1 Lavdërimi i takon Allahut që na udhëzoi në lavdërimin e Tij
dhe na vendosi mes lavdëruesve,
që të mund të jemi mes falënderuesve për mirësinë e Tij
e që të na shpërblejë për ata
me shpërblimin e punëmirëve!
2 Gjithë lavdia i takon Allahut
që na favorizoi përmes dinit të Tij
na veçoi për besimin e Tij
dhe na drejtoi në shtigjet e mirësisë së Tij,
që me butësinë e Tij të shkelim mbi to
drejt kënaqësisë së Tij,
një lavdërim që ai do të na e pranojë
dhe nëpërmjet të cilit do kënaqet me ne!
3 Gjithë lavdia i takon Allahut që caktoi ndër këto shtigje muajin e Tij
muajin e Ramazanit
muajin e agjërimit
muajin e nënshtrimit
muajin e pastërtisë
muajin e sprovimit
muajin e qëndrimit në namaz,
{në të cilin u zbrit Kur’ani si udhërrëfim për njerëzit
dhe si shenjat e qarta të Udhëzimit e Furkanit}!
4 Ai e qartësoi shkëlqyeshmërinë e tij mbi të gjithë muajt
me të shumtat gjëra të shenjta e shkëlqyeshmëri të mirënjohura
që vendosi në të,
sepse Ai ndaloi në të çfarë ka lejuar në muajt e tjerë
për ta madhëruar,
ndaloi ushqimet dhe pijet në të
për ta nderuar,
dhe i caktoi një kohë të qartë që Ai
(i Madhërishëm dhe Fuqiplotë siç është)
nuk e lejon të shtyhet para
dhe s’e pranon të vihet prapa.
5 Pastaj Ai e bëri njërën natë në të t’ua kalojë netëve të njëmijë muajve
dhe e quajti Nata e Vendimit
{në të engjëjt dhe Shpirti zbresin
me lejen e Zotit të tyre, me urdhra për të gjitha çështjet,
paqe} me bekime të pandërprera
deri në agim
mbi cilindo nga shërbëtorët e Tij që do Ai
sipas vendimit që Ai ka caktuar me vendosmëri
6 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhësit e Tij,
frymëzona me dije për shkëlqyeshmërinë e tij
nderim të pacenueshmërisë së tij,
dhe kujdes ndaj asaj që Ti ke ndaluar në të,
dhe ndihmona që ta agjërojmë
duke i përmbajtur gjymtyrët tona
nga veprat e mosbindjes ndaj Teje
dhe duke i përdorur ato
në atë që Të kënaq Ty,
që të mos ia vëmë veshit gjepurave
dhe të mos i shpejtojmë sytë në devijim,
7 të mos i shtrijmë duart drejt haramit
dhe të mos na shpien këmbët tek e ndaluara,
që barqet tona të mbajnë vetëm ç’ke lejuar
dhe gjuhët tona të flasin vetëm ç’ke bërë shembull,
të mos ndërmarrim asgjë përveç asaj që na afron me
shpërblimin Tënd
dhe të mos ndjekim tjetër veç asaj që na mbron nga
dënimi Yt!
Atëherë çliroje tërë këtë nga krekosja e rreme e krekosësve të rremë
dhe famëkërkimi i famëkërkuesve,
që përndryshe të mos të Të shoqërojmë asgjë
apo kërkojmë ndonjë objekt dëshire veçmas Teje!
8 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhësit e tij,
në të na bëj t’i kryejmë
në kohën e caktuar pesë vaktet
brenda kufijve që ke caktuar,
detyrimet që ke urdhëruar,
detyrat që ke përshkruar,
dhe kohët që ke veçuar;
9 dhe në lutje vendosna në pozitën e
mbajtësve të pozitave të tyre,
rojtarëve të shtyllave të tyre,
përmbushësve të tyre të përpiktë,
siç tregoi shërbëtori dhe pejgamberi Yt në Sunnetin e tij
(bekimet Tuaja qofshin mbi të dhe Pasardhjen e tij)
në përgjunjet, sexhdet dhe në të gjitha
veprat e tyre të shkëlqyera,
me abdesin më të plotë e të kulluar
dhe përuljen më të dukshme e intensive!
10 Jepna sukses në këtë muaj
që t’i forcojmë lidhjet fisnore me devotshmëri e dhunti,
t’u qasemi komshinjve dhurues e duarlirë,
të heqim pretendimet nga pronat tona,
t’i pastrojmë ato përmes sadakasë,
t’i kthehemi atij që na është larguar,
ta trajtojmë drejt atë që na ka hyrë në hak,
të bëjmë paqe me atë që na shpreh armiqësi
(përveç atij që mbahet armik
tek Ti dhe për Ty,
sepse ai është armiku të cilin s’do ta miqësojmë,
pala të cilën nuk do ta përqasim),
11 Dhe të kërkojmë afrinë Tënde përmes veprash të paqortueshme
që do të na kullojnë nga mëkatet tona
dhe ruajnë nga përsëritja e gabimeve tona,
ashtu që asnjë nga melekët e Tu nuk do të Të sjellë
ato lloj bindjeje dhe atë kërkim afrie
përveçse më të pakta nga ç’sjellim ne!
12 O Allah,
po të kërkoj me hakun e këtij muaji
dhe me hakun e atij që Të adhuron në të
që nga fillimi deri në çastin e kalimit të tij,
qoftë melek që ke afruar pranë Vetes,
profet që ke dërguar,
apo shërbëtor të përulur që ke veçuar,
që ta bekosh Muhammedin dhe Pasardhjen e tij,
të na bësh të denjë për bujarinë që u ke premtuar
miqve të Tu,
ta bësh të detyrueshme për ne
atë që e ke bërë të detyrueshme
për ata që shkojnë larg në bindjen ndaj Teje,
dhe të na vendosësh në rangjet e atyre
që meritojnë - përmes mëshirës Tënde - ngritjen më të lartë!
13 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij,
shmangna nga
devijimi në të dëshmuarit e Unitetit Tënd,
nga të metat në madhërimin Tënd,
në dinin Tënd,
verbëria ndaj rrugës Tënde,
pavëmendshmëria ndaj pacenueshmërisë Tënde,
pas mashtrimit nga armiku Yt, shejtani i mallkuar!
14 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhësit e Tij,
dhe kur në secilën prej netëve të këtij muaji
Ti ke qafa
që falja Yte do t’i çlirojë
dhe mëshira Yte t’i konsiderojë,
na i vendos qafat mes atyre qafave
dhe vendosna me njerëzit dhe shoqëruesit më të mirë të këtij muaji!
15 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij,
na i fshi mëkatet
përnjëherësh me fshirjen e hënës së tij,
dhe na kalo nga pasojat e këqija të veprave tona
me kalimin e ditëve të tij,
gjersa të na lërë pas,
ndërkohë që gjatë tij të na kesh pastruar nga shkeljet
dhe liruar nga punët e liga!
16 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij,
dhe nëse anojmë në këtë muaj,
drejtona;
nëse shmangemi,
na kthe në të mbarë;
e nëse armiku Yt, Shejtani na mbërthen,
shpëtona prej tij!
17 O Allah,
mbushe këtë muaj me adhurimin tonë për Ty,
stolisja çastet me bindjen tonë ndaj Teje,
ndihmona gjatë ditës me agjërimin e tij,
dhe gjatë natës me lutje e përgjërime ndaj Teje,
nënshtrim ndaj Teje,
dhe përulje para Teje,
që dita e tij të mos dëshmojë
kundër pavëmendshmërisë sonë,
e as nata e tij ndaj shpërfilljes sonë!
18 O Allah,
na bëj të tillë edhe në muajt dhe ditët e tjera
për sa të na kesh dhënë jetë,
dhe vendosna mes shërbëtorve të Tu të drejtë,
{ata që do të trashëgojnë Xhennetin,
ku do të qëndrojnë përherë},
{ata që japin atë që japin,
kur zemrat u dridhen,
që po kthehen tek Zoti i tyre},
{ata që garojnë në vepra të mira,
dhe nxitojnë drejt tyre}!
19 O Allah,
bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij
në çdo kohë, në të gjitha çastet dhe në çdo gjendje,
me numrin që ke bekuar
këdo që ke bekuar
dhe me shumëfishet e tërë asaj, përmes shumëfisheve
që s’i numëron dot kush veç Teje!
pa dyshim, Ti je Realizuesi i asaj që dëshiron.
Shqipëroi: Edin Q. Lohja
21 Shtator 2006/27 Sha‘ban 1427.