Lëvizja e Ashures
Imam Husejni (a.s.) dhe rishfaqja e Imam Mehdiut (a.f.)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Kemi folur shpesh për shenjat e rishfaqjes së Imam Mehdiut (a.f.). Por tani ndodhemi në muajin Muharrem dhe do të ishte me vend që të themi disa fjalë lidhur me rolin dhe rëndësinë e Imam Husejnit (a.s.) në lëvizjen e Imam të Kohës (a.f.).


Fillimisht duhet theksuar se ndodhitë mund të shqyrtohen nga dy aspekte. Njëri aspekt është që të konsiderohet ardhmëria e një ndodhie, ndërsa aspekti tjetër që të kundrohet vetëm koha e vetë ndodhisë, si dhe pasojat e menjëhershme të saj. Një analizë afatgjatë lidhur me ardhmërinë e një ndodhie është detyrë e shkencës së mirëfilltë.


Në këtë fjalim duam ta analizojmë kryengritjen e Imam Husejnit (a.s.), duke i konsideruar pasojat e saja afatgjata. Ajo që mund të thuhet me lehtësi, që në fillim, është se Imam Husejni (a.s.), me kryengritjen e tij, i krijoi parakushtet më të rëndësishme për rishfaqjen e Imam Mehdiut (a.f.). Këtë e themi për shumë shkaqe:


1. Në hadithe është përcjellur se Imam Husejni (a.s.) është si një dritë. Shprehja “dritë udhëzuese” është zgjedhur për ta theksuar faktin se çdo dritë, ndonëse mund të ndriçojë, nuk shërben domosdo si udhërrëfyese. Shkenca, për shembull, është një mjet përndritjeje për njeriun, por ajo nuk e tregon domosdoshmërisht rrugën e drejtë. Një dritë si Imam Husejni (a.s.), megjithatë, ia tregon njerëzimit rrugën e udhëzimit.


2. Imam Husejni (a.s.) është cilësuar edhe si një “anije shpëtimi”. Ajo që nënkuptojmë me shprehjen “anije shpëtimit” është një mjet, i cili është shpëtimi i vetëm në dallgët e një deti të hapur, përveç të cilit nuk ka shpëtim tjetër. Pa një anije të tillë, dallgët e oqeanit të stuhishëm kanë për ta shkatërruar njeriun, i cili do të fundoset në fund të tij. Sërish këtu kemi një cilësim të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një anije të shpëtimit, sepse jo çdo anije është një anije shpëtimi. Në këtë kuptim, Imam Husejni (a.s.) është një anije shpëtimit, sepse nisi një lëvizje, fillimi dhe fundi i të cilës ishin tejet të qarta. Kjo lëvizje çon drejt shpëtimit dhe nuk ka qëllim tjetër veç shpëtimit të njeriut. Kjo lëvizje e sjell njeriun në “bregdetin” e shpëtimit dhe ruan shoqëri të tëra nga shkatërrimi. Është pikërisht ky shpëtim, i cili do të sillet nga Imami i Kohës (a.f.). Lëvizja e Imam Husejnit (a.s.), pra, është një lëvizje që ia hap rrugën rishfaqjes së Imam Mehdiut (a.f.).


3. Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.), njësoj siç do të jetë lëvizja e Imam Mehdiut (a.s.), ishte një luftë kundër padrejtësisë dhe për drejtësinë. Kështu, Imam Husejni (a.s.) i përgatiti parakushtet për një drejtësi mbarëbotërore, e cila, në të vërtetë, vetëm sa e përshpejton rishfaqjen e Imam Mehdiut (a.f.). Me këtë mund të themi se Imam Husejni (a.s.) ishte fillimi më i mirë për rishfaqjen e Imamit të Kohës (a.f.).


4. Kur’ani thotë:


Zoti ka premtuar se ata nga mesi juaj, që besojnë e bëjnë vepra të mira, ka për t’i bërë mëkëmbës mbi tokë, njësoj siç i bëri ata para tyre. (Kur’an, 24:55)


Siç kemi përmendur në fjalime të tjera, lëvizja e Imamit të Kohës (a.f.) varet nga dy gjëra. Fillimisht nga rishfaqja e vetë Imamit dhe, së dyti, nga shfaqja e ndjekësve të tij. Disa hadithe përmendin se mungesa e miqve dhe ndjekësve të Imam Mehdiut (a.f.) është njëra nga arsyet përse Imami nuk shfaqet. Roli i Imam Husejnit (a.s.), në këtë kontekst, është edukimi i njerëzve për t’u bërë dashamirë të mirëfilltë të Imam Mehdiut (a.f.), për sa kohë që Imami i Kohës të jetë në fshehje (ar. ghajbat). Imam Husejni (a.s.) organizoi një lëvizje, e cila krejt e pavarur nga koha dhe hapësira, do t’i pushtonte zemrat e njerëzve e do t’i udhëzonte ata nëpër labirintet e kohës.


Në një varg tjetër të Kur’anit të Shenjtë, Zoti u premton të dobëtive se do t’i bëjë prijës e sundues të botës dhe se do t’i vendosë mes njerëzve të Imamit:


Dhe ata që janë të shtypur në tokë, dëshiruam t’i dhuntisim e t’i bëjmë prijës e trashëgimtarë. (Kur’an, 28:5)


Fundi lavdiplotë i historisë u takon besimtarëve, që veprojnë mirë dhe që nuk janë të padrejtë. Imam Mehdiu (a.f.), pra, ka për t’u rishfaqur kur të virtytshmit të jenë të gatshëm. Këta janë miqtë dhe përkrahësit e tij, pa të cilët shfaqja e Imamit të Kohës (a.f.) nuk mund të ndodhë.


Roli i Imam Husejnit (a.s.) në edukimin e ndjekësve të tillë është një rol i pakrahasueshëm në histori. Nëpërmjet kryengritjes së tij, ai i ka ftuar drejt besimit dhe virtytit të gjithë njerëzit që kanë jetuar në kohën e fshehjes së Imamit të fundit. Një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëpërmjet një nisme, e cila nuk do të harrohet kurrsesi dhe përgjithmonë do të ketë një funksion udhëzues. Duhet të jetë, pra, një nismë, e cila në çdo kohë e në çdo epokë, do të bëjë jehonë për t’i tërhequr njerëzit drejt besimit dhe virtytit.


Në një hadith thuhet: “Në zemrat e besimtarëve, dashuria për Husejnin (a.s.) është një dashuri që nuk shuhet kurrë.” Arsyeja e kësaj dashurie të pashuar është pikërisht fakti se rruga e Imam Husejnit (a.s.) mbështetet në natyrën e lindur njerëzore (ar. fitrah) dhe në arsyen (intelektin). Ky Imam i dëlirë nisi një kryengritje, e cila, edhe përkundër të gjitha gjërave që bënë fuqitë e epokave të ndryshme për ta shuar, ka mbetur e paprekur dhe vazhdon të shërbejë si udhërrëfim për njerëzimin.


Edhe në ditët tona, kjo kryengritje vazhdon t’i përgatisë njerëzit për rishfaqjen e Imam Mehdiut (a.f.). Me kryengritjen e tij, Imam Husejni (a.s.) vërtet e përpiloi strategjinë e përgatitjes për rishfaqjen e Imamit të Kohës (a.f.). Si rrjedhojë, mund të thuhet se lëvizja e Imam Husejnit (a.s.) dhe ajo e Imam Mehdiut (a.f.) janë të ndërlidhura në shumë pika. Mes tjerash:



  • Titulli kaim (shqip: ai që ngrihet ose kryengritet) u zgjodh nga Zoti për Imam Mehdiun (a.f.), si personi që do të duhej të hakmerrej për Imam Husejnin (a.s.)

  • Edhe Imam Husejni (a.s.) edhe Imam Mehdiu (a.f.) kryengriten kundër regjimeve të kohës së tyre. Kjo nënkupton se është e mundur të arrihet paqja dhe drejtësia mbarëbotërore, duke u kryengritur kundër sunduesve tiranë të kohës.

  • zijaretin  e Ashures i lutemi Zotit që të na mundësojë të veprojmë në rrugën e të drejtës dhe drejtësisë, si dhe të na bëjë shoqërues të Imam Mehdiut (a.f.).

  • Imam Husejni (a.s.) i edukon njerëzit për të qenë ndjekëst e miq të Imam Mehdiut (a.f.), njësoj si i edukuan Imam Aliu (a.s.) dhe Imam Hasani (a.s.) njerëzit e kohëve të tyre për ta dashur Imam Husejnin (a.s.).

  • Edhe kryengritja e Imam Mehdiut (a.s.), njësoj si ajo e Imam Husejnit (a.s.), do të shoqërohet nga ndjekësit e tij më të besueshëm dhe besnikë.

  • Nga fjalët e Imam Mehdiut (a.f.) lidhur me Imam Husejnin (a.s.), mund të shihet lidhja e ngushtë ndërmjet të dyve. Ai thotë: “Sa do të doja të jetoja në kohën tënde e të shërbeja!” Fjalë të tilla nga Imam Mehdiu (a.f.) nuk janë përcjellur lidhur me asnjërin nga imamët e tjerë.

  • Është e pëlqyeshme që Zijareti i Ashures të recitohet në mesin e muajit Sha’ban, pra në ditëlindjen e Imam Mehdiut (a.f.). Përcillet, nëpër hadithe, se të gjithë profetët e vizitojnë Imam Husejnin (a.s.) në këtë ditë të bekuar.

  • Rishfaqja (ar. zuhur) e Imam Mehdiut (a.f.) e plotëson kryengritjen e Ashures, sepse Imam Husejni (a.s.) luftoi dhe u sakrifikua për drejtësi, ndërsa Imam Mehdiu (a.f.) ka për ta realizuar këtë qëllim, duke bërë që drejtësia të mbisundojë në botë. Imam Muhammed Bakiri (a.s.) thotë: “Dita e rishfaqjes së Mehdiut do të jetë dita e Ashures.”[1]


Ka edhe shumë aspekte të tjera, të cilat flasin për lidhjen ndërmjet lëvizjeve të Imam Husejnit (a.s.) e të Imam Mehdiut (a.f.), për të cilat ky fjalim është tepër i shkurtër dhe i pamjaftueshëm.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 






[1] Bihar el-Envar



publikuar më: 14.10.2016

Lexoni gjithashtu..

13.11.2015 Lëvizja e Ashures: Imam Husejni (a.s): një shembull për njerëzimin

Kthehu