Sheriati në Islam
Përse duhet ligji? (pjesa I)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Vargjet e Kur’anit dhe hadithet e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dëshmojnë se Islami është një fe universale dhe e përjetshme. Për ta theksuar këtë karakter universal të Islamit, Kur’ani, duke folur për të Dërguarin e Zotit, thotë:


Ty të dërguam veç si mëshirë për botët...(Kur’an 21:107) 


Ndërsa në një varg tjetër thuhet:


Ty të dërguam për të gjithë njerëzit...(Kur’an 34:28) 


Pra porosia e Profetit është universale dhe si pasojë, edhe libri që i shpallet atij, duhet të jetë një libër universal. Ndaj themi se Kur’ani është libri që ia tregon njerut rrugën drejt lumturisë në çdo vend dhe në çdo kohë. Lidhur me këtë, Zoti thotë:


Vërtet ky Kur’an udhëzon drejt rrugës më të drejtë dhe u jep sihariqe atyre që besojnë e që bëjnë vepra të mira, se për ta ka një shpërblim të madh. (Kur’an 17:9) 


Kuptohet se duhet të kihet kujdes që jeta e njeriut të jetë gjithnjë nën kontroll, të mbrohet nga kërcënimet dhe devijimet e mundshme e të hidhen me kujdes hapat që duhen hedhur. Në këtë kontekst duhet t’i kuptojmë shumë seriozisht paralajmërimet e bëra dhe sihariqet e dhëna në Kur’an. Zoti i Madhëruar e ka përshkruar të Dërguarin e Zotit si një paralajmërues dhe dhënës sihariqesh, që nëpërmjet tij, njerëzit ta njohin rrugën e drejtë dhe të motivohen për të hapëruar në të. Andaj, Zoti i botëve i thotë të Dërguarit:


Ty të dërguam veç që të sjellësh sihariqe e të paralajmërosh. (Kur’an 34:28) 


Nëse feja islame është vërtet universale dhe nëse Kur’ani është vërtet një mrekulli e përjetshme hyjnore, atëherë vetvetiu shfaqen pyetjet në vijim: a e tregon kjo fe dhe libri i saj mënyrën se si mund të arrihet lumturia në këtë jetë dhe në tjetrën? Cili është roli i fesë dhe i librit të saj të shpallur në këtë drejtim? A ekzistojnë në Islam vepra që duhet të bëhen  dhe të tilla që nuk duhen bërë? A janë njerëzit të detyruar t’i kryejnë disa gjëra dhe të qëndrojnë larg disa gjërave të tjera. Nëse vërtet ka ligje që duhen ndjekur, a është e përshtatshme ekzistenca e tyre me vullnetin e lirë dhe të pavarur? Si mund të themi se njeriu është i lirë, ndërkohë që i caktojmë atij detyrime dhe ndalesa? Një tjetër pyetje është lidhur me kushtet e përgjegjësisë. Kush dhe kur duhet të mbajë përgjegjësi dhe ta ndjekë ligjin? Ka edhe një sërë pyetjesh të ngjashme në lidhje me sheriatin islam, të cilave do t’u gjejmë përgjigje në vijim të këtyre ligjëratave. 


Jemi të mendimit se dyshimet që disa njerëz i aktualizojnë lidhur me sheriatin islam, krahasimet e pahijshme që bëjnë dhe paragjykimet që i kanë karshi tij, e kanë burimin tek mosnjohja e sheriatit. Sikur t’i drejtoheshin sheriatit islam dhe, në përgjithësi, esencës së feve abrahamike, do të kuptonin se të gjitha rregullat dhe ligjet janë përpiluar duke i pasur parasysh dobitë dhe dëmet e veprave të caktuara. Zotit i takon urtia absolute dhe assesi nuk mund të mendohet që ai të vendosë një ligj ose një rregull që nuk është në dobi të njeriut e që është në dëm të tij. Po kështu, nuk mund të mendohet që Zoti të vendosë ligje që do të jenë të dobishme për vetë Atë.


Në pjesën ku e rrëfen ndodhinë mbi profetin Musa (paqja qoftë mbi të) dhe bariun, Mevlana Xhelaleddin Rumi, duke i përcjellur fjalët e Zotit, thotë: “O Musa! Unë nuk i krijova krijesat që të kisha ndonjë dobi prej tyre, por për të qenë bujar e për t’i furnizuar ato.” Pastaj shton: Zoti i Madhëruar është i pavarur në nivel absolut. Gjithkush është nevojtar për Të e gjithkush është i skamur dhe i varfër karshi Atij.


Ligjet, aktet e adhurimet dhe përgjegjësitë fetare ekzistojnë për pastrimin dhe lartësimin e njeriut. Një perëndi që do të vendoste ligje për dobinë e vete do të ishte larg përsosurisë dhe do të mund të thuhej se ligjet i ka vendosur për ta plotësuar këtë mangësi të vetën. Por, siç dihet, ky qëndrim është mohuar në çdo fe monoteiste dhe veçanërisht në Islam.


Nëse pranojmë se dituria, urtia, fuqia dhe jeta e çojnë njeriun drejt përsosurisë, atëherë duhet domosdo të pranojmë se Zoti është i i Dituri, i Përsosuri dhe i Urti absolut. Ai nuk e ka pranuar prej dikujt tjetër ndonjërën nga këto cilësi. Rrjedhimisht, edhe ligjet dhe rregullat e sheriatit i ka vendosur për dobinë e njerëzve. Shpresojmë se në ligjërata tona vijuese do t’u përgjigjemi gradualisht të gjitha pyetjeve të lidhura me këtë temë, duke mundësuar që njerëzit e arsyeshëm të fitojnë një përshtypje dhe qasje të saktë lidhur me sheriatin. 


Do të ishte me vend, në këtë pikë, që të bëjmë një përkujtim të rëndësishëm. Në kohën tonë është shumë thelbësor roli i dijetarëve islamë, që janë të pajisur me dituri të mjaftueshme në lidhje me principet dhe praktikën e fesë e që janë të specializuar në lëmej të ndryshëm. Fatkeqësisht ekzistojnë disa grupe dhe qarqe të caktuara që punojnë ditë e natë për ta lëkundur besimin e njerëzve, për ta dobësuar mbështetjen e tyre në ligjin islam, për t’i ndryshuar realitetet fetare dhe për të aktualizuar dyshime në lidhje me to. Personat që i kanë në dorë mjetet e mass media-s dhe që dëshirojnë t’u bëjnë një shërbim njerëzve besimtarë, duhet para se të gjithash t’u japin mundësi besimtarëve të feve të ndryshme që ta njohin më mirë dhe saktësisht fenë e tyre. Me këtë duam të themi se njerëzve të specializuar dhe të aftë duhet t’u jepet mundësia për ta prezantuar Islamin, në mënyrë që të mos dalin në skenë, si ekspertë të Islamit, njerëz të paaftë e madje herë pas here edhe armiqësorë ndaj kësaj feje. Veçanërisht në këto ditë jemi dëshmitarë të sulmeve të shumta që i bëhen Islamit. Është me rëndësi që t’u jepet fjala dijetarëve që do të mund ta mbrojnë Islamin nga sulmet e tilla dhe që do të mund ta nxjerrin në dritë realitetin e tij. 


Për fund, do të doja të bëj edhe një përkujtim të fundit. Shumë dijetarë dhe shkencëtarë e kanë theksuar nevojën e përhapjes së fesë dhe të përshpirtshmërisë në shoqëri. Nuk ka dyshim se realitet i përshpirtshmërisë mund të fitohet vetëm në mësimin e pastër dhe të pandryshuar të feve abrahamike. Nëpërmjet realitetit të fesë, edhe individi edhe shoqëria mund të gjejnë prehje dhe qetësi. Ky realitet e ndryshon qasjen materialiste të njeriut kundrejt jetës dhe botës, duke e orientuar drejt realiteteve të përjetshme hyjnore e duke i mundësuar të mbruhet me dashurinë hyjnore dhe me njohjen (marife). Kur shoqëria jonë ta përjetojë këtë ndryshim, e gjitha trajta e saj do të ndryshojë dhe do të zgjidhen gradualisht problemet intelektuale, ekonomike, psikike, kulturore, morale dhe shoqërore të njerëzimit. 


Zoti im! Na e ndrit zemrën me dritën e Kur’anit dhe na bëj të aftë t’i kuptojmë realitetet e fesë!

publikuar më: 09.05.2014

Kthehu