Islami dhe të drejtat e njeriut
Pjesa e parë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!  


Në mesin e mësimeve, të cilat Islami i ka theksuar posaçërisht, është tema e të drejtave të njeriut. Kur të hulumtohen mësimet kryesore të feve abrahamike, s’ka dyshim se do të shihet se të gjitha këto fe e kanë theksuar këtë pikë të rëndësishme.


Të gjitha fetë abrahamike kanë luajtur një rol me ndikim në përhapjen e të drejtave të njeriut. Ndaj mund të shohim se të drejtat e njeriut kanë zënë vend të rëndësishëm në historinë e këtyre feve. Arsyeja e kësaj nuk është vështirë të kuptohet: fetë hyjnore përherë kanë pasur për qëllim njohjen e realitetit të njeriut dhe të vlerës së tij. Njerëzimi u krijua me një qëllim të caktuar, që nuk është tjetër veçse njohja e vetvetes dhe shfrytëzimi i të gjitha mundësive dhe aftësive në rrugën drejt përsosjes njerëzore e hyjnore. Por ky qëllim nuk mund të arrihet veçse me adhurimin e Zotit të vërtetë dhe me mohimin e çdo idhulli tjetër të gënjeshtërt. Siç dihet, të gjithë profetët hyjnorë u ndeshën me njerëz që dëshironin t’i nënshtronin të tjerët, t’i shfrytëzonin ata, t’i orientonin drejt qëllimeve të tyre të ulta dhe t’ua merrnin të gjitha të drejtat nën këmbë. Kjo është arsyeja përse profetët hyjnorë kanë qenë përherë në konflikt me tiranët dhe me ata që, nëpërmjet detyrimit dhe mashtrimit, i shfrytëzonin të tjerët. Në këtë konflikt, qëllimi i profetëve ka qenë përherë vendosja e një drejtësie shoqërore, mbrojtja e të drejtave të njeriut, si dhe eliminimi i diskriminit racor e i klasave shoqërore.


Një shembull të mirë kemi tek profeti Ibrahim (paqja qoftë mbi të), që i rezistoi tiranit të kohës së tij, Nemrudit, i cili i njihte vetes edhe disa tipare hyjnore. Ishte ky një tiran, i cili i detyronte njerëzit të ishin  skllevër e shërbetorë të tij dhe madje ia ngarkonte vetes cilësinë hyjnore për të dhënë e për të marrë jetë. Lidhur me këtë, Kur’ani thotë:


A nuk e ke parë atë që Zoti i kishte falur sundim e që zihej me Ibrahimin lidhur me Zotin? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep e që merr jetë.”, ai tha: “Unë jam ai që jap e që marr jetë.” Ibrahimi i tha: “Është Zoti im që e bën diellin të lindë nga lindja. Bëje ti pra të lindë nga perëndimi, në mundsh!” Këtu u hutua mohuesi. Zoti nuk i udhëzon të padrejtët. (Kur’an, 2:258) 


Nga ky varg mund të kuptojmë se Nemrudi, për shkak të karakterit të tij mendjemadh e arrogant, mendonte se edhe jeta dhe vdekja ishin në duart e tija.


Një rezistencë tjetër, e ngjashme me atë të Ibrahimit, e cila përcillet gjerësisht në Kur’an, është rezistenca e profetit Musa (paqja qoftë mbi të) kundër tiranit të kohës së tij, Faraonit. Faraoni i ndante njerëzit në dy grupe. Në njërën anë ishin njerëzit e kategorisë së parë, ndërsa në tjetrën ishin njerëzit e dobët, që e përbënin kategorinë e dytë. Këta të fundit ai nuk i konsideronte të denjë për të pasur të drejta. Në këtë drejtim, ai kishte shkuar aq larg sa, kurdo që të kishte dëshirë, e vriste ndonjë prej tyre. Ndaj Musa (paqja qoftë mbi të) u kryengrit kundër faraonit të kohës së tij dhe e kundërshtoi deri në fund sistemin e tij. Në Kur’an, ky rrëfim përcillet si vijon:


Vërtet faraoni i kishte tejkaluar kufijtë në tokën e tij dhe i kishte ndarë njerëzit në grupe. Njërit grup ia vriste bijtë dhe ia linte të gjalla gratë. Vërtet ai ishte keqbërës. (Kur’an, 28:4)  


Në vargje të tjera shpjegohen dhunimet e tjera të të drejtave të njeriut nga faraoni. Por Zoti e ngarkoi Musën (paqja qoftë mbi të) me detyrën  e të kundërshtuarit të këtij tirani të dhunshëm dhe të të mbrojturit të të drejtave të njerëzve, në mënyrë që ata të përfitonin nga e drejta e tyre themelore për të jetuar me nder dhe dinjitet.


 


Më tej, kur të merremi me kohën e injorancës paraislame (xhahilijje) të arabëve, do të përballemi me imazhin e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), i cili në edukimin dhe në zhvillimin e njerëzve, i ka theksuar fuqimisht të drejtat e njeriut si qëllimin e misionit të vet. Gjatë gjithë jetës së tij, ai përpiqej që asnjë njeriu të mos i bëhej padrejtësi. Sipas mësimit të tij, sunduesit e një populli duhet në çdo kohë t’i sigurojnë të drejtat e njerëzve, me tërë degëzimet e mundshme të këtij nocioni.


Reagimi i të Dërguarit të Zotit (s.a.a) ndaj problemeve morale, ekonomike, fetare, politike dhe shoqërore të kohës është shembulli më i mirë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fetë abrahamike. Në vijim do ta përcjellim shkurtimisht një analizë të Prijësit të Besimtarëve Aliut (a.s) lidhur me periudhën paraislame, ku të drejtat e njeriut nuk kishin kurrfarë vendi, për të parë se, në të vërtetë, profetët hyjnorë dhe në veçanti kurora e profetëve Muhammedi (s.a.a), kanë luajtur rolin më të rëndësishëm në shpjegimin dhe demonstrimin praktik të të të drejtave të njeriut.


Imam Aliu (a.s), lidhur me kulturën e shthurrur të epokës së injorancës (paraislame), thotë:


I Dërguari i Zotit u zgjodh në një epokë, në të cilën nuk kishte pasur profetë të tjerë për një kohë të gjatë dhe në të cilën popujt ishin përgjumur, përçarjet e shkatërronin vazhdimisht shoqërinë dhe luftëra po zhvilloheshin gjithandej.


Ai u dërgua në një kohë kur ju arabët e kishit më të ligën e feve (idhujtarinë), jetonit në tokën më të ligë, banonit mes gurësh të tharë shkretëtire e zvarranikësh a gjarpërinjsh të çdo soji. Ajo që pinit ishte e papastër dhe hanit e gërditshme ajo që hanit. Padrejtësisht ia derdhnit gjakun njërit-tjetrit dhe i ndërprisnit marrëdhëniet farefisnore. Mes jush adhuroheshin idhujt e ju kish kapluar ngado e liga dhe mëkati. 


Nuk ka kurrfarë dyshimi se mësimi i librave hyjnorë i ka mbrojtur më së miri aspektet e ndryshme të të drejtave të njeriut, si: dinjitetin njerëzor, lirinë, të drejtat politike e shoqërore, drejtësinë sociale dhe parandalimin e shtypjes e të diskriminimit, qoftë në bazë racore, gjuhësore, kombëtare ose klasore. Të gjitha këto, në dashtë Zoti, do t’i shpjegojmë më hollësisht në ligjëratat tona vijuese, duke u ndalur pak edhe tek Deklarata e të Drejtave të Njeriut e 26 gushtit të vitit 1789 (në Francë) si dhe Deklarata Islame e të Drejtave të Njeriut, të shpallur në Kairo më 5 gusht të vitit 1990. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 26.12.2014

Lexoni gjithashtu..

22.05.2015 Islami dhe të drejtat e njeriut: Kuptimi dhe përdorimi i fjalës "hakk" në terminologjinë islame

Kthehu