Imam Aliu (a.s)
Trashëgimia morale dhe shpirtërore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në fjalimin e kësaj jave do të merremi më hollësisht me personalitetin e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), i cili i posedonte cilësitë më të shkëlqyeshme në nivelin personal dhe në jetën e tij në shoqëri. Të gjithë janë në pajtim në lidhje me faktin se Imam Aliu ishte një personalitet unik me një rëndësi të madhe historike. Shumë muslimanë dhe jomuslimanë kanë folur mbi të dhe kanë qenë të një mendjeje në lidhje me fisnikërinë e karakterit të tij. Të gjitha mirësitë ishin të mbledhura në të, gjë që e bënte shembull për çdo mendimtar dhe një shembull për gjithkënd që e kërkon të mirën dhe moralin. Të gjithë njerëzit e duan atë dhe virtytet e tija dhe të gjithë e shohin veten me shumë krenari si nxënës të këtij personaliteti madhështor të historisë. Megjithatë, përgjatë historisë, Imam Aliu do të përjetonte padrejtësi të mëdha, të cilat do të parashiheshin në thënien e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) drejtuar atij: O Ali! Pas meje do të përballesh me shumë intriga dhe mashtrime... 


Atëherë çfarë ishte ajo që, megjithatë, i fali Imam Aliut kaq lavdi dhe nder? Si e arriti ai këtë pozitë të lartësuar? Si përgjigje për këto pyetje duhet të themi fillimisht se fshehtësia e kësaj fisnikërie të madhe të tij qëndron në robërinë e mirëfilltë para Zotit. Ai ishte një monoteist i mirëfilltë dhe ishte pikërisht njëmendësia e monoteizmit (teuhidit) që manifestohej në mendimet, veprat dhe në sjelljen e tij. Ai ishte pajisur me robërinë e mirëfilltë para Zotit, me droje nga Zoti, me devotshmëri, me guxim, me drejtësi, me dituri, me arsye, me dashuri, me bujari, me falje, me vetëkontroll dhe me sjellje përplot mirësi. Ai ishte nxënësi më i shkëlqyeshëm i Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe një fëmijë gjenial, i rritur nën përkujdesin e tij. Ai e fitoi një pozitë aq të lartë, sa Kur’ani do ta quante “shpirti” (arab. nefs) i Profetit (përkthyesi: aludon në vargun 3:61 të Kur’anit). Sipas fjalëve të Profetit, Aliu i kishte arritur shkallët më të larta të besimit dhe ishte standardi matës i besimit e i çdo veprimi të mirë.


Gjëja më e rëndësishme për ta njohur Imam Aliun është që njeriu të kuptojë sa gjithëpërfshirës janë të gjithë aspektet e qenies së tij, si një rob fisnik dhe i devotshëm i Zotit. Shumë nga ata që e konsiderojnë veten si të dashamirë të Imam Aliut, i njohin vetëm disa nga këto aspekte dhe nuk janë të vetëdijshëm për virtyteve të tjera të tij. Imam Aliu u rrit nga vetë Profeti dhe nga Kur’ani. Ai, njësoj si edhe vetë Kur’ani, është i përsosur dhe gjithëpërfshirës. Në të gjithë aspektet e qenies së tij, ai qëndron në majat e përsosurisë dhe i fton njerëzit drejt vetes, që njerëzit t’i lënë gjërat e pavlefshme të kësaj bote dhe të lartësohen drejt pozitës së tij. Në librin e tij të titulluar “Zëri i drejtësisë njerëzore”, George Jordac shkruan:


Ali ibn Ebu Talibi u takon personaliteteve unike, realiteti i të cilëve fshihet në besimin e tyre absolut dhe në fisnikërinë njerëzore, të cilën e kanë jetësuar në përditshmërinë e tyre prej njeriu fisnik dhe të lirë.


Shibli Shomajjil (1850-1917), mjek dhe intelektual i krishter nga Siria, shkruan: Imam Ali ibn Ebu Talibi është zotëriu i madh i botës. Ai është një shembull unik, i cili nuk ka të ngjashëm as në lindje e as në perëndim, as në ditët e sotme dhe as në të kaluarën.


Përcillet se teksa qëndronte pranë varrit të këtij Imami të dëlirë, Ghataa ibn Zarare tha:


Zoti qoftë i kënaqur me ty, o Prijës i Besimtarëve! Për Zotin, jeta jote ishte çelësi drejt të mirës dhe bekimit. Po të të kishin njohur ty, njerëzit do t’i fitonin të gjithë bekimet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Por ata s’e njohën këtë bekim hyjnor dhe këtë botë e zgjodhën. 


Nga ajo që kanë përcjellur dijetarët e ndryshëm, mund të kuptojmë se Imam Aliu ishte një personalitet gjithëpërfshirës, i kushtuar krejtësisht Zotit. Ai ishte i papërsëritshëm në mirësitë e në cilësitë e tija dhe, si të ishte një sociolog hyjnor, përpiqej t’i zgjidhte të gjithë problemet intelektuale, fetare dhe etike të shoqërisë. Ai bëri ç’mos që askush të mos shtypej dhe që niveli i diturisë së njerëzve të rritej sa më shumë. Ishte një dëshirë e tija që secili njeriu, me aq sa lejojnë kapacitetet e tija, të fitonte një hise nga e Vërteta dhe ta arrinte lumturinë e mirëfilltë, pasi ta kishte kuptuar jetën si duhet.


Për Imam Aliun, e vërteta kishte prioritet mbi të gjitha gjërat e tjera. Që të gjente vendin e vet drejtësia, ai ishte gati ta paguante çdo çmim dhe gjithherë theksonte se shoqëria njerëzore, duke u mbështetur në mendjen dhe në diturinë hyjnore, duhet t’i njohë detyrimet e saja dhe t’i realizojë ato. Në lidhje me mendjen, ai ka thënë:


- Asnjë pasuri nuk është si mendja dhe asnjë varfëri si padituria. Mendja është burimi i të mirave, është dhuntia më e madhe dhe stolia më e bukur.


- Mendja është lajmëtare e udhëzimit dhe më i forti i themeleve. Personaliteti i njeriut varet nga mendja e tij dhe është mendja, nëpërmjet të cilës njeriu mund t’i vendosë gjërat e tjera në rrugë të drejtë.


- Mendja është prijëse e ushtrisë së Zotit, ndërsa epshi është prijës i ushtrisë së djallit. Shpirti i njeriut i tërheq të dyja dhe cilado prej tyre të ngadhnjejë, ajo do të vendoset në të.


- Dhuntia më e madhe e njeriut është mendja e tij, sepse ajo i jep nder dhe ajo e ngrit lart njeriun dhe e shpëton atë, pasi të ketë rënë përtokë. Nëse hyn rrugëve të gabuara, është mendja që ia tregon rrugën e drejtë dhe është prapë mendja që i largon gabimet në fjalët e tija.


- Njësoj siç kërkohet besimi, tek besimtari kërkohet edhe mendja. Besimtari nuk është besimtar i mirëfilltë derisa nuk e përdor mendjen e tij. Vlera e çdo njeriu fshihet në mendjen e tij. 


Imam Aliu theksonte gjithnjë se njeriu që e kërkon lumturinë e vërtetë, duhet ta ndjekë Librin e Zotit dhe Traditën e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Në lidhje me Kur’anin, ai thoshte se në të përfshihen njohuri mbi të ardhmen, lajme nga e kaluara, shërimet e sëmundjeve dhe rregullat në lidhje me jetën shoqërore. Dhe thoshte: Disa pjesë të tij flasin për pjesët e tjera dhe i vërtetojnë ato. Ky libër nuk thotë asgjë të gënjeshtërt për Zotin. Kushdo që e njeh atë, nuk do të jetë larg Zotit. Kur’ani s’pëson ndryshime dhe s’ka nevojë të plotësohet...


Imam Aliu thoshte me ngulm se në çdo fazë të jetës së tij, njeriu duhet ta ndjekë Kur’anin. Ai ishte i bindur se kontakti me Kur’anin dhe lidhja e njeriut me të, i mundëson njeriut ta tejkalojë çdo pengesë dhe të mos ndjehet kurrë i vetmuar e i trembur. Kur’ani është miku dhe shoqëruesi më i mirë i njeriut, ndërsa njohja e tij i shëron edhe sëmundjet më të liga, gjegjësisht mohimin, dyfytyrësinë dhe paditurinë, të cilat janë njëherit edhe problemet më të mëdha të shoqërisë.


Për Imam Aliun, sjellja e Profetit ishte sjellja më e mirë. Ai theksonte se sjellja e muslimanëve duhet të përshtatet me modelin e Profetit. Sipas fjalëve të tija, tradita e Profetit ishte metoda më e përsosur për udhëzimin e njerëzve. Ai thotë: Robi më i dashur i Zotit është ai që e merr si shembull Profetin e Tij dhe që ec gjurmëve të tija. Dhe thotë gjithashtu: Njihe udhëheqësinë e Profetit dhe shihe atë si një prijës në rrugën tënde drejt shpëtimit!


Imam Aliu gjithnjë i ftonte muslimanët drejt unitetit dhe këtij qëllimi ia kushtoi gjithë jetën e tij. Edhe në çastet e fundit të jetës së tij të çmuar, ai i ftoi ndjekësit e tij që ta ruanin paqen dhe rendin mes besimtarëve, ta mësonin Kur’anin, të kishin kujdes për fqinjët, t’i ndihmonin jetimët e nevojtarët, ta urdhëronin të mirën e ta pengonin të ligën, t’i mbronin të shtypurit, t’i vizitonin shtëpitë e Zotit dhe t’u bindeshin mësimeve të Profetit të Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).


Mbi Imam Aliun janë thënë e janë shkruar shumë gjëra. Por duket se edhe shumë gjëra mbeten të pathëna e të pashkruara ende. Mendimtarët dhe dijetarët duhet të merren më tepër me personalitetin e këtij njeriu madhështor, për ta hulumtuar më hollësisht e për t’ia prezantuar më mirë shoqërisë njerëzore. Njohja e të gjithë aspekteve të qenies së Imam Aliut mund të luajë një rol të rëndësishëm në vendimet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e jetës njerëzore dhe atë të shoqërisë.


Shpresojmë me gjithë zemër se e gjithë shoqëria njerëzore, por para se të gjithash, muslimanët dhe ndjekësit e rrugës së këtij Imami, do ta njohin pozitën e tij, aq sa u lejojnë kapacitetet e tyre, dhe do ta ndjekin atë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 24.05.2013

Kthehu