Zijareti i Ashures
dielli.net
13.11.2013

Teksti i mëposhtëm u shkëput nga përmbledhja e famshme “Mefatihu’l-Xhinan” e Shejh Abbas Kummiut (përkthimi në turqisht, botuar në vitin 2007 nga shtëpia botuese Ensarian).


PËRMBAJTJA:
- Lidhur me vlerën e zijaretit të Imam Husejnit
- Zijareti i Ashures (teksti i plotë) 


Lidhur me vlerën e zijaretit të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) 


Njëri nga zijaretet që mund të recitohet qoftë në haremin e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe qoftë larg tij, është i famshmi Zijaret i Ashures.


Në veprën e titulluar “Misbah”, Shejh Tusi përcjell nga Muhammed bin Ismail bin Beziu, ai nga Sali bin Ukbeja dhe ai nga babai i tij se Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë:


Kushdo që i bën zijaret Husejnit bin Aliut (paqja qoftë mbi të) në Muharrem e qan për të, ka për t’u shpërblyer me shpërblimin e dymijë haxh’xheve, dymijë umreve dhe dymijë xhihadeve, si ato që bëhen në prani të të Dërguarit ose të Ehl-i Bejtit të tij (paqja qoftë mbi ata të gjithë).


Përcjellësi i këtij hadithit pyeti: “Ju bëfsha kurban! Ç’është shpërblimi i atyre që nuk janë në Qerbela e që jetojnë larg këtij qyteti?”  Imami u përgjigj: “Një njeri i tillë le të dalë në shkretëtirë ose mbi kulmin e shtëpisë së tij , le të bëjë shenjë drejt Imam Husejnit dhe le ta shprehë urrejtjen duke i mallkuar vrasësit e tij! Pastaj le të falë dy reqate namaz! Këtë le ta bëjë para kohës së drekës, në orët e para të ditës. Pastaj le të qajë për Husejnin (paqja qoftë mbi të)! Nëse nuk ka nevojë të bëjë takijje, le t’i këshillojë edhe familjarët e tij të qajnë për të. Le të mbajë zi në shtëpinë e tij për ta përkujtuar Imam Husejnin dhe le t’i shprehin ngushëllim njëri-tjetrin për këtë fatkeqësi. Unë garantoj se ato shpërblime do t’u falen atyre që i kryejnë këta veprime.”


Njeriu pyeti: “ A garantoni vërtet se kështu do të shpërblehen ata që i kryejnë këta veprime?” Imami u përgjigj: “Po, unë ju garantoj.”


Pastaj pyeti sërish: “Si t’i shprehin ngushëllim njëri-tjetrit ata që i kryejnë këta veprime?”


Imam tha: “Le të thonë: Zoti na i shtoftë bekimet për hir të vuajtjes që na gjeti për shkak të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të)! Zoti na i shtoftë shpërblimet! Na bëftë të gjithëve nga ata që do të hakmerren për gjakun e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) bashkë me Mehdiun që është nga Ehl-i Bejti i Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij)!” 


“Nëse nuk ke ndonjë nevojë shumë të madhe, atë ditë mos u merr me punët e kësaj botë! Kjo ditë është aq fatkeqe sa nuk plotësohet nevoja e besimtarit dhe nuk i zgjidhen problemet. Edhe sikur t’i përmbushen nevojat e t’i zgjidhen problemet, kjo nuk ka për të qenë një fatmirësi për të dhe ai s’ka për t’ia parë të mirën kësaj. Asnjëri nga ju le të mos mbledhë pasuri për shtëpinë e tij në këtë ditë! Ai që këtë ditë mbledh ndonjë gjë, nuk ka për të gjetur begati në të dhe ajo që ka mbledhur për familjen e tij s’ka për t’i sjellur kurrfarë dobie.


Ai që sillet sipas kësaj, do të shpërblehet nga Zoti me një shpërblim që është sa njëmijë haxh’xhe, njëmijë umre e njëmijë xhihade në prani të Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Zoti ka për ta shpërblyer me shpërblimin që u jepet profetëve, të dërguarve, imamëve, të sinqertëve dhe dëshmorëve që kanë rënë në rrugë të Zotit, nga fillimi i botës deri në fund.” 


Salih bin Ukba dhe Sejf bin Umejri përcjellin thënien në vijim nga Alkame bin Muhammed Hadhremiu:


I thashë Imam Muhammed Bakirit: “Ma mëso ndonjë lutje që ta recitoj kur ta vizitoj nga afër Imam Husejnin ose që do të mund ta lexoj kur të dua ta vizitoj nga larg e nga shtëpia ime, kur të mos mund të shkoj pranë tij.” Pas kësaj, Imami tha:


“O Alkame! Dërgoji selami atij dhe pastaj, pasi të falësh dy reqate namaz, shqiptoje tekbirin dhe duke bërë shenjë drejt tij lexoje zijaretin (e Ashures). Po ta bësh këtë, do ta kesh recituar lutjen e ëngjëjve që e vizitojnë Imam Husejnin. Në këtë gjendje, Zoti ka për të caktuar qindra mijëra shkallë të lartësuara për ty dhe ka për të të bërë si ata që ranë dëshmorë pranë Imam Husejnit. Atëherë edhe ti do të njihesh si një nga ata që ranë dëshmorë për Imam Husejnin dhe për ty kanë për t’u shkruar sevapet e çdo profeti e të dërguari dhe sevapet e të gjithë atyre që e kanë vizituar Imam Husejnin(paqja qoftë mbi të).”


Përmbajtja e zijaretit që e përcolli Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) është si vijon: 


 


Zijareti i Ashures 


Paqja qoftë mbi ty o Eba Abdullah! Paqja qoftë mbi ty o biri i të Dërguarit! Paqja qoftë mbi ty o biri i Prijësit të Besimtarëve dhe Zotëriut të bartësve të amanetit (arab. wasi)! Paqja qoftë mbi ty o biri i Fatimesë, zonjës së grave të botës! Paqja qoftë mbi ty, që Zoti ka për të ta larë gjakun dhe paqja qoftë mbi ty o biri i atij që gjakun Zoti do t’ia lajë! Paqja qoftë mbi ty, që vetmuar mbete karshi zullumeve!


Mbi ty qoftë paqja e mbi ata shpirtra që pranë teje zunë vend! Mbi ju qoftë paqja e përjetshme e Zotit, sa jam gjallë e natë e ditë sa të ketë. 


E rëndë është për ne e për gjithë muslimanët zia dhe dhimbja jote, o Eba Abdullah! E rëndë është vuajtja jote edhe për banorët e qiejve.


Zoti e mallkoftë atë popull, që themelin ia hodhi padrejtësisë e mizorisë që ju bë! Zoti e mallkoftë atë popull që ju largoi nga pozita juaj dhe e mori vendin që Zoti kish caktuar për ju! Zoti e mallkoftë atë popull që ju vrau! Zoti e mallkoftë atë popull që mjedisin përgatiti për të luftuar me ju!


Drejt Zotit e drejt juve (Ehl-i Bejtit) kthehem, duke u larguar nga ata mizorë e nga ndjekësit e miqtë e tyre. 


O Eba Abdullah! Deri në ditën e gjykimit, unë jam i pajtuar me ata që janë në pajtim me ju, jam mik i atyre që janë miqtë tuaj dhe armik i atyre që ju luftojnë. Zoti e mallkoftë sojin e Zijadit dhe sojin e Mervanit! Zoti i mallkoftë gjithë bijtë e Umejjes! Zoti e mallkoftë djalin e Merxhanes (Ibn Zijadin)! Zoti e mallkoftë Umar bin Sa’din! Zoti e mallkoftë Shimrin! Zoti i mallkoftë ata që për t’ju luftuar juve shaluan kuajt  e lidhën dizgjinë!


T’u bëfshin kurban prindërit e mi! Të madhe e kam dhimbjen e vuajtjen për ty! Andaj tani po i lutem Zotit që e lartësoi pozitën tënde dhe mua më bekoi nëpërmjet juve, që bashkë me Imamin fitimtar nga Ehl-i Bejti i Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) të ma falë mundësinë për t’u hakmarrë për gjakun tënd! O Zot! Më ndero me Husejnin në këtë botë e në tjetrën!


O Eba Abdullah! Unë po i afrohem Zotit, të Dërguarit, Prijësit të Besimtarëve, Fatimesë, Hasanit dhe ty, me dashurinë që kam ndaj juve dhe nga armiqtë tuaj duke u larguar. Ata ishin që ia vunë themelin kësaj padrejtësie e që vazhduan zullumin ndaj juve e ndaj ndjekësve tuaj. Unë largohem prej tyre drejt Zotit e drejt juve. Me dashuri ndaj miqve tuaj dhe  duke u larguar nga armiqtë që ju luftuan e nga ndjekësit e tyre, unë drejt Zotit afrohem e pastaj drejt juve.


Unë jam në pajtim me atë që është i pajtuar me ju dhe jam në luftë me atë që ju lufton. Jam mik i atyre që u janë miq  dhe armik i armiqve tuaj. Andaj po i lutem Zotit që më nderoi me njohjen tuaj e të miqve tuaj dhe që më mundësoi larg armiqve tuaj të jem, që bashkë me ju të jem në këtë botë e në tjetrën dhe të më falë vendosmëri pranë juve në këtë botë e në amshim. Më afroftë Zoti me atë pozitë të lartë që ju keni pranë Tij! Më mundësoftë Zoti që të hakmerrem për gjakun tuaj, bashkë me Imamin e shfaqur që të vërtetën flet!


I lutem Zotit për hatrin tuaj e për hatër të pozitës që keni pranë Tij, që për shkak të dhimbjes sime për ju, të më shpërblejë me dhuntinë më të madhe të atij që vuan! Sa e madhe është kjo dhimbje vërtet, dhe sa i madh trishtimi që i ka shkaktuar Islamit e gjithë qiejve e tokës!


Zoti im! Në këtë gjendje timen më bëj nga ata që bekohen me paqen, mëshirën dhe faljen Tënde! Zoti im! Bëje jetën time si jetën e Muhammedit e të Ehl-i Bejtit të tij, dhe vdekjen time si vdekjen e Muhammedit e të Ehl-i Bejtit të tij! 


Zoti im! Kjo është dita që bijtë e Umejjes dhe djali i Hindës shpallën të shenjtë. Ai ishte njeriu, që i Dërguari yt e mallkoi bashkë me të atin! I Dërguari yt i ka mallkuar këta në çdo vend e në çdo kohë. 


Zoti im! Mallkoje Ebu Sufjanin, Muavijen dhe Jezidin e Muavijes! Mbi ta qoftë mallkimi Yt përjetë!


Kjo është dita kur soji i Zijadit e i Mervanit u gëzuan se vranë Husejnin (paqja qoftë mbi të). Zoti im! Shtoji një mbi një mallkimet e Tua dhe vuajtjet e dhimbshme mbi ta! 


Zoti im! Në këtë ditë, në këtë vend dhe në të gjitha ditët e mia, unë drejt Teje afrohem duke u larguar nga këta mizorë e duke i mallkuar, dhe duke e dashur Profetin tënd dhe Ehl-i Bejtin e tij (paqja qoftë mbi të gjithë ata).


 


Pastaj thuhet njëqind herë:
Zoti im! Mallkoi të gjithë ata që e dhunuan të drejtën e Muhammedit e të Ehl-i Bejtit të tij, nga i pari e deri tek i mbrami që iu bind atij!


Zoti im! Mallkoje atë popull që u mor vesh e që dorë më dorë dha për ta luftuar Husejnin! Zoti im! Kaploi të gjithë me mallkimin Tënd! 


Pastaj thuhet njëqind herë:
Mbi ty qoftë paqja, o Eba Abdullah, e mbi ata shpirtra që pranë teje zunë vend! Mbi ty qoftë paqja e përjetshme e Zotit, sa jam gjallë e natë e ditë sa të ketë!


Mos e bëftë Zoti të mbramë këtë zijaret timin! Paqja qoftë mbi Husejnin dhe mbi Ali ibn Husejnin! Paqja qoftë mbi bijtë e Husejnit e mbi shokët e tij!


 


Pastaj thuhet:
Zoti im! Mallkoje të parin e zullumqarëve me mallkimin tim! Nis mallkimin me të parin dhe pastaj të dytin mallko, të tretin e të katërtin më pas! Dhe Jezidin mallko pastaj!


Mallkoje deri në ditën e gjykimit Ubejdullahun, djalin e Zijadit e të Merxhanes! Mallkoje Umar bin Sa’din, Shimrin, Ebu Sufjanin dhe tërë sojin e Zijadit e të Mervanit!


 


Pastaj duke bërë sexhde thuhet:
Zoti im! Ty të takojnë lëvdatat, siç të lëvdojnë ata që mirënjohës janë edhe për vuajtjen e tyre! Ty të takojnë lëvdatat për këtë dhimbje të madhe timen! Zoti im! Ma fal ndërmjetësimin (shefa’atin) e Husejnit në ditën kur të vij pranë Teje dhe më bëj të palëkundur për hatër të afërsisë me Husejnin e me shokët e tij, që për të flijuan jetën! 


 FUND