Roli dhe Karakteri i Profetit Muhammed
Sejjid Husein Nasr
08 Nëntor 2006

Në mjaft vargje të Kur′anit të Shenjtë si XXXIV: 50, XL: 55 dhe XLVII: 19, përmendet fakti se Profeti i Islamit ishte njerëzor e jo hyjnor në kuptimin e një mishërimi, mirëpo këto ajete nuk e mohojnë aspak madhështinë përparësore të Profetit të Bekuar si më i përkryeri i qenieve njerëzore, si ″xhevahiri midis gurëve″ në vargun e cituar më parë. Përndryshe, si mundet po ai Kur′an Fisnik të pohojë se ai ishte zgjedhur si shembulli (uswe) më i mirë për t�u ndjekur. Pikërisht në sajë të përsosjes së mbartur prej tij, ai u ka shërbyer si shembull i përkryer brezave të muslimanëve. Nuk ka asnjë dyshim se atij iu dha nga Zoti një shquarje e atillë, që është e pazakontë dhe jo thjesht njerëzore, siç përdoret kjo fjalë sot, ndonëse teologjikisht ai nuk ishte i një prejardhjeje hyjnore por njeri. Nuk ka provë më të mirë të shquarjes së tij të jashtëzakonshme, sesa pagabueshmëria e tij (′ismeh), pra faktit që ai ishte i mbrojtur nga Zoti prej gabimit, qoftë nëse kjo merret në kuptimin e veçantë shi′it - që vetë lënda e tij kishte qenë imune nga mëkati që në fillim, ose që ai ishte ″larë″ dhe kulluar nga engjëjt - siç dëshmon ngjarja e treguar më lart për larjen e kraharorit të tij nga melekët [në burimet sunnite]. Gjithsesi nuk ka rrezik më të madh për muslimanët e sotëm se ai i të reduktuarit të madhështisë së mrekullueshme të Profetit të Bekuar në terma mendjengushta njerëzore me justifikimin e jashtëm se ai ishte thjesht njeri por ndërkohë duke i shërbyer në të vërtetë [me këtë reduktim] humanizmit mbizotërues të Perëndimit modern. Fakti se Profeti i Bekuar ishte njeri nuk do të thotë se ai ishte i zakonshëm si çdo qenie njerëzore, por që gjendja njerëzore e zotëron mundësinë e madhështisë dhe plotësisë të shpalosur nga personaliteti dhe karakteri i tij. Të përsiaturit mbi jetën, virtytet dhe arritjet e Profetit të Bekuar do të thotë të kuptohet jo vetëm madhështia e fuqisë së Zotit dhe e profetëve të tij, por edhe fakti se njerëzimi si tërësi jeton kaq poshtë nivelit të njerëzores së vërtetë. Profetët dhe shenjtorët i shpalosin njerëzimit mundësinë totale të ekzistencës. Janë pikërisht ata, që e ngrenë kuptimin e fjalës ″njeri″ në rasën e saj më të lartë dhe njeriut s′mund t′i bëhet dëm më i madh sesa të reduktuarit e tyre në standartet mendjengushta dhe shpesh të papërfillshme të njeriut modern; në vend që t′i mbajnë ata si ideale e shembuj të përhershëm, që mund t′i ndihmojnë njerëzit ta realizojnë - të paktën në njëfarë shkalle - natyrën tërësore dhe të plotë të gjendjes njerëzore.

Për breza të tërë muslimanësh, para se humanizmi i botës moderne të ndotëte mendjet dhe shpirtrat e shumë prej tyreve, Profeti i Bekuar e përmbushi një mision të tillë në nivelin më të lartë dhe ai mbetet e do të mbesë, për sa kohë që Islami të jetojë si fe, shembulli i epërm për t′u ndjekur nga njerëzit. Profeti i Bekuar, në njëfarë kuptimi, e kaloi plotësisht gjithçka njerëzore për të qenë në gjendje ta përmbushte këtë funksion, ashtu siç depërtoi Islami në çdo aspekt të jetës njerëzore, që të mund ta integronte krejt jetën në Qendrën, që i shenjtëron dhe u jep kuptim të gjitha gjërave.

Nuk ekziston praktikisht asnjë aspekt i jetës njerëzore, të cilin Profeti i Islamit të mos e ketë kaluar. Në nivelin personal dhe njerëzor ai provoi humbjen e të dy prindërve në moshë të njomë, vetminë, trysnitë shoqërore, varfërinë materiale dhe praktikisht çdo lloj vështirësie që mund të kalojë një i ri në shoqëri. Më vonë, ai do të dëshmonte çdo formë pikëllimi, humbjen e gruas së tij të dashur Hatixhe, vdekjen e hershme të djemve, tradhtinë e anëtarëve të vetë fisit të tij, kërcënime të vazhdueshme të jetës, pronës e familjes së tij, pa përmendur rreziqet e vazhdueshme që ndeshi kauza, për të cilën ai ishte zgjedhur dhe së cilës ai ia kishte kushtuar tërësisht vetveten, e kjo është Islami.
Ngaqë jeta njerëzore është e thurur me fije gëzimi e pikëllimi, Profeti i Islamit u bekua gjithashtu me përvojën e çdo gëzimi të mundur për qeniet njerëzore, duke filluar sigurisht me atë gëzim më të lartë, e në fakt ekstazë, që është njohja dhe dashuria e Zotit, dhuntia supreme që iu dha atij si bekim i veçantë nga Qielli, me një gradë ekzaltimi dhe intensiteti të papërfytyrueshëm për qeniet e tjera njerëzore. Por në nivelin më të zakonshëm të jetës njerëzore, ai u bekua me gëzimin e një martese shumë të lumtur me Hatixhen, e të paturit të një bije si Fatimja, e cila ishte si një substancë engjëllore e rënë mbi tokë, e një kushëriri dhe dhëndri si ′Aliu, devotshmëria e të cilit ndaj Profetit të Bekuar dhe përkushtimi ndaj thirrjes së tij janë të jashtëzakonshme me çfarëdolloj standardesh që të gjykohen. Profeti i Bekuar kishte gjithashtu shokë dhe nxënës të përkushtuar si Ebu Bekrin dhe Selmanin dhe e kishte shijuar kuptimin e plotë si të miqësisë njerëzore, ashtu dhe të asaj Hyjnore (duke qenë vetë miku i Zotit, �habib-u�Llah�). Ai kishte provuar aspekte të natyrës njerëzore, që nga pozita e favorshme e të qenit jetim i varfër, tregtar i suksesshëm, udhëheqësi i rrezikuar i një bashkësie gjysëm-klandestine dhe prijësi triumfues i një shoqërie të re, e cila së shpejti do të pushtonte pjesën më të madhe të botës. Ai u kishte shitur mallra tregtarëve të vegjël si dhe u kishte dërguar letra perandorëve e sundimtarëve më të fuqishëm mbi dh�, duke i ftuar ata në kauzën e Islamit. Ai kishte shijuar si humbjen edhe fitoren e madje ishte bekuar me mundësinë e provimit të gëzimit të pakrahasueshëm të faljes së armiqve të tij më të këqinj në çastin e çlirimit të Mekës. Së fundi, ai kishte shijuar edhe dështimin edhe suksesin. Ai kishte ngulmuar për vite të gjata me durim e mbështetje te Zoti duke dëshmuar dështime të hidhura dhe pastaj u destinua të shijonte ëmbëlsinë e sukseseve të njëpasnjëshme, deri në shkallën sa ai mundi të realizonte, para vdekjes, gjithçka që kishte synuar të arrinte. Me siguri ka pakgjë, që një musliman mund të kalojë dhe pak situata që mund të ndeshë në jetën njerëzore, pa patur një precedent në jetën e Profetit të Bekuar, që mund t′i shërbejë si model dhe burim frymëzimi e udhëzimi.

Përsa u përket funksioneve themelore në shoqëri, përsëri i Dërguari i Allahut ishte destinuar nga Zoti t′i përmbushte gati të gjitha. Ai ishte mësues, kryetar familjeje, tregtar, prijës politik dhe shoqëror, udhëheqës ushtarak, gjykatës dhe sundues suprem për të mos folur për funksionet e tija specifikisht profetike si sjellja e një Ligji Hyjnor dhe e Fjalës së Zotit për njerëzimin, duke i udhëzuar njerëzit në dije si ezoterike, ashtu edhe ekzoterike, i dhuntisur me njohje të plotë të natyrës njerëzore dhe psikologjisë së njerëzve në çaste të ndryshme e raste të lloj-llojshme, etj.

Në secilin prej këtyre funksioneve ai la pas një trashëgimi të vyer, e cila është bërë pjesë dhe parcelë e Islamit dhe e kulturës së tij. Si mësues, Profeti i Bekuar ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në përcjelljen e diturisë së niveleve të ndryshme tek tipa shumë të ndryshëm njerëzorë. Ai në të vërtetë ishte mësuesi i epërm. Ai ishte aq i suksesshëm si mësues saqë ende sot mbetet mësuesi më i rëndësishëm për muslimanët. Thëniet dhe veprat e tija, mendimet dhe veprimet e tija e mësojnë akoma bashkësinë e tij ditë e natë, ndërkohë që udhëzimet më intelektuale e shpirtërore të kumtuara prej tij vazhdojnë të formojnë dhe mbrujnë mendjet e shpirtrat e atyre anëtarëve të bashkësisë Islame, që janë në kërkim të përsosjes shpirtërore.

Si kryetar familjeje, Profeti i Bekuar krijoi një shoqëri në miniaturë dhe në fakt një univers, struktura dhe marrëdhëniet e brendshme të të cilit u interesojnë pamasë muslimanëve të devotshëm edhe sot e kësaj dite. Mënyra e tij e të sjellurit me bashkëshortet, fëmijët dhe nipat e tij të vegjël, Hasanin e Huseinin, detyrimet dhe funksionet e tija brenda shtëpisë, ndjenja e tij e përgjegjësisë ndaj familjes, ngulitja nga ana e tij e dashurisë dhe besimit mes anëtarëve të familjes e shumë elemente të tjera janë pjesë e Sunne-tit dhe përbërës të karakterit të tij. Këto e bëjnë atë një shembull për t′u ndjekur dhe imituar jo vetëm si individ, por edhe në kontekstin e familjes njerëzore. Po ashtu, mënyra në të cilën ai sillej kur ishte tregtar, ose kur gjykonte një rast, ose kur vepronte si prijës ushtarak në mejdan, apo sundonte një bashkësi njerëzore ose vendoste mbi një problem diplomatik zbulojnë secila aspekte të një qenieje, që ishte zgjedhur për të përmbushur të gjitha mundësitë e ndodhura në natyrën njerëzore. Është mendim kthjellues të mbahet mend se i njëjti person që udhëhoqi betejën e Bedrit dhe i cili më vonë sundoi një segment të tërë të universit do të përulej në dyshemenë e shtëpisë së tij modeste, që nipat e tij t�i ngjiteshin mbi shpinë e ta ngisnin nëpër dhomë. Vetëm një profet mund të arrijë një përsosje të tillë madhështie dhe përulësie, fuqie e bujarie, por fakti se mund ta arrinte këtë tregon se sa i madh mund të jetë njeriu sikur vetëm ta dinte se kush është.
Sigurisht çdo profet dhe sidomos i fundit prej tyre i zotëron të gjitha virtytet njerëzore, por në rastin e secilit profet veçohen dhe theksohen një sërë virtytesh, që lidhen me strukturën e fesë së sjellë në këtë botë prej tij. Virtyti i dallueshëm i disa profetëve ka qenë dashuria dhe i disave tërheqja, frika e Zotit dhe asketizmi. Përsa i përket Profetit të Bekuar, virtytet e tij dalluese ishin sinqeriteti ndaj Zotit dhe të Vërtetës, bujaria ndaj të gjitha qenieve dhe varfëria e përshpirtshme e shoqëruar me thjeshtësi dhe përulësi. Profeti i Bekuar ka thënë: ″Varfëria është krenaria ime″ (el-fekru fakhri) dhe spiritualiteti islam quhet shpesh ″varfëria muhammedane″ (el-fekr el-muhammedi).

Kjo nuk donte të thoshte se Profeti i Bekuar ishte kundër njerëzve të pasur apo se i përbuzte të mirat e kësaj bote. Fundja, vetë bashkëshortja e tij Hatixhja ishte një tregtare e pasur. Ajo çfarë ky fekr donte të thoshte ishte në thelb përulësia dhe vetëdija për hiçin tonë përpara Zotit, duke parapëlqyer thjeshtësinë përpara zbukurimeve dhe luksit. Profeti i Bekuar ishte i rreptë ndaj vetes dhe kërkonte vazhdimisht ta disiplinonte veten. Ai gjithmonë e theksonte përulësinë, ndonëse ishte më i madhi i njerëzve dhe pa dyshim i ndërgjegjshëm për natyrën e tij. Por shumë nga Sunne-ti dhe edeb-i, ose mënyra e të sjellurit të tij, ekziston me qëllimin e rrënjosjes së virtytit të përulësisë (tewadu� apo khushu�), forma më e lartë e të cilit është vetëdija jonë e të qenit asgjë përpara Zotit, e simbolizuar gjithashtu edhe nga sexhdet gjatë namazit të përditshëm.
Profeti i Bekuar ishte gjithashtu plot me bujari e zemërgjerësi (keramet ose sheref). Në po atë shkallë sa ç′ishte i rreptë me veten, ai ishte bujar me të tjerët. Fisnikëria e karakterit do të thotë edhe të japësh edhe të marrësh, dhënien e vetes dhe përpjekjeve, mendimeve e zotërimeve tuaja të tjerëve dhe faljen e gabimeve të tyre dhe asaj që të kanë bërë. Jeta e Profetit të Bekuar ishte plot me raste në të cilat ai i dhuroi të tjerëve dhe ishte bujar në kuptimin më të plotë të termit, si dhe me çaste faljeje, ndër të cilat pushtimi i Mekës është shembulli i epërm. Këtu u shpalos fisnikëria e karakterit në majën e saj sepse ai ua fali, duke qenë në kulmin e fuqisë, atyre që i kishin bërë padrejtësi në mënyrën më të keqe përgjatë viteve. Gjatë disa çasteve kur ai vepronte si gjykatës dhe nuk i falte shkeljet e dikujt, ai kishte ndërmend drejtësinë e Zotit dhe mirëqenien e bashkësisë. Ai nuk veproi si individ, por si një funksionues i një kolektiviteti njerëzor. Përndryshe, nuk kishte kurrë ndonjë ndjenjë hakmarrjeje personale ose shpagimi në veprimet dhe në trajtimin e tij ndaj të tjerëve.

Së fundi, Profeti i Bekuar zotëronte virtytin e sinqeritetit (ikhlas) në plotësishmërinë e vet. Nuk ka asnjë veprim që ai kreu ose fjalë që shqiptoi pa sinqeritet të plotë. Por mbi të gjitha ai qe i sinqertë me Zotin dhe sinqeriteti i tij ishte i njëjtë si besnikëria (sidk) e tij. Fakti se ai u quajt el-Emin (i besuari) qysh në rini, do të thotë se kjo cilësi ishte e pranishme në mënyrë të dallueshme tek ai që nga fëmijëria dhe ishte përsosur kur ai u zgjodh si Profeti i Zotit. Jo vetëm që Profeti i Bekuar nuk gënjente kurrë, por si rezultat i këtij virtyti të sinqeritetit dhe të besnikërisë, ai mundi ta vendoste gjithçka në vendin e vet, të ishte i logjikshëm dhe objektiv në gjykimin e ngjarjeve, ideve e personave dhe të shmangte shtrembërimet subjektive e individualiste. Por mbi të gjitha kjo donte të thoshte se ai ishte i prirur të shihte të vërtetën e ta merrte atë pa ia ndryshuar natyrën dhe përmbajtjen. Ja përse ai u bekua me dijen e më të thellës prej të vërtetave, që është La ilahe il-la′Llah dhe u zgjodh për ta përhapur këtë të vërtetë qendrore dhe thelbësore mbi sipërfaqen e tokës.
Karakteri i Profetit të Bekuar, i stolisur me virtytet e sinqeritetit, bujarisë dhe përulësisë ose besnikërisë, fisnikërisë dhe thjeshtësisë, u spërkat gjithashtu edhe nga parfumi i butësisë dhe derdhja e lumturisë me të cilat ai kujtohet edhe sot në mbarë botën islame. Kur termi ″karakter muhammedan″ (el-khulk el-muhammedi në arabisht dhe khuj-i muhammedi në persisht e urdisht) përdoret në disa gjuhë islame ai nënkupton gjithmonë këtë ndjesi butësie dhe gëzimi të shoqëruar me thjeshtësinë, fisnikërinë dhe besnikërinë e përmendur më lart. Kur thuhet se filani ka khu ose khulk-i muhammedi, do të thotë se ai është i bekuar me këto virtyte, se nuk zemërohet pa shkak, është i qetë dhe i përmbajtur, ka durim dhe është i mirë ndaj të tjerëve dhe se ai është në gjendje gëzimi e lumturie dhe nuk jepet pas agjitimit e ankimit të vazhdueshëm. Muslimanët nuk dështojnë të kujtojnë se Profeti i Bekuar qeshte gjithmonë dhe kishte një ndjesi lumturie e gëzimi që i buronte nga fytyra, e cila sigurisht nuk përjashtonte ″zemërimin e shenjtë″, kur ndeshte ata që kundërshtonin të Vërtetën. Por gjëja e mahnitshme është se në shpirtin e tij ekzistonte si fuqia, ashtu dhe butësia, si ashpërsia dhe pastërtia e shkretëtirës, ashtu dhe puhiza e parfumi i një kopshti me trëndafila. Ai e shndërroi botën dhe kreu detyrat më të jashtëzakonshme nën vështirësi të pabesueshme, por gjithmonë me mirësinë dhe bujarinë që i karakterizon të dashurit e Zotit (ewlija′). Në atë ishin bashkuar përsosjet më të larta. Ai ishte me të vërtetë njeriu i përkryer para të cilit engjëjt u urdhëruan të përuleshin. Ja përse Zoti dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë dhe e bekojnë atë dhe besimtarët urdhërohen që edhe ata ta lavdërojnë dhe ta bekojnë e t′i modelojnë jetët e tyre sipas tij. Ç′është e vërteta, lavdërimi i Profetit është akti i vetëm që njeriu e ndan me Zotin dhe me engjëjt.

përgaditi: Edin Q. Lohja

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!