CIVILIZIMI DHE MODERNIZMI - Reflektime të njerëzimit
Dr. Ali Sheriati
08.12.2006



Debatet mbi përkufizimet e kulturës ndaj barbarizmit, ose çështjen se kush është i qytetëruar e kush modern janë zhvilluar më mirë nën dritën e doktrinës së Islamit. Në mënyrë shumë të rëndësishme kjo çështje duhet të mbahet parasysh, veçanërisht si çështje që preokupon individët e klasave të edukuara të shoqërive Islame mbi të cilët rëndon barra e përgjegjësisë dhe kryesimit të Umetit.

Modernizimi është ndër çështjet më delikate dhe jetike me të cilat përballemi, ne populli i vendeve joevropjane dhe shoqërive Islame. Një çështje më e rëndësishme është lidhja mes një modernizimi të imponuar dhe një civilizimi të vërtetë. Na duhet të zbulojmë nëse modernizimi siç deklarohet është sinonim i të qenurit i civilizuar, apo një çështje e ndryshme e përbashkët dhe fenomen social duke mos pasur lidhje me civilizimin aspak. Fatkeqësisht modernizimi na është imponuar neve, kombeve joevropjane në petkun e civilizimit.

Për 150 vjet, perëndimi ka ndërmarrë detyrën e modernizimit të njeriut me zell misionar. Të gjitha kombet joevropjane u vunë në kontakt të ngushtë me perëndimin dhe civilizimin perëndimor dhe duhej të ktheheshin në kombe ″moderne″. Nën petkun e kombeve të civilizuara, duke i shkrirë ata me kulturën, ata na prezantuan me këtë modernizëm, (kur them ″ne″, nënkuptoj kombet joevropjane dhe të botës së tretë), të cilin ngulmonin ta quanin ″civilizimi ideal″. Intelektualët tanë duhet ta kuptonin vite më parë dhe t′i bënin njerëzit të kuptojnë dallimin mes civilizimit dhe modernizimit. Por dështuan. Pse nuk e hetuan dijetarët këtë çështje gjatë 150 vjetëve të modernizimit perëndimor të kombeve të tyre? Do të diskutoj për këtë dështim më vonë.

Para se të diskutoj do të doja të përkufizoja terme të caktuara në të cilat dua të përqendrohem, të cilat nëse i lë të dyshimta do ta çonin diskutimin në paqartësi. Pasi t′i sqaroj termet do të kthehem në temë.

1.Intelektual: një term i përditshëm i dëgjuar shpesh në shoqërinë iraniane dhe në të gjitha shoqëritë, evropjane e të tjera. Ç′do të thotë kjo? Cilët i quajmë intelektualë? Kush janë intelektualë dhe cili është roli dhe përgjegjësia e tyre në shoqëritë e tyre?
Intelektual është ai që është i vetëdijshëm për ″statutin e vet njerëzor″ në një kohë e vend social dhe historik specifik. Me vetëdije mbi të rëndon barra e përgjegjësisë. Ai me përgjegjësi, vetëdijshmëri drejton popullin e tij në veprim shkencor, social e revolucionar. (Shiko gjithashtu ″Prej nga t′ia nisi″ dhe ″Intelektuali dhe përgjegjësitë e tij shoqërore″ nga Dr Sheriati për diskutim të mëtejshëm për këtë).
2.Asimilimi: ai ndodhet në rrënjët e të gjitha problemeve dhe detyrimeve që përballin vendet joperëndimore dhe muslimane. Zbatohet ndaj sjelljes së një individi i cili me qëllim ose pa qëllim, fillon të imitojë sjelljen e dikujt tjetër. Personi që paraqet dobësi të këtillë harron prapavijën e tij, karakterin dhe kulturën kombëtare, ose nëse i mban mend dopak, i kujton ato me përbuzje. Dukshëm dhe pa rezerva ai mohon veten për ta transformuar identitetin e tij. Duke shpresuar të arrijë dallimet dhe madhështitë që i sheh tek një tjetër, i asimiluari synon ta drejtojë veten të arrijë shoqëritë e turpshme me shoqërinë dhe kulturën e tij prejardhëse.
3.Tjetërsimi: proçesi i harrimit ose të bërit i panjohur ose indiferent me dikë. Kjo ndodh kur dikush humbet veten dhe drejton perceptimin nga brendia e një personi ose sendi tjetër. Kjo sëmundje e rëndë shoqërore dhe shpirtërore paraqitet në shumë forma të ndryshme dhe varet nga shumë faktorë. Një faktor që tjetërson një qenie njerëzore, është mjeti me të cilin punon. Sociologjia dhe psikologjia raportojnë se njeriu gjatë jetës së tij gradualisht tenton të harrojë identitetin e tij të vërtetë dhe të pavarur kur rrit kontaktin e tij me një numër mjetesh ose profesionesh çdo ditë gjithnjë e më shumë. Ai fillon të pranojë mjetet e tij në vend të vetëvetes.

Për shembull, në një person që merret me kundërvidha dhe bulona çdo ditë nga ora tetë e mëngjezit deri në gjashtë mbasdite të gjitha ndjenjat, mendimet, shtirjet dhe personaliteti gradualisht do të zhduken. Ai duhet të paraqesë një sërë detyrash mekanike vazhdimisht. Një rrip lëviz drejt tij dhe ai është i porositur të kapërcejë dy kundërvidha dhe të zhvidhosë të tretën. Ky njeri që ka ndryshuar emocionet, prirjet, mendimet, shijet, tensionet, urrejtja ndjenja dhe talenti bëhen një trup që kapërcen dy kundërvidha dhe zhvidhos të tretën në të shumtën e kohës, gjatë kohës së tij të punës, e cila është gjithashtu koha kur ai është më aktiv dhe energjik. Ai bëhet një instrument, thjeshtë një copë mjeti për prodhim dhe mundimi i tij i kufizuar nga një punë monotone të cilën duhet ta bëjë çdo ditë dhe duke bërë kështu, zhduk të gjithë karakteristikat që e përbëjnë personalitetin e tij.

Shembulli më i mirë mes shumë shembujve të situatave të këtilla është ai i Çarli Çaplinit në një film të famshëm ″Kohët moderne″, në të cilin ai luan rolin e një burri të lirë nga çdo detyrë ose obligim me të gjitha dëshirat, emocionet, ndjenjat, ngacmimet dhe nevojat. Ai ndjen dashuri për të dashurën e tij, respekt për prindërit e tij dhe simpati për shokët e tij. Ai kënaqet duke u ulur dhe biseduar me të tjerët, duke marrë pjesë me zakonet e tyre normale dhe paraqet një sërë frikash, shpresash, talentesh dhe përgjigjesh normale. Për shembull, kur e sheh nënën, ai shpreh ndjenja ndaj saj sikur të mos e ketë parë për një kohë të gjatë. Kur e takon një shok të vjetër, ai dëshiron të kalojë disa çaste me të duke folur për çfarë ka ndodhur, për jetën dhe ditët e mira të kaluara. Ai ndjen dashuri dhe dhimbshuri kur e sheh të dashurën e tij; ai ndjen urejtje dhe mëri kur sheh armikun e tij. Ai don ta luftojë, ta sulmojë, dhe t′ia marrë hakun. Ai është një njeri me nevoja dhe shpresa komplekse. Ai kënaqet të shohë të gëzuar dhe jo të dëshpëruar, ashtu siç pret të shohë një njeri normal dhe i lirë.

Pastaj shkon në punë në një fabrikë të madhe dhe të komplikuar, funksionimin e së cilës ai nuk mund ta paramendojë. Ai as që e di se çfarë prodhon fabrika dhe as çfarë sinkronizojnë elementet e saj shumë të ndryshme. Ai aplikon në një zyrë, mbush disa formularë dhe pastaj i thuhet të raportojë tek zotëria filan-fisteku. Pastaj, atë e çojnë nëpër një koridor në një dhomë. Një burrë afrohet dhe i tregon se ç′të bëjë. Por çfarë do të punonte ai? Ja se çfarë punonte ai: gjendej një koridor i madh që përdorej si vend për brezin lëvizës ku lëviste një rrip i gjerë i metaltë. Rripi hyn nga njëra anë e koridorit dhe dilte jashtë në pjesën tjetër të brezit lëvizës. Ai nuk e di se prej nga vjen rripi dhe ku shkon dhe pse e bën këtë. Shtatë ose tetë punëtorë qëndrojnë pranë njëri tjetrit. Puna e tij është të kapërcejë dy kundërvidha në shiritin lëvizës dhe të zhvidhosë të tretën një herë. Sërisht ai kapërcen dy dhe zhvidhosë të tretën dhe këtë duhet ta përsërisë gjithnjë gjatë dhjetë orëve të punës. Pastaj bie zilja dhe dita e punës ka mbaruar. Ai shkon në shtëpi pa e ditur çfarë ishin kundërvidhat dhe pse e bënte atë çfarë i kishin thënë të bënte, prej nga vinin, ku shkonin dhe për çfarë përdoreshin. Ai nuk mund ta kuptojë këtë punë aspak. Pranë tij qëndronin shtatë a tetë punëtorë të tjerë, ata madje nuk mund të flasin me njëri-tjetrin sepse rripi lëviz me kaq shpejtësi sa që nëse provon të dijë për punëtorin pranë tij dhe e neglizhon rripin lëvizës, ai do ta humbë kundërvidhën e tretë, tërë fabrika do të ndalonte dhe ai do të dënohej ose do të pushohej nga puna.

Ky njeri duhet t′i bëjë sytë katër t′i shohë kundërvidhat. Puna e këtij njeriu është të zhvidhosë kundërvidhat një herë ose dy herë dhe kaq. Por një qenie njerëzore është një krijesë me shumë karakteristika. Fillimisht ai duhet ta dijë qëllimin e punës së tij dhe së dyti ai duhet të bëjë një punë për ta arritur një qëllim të veçantë. Ai e zgjedh qëllimin dhe pastaj sapo e zgjedh krijon një punë si mjet drejt këtij qëllimi. Pastaj, gjatë punës fillon të prekë dhe të ndjejë thelbin e qëllimit të tij. Një qëllim dhe rezultat i zgjedhur kufizon punën e dikuj dhe eventualisht ai arrin qëllimin. Veç kërkimit të qëllimit derisa punon duke qenë i vetëdijshëm për punën njeriu është një qenie me ndjenja dhe dëshira të ndryshme.

Çarli Çaplin, në rolin e këtij punëtori, e shikon nënën, të fejuarën dhe shokun e tij, që kanë ardhur ta shohin në fabrikë. Ai nuk është mësuar akoma me sistemin e rëndë dhe monoton të makinerisë, ai nuk është thyer akoma. Derisa punon, papritmas sheh nënën, të fejuarën dhe shokun e tij, dhe duke ulur poshtë veglat e tij, e lë punën për tu thënë ″përshëndetje...si jeni?″ ″ku keni qenë″ ″ka kaluar një kohë e gjatë që kur ju kam parë. Më keni munguar...uluni, të pijmë nga një çaj dhe...″.
Papritmas ai shikon policë që nxitonin, drita të kuqe të ndezura, zilet e alarmit që binin, inspektorët që hynin. Çfarë ka ndodhur? Sistemi i kontrollit të fabrikës ka raportuar se një kundërvidhë ka kaluar pa u zhvidhosur dhe gjithçka ka ndaluar. ″Çfarë bëre?!″ ″Si munde?!″ Ai u arrestua, akuzua dhe dënua për neglizhencën e tij.

Një manifestim çasti i një sentimenti të thjeshtë njerëzor natyror në të, shkaktoi që sistemi i makinerisë të prishet. Kjo ilustron qartë se në sistemin e tashëm nuk ka qoftë edhe hapësirën më të vogël për shprehjen e një sentimenti njerëzor. Edhe pse, ata e ushtrojnë dhe kontrollojnë këtë njeri që një herë kishte ndjenja dhe emocione deri sa bëhet si makinë gjithashtu dhe pas njëzet vjet pune frazat ″njeriu është një qenie racionale″, dhe ″njeriu është shtazë adhuruese″ dhe ″njeriu është shtazë vetë-kontrolluese dhe kreative″ dhe fraza të ngjajshme që normalisht i drejtoheshin njeriut nuk i drejtoheshin më atij.

Çfarë u bë mbi të gjitha ky njeri? Tani ai është ″një shtazë që zhvidhos kundërvidhën″, që kapërcen dy dhe zhvidhos një herë të tretën. Në rrugë kur ai sheh një polic me kopsa si kundërvidha në uniformën e tij, ai menjëherë nxjerr çelësin dhe i shtrëngon ato. Sheh një grua me dekorime në kapelen ose pallton e saj, menjëherë i shkon në mendje të shkojë dhe ta zhvidhosë një herë ose dy herë ose sa do që të jetë! Për të, e tërë bota është përmbledhur në një frazë, ″kapërce dy dhe zhvidhose të tretën″. Kjo është filozofia e tij, identiteti, realiteti dhe titulli i të qenurit njeri. Pse zhvidhos ai? Për të ngrënë. Pse ha ai? Për të zhvidhosur! Njeri qarkor!

Ky njeri nuk e kupton më veten si qenie që njëherë kishte sentimente, dëshira, nevoja, dobësi, ndjenja, kujtime dhe virtyte të ndryshme. Ato kanë rënë dhe ai është bërë, siç thotë Markus ″njeri një-dimenzional″. Kurse Shondel e quan atë ″njeri qarkor″ që prodhon për të mirë të prodhimit.

Ky njeri që një herë ishte një fjalë e vogël, mikrokozmike, si Zoti me atributet e Zotit, tani është zvogluar në zgjerimin e shtrëngimit; e cila është ajo e karakterit të makinës, të bulonave dhe të lëvizjes mekanike që ka depërtuar në të. Ai nuk e konsideron veten të tillë, biri i filan fistekut, nga kjo apo ajo familje, racë dhe prejardhje e tilë apo e atillë, me veçori të tilla dhe të atilla. Ai nuk e kupton veten dhe realitetin e tij jo më shumë se një pjesë e makinës.

Tjetërsimi ndonjëherë mund të bëhet një sëmundje mendore serioze që kërkon kujdesin e psikoanalistit. Atij mund t′i nevojitet vetëbesim në strehim, në shkallën më të lartë të intenzitetit. Tjetërsimi, që ndikon tek njerëzit përmes disiplinës mekanike dhe çnjerëzore, mund të shkaktohet nga burokracia dhe teknologjia gjithashtu siç thotë njeri nga sociologët Maks Veber ose Marsel Mus, në një burokraci të komplikuar ku ka shumë kabina, të gjitha bashkë, njeri që ka punuar në të, të themi kabina 345, për njëzet ose tridhjet vjet dhe ka bërë të njejtën punë për këtë kohë, përgjithësisht e konsideron veten si kabina 345, se sa të ketë emër ose titull tjetër. Njerëzit i drejtohen ″ kabina 345″ dhe mendojnë për të si ″kabina 345″. Dhe ndjenja e përgjithshme që nuk i bashkohet asgjëje përveç ″ kabinës 345″ gjeneron tek ai ndjenjën se ai është ″kabina 345″, jo zotëri filani me këto apo ato karakteristika. I tillë është tjetërsimi i shkaktuar nga burokracia.

I tjetërsuar, si fjalë, nënkupton me qenë i pronësuar nga një ″shpirt″, ose në persisht, ″një Xhin″. Njerëzit besonin në ″shpirtra″ të tillë në të kaluarën dhe kur një njeri çmendej ata besonin se ″shpirti″ e ka pronësuar atë dhe ka ndikuar në trurin e tij. Ata mendonin se ″shpirti″ e kishte larguar aftësinë e tij mendore dhe kishte marrë vendin e tij, kështu i pronësuari nuk e ndjente më veten njeri, por ishte një qenie e ligë. Sot fjala nënkupton një lloj sëmundje e përshkruar nga psikologët dhe sociologët.

Ashtu siç ishin pronësuar njerëzit nga ″shpirtërat″ në kohët e lashta, sot njeriu është reduktuar në pozitën e një dhëmbëse të disiplinuar, burokracie monotone dhe të pamëshirshme si rezultat i një kontakti të vazhdueshëm me një mjet mekanik të sigurtë. Ai nuk ndjen dhe kupton më individualitetin e tij; ai e ka ″humbur″ veten. Ashtu siç besonin se një ″Xhin″ ka pronësuar shpirtin e njeriut dhe e ka çmendur atë, ashtu edhe sot, mjetet e prodhimit, veglat dhe lloji i punës së tij e pronësojnë atë dhe e kontrollojnë shpirtin e tij. Ata gradualisht e zhdukin personalitetin e tij të vërtetë dhe e mbushin atë me karakteristikat e veglave të makinës, rutinën e punës, hierarkinë burokratike dhe eventualisht ai fillon ta përcaktojë veten me këto.

Ka një lloj tjetër të ″kontrollit nga xhinët″ që pronëson vetitë njerëzore dhe tjetërson një njeri ose një shtresë të tërë për vete. Ky lloj tjetërsimi është më i vërtetë më i frikshëm dhe më i dëmshëm dhe është kjo... formë kudo e pranueshme e tjetërsimit që ndikon tek ne, iranianët, muslimanët, aziatikët dhe afrikanët. Kjo nuk është një tjetërsim i shkaktuar nga teknologjia � ne nuk jemi tjetërsuar nga makinat. As makina nuk është përfshirë, dhe as ndonjë burokrasi. Disa dapartamente administrative me personel të kufizuar nuk janë në pozitë të tjetërsojnë ndonjë. As borgjezia nuk arriti shkallën të na tjetërsojë. Më mirë se sa të jemi të mbërthyer brenda diçkaje jashtëzakonisht të papëlqyer dhe të rrezikshme � ″tjetërsimit kulturor″.

Ç′do të thotë ″tjetërsim kulturor″? Siç e kemi përmendur më parë, tjetërsimi, në çfarëdo lloj forme dhe pamje, tregon një kusht në të cilën dikush nuk e percepton veten siç është, por percepton diçka tjetër në vend të tij. Njeriu në këtë konditë është tjetërsuar. Çfarë e përfytyron veten si të mos jetë vetvetja aspak, dhe a do të jetë si para, makinë apo kabina 345, koncepti i tij nuk ndryshon aspak dhe varet vetëm në fat ose shije.

Ç′është kultura? Unë nuk do të citoj definicionet, kultura përfshin një koleksion shprehjesh intelektuale, artisktike jo materiale, historike, letrare, religjioze dhe emocionale (në formë të shënimeve, traditave, zakoneve, relikeve etj.) të një kombi që ka akumuluar në kursin e historisë së vet dhe fiton formë unike. Ata shënojnë dhimbjet, dëshirat, temperamentet, karakteristikat shoqërore, modelet e fesë, lidhjet shoqërore dhe strukturën ekonomike të një kombi. Kur e ndjej fenë time, letërsinë, emocionin, nevojat dhe dhimbjet nëpërmjet kulturës sime, unë e ndjej veten time, veten shoqërore dhe historike (jo veten individuale), burimin nga e cila kjo kulturë e ka origjinën. Prandaj kultura është shprehja e super-strukturës së qenies së vërtetë të shoqërisë sime, aktualisht të gjithë historinë e shoqërisë sime. Por faktorët e caktuar artificial, kryesisht të një natyre të dyshimtë, futen në një shoqqëri      që ka përcaktuar mirë kushtet shoqërore ose lidhjet shoqërore, të zhvilluara përmes një kornize historike të veçantë dhe prekin atë me dhimbje, mundime, emocione dhe ndjenja që kanë një shpirt të huaj dhe janë produkt i një të kaluare të ndryshme, një shoqërie të ndryshme (të ndryshme në mënyrë shoqërore dhe ekonomike). Këto faktorë artificial fshijnë ndonjë kulturë të vërtetë dhe e zëvendësojnë një kulturë fallce e përshtatshme për kushte të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme historike së bashku me një ekonomi të ndryshme dhe një ndrrim të ndryshëm politik dhe shoqëror. Atëherë kur unë dëshiroj të ndjej veten time të vërtetë, e gjej veten duke përfytyruar një kulturë tjetër shoqërore në vend të times dhe duke vuajtur jo problemet e mia aspak. Unë rënkoj për cinizmin që nuk ka lidhje me të vërtetat kulturore, filozofike dhe shoqërore të shoqërisë sime. Atëherë unë e gjej veten duke u ushqyer me aspiratat, idealet, dhe ankthet që u takojnë legjitimisht kushteve shoqërore, ekonomike dhe politike të shoqërive se sa të miat. Unë i trajtoj këto dëshira, ideale dhe dhimbje jo më pak si të ishin të miat.

Një kulturë tjetër më ka tjetërsuar. Njeriu me lëkurë të zezë i Afrikës, berberi i Afrikës së Veriut, persiani dhe indjani i Azisë, secili ka një të kaluar të veçantë dhe të tashme të vetme. Megjithatë ata ndjejnë brenda dhimbje dhe obligim të veçantë të cilat i shohin si të vetat, por që në të vërtetë janë trashëgimtare të problemeve të periudhave që ndoqën Mesjetën, renesansën e shekullit të 16, liberalizimin e shekullit të 17, progresin shkencor të shekullit 18 dhe ideologjitë e shekullit të 19 dhe shoqëritë kapitaliste që erdhën në fuqi pas Luftës së parë dhe të dytë Botërore.

Kështu, juve populli afrikan, aziaktik, sa ju shqetëson kjo? Çfarë problemi keni ju që ju shkakton kaq shqetësim në lidhje me ekzistencën e tij, zgjidhjen, ndjenjën dhe reagimin? Është sikur unë të kisha dhimbje në këmbë dhe e regjistroj në nerva! Pse? Sepse u shoqërova me njerëz që mendoj se janë më intelegjentë, të lustruar, të respektueshëm dhe më të pasur se unë dhe ata kanë ″çrregullime nervore″. Në vend që të pranoj se më dhemb këmba dhe të kërkoj medikamente për të, të themi, barëra; unë kërkoj një psikiatër për ″çrregullimin nervor″ të cilit ia cilësoj dhimbjen time.

Konceptet e mia për vetveten nuk janë siç jam në të vërtetë, por siç ″ato″ janë; kështu unë jam tjetërsuar. A nuk është qesharake, të kesh në një shoqëri me kaq shumë mjerim dhe ndjenja të përgjithëshme, dëshira dhe sjellje duke u përngjarë atyre të amerikanëve, anglezëve ose francezëve të sotëm? I fundit është velitur me teprimin e delikatesave dhe kënaqësive dhe mungesa të synimit dhe qëllimeve. Ai dëshiron pushim dhe kërkon paqe. Ai është i sëmurë nga disiplina e rreptë e ndikuar tek ai nga makina. Ai rënkon dhe ankohet për disiplinën dhe rregullin që i ka shkaktuar kaq shumë mjerim. Por unë, duke vuajtur nga mungesa e teknologjisë, jam akoma duke rënkuar dhe ankuar për vuajtjet e shkaktuara nga teknologjia! Është sikur të jemi shtypur nga makina, na janë thyer krahët dhe këmbët, na është gjakosur tërë fytyra dhe koka; dhe akoma shprehim ndjenjën për njeriun pas rrotës, që është fryrë me vozitje dhe duke shtypur njerëz!

Në këtë mënyrë shoqëritë jo-evropjane tjetërsohen nga shoqëritë evropjane; intelektualët e tyre nuk ndjehen më Lindorë, ankohet si person Lindor apo dëshiron të jetë Lindor. Intelektuali nuk vuan për shkak të problemeve të veta shoqërore, më mirë se të përfytyrojë për dhimbje, vuajtjet, ndjenjat dhe nevojat e një evropiani në shkallën e fundit të suksesit dhe kënaqësisë kapitaliste dhe materialiste. Kështu, sot çrregullimi më i dhembshëm përfshin vendet jo-evropiane, çrregullimin psikologjik të jo-evropianëve që kanë një karakter të vetëm dhe sërisht e mohojnë atë. Ata kanë në mendje diçka të huaj. Ata perceptojnë dikë tjetër dhe e imitojnë atë qorrazi.

Këto vende jo-evropiane në të kaluarën ishin të vërteta. Nëse i kishit vizituar këto vende para 200 vjetëve atyre do tu mungonte civilizimi Perëndimor i sotëm, secila prej tyre kishte civilizimin e vet autentik dhe solid. Ata ishin unike; dëshirat, delikatesat, format e tyre të adhurimit dhe gjithë sjellja e tyre e mirë dhe e keqe; veprimi, bukuria, filozofia, feja e tyre � gjithçka u takonte atyre, për shembull, nëse kisha shkuar në një vend si India ose ndonjë vend afrikan, do ta dija se ata kishin shijet dhe ndërtesat e tyre unike. Ata krijuan poezinë e vet unike, kulturën e tyre përkatëse dhe relevante me jetën e tyre. Ata kishin mënyrën e tyre shoqërore unike. Ata kishin ngjyrat, sëmundjet, dëshirat dhe fetë e tyre unike. Ata i kishin të gjitha të tyret. Përkundër faktit se ata ishin shumë poshtë nivelit të civilizimit, kënaqësisë materiale të ditëve të sotme, tërë çfarë kishin edhe pse të vogla ishte e tyre. Ata nuk ishin të sëmurë, të varfër ishin, por varfëria është ndryshe nga sëmundja.

Por sot, shoqëritë perëndimore ishin të afta të shfrytëzojnë filozofinë e tyre, mënyrën e tyre të të menduarit, dëshirat, idetë, shijet dhe mënyrat e tyre ndaj vendeve jo-evropiane me masë të njejtë sa kishin mundësi për të futur simbolet e tyre të civilizimit (të rejat teknologjike) tek këto vende që konsumojnë produkte dhe vegla të reja; vende që nuk mund të përshtasin veten me mënyrat, dëshirat, shijet dhe mënyrat e mendimit evropian.

Siç thotë Alined Yope, një nga intelektualët më të mëdhenj zezakë: ″shoqëritë kanë dalë jasht civilizimit evropian � si shoqëritë tona që janë ″shoqëri mozaike″. Çfarë nënkupton ai me ″shoqëri mozaike″? Një mozaik përmban qindra pllaka të ngjyrosura me ngjyra dhe forma të ndryshme, të gjitha të shtypura në një shtresë. Çfarë forme bëjnë këto pllaka? Asnjë! Një mozaik ka ngjyra të ndryshme dhe i kompozuar nga pjesë të ndryshme të zhavorit me forma të ndryshme, por të gjitha bashkë nuk kanë formë. Disa civilizime gjithashtu janë civilizime mozaike. Kështu civilizimet që bartin pjesë të lëna të së kaluarës disa pjesë të deformuara nga Evropa dhe kombinimi i dy prodhimeve, një shoqëri gjysmë � të modernizuar. Gjithashtu ka mozaik edhe atje ku nuk zgjedhim materiale të njejta si evropianët për të bërë një civilizim për veten, sepse nuk e dinim çfarë ishte civilizimi dhe si ta formojmë atë. Janë ata që na e dhanë formën gjithashtu.

Kështu pa e ditur çfarë të bëjmë dhe pa pasur ndonjë qëllim prioritar se si të formojmë shoqërinë tonë sipas shijeve dhe mendimeve tona dhe pa ditur si të integrojmë pjesë të ndryshme ose duke i marrë prej këtu dhe atje sipas para � planifikimit, ne filluam duke i bashkuar pjesë dhe elemente të ndryshme për të ndërtuar një shoqëri moderne por jo paformë, pa qëllim ose synim. Në rezultatin e shfrytëzuar gjejmë pjesë prej kudo, disa vendas, evropjanë, disa jashtë mode, dhe disa modern � të gjitha të stivuara pa formë, në konfuzion pa qëllim dhe me rezultat duke krijuar një shoqëri pa formë dhe qëllim gjithashtu. Shoqëri të tilla janë shoqëritë jo � evropiane të cilat gjatë shekullit të fundit, kanë mundur të fitojnë materialet e tyre ndërtuese nga Perëndimi, në emër të civilizimit.

Cila është origjina e shfaqjes së këtij civilizimi mozaik (ose që unë do ti quaja shoqëri kameleoparde) tek vendet jo � evropiane që nuk kanë formë të veçantë dhe asnjë qëllim fiks? Nuk është e qartë se çfarë lloj shoqërishë janë ato; popujt dhe intelektualët e tyre nuk mund të kuptojnë se për çfarë jetojnë ata, cili është qëllimi i tyre, cila është e ardhmja e tyre dhe çfarë përmban ideologjia e tyre.

Makina u shfaq dhe u zhvillua gjatë shekujve të 17, 18 dhe 19 në Evropë në duart e kapitalistëve dhe të pasurve. Makina ka karakteristikën e nevojës për rritjen konstante në prodhim, kur punon. Ky është detyrimi i makinës. Nëse nuk e rrit prodhimin për 10 ose 11 vjet, ajo do të vdesë, ajo nuk mund të vazhdojë të funksionojë dhe nuk mund të konkurojë me makina të tjera. Pse? Sepse nëse nuk e rrit prodhimin, makinat e tjera, që prodhojnë mallra të njejtë në rendiment të lartë, mund ta shesin më lirë. Prandaj, prodhimi i makinës së vjetëruar stagnon. Makina duhet të prodhojë më shumë që të mund ti paguajë punëtorët dhe t′i vërë në treg prodhimet më lirë se konkurentët e saj. Shkenca dhe teknologjia kanë kontribuar në zhvillimin e makinës dhe kanë përmirësuar efikasitetin e saj. Ky zhvillim ka ndryshuar fytyrën e njerëzimit sot. Ne nuk duhet ta konsiderojmë atë si një nga problemet që shfaqen sot në botë; folur më drejtë, nuk ka problem tjetër veç atij, që ka qenë para nesh gjatë dy shekujve të fundit. Prej tij dalin të gjitha problemet tjera që përballë bota sot.

Makina duhet ta rrisë prodhimin e vet vazhdimisht çdo vit. Prandaj për ta penguar mbetjen stok, ajo duhet gjithashtu të krijojë vazhdimisht nevojën e konsumimit të vazhdueshëm. Megjithatë konsumimi i njerëzve nuk rritet në vlerë të njejtë si prodhimi. Një shoqëri e caktuar mund të ketë rritje prej 30 % në konsumimin e letrës në 10 vjet dhe 300 % ose trefishim të prodhimit të letrës. 10 vjet më parë makinat prodhonin 5 kilometra letër në orë kurse sot prodhojnë 50 kilometra në orë, përderisa konsumi i letrës nuk është rritur dhe nuk mund të rritet në këtë masë.

Çfarë do të bëhet me prodhimin e tepër ose tepricën? Çfarë do të bëhet me grumbullin e letrës? Vende të reja konsumi duhet të sigurohen. Çdo vend evropian ka një shije të veçantë dhe të caktuar dhe një konsum fiks; popujt e tyre nuk i kalojnë 40 deri 60 miljonë banorë. Vlera frenetike e prodhimit, që rritet vazhdimisht, i kalon dëshirat e popullit për konsum. Ata nuk mund të qëndrojnë! Kështu që kur makina ka prodhuar detyrimisht mallra tepricë, ajo duhet të kalojë kufijtë kombëtar dhe t′i fusë mallrat në tregjet e huaja. Kur kapitalistët morën kontrollin e makinerisë, teknologjisë dhe shkencës në shekullin e 18, u përcaktua fati i njerëzimit. Çdo njeri në sipërfaqen e tokës do të detyrohej të bëhej konsumues i mallrave të prodhuara. Tregjet evropiane u ngopën shpejt; vazhdimisht mallrat tepricë duhej të shkonin në Azi dhe Afrikë. Aziatikët dhe afrikanët duhej të konsumonin produktet evropiane tepricë.
A mund të jenë çuar këto produkte në Lindje, modeli i jetës së të cilëve nuk i kërkon ato, dhe e shtyn konsumimin e tyre? E pamundur! Kur hyni në një shoqëri aziatike vëreni se veshja aziatike është bërë nga gruaja ose në ndonjë punishte kombëtare. Ata veshin veshje tradicionale. Nuk ka kërkesë për prodhimet e fabrikave që bëjnë makina, ose veshje ″të modës së fundit″, ose fabrika ″moderne″ të Evropës. Në një shoqëri afrikane do të vërejmë se dëshirat, ineresat dhe kënaqësitë e tyre përmbushen në kalërim dhe kënaqësinë e garës me kuajt e tyre. Ata nuk kanë autostrada, shoferë, ide për makinat dhe nevojën për ndonjërën prej tyre. Në stilin e jetës së tyre prodhimi është i barabartë me konsumin, që është në përputhje me traditat, shijet dhe nevojat e tyre. Për ta, një automjet, si çdo prodhim tjetër evropian, është tërësisht i tepërt.

Fabrikat evropiane prodhuan një sasi të mallrave luksoze si asnjë herë tjetër dhe kërkuan për to një treg në vendet aziatike dhe afrikane. Ajo ishte jashtë kërkesës për të pranuar burrat dhe gratë aziatike dhe afrikane për t′i përdorur këto produkte në shekullin e 18 ose 19 edhe nëse produktet ishin shpërndarë falas. Ata kishin kënaqësi të tjera; ata kishin zbukurimet e tyre amtare dhe të veçanta. Një grua afrikane ose aziatike nuk kishte nevojë për kozmetikat evropiane dhe nuk kishte nevojë për stringël për tu zbukuruar dhe veshur. Ajo kishte kozmetikën e vet, mjetet dhe makiazhin e vet. Ajo do t′i përdorte ato dhe të gjithë do ta admironin atë. As do të ndjente nevojë për ndryshim. Si rezultat i qëndrimit të saj, malli i kapitalistit mbeti i pashitur. Njerëzit me këtë mënyrë të mendimit, me nevoja dhe shije unike, që kanë stilin e vet të jetës dhe prodhojnë nevojat e veta, nuk ishin lloj i njerëzve që do të konsumojnë produktet e kapitalistëve evropianë të shekullit të 18. Atëherë çfarë të bëjmë? Problemi ishte t′i bëjnë njerëzit në Azi dhe Afrikë konsumatorë të produkteve evropiane. Kjo nënkupton të ndryshosh një komb pik për pike. Ata duhej ta ndryshonin kombin dhe duhej ta transformonin njeriun për t′u ndryshuar veshjen, modelin e tij të konsumimit, stolitë, vendbanimin dhe qytetin e tij. Cila pjesë e tij të ndryshohet e para? Morali dhe mendimi i tij. Kush mund të ndryshojë shpirtin e një shoqërie, moralin e një shoqërie dhe mënyrën e të menduarit të një kombi? Në këtë drejtim kapitalistët, inxhinjerët ose prodhuesit evropianë mund të bënin pak. Më mirë ishte biznesi i intelektualëve të shquar evropianë për planifikimin e një metode të veçantë të prishjes së mendjes, shijes dhe mënyrës së jetës së jo-evropianit, jo në mënyrën që e zgjedh vetë, - që kur ndryshimi që ai dëshiron mund të mos i nevojitet konsumimi i produkteve evropiane � në vend të dëshirave të tij, zgjedhjeve, vuajtjes, keqardhjes, shijeve, idealeve, ndjenja e bukurisë, tradita, marrëdhëniet shoqërore, zbavitjet e tij � të gjitha duhet të ndryshojnë kështu ai detyrohet të bëhet konsumues i produkteve industriale evropiane. Pra prodhuesit dhe kapitalistët e mëdhenj evropian të shekullit të 18 dhe 19 i lanë intelektualët të merren me këtë projekt.

Ky ishte projekti: të gjithë popujt e botës duhet të bëhen njëlloj. Ata duhet të jetojnë njëlloj. Ata duhet të mendojnë njëlloj. Praktikisht, është e pamundur për të gjithë kombet të mendojnë njëlloj. Çfarë elemente strukturale hyjnë në personalitetin dhe shpirtin e një njeriu dhe kombi? Feja, historia, kultura, civilizimi i kaluar, edukimi dhe tradita. Të gjitha këto që u përmendën janë elementet strukturore të personalitetit dhe shpirtit të njeriut dhe në përgjithësi të një kombi. Këto elemente ndryshojnë nga një shoqëri në tjetrën. Ato dalin në një formë në Evropë, në një tjetër në Azi dhe në Afrikë. Ato të gjitha duhet të bëhen njëlloj. Dallimet në mendim dhe shpirtra të kombeve të botës duhet të shkatërrohen që njerëzit të bëhen njëlloj. Ata duhet t′i përshtaten, kudo që janë, një modeli të vetëm. Ç′është ky model? Modeli është siguruar nga Evropa: ajo u tregon të gjithë lindorëve, aziatikëve, afrikanëve, si të mendojnë, si të vishen, të dëshirojnë, të hidhërojnë, si të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të krijojnë marrëdhëniet e tyre shoqërore, të konsumojnë, të shprehin pikëpamjet e tyre dhe përfundimisht si të pëlqejnë dhe çfarë të pëlqejnë. Shpejt është kuptuar se një kulturë e re e quajtur ″modernizim″ iu paraqit të gjithë botës.

Modernizimi ishte metoda më e mirë për kthimin e botës jo-evropiane, prej çfarëdolloj forme dhe lloji të mendimit, prej kallëpit të vet, mendimit dhe personalitetit të vet. Kjo u bë detyra e vetme e evropianëve për të vendosur joshjen e ″modernizimit″ para shoqërive jo-evropiane në çdo aspekt. Evropianët kuptuan se duke e ngacmuar banorin lindor në dëshirën e madhe për ″modernizimin″, ai do të bashkëpunonte me ta për ta mohuar të kaluarën e tij dhe ta diskriminonte dhe shkatërronte me duart e veta përbërjen e kulturës, fesë dhe personalitetit të tij unik. Kështu tundimi dhe malli për ″modernizim″ i përhapur nëpër tërë Lindjen e Largët, Lindjen e mesme, Lindjen e afërt dhe në vendet islame dhe zezake � dhe për t′u bërë të modernizuar, kutohej të bërit si evropianët.

Folur drejt ″i modernizuar″ nënkupton i modernizuar në konsum. Ai që modernizohet është ai shijet e të cilit tani dëshirojnë artikuj ″modern″ për të kënaqur dëshirat e tij. Me fjalë të tjera, ai importon nga Evropa forma të reja të produkteve jetësore dhe moderne dhe ai nuk përdor tipe të reja të produkteve dhe një stil jete të zhvilluar nga e kaluara e tij origjinale dhe nacionale. Jo-evropianët janë modernizuar për shkak të konsumit. Perëndimorët, megjithatë nuk mund vetëm tu thonë të tjerëve se ato po e riformonin intelektin, mendjen dhe personalitetin e tyre nga frika e regjimit të rezistencës. Prandaj evropianët duhej të bënin jo-evropianët të barazonin ″modernizimin me ″civilizimin″ për të imponuar modelin e ri të konsumit mbi ta, kur çdokush ka dëshirë për civilizim. ″Modernizimi u përcaktua si ″civilizim″ dhe kështu njerëzit bashkëpunuan me planet evropiane për t′u modernizuar. Madje edhe më shumë se borgjezi dhe kapitalisti, intelektuali jo-evropian i punësuar për të ndryshuar modelet e konsumit dhe stilet jetësore në shoqëritë e tyre. Që kur jo-evropianët nuk mundën të prodhojnë produktet e reja, ata u bënë automatikisht vartës të teknologjisë që prodhon për ta dhe pret nga ata të blejnë çdo gjë që prodhon.

Deri sa studjoja në Evropë dëgjova për një fabrikë automobilash që reklamonte punë me pagë të lartë për sociologët dhe psikologët. Unë kërkoja punë dhe gjithashtu u bëra shumë kurioz të dija pse një fabrikë makinash kishte nevojë për sociologë dhe psikologë. Kështu shkova për intervistë me një burrë në departamentin e marëdhënieve publike. Ai më pyeti: ″Ndoshta ju habiteni pse kërkojmë sociologë deri sa ne zakonisht punësojmë inxhinjerë mekanik e të tjerë″? Unë i thash,- po. Ai më solli një hartë të Azisë dhe Afrikës dhe më tregoi disa qytete duke më thënë se në disa prej tyre kishte kërkesë të lartë për makina dhe shumë blerës, por se në të tjerat nuk kishte kërkesë. Ai vazhdoi: ″Ne nuk mund ta zbulojmë pse nuk ka kërkesë për makina. Është detyra e sociologut të zbulojë se çfarë pëlqejnë këta njerëz dhe pse nuk blejnë makina, kështu ne mund të ndryshojmë ngjyrën ose modelin e makinave, nëse mundemi dhe nëse jo tua ndryshojmë shijen e tyre″. Pastaj më dha një shembull të suksesit të sociologëve evropianë në modernizimin e një fisi të caktuar.
Ai më tregoi një vend malor dhe me pyje në brigjet e lumit Chad në Afrikë ku jetonin shumë fise endacakësh. Njerëzit atje nuk vishnin rroba dhe mbanin kafshë për jetesë. Ai më tregoi disa vende ku një grupë njerëzish jetonin rreth kështjellës së udhëheqësit të fisit. Ata nuk kishin shkollë, rrugë ose autostrada, as veshje dhe as shtëpi. Ata jetonin në tenda. Pastaj ai më tregoi se udhëheqësi i këtij fshati gjysëm të egër kishte parkuar dy renaulta modern me zbukurim floriri përpara pallatit të tij.

Këta njerëz interesoheshin vetëm për origjinën e kuajve. Njëriu që kishte kalin më të mirë ishte më i njohuri dhe më i lakmuari. Çdo kush përpiqej të rrisë kalin më të mirë si mjet të vetë-lartësimit dhe arritjes së dominimit. Për aq kohë sa ky lloj i vetëdijes dominonte në fis, ″më tha punëdhënësi i makinave″, askush nuk do të blente makina. Më mirë të gjithë ata do të vazhdonin të blenin kuaj, edhe pse ne nuk prodhojmë kuaj. Kështu ne u përpoqëm të mendojmë një mënyrë për t′i shtyrë vendasit të blejnë automobilat që ne prodhojmë në Europë.

″Gratë e fisit bëheshin atraktive me përgatitjet e bëra prej kauçuku nga lëngu i drunjëve të pyllit dhe të gjithë e pëlqenin stilin e tyre. Të lumtur me kulturën e tyre lokale, vallen popullore dhe ushqimin vendas, është e qartë se as gratë e fisit nuk do të blejnë kosmetika të Kristian Diorit dhe as burrat nuk do të blejnë Renaulta. Evropianët as që janë përpjekur që tu shesin atyre ndonjë gjë. Mirëpo një zhvillim eventual do t′u lejojë sociologëve europianë një mundësi për të ndryshuar shijen e vendasve. Udhëheqësi i fisit lidhte dy kuaj të bukur me qenin gjuetar më të mirë të tij, para qendrës së tij, tani ne e kemi ndryshuar shijen e tij. Ne e kemi modernizua ate; në vend që të lidhë kuajtë e tij përpara shtëpisë së vet, ai krenohet duke parkuar dy renaultat me zbukurime të arta″.

I habitur e pyeta: ″Por ata s′kanë as rrugë?″, ″Ata kanë ndërtuar 8 km rrugë bashkëkohore″, tha ai.

″Kur shefi i fisit për herë të parë bleu makinë çdo mëngjes ai do të voziste dhe të gjithë të fisit do të grumbulloheshin dhe shihnin makinën. Ai nuk dinte si të voziste, kështu ai punësoi një prej këtu. Shoferi punoi për të 8 muaj dhe mori një rrogë të mirë. Nuk kishte stacion benzine afër fisit, kështu benzina u soll nga larg me anije″.

Kështu qëllimi i kapitalistit nuk ishte vërtet për të civilizuar këtë fis, por për ta modernizuar atë. Udhëheqësi që krenohej me kalin e tij dhe ishte kalorës, tani është krenar me makinën e tij dhe kënaqet ta vozisë atë.Udhëheqësi i fisit, si shumë aziatikë ose jo-evropianë të tjerë është modernizuar por dikush duhet të jetë vërtet naiv të gjykojë përciptazi se ai është civilizuar gjithashtu.

Modernizimi është të ndryshosh traditat, mënyrën e konsumit dhe jetën materiale nga të vjetra në të reja. Njerëzit bënë mënyrat e vjetra; makinat prodhuan të rejat. Për t′i modernizuar të gjithë jo-evropianët, ata në fillim duhej të kapërcejnë ndikimin e religjionit, kur feja u shkaktoi çdo shoqërie të ndjenin një individualitet të dallueshëm. Feja udhëzon një intelekt të lartë me të cilën çdokush lidhet intelektualisht. Nëse ky intelekt mposhtet dhe poshtërohet, ai që identifikon veten me të ndjehet gjithashtu i mposhtur dhe i poshtëruar. Kështu intelektualët vendas filluan lëvizjen kundër ″fanatizmit″. Siç thotë Franz Fanon: ″Evropa tentonte t′i pushtonte jo-evropianët me makinë. A mund të robërohet një njeri ose shoqëri nga makina ose një produkt i caktuar evropian pa e larguar apo pa e privuar atë nga personaliteti i tij″? Jo, nuk mundet. Personaliteti në fillim duhet të zhduket.

Që kur feja, historia, kultura, si përmbledhje e intelektit, mendimit, artit dhe letërsisë së bashku i japin personalitet një shoqërie, të gjitha duhet të shkatërrohen gjithashtu. Në shekullin e 19 do të ndjehesha si iranian që isha ngjitur me një civilizim të madh të shekullit të 4,5,6,7 dhe 8 të Islamit që ishte i pashok në botë dhe e kishte botën nën influencën e tij. Do të ndjeja se isha ngjitur me një kulturë më shumë se 2000 vjeçare që në forma të ndryshme kishte krijuar intelektualizëm të ri, art dhe letërsi të re në botën e njerëzimit. Do të ndjeja se isha lidhur me Islamin që ishte feja më e re, më madhështore dhe më univerzale, duke krijuar të gjitha këto intelektualitete dhe duke tretur të gjitha këto civilizime të ndryshme në vetvete për të krijuar një civilizim më të madh. Do të ndjehesha i lidhur me Islamin që krijoi shpirtin më të bukur dhe fytyrën më madhështore të njerëzimit, dhe gjithashtu do të mund të ndjehem si njeri, se kisha një personalitet unik në sytë e botës dhe çdo të njeriu në të. Si mund të kthejnë ata një ″Unë″ të tillë në një vegël funksioni i vetëm i të cilit është të konsumojë produkte të reja?

Ata do ta privonin atë nga personaliteti i tij. Ai duhet të jetë i shpronësuar nga gjithë ″Unë-at″ që ai ndjen brenda. Ai duhet të detyrohet ta besojë veten lidhur me një civilizim, rend shoqëror të poshtëruar dhe të pranojë këtë civilizim evropian, civilizimin dhe rracën perëndimore superiore. Afrika duhet të besojë se afrikani është i egër kështu që ai tundohet të ″civilizohet″ dhe hyn vetë në duart e evropianëve që do ta përcaktojnë fatin e tij. I varfëri nuk e kupton se po modernizohet në vend që të civilizohet. Ja pra pse papritmas në shekullin e 18 dhe 19 afrikanët përshkruheshin si egërsira dhe kanibalë. Këta afrikanë që ishin ballafaquar me civilizim Islam për shekuj të tërë nuk u njohën si kanibalë asnjëherë. Papritmas afrikani i zi bëhet kanibal, ka të nuhatur dhe rracë të veçantë. Pjesa e përhimtë e trurit të tij nuk punon dhe pjesa e përparme e trurit të tij, si i aziatikut, krahasohet shumë pak me atë të perëndimorit!

Madje edhe doktorët dhe biologët e tyre e kanë ″provuar″ se truri i perëndimorit ka një cipë të përhimtë të cilët lindorët dhe zezakët nuk e kanë!! Ata gjithashtu kanë ″provuar″ se truri i perëndimorit ka një gjatësi shtesë të gjeneve në qelizat e trurit që e lejon atë të mendojë më mirë se një jo-perëndimor! Pastaj ne shikojmë se u ndërtua një kulturë e re në bazë të ″Superioritetit perëndimor″ dhe ″Superioritetit të civilizimit dhe popullit të tij″. Ata na bënë neve dhe botën të besojmë se evropiani ishte jashtëzakonisht i talentuar mentalisht dhe teknikisht, kurse lindori kishte talente gnostike emocionale të çudiçme dhe zezaku ishte i mirë vetëm për kërcim, këndim, vizatim dhe skulpturë.

Vazhdimisht bota ishte ndarë në tre rraca të ndryshme: njëra që mund të mendojë, ajo evropiane (prej kohës së Greqisë së lashtë deri më sot)! Ajo që mund të ndjejë ose të bëjë poezi, lindori, i cili ka vetëm ndjenja mistike dhe gnostike, dhe zezaku që mund të kërceje, këndojë dhe të luajë mirë xhaz.

Pastaj kjo mënyrë e të menduarit, e cila iu paraqit botës për të vërtetuar nevojën e modernizimit të popujve jo-evropianë, u bë baza e mendimit për elitat jo-evropiane gjithashtu. Ne e kuptojmë si ata krijuan një konflikt mes ″të modernizuarit″ dhe ″të jo-modernizuarit″ në shoqëritë jo-evropiane për 100 vjet; një konflikt që ishte dhe akoma është lufta më e pakuptimtë që mund të jetë parë.

Modernizim në çfarë? Në konsumim, jo në mendje. Jo-modernizim në çfarë? Në formën e konsumit. Kuptohet se lufta mbaroi në favor të modernizimit, edhe nëse mbaronte ndryshe nuk do të ishte në të mirë të masës. Në këtë luftë, lufta në mes të modernizuarit dhe të civilizuarit, evropiani ishte lideri. Në emër të civilizimit fushata për modernizim vazhdoi edhe për 100 vjet, për më shumë se 100 vjet, shoqëritë jo-evropiane u përpoqën të modernizoheshin nën kryesimin e intelektualëve të tyre të sofistikuar.

Le ta kosiderojmë gjenezën dhe përbërjen e kësaj klase të intelektualëve. Zhan Pol Satri në parathënien e ″I mjeri i tokës″ thotë: (ne do të sjellim një grup të rinjsh afrikanë ose aziatikë në Amsterdam, Paris, Londër... për disa muaj, t′i shëtisim, tua ndrrojmë rrobat dhe zbukurimet, t′u mësojmë mënyrat etike dhe shoqërore si dhe disa fjalë të gjuhës. Shkurtimisht, ne do t′i shprazim nga vlerat e tyre kulturore dhe pastaj t′i dërgojmë prap në vendet e tyre. Ata nuk do të jenë më personi i njejtë që do të flasë me medjen e vet; ata do të jenë zëdhënësit tanë. Ne do të thërrasim sloganet e njerëzimit dhe barazisë dhe pastaj ata do ta përçojnë zërin tonë në Afrikë dhe Azi ″rëzimit dhe ″razisë″.

Këta ishin njerëzit që i bindën popujt të largohen nga ortodoksia e tyre, të flakin fenë e tyre, të lirohen nga kultura amtare (sikur t′i kishin lënë pas shoqërive moderne evropiane) dhe të perëndimizohen prej majës së gishtit të këmbës deri në maje të kokës!

Si mund të evropjanizohen përmes eksportit dhe shkëmbimit? A është civilizimi produkt që të mund të eksportohet dhe importohet prej një vendi në tjetrin? Sigurisht që jo; por modernizimi është përmbledhje e produkteve moderne që mund të importohen nga një shoqëri mbrenda një periudhe prej 1, 2 ose 5 vjetëve. Një shoqëri e caktuar mund të modernizohet plotësisht mbrenda disa vjetëve. Gjithashtu një individ mundet të modernizohet tërësisht, edhe më shumë se vetë evropiani. Ti mund t′ia ndryshosh mënyrën e tij të konsumit dhe ai modernizohet. Kjo është pikërisht ajo çfarë prisnin evropianët.

Por nuk është kaq e thjeshtë të civilizosh një komb ose shoqëri. Civilizimi dhe kultura nuk janë produkte evropiane posedimi i të cilave i bën çdo kënd të civilizuar. Por ata na bënë të besojmë se i gjithë josensi i modernizimit ishte manifestim i civilizimit! Dhe ne me padurim flakëm gjithçka kishim, madje edhe prestigjin tonë shoqëror, moralin dhe intelektin, për tu bërë thithës të egër të asaj që Evropa me padurim rrithte në gojat tona. Ja pra çdo të thotë modernizimi me të vërtetë.

Kështu një qenie u krijua pa ndonjë sfond, i tjetërsuar nga historia dhe feja e tij, dhe një i huaj me çfarë do qoft rrace, historie dhe stërgjyshërish ka ndërtuar në këtë botë; i tjetërsuar nga karakteristikat e tij njerëzore, një personalitet të dorës së dytë, mënyra e konsumimit të të cilit ka ndryshuar, mendja e të cilit ka ndryshuar, i cili ka humbur mendimet e tij të vjetra të çmueshme, të kaluarën dhe vlerat e tij intelektuale të lavdishme dhe tani ka mbetur i shprazur në brendi. Siç thotë Zhan Pol Sartri: ″Në këto shoqëri një ″asimile″ � që nënkupton një kuazi-mendues dhe kuazi-person i edukuar � u krijua, një jomendues ose intelektual i vërtet.

Intelektual i vërtet është ai që njeh shoqërinë e tij, është i vetëdijshëm për problemet e tij, mund të përcaktojë fatin e tij, është në dijeni për të kaluarën e tij dhe që mund të vendosë për veten. Këta kuazi-intelektualë, megjithatë, patën sukses në ndikimin në popull. Kush ishin këta kuazi-intelektualë në shoqëritë jo-evropiane? Ata ishin ndërmjetësuesit midis atyre që kishin produktet dhe atyre që duhej të konsumonin produktet. Një ndërmjetësues që barazonte të dy me evropianët dhe me popullin e tij, lehtësoi mënyrën e kolonizimit dhe eksploatimit.

Ja pse ata krijuan intelektualët vendas që nuk guxonin të zgjidhnin për veten, që nuk e kishin guximin t′i shfaqnin opinionet e tyre dhe që nuk mund të vendosnin për vetveten. Persona të tillë u gjykuan keq dhe u bënë inferior në atë masë sa që kur pyeteshin për aromën e ushqimit të tyre, për muzikën që dëgjojnë, për rrobat që veshin, ata nuk e kanë besimin të thonë se a i pëlqejnë ose jo ato. Kjo vjen sepse nuk janë më ata që vendosin. Atyre duhet tu thuhet se fustan i tillë apo i atillë vishet në Evropë, dhe kështu mund ta pëlqejnë atë. Atyre u thuhet se një ushqim i caktuar i idhët, që për ta ka shijen e helmit, hahet në Evropë, prandaj ata mund ta hanë atë, edhe pse nuk është i përshtatshëm me shijen e tyre. Megjithatë, ata e hanë atë sepse evropianët e hajnë atë; atyre u mungon guximi dhe siguria të thonë se nuk u pëlqen.

Në Evropë dhe Amerikë, kur njerëzit shkojnë në një vend ku luhet xhaz dhe nuk u pëlqen, ata e thonë troç dhe me zë të lartë. Por në vendet Lindore askush nuk ka guxim të thotë ″Xhazi është i keq dhe unë nuk e pëlqej atë″. Pse? Sepse ata nuk i kanë lënë atij aq personalitet dhe vlerë njerëzore ta lejojnë atë të zgjedhë ngjyrën e fustanit të tij dhe shijen e ushqimit të tij. Siç thotë Fanoni: ″Për t′i bërë vendet Lindore pasues të Evropës dhe ta imitojnë atë si majmun, ata duhet t′u kenë vërtetuar jo-evropianëve se ata nuk posedojnë cilësi të njejta të vlerave njerëzore si Evropianët. Ata duhet ta kenë pakësuar historinë, letërsinë, fenë dhe artin e tyre për t′i tjetërsuar ata nga të gjitha. Ne mund ta shohim se Evropianët e bënë pikërisht këtë″.

Ata kanë krijuar një popull që nuk e din kulturën e vet, por akoma është gati ta përçmojë atë. Ata nuk dijnë asgjë për Islamin por thonë fjalë të këqia për të. Ata nuk mund ta kuptojnë një poezi të thjeshtë por e kritikojnë atë me fjalë të varfra të zgjedhura. Ata nuk e kuptojnë historinë e tyre por janë gati ta nënvlerësojnë atë. Në anën tjetër, pa rezervë ata admirojnë gjithçka që importohet nga Evropa. Vazhdimisht, është krijuar një qenie që tjetërsohet fillimisht nga feja e tij, kultura, historia dhe sfondi dhe pastaj t′i përçmojë ato. Ai është i bindur se ishte inferior ndaj evropianit. Dhe kur një besim i tillë lëshoi rrënjë në të ai u përpoq dhe dëshironte ta përgënjeshtrojë veten, të ndërpresë lidhjet e tij me të gjitha objektet që lidheshin me të dhe ta bëjë disi veten si një evropian, që nuk përçmohej dhe nuk shikonte poshtë dhe që të paktën ishte në gjendje të thotë, ″Falë Zotit nuk jam një Lindor që kur u modernizova mjaftueshëm për të arritur nivelin e një evropiani″.

Dhe derisa jo-evropiani është i lumtur me idenë se ai është modernizuar, borgjezi dhe kapitalisti evropian qeshin për suksesin e tyre në kthimin e tij në kosumator të produktit të tyre shtesë.
© dielli.net
shqipëroj: Brikena Demiri

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!