Islami dhe të drejtat e njeriut
Kuptimi dhe përdorimi i fjalës "hakk" në terminologjinë islame
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në ligjëratën tonë të kaluar qartësuam se shkolla e profetëve është shkolla e të vërtetës. Kjo shprehje nënkupton se porosia më e rëndësishme e të gjithë profetëve të Zotit ishte mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe se një pjesë e rëndësishme e mësimit të tyre mbështetej pikërisht në këtë princip. Kuptohet, ky sistem të drejtash mbështetej në principet hyjnore dhe njerëzore. Ndaj është me rëndësi, në këtë rast, që të shpjegohen më hollësisht termat “e drejtë” (arab. hakk) dhe “njeri”.


Fjala hakk (e drejtë) ka shumë kuptime, mes të cilave mund të radhiten kuptimet vijuese: “fjalim”, “veprim”, “një besim në përshtatshmëri me veprat” dhe madje edhe “Zot” ose “Krijues”. Në raste të caktuara, kjo fjalë mund të përkthehet madje edhe si “e krijuar”. Megjithatë, të gjithë këta kuptime kthehen prapa tek kuptimi zanafillor i fjalës, i cili është i ndërlidhur me foljen “vendos” ose mbiemrin “i/e vendosur”, në kuptimin e një gjëje që është e pandryshueshme, qoftë ajo një realitet absolut ose relativ.


Zoti, pra, cilësohet si “Hakk” pikërisht për faktin se është i pandryshueshëm dhe i vërtetë. Edhe Kur’ani cilësohet si hakk, sepse vërtetësia e tij dëshmohet nga Zoti. Një veprim, i cili mund të arsyetohet dhe të mbështetet në të vërtetën, cilësohet gjithashtu si hakk. Përveç kësaj, fjala hakk përdoret për ta cilësuar edhe drejtësinë, sepse pikërisht drejtësia është një parakusht për harmoninë dhe ekzistencën e gjërave. Edhe për Islamin përdoret cilësimi hakk. Për shkak të realitetit dhe kuptimit të vet, fjala hakk është përdorur edhe për prona të caktuara dhe për dobitë e përfituara të njeriut prej tyre, duke u shndërruar kështu në kuptimin e ligjit ose të një marrëveshjeje të caktuar.


Nuk duhet të mbetet pa përmendur, se si antonim i kuptimeve të ndryshme të fjalës hakk, është përdorur fjala batil (e pavërtetë; e gabuar). Për shembull, kur themi se Zoti është Hakk, atëherë veprimet si adhurimi i idhujve konsiderohen batil.


Fjala hakk përmendet në shumë kontekste në Kur’an. Si shembuj mund t’i përmendim vargjet vijuese:


1. Lidhur me Zotin, kjo fjalë përdoret si vijon:


Dhe do të kuptojnë se Zoti është e vërteta. (Kur’an, 24:25) 


2. Lidhur me veprimet e Zotit thuhet:


Është Ai që i ka krijuar qiejt e tokën me të vërtetën. (Kur’an, 6:73) 


3. Lidhur me fenë e Zotit thuhet:


Është Ai që e dërgoi profetin e Tij me udhëzimin dhe me fenë e vërtetë. (Kur’an, 48:28) 


4. Lidhur me premtimin e Zotit thuhet:


I vërtetë është premtimi i Zotit. (Kur’an, 45:32) 


5. Ndërsa lidhur me shpalljen është thënë:


Dhe gjithë ç’të kemi shpallur prej librit është e vërteta. (Kur’an, 35:31) 


6. Lidhur me rrëfimet e përcjellura në Kur’an, thuhet:


Dhe ky është lajmi i vërtetë. (Kur’an, 3:62)


7. Lidhur me gjykimet mes njerëzve thuhet:


Dhe gjyko mes njerëzve me të vërtetën dhe mos i ndiq dëshirat e tua! (Kur’an, 38:26; krahaso 21:22 dhe 40:20) 


Përveç pikave të mësipërme, fjala hakk është përdorur edhe në kontekstin ligjor (në kuptimin e “të drejtës” ose “hises), si një faktor që i definon marrëdhëniet ndërmjet dy njerëzve ose marrëdhëniet ndërmjet individit dhe grupit. Disa shembuj të tillë janë:


Dhe jepua të afërmve të drejtën që u takon. (Kur’an, 30:38)
Dhe në pasurinë e tyre ka një hise për nevojtarët, qofshin ata lypës ose jo. (Kur’an, 51:19)
Kështu le të diktojë kujdestari i tij, sipas të drejtës që ka. (Kur’an, 2:282) 


Kuptohet, fjala hakk është përmendur shumë shpesh edhe në thëniet e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe në thëniet e Imamëve të dëlirë. Si një shembull e kemi “Letrën e të drejtave” (Risalat el-hukuk) nga Imam Sexh’xhadi (a.s), në të cilin shohim më shumë se pesëdhjetë raste të përdorimit të kësaj fjale, kryesisht në kontekstin e të drejtave morale, me një theks të veçantë në aspektin shoqëror.


Kur të shihen më me kujdes vargjet e Kur’anit, ku fjala hakk përmendet më se dyzet herë, do të shohim se vetëm në disa raste kjo fjalë përdoret në kuptimin ligjvënës (për shembull në vargun 2:282)   


Krahas fjalës hakk e kemi edhe fjalën hukuk (“të drejtat”, pra shumësi i fjalës hakk), e cila është përdorur në mënyra të ndryshme, si për shembull:



  1. Në kuptimin që një regjim politik duhet të përkujdeset për sjelljen shoqërore të qytetarëve të vet, pra në kuptimin e një përmbledhjeje të ligjeve dhe rregullave, të cilave duhet t’u binden qytetarët e një vendi. Në këtë rast, ndonëse fjala përdoret në formën e shumësit, bëhet fjalë për një kuptim që është në njëjës, pra për tërësinë e rregullave. Në këtë kontekst, fjala hukuk  është sinonim i ligjit, ndonëse ka raste specifike ku mund të vërehen dallime të vogla në përdorimin e saj.
    Megjithatë, mund të thuhet se trajta në shumës e fjalës hakk (pra hukuk) është e ndërlidhur përherë me të drejtat e vlefshme që burojnë nga ligji hyjnor.

  2. Në rastin e dytë e hasim nocionin hukuk si një përmbledhje të drejtash, pra në kuptim të drejtpërdrejtë si një shumës të fjalës hakk (e drejtë). 


Tani mund të merremi pak edhe me nocionin “njeri”. Dy sinonimet besher dhe insan përshkruajnë një qenie, e cila posedon një aspekt material dhe një aspekt jomaterial. Mund të thuhet gjithashtu, se këta dy nocione përdoren për ta cilësuar natyrën e njeriut ose prirjet e tija, qofshin ato të një natyre të perceptueshme materiale ose të një natyre që është përtej perceptimit shqisor. Kjo është një nga arsyet përse kapacitetet e njeriut janë të shumta dhe të llojllojshme. Dhe kur Islami flet për të drejtat e njeriut, ai i konsideron të gjthë aspektet, të cilat, në dashtë Zoti, do t’i shpjegojmë hollësisht në ligjëratat në vijim. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 22.05.2015

Lexoni gjithashtu..

26.12.2014 Islami dhe të drejtat e njeriut: Pjesa e parë

Kthehu