Islami dhe drejtësia
Pjesa e parë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Drejtësia është një fenomen i rëndësishëm, i theksuar nga të gjitha fetë monoteiste dhe veçanërisht nga feja e ndritur islame, si një cilësi që duhet të jetë e pranishme në të gjithë aspektet e jetës njerëzore. Kur’ani i Shenjtë, gjithë njerëzimit ia shpall udhëzimin në vijim:


Vërtet Zoti urdhëron drejtësinë, mirësinë e kujdesin ndaj të afërmve dhe ndalon paturpësinë, të ligën dhe mizorinë. Kështu këshilloheni që të merrni mësim...(Kur’an 16:90) 


Drejtësia shoqërore është në mesin e nocioneve më të bukura që i ka zhvilluar njeriu në historinë e tij. Megjithatë, ky koncept, njësoj si ai i lirisë, ka qenë shumë shpesh i rrezikuar dhe i shtypur. Ka shumë njerëz që flasin për drejtësinë e për faktin se çdo njeriu duhet t’i jepet e drejta e tij dhe pozita e duhur në shoqëri. Por kur vjen tek realizimi i këtij koncepti, këta njerëz sillen me pakujdesi dhe në mënyrë krejt shpërfillëse. Kjo është arsyeja përse bota jonë nuk ka përjetuar asnjëherë një drejtësi të plotë, që do të shtrihej në të gjithë aspektet. Andaj është e nevojshme që të gjithë të përpiqen për vendosjen e drejtësisë në shoqërinë njerëzore dhe të mos mjaftohen vetëm me parulla. Kjo është arsyeja përse profetët monoteistë kanë folur pikërisht për drejtësinë, paqen dhe miqësinë mes njerëzve si pjesën më të rëndësishme të porosisë së tyre për njerëzimin. Kur’ani i Shenjtë thotë:


Vërtet Ne i çuam të dërguarit tanë me dëshmi të qarta dhe me ta dërguam librin e peshojën, që njerëzit të veprojnë me drejtësi...(Kur’an 57:25) 


Thellimi në aspektet e ndryshme të drejtësisë, studimi i saj dhe gjetja e metodave për përcjelljen e saj në praktikë ka qenë përherë një nevojë e rëndësishme e njerëzimit në të kaluarën dhe vazhdon të jetë edhe sot. Drejtësia është një nevojë shumë e rëndësishme e shoqërisë njerëzore dhe një temë tejet e ndjeshme.


Edhe Kur’ani i Shenjtë e sheh drejtësinë si njërën nga çështjet më të rëndësishme në një shoqëri dhe e thekson shumë herë. Fjala “drejtësi” dhe fjalët e prejardhura të saj përmenden shumë shpesh në Kur’an. Vetë “drejtësia” përmendet katërmbëdhjetë herë në dymbëdhjetë vargje të shtatë kapitujve të ndryshëm të Kur’anit, ndërsa fjalët e prejardhura të saj shfaqen njëzet e pesë herë në njëmbëdhjetë kapituj të ndryshëm. Përveç kësaj, nocione me kuptime të përafërta (për shembull “barazia”) përmenden pesëmbëdhjetë herë në pesëmbëdhjetë kapituj të ndryshëm. Përveç kësaj, ka shumë fjalë me kuptime të ngjashme me drejtësinë, të cilat përmenden në forma të ndryshme nëpër vargjet e Kur’anit.  


Drejtësia është një virtyt që e çon shoqërinë njerëzore drejt stabilitetit, barazisë, maturisë dhe lirisë. Një shoqëri që nuk e ndjek principin e drejtësisë përherë do të vuajë nga diskriminimi, pabarazia, padrejtësia, shtypja, shthurrja dhe mungesa e paqes dhe qetësisë në mesin e njerëzve.


Kur t’i hulumtojmë disa shembuj të drejtësisë në Kur’an, do të shohim se kuptimi i këtij nocioni zgjerohet në një mënyrë që i përfshin të gjitha çështjet e ndërlidhura me njeriun. Ky nocion e përfshin mënyrën e të menduarit, etikën dhe të gjitha çështjet kulturore, politike, financiare dhe shoqërore të njeriut. Çdo musliman është i detyruar ta ndjekë principin e drejtësisë, qoftë për veten e tij qoftë për pjesën tjetër të shoqërisë. Vetëm një shoqëri që e vlerëson drejtësinë mund t’i sigurojë të drejtat e njerëzve në të gjitha shkallët, qofshin ata të rinj ose pleq, meshkuj ose femra, pavarësisht në bëhet fjalë për çështjet familjare ose mbarëshoqërore. Aty ku sundon drejtësia, njerëzit do të kenë shëndet, siguri dhe lumturi. Drejtësia është standardi, sipas të cilit njeriu i dallon mirësitë dhe vlerat. Kur një njeri t’i orientojë veprat e tija sipas drejtësisë, s’ka dyshim se ka për t’i respektuar dhe ruajtur të drejtat e të gjitha qenieve të tjera. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Drejtësia është kriteri i të gjitha gjërave” Dhe thotë gjithashtu: “Drejtësia është kriteri i politikës.”


Në dashtë Zoti, në ligjëratat vijuese do ta trajtojmë hollësisht konceptin e drejtësisë sipas botëkuptimit islam. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 

publikuar më: 21.03.2014

Lexoni gjithashtu..

22.08.2014 Islami dhe drejtësia: Pjesa III (Drejtësia si një cilësi e Zotit)
25.07.2014 Islami dhe drejtësia: Pjesa II (Drejtësia si një kusht për jetesën e mirëfilltë njerëzore)

Kthehu