Rëndësia e arsyes në Islam
Pozita e intelektit në vargjet kuranore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në Kur’anin e shenjtë nuk përmendet fjala arabe për mendjen ose intelektin (akl) por numri i foljeve ose i fjalëve të prejardhura nga fjala akl është 49. Fjalët e prejardhura të fjalës akl, për shembull akluh (kuptoi), na’kal (ne kuptuam) ose ja’kal (ai kuptoi) përmenden shpesh, ndërsa shprehja ja’kalun (ata kuptuan) plot 22 herë. Pas një studimi më të kujdesshëm, do të vërehet se vargjet që i përmbajnë këto fjalë të prejardhura nga fjala akl mund të ndahen në disa grupe.


Grupi i parë përbëhet nga vargje që e ftojnë njeriun ta përdorë intelektin e tij, në mënyrë që të arrijë rezultate të dobishme në përpjekjen e tij për ta njohjen të vërtetën, në arritjen e përsosurisë dhe në arritjen e lumturisë e të shpëtimit. Për shembull, Kur’ani i fton njeriun që të përsiatet lidhur me dhuntitë e Zotit, si dielli, hëna ose dita dhe nata:


Vërtet ka shenja për njerëzit që mendojnë, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës e të ditës, në lundrimin e anijeve plot dobi për njerëzit, në zbritjen e shiut nga qiejt për ta ringjallur tokën e vdekur, në përhapjen e kafshëve të ndryshme mbi të, në ndryshimin e erërave dhe në lëvizjen e reve të dobishme ndërmjet qiellit e tokës. (Kur’an, 2:164)


Ai e vendosi ditën e natën në shërbimin tuaj, edhe diellin dhe hënën. Dhe yjtë i vendosi nën urdhrin e Vet. Vërtet në këtë ka shenja për ata që mendojnë. (Kur’an 16:12) 


Të gjithë këta vargje e përmbajnë shprehjen “shenja për ata që mendojnë” ose shprehjen “që të kuptoni” dhe e ftojnë njeriun të përsiatet lidhur me shenjat e Zotit, si ringjallja e të vdekurve[1], marrëdhëniet familjare[2], urdhrimi i të mirës dhe urtia që fshihet pas këtij veprimi[3], ringjallja e tokës pasi të ketë vdekur[4] ose krijimi i njeriut.[5] 


Në grupin e dytë bëjnë pjesë vargjet që i qortojnë ata që veprojnë në mënyrë të paarsyeshme dhe që çojnë një jetë të mbushur me veprime jonjerëzore. Zoti i Madhëruar i krahason këta njerëz me kafshët dhe madje i konsideron edhe më të ulët se ato. Në fund të vargjeve të tilla, për shembull kur flitet për ata njerëz që i dëgjojnë fjalët e Zotit dhe që, pas një përsiatjeje të shkurtër, i përgënjeshtrojnë ato, përdoret shprehja “ata nuk kuptojnë”.[6] Shembuj të tjerë për këtë janë vargjet që flasin për njerëzit që i ndjekin në mënyrë të verbër paraardhësit e tyre, të cilët nuk kanë pasur kurrfarë diturie[7], njerëzit që tallen me fjalët e Zotit[8], njerëzit që i dëgjojnë vargjet e Kur’ani e që nuk i respektojnë ato ose tallen me Profetitn (s.a.a)[9], njerëzit që nuk marrin mësim nga fati i pësuar nga paraardhësit e tyre që kanë vepruar ligë e që kanë pasur një zemër të nxirë[10], njerëzit që i adhurojnë idhujt, të cilët nuk kanë as fuqi e as arsye[11]e ose ata që në dukje janë shokë të Profetit (s.a.a) por që në zemrat e tyre ndjekin një rrugë tjetër.[12] 


Të tillët devijojnë nga rruga e drejtë dhe largohen nga udha e arsyes, aq sa nuk meritojnë të vendosën në shkallë të njejtë as me kafshët. Njeriu, nëpërmjet bekimit të madh hyjnor të quajtur “intelekt” (akl), është në gjendje ta arrijë lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Megjithatë, njerëzit e tillë nuk e shfrytëzojnë këtë dhunti dhe e pengojnë veten por edhe njerëzit e tjerë nga të kuptuarit e saktë të gjërave. Nuk ka dyshim se kjo është gjendja më e ligë dhe më fatkeqe për njeriun. 


Në grupin e tretë të këtyre vargjeve radhiten vargjet, të cilët ndonëse e qortojnë njeriun për mosshfrytëzimin e arsyes, e ftojnë atë që të përpiqet për ta shfrytëzuar këtë bekim hyjnor. Ky lloj vargjesh mbaron zakonisht me shprehjen “a nuk mendoni?” dhe u drejtohen për shembull, njerëzve që i ftojnë të tjerët drejt të mirës ndërsa vetë nuk bëjnë kurrfarë veprimi të mirë[13], njerëzit që sillen me hipokrizi[14], njerëzit që nuk i kuptojnë gjërat që janë më se të qarta[15], njerëzit që nuk i ndjekin urdhrat hyjnorë[16] ose që adhurojnë një idhull që as nuk mund t’i dëmtojë e as t’u sjellë ndonjë dobi.[17]


Për t’i kuptuar e për t’i vlerësuar këta vargje më së miri, njeriu duhet t’u drejtohet tefsireve të ndryshme të Kur’anit. Megjithatë, një fakt i padiskutueshëm, që kristalizohet në gjithë këta vargje, është pozita e lartë e intelektit. Sikur njeriu, gjatë historisë së tij, ta kishte ndjekur përherë rrugën e arsyes, shumë probleme që sot janë aktuale në shoqërinë tonë nuk do të kishin ekzistuar. Është me rëndësi, në këtë pikë, që njeriu ta njohë vlerën edukuese të kësaj dhuntie të madhe hyjnore. Ndaj është një detyrim i të gjithë mendimtarëve dhe prijësve kulturorë të një populli që ta edukojnë gjeneratën e re në një mënyrë të mbështetur në intelektin dhe kështu, të krijojnë një ardhmëri më të ndritur për ta. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 





[1] Kur’an, 2:164
[2] Kur’an, 2:242 dhe 24:61
[3] Kur’an, 6:151
[4] Kur’an, 57:17
[5] Kur’an, 40:67
[6] Kur’an, 2:75
[7] Kur’an, 2:170
[8] Kur’an, 5:57, 103 dhe 10:42
[9] Kur’an, 49:4
[10] Kur’an, 22:46 dhe 29:63
[11] Kur’an, 39:43
[12] Kur’an, 59:14
[13] Kur’an, 2:44
[14] Kur’an, 2:76
[15] Kur’an, 10:16
[16] Kur’an, 21:10
[17] Kur’an, 21:67, 3:67, 118, 6:32, 7:169, 11:51, 19, 12:109, 23:80, 26:28, 28:60, 36:62,68, 37:138



publikuar më: 27.02.2015

Kthehu