Tri shkallët e haxhxhit (pjesa e parë)
Ajetollah Husejn Mezahiri
20.10.2013

PËRMBAJTJA:
Shkalla e parë e haxh′xhit
Shkalla e dytë e haxh′xhit


I gjithë haxh’xhi është një rrugëtim shpirtëror që përfshin tri shkallë:



1. Shkëputja e lidhjes me çdo gjë tjetër përveç Zotit, në mënyrë që të arrihet tek Zoti.
2. Lëvizja drejt Zotit dhe përforcimi i lidhjes me Të, deri kur njeriu të arrijë te Zoti dhe te thelbi i mirëfilltë i adhurimit.
3. Kur personi ta ketë arritur shkallën e përsosurisë dhe atë të adhurimit të vërtetë, ai rikthehet pranë njerëzve për t’i udhëzuar krijesat e Zotit drejt Tij.


 


Shkalla e parë e haxh’xhit


Në këtë shkallë të parë, ajo që është më me rëndësi se çdo gjë tjetër është pendimi (teube) dhe të qenit i vëmendshëm. Kuptimi i pendimit është që njeriu t’u shmanget të gjithë djajve dhe të gjitha formave të sundimit të dëshirave, për t’iu kthyer Zotit. Kjo nënkupton shpërfillje të dëshirave dhe të prirjeve të ulta (nefs el-emmare), si dhe rrugëtim drejt përshpirtshmërisë dhe cilësive të lartësuara njerëzore.


 


Duke i kryer të gjithë detyrimet e kaluara, në mënyrë që njeriut të mos i mbetet mbi supe ndonjë përgjegjësi ndaj Zotit ose ndaj krijesave, njeriu largohet nga qytetit i tij, në një gjendje ku askush nuk është i zemëruar me të, përveç Djallit, kuptohet.


Ndërkohë, kuptimi i të qenit i vëmendshëm është që njeriu ta përqëndrojë vëmendjen e tij te madhështia e Shtëpisë së Zotit. Ai e përqëndron vëmendjen në faktin se është pikërisht Krijuesi dhe Furnizuesi i Universit që atij ia fal mundësin për ta kryer haxh’xhin. Ai përqëndrohet në faktin se nuk duhet të lejojë që ndonjë gjë ose ndonjë njeri ta zemërojë. Ai përqëndrohet në faktin se nëse kryen një haxh’xh që do të pranohet, s’ka dyshim se do ta ketë arritur pozitën, për të cilën është krijuar njerëzimi (pra pozitën e takimit me Zotin në shkallën e adhurimit të vërtetë). Ai përqëndrohet në rëndësinë e kryerjes së gjërave të detyrueshme gjatë këtij rrugëtimi.


Një grua që e kryen haxh’xhin kujdeset për modestinë e saj dhe për hixhabin. Ajo përqëndrohet në të qëndruarit larg mëkatit dhe e di se Zoti nuk i pranon veprimet e një personi që mëkaton. Pranimi i veprimeve të mira të një njeriu varet nga takva-ja (droja para Zotit). Andaj, Zoti nuk e pranon haxh’xhin e atyre që janë mëkatarë:


Vërtet Zoti pranon veç prej atyre që kanë drojë para Zotit. (Kur’an 5:27) 


Njeriu duhet ta ketë parasysh edhe rëndësinë e kryerjes së veprimeve të pëlqyeshme (mustehab), në mesin e të cilave rradhiten edhe të shërbyerit krijesave të Zotit. Kjo është njëra nga gjërat që mundëson që veprat e detyrueshme (vaxhib) të pranohen.


Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se veçanërisht gjatë këtij udhëtimi, kudo dhe në ç’gjendje qoftë, ai është në prani të vazhdueshme të Zotit, të Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe të Imamëve të dëlirë (paqja qoftë mbi ta). Kështu thotë edhe Kur’ani:


Thuaj: “Veproni! Zoti ka për t’i parë veprat tuaja, dhe Profeti dhe besimtarët...(Kur’an 9:105) 


Njeriu duhet të ketë parasysh se përdorimi i një pasurie të fituar në mënyrë të palejuar (haram) gjatë këtij udhëtimi, nuk ka për të sjellë tjetër veçse rritje të mëkateve e të fatkeqësive në këtë botë dhe në botën tjetër.


Pas pendimit dhe pas të qenit i vëmendshëm, njeriu duhet të arrijë një shkallë zbrazëtie dhe asgjësimi. Nëse nuk mund ta arrijë shkallën ku do t’i largojë të gjitha veset e tija, si xhelozia, koprracia, krenaria, mendjemadhësia, adhurimi i botës etj, ai së paku duhet të përpiqet për të fituar virtyte të çmueshme si mëshira, bujaria, modestia e asketizmi, dhe ta çlirojë shpirtin e tij nga gjithçka që është në brendi. Së paku, njeriu mund të përpiqet t’i kontrollojë veset e tija dhe të mos lejojë që ato ta marrin nën kontroll.


Po kështu, njeriu duhet të lejojë që drejtësia dhe droja para Zotit të mbisundojnë brenda tij, në mënyrë që shpirti të dominojë, në një mënyrë që mundëson kryerjen e të gjitha veprave të detyrueshme dhe qëndrimin larg mëkateve. Kjo duhet të kryhet së paku deri në shkallën kur këto cilësi pozitive të dominojnë karshi nefs el emmare-s dhe karshi dëshirave dhe epsheve të njeriut, të cilat e tërheqin drejt mëkatit.


Kur kjo të jetë arritur, njeriu do ta arrijë shkallën e lavdisë dhe të lëvdatave, nëpërmjet kënaqësive të fesë ( si namazi, agjërimi, recitimi i Kur’anit, lutjet, modestia në praninë e Zotit, kënaqja e robërve të Zotit etj.) dhe nëpërmjet kërkimit të ndihmës me anë të Tevessulit që i bëhet Ehl-i Bejtit. Në këtë kontekst, vlen të përmendet se është më mirë që personi të shkojë në Medine pasi ta ketë kryer haxh’xhin, nëse ka mundësi për këtë. Në veçanti duhet t’i kërkohet ndihmë nëpërmjet tevessul-it Imamit të Kohës, nëpërmjet recitimit të zijaretit Xhamia el-Kebire, që është njëra nga format më të bukura të tevessulit që mund t’i bëhet Imamit të dymbëdhjetë. Kështu, zemrat tona mund të ndrihen nga drita e Zotit.


...e i falëm një dritë, me të cilën ec mes njerëzve. (Kur’an 6:122) 


Në këtë rrugëtim, ndërsa është në mbrojtje të të Vërtetës, njeriu duhet të përpiqet për ta arritur shkallën e robërisë së vërtetë, në të cilën mund të bëjë dallim ndërmjet të mirës dhe të ligës, ndërmjet mikut dhe armikut e ndërmjet asaj që dëshiron Zoti dhe asaj që dëshiron uni (nefsi).


Nëse i druheni Zotit, ai ka për t’jua falur aftësinë të dalloni ndërmjet të mirës dhe të ligës. (Kur’an 8:29) 


Ajo që është edhe me më rëndësi në këtë shkallë, është se njeriu duhet ta arrijë sinqeritetin (khulus). Kjo do të thotë se, gjatë këtij rrugëtimi, në zemrën e njeriut dhe në mendimet e tija nuk duhet të mbetet asgjë tjetër veç Zotit dhe kryerjes së haxh’xhit në mënyrën si e ka kryer profeti Ibrahim (paqja qoftë mbi të).


Vërtet u ktheva krejtësisht drejt Krijuesit të qiejve e të tokës. Unë nuk jam nga idhujtarët. (Kur’an 6:79)  


Njeriu nuk duhet ta bëjë haxh’xhin që njerëzit e tjerë ta përgëzojnë ose që, ruajtë Zoti, t’i bëjë njerëzit e tjerë të punojnë më shumë e të vuajnë, duke menduar se haxh’xhi është një mjet për t’i shfrytëzuar të tjerët. Në të vërtetë, një haxh’xh i tillë nuk është diçka për të cilën Zoti ka për t’i falur ndonjë begati, në këtë botë ose në tjetrën. Përkundrazi, e gjithë vëmendja e tij në këtë rrugëtim duhet të jetë tek Zoti, qëllimi duhet të jetë arritja te Ai dhe adhurimi i vërtetë, në mënyrë që të mos ketë qëllim tjetër veç kënaqësisë së Zotit.


Dhe nuk pret shpërblim prej dikujt tjetër. Ai jep veç për ta kënaqur Zotin e tij të Madhëruar. (Kur’an 92:19-20) 


Për të përmbledhur, në këtë shkallë qëllimi i njeriut duhet të jetë i sinqertë dhe nuk duhet të ketë gjurmë nga kënaqësitë e kësaj bote. Në të vërtetë, ai s’duhet t’i ketë për qëllim as kënaqësitë e botës tjetër. Siç përmend Kur’ani, “ngjyra” më e mirë është “ngjyra” e Zotit:


Me ngjyrën e Zotit (ngjyrosuni)! Mos ka vallë një që më mirë ngjyron se Zotit?(Kur’an 2:138) 


Më e liga e ngjyrave është ngjyra e vetëpëlqimit. Ruajtë Zoti, nëse kjo cilësi është në veprat, fjalët e në zemrën e një njeriu, ai e ka arritur shkallën e mohimit (kufr).


Mjerë ata që falin namaze e të pavëmendshëm janë ndaj namazit! Ata që veprojnë veç sa për t’u dukur e që ua mohojnë ndihmën njerëzve. (Kur’an 107:4-7) 


 


Shkalla e dytë e haxh’xhit 


Në këtë shkallë, veprimi i parë është mbathja e Ihramit në Mikat-e (pozitat përtej të cilave duhet të mbathet Ihrami).


Ihrami i haxh’xhit është i ngjashëm me Tekbiretu’l-Ihramin (tekbiri fillestar) e namazit, në kuptimin se kur njeriu e shqipton Tekbiretu’l-Ihramin për të filluar me namaz, ai duhet t’i lërë pas vetes të gjitha gjërat e tjera dhe ta përqëndrojë gjithë vëmendjen tek Zoti. Që nga fillimi i namazit dhe deri në përfundimin e tij, asgjë tjetër nuk guxon të jetë në qendër të vëmendjes së njeriut.


Ihrami i haxh’xhit është një gjë, pas mbathjes të të cilës, njeriu duhet t’i lërë pas shpine të gjitha gjërat e lidhura me këtë botë. Në vend të kësaj, ai kthehet drejt Zotit dhe drejt asaj që e kënaq Zotin. Në çastin e veshjes së Ihramit, njeriu duhet t’i përmbushë urdhrat e Zotit.


Ai duhet ta kujtojë kohën e vdekjes dhe mbështjelljen e qefinit përreth trupit të tij, vendosjen në varr dhe faktin se një ditë, me të njejtën veshje, ka për t’u ngritur nga varri për t’u takuar me Zotin.


Teksa e shqipton Talbijjen (Lebbejk Allahumme lebbejk, lebbejke la sharike leke lebbejk. Inne’l-hamde, ve’n-nimete, leke ve’l-mulk, la sherike le lebbejk = ja ku jam o Zot, ja ku jam. Ja ku jam, dhe Ti nuk ke të barabartë. Ty të takojnë të gjitha lëvdatat dhe begatitë të gjitha. Ty të takon sundimi dhe Ti nuk ke të barabartë. Ja ku jam), gjatë veshjes së Ihramit dhe shprehjes së nijetit të tij, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se Zoti e ka ftuar atë. Duke e shqiptuar talbijjen, ai në të vërtetë i përgjigjet thirrjes së Zotit dhe me një emocion të brendshëm, teksa është pezull ndërmjet frikës dhe shpresës, bërtet Lebbejk! (Ja ku jam).


Në hadithe përcillet se në kohën e recitimit të talbijjes, të dëlirët e Ehl-i Bejtit kaploheshin nga një emocion aq i fuqishëm në brendi, aq shumë u dridhej trupi e aq u ndryshonte ngjyra e lëkurës, sa nuk u mbetej fuqi për ta recituar atë. Në të vërtetë, në disa raste përcillet se hynin në një gjendje ku thuajse i humbnin ndjenjat. Të pyetur se përse nuk e recitonin talbijjen në këtë gjendje, ata thonin se kishin frikë që përgjigja të mos ishte: Nuk je pranuar dhe nuk je i mirëpritur.


 


Veprimi i dytë është tavafi. Tavafi është një veprim i ngjashëm me rrotullimin e vazhdueshëm të ëngjëjve përreth Fronit të Zotit (Arshit).


Dhe i sheh ëngjëjt që i shkojnë rrotull Arshit dhe e madhërojnë Zotin e tyre me lëvdata. (Kur’an 39:75) 


Njësoj siç është rrotullimi i ëngjëjve rreth Fronit të Zotit një shenjë e dashurisë së tyre ndaj Tij, edhe rrotullimi i njerëzve përreth Shtëpisë së Zotit është një shenjë e dashurisë së tyre për Të. Teksa e bën tavafin, njeriu vetëm sa shpall se vetja e tij, pasuria e tij, gruaja e tij, fëmijët dhe gjithçka tjetër që ka në këtë botë, sakrifikohen për hir të Zotit dhe se ai është i gatshëm të japë gjithçka në rrugë të Zotit e për hir të kënaqësisë së Tij.


Dhe në mesin e njerëzve është ai që e shet jetën e tij duke kërkuar kënaqësinë e Zotit. (Kur’an 2:207) 


Me përsëritjen e tavafit dhe me arritjen në gjendjen e dorëzimit dhe robërimit të plotë, perdet (ndërmjet robit dhe të Zotit) grisen një nga një.


Perdeja e vetëpëlqimit dhe egoizmit, e krenarisë, e zemërimit, e dëshirave, e lakmisë, e xhelozisë dhe e koprracisë, të gjitha hiqen. Në vend të tyre vendosen perdet e thjeshtësisë dhe të varfërisë së përshpirtshme në prani të të Vërtetës, perdet e përulësisë dhe të durimit para Krijuesit, si dhe perdet e asketizmit, bujarisë dhe të të qenit i ngopur karshi kësaj bote.


Vetëm në këtë gjendje drita e Zotit ka për të hyrë në zemër dhe njeriu ka për ta shijuar rrugën drejt paqes dhe qetësisë.


Të gjitha format e të ligës dhe errësirës do të kaplohen nga drita e pastër dhe me një miratim nga Zoti. (Me errësirë, këtu nënkuptojmë cilësitë negative si errësira e shpirtit të ligë, ndjekja e mizorëve në mesin e njerëzve dhe xhinnëve, errësira e dëshirave dhe epsheve, errësira e frikës dhe shqetësimit etj.)


Me ose pa dëshirë, njeriu ka për ta arritur pozitën e afërsisë me Zotin dhe të asgjësimit të plotë në Të. Pikërisht në këtë pikë, njeriu e ka arritur “rrugën e drejtë” (Siral el-Mustakim):


Vërtet ju ka ardhur një i Dërguar që ju zbulon shumë prej asaj që keni fshehur nga Libri i Zotit e duke lënë shumë pa përmendur. Vërtet ju ka ardhur një dritë dhe një Libër i qartë nga Zoti. Me të, Zoti e udhëzon drejt sigurisë atë që e ndjek kënaqësinë e Tij, e nxjerr nga errësira në dritë me vullnetin e Vet dhe e udhëzon në rrugë të drejtë. (Kur’an 5:15-16) 


Veprimi i tretë është namazi i tavafit. Personi që e ka kryer tavafin, gjë që e ngrit atë në shkallën e adhurimit të plotë, duhet tani ta falë një namaz falënderimi. Dhe ngase ai e ka arritur shkallën e robërimit të plotë para Zotit, për të bëhet i detyrueshëm lartësimi (miraxhi), që për besimtarin nuk fshihet diku tjetër veçse në namaz.


Namazi mund të krahasohet me një bisedë ndërmjet robit dhe të Zotit. Recitimi i kapitullit Fatiha dhe i kapitujve të tjerë, në të vërtetë nuk është veçse një mënyrë e të biseduarit me Krijuesin nëpërmjet fjalëve të vetë Krijuesit. Gjithçka që recitohet në namaz, duke përfshirë edhe dhikret (përkujtimet) dhe madhërimet (tesbihat) e ndryshme, janë fjalët që robi ia thotë të Zotit.


Dhe ngase tevessuli dhe të kërkuarit e ndihmës nga Ehl-i Bejti në çdo veprim tonin është një gjë e nevojshme, kur recitohet teshehhudi dhe selami, kjo nuk është tjetër veçse një bisedë ndërmjet robit dhe Ehl-i Bejtit. Edhe kjo është një tjetër mënyrë e ndërmjetësimit (tevessulit) ndërmjet robit dhe Zotit.


Andaj themi se namazi është gjëja më e mirë për besimtarin dhe është veprimi, i cili krijon më shumë kënaqësi (te Zoti). Islami përmend se, pas njohjes së Zotit (ma’rife), namazi është veprimi më me vlerë.


 


Veprimi i katërt është saj-i, ecja ndërmjet dy kodrave Safa dhe Merve. Kjo lëvizje është rikrijimi i një ndodhie shumë të bukur historike, të realizuar nga njëra nga krijesat më të bukura të Zotit, pas Ehl-i Bejtit, të cilin Zoti i botëve e ka përmendur në Kur’an me lëvdata:


Dhe Zoti e zgjodhi Ibrahimin si mik. (Kur’an 4:125) 


Është kjo një ndodhi e mrekullueshme, në të cilën një njeri ia dorëzoi gjithë qenien e tij Zotit të botëve. Ishte ky një veprim, të cilin edhe vetë Zoti e pranoi:


Dhe kur Zoti i tij i tha: “Dorëzohu!”, ai tha: “I dorëzohem Zotit të botëve” (Kur’an 2:131) 


Ishte ky një rast mbresëlënës, në të cilin një njeri, vetëm për hir të Zotit, e ndërtoi Shtëpinë e Zotit si një vend ku do të banonin njerëzit. Pastaj, ai e la djalin e vetëm që ia kishte falur Zoti në pleqëri, bashkë me të ëmën, duke i patur në buzë vetëm fjalët: Zoti im! Për Ty dhe në Ty duke shpresuar, po e lë gruan time dhe fëmijën në një shkretëtirë pa ujë, pa ushqim e pa mbrojtje. Kështu e përcjell Kur’ani:


Zoti ynë! Vërtet e vendosa një pjesë të fëmijëve të mi në një luginë shterpë.(Kur’an 14:37) 


Saj-i ndërmjet kodrave Safa dhe Merve është një përkujtim i ndodhisë së mrekullueshme, kur një grua e vetmuar- pa ushqim, pa bukë e pa mbrojtje- për hir të Zotit, u la në një luginë të shkretë dhe u vu në një kërkim të dëshpëruar për të gjetur ujë për foshnjën e saj. Në një gjendje hutie të brendshme, ajo vrapoi nga kodra Safa drej kodrës Merve dhe anasjelltas.


Me fjalë të tjera, ajo vrapoi nga sinqeriteti drejt dhembshurisë, njerëzisë dhe guximit. E pastaj nga guximi drejt sinqeritetit sërish. Më në fund, nëpërmjet sinqeritetit të saj, në aspektin e jashtëm fizik, e gjeti ujin e Zemzemit, ndërsa në rrafshin shpirtëror, e gjeti burimin e jetës. Nëpërmjet durimit të saj, përpjekjes dhe vendosmërisë, ajo arriti ta bënte Shtëpinë e Zotit një vend të banuar dhe të fitonte respekt e nam të mirë për pasardhësit e saj.


Ndonëse ishte e dhimbshme nga fillimi deri në fund, kjo ngjarje ishte edhe e ëmbël. Një dhimbje e përzier me ëmbëlsi dhe një ëmbëlsi e përzier me dhimbje. Por ç’mund të bëjë tjetër njeriu?


Shprehja e lumturisë dhe çlirimi i brendshëm është një nga shkallët e dashurisë. Dhe ndonëse është një proces i dhimbshëm, është një ndjenjë e ëmbël. Ndonëse zemrat e të dashuruarve ndjejnë kënaqësi në këtë çlirim, duhet të mos harrojmë se i dashuruari, posi një qiri, digjet në dashuri nga koka deri tek këmbët.


Ndërmjet kodrave Safa dhe Merve, duhet ta marrim nga Profeti Ibrahim (paqja qoftë mbi të) dhe nga shoqëruesit e tij mësimin e vetëflijimit dhe të përkushtimit të plotë, duke lënë gjithçka tjetër për hir të Zotit dhe duke i sakrifikuar jetët dhe pronat tona për fenë e Tij.


Vërtet ka një shembull të mirë për ju tek Ibrahimi dhe tek ata që ishin me të...(Kur’an 60:4) 


Andaj, njeriu që bën saj ndërmjet kodrave Safa dhe Merve por që akoma ka brenda vetes egoizëm dhe vetëpëlqim, në të vërtetë nuk e ka kryer këtë veprim.


 


Veprimi i pestë është taksir-i. Taksiri është akti i përqëndrimit të vëmendjes nga rrafshi shpirtëror në rrafshin e kësaj bote, është vështrimi që hedh njeriu nga rrafshi i kënaqësive shpirtërore drejt rrafshit të kënaqësive fizike dhe nga njëshmëria drejt shumësisë, që është një karakteristikë e Islamit.


Ndërsa njeriu duhet gjithë kohës të jetë i vetëdijshëm për Zotin e për ditën e gjykimit dhe
t’i përkujtojë të dyja, ai duhet të mos e harrojë këtë botë dhe nevojat e tija në të:


Dhe me atë që të ka falur Zoti, kërkoje botën tjetër, por mos e harro hisen tënde në këtë botë! (Kur’an 28:77) 


Në hadithet e trashëguara nga Ehl-i Bejti, është përcjellur nuk është një ndjekës i vërtetë i Ehl-i Bejtit ai që e flijon botën tjetër për këtë botë ose ai që e flijon këtë botë për tjetrën.


Akti i taksirit është një lejim i gjërave që paraprakisht janë të ndaluara. Gjërat që para Ihramit janë të ndaluara për njeriun, tashmë nëpërmjet mbathjes së Ihramit, nëpërmjet tavafit, namazit, saj-it dhe taksirit, bëhen të lejuara për të. Drita e Zotit tashmë ka hyrë në zemrën e tij, e cila para Ihramit nuk ishte e lejuar për të. Tani atij i lejohet  të shohë thellë në botën shpirtërore dhe t’i arrijë shkallët e larta të bindjes (jakin). Sikur djajtë të mos rrinin pezull  rreth zemrave të bijve të Ademit, ata (bijtë e Ademit) do t’i shihnin shkallët e larta të qiejve e të tokës.


 


Veprimi i gjashtë është shkuarja në Arafat dhe qëndrimi atje për një kohë të caktuar. Pasi t’i shohë shpirtin e dëshirat dhe të bëhet i vëmendshëm për to, njeriu e përqëndron gjithë vëmendjen e tij tek Zoti në një vend, drejt të cilit është kthyer i gjithë rrafshi shpirtëror, duke udhëtuar drejt asaj bukurie, siç shkon një kafshë drejt ushqimit të saj, siç shkon Qenia e Vërtetë drejt të krijuarës me një forcë tërheqëse si ajo e të dashuruarit për të dashurin e vet. Kjo është tërheqja ndërmjet një robi dhe Zotit, dhe ç’tërheqje që është vërtet!  


Lum për ata që janë në parajsën Na’im! 


Arafat do të thotë të fitosh njohuri të thellë (ma’rife). Këtu njeriu duhet të fitojë njohuri në lidhje me fillimin dhe fundin e krijimit, në lidhje me profetësinë dhe velajetin, në lidhje me horizontin e shpirtrave, në lidhje me të gjitha gjërat dhe marrëdhënien e tyre me Zotin, në lidhje me velajetin e të Vërtetës dhe mjerimin e krijesave. Në përgjithësi, Arafati nënkupton që njeriu ta fitojë njohurinë se “askush tjetër nuk gjendet në Shtëpi, përveç të Zotit.”


Arafati është vendi ku njeriu mund të përqëndrohet plotësisht në adhurime, lutje dhe tevessul, veçanërisht Imamit të Kohës, në prani të të cilit gjendet njeriu atje. Ky është vendi ku njeriu mund t’i arrijë kulmet më të larta të bindjes (nga Ilm el-jakin Ajn el-jakin dhe nga Ajn el-Jakin Hakk el-jakin).


 Ai që shkon në Arafat dhe nuk fiton as edhe një grimcë nga kjo njohje (ma’rife), në të vërtetë nuk ka qenë kurrë në Arafat.


Në njeri që nuk e fiton afërsinë me Zotin, me profetësinë dhe me velajetin, që e kaplojnë gjithë rrafshin e Arafatit, në të vërtetë nuk ka bërë tjetër veçse është lodhur e munduar së koti në këtë tokë.


 


Veprimi i shtatë është shkuarja në Meshar. Toka e Mesharit ka një rëndësi të veçantë në sytë e Zotit të Madhëruar, aq sa është përmendur edhe në Kur’an si një vend i shenjtë që duhet të respektohet.


Dhe kur të zbrisni nga Arafati, kujtojeni Zotin pranë Meshar el-Haremit...(Kur’an 2:198) 


Nëse një njeri është i pranishëm në Meshar në kohën e duhur (nga fillimi i kohës së sabahut deri në lindje të diellit), që është koha më e mirë nga njëzet e katër orët e ditës, dhe nëse i kryen të gjitha gjërat siç ka urdhëruar Zoti, pra ta përkujtojë Zotin në këtë vend dhe kohë të shenjtë, ai ka për të fituar zgjuarësi, urtësi, arsye dhe njohuri të thellë.


Në këtë pikë, besimi përcillet nga zemra e njeriut në të gjitha pjesët e trupit. Toka e Mesharit flet me ne dhe thotë: Ajo që keni fituar në Arafat duhet të përcillet në zemrat tuaja nëpërmjet përkujtimit të Zotit dhe pastaj nga zemra, të përcillet në sytë, në veshët, në gjuhën tuaj e në të gjitha pjesët e trupit, derisa gjithë qenies suaj t’i falet një jetë tjetër.


Ajo që shpirti ka arritur në Arafat, duhet të ruhet e të kontrollohet. Pikërisht këtu, bota e fshehtë (alem el-ghajb) bëhet bota e dëshmimit (alem el-shuhud):


Ata që e besojnë të fshehtën...(Kur’an 2:3) 


Ajo që ka qenë e fshehur deri atëherë, bëhet e qartë. Ajo që të tjerët nuk e dëgjojnë dot, bëhet e dëgjueshme. Ajo që të tjerët s’e bëjnë dotë, bëhet e realizueshme dhe ajo që të tjerët nuk e shohin, bëhet e dukshme. Me syrin e zemrës, njeriu do të jetë i aftë ta shohë fuqinë e Zotit, ta shohë profetësinë dhe velajetin në kuptimin e mirëfilltë. Përveç kësaj, ai ka për ta parë edhe Ditën e Gjykimit:


O robi im! Ji i bindur ndaj Meje dhe Unë kam për të të bërë të tillë, që kur të duash një gjë, të thuash “bëhu” e ajo të bëhet. (Hadith kudsi)


 


Veprimi i tetë i haxh’xhit është shkuarja në Mina. Fjala Mina do të thotë “kthim” (ç’emërtim i bukur!). Thuhet se një velo drite e mbulon këtë vend, sa i bukur që është! Këtu qenia e tërë e një njeriu të përshpirtshëm mbulohet nga drita e Zotit.


Mina-ja është një vend i shpresës, i mëshirës dhe i faljes, një vend i fisnikërisë dhe i bekimit. Ky është vendi ku kërkesat e lutësit realizohen dhe vendi ku falet e mira e kësaj bote dhe e botës tjetër. E si mund të mos ishte kështu? Çfarë dëshiron i dashuruari nga i Dashuri, pasi ta ketë arritur afërsinë e Tij? Vëmendje, mëshirë, butësi dhe vazhdimësi...


Pasi robi i Zotit të kalojë në Arafat e në Meshar dhe të arrijë në shkallën e afërsisë, ç’mund të kërkojë më tepër nga i Zoti i tij? Fisnikëri, mëshirë, falje, dhembshuri, vazhdimësi të suksesit deri në vdekje dhe leje për të hyrë në praninë e Zotit në botën tjetër. Për të dashuruarin e vërtetë në Zotin, nuk mund të ketë kurrfarë kënaqësie tjetër, që do të ishte më e madhe se kjo.


Mund të thuhet, pra, se ndjenja më e fuqishme gjatë haxh’xhit, është ndjenja e shpresës në zemrën e një robi të Zotit. Mbase pikërisht për këtë arsye, nga të gjithë aktet e adhurimit të bërë në haxh’xh, më e bukur është pikërisht koha në Mina, sepse këtu ndjehet dëshira dhe malli i robit ndaj Zotit. Kjo është forma më e lartë e adhurimit dhe pika më e lartë që mund ta arrijë njeriu.


 


Veprimi i nëntë është hedhja e gurëve në Xhamarat. Robi që e ka arritur shkallën e afërsisë me Zotin, ka ardhur tani në shkallën e frikës, me plotë të drejtë. Ai vërtet duhet të ketë frikë!


Ai ka ardhur në vendin, kundër të cilit duhet të luftojë gjithnjë dhe karshi të cilit duhet përherë të jetë i vëmendshëm. Ky është vendi i gënjeshtrës dhe mizorisë, vendi i mizorit të tij të brendshëm, nefs el emmare-s, gjegjësisht vendi i djajve, qofshin nga njerëzit ose nga xhinnët.


Pikërisht për këtë shkak, kapitulli i fundit i Kur’anit ka urdhëruar që njeriu të strehohet pranë Zotit nga këta mizorë dhe nga nxitjet e tyre të liga:


Thuaj: strehohem te i Zoti i njerëzve, Sunduesi i njerëve, Perëndia e njerëzve! Nga e liga e atij nxitësi dinak, që zemrave të njerëzve u përshpërit. Nga njerëzit qofshin a nga xhinnët...(Kur’an 114:1-6) 


Nga Kur’ani i Shenjtë mund të kuptojmë se mizori i brendshëm (nefs el-emmare) është më i rrezikshmi nga të gjithë armiqtë.


Vërtet uni (nefsi) urdhëron të ligën, përveç atij që është mëshiruar nga Zoti im. (Kur’an 12:53) 


Kështu, sapo të hyjmë në Mina, veprimi i parë që duhet të kryejmë është goditja me gurë e asaj që njihet si Xhamara el-Ukba (shtylla e fundit) dhe që është manifestimi i mizorit më të madh, të unit që urdhëron të ligën (nefs el-emmare). Hedhja e gurëve në Xhamarat simbolizon mohimin dhe qortimin e unit (nefs el-emmare) dhe fundosjen në baltë të dëshirave të ulta e të epsheve.


Nëse njeriu është i aftë ta shkatërrojë unin e tij gjatë hedhjes së gurëve në Xhamarat, atëherë ai e ka bërë edhe një hap drejt afrimit me Zotin. Dhe ngase largësia nga Zoti nuk është veçse një hap i vetëm, nëse njeriu arrin ta bëjë atë e t’i lërë pas dëshirat dhe epshet e tija, ajo që e pret s’është tjetër veçse shkalla e afërsisë me Zotin.


Gjatë këtyre dy ditëve pas bajramit, në të cilat njeriu gjendet në Mina, ai duhet t’i godasë me gurë të tri shtyllat, të cilat simbolizojnë mizorin brenda tij (nefs el-emmare), mizorët në mesin e djajve e xhinnëve dhe mizorët në mesin e njerëzve.


Në të vërtetë, goditja me gurë e tri shtyllave është një shkelje e mizorëve dhe luftë kundër tyre. Kur njeriu të përqëndrohet mbi ta dhe mbi urrejtjen ndaj tyre, ai me automatizëm e kthen gjithë vëmendjen drejt vetes së tij. Gjatë hedhje së gurëve në Xhamarat, njeriu duhet të përqëndrohet krejtësisht tek vetja e tij.


Gjatë këtyre dy-tri ditëve, nëse njeriu nuk është i aftë ta dëbojë Djallin nga vetvetja, atëherë nuk ka bërë tjetër veçse e ka lodhur trupin e tij. Ai nuk mund të thotë se e ka kryer hedhjen e gurëve në Mina. 


 VAZHDON