Si të kuptohet Qerbelaja?
Sejjid Muhammed Husejn Fadlallah
09.01.2011

Teksti në vijim është një fjalim i Sejjid Muhammed Husejn Fadlallahut, merxha1 dhe dijetar i mirënjohur musliman. Fjalimi u mbajt në ceremoninë përkujtimore të rastit të Qerbelasë, në muajin Muharrem të vitit 1430 pas Hixhrit (29 Dhjetor 2008).


Përmbajtja:

A u kryengrit Imam Husejni vetëm për t’u vrarë?

Përgjegjësia për të bërë ndryshime

Përcaktimi i qëllimit përfundimtar

Mentaliteti i vajtimit

Guximi i Husejnit

Zejnebja: shembulli i përsosur

Shembulli i Husejnit dhe përgjegjësia e shoqërisë muslimane

Ndjekja e reformave dhe përballja me devijimet

Traditat e prapambetura

Qerbelaja: një pasuri emadhe njerëzore


Ka shumë çështje në lidhje me ngjarjen e Qerbelasë, në lidhje me lëvizjen e Imam Husejnit në përgjithësi dhe në lidhje me metodat e ndjekura nga “vajtuesit” gjatë rrëfimit të kësaj ndodhie, të cilat janë shumë larg metodës shkencore të të lexuarit të historisë. Kjo ndodh veçanërisht kur bëjmë fjalë për tekstet dhe thëniet kontradiktore që përcillen dhe për të cilat njerëzit kanë këndvështrime të ndryshme.


A u kryengrit Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) vetëm për t’u vrarë?


Ky kaos i rrëfimeve historike në lidhje me ngjarjen e Qerbelasë ua hap derën atyre që u pëlqen të krijojnë tradita të ndryshme, të cilat s’kanë të bëjnë fare me natyrën e vërtetë dhe me kujtimin e trashëguar në lidhje me rrugën e Ehl-i Bejtit të Profetit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij). Mund të shohim për shembull, se disa prej tyre kanë krijuar dhe po krijojnë tradita të ndryshme gjatë Ashurasë, të cilat mësuesi ynë Sejjid El-Khoui2, ndjesë pastë, i quante “dhunim të shenjtërisë” së shkollës shiite, ngase gjërat e tilla e prishin imazhin e rrugës së Ehl-i Bejtit që në të vërtetë nuk është tjetër veçse vija më autentike e Islamit.


Shi për këtë arsye, shumë gjëra duhet të diskutohen. Ai ishte vallë lëvizja e Imam Husejnit (pqmt) e përqëndruar në rënien dëshmor? A u kryengrit Imam Husejni (pqmt) vetëm për t’u vrarë? A ishte vallë qëllimi i vetëm i kësaj lëvizjeje që në një pikë të caktuar, ai të vritej bashkë me fëmijët, ndjekësit dhe familjen e tij? A ishte rënia dëshmor qëllimi i tij i vetëm?


Disa klerikë, gjatë përkujtimit të ndodhisë së Qerbelasë, përmendin disa thënie, për të cilat pretendojnë se i takojnë Imam Husejnit (pqmt). Në njërën prej tyre, përcillet se Imam Husejni (pqmt) ka thënë:


“Më duket sikur e shoh trupin tim tek copëtohet nga bishat e egra të shkretëtirës ndërmjet Nevevisit dhe Qerbelasë.”


Përveç kësaj, përcillet se një natë, Imam Husejni (pqmt) fjeti pranë varrit të të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe e pa në ëndërr atë. Sipas këtij rrëfimi, ai iu lut të gjyshit që ta merrte nga kjo botë, duke i thënë:


“O gjysh! Të lutem të më marrësh në varrin tënd! S’kam dëshirë të kthehem në këtë botë të ligë.”


Sërish sipas asaj që përcillet, i Dërguari (pqmtmft) i tha:


“I dashur Husejn! Ka disa grada që s’arrihen veçse duke rënë dëshmor.”


Ka edhe rrëfime të tjera, sipas të cilave, kur vëllai i Husejnit (pqmt), Muhammed ibn Hanefijje bisedoi me të në lidhje me lëvizjen e tij, Imam Husejni (pqmt) iu përgjigj:


“Zoti dëshiron të më shohë të vrarë.” Muhammedi e pyeti: “Përse i merr me vete gjithë këto gra atëherë?” Imami tha: “Zoti dëshiron t’i shohë ato të robëruara.”


Si mund vallë të studiohen në mënyrë shkencore këto thënie ose të përshtaten me karakterin e Imam Husejnit (pqmt), i cili ishte një njeri që e kish marrë përsipër Imamatin dhe rolin e tij në rikthimin e realitetit islam në gjendjen, në të cilën kishte qenë gjatë jetës së Profetit (pqmtmft)?


Imamati përfaqëson Islamin aktiv, të cilin Imamët e bartën si një porosi që duhej t’u përcillej njerëzve dhe me të cilën ata duhej të vepronin për ta kthyer realitetin e shthurrur në rrugën e drejtë islame. Po të ishte kryengritur Imam Husejni (pqmt) vetëm për të rënë dëshmor, përse u largua nga Mekkeja, ndonse e dinte se do të vritej edhe sikur të fshihej pas mbulesës së Qabes? A është vallë vetëm ngase nuk donte që armiku ta dhunonte shenjtërinë e Qabes ose vallë kishte edhe ndonjë arsye tjetër?


Përgjegjësia për të bërë ndryshime


Tani do të përcjellim disa fjalë, për të cilat rrëfehet se u thanë nga Imam Husejni (pqmt) gjatë largimit nga Mekkeja. Më pas, mund të bëjmë një krahasim ndërmjet tyre dhe karakterit të Imamit. Sipas asaj që përcillet, Imam Husejni (pqmt) tha:


O njerëz! I Dërguari ka thënë se kushdo që sheh dhe nuk e kundërshton një tiran shtypës që e shpall të lejuar atë që Zoti e ka ndaluar, i thyen Ligjet e Tija, s’e ndjek traditën e Profetit dhe i shtyp adhuruesit e Zotit, le ta dijë se do të trajtohet nga Zoti njësoj si ky tiran.


Një person përgjegjës, posaçërisht nëse e mban përsipër detyrën e Imamit, nuk mund të mbetet i heshtur përballë rrethanave të tilla ku sundon një udhëheqës tiran. Detyrë e një Imami të tillë do të ishte gjithnjë që të reagonte për ta ndryshuar këtë status quo. Këtu duhet të theksojmë se thëniet e të Dërguarit të Zotit (pqmtmft) përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të prodhuar dëshmi se sunduesit shtypës duhet të kundërshtohen, përkundër idesë së disa juristëve muslimanë që kanë thënë se muslimanët duhet domosdo t’i binden sunduesit të tyre edhe sikur të jetë shtypës dhe i padrejtë.


Në vazhdim të fjalimit të tij, Imam Husejni (pqmt) flet për aktualitetin dhe e vë në praktikë teorinë e mishëruar në thënien e sipërpërmendur të të Dërguarit të Zotit (pqmtmft), duke thënë:


Duhet ta dini se këta njerëz janë ndjekësit e djallit, të cilët i zbatojnë urdhrat e tij dhe nuk i shfaqin mosbindje. Po aq sa i binden djallit, ata kanë shfaqur mosbindje ndaj Zotit dhe kanë filluar të bëjnë krime haptazi dhe t’i largojnë dënimet e caktuara nga ligji hyjnor. Ata e morën për vete pasurinë e muslimanëve dhe e shpenzuan për qejfet e tyre. Ata i shpallën të lejuara gjërat që i ndaloi Zoti dhe të ndaluara ato gjëra që Ai i ka lejuar. Tani që i kanë krijuar këto kushte, kush tjetër përveç meje mund të jetë më shumë përgjegjës për t’i ndryshuar dhe për t’i larguar shkaqet e devijimit të muslimanëve?


Në këtë fjalim të vetin, Imam Husejni (pqmt) u drejtohet njerëzve dhe u thotë qartë se qëllimi i veprimit të tij ishte ndërrimi i sunduesit dhe reformimi i atij devijimi aktual, i cili kishte bërë që sundimi të mbetej në duart e një njeriu të tillë.


Nga ky fjalim mund të kuptohet lehtë se lëvizja e Imam Husejnit (pqmt) ishte para se të gjithash, një lëvizje reformatore. Ai nuk u largua nga Mekkeja thjesht për të rënë dëshmor.


Imam Husejni (pqmt) thoshte se gjendja e atëhershme e shoqërisë muslimane nuk ishte aspak islame dhe se ai do të vepronte pikërisht për ta sjellur atë në një trajtë më të përshtatshme me Islamin. Islami ishte amaneti që Zoti ia kishte lënë si përgjegjësi Imamit. Ai e kritikonte gjendjen aktuale të shoqërisë muslimane dhe thoshte se sunduesit abuzonin me pasurinë e muslimanëve dhe e ndanin atë ndërmjet veti.


Për ta kuptuar qëllimin e Imam Husejnit (pqmt) vlen të përmendet edhe fjalimi i vijues i tij:


Për Zotin unë s’u ngrita kundër sundimit tiran të umajjadëve për shkak të egozmit ose për të shtypur dikë e për të plaçkitur. Unë u ngrita që t’i reformoja ndjekësit e gjyshit tim, ta urdhëroja të mirën dhe ta ndalja të ligën. Kushdo që e pranon thirrjen time, jo për hir të asaj që jam por për hir të të vërtetës, le ta dijë se Zoti është më i madh se e vërteta. Kushdo që s’e pranon, le ta dijë se unë kam për të pritur me durim, derisa Zoti të gjykojë ndërmjet meje dhe atyre. Vërtet Ai është Gjykuesi më i mirë.


Në këtë fjalim, Imami konfirmon se lëvizja e tij ka për qëllim ta reformojë shoqërinë muslimane, sepse është njëra nga detyrat e Imamit që ta rikthejë në rrugë të drejtë çdo devijim të shoqërisë.


Përcaktimi i qëllimit përfundimtar


Për më tepër, këto fjalë tregojnë se Imam Husejni (pqmt) nuk e nisi lëvizjen e tij me qëllime ushtarake. Ai thotë qartë: “Kushdo që s’e pranon, le ta dijë se unë kam për të pritur me durim, derisa Zoti të gjykojë ndërmjet meje dhe atyre. Vërtet Ai është Gjykuesi më i mirë.” Ai reagoi në mënyrë paqësore, njësoj siç kishte vepruar gjyshi i tij para shpërnguljes në Medine, duke u folur njerëzve me urtësi, me fjalë të buta dhe me këshilla. Zoti thotë:


Është nga mëshira e Zotit që ti sillesh butë me ta. Po të ishe i ashpër e zemërgur, s’ka dyshim se ata do të shpërndaheshin sakaq...(Kur’an 3:159)


Pikërisht kjo ishte arsyeja përse ai i pranoi letrat e dërguara nga Kufeja, të cilat mendohet se ishin rreth tetëmbëdhjetë mijë. Në to, populli i Kufes e ftonte që t’u bashkangjitej.


Duhet theksuar, pra,  se qëllimi i lëvizjes së Imam Husejnit (pqmt) nuk ishte thjesht rënia dëshmor, siç pretendohet shpesh. Duhet të jemi të kujdesshëm me rrëfimet e ndryshme që shprehin se ai u kryengrit vetëm që të mund të binte dëshmor. Përkundrazi, Imami u kryengrit duke kërkuar reforma dhe ndryshime dhe po të flasim me terminologjinë e kohës sonë, mund të themi se ajo që kërkonte Imami ishte një revolucion, gjegjësisht një ndryshim radikal i një gjendjeje të devijuar dhe vendosja e saj në rrugë të drejtë.


Mentaliteti i vajtimit


Në mesin e problemeve që na kanë penguar në studimin e teksteve historike në lidhje me ngjarjen e Qerbelasë, janë pikërisht traditat e ndryshme dhe mentaliteti i krijuar, i cili përqëndrohet në vajtim dhe merret më shumë me vetë tragjedinë, sesa me shkakun e saj dhe me porosinë që ajo bart. Aq shumë u bë i lidhur ky mentalitet me aspektin tragjik të Qerbelasë duke u larguar gradualisht nga kauza, sa shpikësit e haditheve dhe poetët e ndoqën me zell këtë trend. Për shembull, shumë njerëz e dinë përmendësh thënien: “Nëse feja e Muhammedit s’mbetet në këmbë veçse me vdekjen time, atëherë më vrit o shpatë!”, e cila i mveshet Imam Husejnit (pqmt), ndonse në të vërtetë, është vargu i një poezie të shkruar nga një poet nga Qerbelaja.


Si mund të thuhet se vrasja e Imam Husejnit (pqmt) është ajo që e mban në këmbë fenë e Muhammedit, ndërkohë që e dimë mirë se pikërisht vrasja e tij në atë mënyrë barbare është ajo që e pengon rrugën dhe veprimin e këtij Imami, i cili ishte ngritur për ta reformuar shoqërinë muslimane dhe për ta ndryshuar gjendjen e devijuar të saj? Andaj është tejet e palogjikshme kjo thënie që i mveshet në mënyrë të gabuar Imam Husejnit (pqmt).


Përveç kësaj, në shumë libra mund të hasim përshkrime të Imam Husejnit (pqmt), në të cilat ai na shfaqet si një njeri tejet i pafuqishëm dhe i pashpresë. S’ka dyshim se Imam Husejni (pqmt) i donte shumë fëmijët e tij, familjen dhe ndjekësit që i kishte pranë. Por kjo nuk mjafton për ta portretizuar atë si një frikacak, siç bëjnë rëndom disa.


Mbase keni dëgjuar gjatë recitimeve në lidhje me Ali Ekber ibn Husejnin dhe Kasim ibn Hasanin, se kur ata të dy u vranë, Imam Husejni (pqmt) u shtrua ndërmjet të dyve, duke vajtuar dhe duke folur me trupat e tyre të vdekur. Në përshkrime të tilla, Imam Husejni (pqmt) portretizohet si një njeri që s’e kontrollon dot veten përballë kësaj tragjedie. Ishte tejet e natyrshme që të qante, sepse në fund të fundit, të qarit është një tipar shumë njerëzor. Megjithatë, Imam Husejni (pqmt) nuk qau në mënyrën që përcjellin disa dhe nuk qau aq shumë sa të ndikonte tek gratë që e shoqëronin. Një portretizim i tillë na e sjell Imam Husejnin (pqmt) në një trajtë krejt të papranueshme për realitetin.


Përkundër këtyre rrëfimeve të rreme, në biografitë e tija, Imam Husejni (pqmt) paraqitet si një njeri që e përgatiste shpatën e tij, teksa ankohej për “miqësinë” hipokrite të kohës dhe recitonte:


Ç’ngjan nesër askush s’e di

Kush e humb forcën e kush lavdinë...

Kush s’e humbi lojën në të gjallë të tij

e kush karshi kohës s’e humbi fuqinë?


Duke i dëgjuar këto fjalë të tija, motra e tij Zejnebja mendonte se ai po pikëllohej duke e parë numrin e madh të njerëzve që kishin ardhur për të luftuar me të. Ky mendim e shqetësoi Zejneben dhe ajo filloi të qante me lot. Por Imam Husejni (pqmt), përkundër asaj që mund të pritej në portretizimet që i përmendëm më sipër, i kërkon të motrës që të mos vajtojë dhe ta durojë çdo vështirësi në rrugë të Zotit, duke mos lejuar që humbja e durimit të saj ta shkatërrojë atë që Husejni (pqmt) e kishte arritur me shumë durim. Të njejtin guxim dhe të njejtën qetësi shpirtërore Imami e shfaqi edhe në çastet kur i shihte dëshmorët e rënë në fushëbetejë. Për më tepër, po ta shohim me kujdes guximin, fuqinë dhe vendosmërinë e tij gjatë luftimeve, do të kuptojmë se ndonse ishte vetëm, ai vazhdoi të luftonte me dinjitet, me nder dhe pa iu trembur syri.


Guximi i Husejnit (paqja qoftë mbi të)


Njëri nga njerëzit që përcjell në lidhje me rastin e Qerbelasë, thotë për Imam Husejnin (pqmt):


Betohem në Zotin se s’kam parë kurrë një njeri tjetër që të qëndronte aq i qetë dhe i vendosur, ndërkohë që një turmë njerëzish e sulmon atë, ia vret fëmijët, familjen dhe ndjekësit që i ka pranë. Secilën herë që ushtarët i afroheshin Husejnit, ai i sulmonte dhe i shpërndante siç shpërndahet një kope bagëtish para ujkut. Ai luftonte aq ashpër kundër tyre sa i bëri të shpërndaheshin gjithandej si karkalecë. Pastaj tërhiqej dhe thoshte: “Vetëm tek Zoti mbështetemi për fuqi.”


Imam Husejni (pqmt) e kishte trashëguar guximin, fuqinë dhe vendosmërinë e të atit Aliut (pqmt). Përcillet madje se Umar ibn Sadi (komandanti i ushtrisë armike) thirri:


“A e dini kundër kujt jeni duke luftuar? Ky është djali i luftëtarit më të fortë arab. Ai është djali i Aliut, i vrasësit të arabëve.3


Si mund të themi atëherë se Imam Husejni (pqmt), i cili nuk e humbte krenarinë as në gjendjet më të vështira, u shfaq si një njeri i dobët para armikut ose para familjes dhe grave të tija?


Imami ishte bartës i një porosie dhe i një kauze. Ai kishte për qëllim ta rikthente botën islame në rrugën e drejtë të Islamit dhe t’i reformonte punët e devijuara të muslimanëve, duke e urdhëruar të mirën dhe duke e ndalur të keqen. Ai ishte aq i vendosur në këtë qëllim sa do të qëndronte para çadrave të armikut dhe do t’i këshillonte ata me fjalime të gjata. Pikërisht ky është imazhi i vërtetë, në të cilin duhet të paraqitet Imam Husejni (pqmt).


Zejnebja: shembulli i përsosur


Zejnebja është e njohur si heroina e Qerbelasë, si zonja që guxoi t’i fliste Ibn Zijadit (guvernatorit të Kufes) me fjalët: “O djali i Merxhanes! Të qaftë nëna!” ose t’i drejtohej Jezidit duke thënë:


“Thurr plane dhe bëj ç’të duash! Përpiqu sa të mundesh sepse për Zotin, s’ke për të na fundosur në harresë dhe s’ke për ta zhdukur dot Shpalljen.”


Shumë shpesh, kjo zonjë e fuqishme, shembulli i gruas “militante” muslimane, portretizohet si ndonjë beduine që vajton për prindërit e saj. Por kur të studiohet karakteri i Zejnebes, do të shohim se ajo ishte një motër e denjë për Imam Husejnin (pqmt) kur bëhej fjalë për përpjekjen dhe për marrjen përsipër të përgjegjësisë gjatë përhapjes së porosisë së vërtetë të kësaj lëvizjeje (pqmt).


Për fat të keq, disa njerëz janë të prirë për ta larguar gjithë këtë dinjitet dhe krenari që buron nga Zejnebja. Vetëm që t’i bëjnë njerëzit të qajnë, ata janë të gatshëm ta kthejnë karakterin e saj nga një model frymëzues në një viktimë tragjike që duhet të vajtohet.


Shembulli i Husejnit (pqmt) dhe përgjegjësia e shoqërisë muslimane


Duke u mbështetur në atë që kemi thënë deri tani, pyetja vijuese parashtrohet: kur vendosi të luftonte Imam Husejni (pqmt)?


Ai vendosi të luftonte në çastin kur iu kërkua që ta pranonte sundimin umajjad si një pushtet legjitim. Ubejdullah ibn Zijadi i kërkoi Imamit që ta pranonte sundimin e atij vetë dhe atë të Jezidit si Kalif. Pikërisht atëherë, kur Imami kuptoi se gjendja kishte arritur në një nivel aq serioz sa t’i kërkohej ta legjitimizonte pushtetin ilegjitim të Jezidit, ai mbajti një fjalim, në të cilin tha:


Për Zotin s’kam për t’u shprehur besnikëri këtyre njerëzve si një njeri i dobët dhe i pashpresë. Unë s’kam për të ikur nga fushëbeteja si një skllav teksa jam duke luftuar kundër mizorëve. Tek Zoti strehohem nga e liga që mund të më vijë prej juve dhe prej çdo njeriu të paditur që s’beson në Ditën e Gjykimit.

O njerëz të Kufes! Dijeni se ai “zinazade” (fëmijë i lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore; mendohet për Ubejdullah ibn Zijadin), djalë i një “zinazadeje” më ka detyruar të zgjedh ndërmjet dy gjërave: ose shpatën e nxjerrë nga milli, në një luftë ku do të bie dëshmor ose turpërimin duke iu bindur vullnetit të tij, që të veprojë me mua ashtu si të ketë dëshirë. Por çnderimi dhe turpërimi nuk janë për ne. Zoti nuk do që ne të turpërohemi e të çnderohemi. Profeti dhe besimtarët nuk lejojnë të turpërohen dhe të çnderohen.


Me ta përfunduar fjalimin e tij, Imami doli në fushëbetejë dhe u përgatit për të luftuar.


Pra, duhet të studiohet karakteri i Imam Husejnit (pqmt) në rrugën drejt Qerbelasë, duke i patur parasysh fjalimet që ai i mbajti gjatë kësaj kohe. Në këtë mënyrë, kur t’i mbajmë përkujtimet e ditës së Ashurasë, duhet t’i organizojmë të njejtat sipas fjalëve të Imam Husejnit (pqmt) sepse edhe në shoqërinë tonë bashkëkohore, ne përballemi me shumë tiranë shtypës, tejet të ngjashëm me ata të kohës së Imamit. Si një shoqëri muslimane, ne duhet ta marrim përsipër përgjegjësinë për ta kthyer në veprim praktik këtë mësim dhe për t’i realizuar qëllimet e parashikuara prej tij. Kur shtypësit janë në pozitën e mbretit, presidentit ose prijësit të shoqërisë, gjendja e muslimanëve domosdo do të degradojë.


Kjo është pikërisht situata me të cilën përballemi sot, ku pjesa më e madhe e udhëheqësve muslimanë i janë nënshtruar mohimit dhe arrogancës ndërkombëtare, duke qenë të bindur se kështu do t’i ruajnë kolltukët e tyre dhe se do të vazhdojnë të jenë roje të burgut ku e mbajnë popullin e vet.


Në të vërtetë, kjo është situata e pjesës më të madhe të presidentëve, mbretërve dhe sunduesve muslimanë, bashkë me elitën e tyre administrative, ku shumica e njerëzve mashtrohen aq shumë me fuqinë e me pasurinë, sa janë të gatshëm të vendosen kundër çdo thirrjeje për drejtësi dhe barazi e madje kundër rezistencës islamike në Liban e në Palestinë. Janë ata që bashkë me Israelin i planifikojnë masakrat e kryera nga ushtria zioniste kundër fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve nga të gjitha shtresat. Sunduesit e tillë thurrin çdo plan të mundur që rezistenca të shkatërrohet dhe kauza palestineze t’u “shitet” israelitëve, Amerikës dhe Evropës.


Këndvështrimi ynë duhet të mbështetet në thënien e sipërpërmendur të të Dërguarit të Zotit (pqmtmft):


“O njerëz! Kushdo që sheh dhe nuk e kundërshton një tiran shtypës që e shpall të lejuar atë që Zoti e ka ndaluar, i thyen Ligjet e Tij, s’e ndjek traditën e Profetit dhe i shtyp adhuruesit e Zotit, le ta dijë se do të trajtohet nga Zoti njësoj si ky tiran.”


Shoqëria muslimane do të japë llogari nëse vazhdon të qëndrojë e heshtur përballë sunduesve të padrejtë dhe shtypës. Ajo duhet t’i mobilizojë të gjitha forcat kundër njerëzve të tillë dhe të shpëtojë nga pushtetet shtypëse. Sunduesit shtypës gjithnjë kanë patur një rol të rëndësishëm në dobësimin e muslimanëve, aq sa këta të fundit janë bërë të pafuqishëm për të bërë diçka tjetër përveç ankesave zyrtare me shkrim. Dihet qartë tashmë se pjesa më e madhe e shteteve të tilla sot ua ndalojnë njerëzve të tyre edhe demonstratat më të rëndomta.


Ndjekja e reformave dhe përballja me devijimet


Të nderuar! Ne duhet t’i bindemi thirrjes së Imam Husejnit (pqmt), i cili kërkonte që të reformoheshin ndjekësit e gjyshit të tij, të urdhërohej e mira dhe të ndalej e liga, në mënyrë që të mund të krijohet sistemi i cili do të mund të tregonte se ku fshihet degradimi politik, ekonomik dhe kulturor i shoqërive tona.


Kjo na detyron që me çdo kusht t’i largojmë ata që përpiqen ta dëmtojnë imazhin e rastit të Qerbelasë dhe imazhin e Imam Husejnit (pqmt). Problemi kryesor paraqitet tek njerëzit që mbajnë fjalime nëpër foltore dhe tek njerëzit që i dëgjojnë ata. Pjesa më e madhe e këtyre oratorëve janë njerëz analfabetë, të cilët s’e kuptojnë atë që e lexojnë, ndonse dinë shkrim e lexim. Të tillët krijojnë mite të ndryshme vetëm që të mund t’i bëjnë njerëzit të qajnë.


Shumë shpesh mund të hasni që gjatë përgatitjeve për ceremonitë e ditës së Ashura-së, të kërkohen njerëz me zë të bukur e të prekshëm, të cilët do të mund ta tërhiqnin vëmendjen e dëgjueve dhe të krijojnë tek ta një përshtypje sa më të fortë shpirtërore.


Në shumë raste, në mbledhje të tilla shpërfillen dijetarët e vërtetë që janë edukuar me një kulturë historike dhe që kanë këndvështrime shkencore mbi ngjarjet e historisë islame. Shpërfillen edhe njerëzit e arsimuar që kanë një sens letrar, i cili do t’u mundësonte ta vlerësonin nivelin e poezive që recitohen në këto mbledhje përkujtimore. Shumë njerëz i kanë shndërruar vargjet poetike në thënie të shenjta, ndonse ato u takojnë poetëve të ndryshëm dhe burojnë nga mentaliteti dhe nga mënyra e tyre e të shkruarit.


Për shembull, një poet e recitoi një varg në lidhje me Abbas ibn Aliun, në të cilin thuhet: “Po të mos ishte e caktuar të vdiste, ai do ta shkatërronte botën me shpatën e tij..” Sa është e realtë kjo gjë?

Një tjetër poet ia mvesh Husejnit (pqmt) këto fjalë:


“Sikur feja e Muhammedit të mos qëndrojë në këmbë veçse me vdekjen time, atëherë më vrit o shpatë!”


Me këtë, ai na paraqet një Husejn (pqmt) që kërkon të vritet nga shpata që të mund të mbetet gjallë feja e Muhammedit (pqmtmft). Këtu na jepet një përshtypje sikur Islami nuk do të mbijetonte po të kishte mbetur gjallë Husejni (pqmt) dhe po të jetonte si një mësues i zellshëm i fesë. Vargje të tilla qarkullojnë shumë mes njerëzve dhe recitohen shpesh në ceremonitë përkujtimore.


Traditat e prapambetura


Përveç këtyre, përballemi gjithashtu edhe me disa tradita të prapambetura si goditja e kokës me shpatë, që bëhen në emër të mbajtjes zi për tragjedinë e Imam Husejnit (pqmt). Traditat e tilla kanë bërë që disa jomuslimanë të thonë se shpatat që shiitët dikur i përdornin kundër armikut, tani janë kthyer kundër kokave të tyre. Dhe për fat të keq, të tilla gjëra janë kthyer në gjëra të shenjta për njerëzit.


Duhet të theksojmë se fenomenet e tilla nuk kanë të bëjnë fare me jetën dhe me metodologjinë e Imamëve. Historia përcjell se një njeri i panjohur, për të cilin mendohet se ishte me origjinë turke, e goditi kokën e tij me shpatë kur dëgjoi për vdekjen tragjike të Imam Husejnit (pqmt). Njerëzit filluan ta imitonin, duke e themeluar këtë traditë, e cila ka mbijetuar deri në shekullin tonë.


Për më tepër, televizionet shpesh transmetojnë ceremoni, fatkeqësisht të organizuara në emër të dijetarëve të ndryshëm fetarë, ku njerëzit bëjnë një “Nidhr” (zotim) për ta prerë me thikë ballin e fëmijëve të tyre. Pastaj, e gjithë kjo transmetohet nga mediat në mënyrë të bujshme.


Një ditë po shfletoja një revistë kanadeze, në të cilën ishte fotografia e një njeriu të plakur, në duar me një fëmijë që qante ngase burri i kishte bërë një prerje të vogël në kokë. Titulli i shkruar poshtë kësaj fotografie ishte: “Kjo bëhet në emër të Zotit!”


Duke e ditur se dëmtimi i vetvetes është i ndaluar në fe, si mund të përligjet dëmtimi fizik i një fëmije? S’ka dyshim se kjo është e ndaluar në aspektin fetar dhe është një krim i hapur. As nëna dhe as babai i një fëmijë s’ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë sepse detyra e tyre primare është që t’i ruajnë fëmijët e tyre dhe t’i udhëzojnë në rrugë të drejtë. Fatkeqësisht duhet të pranojmë se gjëra të tilla janë bërë pjesë e praktikave tona fetare, aq sa disa dijetarët fetarë kanë shpallur dekrete ligjore (fetva) ku thuhet se veprimet e tilla janë të pëlqyeshme. Për më tepër, ka mjaft dijetarë që mendojnë se shiizmi i një njeriu do të fuqizohet nëpërmjet gjërave të tilla.


Në të njejtin kontekst, nuk mund të kalojmë pa e përmendur traditën e goditjes së shpinës me zinxhirë, e cila praktikohet akoma në disa krahina, madje në disa raste duke shtuar edhe disa objekte të mprehta në fund të zinxhirëve, që të mund të shkaktohet gjakderdhje. Ka edhe ca të tjerë që si shenjë përkujtimi të Imam Husejnit (pqmt), ecin mbi prush e mbi zjarr. Sejjid Muhsin el-Hakimi (Zoti e mëshiroftë), i ka shpallur të palejuara veprimet e tilla.


Nëpër televizione mund të shihen edhe tradita të ndryshme, me skena ku njerëzit zvarritën me fytyrën përtokë, varrin dryrë në lëkurën e tyre ose ecin si qentë, me mendimin se tregohen modestë para Imam Husejnit (pqmt). Në këtë mënyrë, çdo vit shpiket një metodë e re.


Një ditë, Imam el-Khoui u pyet në mund të pranoshin gjërat e tilla si rituale fetare dhe përgjigja e tij ishte një “jo” kategorike. Më pas u pyet në ishin të ndaluara dhe ai u përgjigj:


“Nëse çojnë në dhunimin shenjtërisë së rrugës së Ehl-i Bejtit, atëherë janë të ndaluara.” Kur u pyet se kur këto gjëra bëjnë që të dhunohet shenjtëria e rrugës së Ehl-i Bejtit, ai tha: “Kur i bëjnë njerëzit të tallen me sektin tonë.” (botuar në librin “Mesail Sherijja” /"Çështje fetare")


Edhe ne pajtohemi me qëndrimin se ngushëllimi ose zija nuk mund të shprehet në këtë mënyrë. Kur dikush të kuptojë se i ka vdekur djali, a do ta godiste vallë kokën e tij me shpatë ose shpinën me zinxhirë për ta shprehur pikëllimin? Të gjithë pranojmë se një gjë e tillë do të ishte kundër arsyes.


Gjithnjë u kemi thënë njerëzve të tillë se kjo nuk është një mënyrë e denjë për ta shprehur pikëllimin që kemi për Imam Husejnin (pqmt). Ata që vërtetë e përkujtojnë Imam Husejnin (pqmt) janë ata që luftojnë me zionistët në malin Safi dhe që luftuan në Luftën e Korrikut4 e në përballjet e tjera me ta. Këta njerëz me zemër të pastër janë ata që vërtet e përkujtojnë Imam Husejnin (pqmt), i cili edhe vetë ishte plagosur dhe vrarë në fushëbetejë.


Qerbelaja: një pasuri e madhe njerëzore


Të nderuar! Qerbelaja është një pasuri e madhe. Ajo është historia të cilën ne mund t’ia prezantojmë botës për të treguar se heroizmi njerëzor dhe shpirtëror ka ngadhnjyer kundër brutalitetit që përfaqësohet nga njerëzit që e vranë Imam Husejnin (pqmt). Andaj duhet të ruajmë këtë ngjarje në një pozitë ndërmjet ndjenjave dhe kauzës, sepse po të mos integrohet në ndjenjat e njerëzve, ajo rrezikon të zhduket e të harrohet si shumë ndodhi të tjera historike. Megjithatë, këto ndjenja duhet të racionalizohen dhe të udhëzohen, në mënyrë që kauza të plotësohet dhe ndjenjat t’i shërbejnë përhapjes së porosisë.


Për më tepër, ngjallja e ndjenjave në një mënyrë njerëzore dhe racionale do të bëjë që të ndërveprojmë me të gjitha vuajtjet në botë. Shumë njerëz që e përjetojnë emocionalisht tragjedinë e Qerbelasë, reagojnë menjëherë kundër masakrave të kryera nga zionistët me përkrahjen e forcave të jashtme. Mbajtja e një qëndrimi që do ta refuzonte ose shpërfillte tragjedinë e Qerbelasë, do të na çonte drejt refuzimit të çdo tragjedie ose masakre në cilindo vend të botës, qoftë mbi një popullatë muslimane ose jomuslimane. Kur fjala tragjedi përdoret për një kauzë njerëzore, atëherë çdo njeri domosdo ndërvepron dhe e përjeton atë.


Kritika që ne u bëjmë metodave të prapambetura të përkujtimit të Qerbelasë nuk do të thotë se ne e mohojmë rolin e ndjenjave. Megjithatë, këto ndjenja duhet të shprehen qetësisht (siç është rasti me vajtimin ose me goditjen e butë të kraharorit në shenjë vajtimi), në vend që të shprehen në një mënyrë folklorike dhe mburrëse, në të cilën është e dukshme gjithçka tjetër përveç vetë pikëllimit.

Ne jemi pro racionalizimit dhe udhëzimit të ndjenjave dhe pro veprimit për ta ringjallur e për ta përkujtuar kauzën gjithnjë, duke i larguar njerëzit e paditur që ngjiten gjithandej nëpër foltore dhe përpiqen t’i bëjnë njerëzit të qajnë nëpërmjet miteve të tyre të trilluara.


Kjo është Ashura-ja e vërtetë e Islamit, kjo është Ashura-ja e porosisë dhe e kauzës dhe kjo është Ashura-ja e përpjekjes për ta bërë sunduese fjalën e Zotit mbi tokë.


1: (shënim i përkthyesit) Merxha ose Merxha’i Taklid është titulli më i lartë që në shiizëm i jepet një dijetari të jurispudencës islame. Merxha është dijetari i cili e ka arritur gradën e “ixhtihadit”, në të cilën ai është i autorizuar për ta interpretuar vetë ligjin islam duke u mbështetur në burimet kryesore dhe për të dhënë dekrete ligjore. Si praktikë, ndjekësit e shkollës ligjore shiite zgjedhin një merxha dhe veprojnë sipas dekreteve të tija, ndonse nuk përjashtohet mundësia për t’i ndjekur edhe dekretet e dijetarëve të tjerë.

2: (shënim i përkthyesit) Sejjid Ebu’l Kasim el-Khoui ishte njëri nga dijetarët më të mëdhenj shiitë të shekullit të njëzetë dhe marxha i pjesës më të madhe të shiitëve të botës deri kur vdiq në vitin 1992. Ai ishte udhëheqës i qendrës studimore (havza) të Nexhefit dhe në mesin e nxënësve të tij, përveç vetë Sejjid Fadlallahut, rradhiten edhe shumë emra të mëdhenj të botës shiite. Në këtë drejtim mjafton të përmenden njerëzit si Sejjid Ali el-Sistani, Musa el-Sadr, Muhammed el-Tixhani etj.

3: (shënim i përkthyesit) Me shprehjen “vrasësi i arabëve”, këtu nënkuptohet aktiviteti i ngjeshur ushtarak i Imam Aliut kundër idhujtarëve mekkas në vitet e para të periudhës medinase të Islamit. Pikërisht nga shpata e Aliut kishin vdekur shumë pjesëtarë të aristokracisë mekkase dhe në veçanti shumë nga fisi Umejje. Kjo do të ishte edhe njëra nga arsyet e urrejtes së umajjadëve ndaj Aliut dhe e reagimeve të tyre para, gjatë dhe pas Kalifatit të tij.

4: (shënim i përkthyesit) Me shprehjen “Lufta e Korrikut“ nënkuptohet konflikti i armatosur në verën e vitit 2006 ndërmjet forcave israelite të sigurisë dhe ushtrisë së Hezbollahut në Liban.