Agjërimi i Ramazanit
Porta drejt njohurive hyjnore
Sejjid Mesud Masumi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


O ju që besuat! Agjërimi është caktuar edhe për ju, njësoj si për ata që erdhën para juve. Mbase do të ruheni... (Kur`an 2:183) 


I jemi mirënjohës Zotit Mëshirues për dhuntitë e tija që janë të pafundme e të pakufishme:


Po të doni t’i numëroni mirësitë e Zotit, nuk i numëroni dot...(Kur’an 16:18) 


I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë se Zoti e krijoi gjithë botën për njeriun. Malet, detet, shkretëtirat, lumejtë dhe të gjitha gjërat e tjera i krijoi, që njeriu të mund të përfitonte prej tyre. Kjo do të thotë se, sipas këndvështrimit islam, njeriu është qëllimi i botës.


Është Zoti që, me vullnetin e Tij, e ka nënshtruar detin për ju...(Kur’an 45:12)
...dhe i vendosi lumejtë në shërbimin tuaj...(Kur’an 14:32)
...nënshtroi për ju gjithë ç’është në qiej e në tokë...(Kur’an 31:20)
Për ju nënshtroi diellin e hënën...(Kur’an 14:33) 


Njeriu, pra, është maja e krijimit dhe gjithçka rrjedh drejt tij. Zoti ia ka dhënë njeriu në shërbim të gjitha gjërat e tjera, në mënyrë që t’i shfrytëzojë për ta kërkuar Zotin dhe përsosurinë. Qenia (Esenca) e Shenjtë e Zotit është qëllimi i njeriut, njësoj siç është njeriu qëllimi i botës.


Në një hadith kudsijj, Zoti thotë: “O njeri! Ty të kam krijuar që të më kërkosh mua.”


Zoti ka vënë në shërbim të njeriut gjithçka që i nevojitet për rritjen dhe zhvillimin e tij. Profetët dhe librat e shenjtë u dërguan pikërisht si një mësim udhëzues, i cili duhet ta kontrollojë dhe udhëzojë aspektin material që na e ka falur Zoti. Të gjitha këto u krijuan që njeriu të mund të rritej e ta përsoste vetveten. 


Duke u nisur nga dashuria e Tij për njeriun, Zoti ka krijuar për të një mundësi, nëpërmjet të të cilës njeriu mund të gjejë udhëzim. Ai ka zgjedhur një muaj të veçantë dhe e ka quajtur Ramazan. Ndaj i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Ju jeni të ftuar në gostinë e Zotit.” Kjo do të thotë se dhuntitë dhe kushtet e krijuara gjatë këtij muaji janë veçanërisht të dobishme për njeriun. Për shembull, adhurimet në këtë muaj shpërblehen shumëfish dhe kanë një veprim më të madh në zhvillimin e tij shpirtëror. Është përcjellur gjithashtu, se recitimi i një vargu të Kur’anit në këtë muaj, është i barabartë me recitimin e gjithë Kur’anit. Një reqat i falur në këtë muaj vlen sa shtatëdhjetë reqate në kohët e tjera dhe madje edhe vetë gjumi e frymëmarrja e njeriut që agjëron, konsiderohen adhurime dhe madhërime të Zotit. Siç thotë edhe i Dërguari (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), në këtë muaj hapen dyert e parajsës dhe djajtë vihen në pranga.


Por a do të thotë kjo se në muajt e tjerë janë të mbyllura dyert e parajsës? Kur janë të mbyllura vallë këto dyer? S’ka dyshim se dyert e parajsës janë gjithnjë hapur. Por kjo gjendje e krijuar në muajin Ramazan nënkupton se ekzistojnë mundësi të veçanta, të cilat nuk ekzistojnë në muajt e tjerë. Në këtë muaj, njeriu ftohet drejt Zotit, në mënyrë që të qëndrojë pranë Tij. Njësoj siç duhet ta veshim ihramin para hyrjes në Shtëpinë e Zotit në Mekke, edhe para hyrjes në Ramazan duhet të jemi të përgatitur. Për pelegrinazhin, Zoti ka zgjedhur një vend të caktuar, në të cilin njerëzit shkojnë për ta kryer këtë akt të adhurimit. Kur bëhet fjalë për agjërimin, Zoti e zgjeron hapësirën në të gjithë botën, dhe njeriu mund të agjërojë kudo që të jetë dhe ta arrijë afërsinë e Zotit.  Njësoj si i përgjigjen thirrjes së Zotit (duke recituar talbijjen) haxhilerët që e vizitojnë Qaben, edhe agjëruesi duhet t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, në mënyrë që të hyjë në “shtëpinë” e Tij. Gjatë haxh’xhit, njerëzit duhet t’u shmangen veshjeve me ngjyra të ndryshme, që krijojnë vetëpëlqim dhe dallim ndërmjet njerëzve. Po kështu, edhe Ramazani kërkon nga agjëruesi që të pastrohet nga çdo lloj i hipokrizisë, vetëpëlqimit dhe ligësisë, ta shohë veten të barabartë me të tjerët e të marrë pjesë në lumturinë e në pikëllimin e tyre.


Në këtë muaj, i pasuri dhe i varfëri duhet të ulen pranë njëri-tjetrit e t’i gëzojnë dhuntitë hyjnore. Të pasurit duhet të heqin dorë nga luksi i tyre e të agjërojnë, duke e ndier urinë e të varfërit. Kështu bëhet “ihrami” i agjërimit. Një haxhi duhet të mbërrijë deri në mikat dhe ta mbathë ihramin që t’i jepet leje për të kaluar më tej. Edhe agjëruesi duhet të mbërrijë tek “mikati” i drojës para Zotit (takva-së), që të mund të vazhdojë më tej. Sepse Kur’ani thotë:


Agjërimi është caktuar edhe për ju, njësoj si për ata që erdhën para juve. Mbase do të ruheni... (Kur`an 2:183) 


Veç pasi ta ketë mbathur ihramin, një haxhiu i lejohet të hyjë në Shtëpinë e Zotit, ku ec përreth Qabes e ku më pas hiqen perdet e paditurisë dhe zbulohen njohuritë hyjnore. “Ihrami” i agjëruesit është droja para Zotit (takva) dhe veç pasi të mbathet me të, i lejohet të hyjë në “tokën e shenjtë të Zotit”, ku hiqen perdet dhe sytë fillojnë t’i shohin qartë. Këtu, ai pendohet për të kaluarën e tij dhe i lutet Zotit për falje të mëkateve. Këtu, ai hapëron rrugës jetëdhënëse të takva-së, duke fituar njohuri, duke u rritur e zhvilluar.


Kini dro para Zotit! Ai ju fal dituri...(Kur’an 2:282) 


Kështu, agjëruesi bën “tavaf” rreth Zotit dhe bëhet mysafiri i tij i veçantë. Gjumi i tij, ushqimi i tij, frymëmarrja e tij dhe e gjithë sjellja bëhen akte të adhurimit. Sa më shumë që hapëron rrugës së takva-së, aq më tepër e fiton aftësinë për të dalluar ndërmjet të mirës dhe të ligës.


O njerëz! Kini dro para Zotit dhe Ai ka për t’jua falur aftësinë të dalloni ndërmjet të mirës e të ligës...(Kur’an 8:29) 


Një njeri i tillë kurrë nuk ka për të hyrë në qorrsokakë. Një njeri i mbathur me drojën para Zotit, pra takva-në, është si një urtar i fuqishëm, i cili në konfliktet e jetës di të bëjë dallim ndërmjet të mirës e të ligës dhe i cili, nëpërmjet urtisë së tij, e njeh rrugën e udhëzimit dhe i fton edhe të tjerët drejt saj. Një njeri i tillë nuk e kufizon agjërimin veç te uria, por e ruan veten nga gjërat e ndaluara dhe e ruan gjuhën e tij, siç na ka mësuar i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Ai i ndihmon të tjerët, përpiqet t’i çlirojë nga labirintet e tyre dhe nuk është shpërfillës karshi vuajtjeve, me të cilat përballen. Islami është feja e dashurisë ndaj tjetrit dhe e mirësisë, siç thotë edhe Profetit i Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij): Ndihmojini të tjerët në këtë muaj. Nëse vetë nuk jeni aq të pasur, atëherë ftojini e jepuni së paku një kokërr hurme të thatë.


 Shpresoj që të gjithë të mund t’i shfrytëzojmë më së miri bekimet e këtij muaji të shenjtë. Zoti ua dhuroftë të gjithë muslimanëve dhe shërbyesve të Islamit bekimet më të mëdha të këtij muaji! 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 

publikuar më: 04.07.2014

Kthehu