Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Falënderuar qoftë Zoti, që na dhuroi edhe këtë vit mundësinë për të marrë pjesë në këtë muaj të “gostisë hyjnore”, e premtja e parë e të cilit është sot. Do të ishte me vend që të përmendim, në këtë fjalim, disa gjëra lidhur me këtë muaj të madhëruar e të shenjtë të Zotit.
Përshkrimi i muajit Ramazan
Ramazani është muaji i gostisë hyjnore, i cili mbetet në kujtesën e çdo muslimani që e përjeton atë. Ky muaj është miku më i mirë i besimtarit, i cili gëzohet për ardhjen e tij dhe pikëllohet kur ai ik. Në këtë muaj, të gjithë njerëzit ftohen në një garë të përshpirtshmërisë dhe të adhurimit të Zotit, si dhe përpiqen ta shprehin më së miri respektin ndaj tij, duke e përforcuar brenda vetes shpirtin e adhurimit të Zotit dhe të drojës para Tij.
Agjërimi gjatë këtij muaji është një traditë shumë e vjetër, e ruajtur mes njerëzve. Kur’ani thotë:
O besimtarë, agjërimi është një detyrim për ju, njësoj siç ka qenë për popujt që erdhën para jush. Mbase do të mbroheni. (Kur’an, 2:183)
Agjërimi i Ramazanit ka ndikime të ndryshme mbi jetën e njeriut, qoftë në këtë botë, qoftë në tjetrën. Ky agjërim ndikon mbi trupin e mbi shpirtin njëkohësisht, dhe ka ndikime sa individuale, aq edhe shoqërore. Pika më e rëndësishme është që të kuptohet përparësia e agjërimit për jetesën shpirtërore të njeriut. Duke e pasur parasysh këtë, duhet të përpiqemi që të përfitojmë maksimalisht nga bekimet e këtij muaji.
Filozofia e agjërimit
Muaji i shenjtë i Ramazanit e ndryshon përditshmërinë e njeriut në një mënyrë shumë të natyrshme, duke e ringjallur atë. Gjatë iftarit dhe në orët e hershme të ditës (në suhur) ai u fal besimtarëve një ndjesi të veçantë, një hare, e cila në hadithe krahasohet me harenë që do të ndiejë një besimtarë i vërtetë në ditën e ringjalljes.[1]
Prania e ndjeshme e Zotit në jetën e agjëruesit e mbush atë me më shumë respekt dhe bën që ai të ketë edhe më shumë kujdes për sjelljen e tij, sepse, sipas mësimeve të Profetit (s.a.a), një agjërues nuk guxon të flasë fjalë të kotë dhe as të bëjë ndonjë veprim të gabuar. Kështu, agjërimi e mbron njeriun nga devijimet dhe nga armiqtë më të mëdhenj të tij, gjegjësisht nga djalli dhe nga nefs-i (uni) i vet. I Dërguari i Zotit (s.a.a) thotë: Djalli ndikon mbi bijtë e Ademit si gjaku që rrjedh nëpër damarë. Ndaj ngushtoni “damarët” tuaj nëpërmjet urisë (pra agjërimit)!
Në fjalimin e tij në muajin Sha’ban, ai thotë: Nëpërmjet urisë dhe etjes duhet ta kujtoni urinë dhe etjen e ditës së ringjalljes. Ky mendim e përgatit njeriun më mirë për amshimin, duke e bërë që të përpiqet edhe më tepër për ta arritur kënaqësinë e Zotit.
Një një fjalim të përcjellur në përmbledhjen Nehxhu’l-Belaga, Imam Aliu (a.s) flet për filozofinë e agjërimit. Ai thotë: Nëpërmjet agjërimit në ditë të caktuara, trupi juaj qetësohet, vështrimet përulen, shpirtrat nënshtrohen dhe zemrat lehtësohen. Nëpërmjet agjërimit ju dëlireni nga kotësitë dhe dorëzoheni para Zotit, duke bërë ruku e duke e ulur kokën tuaj për sexhde.
Është me rëndësi për të gjithë njerëzit, por veçanërisht për ata që e kanë mundësinë të agjërojnë në këtë muaj, të dinë se uria ka përparësi të shumta për agjëruesin. Njëra nga përparësitë fshihet në faktin se ai, nëpërmjet urisë, përgatitet për ta pranuar bekimin dhe mëshirën e Zotit. Lidhur me filozofinë e agjërimit, i Dërguari (s.a.a) i përcjell fjalët vijuese të Zotit, i cili thotë:
Qëllimi i agjërimit është që të hahet më pak e të heshtet më shumë. Heshtja sjell urti, urtia sjell njohje dhe njohja sjell siguri. Kur një rob i Zotit ta arrijë sigurinë, ai kurrë më nuk ka frikë për fatin e për caktimin e tij. Për të nuk ka kurrfarë dallimi ndërmjet të vështirës dhe të lehtës. Kjo është pozita e atyre që e kanë arritur shkallën e të qenit të kënaqur (arab. rida). Andaj, kujtdo që bën një hap drejt kënaqësisë Sime, Unë i fal tri cilësi:e udhëzoj të shprehë një mirënjohje, që nuk përzihet me asnjë lloj paditurie, e stolis me një dhikër (përkujtim), që nuk ka gjurmë të harresës, e bëj të shijojë një dashuri të tillë, pas të cilës nuk do ta donte më dashurinë e asnjërit nga robërit e Mi më shumë se dashurinë Time. Dhe kur ai më do Mua, edhe Unë e dua atë dhe ia hap syrin e zemrën ndaj Madhështisë Sime. Pas kësaj, ai arrin t’i njohë robërit e Mi të zgjedhur dhe, që nga ai çast, Unë i përshpëris atij në ërresirën e natës e në ditë, derisa bisedat dhe qëndrimet e tija me të tjerët të ndërpriten krejt.
Unë e bëj atë ta dëgjojë fjalën Time dhe fjalën e ëngjëjve të Mi. Unë kam për t’ia zbuluar atij të fshehtën që e kam mbuluar nga krijesat...
Këshilla për agjëruesit
Për të gjithë agjëruesit do të ishte një përparësi që të kishin kujdes për pikat në vijim:
1. Ramazani është pranvera e Kur’anit. Kur’ani u shpall në këtë muaj dhe shpërblimi i recitimit të Kur’anit në këtë muaj nuk mund të krahasohet me asnjë kohë tjetër. Në programin kryesor të një agjëruesi, pra, duhet të jetë pikërisht leximi i Kur’anit, thellimi në kuptimet e tij, përsiatja lidhur me këta kuptime dhe përpjekja për t’i praktikuar mësimet kur’anore në përditshmëri, duke u afruar gjithë më tepër me Kur’anin dhe duke e njohur atë gjithë më shumë. Agjëruesi duhet të përpiqet që t’u përshtatet vargjeve hyjnore të Kur’anit, qoftë në mendimet e tij, qoftë në vepra.
2. Mikpritja
Është shumë e këshillueshme që të ftohen njerëzit e tjerë për iftar. I Dërguari i Zotit (s.a.a) thotë: Kush fton një agjërues për iftar, do të shpërblehet po aq sa agjëruesi për agjërimin e tij, pa humbur agjëruesi ndonjë gjë nga shpërblimi i vet. Dhe dijeni se nuk ka një vepër më të mirë se kjo mikpritje. Në një hadith të përcjellur nga Imam Muhammed Bakiri (a.s), thuhet: Kushdo që në muajin e Ramazanit e fton një agjërues për iftar, do të shpërblehet si ai që çliron një skllav. Atij do t’i shlyhen mëkatet, edhe sikur të mos jetë shumë pasanik e të mos ketë tjetër për t’i ofruar mysafirit, përveç një gllënkë qumësht e ujë a veç një hurmë.
3. Adhurimet dhe lutjet për falje
Një vepër që këshillohet fuqimisht në këtë muaj është lutja dhe kontakti me Zotin e Madhëruar. Për këtë qëllim ekzistojnë shumë lutje specifike për këtë muaj, si lutjet e veçanta ditore për çdo ditë të Ramazanit[2], lutja e Ebu Hamza Thumaliut[3], lutjet e orëve të hershme të mëngjesit dhe programet e veçanta për natën e Kadrit (ku rëndom recitohet lutja Xheushen el-Kebir). E gjithë kjo tregon se robërve të Zotit u është dhënë mundësia për t’i shfrytëzuar maksimalisht përparësitë e këtij muaji.
Është me rëndësi, pra, që gjendja shpirtërore e agjëruesit të ndryshojë. Përulësia, modestia, gatishmëria për t’i ndihmuar të tjerët, sjellja e mirë dhe ndjekja e urdhrave hyjnorë janë të gjitha përparësi dhe dobi të këtij muaji të shenjtë.
Në këtë muaj, njeriu duhet të përpiqet për ta dëlirur vetveten nga mangësitë morale dhe nga gjërat e pavlera. Në brendi, ai duhet t’i afrohet gjithë më tepër realitetit të robërisë para Zotit dhe ta esëlloje intelektin e vet, në mënyrë që ta kuptojë sa më mirë fenë. Secili njeri që hapëron rrugës së robërisë para Zotit, duhet t’i sigurojë edhe mjetet, nëpërmjet të cilave ka për të fituar sa më shumë njohuri në këtë rrugë dhe të cilat kanë për t’ia qartësuar rrugën dhe qëllimin edhe më.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
[1] Biharu’l-Envar, v.93, fq.249
[2] shih “Du’atë për çdo ditë të Ramazanit” (http://dielli.net/html/30dua.htm)
[3]shih “Lutja e Ebu Hamza Thumaliut” (http://dielli.net/lexo.php?id=115)