Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Falë mëshirës së Zotit jemi duke e shijuar të premten e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit. I lutemi Zotit që të na dhurojë sukses në të kuptuarit e bekimeve shpirtërore të këtij muaji!
Disa janë të mendimit se fjala Ramadan buron nga rrënja ramd, e cila definohet si “shkëlqimi i gurëve si pasojë e nxehtësisë së madhe”. Sipas këtij interpretimi, ngase muslimanëve u është caktuar agjërimi edhe në kohët më të nxehta, njerëzit e emërtuan kështu këtë muaj. Përveç kësaj ekziston edhe mendimi se ky muaj u quajt Ramadan, sepse ai i djeg mëkatet e njeriut dhe madje e djeg edhe vetë shpirtin për ta bërë më të pastër dhe për t’i larguar prej tij gjërat si egoizmi dhe mendjemadhësia. Ekzistojnë edhe disa mendime të tjera, sipas të cilave fjala Ramadan është një fjalë që rrjedh nga fjala ramid, me të cilën nënkuptohet një stuhi verore që e zbut vapën e verës. Sipas kësaj, Ramazani është quajtur kështu ngase e pastron trupin nga mëkatet dhe papastërtitë.1
Një mendim tjetër akoma, thotë se emërtimi i këtij muaji buron nga një koncept krejtësisht i ndryshëm, i cili e përshkruan veprimin e mprehjes së majës së një shtize, duke e vendosur atë ndërmjet dy gurëve dhe duke e goditur fort. Sipas këtij interpretimi, Ramazani është muaji ku njeriu vendoset ndërmjet bindjes ndaj Zotit dhe adhurimit të Tij, në mënyrë që shpirti i tij të përmirësohet dhe të përgatitet për adhurimin e mirëfilltë të Zotit. Edhe në lidhje me burimin e këtij emërtimi ka patur mendime të ndryshme. Ndërsa disa janë të mendimit se emri i këtij muaji erdhi me Islamin, disa janë shprehur se ky emërtim ka ekzistuar që në kohën e paganizmit paraislam.2
Ramadan është njëri nga emrat e Zotit, që njeriu duhet ta shqiptojë me respektin më të madh. Përcillet se Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) i këshillonte njerëzit që të mos e shqiptonin së koti këtë emër, por përherë ta përmendnin në kontekstin e muajit të Ramazanit. Në fjalimin e famshëm të Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), të njohur si “fjalimi i muajit Sha’ban”, ai thotë: O njerëz! Muaji i Zotit po ju vjen.3
Në disa thënie është përcjellur madje se muaji Ramazan është muaji i parë i vitit, si në thënien vijuese të Imam Rizait (paqja qoftë mbi të): Viti fillon me Ramazanin.4 Nëse ky muaj kalon me shëndet, i gjithë viti ka për të qenë i shëndetshëm.5
Ky muaj është i rëndësishëm sepse në të, të gjithë njerëzit janë mysafirë të Zotit. Ndonëse njerëzit, qofshin besimtarë ose jo, janë gjithnjë mysafirë të mëshirës hyjnore dhe shijues të dhuntive të Zotit, prapëseprapë në muajin Ramazan ka një mëshirë të veçantë hyjnore ndaj agjëruesit. Sipas haditheve, kjo “gosti” e Zotit ka disa veçori, prej të cilave vlen të përmenden këto në vijim:
- dyert e parajsës hapen në fillim të Ramazanit dhe nuk mbyllen derisa të kalojë ai6
- dyert e ferrit mbeten të mbyllura përgjatë këtij muaji7
- djajtë lidhen me zinxhirë, në mënyrë që të mos mund t’i çojnë agjëruesit drejt devijimit8
- fillimi i muajit Ramazan është mëshira e Zotit, mesi i tij është falja e mëkateve dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri i ferrit9
Në fillim, pra, besimtarët ftohen drejt kësaj gostie hyjnore. Pastaj atyre u falen mëkatet dhe më në fund u dhurohet shpëtimi nga zjarri i ferrit. Një natë shumë e rëndësishme në këtë muaj është nata e Kadrit (Lejetu’l-kadr), që është më e vlefshme se njëmijë muaj. Adhurimet që bëhen në këtë natë janë vendimtare për fatin (kaderin) e vitit të ardhshëm të një besimtari.10
Është shumë me rëndësi, në këtë kontekst, që të njihen dhe shfrytëzohen bekimet e agjërimit. Njeriu duhet ta planifikojë përditshmërinë e tij në një mënyrë që të përfitojë sa më shumë prej dobive të këtij muaji. Aktivitetet tona në këtë muaj duhet të jenë në përshtatshmëri me qëllimet më të larta të krijimit njerëzor. Ndërsa përpiqemi për jetën tonë të përditshme, duhet të përpiqemi edhe për dituri dhe njohje shpirtërore, duke kaluar kohë në lutje. Që të mund të shfrytëzohet më së miri ky muaj, pikat në vijim do të ishin mjaft të dobishme:
- leximi i Kur’anit disa herë në ditë
- leximi i lutjeve (duave) të ndryshme gjatë ditës
- qenia me abdest gjatë përkujtimit të Zotit
- bërja gusl para gjumit
- mosfjetja gjatë gjithë natës
- vizita e kuvendeve ku flitet për tema fetare etj.
Për fund, duam të flasim pak edhe për ndikimet e agjërimit. Në një hadith kudsi, Zoti thotë: Agjërimi është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i agjëruesit.
Ky detyrim që na është dhënë nga Zoti, ka shumë ndikime. Agjërimi, përveç që është i dobishëm për trupin, e pastron edhe shpirtin dhe e përmirëson atë. Ndikimi më i rëndësishëm i agjërimit është fakti se shpirti pastrohet nëpërmjet bindjes ndaj Zotit dhe pajiset me aftësinë për ta perceptuar hyjnoren në tërësinë e saj.
Përveç kësaj, agjërimi e përforcon fuqinë e vullnetit, sepse gjatë agjërimit, njeriu për një muaj të tërë i ndjek me shumë përpikmëri urdhrat e Zotit dhe këtë e përsërit çdo ditë. Ai e mëson shpirtin e tij me vepra të mira dhe e zhvillon fuqinë e vullnetit, për të cilën do të ketë nevojë më pas, gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme në jetën e tij. Nëpërmjet agjërimit, njeriu i vendos nën kontroll instinktet e veta. Ai abstenon nga ushqimi dhe pija, ndonëse ka uri dhe etje. Ai heq dorë nga shijimet materiale, për të treguar se nuk është një i burgos i instinkteve të tija, siç janë kafshët, dhe se mund ta kontrollojë veten e tij. Ai mund t’u bëjë ballë joshjeve dhe kështu ta nënshtrojë dhe ta zbusë instinktin. Nëpërmjet agjërimit, njeriu shkëputet nga bota shtazarake dhe ngjitet lart në botën ëngjëllore. Kështu, ai e përgatit veten për ta kuptuar mësimin hyjnor, sepse pikërisht devotshmëria që shfaq gjatë agjërimit, është njëri nga parakushtet për këtë gjë.
Edhe aspektin shoqëror të agjërimit nuk guxojmë ta lëmë pa përmendur. Agjërimi është një shenjë e altruizmit dhe e gatishmërisë për të sakrifikuar për të tjerët. Njeriu është një qenie shoqërore dhe një njeri i përsosur është ai që lartësohet në të gjithë aspektet. Nëpërmjet agjërimit, njeriu lartësohet në aspektin shoqëror, sepse përkujtohet për faktin se edhe ai është i barabartë për nga vlera me të gjithë njerëzit e tjerë. Nëpërmjet agjërimit, një besimtar nis të mendojë më shumë për nevojtarët dhe përpiqet të gjejë mënyra për t’i dhënë fund varfërisë. Sikur të gjithë njerëzit ta kryenin si duhet detyrën e tyre, vështirë se do të mbetej ndonjë i uritur në botë. Një poezi e famshme thotë:
Njerëzit janë pjesë të të njejtit trup
Nga i njejti burim u vjen të gjithëve krijimi
Kur një pjesë e trupit dhimbje të ndjejë
Më s’ka për të tjerat paqe e qetësi.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Sujuti, El-Dar el-Menthur, vëll.1, fq.183
2: Sejjid Ali Husseini el-Medani el-Saidari, Riadhal masakin fi sherh-i sahife sexh’xhadijje, vëll.6, fq.10-11
3: Sejjid Ibn Tavus, El-Ikbal, vëll.1, fq.36
4: po aty, fq.31
5: po aty
6: Biharu’l-Enver, vëll.96, fq.344; Mizanu’l-Hikme, vëll.5, fq.2142
7: Mizanu’l-Hikme, vëll.5, fq.2142
8: po aty
9: po aty
10: po aty