Sunne-ti dhe Hadith-i i Pejgamberit
Sejjid Husein Nasr
08 Nëntor 2006


Para se të vdiste, Profeti i Bekuar u pyet se me çfarë duhej të kujtohej pas nisjes së tij dhe ai u përgjigj: nëpërmjet Kur′anit të Shenjtë, këndimi i të cilit do t′ia përjetësonte praninë në bashkësinë e tij. Ai po ashtu tha se do të linte pas vetes Kur′anin e Shenjtë dhe Familjen e tij (Ehl ul-Bejtin). Në të vërtetë Profeti i Bekuar la pas jo vetëm Kur′anin dhe familjen e tij, kuptuar si biologjikisht ashtu edhe shpirtërisht, por edhe Sunne-tin dhe Hadith-in e tij, që janë të lidhur në mënyrë intime me të dy. Profeti i Shenjtë la pas një thesar shembujsh të sjelljes dhe të veprimit në rrethana të ndryshme, që quhen Sunne-ti i tij dhe thënie që ngërthejnë Hadith-in, tradita që në Islamin shi�i përfshijnë edhe thëniet e Imamëve, të cilët sigurisht janë prijësit e Ehl ul-Bejtit.

Sunne-ti dhe Hadith-i i Profetit të Bekuar janë plotësues të Kur′anit të Shenjtë dhe komentim i Librit të Zotit. Pa to, s′do të ishte e mundur të kuptohej shumëçka nga Libri e madje as të praktikoheshin ritet themelore të Islamit, të përmendura në Kur′an, por vetëm do të njihej parimi dhe përvijimi i tij i përgjithshëm. Për shembull, në rastin e faljes, Kur′ani i urdhëron muslimanët ta kryejnë atë (sal-li) por hollësitë e lutjeve të përditshme (salat-it apo namaz-it) bazohen në Sunne-tin e Profetit të Bekuar. Kjo vlen edhe për agjërimin, haxhxhin e të tjera si këto. Ja përse Sunne-ti dhe Hadith-i, së bashku me Librin e Allahut, janë shtyllat themelore të Islamit dhe të Ligjit Hyjnor të tij e janë konsideruar gjithmonë si jashtëzakonisht të vyer. Ja përse edhe sulmi i dijetarëve modernë - përfshi edhe ca muslimanë të shushatur nga pretendimet pseudoshkencore të historicizmit - kundër Hadith-it janë aq të djallëzuara, duke goditur kështu vetë themelin e traditës Islame.
     
Sunne-ti i Profetit të Bekuar, i kuptuar tradicionalisht dhe i ndjekur nga breza të tërë muslimanësh për katërmbëdhjetë shekuj, është trashëgimia e themeluesit të Islamit dhe mbetet i pacënueshëm, megjithë tërë atë kriticizëm gjoja shkencor e akademik, por në realitet të cekët e të papërfillshëm ndaj tij nga modernistët dhe agnostikët e sotëm. Ky Sunne-t ka shumë përmasa e aspekte, që shtrihen që nga mënyra e prerjes së thonjve deri te qëndrimi para Zotit në lutje. Një pjesë e tij janë zakone arabe, të islamizuara nëpërmjet faktit të përvetësimit të tyre nga Profeti i Bekuar, ngase çdo gjë që një profet, sidomos i madh bën dhe thotë zotëron një domethënie përtej çastit historik e kontekstit kulturor, në të cilin ajo ndodh fillimisht. Elemente të tjera të Sunne-tit lidhen më drejtpërsëdrejti me personin e Profetit të Bekuar dhe prapë të tjera me formën e gjeniun specifik të traditës islame. Mund të thuhet se ekziston një Sunne-t esencial, që duhet zbatuar në të gjitha klimat dhe kohërat me qëllim që integriteti i traditës islame të ruhet; dhe ekziston një Sunne-t më pak thelbësor por i këshillueshëm, i cili sigurisht nderohet gjithmonë por që s′ka të njëjtën natyrë absolutisht esenciale. Mundësia e përhapjes së Islamit përgjatë historisë, nëpër pjesë të ndryshme të botës, është në vetvete vërtetim i këtij dallimi. Sunne-ti esencial ka udhëtuar kudo që është përhapur Islami por jo edhe disa vepra të këshillueshme, por jothelbësore, të cilat në të vërtetë do të ishin nganjëherë të vështira ose të pamundura për t′u ndjekur në rrethana të ndryshme. Kjo padyshim është e vërtetë veçanërisht në rastin e botës moderne dhe atë të muslimanëve, të cilëve u duhet të jetojnë në një shoqëri që nuk është as tërësisht muslimane e madje as kryesisht fetare sipas ndonjë tjetër feje nga Zoti.

Sa për Hadith-in, edhe ai përfshin një oqean urtie për të gjitha aspektet e jetës. I memorizuar nga sahabët dhe i përcjellë te brezat e mëvonshëm, ai u shkoqit dhe u hetua me shumë kujdes nga breza dijetarësh jashtëzakonisht të devotshëm, si sunni ashtu edhe shi�i, të cilët përdorën çdo mjet të mundshëm për të parandaluar hyrjen e thënieve të pavërtetësishme në korpusin e traditave profetike dhe sigurisht ishin njerëzit e fundit në botë që do të fallsifikonin Hadith, siç pretendojnë disa kritikë modernë. Rezultati i përpjekjeve dhe i diturisë së tyre të pabesueshme janë përmbledhjet e Hadith-it, që janë pranuar gjatë shekujve nga bashkësia islame, ndër të cilat gjashtë janë mbizotëruese ndër sunnitë dhe quhen ″Gjashtë Librat e Saktë″ (es-Sihah us-sitteh) dhe katër në mesin e shi�itëve, të quajtura ″Katër Librat″ (el-Kutub el-arba′ah). Megjithëse vetë thëniet janë shumë të ngjashme, zinxhirët e transmetimit në të dyja rastet janë të ndryshëm, një fakt që konfirmon në vetvete saktësinë e metodave të ndjekura nga dijetarët e Hadith-it dhe vërtetësinë e asaj që ata kanë verifikuar sipas metodave përkatëse. Gjithashtu, katër librat shi�itë përmbajnë edhe thëniet e Dymbëdhjetë Imamëve, bashkë me ato të Profetit të Bekuar. Për më tepër, në të dyja rastet hadith-et ndahen në të forta, relativisht të forta, të dobëta, të dyshimta dhe krejtësisht të pasakta, ku janë zhvilluar metoda të imtësishme verifikimi e analizimi, që e kanë bërë disiplinën e lidhur me studimin e Hadith-it një prej degëve më të vështira të shkencave islame.

Hadith-et, ashtu si edhe Sunne-ti zënë një fushë të gjerë dhe përfshijnë thuajse çdo aspekt të ekzistencës njerëzore. Disa merren me natyrën e Zotit dhe adhurimin, disa me jetën e përditshme. Ato përfshijnë moralitetin, jetën shoqërore dhe ekonomike, diturinë e arsimimin, natyrën e botës, eskatologjinë dhe jetën e përtejme e shpirtërore. Hadith-et shtrihen nga pohime të tilla si ″Zoti është i Bukur dhe e do të bukurën″ lidhur me natyrën e Zotit, deri në ″Jepjani hakun punëtorit përpara se t′i thahet djersa″ lidhur me marrëdhëniet e punës. Hadith-i është një thesar i pashtershëm për studimin dhe drejtimin e jetës njerëzore. Ai është njëkohësisht një komentim i Kur′anit të Shenjtë dhe pasqyrë e mendjes dhe e shpirtit të njeriut, që u zgjodh për t′i sjellë njerëzimit Fjalën e Zotit. Në fakt, është Hadith-i dhe Sunne-ti, si i shkruari ashtu dhe i thëni, i gdhendur në libra si dhe në zemrat e shpirtërat e burrave dhe grave, që u ka mundësuar muslimanëve ta imitojnë Profetin e Bekuar përgjatë shekujve dhe ta mbajnë gjallë pishtarin e Islamit. Por Sunne-ti dhe Hadith-i nuk janë thjesht një trashëgimi nga e kaluara historike. Ato kanë të bëjnë me personin që është ″i gjallë″ këtu dhe tani dhe që nderohet e duhet nga të gjithë muslimanët edhe sot, ashtu si katërmbëdhjetë shekuj më parë. Ja përse, ndërkohë që jeta e tij është studiuar dhe po studiohet e imitohet nga muslimanët kudo, ai vetë lavdërohet dhe mbi të e familjen e tij dërgohen bekime në falje e lutje që kanë mbijetuar epokat dhe janë frytet e vizioneve të atyre shpirtrave të ndriçuar, të cilët, duke ndjekur Profetin e Bekuar, janë bekuar me intimitet me qenien e tij tejhistorike. Nga ky intimitet kanë vërshuar ato bekime e lutje, përmes të cilave muslimanët kanë shprehur dashurinë dhe respektin e tyre për themeluesin e Islamit, që është udhërrëfyesi i tyre në këtë botë dhe ndërmjetësuesi i tyre në botën tjetër.

O Zoti im, bekoje atë nga i cili burojnë sekretet dhe prej të cilit shpërthejnë dritat; në të cilin ngrihen realitetet dhe të cilit i zbritën dituritë e Ademit, ashtu që ai i ka bërë të pafuqishme të gjitha krijesat; dhe të kuptuarit zvogëlohet në lidhje me të; dhe askush ndër ne, as paraardhës e as pasardhës, s′mund ta përfshijë atë.

Kopshtet e botës shpirtërore (el-malakut) janë stolisur me lulen e bukurisë së tij dhe bazenet e botës së gjithëfuqisë (el-xhabarut) vërshojnë me gufimin e dritave të tij.

Nuk ekziston asgjë që të mos lidhet me të, tamam siç kanë thënë:
″Aty ku nuk ka ndërmjetësues, çdo gjë që varet prej tij do të zhdukej!′ (Bekoje o Zot) me një bekim, që t′i kthehet atij përmes Teje nga Ti, sipas hakut të vet.
     
O Zoti im, ai është sekreti Yt përfshirës, që të shpalos Ty dhe perden Tënde supreme, të ngritur para Teje.
     
O Zoti im, më bashko me pasardhësit e tij dhe më justifiko me llogarinë Tënde për të. Më bëj ta njoh atë me një dije, që më shpëton nga puset e injorancës dhe ma shuan etjen te puset e virtytit. Më ço në rrugën e tij, të rrethuar nga ndihma Jote drejt pranisë Tënde. Përmes meje godite kotësinë, që të mund ta dërrmoj. Me kridh në oqeanet e Njëshmërisë (el-ehadijje), më tërhiq nga pellgjet e tewhid-it dhe më zhyt në burimin e kulluar të oqeanit të Unitetit (el-wahdeh), që të mos shoh, dëgjoj a ndjej veçse përmes saj. Dhe bëj nga Perdja Supreme jetën e shpirtit tim; dhe nga shpirti i tij sekretin e realitetit tim; dhe nga realiteti i tij tërë botët e mia, nëpërmjet realizimit të së Vërtetës së Parë.
     
O i Pari, o i Fundit, o i Jashtmi, o i Brendshmi, dëgjoje kërkesën time, siç e dëgjove kërkesën e robit Tënd Zekerijait; më ndihmo përmes Teje te Ti, më bashko me Ty dhe eja midis meje e tjetrës-nga-Ti: Allah, Allah, Allah! {S′ka dyshim që Ai që ta bëri detyrim Kur′anin, do të të kthejë nga erdhe} (XXVIII: 85).
     
Zoti ynë, dhurona mëshirë nga prania Jote, dhe na mbruj sjellje të drejtë në brengën tonë} (XVIII: 10).
     
Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij e bekojnë profetin; O ju që besoni, lutni bekime mbi të dhe dëshirojini paqe atij} (XXXIII: 56).
     
Mirësitë (salawat) e Zotit, paqja, përshëndetjet dhe bekimet (berekat) e Tij qofshin mbi zotërinë tonë Muhammed, shërbëtorin Tënd, Profetin Tënd, dhe të Dërguarin Tënd, dhe mbi familjen e tij e mbi shokët e tij, aq sa çifti dhe teku dhe fjalët e përsosura e të bekuara të Zotit tonë.
     
{I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i lavdisë, përtej asaj që i përshkruajnë, dhe paqe pastë mbi të dërguarit. Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botërave} (XXXVII: 180-2).″

përgaditi: Edin Q. Lohja

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!