Islami dhe drejtësia
Pjesa II (Drejtësia si një kusht për jetesën e mirëfilltë njerëzore)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
 


Kur’ani i shenjtë është thirrja më e rëndësishme për drejtësi dhe e ka theksuar drejtësinë në shumë vende si një temë tejet qendrore për njerëzimin. Kur’ani jep një udhëzimin tejet të qartë që të ushtrohet drejtësia dhe të shmanget me çdo kusht shtypja dhe agresioni ndaj të tjerëve.1 Ka qenë në mesin e detyrave të të gjithë profetëve monoteistë dhe në veçanti e Profetit tonë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), që të rrënjosej në shoqëri drejtësia dhe sjellja e drejtë mes njerëzve.


Drejt kësaj ftoji njerëzit pra! Ji i vendosur në atë që të është urdhëruar dhe mos i ndiq dëshirat e tyre, por thuaj: “Unë e besoj atë që ka shpallur Zoti nga libri dhe mua më është urdhëruar të gjykoj mes jush me drejtësi. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Për ne janë bëmat tona dhe për ju tuajat. S’ka mospajtime mes neve dhe juve. Zoti ka për të na mbledhur të gjithëve bashkë dhe drejt Tij është kthimi. (Kur’an, 42:15) 


Në Kur’an, Zoti urdhëron që njeriu të vendosë me drejtësi kur të gjykojë mes njerëzve.2 Kur’ani thekson gjithashtu se njeriu duhet të jetë në mesin e atyre që e përkrahin të drejtën dhe dëshmojnë vetëm për të vërtetën, edhe kur ajo të jetë e dëmshme për vetë ata, për prindërit ose për të afërmit e tyre. Njeriu, pra, duhet ta shtypë unin e vet dhe dëshirat e tija, të cilat e pengojnë atë nga të qenit i drejtë.3


Kur’ani thotë:


E kur të thoni një gjë, jini të drejtë, edhe sikur të jetë për një të afërmin tuaj. (Kur’an, 6:152) 


Si muslimanë, jemi të detyruar që t’i ndjekim principet e drejtësisë në çdo marrëdhënie4 e në çdo shkëmbim, qoftë kjo në marrëdhëniet ndërfamiljare5 ose në rastet kur duhet të gjykohet ndërmjet dy personave ose dy popujve.6 Në të gjithë këto raste është me rëndësi që të mbetemi të drejtë dhe t’i respektojmë të drejtat e të dyja palëve. Drejtësia është aq e rëndësishme në Islam, sa i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Një orë, në të cilën njeriu sillet me drejtësi, vlen më shumë se shtatëdhjetë vite adhurim duke agjëruar e duke falur namaz nate çdo natë.”7


Mund kuptohet se ata që sillen me drejtësi janë të dashur për Zotin, ndërsa njerëzit që i shkelin të tjerët dhe janë të padrejtë ndaj tyre, janë njerëz të urryer nga Zoti.8


Në një thënie të Imam Sexh’xhadit (paqja qoftë mbi të) përcillet si vijon: “I gjithë Sheriati përbëhet nga tri gjëra: ta thuash të vërtetën, të gjykosh me drejtësi dhe ta mbash fjalën e dhënë.”9


Kur të mungojë drejtësia në mjedisin ku jeton njeriu dhe kur të mos respektohet nga të gjithë, jetesa e mirëfilltë bëhet e pamundur. Ndaj Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë:  “Drejtësia është burimi i jetës së vërtetë.”10 S’ka dyshim se jeta e vërtetë mund të arrihet në të gjithë dimensionet vetëm nëse ekziston drejtësia. Vetëm në një mjedis të tillë njerëzit mund ta shijojnë jetesën e mirëfilltë.


Duke u nisur nga fakti se jeta e vërtetë njerëzore mund të realizohet vetëm aty ku ka drejtësi, mund të vijmë në përfundimin se padrejtësia dhe shtypja janë gjërat që e çojnë shoqërinë njerëzore drejt vdekjes. Ndaj mund të thuhet se drejtësia është kuptimi i vërtetë i jetës dhe se jeta është drejtësi, njësoj siç janë padrejtësia e shtypja një lloj vdekjeje. Për padrejtësi bëjmë fjalë në çastin që njeriu i tejkalon kufijtë dhe shkon drejt tepërimit. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kushdo që i tejkalon kufijtë e të drejtës, ka bërë padrejtësi.”11 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


1: Kur’an, 16:9
2: Kur’an, 4:5
3: Kur’an, 4:135
4: Kur’an, 2:282
5: Kur’an, 4:3
6: Kur’an, 49:9
7: Bihar el-envar, vëll.75, f.354
8: Po aty, vëll.75, f.351
9: El-Khisal, f.113
10: Ghurer el-hikem, f.15
11: Nehxhu’l-Belagha, f.935 (botim i redaktuar nga Muhammed Abduh)

publikuar më: 25.07.2014

Lexoni gjithashtu..

22.08.2014 Islami dhe drejtësia: Pjesa III (Drejtësia si një cilësi e Zotit)

Kthehu