Ndodhia e Ashures
Imam Husejni (a.s) si ringjallës i traditës hyjnore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Ndonëse deri sot janë mbajtur ligjërata të shumta lidhur me Ashuren dhe janë përpiluar shkrime të panumërta, mbeten prapëseprapë shumë tema për t’u trajtuar lidhur me sjelljet dhe veprimet e Imam Husejnit (a.s) në këtë ndodhi. Për shumicën, akoma nuk është e qartë përse Imami shkoi në Qerbela bashkë me gratë e tija e fëmijët dhe përse e kundërshtoi regjimin shtypës të Jezidit. A nuk kishte vallë një mënyrë paqësore, që nuk do të përfshinte vetëflijimin e njerëzve më të dëlirë dhe robërimin e familjes së shenjtë të Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij)?


Pa një analizë të thellë dhe pa mësimin gnostik të fesë, dhënia përgjigje kësaj pyetjeje do të ishte e pamundur dhe aspak e realtë, sepse ndodhitë e Ashures kanë disa dimensione të ndryshme (varësisht në kundrohet nga aspekti fetar, moral e gnostik ose nga aspekti i liridashjes dhe dinjitetit njerëzor). Sikur të mos ndodhte kjo kryengritje, të gjitha përpjekjet e të Dërguarit të Zotit (s.a.a) për ta përforcuar fenë e Zotit do të shkonin dëm. Në rrethana të tillla, nuk mund të thuhet me qartësi në do të mund të ekzistonte ende një fe e quajtur  “Islam”. Edhe sikur të mbijetonte ky emërtim, atij nuk do t’i mbetej asgjë tjetër veç trajtës së jashtme dhe emrit, duke e humbur tërësisht brendinë. Shkak i kësaj gjendjeje ishte fakti se njerëz të caktuar e kishin marrë përsipër udhëheqësinë e shoqërisë muslimane, ndonëse nuk kishin kurrfarë lidhjeje me Islamin dhe me mësimet e tija. Ata ranë në kundërthënie me mësimet e vërteta të Islamit dhe vepruan hapur kundër tyre. Më pas, kjo sjellje u përhap edhe në shoqëri. Si pasojë e gjithë kësaj, pikëpamjet mbi fenë u bënë krejtësisht sipërfaqësore dhe feja nisi të shfrytëzohej vetëm për interesa dhe përfitime personale. Kështu për shembull, Umar bin Sa’adi (komandanti i trupave të Jezidit në Qerbela) përdorte motive fetare në fjalimet e tija, për t’u dhënë guxim ushtarëve të tij. Ai thoshte: “O ushtarë të Zotit! Sulmoni! Ju premtoj se do të shkoni në parajsë.”


Shumë probleme të periudhës paraislame (xhahilijje) u ringjallën gjatë sundimit të kalifit mizor Jezidit (mallkimi i Zotit qoftë mbi të) dhe nisën të zinin sërish vend në shoqërinë muslimane. Në mesin e devijimeve të shumta shoqërore të asaj periudhe mund të radhiten pasiguria trupore dhe materiale, ndarja e shoqërisë në kategori të ndryshme, diskriminimi racist etj. Në kohën e xhahilijetit paraislam nuk kishte në botën arabe asnjë gjurmë nga shkenca dhe arsimimi, drejtësia, dinjiteti, siguria, harmonia, rendi, ligji, nderi e turpi. Në atë kohë luheshin lojëra të ndryshme të fatit, tavafi rreth Qabes bëhej edhe lakuriq nga burra e gra, flamujt e prostitutave vareshin hapur para derës së tyre, konsumohej vera, gjaku dhe mishi i kafshëve të ngordhura e i derrave etj.


Në periudhën e Jezidit (mallkimi i Zotit qoftë mbi të), një pjesë e këtyre problemeve u rikthyen në shoqërinë islame. Kënaqja e epsheve, shpërfillja e urdhrave të Kur’anit, dhe pavëmendshmëria kundrejt mësimeve të Islamit janë vetëm disa shembuj të situatës së atëhershme. Në shumë krahina të shtetit sundonin guvernatorë, të cilët në vend që t’i ndiqnin urdhrat e ndritur të Islamit, merreshin me mbledhjen e pasurisë, aq sa mund të thuhet se feja, me kuptimin e plotë të fjalës, u bë një lodër në duart e tyre. Ata nuk ishin njerëz të bindjes e të besimit fetar. Andaj, principi islam i të “të urdhëruarit të të mirës dhe të të penguarit të të ligës” nuk mund të kishte ndikim tek ta.


Në anën tjetër, popullata ishte ose tepër e tmerruar për të bërë ndonjë gjë ose krejt e bindur ndaj politikave umajjade, aq sa nuk mund të shfaqej kurrfarë rezistence kundër këtij ndryshimi. Kjo vazhdoi kështu deri në pikën kur Sunneti i Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) nisi të lihej mënjanë dhe nisën të shfaqeshin bidate në jetesën fetare të muslimanëve. Urdhrat hyjnor filluan të shpërfilleshin dhe njerëzit tashmë nuk kishin siguri dhe liri. Shtypja, detyrimi dhe devijimi e kishin kapluar shoqërinë e atëhershme, aq sa sunduesi mizor i kohës do të guxonte t’i kërkonte betim besnikërie edhe një njeriu si Imam Husejni (a.s). Megjithatë, në shumë raste Imami e bërë të qartë qëndrimin e vet, duke thënë: “Një njeri si unë nuk mund t’i bindet një njeriu si Jezidi.”   


Më pas, ai tha:


Gjendja ime nuk është gjendja e atij që i druhet vdekjes. Sa e lehtë është vdekja me nder për ta ringjallur të Vërtetën. Vdekja e ndershme nuk është tjetër veçse jetë e përjetshme, ndërsa të jetuarit në poshtërsim një vdekje pa jetë. 


Në këtë mjedis, detyra më e rëndësishme e Imamit ishte ringjallja e fesë dhe e vlerave hyjnore. Në një letër të tijën, ai shkruan:


Unë ju ftoj drejt Librit të Zotit dhe Sunnetit të Profetit të tij. Jini të vetëdijshëm se tradita e tij është duke u shkatërruar dhe bidate (risi) janë duke iu shtuar fesë. Nëse më bashkëngjiteni e nëse e pranoni thirrjen time, unë kam për t’ju udhëzuar në rrugën e ndritur të fesë. 


Në një rast tjetër, lidhur me lëvizjen e tij nga Mekkeja drejt Kufes, ai shkruan:


Banorët e Kufes më dërguan një letër dhe më kërkuan që të shkoj drejt tyre, me shpresën se shenjat e të mirës do të ringjallen dhe bidatet në fe do të shkatërrohen. 


Gjatë rrugëtimit të tij nga Medineja në Mekke dhe më pas, nga Mekkeja në Kufe, motivi kryesor i fjalëve të Imamit ishte ringjallja e fesë dhe realiteti i njëshmërisë së Zotit (teuhidit). Me këto fjalë, ai e zbulonte filozofinë e lëvizjes e të kryengritjes së tij. Në fjalët e tija, ai e ka theksuar veçanërisht namazin, si një miraxh të besimtarit. Në natën para betejës, ai i tha të vëllait Abbasit: “Kërkoji këtij grupi që ta shtyejnë betejën (për nesër), që të mund të kalojmë edhe një natë të fundit duke u falur namaz, duke u lutur e duke i kërkuar falje Zotit. Zoti e di se unë e dua namazin dhe leximin e Kur’anit.” 


Dashuria për namazin rreh në zemrën e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe në zemrat e ndjekësve të tij të vërtetë. Historia përcjell se në natën e Ashures, nga çadrat e shokëve të Imam Husejnit (a.s) gjithë natën u dëgjua zëri i lutjeve dhe i recitimeve të Kur’anit. Ajo që duhet të vërehet në këtë pikë, është se për Imam Husejnin (a.s) dhe për ndjekësit e tij, feja dhe urdhrat hyjnorë ishin të rëndësishëm. Me çdo veprim të tyre, ata u përpoqën ta promovonin dhe përhapnin jetesën e mirëfilltë islame. Imami e sakrifikoi tërë jetën e tij për ringjalljen e fesë dhe është një detyrë e jona sot që ta ruajmë e ta përhapim kulturën e Ashures, që s’është veçse kultura e unitetit, e dashurisë për njëri-tjetrin dhe e dashurisë për Zotin. Ruajtja e kësaj kulture ka pasur ndikime të shumta në ringjalljen e fesë së vërtetë. Dhe ndonëse shumë janë përpjekur ta shkatërrojnë tyrben e Imamit, Zoti nuk u ka lejuar t’i realizojnë planet e tyre djallëzore. Sot Qerbelaja është vendi më i vizituar në botë, në të cilin gjatë çdo Erbain-i mblidhen 15 milionë njerëz. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 

publikuar më: 14.11.2014

Lexoni gjithashtu..

05.12.2014 Ndodhia e Ashures: Morali në shembullin e Imam Husejnit (a.s) e të ndjekësve të tij
23.11.2014 Ndodhia e Ashures: Devotshmëria në shembullin e Imam Husejnit (a.s)
22.11.2013 Ndodhia e Ashures: Prania e grave në lëvizjen e Ashures
08.11.2013 Ndodhia e Ashures: Një kryengritje për lirinë dhe kundër dhunës e mizorisë

Kthehu