Ligjërata e Fitër Bajramit 1435
Kuptimi i festave në kulturën islame
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Ligjërata vijuese u mbajt në Qendrën Islame të Hamburgut me rastin e Fitër Bajramit të vitit 1435 pas Hixhrit. 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!


Fitër Bajrami është në mesin e festave më të rëndësishme për muslimanët dhe në veçanti për agjëruesit, të cilët pas një muaji përplot përkushtim dhe modesti karshi Zotit, tani me shumë shpresë e presin shpërblimin hyjnor. S’ka dyshim se ata që veprojnë me mirësi kanë për t’u bekuar e shpërblyer si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën, ndërsa mëkatarët do të jenë humbës, që e kanë çuar dëm ekzistencën e tyre.1


Fitër Bajrami është një ditë që e krijon brenda zemrës së njeriut një ndjenjë ringjalljeje. Është një ditë, në të cilën njeriu, më shumë se kurrë më parë, është i aftë ta ndiejë aromën e këndshme të besimit. Në këtë ditë, gjithçka mban erën e hyjnores dhe gjithçka frymon me tingujt e saj. Kështu, njeriu e rigjen veten në kornizat e besimit dhe në takimin me Zotin. Në këtë ditë rrjedh bekimi i Zotit mbi krijesat dhe shumë prej njerëzve e shfrytëzojnë këtë mundësi për të bërë një besëlidhje me Zotin Bujar e Falës dhe për të hapëruar rrugës së modestisë.


Fitër Bajrami është festa e atyre që e kanë shfrytëzuar më së miri muajin e Ramazanit. Kjo ditë është dita e çlirimit nga tundimet e nga lakmitë. Njeriu besimtar, nëpërmjet të arriturave gjatë këtij muaji, përpiqet t’i përkrahë krijesat e Zotit dhe të japë një kontribut në zgjidhjen e problemeve të tyre.


 


Në të vërtetë, festat në kulturën islame shërbejnë për ta kthyer njeriun drejt realitetit të vet dhe për të arritur nëpërmjet kësaj një rritje e zhvillim të tij në aspektin shpirtëror, moral dhe praktik. Nëse Kurban Bajrami, Mab’athi (dita e fillimit të profetësisë së Muhammedit s.a.v) ose Ghadiri (dita e emërimit të Imam Aliut si Kalif) konsiderohen festa, kjo është sepse në ditë të tilla, njeriu mund ta ridrejtojë shtegun e jetës së tij për ta sjellë atë më pranë Zotit Fuqiplotë. Kështu, secila nga këto festa mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm në udhëzimin e njeriut.


Nëse Mab’athi cilësohet si një festë, kjo është ngase në këtë ditë, i Dërguari i Zotit, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, filloi që nëpërmjet recitimit të vargjeve hyjnore dhe nëpërmjet përhapjes së urtisë së Librit, t’ua tregonte njerëzve rrugën drejt lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën, duke e bartur njerëzimin nga ndjekja e djallit drejt ndjekjes së Zotit. I njejti kuptim fshihet edhe në festat e tjera. Motivi i udhëzimit, i zhvillimit dhe i sprovimit të njeriut përmendet në çdo festë. E njejta gjë mund të haset edhe në Fitër Bajram, sepse njeriu, pas një periudhe përpjekjesh dhe vendosmërie, e ka arritur ditën kur mund ta kërkojë shpërblimin e tij për t’iu afruar edhe më Zotit Fuqiplotë.


Për këtë arsye, namazi i Fitër Bajramit, me shkëlqimin dhe madhështinë e tij, është një manifestim i veçantë i mëshirës së Krijuesit të Plotëfuqishëm. Njeriu, duke e shfrytëzuar këtë burim, mund ta ndiejë më mirë se kurrë njohjen e Zotit dhe afërsinë me Të. Ky kuptim i Bajramit është tejet i rëndësishëm për muslimanët. Për këtë arsye, njerëzit që e harxhojnë së koti kohën e tyre dhe që merren veç me argëtime e punë të padobishme, e kanë humbur këtë mundësi.


Një ditë Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) pa disa njerëz, të cilët gjatë Fitër Bajramit merreshin me disa lojëra të padobishme dhe qeshnin me të madhe. Ai qëndroi pranë tyre për disa çaste dhe pastaj tha: Zoti i Plotëfuqishëm e krijoi Ramazanin si një fushë garimi për krijesat e tija. E bëri atë një kohë kur robërit e Tij mund të garonin me njëri-tjetrin në ndjekjen e urdhrave të Zotit dhe në fitimin e kënaqësisë së Tij. Habitem se si disa njerëz, në këtë ditë kur të mirët shpërblehen e të ligët pësojnë humbje, merren me lojëra e qeshin me të madhe.


Zoti i Madhëruar e ka bërë këtë ditë një festë për njerëzit e denjë për të. Andaj, në këtë ditë njeriu duhet ta përkujtojë shpesh Zotin, të jetë mirënjohës për mirësitë e Tija dhe t’i drejtohet Atij më shumë se në ditët e tjera, në mënyrë që ta fitojë vëmendjen hyjnore. Kjo porosi fshihet edhe në fjalimin e famshëm të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), i cili thotë: Kjo është dita që Zoti e bëri festë për ju e për të cilën ju konsideroi të denjë. Andaj përkujtojeni Zotit që edhe Ai t’ju përkujtojë juve dhe thirreni Atë që të dëgjohen lutjet tuaja.2 


Paqja, mëshira dhe bekimi Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Ky interpretim përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të)
2: Shejh Saduk, Men le jedhhuruhu’l-fakih, vëll.1, f.517


 


 

publikuar më: 03.08.2014

Kthehu