XHAMIA (MESXHIDI) DHE ROLI I SAJ NË SHOQËRINË ISLAME
Behxhet Jashari
05.01.2007


″E drejta e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së fundit e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)″.
(Et-Teube, 18)

″Ndërtesat më të dashura tek Allahu janë mesxhidet″.
(Transmeton Muslimi)




Është e njohur se njerëzimi çdo herë ka pasur nevojë për faltore apo vend ku do ti lutet Zotit. Për këtë çështje flet edhe filozofi grek Plutarku i cili ka thënë: ″Mund të gjejmë vende apo qytete pa bedena, pa qytetërim, pa letërsi e teatër, mirëpo asnjëherë nuk u pa ndonjë qytet pa tempuj fetarë e pa njerëz që nuk luten″. I njëjtë është edhe konstatimi i Henri Bergsonit, njëzet shekuj më vonë i cili ka thënë: ″Kishte, e ka edhe sot turma njerëzish pa shkencë, pa art e filozofi, por asnjëherë nuk kishte kolektivitet pa fe″.

Nga këto konstatime, sadopak mund të kuptojmë se askund nuk ka ekzistuar vend pa faltore (vend lutjeje), qoftë sinagogë, tempull budist, manastir apo ndonjë vend i pastër ku sinqerisht është adhuruar Zoti.

Me shpalljen e Islamit si fe dhe sistem i jetës, u vunë edhe themelet e shoqërisë së shëndoshë. Që në fillim të theksojmë se akti i parë i Muhammedit alejhisselam pas shpërnguljes në Medine, ishte ndërtimi i një xhamie-mesxhidi. Xhaminë e parë Muhammedi alejhisselam e ndërtoi në paralagjen e Medines të quajtur Kuba, e pas disa ditëve edhe atë në Medine. Me këtë akt u tregua se muslimanët patjetër duhet të posedojnë një vendtubim që do të shërbejë edhe për kryerjen e obligimeve fetare.

Gjatë historisë Islame, mesxhidi (xhamia) luajti një rol mjaft të rëndësishëm. Besimtari musliman asnjëherë nuk ka mundur ta paramendojë ekzistencën e vet pa xhami. Xhamia (mesxhidi) ishte dhe do të jetë qendra shpirtërore e besimtarëve musliman. Ajo është qendër kryesore e Ummetit. Xhamia është një dritare jo vetëm kah bota shpirtërore por edhe kah ajo fizike (materiale). Ajo bën bashkimin fizik të besimtarëve. Aty është edhe vendtakimi ku gërshetohen dy botët: bota fizike dhe ajo shpirtërore. Në islam, xhamia nuk luan vetëm rolin shpirtëror, siç është kisha në krishterizëm, por ajo është edhe diç më tepër.

Xhamia (mesxhidi) duhet të kuptohet edhe si vend ku formulohen personalitete të pastërta njerëzore, sepse ajo është shtyllë kryesore që e orienton njeriun kah përsosmëria e shpirtit dhe personalitetit. Ajo është gjenerator Hyjnor. Në të ka vend si për të varfrin ashtu edhe për të pasurin, si për sufiun ashtu edhe për shkencëtarët�

Shpeshherë njerëzit kanë dëshiruar të afrohen pranë njëri-tjetrit, të këmbejnë mendime dhe të bisedojnë rreth çështjeve të ndryshme. Në të kaluarën krejt kjo bëhej në xhami. Me një fjalë, xhamia i tubon njerëzit, i bashkon dhe i edukon. Aty mund të hyjnë njerëz të të gjitha kombeve, ngjyrave dhe racave. Ajo i bashkon të gjithë popujt. Xhamia nuk bën diskriminim të njerëzve, sepse atë rreptësishtë e ndalon islami.


Një vështrim i shkurtër për historikun e xhamisë dhe rolin e saj në kohën e Muhammedit a.s.


Gjatë kohës së Muhammedit a.s. xhamia luajti një rol të rëndësishëm. Siç theksuam edhe më parë, hap i parë i Muhammedit a.s. pas hixhretit në vitin 622 ishte ndërtimi i një objekti, ku do ti tubojë besimtarët për punët e tyre që kanë të bëjnë me bashkësinë, si dhe për kryerjen e obligimeve të tjera fetare. Si xhami e parë në sipërfaqen e tokës është ajo në Mekke, e quajtur el-Mesxhidul haram për të cilën flet edhe Kur′ani:

″Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë (Mekke), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin″.
(Ali Imran, 96)

Këtu vlen të theksojmë edhe xhaminë e njohur në Jerusalem e quajtur Mesxhidul Aksa apo Bejtul makdis, e njohur në historinë islame si vend prej ku Muhammedi a.s. shkoi në Mi′raxh[79]. Pasi që për besimtarët muslimanë falja (namazi), u bë obligim i domosdoshëm, i njëjti kryhej duke u kthyer kah kjo xhami Mesxhidul Aksa, sepse ajo ishte drejtimi apo Kibla kah e cila duhej të drejtoheshin për kryerjen e saj (namazit). Pas gjashtëmbëdhjetë muajve apo më saktësisht në muajin Sha′ban të vitit II të hixhretit, Allahu i Madhëruar shpalli ajetin 144 të kaptinës Bekare, me të cilin obligon Muhammedin a.s., me këtë edhe të gjithë besimtarët tjerë, që gjatë kryerjes së faljes (namazit) të kthehen kah Mesxhidul harami - Mekka. Kështu vazhdon sot e kësaj dite ku muslimanët gjatë faljes (namazit) kthehen kah Qabeja e cila gjendet në Mekke.

Roli i xhamisë, siç theksuam më lartë është shumëdimensional. Këtë e vërteton edhe fakti se menjëherë pas ngritjes së xhamisë në Medine, Muhammedi a.s. së bashku me besimtarët tjerë përgatiti edhe një kushtetutë. Por për çudi, ajo nuk u shkrua askund tjetër, pos në xhami!
Nga kjo kuptojmë se gjatë historisë xhamia shërbeu si shkollë, kazermë, por edhe si vend për zgjidhjen e problemeve shoqërore që ne sot e quajmë parlament. Në xhami tuboheshin njerëzit për të mësuar dituri të ndryshme. Aty arsimoheshin njerëz prej ku dilnin me vizione të çiltra.

Xhamia e Muhammedit a.s. ishte (që edhe sot duhet të jetë) institucion që formuloi njerëz me arsimim dhe vizion të pastër. Rezultati i rolit adekuat të Mesxhidit (xhamisë), njerëzimit i dhuroi një Ebu Bekër, Omer, Othman, Ali, Bilal, Ajshe, Mus′ab, Ibn Abbas dhe shumë të tjerë. Kjo ishte një gjeneratë e tërë me një vizion të pastër islamik. Të gjithë këta ishin nxënës të edukatorit më të madh të historisë së njerëzimit - Muhammedit alejhisselam. Për këta njerëz xhamia ishte qendra e vetme kryesore. Historia asnjëherë nuk shënoi një vend apo një qendër prej nga kanë dalë dijetarë dhe emisarë të denjë, siç ishte xhamia e Muhammedit a.s. Po nga këta nxënës të kësaj xhamie � shkolle u përhap edhe kultura dhe qytetërimi islam�


Xhamia (mesxhidi) në zemër të shoqërisë

Për dallim nga tempujt fetarë të besimeve tjera, si në budizëm, krishterizëm, hebraizëm etj., të cilët ndërtohen sa më larg vendbanimeve, (ashtu siç kërkoi edhe Shën Bernardi për kishat), në praktikën islame xhamitë ndërtohen sa më afër njerëzve dhe sa më në qendër të vendbanimeve. Gjatë zhvillimit të qytetërimit Islam, çdoherë xhamitë janë ngritur në zemrën e vendbanimeve. Kjo ishte një praktikë që nga koha e Muhammedit a.s. Ai urdhëroi që xhamia të ndërtohet në qendër të vendbanimit � në Medine. Kjo vazhdoi edhe gjatë periudhave të mëvonshme. Xhamia është ajo e cila ka të bëjë me njerëzit dhe me shoqërinë, prandaj ato edhe çdoherë ngriheshin në qendër të vendbanimeve, qyteteve, fshatrave, aty ku frekuenca (lëvizja) e njerëzve është më e madhe dhe më e gjallë. Nga kjo kuptohet se xhamia si dhe roli i saj janë ngushtë të lidhur me aktivitetet, lëvizjet dhe me hallet e kësaj bote. Aty mund të mbahen ligjërata në lëmi të ndryshme, tribuna shkencore, gara në dituri të ndryshme etj. Aty afër xhamisë apo nën një kulm me xhaminë formoheshin edhe shkolla të posaçme, siç u ndërtuan edhe në Fes (Marok), Tunizi (universiteti Zejtun, i cili po ashtu ekziston pranë xhamisë së madhe), Bagdad, Damask�Rast konkret është edhe themelimi i xhamisë El-Ez′her në Kajro, ku në kuadër të xhamisë është ndërtuar edhe universiteti (në vitin 972), ku janë zhvilluar edhe lëndë të ndryshme shkencore.

Nuk është e rastit që edhe dijetarët më të njohur u arsimuan nën kulmin e xhamisë. Të përkujtojmë Ibn Rushdiun i cili në Evropë është i njohur me emrin e latinizuar Averroes, Ibn Sinanë (Avicena), Ibn Haldunin (sociologun e parë në histori, nga i cili mjaft kopjoi edhe Imanuel Kanti), pastaj Gazaliun, Birunin, Ebul Vefanë, (i cili zbuloi fazat e ndërrimit të hënës edhe atë gjashtëqind vjet më parë se Tyho Brahe), Ibn Baxhen i cili paraqiti hipotezën se toka rrotullohet rreth boshtit të vet dhe parashikoi se rruga e planetëve ka formë elipsoide e jo të rrethit. Të gjithë këta mësuan në ato shkolla dhe universitete të cilat ishin të ngritura pranë xhamive. Ky ishte vetëm një vështrim i shkurtër historik për ndërtimin e xhamive si dhe për rolin e tyre gjatë së kaluarës.



Ndërtimi i xhamive dhe përkujdesja ndaj tyre

Allahu i Lartmadhërishëm për ndërtimin e xhamive (mesxhideve) në Kur′anin Famëlartë thotë:
″E drejta e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugë të drejtë)″.
(Et -Teube, 18)
Kur′ani në mënyrë të thuktë tregon dhe e ndërlidh ndërtimin e xhamive së bashku me: besimin në Allahun, besimin në Ditën e Fundit, faljen e namazit, dhënien e zeqatit dhe frikën vetëm nga Allahu.
Përkujdesja ndaj xhamive mund të jetë në disa mënyra, siç është nisma për ndërtimin e tyre, organizimi i punës, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në ndërtim, ndihma materiale, morale etj.
Në një rast Muhammedi alejhiselam ka thënë:
″Ndërtesat më të dashura për Allahun janë xhamitë″.
(Transmeton Muslimi)
Allahu nuk la pa i përmendur edhe ata që ndërtojnë xhami (mesxhid) për qëllime jo të mira, më qëllim që të shkaktojnë përçarje dhe copëtim në ummetin Islam.
Kur′ani na rrëfen:

″(Nga hipokritët më të shëmtuarit janë) Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do të betohen: ″Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm për të mirë!″ Po Allahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë. Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj Allahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e Allahu i do të pastrit. A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të Allahut, apo ai që ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e xhehennemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë. Ndërtesa e atyre të cilën e ndërtuan ata (e që e shembi Pejgamberi) vazhdimisht do të jetë mllef në zemrat e tyre, pos nëse pëlcasin zemrat e tyre. Allahu di, është i urtë″.
(Et-Teube, 107-110)

Shkak i shpalljes së këtyre ajeteve është ndërtimi i një xhamie nga ana e dymbëdhjetë munafikëve (hipokritëve) nga fisi Ganem. Këtë akt ata e realizuan nën ndikimin e një prifti të krishterë që quhej Ebu Amir, të cilët kishin për qëllim që ta minimizojnë apo t′ia humbin vlerën xhamisë së Muhammedit alejhisselam. Pasi që hipokritët e ndërtuan të ashtuquajturën xhami, e ftuan Muhammedin a.s. dhe i thanë që ne kemi dëshirë të vishë në xhaminë tonë dhe të falesh në të. I Dërguari a.s. vendosi që t′i përgjigjet thirrjes dhe u përgatit që të shkojë në atë xhami të porsandërtuar.
Por ç′ndodhi?!- Së shpejti Allahu e dërgoi Xhibrilin a.s. me porosinë (ajetin) e lartpërmendur.
Pasi që kuptoi Muhammedi a.s. qëllimin e tyre, menjëherë urdhëroi disa shokë të tij që ta rrënojnë atë xhami, e cila edhe u quajt ″mesxhidud-dirar″ (xhami sherri), kurse atë vend e shndërruan ne vend për mbeturina.
Kur′ani flet edhe për ata të cilët pengojnë që në xhami të përmendet emri i Allahut dhe të cilët bëjnë shkatërrimin e tyre:

″E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë në to vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh″.
(Bekare, 114)

Në fund të theksojmë se besimtari çdoherë duhet të jetë ai i cili preferon, nxit dhe përkrah ndërtimin e xhamive (mesxhideve) si dhe objekteve të tjera arsimore, të cilat çdo herë do të jenë të dobishme për gjininë njerëzore. Nga kjo arsye në mbarë rruzullin tokësor u ngritën xhami dhe objekte të mëdha, të cilat i shërbyen gjinisë njerëzore.

Sot xhami të mëdha ekzistojnë edhe në qendrat më të mëdha të qytetërimit perëndimor siç janë në Paris, Londër, Hamburg, Vjenë, Berlin, Romë, Zagreb, Milano, Nju Jork, Uashington si dhe në qytete tjera të Amerikës, Australisë etj.


 
copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!