Kur′ani dhe mbrojtja e tij nga ndryshimet
Sejjid Said Akhtar Rizvi
31.07.2012

 Teksti i mëposhtëm është një punim i prezantuar nga Allame Said Akhtar Rizviu në Konferencën e Mendimit Islam në Teheran, në vitin 1992.


PËRMBAJTJA:
1. Hyrje
2. Shfaqja e haditheve të sajuara
3. Pohimet e disa sajuesve
4. Disa hadithe në lidhje me mungesën e vargjeve në Kur’an
5. Qëndrimi sunnit
6. Qëndrimi shiit
7. Keqpërdorimi i haditheve


  


Hyrje


 Kur’ani është mrekullia e përjetshme dhe dëshmia e gjallë e vërtetësisë së Islamit. Ai i ka sfiduar kundërshtarët e tij që të sillnin diçka të ngjashme si vetë Kur’ani, qoftë edhe një kapitull të vetëm të tij, nëse vërtet mendojnë se nuk është nga Zoti1. Armiqtë e Kur’anit dështuan në këtë sipërmarrje dhe u përpoqën ta shuanin dritën e Islamit duke bërë luftë pas lufte, shumë prej të cilave vazhdojnë edhe tani në shumë fronte dhe nën maska të ndryshme.


Pika kryesore, ndaj të cilës kthehen shënjestrat e tyre, ka qenë dhe vazhdon të jetë Kur’ani, të cilin janë përpjekur ta përbuzin në një mënyrë ose një tjetër. Për shembull, ata kanë thënë se Profeti (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) i kishte mësuar këto mësime nga ndonjë çifut ose i krishter. Ata pretendonin se brenda Kur’anit ekzistojnë shprehje kundërthënëse. Me shumë mendjemadhësi, ata kanë thënë shpesh se etika e Kur’anit është më e ulët se “mësimet sublime etike” të Krishterimit!


Por asnjëri nga këto pretendime nuk mbijetoi gjatë në sytë e mendimtarëve të pavarur. Muslimanët arritën t’i përgënjeshtronin të githa këto shpifje. Mjafton ta shohim bisedën e Prijësit të besimtarëve, Aliut, me një ateist, për të parë se si pjesëtarët e Ehl-i Bejtit (të cilët ishin mbrojtësit e Kur’anit, sipas asaj që thuhet në hadithin e dy gjërave të çmueshme), e mbronin Kur’anin, duke e dëshmuar, përtej çdo dyshimi, realitetin e pandryshueshmërisë së tij.2


Qëllimi i këtij fjalimi është që të tregojmë se nuk ka patur “ndryshime” (arab. tahrif) në Kur’an. Fjala tahrif mund të ketë shumë kuptime. Megjithatë, ajo që na intereson neve në këtë rast, është kuptimi i “ndryshimit” ose i “cungimit” të tekstit. Besimi ynë është se Kur’ani nuk është ndryshuar, atij nuk i është shtuar gjë dhe as nuk i është hequr ndonjë pjesë. Zoti, shumë qartë dhe me vendosmëri, ka thënë në Kur’an se Ai vetë është Mbrojtësi i Librit:


Vërtet ne e kemi shpallur Përkujtuesin dhe Ne jemi mbrojtësit e tij...(Kur’an 15:9)


 Si një realizim i këtij premtimi, Kur’an u mblodh në formë libri që në kohën e vetë Profetit. Edhe dëshmitë e jashtme (nga tradita profetike), edhe dëshmitë e brendshme (nga Kur’ani), tregojnë se Profeti u la muslimanëve një Libër. Si pjesë e dëshmive të brendshme, mjaftojnë pesëdhjetë e dy vargjet e Kur’anit, ku ai është quajtur “Libër”.


Sa për dëshmitë e jashtme, hadithi i famshëm thekalejn (hadithi i dy gjërave të çmueshme), i cili është mutavatir (i përcjellur në mënyrë të pavarur dhe të njejtë nga aq shumë zinxhirë të besueshëm transmetimi, sa mund të vihet në përfundimin se hadithi është i besueshëm), tregon se në ditët e fundit të jetës së Profetit, ekzistonte tashmë Libri. Ky hadith përcillet edhe në burimet sunnite, edhe në ato shiite, me dallime të vogla në fjalët e përdorura. Por pjesët kryesore të hadithit janë të njejta kudo. Në vijim, po përcjell nga Sahih-u i Muslimit, ku Zejd bin Arkami e përmend fjalimin e Profetit në Ghadir Khumm:


...Dhe po lë në mesin tuaj dy gjëra të çmueshme. E para është Libri i Zotit, në të cilin gjendet udhëzimi dhe drita. Andaj kapuni për të dhe bindjuni...Dhe gjëja e dytë e çmueshme është Ehl-i Bejti im. Kijeni parasysh Zotin në lidhje me Ehl-i Bejtin tim..4


Ka disa hadithe të tjera (përveç fjalimit në Ghadir), ku na shfaqet shprehja “Librin e Zotit dhe traditën time (sunnetin)”. Por shprehja “Libri i Zotit” ka qenë e pranishme në të dy versionet.


Ky fjalim u mbajt në Ghadir, dy muaj e gjysëm para vdekjes së Profetit. Siç shohim, në atë kohë ekzistonte tashmë një “Libër i Zotit”, të cilin Profeti e linte në mesin e ndjekësve të tij, duke u kërkuar të qëndronin lidhur për të.


Pastaj, disa ditë para vdekjes së tij, Profeti (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) tha: “Ejani t’ju shkruaj një gjë, pas të cilës nuk do të devijoni pas meje.” Umari u përgjigj: "Të Dërguarin e Zotit e kanë kapluar dhimbjet dhe ne e kemi Kur’anin. Libri i Zotit na mjafton.”5


Kjo tregon qartë se Libri i Zotit ishte në duart e muslimanëve para vdekjes së Profetit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij).


Nuk tingëllon shumë e besueshme të thuhet se fjala “Libër”, e përdorur në Kur’an, në fjalimet e Profetit dhe në fjalët e Umarit, është përdorur për një sërë copash të shpërndara letre. Mësuesi i madh i juristëve bashkëkohorë të Islamit, Sejjid El-Khoei, pasi i përmend referencat kur’anore dhe hadithin e dy gjërave të çmueshme, thotë me plotë të drejtë: “Ekziston një dëshmi e qartë se Kur’ani u shkrua atëherë dhe u përmblodh, sepse fjala “libër” nuk përdoret për atë që është ruajtur në kujtesën e njerëzve dhe as për disa shkrime të shpërndara, të shkruara mbi lëkurë, mbi copa letre ose mbi kocka kafshësh, veçse në kuptim metaforik. Megjithatë, nuk do të ishte e saktë që një fjalë të kuptohej si metaforë, derisa nuk ka kurrfarë dëshmie për këtë. Fjala “libër” nënkupton ekzistencën e një përmbledhjeje dhe jo të një një sërë shkrimeve të shpërndara ose gjërave që ruhen në kujtesë, pa u shkruar.”6­­­


Që nga kohët më të hershme, armiqtë e Islamit e kanë sajuar një plan, për të cilin mendonin se do të ishte me ndikim në dobësimin e besimit në origjinalitetin dhe autenticitetin e Kur’anit. Ata e vëzhguan gjendjen mbisunduese në botën muslimane dhe gjetën një pazar të gatshëm dhe lulëzues të haditheve të sajuara. Ata e përdoren maksimalisht këtë gjë dhe e filluan sajimin masiv të haditheve që hidhnin dyshim mbi vlefshmërinë e Kur’anit, duke nënkuptuar se ishin bërë shtesa, shlyerje, ndryshime dhe madje disa gabime në Kur’anin që kemi sot në dorë.


Kjo ide bie ndesh me atë që të gjithë muslimanët, qofshin shiitë ose sunnitë, besojnë në lidhje me Kur’anin. Shejh Ebu Xhafer es-Saduk (vdekur 381), në veprën Kitabu’l-Itikad shkruan:


“Është besimi ynë se Kur’ani, që Zoti ia shpalli profetit të tij, Muhammedit, është ai që gjendet ndërmjet dy kapakëve (deffetejn). Kjo është ajo që gjendet në mesin e njerëzve dhe nuk është më shumë se kaq.”


Më pas, ai shton:


“Dhe ai që pretendon se ne themi se (Kur’ani) është më i madh se ai që kemi sot, është gënjeshtar.”7


Deklarata të ngjashme janë bërë thuajse nga të gjithë juristët e mëdhenj shiitë. Si shembuj, mund të ceken:


- Shejh Mufidi (338-413)* në veprën “Ava’ilu’l-Makalat”, fq.95


- Sherif er-Murtada (355-436) në veprën “Bahru’l-Fava’id” (botuar në Teheran, 1314) fq.69


- Shejh el-Tusi (385-408) në veprën “Tefsir et-Tibjan”, vëll.1(botuar Nexhef, 1376), fq.3


- Shejh et-Tabersi (vdekur 548) në veprën “Mexhma’ul-Bejan”, vëll.1 (botimi Libanit), fq.15


 


Ky besim ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë deri në ditët tona. Për ta dëshmuar këtë, mjafton të përmenden emrat e Sejjid Muhsin el-Emin el-Amili (1284-1371), Sejjid Sherafuddin el-Musavi (1290-1377), Shejh Muhammed Husejn Kashifu’l-Ghita (1295-1373), Sejjid Muhsin el-Hakim (1306-1390), Allame Tabatabai (1321-1402), Sejjid Muhammed Hadi el-Milani (1313-1390), Sejjid Ruhullah el-Khomeini (1321-1409), Sejjid Ebu’l-Kasim Khoei (1317-1413) dhe Sejjid Muhammed Riza Gulpajgani (1316-1414).


Në vijim, do t’i analizojmë gjashtë tema, për të treguar se si armiqtë e Islamit e gjetën mundësinë për të krijuar përçarje nëpërmjet idesë së ndryshimit të Kur’anit dhe sa arritën sukses nëpërmjet përpjekjeve të tyre. Këto tema janë:


1. Shfaqja e haditheve të falsifikuara në botën muslimane


2. Pohimet e disa prej personave që sajuan hadithe


3. Shembuj të haditheve të sajuara, sipas të cilave qindra, në jo mijëra vargje, janë shlyer nga Kur’ani


4. Qëndrimi sunnit dhe besimet e botës sunnite; teoria e zhvleftësimit të recitimit të një vargu dhe pasojat e saj


5. Qëndrimi shiit ndaj haditheve të tilla


6. Islami amerikan e ringjalli këtë temë të varrosur prej kohësh, gjoja për ta përbuzur Shiizmin dhe për t’i penguar përpjekjet iraniane për një unitetit mbarëbotëror të Islamit. Por çfarë ishte motivi i vërtetë?


Koha jonë e kufizuar nuk lejon që të hyjmë në hollësi. Prandaj sugjeroj që t’i përmendim shkurtimisht të gjitha këto tema gjatë këtij fjalimi.


* Të gjitha datat janë pas Hixhrit
1: Të shihet Kur’ani 17:88; 11:11; 10:38
2: Et-Tabersi, vepra El-Ihtixhaxh (botuar 1966 në Nexhef nga Daru’n-Numarn), fq.358-384
4: Sahihu i Muslimit, vëll.4 (botimi i dytë, Beirut 1972), fq.1873; Ky hadith është përcjellur nga më shumë se 20 sahabe të Profetit. Shih gjithashtu Musnedin e Ahmed ibn Hanbelit, vëll.3, fq.14,17,26,59; vëll.4, fq.366,371; vëll.5, fq.182, 189; Sahihun e Tirmidhiut, vëll.3 (kapitulli Menakib Ahli’l-Bejt), fq.200-202
5: Sahihu i Muslimit, vëll.3 (botimi i parë, Beirut 1905), fq.1295; Bukhariu e ka përcjellur këtë hadith në katër vende; shih Sahihu i Bukhariut (botuar Kairo, 1958), vëll.1 (Kitab’ul-ilm, bab kitabatu’l-ilm), fq.39; vëll.6 (Bab kitabu’n-nebi ila Kasra ve Kajsar), fq.11-12; vëll.7 (Kitabu’t-tibb, bab kavli’l-merid kumu anni), fq.155-156; vëll.9 (Kitab’ul-itisam bi’l-kitab ve’s-sunnah, bab kerahijjati’l-khilaf), fq.137
6: El-Khoei, “El-Bejan Tefsiri’l-Kur’an” (botuar Kuvajt, 1399/1979), fq.271
7: Es- Saduk, “Kitabu’l-Itikad” (botuar Teheran, 1370 pas Hixhrit); shih gjithashtu përkthimin e veprës në anglisht: “The Shi’ite Creed”, nga Fyzee (botuar Kalkutë, 1942), fq.85 


 


Shfaqja e haditheve të sajuara


Është një fakt shumë tragjik se njerëzit kishin filluar të sajonin hadithe që në të gjallë të Profetit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij). Ai u detyrua t’i paralajmëronte muslimanët me këto fjalë:


Vërtet ka shumë që sajojnë gënjeshtra kundër meje dhe s’ka dyshim se numri i tyre do të rritet. Kushdo që qëllimisht thotë një gënjeshtër në lidhje me mua, le ta përgatisë vendin e tij në zjarr. Andaj, kurdoherë që t’ju përcillet një hadith, krahasojeni me Librin e Zotit dhe me Traditën time të sigurt. Pastaj pranojeni atë që është në përshtatshmëri me Librin e Zotit dhe hidheni mënjanë atë që bie ndesh me Librin e Zotit e me Traditën time (Sunnetin).8


Ky hadith i mirënjohur është shumë i rëndësishëm dhe ju lutem ta keni parasysh. Duhet të kuptojmë se Profeti e ka zgjedhur Kur’anin si një standard për vlerësimin e haditheve dhe jo e kundërta, që hadithet ta vlerësojnë dhe ta gjykojnë Kur’anin.


Prijësi i Besimtarëve, Aliu, u pyet në lidhje me dallimet në hadithet që i mveshen Profetit. Ai u përgjigj: Në atë që është përhapur në mesin e njerëzve, ka edhe të drejtë edhe të padrejtë, edhe të saktë edhe të gabuar, edhe zhvleftësuese edhe të zhvleftësuara, edhe të përgjithshme edhe të përveçme, të caktuara dhe të pacaktuara, të përpikta dhe përgjithësime. Edhe gjatë jetës së Profetit, shumë fjalë të pasakta iu mveshën atij, aq sa u detyrua që, në një fjalim të vetin, të thoshte: “Ai që më mvesh një gënjeshtër, le ta përgatisë vendin e vet në zjarr! Ata që përcjellin hadithe janë katër llojesh dhe jo më tepër.   


Më pas, Imami shpjegon se kategoria e parë është ajo e hipokritëve gënjeshtarë: Hipokrit është një njeri që tregohet besimtar dhe që merr pamje prej muslimani. Por ai nuk nguron të mëkatojë dhe nuk qëndron larg të ligës. Ai qëllimisht i mvesh fjalë të pasaktë të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të bekuar). Sikur njerëzit të dinin se ai është gënjeshtar dhe hipokrit, nuk do të pranonin asgjë prej tij dhe nuk do ta miratonin atë që thotë. Por ata thonë se ai është një shok (sahabe) i Profetit, se është takuar me të, ka dëgjuar prej tij dhe ka fituar dituri prej tij. Andaj, ata e pranojnë fjalën e këtij njeriu. Dhe Zoti ju ka paralajmëruar në lidhje me hipokritët dhe i ka përshkruar qartë për ju. Por ata kanë vazhduar edhe pas Profetit.9 


Megjithatë, kjo situatë u përkeqësua shumë më tepër pas rënies dëshmor të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), kur Kalifi Muavije e themeloi atë që mund të quhet departamenti i parë i propagandës në botë. Ky nuk është rasti për të hyrë në hollësi të pakëndshme. Ata që duan të dinë më tepër, mund t’i referohen komentimit të veprës Nehxh’ul-Belaga (Sherh Nehxh’ul-Belaga) nga Ibn Ebi’l-Hadid el-Muteziliu, i cili përcjell fjalë për fjalë nga Kitabu’l-Ahdath e Ebu’l-Hasan Ali ibn Muhammed ibn Sejf el-Medaini, duke treguar se si ky departament u zhvillua gradualisht, derisa hadithet e “prodhuara” prej tij u përhapën në gjithë botën muslimane dhe filluan t’u mësoheshin fëmijëve nëpër shkolla, njësoj siç u mësohej Kur’ani. Ai shpjegon se si kjo sëmundje pati ndikim tek të gjithë grupet dhe në veçanti tek njerëzit që dukeshin si të virtytshëm, që e recitonin Kur’anin dhe që konsideroheshin si njerëz që i druhen Zotit. Ata filluan të sajonin hadithe për të fituar pozita të favorshme pranë sunduesve. Më në fund, këto hadithe aritën tek njerëzit që ishin vërtet fetarë dhe që nuk do të pranonin gënjeshtra dhe fjalë të gabuara. Ata i pranuan këta hadithe si të vërteta, dhe i përcollën duke menduar se ishin vërtet thënie të Profetit.10   


Katër përcjellës hadithesh ishin bërthama e këtij “departamenti”: Ebu Hurejre, Amr bin As, Mughirah ibn Shu’be (që të tre nga sahabet e Profetit) dhe Urva bin ez-Zubejr (nga tabi’inët, gjenerata pas sahabeve).11 Por kishte edhe qindra “punonjës të lirë”, që e shitën fenë e tyre për përfitime të kësaj bote. Një ngjarje e tillë është ajo që do ta shprehim në vijim:


Muavije i ofroi Samura ibn Xhundebit njëqind mijë dirhemë, nëse do të thoshte se vargjet 204-205 të kapitullit të dytë të Kur’anit ishin shpallur në lidhje me Ali ibn Ebu Talibin, ndërkohë që vargu 207 ishte shpallur për ta lëvduar Ibn Mulxhemin (vrasësin e Aliut).


Vargjet 204-205 janë si vijon:


Dhe në mesin e njerëzve është edhe ai, fjalët e të cilit për këtë botë të mahnisin dhe që e thërret Zotin të dëshmojë për atë që ka në zemër, ndonëse ai është më i ligu i armiqve. Dhe posa të kthehet, vrapon nëpër tokë për të bërë trazira në të e për t’i prishur të mbjellat e bagëtinë. Dhe Zoti nuk i do ata që bëjnë trazira...


Ndërsa vargu 207, i cili duhej të ishte një lëvdatë për Ibn Mulxhemin, thotë:


Dhe në mesin e tyre është ai që e shet veten e tij për ta fituar kënaqësinë e Zotit. Dhe Zoti është i dhembshur ndaj shërbetërove të Vet...


 Megjithatë, Samura nuk u pajtua me këtë gjë. Çmimi u rrit në dyqind mijë dirhemë dhe pastaj edhe në treqind mijë, por kjo nuk solli ndonjë ndryshim. Më në fund, pasi Muavije i ofroi katërqind mijë dirhemë, Samura u pajtua të përcillte një “hadith” të tillë.12


8: Shejh Abbas el-Kummi, “Sefinet’ul-Bihar”,vëll.2, fq.474; Hadithe të panumërta me përmbajtje të ngjashme mund të gjenden në burimet e të dy grupeve (Sunni dhe Shia), duke përfshirë edhe Sahihun e Bukhariut, vëll.1 (Kitabu’l-ilm, bab ithm men kadhiba ala’n-nebi)
9: Nehxhu’l-Belaga (përkthyer nga S. Ali Raza), vëll.2 (botuar nga WOFIS, Teheran, 1987), fq.453-545
10: Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh Nehxhi’l-Belaga, vëll.11 (botuar Kairo, Dar’ul-Ihjai’l-Kutubi’l-Arabijje), fq.446
11: Po aty, vëll.4, fq.63
12: Po aty, vëll.4, fq.73


  


Pohimet e disa sajuesve


 Fatkeqësisht, siç u përmend më sipër, edhe njerëz që konsideroheshin të mirë, u përfshinë në këtë proces të sajimit. Ebu Ismah, Faraxh bin Ebi Merjem el-Marvaziu u pyet: “Prej nga i ke gjithë këto hadithe të përcjellura nëpërmjet Ikrimes e Ibn Abbasit prej Profetit, ku përshkruhet ndarazi shpërblimi i recitimit të çdo kapitulli të Kur’anit?” Ai u përgjigj: “Pashë se njerëzit ishin të interesuar vetëm në jurispudencën e Ebu Hanifes ose në biografinë e shkruar nga Ibn Is’haku. Andaj i sajova këto hadithe, për hir të kënaqësisë së Zotit dhe për ta tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt Kur’anit.” 13 


Dhe kur sajimi i haditheve u bë një normë e botës akademike muslimane, ateistët, mohuesit e Islamit dhe hipokritët, i shfrytëzuan këto gjëra deri në maksimum. Ata sajuan shumë hadithe, të cilat prezantoheshin sikur të ishin përcjellur nga shokë (sahabe) të mirënjohur të Profetit, vetëm e vetëm për ta dëmtuar thelbin e Islamit, për t’i dobësuar themelet e tija dhe për ta shkatërruar atë përfundimisht. Për shembull, një ateist i njohur, i quajtur Abdu’l-Kerim ibn Ebi’l-Evxha, u dënua me vdekje nga guvernatori i Kufes. Pak para se të vritej, ai tha: “Edhe sikur të më vrisni, unë kam sajuar katër mijë hadithe që e bëjnë të lejuar (helal) të ndaluarën (haramin) dhe e bëjnë të ndaluar (haram) të lejuarën (helalin). Për Zotin, unë ju kam bërë ta prishni agjërimin në ditën e agjërimit dhe të agjëroni në ditë Bajrami.”14


Por ky plan nuk mund të kishte sukses, për sa kohë që muslimanët nuk bindeshin se Kur’ani nuk u mblodh gjatë jetës së Profetit, por u mblodh më pas, nga copa të shpërndara letre, kockash e lëkure, rreth njëzet e tre vjet pas vdekjes së Profetit.


Ata e kuptonin shumë mirë psikikën e grupeve të ndryshme muslimane dhe zakonisht, i prezantonin mendimet e tyre anti-kur’anore të maskuara si merita të sahabeve ose të Imamëve të Ehl-i Bejtit, tek sunnitët dhe tek shiitët, respektivisht. Helmi jepej brenda sherbetit dhe ai gëlltitej pa nguruar fare.


Merita e përmbledhjes së Kur’anit iu dha Hz. Ebu Bekrit ose Hz.Osmanit. Secili sajues i haditheve e ka përdorur imagjinatën e tij dhe kjo ka krijuar shumë hadithe, që bien ndesh me njëra tjetrën.


Sejjid el-Khoei i ka kontrolluar të gjithë hadithet në lidhje me përmbledhjen e mëvonshme të Kur’anit dhe ka ardhur në përfundimin se Kalifi i tretë nuk e “përmblodhi” Kur’anin. Ai vetëm sa i bashkoi muslimanët në recitimin që ishte i përhapur në Medine, duke i ndaluar recitimet e tjera, të cilat ishin shfaqur aty këtu. Ata që kanë dëshirë ta studiojnë hollësisht këtë temë, mund ta shohin veprën e tij “El-Bejan”, nga faqja 187 deri në faqen 278.


Megjithatë, kur tashmë ishte pranuar tregimi i përmbledhjes së mëvonshme të Kur’anit, ishte shumë lehtë të qarkullonin hadithe, të cilët tregonin se shumë vargje, madje kapituj të tërë të Kur’anit, u humbën ose nuk u gjendën dot në kohën kur Ebu Bekri dhe/ose Osmani dëshironte ta përmblidhte Kur’anin në formë të një libri. Thëniet e tilla, ata ua mveshën shokëve ose grave të Profetit të shenjtë (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij).


Të turbulluar nga këto hadithe, muslimanët harruan se vetë Zoti është Mbrojtësi i Librit të Tij dhe se Profeti e kishte emëruar Kur’anin si një standard për vlerësimin e vërtetësisë së haditheve. Ata kthyen gjithçka përmbys dhe filluan ta sprovonin vërtetësinë e Kur’anit, duke u mbështetur në hadithe.


13: El-Bejan, fq.37; Ahmed Emin, “Fexhru’l-Islam, fq.25
14: Et-Taberi, “Tarikh et-Taberi”, vëll.6 (botuar Beirut, nga Mussasatu’l-A’lami), fq.299; Ibn Ethiri, “Tarikh el-Kamil”, vëll.5 (botuar nga Dar’ul-Kutubi’l-Arabi, 1985)


  


Disa hadithe në lidhje me mungesën e vargjeve në Kur’an


 Nuk kemi mundësi të merremi tani me të gjithë vargjet, fjalitë ose shprehjet, për të cilat thuhet se janë humbur deri në kohën kur u mblodh Kur’ani. Por disa shembuj interesantë mund t’i përcjellim në vijim:


1. Kapitulli i 33-të të Kur’anit, i titulluar “Ahzab”, thuhet se ka patur dyqind ose rreth treqind vargje, prej të cilëve të gjithë janë zhdukur përveç 73. Pretendimi se ka patur dyqind vargje i mveshet Nënës së Besimtarëve, Aishes:


Nga Ebu Ubejdi në veprën El-Fadail dhe nga Ibn el-Anbari e Ibn Mardavejhu është përcjellur thënia në vijim e Aishes: “Kapitulli Ahzab recitohej në kohën e Profetit me dyqind vargje. Por kur Osmani e shkroi Kur’anin, ai nuk mundi të gjente më tepër vargje nga ç’ka tani.”15 Tani, ky kapitull ka 73 vargje.


Përcillet gjithashtu se Hudhejfeja ka thënë se shtatëdhjetë vargje të këtij kapitulli janë humbur.16 Edhe nga Ubajj ibn Ka’bi përcillet një thënie, sipas të cilës, ky kapitull ishte i barabartë përnga gjatësia me kapitullin Bakara ose edhe më i gjatë se ky kapitull.17 Po kështu, Ikrime-ja (një tabi’i) përcillet se e ka thënë të njejtën.18 Tani, kapitulli Bakara ka 286 vargje. Sipas kësaj llogarie, 213 ose më tepër vargje të kapitullit Ahzab duhet të jenë humbur, duke përfshirë edhe vargun e gurëzimit (arab. rexhm)


2. Për kapitullin e nëntë, të titulluar “Teube”, thuhet se janë humbur dy të tretat ose tre të katërtat e vargjeve. Kjo thënie i mveshet Hudhejfe el-Jemeniut.19 Imam Malik ibn Enesi u pyet njëherë përse nuk gjendej shprehja “Bismil’lah” në fillim të këtij kapitulli. Ai tha: “Ajo u humb me pjesët e mëhershme, sepse është konfirmuar se ky kapitull ishte i barabartë me kapitullin Bakara përnga gjatësia.” 20 Ky kapitulli i Kur’anit ka 129 vargje. 


3. Pastaj mund të rradhiten dy kapitujt që konsiderohen të humbur, të titulluar El-Hafd dhe El-Khal, të cilat përmenden nga sahabe të famshëm si Ubajj ibn Ka’b ose Ebu Musa el-Eshariu21, dhe për të cilat thuhet se Kalifi Umar ibn el-Khattab i recitonte gjatë kunutit.22


Ky libërth në anglisht nuk është vendi i duhur për ta dëshmuar absurditetin e vargjeve të këtyre kapitujve, që supozohen se ishin të Kur’anit. Disa gabime gramatikore tregojnë shumë qartë se njerëzit, që i sajuan këto vargje, nuk e njihnin mirë arabishten. Është shumë më absurde kur të shohim se këto vargje u mveshen shokëve arabë të Profetit, si Hz.Umari, Ubajj ibn Ka’bi dhe Ebu Musa el-Eshariu.


Gjithkush që ka dëshirë t’i shohë gabimet dhe absurditetet e këtyre kapitujve të supozuar të Kur’anit, mund t’i drejtohet libërthit tim në arabisht, të titulluar Nazaratun musta’xhilah fi mes’eleti tahrifi’l-Kur’an ose më mirë akoma, veprës Ala’u’r-Rahman fi Tefsiri’l-Kur’an (vëll.1, botuar në Beirut, fq.23-25) të Shejh Muhammed Xhevad el-Balaghiut. 


4. Pastaj ekziston edhe një kapitull, i cili thuhet se ishte i gjatë sa kapitulli el-Bara’aah: Ebu Musa el-Eshari, një sahabe i Profetit, përcillet se ka thënë: Ne recitonim një kapitull që ishte i ngjashëm me kapitullin el-Bara’ah përnga gjatësia dhe intensiteti. Por tani e kam harruar dhe më kujtohet vetëm ky varg: “Sikur një biri të Ademit t’i jepeshin dy lugina të mbushura me pasuri, ai do ta kërkonte të tretën. Dhe asgjë s’e ngop barkun e njeriut përveç dheut.”23


 5. Nga i njejti shok i Profetit përcillet thënia në vijim: Ne recitonim një kapitull, që ishte i ngjashëm me mussabihat-ët 24, por unë e kam harruar. Megjithatë, më kujtohet vetëm ky varg:


“O ju që besoni! Përse e thoni atë që nuk e bëni? Ajo do të shënohet si një dëshmi kundër juve dhe ju do të pyeteni për të në ditën e gjykimit.” 25


 6. Humbja e një pjese të madhe të Kur’anit: Ka shumë hadithe në librat sunnite, të cilat thonë se Kur’ani ishte shumë më i gjatë se ajo që muslimanët kanë sot. Taberaniu, me një zinxhir të besueshëm transmetimi, e ka përcjellur nga Umar ibn el-Khattabi thënien në vijim: Kur’ani ka një milion e njëzet e shtatë mijë shkronja...26 Por numri i plotë i shkronjave brenda Kur’anit nuk është më tepër se 267,053, siç është shënuar në shumë botime të tij. Sipas kësaj, tre të katërtat e Kur’anit janë humbur.


Përcillet gjithashtu se Abdullah ibn Umari ka thënë: Asnjëri nga ju nuk duhet të thotë se e ka të tërë Kur’anin. Çfarë ju bën të dini se ç’është i gjithë Kur’ani? Vërtet shumë prej Kur’anit është humbur. Andaj është më mirë të thuhet: “Unë e kam atë që është mundur të gjurmohet prej tij”.27


 Fatkeqësisht, hadithet në lidhje me shlyerje të vogla ose të mëdha të Kur’anit u janë mveshur personaliteteve të famshme të Islamit, si Nëna e Besimtarëve Aisheja, Nëna e Besimtarëve Hafsa, Nëna e Besimtarëve Ummu Selemeja, Umar ibn el-Khattabi, Abdullah ibn Abbasi, Abdullah ibn Mesudi, Abdur’rahman ibn Aufi, Abdullah ibn Umari, Zejd bin Erkami, Xhabir ibn Abdullahu, Burejde-ja, Mesleme ibn Makhladi, Ebu Vakid el-Lejthiu dhe tezja e Ebu Amame ibn Sehl-it, përveç që u janë mveshur edhe disave nga tabi’inët, si Ikrimeja ose Malik ibn Enesi. Këto hadithe mund të gjenden në të gjithë librat e famshëm sunnitë të haditheve, duke përfshirë Es-Sihah es-Sitte (gjashtë librat e saktë të haditheve), si: Sahih el-Bukhari, Sahih el-Muslim, Sunan ibn Ebi Davud, Sahih et-Tirmidhi, Sunan en-Nesai, Sunan el-Bejhaki, Musned-i i Ahmed ibn Hanbelit, Muvatta e Imam Malikut, vepra Tarikh e Bukhariut, Fethu’l-Beri (komentim i Sahihut të Bukhariut) nga Ibn Haxher el-Askalani, Kenzu’l-Ummal nga Mulla Ali Muttakiu, Tefsir ed-Durru’l-Manthur dhe El-Itkan nga Sujutiu, Xhemiu’l-Usul dhe el-Muhadarat nga Imam Raghib el-Isfahaniu, Xhemi’ul-Xhevami dhe Hiljatu’l-Evlija nga Ebu Nuajmi dhe El-Mustadrak ala’s-Sahihejn e Imam Hakim el-Nishapuriut.28


Po kështu, hadithe të tilla u janë mveshur edhe Imamëve të Ehl-i Bejtit dhe kanë arritur të futen edhe në përmbledhjet shiite të haditheve. Thënë shkurt, hadithet sunnite dhe shiite përmbajnë një numër të madh hadithesh të tilla. Megjithatë, ka një dallim themelor ndërmjet dy grupeve, në qëndrimin e tyre kundrejt haditheve të tilla.


15: Es-Sujuti, Ed-Durru’l-Manthur, vëll.5, fq.179-180; Es-Sujuti, El-Itkan, vëll.2, fq.25
16: El-Bukhari, Et-Tarikh, siç është përcjellur nga Sujutiu në veprat e përmendura më sipër
17: Ez-Zemaksheri, Tefsir el-Kesh’shaf, vëll.2 (Kalkutë, 1856), fq.1117; Mulla Ali Muttaki, Kenzu’l-Ummal
18: Es-Sujuti, Ed-Durru’l-Manthur, vëll.5, fq.179

19: Es-Sujuti, Ed-Durru’l-Manthur, vëll.3, fq.208; El-Itkan, vëll.2, fq.26; El-Hakim el-Nishapuri, El-Mustadrak ala’s-Sahihejn, vëll.2 (Hajdarabad: Dairetul-Maarif, 1340 pas Hixhrit), fq.331
20: Es-Sujuti, El-Itkan, vëll.1, fq.65
21: Po aty
22: Po aty, fq.25-26
23: Es-Sujuti, Ed-Durru’l-Manthur, vëll.1, fq.105; Ibn Ethir, Xhemiu’l-Usul, vëll.3 (Egjipt, 1370 pas Hixhrit), fq.8, hadithi nr.904
24: Mussabihat quhen ata kapituj të Kur’anit që fillojnë me shprehjen jussabihu ose sabbih.
25: Xhemi’ul-Usul, vëll.3, fq.8

26: Es-Sujuti, El-Itkan, vëll.2, fq.70
27: Es-Sujuti, El-Itkan, vëll.2, fq.25; Es-Sujuti, Ed-Durru’l-Manthur, vëll.1, fq.106
28: Për hollësi, shih veprën Istiksa’u’l-Ifham, vëll.2, nga Mir Hamid Husejn el-Musavi el-Hindi, pjesa mbi dëmtimin e Kur’anit


  


Qëndrimi sunnit


 Qëndrimi i vëllezërve tanë sunnitë kundrejt haditheve të tilla është ndikuar mjaft nga besimi i tyre se të gjithë hadithet tek “gjashtë librat e saktë” (es-sihah es-sitte), dhe veçanërisht tek Sahihu i Bukhariut dhe i Muslimit, janë të saktë. Në komentimin që i bën Sahihut të Muslimit, Imam Neveviu shkruan:


Fakti se shoqëria muslimane i ka pranuar me dëshirë (Sahihun e Bukhariut dhe të Muslimit), na ka sjellë në përfundimin se është e detyrueshme (vaxhib) të veprohet sipas asaj që gjendet në këta dy libra. Ky është një mendim, për të cilin pajtohen të gjithë. Njerëzit janë të detyruar të veprojnë sipas një khabar el-vahid (një hadith i përcjellur nga një person i vetëm) në librat e tjerë, vetëm nëse zinxhiri përcjellës është i saktë, por edhe atëherë kjo nuk sjell veçse një supozim të fuqishëm. E njejta vlen edhe për dy Sahihët, por këta dy libra dallojnë nga të tjerët në atë se gjithçka që është shkruar në to është e saktë dhe nuk ka nevojë të kontrollohet. Hadithet brenda këtyre librave duhet të ndiqen në mënyrë të pakushtëzuar. Sa për librat e tjerë, hadithet brenda tyre mund të ndiqen vetëm nëse kontrollohen dhe zbulohet se janë përmbushur kushtet për një hadith të saktë (sahih).


Ky pranim i pakushtëzuar i haditheve që gjenden në këta libra, i ka detyruar vëllezërit tanë sunnitë ta pranojnë teorinë e zhvleftësimit të recitimit (naskhut tilave) të ndonjë vargu. Ata besojnë, pra, se recitimi i disa vargjeve është zhvleftësuar, ndonse ligji i përmendur brenda tyre vazhdon të jetë i vlefshëm. Dy shembuj të famshëm të vargjeve të tilla janë vargu i gurëzimit (rexhm) dhe vargu i dhjetë ose pesë dhënieve të gjirit, hadithet në lidhje me të cilat gjenden në Sahihun e Bukhariut, në Sahihun e Muslimit dhe në librat e tjerë.29 


Hadithi në Sahihu e Muslimit thotë qartë:


Nëna e besimtarëve Aisheja ka thënë: Në mesin e asaj që u shpall nga Kur’ani ishte: “Dhjetë dhënie gjiri përbëjnë ndalesë (dmth. marrëdhënie qumështi). Pastaj kjo u zhvleftësua nga rregulli për pesë dhënie gjiri dhe i Dërguari i Zotit vdiq. Ato ishin në mesin e asaj që recitohej nga Kur’ani.30


Ibn Maxhe përcjell një tjetër hadith nga Aisheja, i cili thotë qartë se këta dy vargje u humbën pas vdekjes së Profetit. Përcillet se ajo ka thënë: Vargu i vrasjes me gurëzim (arab. rexhm) dhe vargu i dhënies gji dhjetë herë u shpallën dhe u shkruan mbi një letër që ruhej nën shtratin tim. Kur vdiq i Dërguari i Zotit dhe teksa ne merreshim me vdekjen e tij, një rosë hyri në dhomë dhe e hëngri letrën.31


Nuk kërkon ndonjë zgjuarësi të madhe për të kuptuar se teoria e zhvleftësimit të recitimit nuk i shërben kurrfarë qëllimi në raste të tilla. Nëse një varg recitohej gjatë jetës së Profetit dhe pastaj humbej, qoftë ngase recituesit vriteshin në betejë dhe qoftë ngase një rosë e gëlltiste fletën ku shkruhej vargu, kjo na sjell tek pyetja në vijim: Kush kishte të drejtë ta zhvleftësonte një varg kur’anor pas vdekjes së Profetit? Mos vallë erdhi ndonjë profet tjetër pas Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij)? Kjo është arsyeja përse Sejjid Khoei ka thënë: Është e qartë se teoria e zhvleftësimit të recitimit është e barazvlefshme me besimin në ndryshimin e Kur’anit dhe në shlyerjen e pjesëve të caktuara të tij.”32 


Andaj duhet që me shumë rreptësi t’i bindemi principit se secili hadith që bie ndesh me Kur’anin duhet të zhvleftësohet dhe të hidhet mënjanë, për sa kohë që nuk mund të zbërthehet e të shpjegohet në një mënyrë të pranueshme.


29:  Për vargun e vrasjes me gurë (arab.rexhm), shih tek Sahihu i Bukhariut, vëll.4, fq.179, 265; Sahihu i Muslimit, vëll.3, fq.1317; Musnedi i Ahmed bin Hanbelit, vëll.1 (Beirut, el-Mekteb el-Islami, botuar 1969), fq.40; Suneni i Ibn Maxhes, vëll.2 (botim i Kairos), fq.853; vepra Muvatta  e Imam Malikut, vëll.2, fq.623. Për vargun e gjidhënies, shih tek Sahihu i Muslimit, vëll.1, fq.167; ed-Durru’l-Manthur  nga Sujutiu, vëll.2, fq.
30: Sahihu i Muslimit, vëll.1, fq.167; ed-Durru’l-Manthur nga Sujutiu, vëll.2, fq.135
31: Musnedi i Ahmed bin Hanbelit, vëll.6, fq.269; Suneni i Ibn Maxhes, fq.626; Tevil Mukhtalafi’l-Hadith nga Ibn Kutbe (Kairo, Mekteba el-Kullijat el-Azharijje, botuar 1966), fq.310, e cila është shtypur gabim si faqja 210; ed-Durru’l-Manthur nga Sujutiu, vëll.2, fq.13
32: El-Bejan, fq.224


  


Qëndrimi shiit


 Tani të shohim se si shiitët e kanë zgjidhur problemin e haditheve të tilla.


Shiitët nuk besojnë në pagabueshmërinë e asnjë autori, komentuesi ose përcjellësi të haditheve. Si rezultat, për shiitët nuk ekziston ndonjë përmbledhje hadithesh, e cila është plotësisht e saktë dhe pa gabime. Libri i vetëm që është pa gabime është Kur’ani.


Ka katër përmbledhje të hershme të haditheve shiite, të cilat njihen bashkë si “katër librat” (El-Kutub el-Erbaa) dhe janë: El-Kafi e Kulejniut, Men le Jehdhuruhu’l-Fakih nga Shejh Saduku, Tehdhibu’l-Ahkam nga Tusiu dhe vepra El-Istibsar, po kështu nga Tusiu. Ndonëse këto libra respektohen shumë, shiitët kurrë nuk i kanë quajtur “sihah” (libra që përmbajnë vetëm hadithe të sakta). Si pasojë, ata nuk kanë qenë të kufizuar nga një hadith në këto përmbledhje, thjesht ngase hadithi gjendet në to. Në vend të kësaj, shiitët i kontrollojnë të gjithë hadithet në këto libra me teste të rrepta në lidhje me zinxhirin e përcjelljes (isnad) dhe në lidhje me saktësinë e tyre, duke vlerësuar kështu, në është një hadith në përshtatshmëri me Kur’anin, me thëniet e pranuara të “të dëlirëve” (arab. masumin; nënkuptohet Ehl-i Bejti) dhe me faktet e sigurta. Nëse një hadith i kalon këto kontrolle të rrepta, ai pranohet si i saktë. Nëse jo, ai ose zbërthehet dhe interpretohet në një mënyrë të pranueshme, ose mohohet dhe zhvleftësohet sakaq.


Duhet theksuar këtu se shumica e haditheve që flasin për një dëmtim ose ndryshim të Kur’anit, janë të gabuar ose të dobët, kur bëhet fjalë për zinxhirin e tyre përcjellës. Por edhe sikur të mos jenë, mund të pranohet se disa nga këto hadithe nënkuptojnë se ka ardhur deri tek interpretimi i gabuar i ndonjë vargu, duke i ngarkuar atij një kuptim të pasaktë. Përveç kësaj, ka edhe disa hadithe që mund të pranohen si shpjegime shtesë të recituesve.


Megjithëkëtë, mbeten prapë shumë hadithe, të cilat nuk mund të shpjegohen në asnjërën nga mënyrat e mësipërme. Dijetarët tanë, pa përjashtim, i kanë mohuar hadithet e tilla, për shkak se bien ndesh me Kur’anin, me Sunnetin e Profetit dhe me pajtimin e përgjithshëm (arab. ixhma) të shoqërisë muslimane se nuk ka patur as shtesa dhe as shlyerje në Kur’an.


Muhakkik el-Kalbasiu ka thënë: Të gjithë këto hadithe që flasin për ndryshim të Kur’anit janë kundër mendimit të përgjithshëm (arab. ixhma) të shoqërisë muslimane (përveç të disa personave të parëndësishëm).33


Komentuesi i veprës El-Vafija, Muhakkik el-Baghdadiu, ka shprehur qartë, duke përcjellur nga Muhakkik el-Karakiu (i cili ka shkruar një trajtesë mbi këtë temë) se: Hadithet që flasin për mangësi duhet ose të riinterpretohen ose të mohohen. Çdo hadith që bie ndesh me Kur’anin, me Sunnetin e pranuar të Profetit dhe me mendimin e përgjithshëm të shoqërisë muslimane, duhet të mohohet, nëse nuk ka hapësirë për ta interpretuar ose për t’i dhënë një shpjegim të arsyeshëm. 34


Do të përcjellim tani një hadith nga përmbledhja “El-Kafi”, për të dhënë një shembull praktik për atë që nënkuptojmë kur flasim për një riinterpretim ose shpjegim të arsyeshëm. Hadithi është si vijon:


Ebu Abdullahu (paqja qoftë mbi të) tha: “Kur’ani, që iu soll Muhammedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) nga Xhibrili, është shtatëmbëdhjetë mijë vargje.” 35


Kitabu’l-Itikad, Shejh Saduku e ka shkruar atë që, për mendimin tim, është një riinterpretim i këtij hadithi. Ai shkruan: Ne themi se ka ardhur kaq shumë shpallje që nuk është pjesë e Kur’anit, sa sikur të mblidhej, do të kishte pa dyshim një madhësi që arrin 17 mijë vargje. Dhe kjo, për shembull, është si thënia në vijim, që Xhibrili ia përcolli Profetit: “Zoti të thotë: O Muhammed! Sillu me butësi me krijesat e Mia, njësoj siç sillem Unë me ta.”


Në vijim, ai përcjell shumë hadithe kudsijj, derisa arrin në përfundimin në vijim: Ka shumë hadithe të tilla, të gjitha prej të cilave janë shpallje hyjnore, por nuk janë pjesë e Kur’anit. Sikur të ishin pjesë e tij, ato do të përfshiheshin në Kur’an dhe nuk do të liheshin mënjanë.36


Dhe në rast se ky shpjegim konsiderohet i papranueshëm, duke u arsyetuar me përdorimin e fjalës Kur’an brenda hadithit, atëherë ne (dijetarët shiitë) e mohojmë hadithin pa nguruar. Ndonëse numri i dhënë në këtë hadith është shumë më pak se numri i dhënë nga Kalifi i dytë (një milion e njëzet e shtatë mijë shkronja të Kur’anit)37, ai është prapëseprapë tri herë më i madh se numri i tanishëm i vargjeve (që është rreth 6236 vargje).38


Kjo është metoda shiite e zgjidhjes së problemit që shkaktojnë hadithet në lidhje me dëmtimin e Kur’anit. Gjithkush që do ta studionte këtë metode në mënyrë të paanshme, do të pranonte pa nguruar se kjo është zgjidhja e vetme e saktë për hadithe të tilla, sepse mbështetet pikërisht në metodën e përmendur nga Profeti (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe të shprehur nga Imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të) si vijon:


Pranoni gjithçka që është në përshtatshmëri me Librin e Zotit dhe lëreni atë që bie ndesh me të.39


33: Përcjellur tek vepra “El-Bejan”, fq.253
34: Po aty
35: El-Kulejni në veprën “El-Kafi”, vëll.2 (botuar Teheran, nga Matba’a el-Islamijja), fq.463
36: Saduku në “Kitabu’l-Itikadat”, fq.63-65
37: Sujutiu në “El-Itkan”, vëll.2, fq.70
38: Shih Mahmud Ruhani, në veprën “El-Muxhemu’l-Ihsai” (Meshhed, 1990), fq.168. Ata që nuk e tregojnë kujdesin e mjaftueshëm për t’i numëruar vargjet, thonë se ka 6666 vargje në Kur’an. Ky është një shembull tjetër i pakujdesisë së disa muslimanëve kundrejt Kur’anit
39: El-Hurr el-Amili, Vesail’ush-Shia, vëll.3 (Kitabu’l-kadha, bab vuxhuhi’l-xhem bejne’l-ahadithi’l-mukhtalifah), fq.380


 


 Keqpërdorimi i haditheve


 Siç përmendëm më sipër, armiqtë e Islamit arritën të vinin në qarkullim hadithe të tilla anti-kur’anore në botën muslimane, duke ua mveshur ato personaliteteve të famshme të Islamit, shokëve të Profetit, si dhe Ehl-i Bejtit të tij, duke bërë që gradualisht, këto hadithe të dobëta dhe të sajuara të përfshiheshin në përmbledhjet e haditheve. Por edhe përkundër kësaj, dijetarët muslimanë, qofshin shiitë ose sunnitë, nuk besuan se kishte ndryshime në Kur’an, as ndonjë shtesë e ndonjë shlyerje të tekstit. Asnjë dijetar i arsyeshëm i cilitdo grup musilman nuk e ka akuzuar një grup tjetër, duke thënë se ai beson në dëmtimin e Kur’anit.


Kuptohet se, kohë pas kohe, dijetarë nga të dyja palët janë marrë me përbuzjen e palës tjetër, pa kuptuar se prania e një hadithi në librin e një grupi, nuk nënkupton domosdo se pjesëtarët e atij grupi vërtet e besojnë këtë hadith. Kryesisht, këto hadithe mbetën të “varrosura” në libra dhe nuk u përhapën tepër, për vetë faktin se askush nuk e mbështeste besimin e vet në to.


Por gjërat ndryshuan përnjëherë në Shkurt të vitit 1979, kur populli iranian, nën udhëheqësinë e pakrahasueshme të Ajetollah Khomeinit, arriti ta themelonte qeverisjen e parë vërtet islame, shekuj pas epokës së Imamëve.


Sikur Revolucioni Iranian të sillte një qeverisje satelit, e cila do të lëvizte në binarët e Perëndimit ose të Lindjes, ajo do të pranohej me shumë kënaqësi ose së paku do të tolerohej nga mbrojtësit e vetëshpallur të “demokracisë”. Por krejt në kundërshtim me atë që mund të pritej, qeveria iraniane vendosi ta ndiqte vijën islame dhe e ngriti flamurin e unitetit të muslimanëve. Duke qëndruar kundër të gjithë “–izmave“ islame dhe duke mos iu nënshtruar askujt përveç Zotit, Khomeini dhe udhëheqësia iraniane fitoi popullaritet të pakrahasueshëm në shoqërinë muslimane kudo në botë, nga Maroku në Filipine, nga Evropa deri në Amerikë. Masat e shtypura panë me sytë e tyre se si duart lakuriqe të njerëzve e mundën maqinerinë më të fuqishme ushtarake të Lindjes së Mesme. Kjo u dha zemër njerëzve edhe në shtete jomuslimane si Afrika Jugore. Ky ndikim në rritje i “Khomeinizmit” i alarmoi Shtetet e Bashkuara, që ishin prijësi kryesor i “fiseve” të Perëndimit. Ata filluan të luftonin kundër Iranit, duke i përdorur shtetet e tjera si instrumente dhe duke i aktivizuar mediat dhe forumet politike për këtë qëllim.


Në anën tjetër, ata i bindën klientët e tyre në Arabinë Saudite dhe në Kuvajt, se thirja iraniane për unitet islam është një rrezik moral për kurorat e tyre mbretërore. Të urdhëruar nga zotërinjtë e tyre, vehabinjtë nisën një propagandë intensive urrejtjeje kundër Khomeinizmit, Iranit dhe Shiizmit. Autorë të paguar filluan të prodhonin libra, artikuj dhe trajtesa kundër shiitëve, duke thënë se shiitët janë kafir (mohues) e mushrik (politeistë), se kanë një Kur’an tjetër dhe se besojnë se Kur’ani i muslimanëve është i ndryshuar dhe i mangët. Disa nga “punonjësit” më në zë të tyre ishin Ihsan Ilahi Zahir dhe Balighuddini në Pakistan, dhe Manzur Ahmed Nu’mani e Ebu’l-Hasan Ali Nadviu në Indi.


Ky i fundit përbën një rast tejet interesant. Shumë kohë para Revolucionit, ai shfaqej si një pionier i unitetit të muslimanëve. Ai ishte Kryetar i Bordit Musliman për Ligjin Personal, duke e patur si zëvendëskryetar një dijetar shiit. Njëkohësisht, ai është edhe fitues i çmimit “Faisal”, që jepet nga dinastia saudite. Dhe sapo u eksportua nga Irani sllogani “As Lindje as Perëndim, Islami është më mirë”, ai e filloi aleancën e tij me forcat që ishin kundër unitetit islam. Në njërin nga libërthat e tij anti-shiitë, ai shkruan se shiitët nuk e besojnë Kur’anin dhe se kjo është arsyeja përse tek shiitët “nuk ka hafizë të Kur’anit”. Ai vazhdon duke shkruar se një ditë kishte qenë për vizitë në shtëpinë e një Ajetollahu të Madh (Ajetollah el-Udhma). Programi do të fillonte me një recitim të Kur’anit dhe djali i Ajetollahut, edhe ai vetë një dijetar islam, u ngrit dhe e hapi Kur’anin, duke recituar disa vargje prej tij. Më pas, autori shkruan: “Në besimin tonë sunnit, edhe një fëmijë i vogël i di përmendësh nja dy kapituj të shkurtër. Por ky dijetar shiit nuk dinte përmendësh as kaq. Kjo është ngase shiitët nuk besojnë në Kur’anin.”


A mund të pritet një argument i tillë fëmijëror nga një personalitet kaq i shquar? Por, me sa duket, fjalët në gojën e tij vinin nga zëri i zotërinjve të vet dhe penda e tij s’ishte veçse thika zioniste, e larë me gjak musliman.


Librat e shkruar nga agjentë të tillë mund të jenë në gjuhën urdu, në arabisht ose në ndonjë gjuhë krejt tjetër. Por brenda pak muajsh, ata përkthehen në të gjitha gjuhët kryesore të botës muslimane dhe janë të disponueshëm gjithkund, përveç që u shpërndahen falas njerëzve.


Në dukje, agjentët e Islamit amerikan e bëjnë këtë për ta dobësuar Iranin dhe për ta penguar ndikimin e Revolucionit Iranian tek “rinia muslimane”, siç pranon edhe vetë Ebu’l-Hasan Ali Nadviu në pjesën hyrëse të librit. Por a thua ky është motivi i vërtetë i zotërinjve të tij judeo-kristianë dhe armiq të Islamit? Kuptohet se jo. Manipuluesit e Islamit amerikan kanë zhvarrosur disa hadithe shiite në lidhje me ndryshimin e Kur’anit, me qëllimin e vetëm që shiitët të hakmerren duke i botuar hadithet e ngjashme që gjenden në librat sunnite dhe duke bërë që të vihet në pyetje vlefshmëria e Kur’anit. Kështu do të dëmtohej besimi i muslimanëve në Shpalljen e fundit hyjnore dhe, si pasojë, Islami do ta humbte fuqinë e tij.


Dijetari shiit, Mirza Husejn Nuri (vdekur 1320 pas Hixhrit), shkroi një libër të titulluar Faslu’l-Khitab, në të cilin i kishte mbledhur të gjithë hadithet sunnite dhe shiite në lidhje me ndryshimin e Kur’anit, duke ardhur në përfundimet e veta, të cilat ishin në kundërshtim me besimet shiite. Por sapo u botua libri, përgënjeshtrime të tij u shkruan dhe vetë vepra mbeti e harruar dhe e panjohur në qarqet shiite. Dhe tani, Islami amerikan e ka ribotuar këtë vepër, duke i hequr kapitujt mbi hadithet sunnite. Ky libër po propagandohet si një “libër autentik shiit”, i cili “dëshmon” se shiitët nuk e besojnë Kur’anin. Sikur këta njerëz të ishin vërtet të sinqertë, do të duhej fillimisht ta botonin të gjithë librin. Kështu, zotërinjtë e tyre do të mund të “dëshmonin” se e gjithë shoqëria muslimane nuk e beson Kur’anin!!!


Kjo polemikë përbuzëse do t’i furnizojë misionarët e krishterë me armë efektive dhe “municion” të mjaftueshëm për ta lëkundur besimin e muslimanëve në Kur’anin. Ata shpresojnë se në këtë mënyrë, shumë muslimanë do të binden për ta pranuar Krishterimin, ndërkohë që edhe ata që nuk do ta pranonin, nuk do të mbeteshim më muslimanë të vërtetë dhe as që do ta ndiqnin një Libër, autenticiteti i të cilit është i dyshimtë.


Thuhet se një ditë, kryeministri Gladstone (1809-1898) u ngrit në Parlamentin Britanik me një kopje të Kur’anit në dorë dhe shpalli se, për sa kohë që muslimanët e ndiqnin këtë Libër, britanikët nuk do të mund t’i nënshtronin. Ai i këshilloi njerëzit e tij që ta përdornin çdo mënyrë të mundshme për ta lëkundur besimin e muslimanëve në Kur’anin.


Strategjia e mohimit (kufrit) pati sukses në Turqi, Egjipt, Tunis, Algjeri dhe në shumë vende të ashtuquajtura muslimane, ku u krijua një lloj i ri muslimanësh, të cilit ishin alergjikë ndaj Islamit dhe ndaj vetë Kur’anit. Kjo strategji thuajse pati sukses në Iran, nën regjimin Pahlavi. Por ky plan dështoi falë prijësve fetarë, nën udhëzimin e Ajetollah Khomeinit dhe falë ndjenjës fetare të popullit iranian. Tani, armiqtë e Islamit e përdorin sërish këtë metodë për t’ia arritur qëllimit. Ky është plani i tyre, por Zoti thotë:


Ata duan ta shuajnë dritën e Zotit me gojët e tyre. Por Zoti do ta përsosë dritën e Tij, ndonse kjo s’u pëlqen mohuesve...(Kur’an 61:8)


 


FUND