ban. Ftesat e para nga populli i Kufes arritën në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit Ramazan. Pra, letrat e popullit të Kufes arritën tek Imam Husejni (pqmt), pasi kishte kaluar një muaj e gjysëm nga koha kur guvernatori i Mekkes i kishte kërkuar premtim për besnikëri dhe Imam Husejni (pqmt) e kishte refuzuar me vendosmëri këtë kërkesë.
Andaj është i gabuar mendimi se ishin letrat e Kufes që arritën të parat dhe u bënë shkak i nisjes së lëvizjes së Husejnit (pqmt), me ç’rast do të ishte krejt i kotë premtimi për besnikëri ndaj Jezidit, ndërkohë që populli i Kufes ishte rradhitur pas tij. Pra, a e refuzoi Imam Husejni (pqmt) kërkesën për t’iu bindur Jezidit, ngase populli i Kufes e kishte ftuar tashmë? Jo! Ai e refuzoi kërkesën e Jezidit në një kohë kur ftesa e popullit të Kufes as që ekzistonte. Kur i kërkuan që t’i bindej Jezidit, ai tha:
“Edhe sikur të mos më mbetet një vend për t’u strehuar në gjithë botën, s’kam për t’i shprehur besnikëri.”
Njësoj siç është shprehur qartë në histori faktori i ftesës së popullit të Kufes, është përcjellur edhe faktori i tretë, ai i urdhërimit të të mirës dhe i pengimit të të ligës. Që në çastin kur u nis nga Medineja, Imam Husejni (pqmt) lëvizi me këtë sllogan. Në këtë kontekst, mund të shohim se rebelimi i Imam Husejnit (pqmt) nuk buronte nga fakti se umajjadët i kishin kërkuar betim për besnikëri dhe ai s’kishte pranuar një gjë të tillë. Motivi i lëvizjes së tij ishte urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të ligës. Motivi i tij nuk ishte as ftesa e popullit të Kufes. Dy muaj para ftesave të tyre, Imam Husejni (pqmt) kishte thënë:
Të liga e kanë kapluar botën e Islamit. Unë po kryengritem për shkak të detyrës sime fetare dhe hyjnore.
Në kontekstin e faktorit të parë të lëvizjes së tij, gjegjësisht gjatë kërkesës për t’iu bindur Jezidit, Imam Husejni (pqmt) ishte në pozitë mbrojtjeje. Atij i kërkohej t’i shprehte besnikëri Jezidit por Imami nuk pranonte. Në faktorin e dytë, pra gjatë dërgimit të letrave nga populli i Kufes, Imam Husejni (pqmt) është personi prej të cilit kërkohet ndihmë. Ai ftohet për ta ndihmuar popullin e Kufes dhe përgjigjet pozitivisht. Në faktorin e tretë, atë të urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës, Imam Husejni (pqmt) është ai që sulmon. Në këtë kontekst, Imami është ai që e sulmon pushtetin e kohës dhe që e luan rolin e revolucionarit.
Që të tre këta faktorë ishin detyrues për Imam Husejnin (pqmt). Pikërisht për këtë arsye kemi thënë se lëvizja e tij kishte disa kuptime. Parë vetëm në kontekstin e faktorit të kërkesës për t’iu bindur Jezidit, Imam Husejni (pqmt) s’kishte detyrim tjetër veçse të mos i bindej atij. Dhe duke e parë sërish në këtë kontekst, edhe sikur të vepronte sipas fjalëve të Ibn Abbasit e të shkonte për t’u fshehur në zonat malore, Imami do ta kishte kryer sërish detyrën e tij. Për ta kryer këtë detyrën të tijën, ai s’kishte nevojë ta ftonte dikë që t’i bashkangjitej. Ai mund të thoshte thjesht: ata kërkuan bindje nga unë dhe nuk pranova. Ata kërkuan të më çnderonin dhe unë nuk pranova. Ai s’kishte për detyrë t’u kërkonte ndihmë njerëzve.
Por në rastin e ftesave të popullit të Kufes, Imami e kishte për detyrim të përgjigjej pozitivisht. Ftesat e tyre të shumta ishin një dëshmi e mjaftueshëm për ta bërë një detyrim mbi Imamin përgjigjen pozitive ndaj tyre.
Në lidhje me këtë çështje, dikush pyeti:
“Përse duhet të ketë një dëshmi të mjaftueshme për Imamin? A nuk mjafton pozita e tij si Imam?”
Jo! Pozita e Imamit nuk është një pozitë që s’ka përgjegjësi dhe detyrime ligjore, që të mund të themi se nuk ka nevojë për zhvillimin e kushteve të caktuara dhe për dëshmi të mjaftueshme për të vepruar. Siç dihet, në fjalimin e njohur me emrin “Shikshikije”, në lidhje me Kalifatin e tij, Imam Aliu (pqmt) thotë:
Betohem në Atë që e çan farën e që e krijon njeriun, se sikur të mos mblidhej ky popull e sikur të mos ishte besa që Zoti ka marrë nga dijetarët për ta penguar shtypjen e mizorëve dhe për t’i ushqyer të uriturit, unë do t’i hidhja përtej frerët e Kalifatit... (marrë nga përmbledhja “Nehxhul-Belaga”)
Me fjalët e tija, Imam Aliu nënkupton se sikur të mos ishte detyrë dhe përgjegjësi e tija, ai kurrë s’do të kishte dëshirë të bëhej Kalif.
E njejta vlen edhe për Imam Husejnin (pqmt). Pikërisht ngase është Imam, udhëzues dhe prijës i muslimanëve, sjelljet e tija mund të shihen si një mësim prej të cilit muslimanët mund ta mësojnë detyrën e tyre dhe mënyrën si duhet të sillen.
Po të shohim në kontekstin e ftesës së popullit të Kufes, do të duhet të pranojmë se Imam Husejni (pqmt) e kishte për detyrim t’i përgjigjej thirrjes së tyre, për sa kohë që ata ta mbanin premtimin e dhënë. Pasi ata e thyen premtimin e dhënë, Imam Husejnit (pqmt) nuk i mbetej kurrfarë përgjegjësie.
Megjithatë, detyra e Imam Husejnit (pqmt) nuk ishte e kufizuar me kaq. Ftesa e popullit të Kufes ishte një faktor kalimtar, i cili kishte filluar në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit Ramazan dhe kishte vazhduar deri në kohën kur Imam Husejni (pqmt) arriti në afërsi të Kufes, gjegjësisht në zonën kufitare ndërmjet Arabisë dhe Irak. Fill pas kësaj, Imami u ndesh me ushtarët e prirë nga Hurr bin Jezidi dhe e mori lajmin e vrasjes së Muslim ibn Akilit. Në këtë pikë, ftesa e popullit të Kufes pushoi së qeni një faktor dhe përgjegjësia e Imam Husejnit (pqmt) ndaj tyre mori fund.
Ky është shkaku përse Imami, gjatë bisedës me njerëzit nga Kufeja, kur tashmë tema nuk ishte Jezidi por populli i Kufes, pra ata përkrahës të pabesë, thoshte:
“Ju më ftuat dhe unë erdha. Nëse nuk më doni tani, unë do të kthehem.”
Pra ju më ftuat dhe përgjigja ndaj thirrjes suaj ishte një detyrim mbi mua. Por tani që jeni penduar që më thirrët, unë do të kthehem prapa. A do të thoshte kjo se Imam Husejni (pqmt) do t’i shprehte besnikëri Jezidit pas kësaj? Kurrsesi! Ajo është një çështje krejt tjetër, për të cilën ai tashmë e kishte qartësuar pozitën e tij me fjalët:
“Edhe sikur të mos mbetet një vend i vetëm në gjithë botën ku të strehohem, unë s’kam për t’i shprehur besnikëri.”
Nëse këto rrethana, pra kohën pasi kufasit e tërhoqën përkrahjen e tyre, i shohim në kontekstin e urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës, do të shohim se Imami më nuk është një njeri në mbrojtje dhe nuk është as një njeri prej të cilit kërkohet ndihmë. Në këtë kontekst, ai është një sulmues revolucionar.
Njëri nga gabimet e Salihi Nexhef Ebadiut, autorit të veprës “Shehid-i Xhavid” (Dëshmori i pavdekshëm), për mendimin tim, është theksi i tepërt që i bën ftesës së kufasve. Në librin e tij, ai e prezanton ftesën e popullit të Kufes thuase si shkakun kryesor dhe esencial të lëvizjes së Imam Husejnit (pqmt). Ky është intepretimi i tij, i cili mund të jetë edhe i gabuar. Pikërisht si të tillë e konsideroj këtë mendim, pra si një interpretim të gabuar.
Për mendimin tim, në mesin e të gjithë faktorëve që sollën deri në lindjen e lëvizjes së Imam Husejnit (pqmt), letrat e popullit të Kufes ishin faktori më i parëndësishëm. Po të ishin këto letra një faktor aq i rëndësishëm dhe esencial, atëherë me të kuptuar se populli i Kufes e kishte tradhëtuar, Imam Husejni (pqmt) do të duhej të hiqte dorë edhe nga fjalët e tjera të tij, t’i shprehte besnikëri Jezidit dhe të mos fliste më për urdhërimin e të mirës dhe pengimin e të ligës. Por siç shihet nga ngjarjet që vijuan, ndodhi krejtësisht e kundërta.
Fjalimet më të zjarrta të Imamit ishin ato që u mbajtën pas “rrënies” së Kufes. Kjo vetëm tregon se sa shumë rëndësi i kushtonte Imam Husejni (pqmt) faktorit të urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës. Ai u ngrit kundër një shteti dhe sundimi të devijuar. Kur të shihet nga ky këndvështrim, Imam Husejni (pqmt) ishte revolucionari që e sulmonte një pushtet të devijuar.
Gjatë rrugës, Imam Husejni (pqmt) pa dy vetë që vinin nga drejtimi i Kufes. Ata të dy, pasi kuptuan se para tyre ishte Husejni (pqmt), ndryshuan rrugë. Me të kuptuar se ata nuk dëshironin të flisnin me të, Imam Husejni (pqmt) vazhdoi me rrugën e tij. Pak më vonë, një ndjekës i Imam Husejnit (pqmt), i cili kishte mbetur prapa karavanit, u takua me ta. Dy burrat ia dhanë lajmin e vrasjes së Muslimit dhe Haniut në Kufe dhe shtuan se u kishte ardhur turp t’ia përcillnin këtë lajm Imam Husejnit (pqmt).
Kur e arriti karavanin e Husejnit (pqmt) ky ndjekës i tij iu afrua Imamit dhe i tha: “Kam një lajm për ju, të cilin do t’jua shpreh ashtu si të urdhëroni. Nëse dëshironi, mund t’jua tregoj në një takim mes neve dyve.” Imami i kërkoi që ta tregonte menjëherë lajmin dhe ai vazhdoi:
“Unë u takova me ata dy vetë, me të cilit ju deshët të flisni dje por ata ndryshuan rrugën. Ata më lajmëruan se Kufeja ra dhe se Muslimi dhe Haniu u vranë.”
Me ta marrë këtë lajm, Imamit iu mbushën sytë me lot. Por fjalët e tija duhet të vëzhgohen me kujdes. Ai e recitoi vargun në vijim:
“Në mesin e besimtarëve ka të tillë që e mbajnë fjalën e dhënë Zotit. Disa prej tyre e plotësuan premtimin e ca të tjerë presin në rradhë, pa ndryshuar.” (Kur’an 33:23)
Për një rast të tillë, s’ka ndonjë varg më të përshtatshëm nga Kur’ani sesa ky. Imami e bënte të qartë se ata nuk ishin nisur vetëm për Kufen. Kufeja mund të kishte rënë por lëvizja e tyre nuk kishte filluar vetëm me ftesat e popullit të Kufes. Kjo ishte vetëm njëra nga arsyet e lëvizjes së Imamit nga Mekkeja drejt Kufes por ai kishte detyra shumë më të mëdha se kaq. Muslimi e kishte mbajtur premtimin e dhënë Zotit dhe kishte rënë dëshmor. Tani kishte ardhur rradha që edhe të mbeturit ta ndanin këtë fat të njejtë.
Ky mentalitet i Imamit, duke qenë një mentalitet sulmues dhe revolucionar, është shumë i ndryshëm nga mentaliteti i atij që mbrohet dhe që pret ndihmë. Mentaliteti i një njeriu në mbrojtje është si ai i personit që e mbron pronën e tij përballë një vjedhësi. Shumë njerëz, ndonse janë më të fuqishëm se vjedhësi, do të iknin në një rast të tillë, duke e marrë me vete pronën e tyre. Këtu nuk bën kurrfarë dallimi fuqia ose dobësia fizike e personit. Qëllimi i vetëm është mbrojtja e pronës. Por mentaliteti i një njeriu që sulmon nuk është i tillë. Një njeri sulmues nuk mendon për veten e tij dhe është i gatshëm ta shkatërrojë armikun, qoftë edhe sikur të duhet të paguajë me jetën e tij për këtë gjë.
Ishte, pra, pikërisht logjika e urdhërimit të të mirës dhe e pengimit të të keqes, që e bën mentalitetin e Husejnit (pqmt) një mentalitet prej dëshmori, i cili është përtej çdo mentaliteti tjetër.
Logjika e dëshmorit është logjika e personit i cili kërkon t’i përcjellë një porosi popullit të tij. Një porosi, të cilën dëshiron ta shkruajë vetëm me gjakun e vet. Shumë vetë kanë lënë prapa porosi për njerëzit. Në gërmimet arkeologjike që bëhen nëpër botë, shpesh gjenden copa guri mbi të cilat janë shkruar gjëra të ndryshme nga ana e sunduesve të kohës. Shumë shpesh, në to shkruhen bëmat ose jeta e një njeriu, ku ai flet për gjërat që ka bërë. Fjalët shkruhen mbi gurë të ndryshëm që të mos humben asnjëherë. Por ndonse mbeten të shkruara mbi gurë, këto fjalë harrohen nga njerëzit dhe varrosen nën tokë. Ndoshta mijëra vite më pas, këta gurë zhvarrosen dhe pastaj vendosen nëpër muze.
Përkundër kësaj, porosia e gjaktë e Imam Husejnit (pqmt) u shkrua mbi faqet prej ajri të Qerbelasë. Dhe mbase për shkak se u shkruan me gjak, këto fjalë menjëherë gjetën vend në zemrën e njerëzve.
Sot i shohim miliona arabët dhe joarabët në botë, të cilët e dinë përmendsh thënien:
"Për mua është lumturi vdekja dhe turp jeta me mizorët”.
Pra, vdekja është mijëra herë më e mirë se jeta me turp dhe me mizorët, vetëm për hir të një fitimi më të mirë dhe për të siguruar pak më tepër florinj. Kjo është porosia e dëshmorit.
Në këtë pikë, Imam Husejni (pqmt) kalon në sulm dhe logjika e tij është logjika e dëshmorit. Kur e shkroi porosinë e tij në shkretëtirën e Qerbelasë, ai s’kishte as fletë dhe as ndonjë pendë. Husejni (pqmt) i kishte vetëm “fletët” prej ajri përeth vetes. Por si mbeti kaq e përjetshme kjo porosi dhe kaq e fuqishme nëpër shekuj? Arsyeja e kësaj mbijetese ishte fakti se kjo porosi mbeti e shkruar në zemrat e njerëzve, në një mënyrë që nuk mund të shlyhej më.
Çdo vit, kurdo vjen muaji Muharrem, shohim se Imam Husejni (pqmt) lind nga e para. Është sikur ai ringjallet dhe i thotë nga e para fjalët e tija:
“Vdekja është e pashmangshme për njeriun. Njësoj si gjurmët e gjerdanit mbi qafën e një vashe.”
Dhe sërish e dëgjojmë tek thotë:
Dijeni se ai “zinazade” (fëmijë i lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore; mendohet për Ubejdullah ibn Zijadin), djalë i një “zinazadeje” më ka detyruar të zgjedh ndërmjet dy gjërave: ose shpatën e nxjerrë nga milli, në një luftë ku do të bie dëshmor ose turpërimin duke iu bindur vullnetit të tij, që të veprojë me mua ashtu si të ketë dëshirë. Por çnderimi dhe turpërimi nuk janë për ne. Zoti nuk do që ne të turpërohemi e të çnderohemi. Profeti dhe besimtarët nuk lejojnë një gjë të tillë. Ne jemi rritur në prehër të nënave të pastra...
Dhe ndonse ndodhej përballë tridhjetë e pesë mijë ushtarëve të armatosur deri në dhëmbë e ndonse i shihte të afërmit dhe ndjekësit e tij tek vriteshin prej tyre për ta lënë atë krejt të vetëm, ai thirrte me plot fuqi: Ky zinazade djalë i një zinazadeje, ky mëkatar bir mëkatari, pra ky prijësi juaj, ky Ubejdullahu i Zijadit më ka dërguar porosi se Husejni duhet të zgjedhë ndërmjet vdekjes dhe nënshtrimit me turp. A thua Husejni do ta pranojë turpin? Ne s’kemi për t’u nënshtruar para tyre. Zoti ynë s’do një gjë të tillë.
Kjo është porosia e dëshmorit. Zoti im nuk e pranon turpërimin. Profeti im nuk e pranon turpërimin. Besimtarët e botës, njerëzit e pastër dhe të sinqertë, sot dhe nesër, nuk pranojnë që Husejni i tyre të nënshtrohet. A duhet t’i dorëzohem turpërimit? Unë jam rritur pranë Aliut. Unë jam edukuar pranë Fatimesë. A thua ne mund t’i dorëzohemi turpërimit?
Imam Husejni (pqmt) ishte në sulm që në ditën që u nis nga Medineja. Në letrën që ia shkroi të vëllait Muhammed ibn Hanefijjes, ai thotë:
Kjo lëvizje e imja nuk është për shkak të kokëfortësisë, nuk është për t’u rebeluar dhe nuk është për shkak të nxitjeve të Djallit. Nuk është puna e imja të krijoj trazira ose ta shtyp dikë.E vetmja gjë që më detyroi ta ndërmerrja këtë veprim është reformimi i ndjekësve të gjyshit tim, shkatërrimi i korrupsionit, urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të keqes, duke e ndjekur traditën e gjyshit tim të Dërguarit të Zotit dhe të babait tim Aliut.
Në këtë letër, Imam Husejni (pqmt) nuk thotë se ishte kryengritur për shkak se nuk pranonte t’i bindej Jezidit ose për shkak të ftesave të popullit të Kufes. Asokohe, as që kishte ardhur ndonjë ftesë nga Kufeja. Nëpërmjet kësaj logjike, pra nëpërmjet logjikës së sulmit dhe logjikës së dëshmorit, Imami kishte bërë shumë gjëra, të cilat ishin të pamundura për t’u bërë me një logjikë tjetër. Përse e themi këtë?
Sikur logjika e Imamit të ishte ajo e mbrojtjes, në natën para Ashura-së, kur e shpalli të pavlefshme besëlidhjen me ndjekësit e tij (për t’u lënë të vendosnin vetë si do të vepronin) dhe u lejoi të gjithëve të largoheshin, ai do të duhej t’i qortonte sapo ata i thanë se do të qëndronin me të deri në fund. Ai do të duhej t’u thoshte se nuk është e lejuar që ata të ecnin drejt vdekjes aty, sepse në fund të fundit, ushtria e kërkonte vetëm kokën e Husejnit (pqmt). Po të ishte logjika e tij ajo e mbrojtjes, ai do të duhej t’i përzinte të gjithë ndjekësit e tij.
Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Në logjikën e një njeriu revolucionar dhe sulmues, pra në logjikën e një njeriu që dëshiron ta shkruajë me gjak porosinë e tij, përhapja sa më e madhe e saj është një gjë e dëshirueshme. Po kështu, edhe kur familja e Imamit e shprehu gatishmërinë për t’i qëndruar pranë, ai u lut për ta, në vend që t’i qortonte për këtë vendim dhe t’i përzinte.
Përse mendoni se Imami, në natën para betejës e dërgoi Habib bin Mezahirin tek fisi i tij, që të gjente burra që do t’u bashkangjiteshin? Fundja sa burra mund të kishte fisi Beni Esed? Të supozojmë se Habibi shkoi dhe solli njëqind burra. Çfarë mund të bënin ata përballë tridhjetë mijë ushtarëve? A thua mund ta ndryshonin gjendjen? Dihet që jo. Qëllimi i Husejnit (pqmt) ishte që, nëpërmjet logjikës së sulmuesit, efekti i kësaj ndodhie të përhapej sa më tepër. Kjo ishte edhe arsyeja përse e solli me vete edhe familjen e tij, e cila do ta bartte një pjesë të porosisë së Husejnit (pqmt).
Kur gjendja kishte arritur në këtë pikë, Imam Husejni (pqmt) po jepte një mund të jashtëzakonshëm për ta rritur efektin e ngjarjes dhe për të siguruar se fara që do të mbillte në Qerbela, do të mbetej përjetësisht mbi botë.
Tani t’i shohim këta tre faktorë, gjegjësisht refuzimin e kërkesës për t’iu bindur Jezidit që i jep kësa lëvizjeje një karakter mbrojtës, ardhjen e letrave nga Kufeja që e vendos Imamin në pozitën e ndihmuesit dhe urdhërimin e të mirës dhe pengimin e të ligës, i cili i jep lëvizjes një karakter sulmues! Cili nga këta faktorë është më i rëndësishëm? Është më se e qartë se ata nuk janë të barazvlefshëm, ndonse s’mund të mohohet se secili faktor e ka një peshë të veten.
Si një faktor, ftesat e popullit të Kufes janë të një rëndësie të veçantë. Por edhe përkundër kësaj, refuzimi përballë kërkesës për ta njohur Jezidin si Kalif dhe gatishmëria e Imamit për të shkuar drejt vdekjes po të duhej, është një faktor më i rëndësishëm sesa ftesat e kufasve.
Megjithatë, faktori më i rëndësishëm në mesin e këtyre tre faktorëve, mbetet ai i urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës, i cili i ka shtuar më së shumti vlerë kësaj lëvizjeje. Tani do të shpjegoj diçka të shkurtër në lidhje me rëndësinë që ky faktor mund t’i shtojë një revolucioni dhe në lidhje me rëndësinë që Husejni (pqmt) dhe ndjekësit e tij i jepnin këtij faktori.
Qoftë në aspektin material dhe qoftë në aspektin shpirtëror, ka shumë gjëra që janë të vlefshme për njeriun. Pozita dhe postet e ndryshme, veçanërisht kur janë pozita shpirtërore, janë një nder dhe lumturi për njeriun dhe e rrisin vlerën e tij. Shumë shpesh madje, edhe gjërat materiale që janë një simbol i kësaj pozite të lartë shpirtërore, mjaftojnë për t’ia rritur vlerën.
Një shembull është veshja e dijetarëve fetarë. Është e vetëkuptueshme se njeriu nuk bëhet dot dijetar vetëm duke i veshur rrobat e dijetarit. Veshja e rrobave të tilla nuk dëshmon domosdo se personi që i ka veshur është ndonjë njeri i virtytshëm dhe i ditur. Të jesh dijetar, do të thotë të veprosh sipas diturive dhe ligjeve islame. Në këtë rast, rrobat janë vetëm një shenjë e kësaj mënyre të jetesës dhe janë një nder për ata që e njohin të vërtetën dhe esencën e përshpirtshmërisë. Njerëzit si unë nuk meritojnë të mbajnë rroba të tilla. Ju nuk më njihni mua. Por kur të më takoni në ndonjë vend dhe të më shihni me rrobat e dijetarit, ju menjëherë do t’i tregoni respekt dijetarisë që simbolizojnë këto rroba. Kjo tregon se rrobat e tilla janë një krenari për personin që i vesh. Kur dikush i vesh ato, ndjehet krenar. Njësoj si stolitë për një grua.
Në një revolucion, të gjithë faktorët i shtojnë vlerë atij. Siç dihet, ka shumë lloje të revolucioneve dhe në këtë rreth, kur një revolucion ka një shpirt besimi dhe vendosmërie ose kur ka një shpirt atdhedashurie, kjo konsiderohet si një vlerë e tij. Megjithatë, vlera e një revolucioni është shumë më e madhe kur ai revolucion ka një dimension hyjnor, shpirtëror dhe njerëzor.
Dhe kur flasim për revolucionin e Imam Husejnit (pqmt), duhet të pranojmë se që tre faktorët që kemi përmendur i kanë shtuar shumë vlerë atij. Këtu në veçanti duhet të theksohet faktori i tretë, domethënë ai i urdhërimit të të mirës dhe i pengimit të të keqes, si një faktor që ia ka shtuar mjaft vlerën revolucionit të Husejnit (pqmt). Por shumë herë, njeriu të cilit i mveshet një vlerë e caktuar, arrin një pozitë aq të lartë, sa ai fillon t’i japë vlerë vlerës në fjalë. Kur një dijetar mbathet me rrobat e dijetarit, kjo është një nder për të dhe ai krenohet që ia kanë mbathur ato rroba. Por ka edhe shumë raste kur ndonjë dijetar arrin nivele aq të larta në përshpirtshmëri, në dituri e në virtyte, sa ai vetë bëhet një krenari dhe nder për ato rroba.
Ka mjaft shembuj në lidhje me këtë. Dikush mund të pyesë për shembull se ç’është kjo xhybe që kam veshur dhe ne do t’i themi se është një veshje e cila respektohet dhe nderohet nga të gjithë muslimanët. Edhe dijetarët e mëdhenj si Ibn Sina-ja i janë veshur kështu.
Sot arabët thonë se Ibn Sina u takon atyre ngase shkruante në arabisht. Iranianët e thonë të njejtën ngase ai jetonte në Balkh dhe Balkhu ishte pjesë e tokave iraniane asokohe. Në anën tjetër, rusët thonë se u takon atyre vetëm ngase kjo krahinë sot i takon Rusisë. Ibn Sina është bërë një njeri me të cilin të gjithë krenohen sot. I tillë është edhe Ebu Rejhan Biruniu.
Pikërisht për të tillët mund të thuhet se ishin krenari për rrobat e dijetarit. Personat si Ibn Sina, Biruniu, Nasiruddin Tusiu dhe të tjerë, u nderuan me rrobat e dijetarit dhe më pas ata vetë i nderuan këto rroba. E njejta vlen edhe për profesorët e universitetit ose për rrobat e mjeshtërve dhe zejtarëve të ndryshëm. Kështu janë edhe stolitë për një grua dhe e zbukurojnë atë. Por ka gra me fytyra aq të bukura, sa fytyra e tyre bëhet një stoli për rrobat që i mbajnë veshur.
Nga ndjekësit e Imam Aliut (pqmt) ishte edhe një njeri i quajtur Sa’saa ibn Suhan el-Abdi. Ai ishte një njeri i afërt dhe i besueshëm i Imamit, i cili njihej edhe si gojëtar i famshëm. Në lidhje me të, letrari i famshëm Xhahizi thotë:
Sa’saa ishte një gojëtart i mirë. Njëra nga dëshmitë e kësaj aftësie të tij është fakti se herë pas herë, vetë Ali ibn Ebu Talibi i kërkonte të mbante fjalime. Sa’saa është njeriu që e ka mbajtur atë fjalim të famshëm dhe të dhimbshëm mbi varrin e Imam Aliut (pqmt).
Kur Imam Aliu (pqmt) u zgjodh si Kalif i muslimanëve, gjatë përgëzimit të tij, Sa’saa ibn Suhani tha disa fjalë shumë kuptimplote. Ai qëndroi përpara Aliut (pqmt) dhe i tha:
Ti e stolise Kalifatin dhe jo Kalifati ty. Ti e lartësove atë dhe jo ai ty. Kalifati ka më tepër nevojë për ty nga ç’ke ti për të.
Këto dy-tri fjali janë të vlefshme sa një shkrim prej dhjetëra faqesh. Ai dëshiron të thotë: “O Ali! Unë nuk po të përgëzoj ty që je bërë Kalif. Po e përgëzoj Kalifatin që të është dhënë ty. E përgëzoj Kalifatin ngase ti je bërë Kalif.” Kjo e vërtetë nuk mund të shprehej më bukur.
Që të kthehemi tek lëvizja e Imam Husejnit (pqmt), dua të them se faktori i urdhërimit të të mirës dhe i pengimit të të ligës ishte vërtet një faktor që e lartësoi revolucionin e Husejnit (pqmt). Por në anën tjetër, ishte Husejni (pqmt) ai që e praktikoi këtë princip në një mënyrë që do ta lartësonte vetë principin e urdhërimit të të mirës dhe të pengimit të të ligës. Ishte Husejni (pqmt) që e stolisi këtë princip.
Gjithkush mund të thotë se vepron sipas këtij principi. Siç e dimë, edhe Imam Husejni (pqmt), në fillim të lëvizjes së tij, e tha këtë gjë dhe pa dyshim, ky princip e lartësoi lëvizjen e Husejnit (pqmt). E njejta ndodh edhe me Islamin. Islami është një krenari dhe nder për muslimanët. Por ka edhe muslimanë të tillë, të cilët janë një krenari për Islamin dhe janë nder për të. Shumë shpesh thuhet se filani ishte krenaria e Islamit. Por një titull të tillë nuk e meriton gjithkush. Nëse dikush e thotë këtë në lidhje me mua për shembull, dijeni se është gënjeshtër. Si mund të them unë se jam nderi i Islamit? Si mund të guxoj të them se unë jam një krenari për Islamin?
Por kjo gjë mund të thuhet lirisht për Husejn ibn Aliun (pqmt). Husejni (pqmt) ishte ai që i fali nder dhe e lartësoi principin e urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës. Ai i dha karakter këtij principi, i cili u fal karakter muslimanëve. Dhe kur e them këtë, nuk e them nga mendja ime. Zoti thotë:
Ju jeni populli më i mirë i ardhur në mesin e njerëzve. E urdhëroni të mirën dhe të ligën e pengoni...(Kur’an 3:110)
Shiheni sa shprehje tërheqëse ka Kur’ani! Ai nuk thotë “ju ishit” por thotë qartë “ju jeni”. Por ç’mund të jetë vallë ajo që na ka falur neve si muslimanë një status të tillë? Zoti thotë qartë në vijim të këtij vargu se ne do të jemi populli më i mirë përderisa e urdhërojmë të mirën dhe e pengojmë të ligën. Është ky princip që i shton vlerë shoqërisë muslimane dhe pikërisht derisa e mban gjallë këtë princip, shoqëria muslimane do të jetë më e mira e shoqërive që kanë jetuar ndonjëherë. Dhe a do ta humbim vallë vlerën nëse nuk e respektojmë këtë princip? S’ka dyshim se po.
Për dallim nga ne, Imam Husejni (pqmt) ka qenë ai që nuk është lartësuar nga ky princip, por përkundrazi, e ka lartësuar atë.
Po ta shohim popullin e rëndomte, do të shohim se në ç’mënyrë praktikohet ky princip. Njerëzit zakonisht e përdorin atë në disa gjëra shumë sipërfaqësore. Nuk dua të them se janë gjëra të gabuara por do të ishte më mirë sikur ky princip të përdorej në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të saktë. Nuk është e gabuar kur ta këshillosh një burrë që ta heqë unazën prej ari nga gishti i tij (ngase unaza e artë është e ndaluar për meshkujt) por është e gabuar kur urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të ligës të kufizohet në gjëra si unaza, rrobat ose mjekrra.
Një ditë kam dëgjuar në lidhje me një njeri të zemëruar, i cili fliste për një person të tretë dhe e ofendtonte e akuzonte atë aq shumë, sa filloi ta quante jobesimtar e të devijuar. Kur e pyetën përse e bënte këtë dhe përse e konsideronte atë një njeri të devijuar dhe të mallkuar, ai u përgjigj: “Ngase gjithnjë vesh këmishë me jakë.”
Kur pengimin ynë i të ligës të bjerrë në këtë nivel, atëherë ne s’bëjmë tjetër veçse ia rrëzojmë nivelin vetë principit. Njësoj si në Arabinë Saudite, ku praktikimi i këtij principi s’bën tjetër veçse ia rrëzon nivelin atij. Në këtë shtet, njerëzit janë rrahur me kamxhikë vetëm ngase e kanë prekur ose puthur varrin e të Dërguarit të Zotit. Ky është realiteti ynë.
Dhe duke e patur këtë parasysh, shiheni Husejnin, i cili gjatë praktikimit të këtij principi, kishte kujdes për të gjitha rregullat e Islamit dhe qëndronte larg çdo të lige. “E liga më e madhe për Islamin është Jezidi”, thoshte ai dhe vazhdonte:
“Betohem se Imam i vërtetë është vetëm ai që vepron sipas Librit të Zotit, që e repsekton drejtësinë dhe e ndjek vetëm fenë e Tij.”
Imam Husejni (pqmt) me një vendosmëri të palëkundur dhe me sinqeritet, sakrifikoi gjithçka që kishte për hir të këtij ideali. Me vdekjen e tij, ai e stolisi principin e urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës dhe anasjelltas, ky veprim ia rriti lavdinë vdekjes së tij.
Që nga dita e parë e nisjes nga Medineja, ai foli pa ndaluar për bukurinë e vdekjes. Por kurrë nuk tha se çdo vdekje është e bukur. Për të, e bukur ishte vdekja në rrugën e të Vërtetës. Një vdekje e tillë është një stoli për njeriun.
Një shprehje më e qartë e kësaj janë poezitë që i recitoi gjatë rrugës për në Qerbela. Këto poezi mund të jenë të vetë Husejnit (pqmt) ose të babait të tij, Ali ibn Ebu Talibit (pqmt). Në njërën prej tyre, ai thotë:
Në është e çmuar bota në sy të disave
Dije se Shtëpi’ e Zotit është më e çmuar ende
E pasuria në mblidhet për ta lënë njëherë e mirë
S’ka koprrac pse të jetë njeriu i lirë
E në janë bërë trupat për të vdekur një ditë
S’ka gjë më të bukur se t’vdesësh n’rrugë të Zotit...