Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në vijimësi të ligjëratave tona të kaluara lidhur me cilësitë e “të zotëve të mendjes” (ar. ulu’l-elbab), sot do të flasim për një cilësi të qartë, të përmendur, mes tjerash, në vargun 22 të sures Ra’d, ku thuhet:
...ata e falin namazin dhe shpenzojnë në rrugë të Zotit, hapur e fshehurazi, nga ajo që u është falur. (Kur’an, 13:22)
Dorëzimi në namaz
Është e qartë se të zotët e mendjes, në përditshmërinë e tyre, përfitojnë nga namazi, si një veprim që mishëron dorëzimin para Zotit dhe që shërben si një urë e pandërprerë ndërmjet njeriut dhe hyjnores. Në hadithet e Ehl-i Bejtit, namazi është përshkruar si “shtylla e besimit”[1] dhe është krahasuar me shtyllën qendrore të një çadre, e cila po të thyhet, i bën krejt të padobishme pjesët e tjera dhe çon në shkatërrimin e gjithë çadrës.[2] Ndaj është me rëndësi që namazi të falet si duhet, që njeriu, nëpërmjet namazit, të ringjallet e të fitojë fuqi shpirtërore. Ajo që është me rëndësi gjatë namazeve ditore, është që njeriu t’i mbetet besnik traditës së profetit dhe rregullave rituale që ndërlidhen me namazin. Një nga kushtet e namazit është edhe “prania e zemrës” në namaz. Lidhur me këtë, Imam Xhaferi (a.s.) thotë:
Kur të kesh nisur me namaz, shkëputu nga gjërat e tjera dhe përqendrohu në namazin tënd, sepse Zoti thotë: “Mjerë ata që falin namaze e të pavëmendshëm janë ndaj namazit! Ata që veprojnë veç sa për t’u dukur...” (Kur’an 107:4-7)[3]
Prej të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) përcillet thënia në vijim:
O Ebu Dherr! Adhuroje Zotin si të jesh duke e parë dhe dije se, ndonëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.[4]
Kur të kihen parasysh këta hadithe lidhur me “praninë e zemrës” dhe përqendrimin në namaz, kuptojmë se një njeri i devotshëm nuk guxon të jetë i pavëmendshëm ndaj namazit, por përkundrazi, duhet ta ndiejë praninë e Zotit gjatë namazit të tij. Mund të thuhet, pra, se ata që e falin namazin mirëfilli, që flasin me Zotin dhe që e shohin veten në prani të Tij, janë ata që e shijojnë namazin në shkallën më të lartë. Por ata që nuk janë të përqendruar në namaze, që janë të pavëmendshëm karshi rregullave të namazit dhe që nuk janë të vetëdijshëm se në prani të kujt ndodhen, nuk do të kenë kurrfarë përfitimi prej këtij adhurimi, sepse pikërisht për të tillët, Zoti thotë:
Mjerë ata që falin namaze e të pavëmendshëm janë ndaj namazit! Ata që veprojnë veç sa për t’u dukur e që ua mohojnë ndihmën njerëzve. (Kur’an, 107:4-7)
Rëndësia e namazeve ditore karshi namazeve të tjera
Një nga temat e rëndësishme, të cilave duhet t’u kushtohet vëmendja e duhur, janë namazet ditore, të cilat janë njëra nga format më të bukura për të dalë para Krijuesit. Si rrjedhojë, është një nga kurthet më të rëndësishme të djallit, që të gjejë ndonjë mënyrë për ta larguar njeriun nga namazet ditore ose që ta bëjë besimtarin t’i falë me vonesë. Një mënyrë tjetër është që vëmendja e njeriut të përqendrohet në diçka tjetër përveç namazit. Lidhur me këtë, i Dërguari i Zotit (s.a.a.) thotë: Kur besimtari nis me namazin, djalli vjen dhe i kujton pa ndalur gjëra të ndryshme, deri kur besimtari të harrojë se sa rekate ka falur.[5]
Mësimi që duhet marrë nga hadithet e këtilla, që e ftojnë njeriun të jetë i pranishëm me tërë zemrën e tij në namaz, është se besimtari duhet të arrijë në pikën ku do të kuptojë se e gjithë fuqia i takon Zotit dhe se është Zoti që ia fal bukën e tij të përditshme. Ndaj njeriu duhet t’i përkushtohet krejtësisht Zotit dhe jo të presë ndonjë gjë nga të tjerët.
Lidhur me këtë, Imam Xhaferi (a.s.) thotë:
Kur një njeri e fal namazin në mënyrë të pavëmendshme, Zoti u thotë engjëjve: “A e shihni këtë rob Timin? A mendon vallë se dikush tjetër, veç Meje, i jep begati e furnizim? A nuk e di se vetëm Unë mund t’ia përmbush çdo nevojë?”[6]
Falja e saktë e namazeve ditore dhe ndikimi mbi besimtarin
- Kur të falen si duhet namazet ditore, duke i pasur parasysh rregullat e namazit, besimtari ka për ta ndier ndikimin e këtij namazi në veten e tij dhe ka për t’u lartësuar shpirtërisht, sepse “namazi është miraxhi i besimtarit”[7]. Nëpërmjet përkujtimit të Zotit, njeriu ka për të shijuar në zemrën e tij paqe dhe qetësi.
Vërtet Unë jam Allahu dhe nuk ka zot tjetër veç Meje. Ndaj më adhuro Mua dhe fal namaz për të më përkujtuar! (Kur’an, 20:14)
Vërtet përkujtimi i Zotit është adhurimi më i mirë. (Kur’an, 29:45)
- Namazi ka një ndikim mbrojtës dhe pengues karshi të ligës. Falja e namazeve ditore bën që njeriu të jetë i druajtur para Zotit (ar. muttaki) dhe të mbrohet nga mëkatet e nga veprat e pahijshme. Po kështu, namazi i pengon edhe veprat e turpshme dhe imoralitetin. Lidhur me këtë, Zoti thotë:
Vërtet namazi mbron nga paturpësia dhe nga e liga. (Kur’an, 29:45)
Është e nevojshme, pra, që namazet ditore të falen në një mënyrë që do ta pengojnë njeriun nga dëmet, rreziqet dhe kërcënimet për shpirtin e tij. Kjo sepse kur namazi të falet si duhet, edhe ndikimet e tija do të shpërfaqen në formën më të plotë, si te individi ashtu edhe te shoqëria. Një shoqëri ku falen si duhet namazet ditore është një shoqëri e vetëdijshme për përgjegjësitë e veta dhe do të përpiqet, aq sa të jetë e mundur, të japë kontribut në zgjidhjen e problemeve të të tjerëve. Po kështu, edhe në një familje ku namazi falet si duhet, mbisundon qetësia dhe paqja e përhershme.
Përfundim
Të zotët e mendjes, pra ulu’l-elbab, janë njerëz që nëpërmjet faljes së mirëfilltë të namazit gjejnë strehë në kështjellën e Zotit nga rreziqet dhe kërcënimet e ndryshme, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për ruajtjen dhe forcimin e intelektit dhe të fitretit, pra të natyrës së lindur njerëzore. Nëpërmjet namazit, njerëzit e tillë e forcojnë shpirtin dhe besimin e tyre, gjë që u mundëson të jenë të vendosur karshi vështirësive dhe problemeve, duke e ruajtur frymën e besimit në përditshmëri.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
[1] I Dërguari (s.a.a.) ka thënë: “Namazi është shtylla e besimit” (Isfahani, Tarikh Isfahan, v.2, fq.241, hadithi nr. 1565)
[2] I Dërguari ka thënë: “Namazi është shtylla e fesë suaj.” (Kulejni, El-Kafi, v.2, fq.19, hadithi nr.5)
[7] Në një nga burimet më të vjetra sunnite, gjegjësisht te vepra Tefsir el-Kebir e Fakhr ed-Din Raziut, thuhet se shprehja “Namazi është miraxhi i besimtarit” është një thënie e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.). Në botën shi’ite, kjo thënie shfaqet për herë të parë në veprat e periudhës safavide, si te Rozat el-Muttakin, te Bihar el-Enver e Allame Mexhlisiut, te El-Ravashe el-Musaviatun e Mir Damadit e të tjera vepra, por në asnjërën prej tyre nuk përmendet si një thënie e të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) ose e Imamëve të Ehl-i Bejtit (a.s.) (shih Rejshahri, Es-salat fi’l Kitab ve Sunnah, fq.10, Kum, botuar nga Dar el-hadith, 1377 sipas kalendarit diellor hixhri).