Profetësia
Sjellja dhe metodologjia e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!



Temë e kësaj ligjërate janë sjellja e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) dhe metodat që ai i shfrytëzoi për t’i arritur qëllimet e tija të lartësuara. Është shumë me rëndësi që muslimanët t’i njohin metodat e të Dërguarit (s.a.a.), qoftë në shpalljen e fesë, qoftë në administrimin dhe udhëheqjen e shoqërisë muslimane, duke i kuptuar njëkohësisht edhe themelet dhe parimet që e motivonin veprimin e tij, me shpresën se këto do të bëhen shembuj e modele për t’u ndjekur në jetët e tyre.


Njohja e mënyrës së veprimit të të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) kërkon që t’u hidhet një sy studimeve të jetës së tij. Prej shumë aspekteve, këtu do të përmendim vetëm disa, sepse, siç mund të kuptohet, një ligjëratë e tillë nuk mund të mjaftojë për t’i përfshirë të gjithë aspektet e sjelljes së tij. Ndaj shpresojmë, nga thellësia e zemrës sonë, se edhe në ligjërata të tjera do të kemi mundësi të flasim më tepër lidhur me sjelljen dhe traditën e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.).


1. Një princip shumë i rëndësishëm i të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) ishte konsultimi, gjë që e shfrytëzonte shpesh, si në çështje diturore ashtu edhe në çështje shoqërore. Ai, edhe përkundër faktit se kishte një vizion plotësisht të qartë mbi gjërat dhe i njihte metodat më ideale për rregullimin e punëve, kurrë nuk hiqte dorë nga konsultimi dhe gjithnjë ua merrte mendimin edhe shokëve të tij. Me këtë, ai përpiqej t’i edukonte ndjekësit e tij që edhe ata të këshilloheshin me të tjerët në punët e tyre. Ndikimi më i rëndësishëm i këtij veprimi ishte fakti se me këtë akt konsultimi, ndjekësve u jepej një personalitet dhe dinjitet. Ai u mundësonte që të mendonin lidhur me çështjet dhe kurrë nuk i fyente. Ai i trajtonte me respekt dhe, në disa raste, vepronte sipas këshillave të tyre, siç ka dëshmuar historia.


2. Sjellja dhe metodologjia e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) ishin në harmoni të plotë me Kur’anin. Gjatë tërë jetës së tij, ai i orientoi veprimet e veta sipas mësimit të shpallur të Librit të shenjtë. Hz. Fatimeja (s.a.) e ka përshkruar shumë bukur sjelljen e tij, duke thënë: “Sjellja e tij është vetë Kur’ani.” Edhe Kur’ani, në vargjet e tij, e lëvdon sjelljen e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) dhe thotë:


Vërtet ti ke një moral sipëror. (Kur’an, 68:4)


Ai gjithnjë i trajtonte njerëzit me kujdes, butësi dhe bujari, aq sa Kur’ani thotë:


Dhe ishte nëpërmjet mëshirës së Zotit që ti u solle butë ndaj tyre. Po të ishte i ashpër e zemërgur, ata do të ishin larguar prej teje. Ndaj fali, lutu për faljen e tyre dhe konsultohu edhe me ta! Por kur të kesh vendosur, atëherë mbështetu në Zotin. Vërtet, Zoti i do ata që mbështeten në Të. (Kur’an, 3:159)


Ai ishte i Dërguari (s.a..a) i dashurisë dhe e përcolli mësimin që iu shpall në një mënyrë shumë të kujdesshme dhe bujare, ndonëse kur bëhej fjalë për fenë, mendimin kur’anor dhe urdhrat e Zotit, ishte vendosmëria ajo që e dallonte. Gjithçka që thoshte ose bënte mbështetej në shpalljen hyjnore, prej të cilës nuk devijoi kurrë.


Miku juaj as është çmendur, as ka devijuar nga e drejta dhe as flet sipas dëshirave të veta. Është një shpallje që i është falur. (Kur’an, 53:2-4)


Nuk ka dyshim se ai ishte drita e realitetit hyjnor, e cila erdhi për të mirën e të gjithëve dhe bekimi i të cilës është gjithëpërfshirës.


Në vijim do të merremi me disa aspekte të tjera të sjelljeve të të Dërguarit të Zotit (s.a.a.), të cilat mund të gjenden në shumë hadithe dhe rrëfime lidhur me, me shpresën se, në dashtë Zoti, do të jenë të dobishme që të mund të hapërojmë rrugës së tij.


I Dërguari i Zotit (s.a.a.) ishte gjithnjë në përsiatje dhe kurrë nuk ishte mospërfillës ndaj të tjerëve.[1] Mendimi i tij parimor ishte udhëzimi i njerëzve. Ai ishte i preokupuar me edukimin e mirë dhe të drejtë të njerëzve, që secili të mund t’i kuptonte si duhet detyrat e tija. Ai gjithnjë ndihej përgjegjës për njerëzit dhe dëshironte që të ishin të vëmendshëm karshi mësimit dhe arsimimit, të edukoheshin më së miri, të orientoheshin në jetët e tyre sipas Kur’anit dhe ta zgjidhnin rrugën e tyre në këtë mënyrë.


Një tjetër aspekt i rëndësishëm i sjelljeve të tija, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, ishte fakti se kurrë nuk i nënçmonte dhuntitë hyjnore. Asnjë aspekt të dhembshurisë e mëshirës së Zotit nuk e shihte si të vogël e të parëndësishme dhe ndiente një mirënjohje të thellë për të. Ai i çmonte dhuntitë e Zotit dhe ishte i vëmendshëm që të mos e harronte asnjërën prej tyre.[2] Kjo pikë meriton përsiatje më të thellë dhe përbën një shembull për njerëzimin e sotëm, i cili, ndonëse jeton në një oqean dhuntish hyjnore, nuk është në gjendje t’i çmojë ato. Askush nuk mund t’i numërojë të gjitha të mirat që na janë falur nga Zoti ynë. Përcillet se Ummu Selemeja e pyeti të Dërguarin e Zotit (s.a.a.): „O i Dërguar! Ti je i dëlirë nga mëkatet, ndërsa mëshira e bekimi i Zotit kurrë nuk të ndërpriten. Përse qan prapëseprapë (në lutje) dhe fal namaze aq të gjata?“ Ai u përgjigj: “Pse të mos jem një rob mirënjohës i Zotit?” Kjo thënie e të Dërguarit (s.a.a.) qartëson se njeriu duhet gjithnjë t’i ketë parasysh dhuntitë e Zotit e të jetë mirënjohës për to. Pa dyshim, ndjesia e mirëfilltë e mirënjohjes kërkon që secila nga këto dhunti të çmohet veçmas dhe të vendoset në pozitën e saj.


Një tjetër tipar i sjelljes së të Dërguarit (s.a.a.) ishte fakti se përherë e lëvdonte një vepër të mirë, ndërkohë që i qortonte të ligat.[3] Nuk ka dyshim se një shoqëri ka për të qenë e prirë drejt të mirës, nëse veprimet e mira lëvdohen dhe përkrahen. Në një shoqëri të tillë, të mirat do të çmohen, ndërsa të ligat do të lihen mënjanë. Ne i takojmë ummetit të këtij të Dërguari të Mëshirës (ar. Resul er-Rahme) dhe këtij mësuesi të madh të etikës e të moralit, ndaj duhet ta stolisim veten tonë me virtyte dhe të largohemi nga veset.


I Dërguari i Zotit e niste çdo veprim me përkujtimin e Zotit dhe kështu e mbaronte çdo ditë të tijën. Netëve rinte zgjuar, e adhuronte Zotin dhe kështu e qetësonte edhe më shpirtin e vet, duke e përforcuar lidhjen e tij me Zotin.


Në çdo takim e në çdo vend, ai e përmendte emrin e Zotit. Siç përcillet në hadithe: Ai nuk ulej e nuk ngrihej pa e përmendur emrin e Zotit.”[4] Ky është një mësim, për të cilin duhet të jemi të vëmendshëm të gjithë.


I Dërguari i Zotit (s.a.a.) i vlerësonte njerëzit sipas takva-së, pra drojës së tyre karshi Zotit, dhe jo sipas fuqisë dhe pasurisë së tyre. Për këtë arsye, ai shoqërohej dhe hante me të varfërit, si dhe i përshëndeste njësoj edhe të varfërit edhe të pasurit. Të varfërit ishin gjithnjë në mesin e shokëve të tij dhe ndiheshin këndshëm në praninë e tij. Ndaj tyre, i Dërguari (s.a.a.) ishte shumë modest dhe, për shembull, kur u ulej pranë, asnjëherë nuk kërkonte një vend të veçantë për veten. Përcillet se përherë ulej në vendin e parë të lirë që do të gjente.[5]


Në mesin e sjelljeve të të Dëguarit (s.a.a.) është edhe falja e gjithsecilit që i bënte padrejtësi dhe që pastaj i kërkonte ndjesë. [6] Ai ishte më miqësori dhe më ndihmëtari mes njerëzve[7] dhe ishte i dashur me të gjithë, sepse ishte vetë i Dërguari i Mëshirës. Kur përballej me ndonjë problem, mbështetej tërësisht në Zotin.[8] Ai nuk fliste pa nevojë [9] dhe kurrë nuk zemërohej për punë të kësaj bote. Për të, vetëm çështjet hyjnore dhe të amshueshme kishin rëndësi. Edhe përkundër varfërisë së tij, ai mbeti papërkulur dhe i vendosur. Përcillet se kishte një jetesë shumë modeste, pa kurrfarë sqime. Kjo është arsyeja përse njerëzit e ftonin me shumë dëshirë në shtëpitë e tyre: ata e dinin se ai nuk ishte një mysafir që do t’u shkaktonte harxhime. Kështu, edhe më të varfërit e ftonin me shumë kënaqësi në shtëpitë dhe ndiheshin mirë në praninë e tij. Ai ishte një i Dërguar i Zotit (s.a.a.), i cili ishte prej tyre, u takonte atyre dhe jetonte e banonte mes tyre, për t’ua mësuar urdhrat hyjnorë.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotiti qofshin mbi ju!






[1] El-MIzan, v.6, fq.303




[2] Po aty




[3] Po aty, fq.304




[4] Po aty




[5] El-Mizan, v.6, fq.304; shih gjithashtu Sunnen en-Nebi, fq.76




[6] Sunnen en-Nebi, v.2, fq.76




[7] Po aty, fq.38




[8] Po aty, fq.39




[9] Po aty, fq.13



publikuar më: 17.12.2016

Kthehu